Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ka nisur nga Gjimnazi “28 Nëntori” në Shkodër, turin e dëgjesave publike, me bashkëbisedimet e hapura me nxënës dhe mësues, në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të sistemit arsimor në vend.
Gjimnazistët theksuan rëndësinë e financimit në shkolla të bazës materiale për projektet që ata realizojnë gjatë vitit si dhe zgjerimin e laboratorëve, për të zhvilluar potencialin e tyre në fushën e teknologjisë.
Duke folur për mundësinë që do të shihet, në mënyrë që shkollat të kenë më tepër autonomi, Ministrja Ogerta Manastirliu e vuri theksin edhe tek zgjerimi i programit SmartLab në shkollat e vendit, për të rritur aksesin në teknologji.
“Gjatë 2023-2024 duam që të shtrijmë SmartLab-et edhe në 216 shkolla të tjera, për të rritur aksesin në teknologji, dijet në programim dhe kodim e për t’iu dhënë mundësi nxënësve të përgatiten për të ardhmen dhe të shpalosin potencialin e tyre drejt inovacionit dhe zgjidhjeve inteligjente “,- tha Manastirliu.
Gjatë bashkëbisedimit me mësuesit e gjimnazit të njohur, Minstrja Ogerta Manastirliu, ka vlerësuar rolin dhe punën e mësuesve, teksa nënvizoi rëndësinë e këtij bashkëbisedimi të hapur për të zhvilluar më tej programet në shkolla.
“Dua ta nis punën me ju, të flasim për arsimin me mësuesit, me nxënësit, me prindërit, me qëllimin për të ndërvepruar së bashku dhe për të marrë vendimet e duhura për programet që ne kemi aktualisht dhe ato që do të zhvillojmë në të ardhmen dhe besoj se më mirë se ju që jeni në terren, që jeni matësit më të mirë të punës dhe përformancës në shkollë, hnuk ka se kush ta thotë. Ju mund të na transmetoni më shumë në raport se si mund të përmirësohen indikatorë të ndryshëm në shkollë dhe këtu e kam fjalën te cilësia apo çfarë mund të bëjmë më shumë sa i përket kurrikulës së shkollës por edhe asaj jashtëshkollore, programeve dhe aktiviteteve”, u shpreh Manastirliu.
Mësuesit e Gjimnazit “28 Nëntori” kanë vendosur theksin tek pasurimi edhe më shumë i biblotekës së shkollës, mundësia e zgjerimit të bazës materiale nga vetë shkolla, tek pasurimi i laboratorëve me mjete laboratorike dhe linjat e internetit të sigurt në klasa.
Ministrja Manastirliu do të vijojë bashkëbisedimet e hapura me mësues dhe nxënës në të gjitha shkollat, për të marrë sugjerime dhe për të ndarë problematika, me qëllim përmirësimin më tej të sistemit arsimor në vend.