UBT sjell ofertën akademike të njësuar me BOKU-në, Ministrja Denaj: Mundësi të reja për studentët shqiptarë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

UBT sjell ofertën akademike të njësuar me BOKU-në, Ministrja Denaj: Mundësi të reja për studentët shqiptarë

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Anila Denaj, mori pjesë sot në aktivitetin promovues të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), ku u prezantua oferta akademike e njësuar me modelin e Universitetit BOKU të Vjenës, e cila do të nisë në shtator të këtij viti.

Ky projekt është një hap i madh drejt modernizimit dhe avancimit të arsimit të lartë në Shqipëri, duke e pozicionuar UBT-në si një universitet të nivelit europian.

Në aktivitetin e sotëm, të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sporteve Ogerta Manastirliu, rektori i UBT-së Fatbardh Sallaku dhe ish-rektori i BOKU-së, Profesor Hubert Hasenauer.

Në fjalën e saj, ministrja Denaj e cilësoi këtë moment si një “ëndërr të realizuar” falë angazhimit të kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpunimit të shkëlqyer të rektorit të BOKU-së, profesor Hubert Hasenauer, dhe ekipit të UBT-së.

Ajo nënvizoi se UBT është sot universiteti BOKU në Tiranë, duke ofruar 9 programe akademike të njësuara plotësisht me sistemin e BOKU-së.

Programet përfshijnë degë të rëndësishme si menaxhimi i biznesit, zhvillimi ekonomik, agronomia, mbrojtja e bimëve, veterinaria dhe shumë të tjera që lidhen ngushtësisht me zhvillimin rural dhe sigurinë ushqimore.

“Ky njësim sjell një rritje të nivelit të mësimdhënies dhe fuqizimin e kërkimit shkencor, një nevojë e domosdoshme për zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë shqiptare. Studentët që do të nisin këtë program akademik do të jenë të parët që do të dalin me një diplomë të njësuar dhe do të përfitojnë nga një proces akademik dhe kërkues shkencor i nivelit ndërkombëtar”, tha ministrja Denaj.

Ministrja theksoi se ky zhvillim është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, dhe ka për qëllim të kthejë UBT-në në majën e universiteteve në rajon, duke ofruar mundësi për kërkime të përbashkëta me lektorë dhe studentë nga rajoni dhe bota.

Në këtë kontekst, znj. Denaj bëri të ditur se është planifikuar ndërtimi i një Qendre Ekselence për Nanoteknologjinë, e cila do të mbledhë kërkues shkencorë dhe studentë nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë.

Po ashtu, shtoi ministrja Denaj, një tjetër nismë e rëndësishme është krijimi i një Qendre të Gjeoinformacionit për Ballkanin Perëndimor, e cila do të bëjë të mundur avancimin e kërkimeve shkencore në rajon.

Ministrja Denaj falënderoi akademikët, veçanërisht profesor Sallakun dhe ekipin e tij, për angazhimin e madh dhe punën e palodhur për realizimin e këtij projekti brenda një viti.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit konkret për të nxitur punësimin në fushat e bujqësisë dhe zhvillimit rural, duke ofruar mundësi punësimi për studentët pas përfundimit të studimeve.

“Ne kemi filluar së bashku një marrëdhënie bashkëpunimi reale, konkrete për të nxitur punësimin në të gjitha degët dhe për të siguruar integrimin e studentëve në sektorin publik dhe privat”, shtoi ministrja.

Ministrja Denaj ftoi maturantët të aplikojnë për programet europiane në UBT, duke filluar nga data 29 korrik në portalin U-Albania, dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi të artë për një të ardhme të suksesshme profesionale dhe akademike.

“Kjo është mundësia juaj për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ta përdorni këtë mundësi me mençuri dhe të bëhemi ambasadorët më të mirë të dijes dhe zhvillimit”, u shpreh ministrja.

Previous Raporti i Bordit të Akreditimit, Manastirliu: Rritje 40% e financimit për universitetet, synojmë të shkojmë drejt Universitetit 4.0, i orientuar drejt teknologjisë, inovacionit dhe shkencës së hapur