Kryeministri Edi Rama, së bashku me zëvendës kryeministren Belinda Balluku, prezantuan sot çmimin e ri të energjisë elektrike, duke nënvizuar se ai tashmë do të jetë më i ulët, falë reformave të ndërmarra ndër vite. Kjo ulje, vjen si rrjedhojë e performancës së lartë të tre institucioneve përgjegjëse.
Nga ulja e çmimit, përfitojnë 1 milionë e 70 mijë abonentë ose rreth 95% e bazës së abonentëve të regjistruar në OSHEE.
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve! Siç e shikoni, jemi në një mjedis të pazakonshëm për një konferencë të jashtëzakonshme do thoja sepse sot do të ndajmë me publikun një arritje që është nga më domethënëset e qeverisjes sonë, uljen e parë në historinë e këtyre 35 viteve të çmimit të energjisë elektrike. Ky është një fakt i cili na mbush patjetër me shumë krenari, po të marrim parasysh se nga çfarë humnere e kemi nisur ngjitjen deri në këtë pikë.
Nga ana tjetër, po të marrim parasysh se ulja e çmimit të energjisë elektrike në kohën e sotme është në kundër tendencë të plotë me rajonin dhe me kontinentin ku jetojmë ku çmimet e energjisë elektrike jo vetëm janë rritur në përgjithësi, por janë të kërcënuara nga rritje të tjera. Natyrisht që kjo masë është një masë më shumë sesa e mirë menduar, e diskutuar gjerësisht në të gjitha nivelet me ekspertizën e brendshme dhe me ekspertizë ndërkombëtare. E bazuar në projeksionet e planit tonë strategjik për sovranitetin e plotë energjetik dhe kthimin e Shqipërisë në një eksportues neto të energjisë brenda mandatit tonë të katërt dhe sigurisht duke pasur parasysh edhe parimin e shpallur botërisht të qeverisë sonë për të ndarë me qytetarët frytet e reformave e dhimbshme, frytet e përpjekjeve shumë të mundimshme në këto vite dhe frytet e një rritjeje ekonomike që për vitin 2025 e parashohim në harkun e 4% që është një shifër shumë domethënëse.
Edhe diçka tjetër përpara se t’ia kaloj fjalën zëvendëskryeministres dhe ministres së energjisë për të folur konkretisht për uljen e çmimit dhe për gjithë faktet dhe shifrat që e mbështesin materializimin e jashtëzakonshme të një historie 10 vjeçare përpjekjesh. Kini parasysh disa fakte dhe po përsëris fakte që nuk dalin zakonisht në ekrane dhe në portale se ekranet dhe portalet janë shumë të interesuara për spektaklin e gjysmë të vërtetave dhe për thertoren publike të të gjithë personazheve publikë.
E para, Shqipëria sot falë politikës sonë në fushën e energjisë, falë masave komplekse që ne kemi marrë, qoftë me shtrëngimin e një hapësire tërësisht të shqyer që gjetëm kur gjysma nuk e paguante apo e vidhte energjinë dhe pjesa tjetër paguante dhe për pjesën tjetër dhe falë incentivave është jo vetëm e para në rajon për vet prodhimin e energjisë solare, por me distancë nga i dyti.
Sot Shqipëria prodhon 196 megavat energji elektrike nga subjektet private familjar apo biznese
Në vendin e dytë është Serbia me1/4 e prodhimit të Shqipërisë, 51 megavat. Pastaj Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia janë bashkë në një grup midis 14 dhe 18 megavat. Tre vjet! Tre vjet politikë në kulmin e sfidës nga kriza e madhe që prodhoi në gjithë sektorin energjetik edhe Europës, lufta në Ukrainë.
E dyta, sot Shqipëria 10% të prodhimit të saj e ka nga dielli. Kur ne hymë në këtë fazë ishte zero. Sot e ka 10 % dhe sot flasim për mbi 300 megavat prodhim që bazohet tek politika jonë e mbështetjes për diversifikimin e portofolit në funksion të sovranitetit të plotë energjetik të Shqipërisë dhe të kthimit të Shqipërisë në një eksportues neto të energjisë brenda mandatit të katërt dhe bashkë me prodhimin që nuk është pjesa e kuadrit të masave tona mbështetëse, ka 500 megavat në total, por më e rëndësishme se kjo, sot në kanalin e investimeve që janë të pritshme bazuar në aplikimet e reja kemi 1300 megavat energji diellore, 1.3 giga. Që do të thotë në total do të arrijmë objektivin e 30 % të prodhimit të energjisë totale nga burime të tjera përveç ujit, kam parasysh diellin, kam parasysh dhe 300 megavat energji ere që janë projekte tanimë ta futura në proces.
Dhe në mbyllje, pse është e rëndësishme kjo? E rëndësishme kjo është për faktin që ndryshe nga ç’thonë të gjithë ata që thonë e thonë por s’dinë çfarë thonë dhe që rrokanisin kokën e opinionit publik me teorinë që ne kemi energji për vete dhe për të tjerët, në fakt në vitet e mira hidrike ne mbulojmë vetëm 75% të nevojave, që të jemi shumë të qartë, prandaj nuk jemi sovranë akoma. Por ama sot jemi tre vite larg sovranitetit të plotë energjetik sepse 30% të volumit të përgjithshëm që na duhet për të kompensuar, plus riciklimin e prodhimit hidrik përmes teknologjisë së re të pompimit që po e zbatojmë në Shqipëri si një projekt inovativ, në bashkëpunim me StatKraftin për Devollin dhe në mënyrë të pavarur nga KESH për Fierzën, do të na bëjnë që të jemi sovranë. Në vitet jo të mira hidrike dhe kemi pasur disa të tilla, ne e kemi 65% kapacitetin total të prodhimit, pra jemi të varur nga importi dhe nga çmimet e bursave dhe nga krizat e të tjerëve.
Ndërkohë që sot ne ju themi shqiptarëve me shumë krenari, u deshën vite, patjetër se duhen vite, por ne ia dolëm që t’iu shohim në sy e t’iu themi; ata që shpenzojnë dhe që janë rreth 95% e konsumatorëve deri në fashën 700 kilovat orë, do të kenë një ulje të çmimit të energjisë dhe mos harroni, në vitin 2019, pra që sipas meje ishte dhe mbyllja e kësaj fazës së parë për sovranitetin energjetik.
Konsumi më i lartë i vitit ishte 21 milionë kilovat orë në natën e Vitit të Ri. Nata e Vitit të Ri të 2019 ka qenë konsumi më i lartë i pikut. Sot 22 milionë kilovatë orë është normaliteti ndërkohë në pik ne shkojmë në 28-29 milionë dhe pikun nuk e kemi më vetëm për Vit të Ri siç e kishim dikur, por pikun e kemi edhe në periudhën e verës për shkak të rritjes eksponenciale të turizmit, por edhe në periudhën dhjetor – janar po ashtu. Çfarë thotë kjo? Kjo thotë një gjë shumë të madhe. Shqipëria është një vend tjetër. Shumë e thjeshtë, Shqipëria është një vend tjetër sepse rritja e konsumit të energjisë me këto përmasa, tregon rritje të ekonomisë, tregon rritje të kapaciteteve në të gjitha shtresat për konsum të energjisë dhe natyrisht që edhe ky është një fakt që na ndihmon të marrim këtë hap të uljes sepse kemi më shumë konsum, pra kemi edhe më shumë të ardhura.
Kjo është paraqitja ime.
Besoj shumë që ky moment materializon përpjekjet e të gjithë atyre që kanë kontribuuar dhe kontribuojnë në këtë fushë që nga drejtuesit deri tek elektricisti i fundit i sektorit publik të energjisë, deri tek numëruesi i fundit i sahatëve që është pjesë. Pjesa e sahatëve është pjesë e transformimit, pra transformimi vazhdon. Së shpejti, në javën e ardhshme, bashkë me zëvendëskryeministren dhe së bashku me një delegacion, ne do të shkojmë në Abu Dhabi për një tjetër moment historik, jo më të Shqipërisë si Shqipëri për konsumatorët e vet, por Shqipërisw si aktor i energjisë në nivel evropian. Do ta shikoni pas ca ditësh, por sot fokusohemi tek ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe sot besoj dhe nga prezantimi që do të bëjë zëvendëskryeministrja, do të ekspozojmë me fakte edhe të gjithë ata, që pasi ia kanë nxirë dhe ia kanë errësuar jetën e përditshme në kuptimin fizik të fjalës, shqiptarëve, bëjnë teori për sektorin energjetik, ndërkohë që siç do të shikoni, çmimet e energjisë elektrike i kanë pasur më të larta sesa çmimi që është sot, jo sesa çmimi që do të jetë duke filluar nga muaji shkurt, po sesa çmimi që është sot dhe i kanë rrokanisur dhe i rrokanisin kokën shqiptarëve në bashkëpunim me kanale e portale të llumit, duke iu thënë që “ne e rritëm çmimin, ne e rritëm këtë..”. Ne s’kemi rritur asgjë, ne thjesht kemi rritur Shqipërinë dhe po rrisim Shqipërinë përditë, si një forcë në dispozicion të njerëzve që nuk ka qenë e mundur të jetë asnjëherë për shkak se ia kishin zënë sytë, ia kishin zënë gojën, ia kishin zënë frymën, ia kishin këmbët, ia kishin zënë dhe duart.
ZëvendësKryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku: Faleminderit kryeministër! Përshëndetje të gjithëve, gëzuar dhe vit të mbarë!
Unë do të bëja një prezantim teknik të të gjithë situatës dhe të gjithë hapave që kemi hedhur për të arritur deri në këtë ditë të shënuar për sektorin energjetik shqiptar, përsa i përket uljes së çmimit. Që të gëzosh arritjet, mirë është të hedhesh një herë sytë nga e kaluara për të kuptuar se si ka evoluar ky sektor, kush është kalvari i gjatë që sektori energjetik, por dhe vetë shqiptarët kanë kaluar në 20 vite dhe kush janë sakrificat, kontributi dhe gjithçka tjetër që është bërë nga çdo punonjës ashtu siç tha dhe kryeministri, nga elektricistët, të cilët mirëmbajnë rrjetet e shpërndarjes, nga inxhinierët që merren transmetimin dhe deri tek faturistët apo të gjitha ato zonja që shërbejnë sot në qendrat e pritjes së abonentëve.
Në vitin 2005 çmimet ishin të ndara me dy fasha dhe sigurisht këto fasha kishin një ndarje, e cila nga sa na ka rezultuar dhe nga gjithë analiza që kemi bërë, nuk ka qenë kurrë e studiuar.
Ndërkohë që, fasha nën 210 kilovat/orë në vitin 2005 paguhej me 4.5 lek, ndërkohë që fasha mbi 210 kilovat/orë paguhej me 9 lek
Më pas në vitin 2006 dhe ju do ta shikoni që ndryshimet janë pothuajse çdo vit duke treguar se ka patur një paqëndrueshmëri dhe as vizion për vazhdimësinë e sektorit energjik. Vetëm pas një viti këto dy fasha bashkohen duke nxjerrë një çmim të ponderuar prej 7 lekësh.
Në vitin 2008 fashat rindahen, por në një nivel tjetër. Pra tashmë, jo 210, por një fashë 300 kilovat orë, e cila nën 300 kilovat orë paguhet me 7 lek dhe mbi 300 kilovat orë paguhet me 300 lek. Për ta ndryshuar serish në vitin 2010, ku kemi çmimin më të lartë historik të aplikuar ndonjëherë dhe kemi fashën nën 300 kilovat orë me 7.7 lek dhe më pas fashën mbi 300 kilovat orë me 13.5 lek. Ky çmim vendoset në këto dy fasha me një vendim nr. 100 të datës 15.12.2009.
Menjëherë pas këtij vendimi, kemi një vazhdimësi deri në 2015, kur me vendim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë vendoset që fashat të hiqen një herë e mirë, duke qenë se krijonin dhe një sërë abuzimesh të analizuara tashmë, nga viti 2014 deri në 2015 dhe vendoset një çmim prej 9.5 lekësh, një çmim i unifikuar i cili do të jetë në fuqi deri në 1 shkurt të vitit 2025.
Çfarë ka ndodhur gjatë një dekade? Kryeministri bëri me të vërtetë një ekspoze shumë të mirë, madje edhe me terma teknikë për të treguar të gjithë punën që kemi bërë, të gjithë strategjinë kombëtare që kemi ndërmarrë, e cila është bazuar duke nisur nga viti 2019 mbi diversifikimin e burimeve të energjisë së rinovueshme. Shqipëria nuk ka në plan që të humbë vendin e parë në Ballkan dhe sigurisht një nga vendet e para në Europë, sa i përket energjisë së rinovueshme. Shqipëria, Norvegjia, Danimarka dhe disa vende të tjera skandinave janë të vetmet vende, të cilat e mbajnë këtë pozicion në BE dhe ne kemi luftuar dhe synojmë që të vazhdojmë dhe të jemi kampionët e Ballkanit përsa i përket prodhimit të energjisë së rinovueshme, por tashmë përmes një portofoli të diversifikuar.
E kemi nisur këtë proces gjatë vitit 2019 me vështirësi të them të drejtën, pasi ka qenë një koncept i ri dhe jo lehtësisht i kuptueshëm, por sot nëse i referohemi projekteve të subvencionuara nga shteti shqiptar, por edhe projekteve të kompanive private, por edhe të gjithë volumit prej 196 mega, e cila vjen nga auto prodhuesit sot performanca e një burimi të ri, atij fotovoltaik është me të vërtet e kënaqshme dhe të gjitha planet e parashikimet tona janë që në dy vitet e ardhshme i gjithë ky volum të rritet dhe të kapërceje 1 gigavat.
Nga ana tjetër kemi nisur punën për një tjetër burim të rinovueshëm që është ai i energjisë eolike, që kërkon më shumë kohë për zbatim dhe e bën jo shumë atraktiv për entitetet private, siç është në rastin e fotovoltaikëve, por megjithatë ne e kemi nisur një proces duke qenë se 22 mega do të vijnë nga ankandi shtetëror, i cili është përmbushur me sukses dhe tashmë janë bërë dhe koordinimet dhe firmosjet e kontratave me palët fituese. Por nga ana tjetër, kemi pasur gjithashtu edhe iniciativa private për nderimin e parqeve eolike mw të vogla, rreth 3 megavat duke e çuar edhe këtë burim në një sasi të konsiderueshme prej 300 megavat orë.
Siç e tha kryeministri, çka është e rëndësishme për ne, është padyshim pavarësia energjetike dhe Shqipëria nuk synon vetëm përmbushjen e kërkesave të tregut vendas, por ne synojmë të bëhemi një vend eksportues neto brenda vitit 2029, por duke ruajtur kapacitete tona të rinovueshme dhe duke pasur parash dhe gjithçka vjen nga politikat e BE në të ardhmen për sa i përket emetimeve apo përsa i përket edhe volumeve të dekarbonizimit.
Për t’iu kthyer pikërisht lajmin të mirë të sotëm, do të qëndronim te një argument për të cilin unë jam e sigurte që do të analizohet na vazhdim. Pse ulet çmimi! Ndërkohë që nëse do krahasonim me 10 vite më parë, të gjitha çmimet tashmë kanë kapërcyer, janë rritur me 30%, duke nisur me çmimet e transportit, duke nisur nga çmimet e materialeve bazë të prodhimit, ndërkohë që çmimi i energjisë në Republikën e Shqipërisë, sot ne po marrim një vendim shumë të rëndësishme për ta ulur atë.
Kjo vjen për shkak të performancws në radhë të parë, për shkak të performancws së sektorit, për shkak të performancws të kompanive që janë pjesë përbërëse e sektorit energjik të Republikës së Shqipërisë, duke nisur nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare si prodhuesi kryesor në vend, duke shkuar më pas tek operatori i transmetimit, i cili mban gjithë peshën e transmetimit dhe jo vetëm për Shqipërinë, por me një rol shumë të rëndësishme rajonal dhe duke e përmbyllur më pas tek OSHEE, që është kompania më e madhe energjetike e vendit me një numër punonjësish me mbi 6000 punonjës, të cilët kontribuojnë në katër anët e Shqipërisë dhe mbi të gjitha kompania, e cila mban peshën direkte të marrëdhënieve me klientin, duke qenë se është kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike. Që të treja kompanitë me një koordinim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë operuar gjatë vitit 2022, duke nisur nga kriza energjetike botërore. Viti 2023 dhe viti 2024 në një koordinim të plotë si një trup i vetëm, me synimin kryesor për të arritur kërkesën e qeverisë shqiptare për uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe faktikisht ia kemi dalë.
Ja kemi dalë, pasi kemi përmbushur një nga kushtet teknike më të rëndësishme që ne kemi pasur në agjendën tonë, që është ulja e nivelit të humbjeve teknike, duke e çuar atë në një nivel historik. Vetëm 17.93 %, krahasuar me 46% që ka qenë në vitin 2012 dhe ndërkohë të gjitha proceset e investimeve që ne kemi sot do sjellin në një ulje të mëtejshme dhe po i referohem teknikisht që 1% ulje korrespondon me 7 milionë euro kursim në vit për OSHEE. NË slide-n që kemi përpara nesh duket qartësisht sesi pavarësisht krizës energjetike të vitit 2022 targeti i vendosur nga ministria e infrastrukturës dhe energjisë për OSHEE është mbajtur me një ritwm të qëndrueshëm për ulje vjetore nga 1 % dhe për të shkuar dhe për tu afruar me humbjet mesatare vjetore të BE. Ky ka qenë dhe elementi i parë i cili ka konsoliduar mundësinë tonë për të ecur përpara përsa i përket uljes së çmimit.
Nga ana tjetër, një element shumë i rëndësishëm ka të bëjë me normën e arkëtimit. Norma e arkëtimit, ka ardhur në rritje pasi duhet të kujtojmë që në vitin 2012, 2013 norma e arkëtimit ishte 65% e energjisë së shitur. Pra, jo e energjisë së prodhuar, duke mos harruar faktin se 45-46 apo dhe 48% e energjisë të prodhuar apo të importuar, shkonte në humbje. Pra, vetëm 65% e pjesës së mbetur, pra e 55% që tregtohej, arrinte që të mblidhej në të ardhura, ndërkohë që ju shikoni një grafik rritës së të ardhurave në 4 vitet e fundit, pra në 2021 me 97.3%, në 2022 me 98%, në 2023 me 99.3% dhe në 2024 kemi mbyllur vitin me 100.5%. Çfarë është ajo 5% i tejkalimit të 100%? Janë detyrimet e prapambetura, të cilat tashmë ne kemi muaj që arrijnë dhe 108% se mblidhen dhe ato detyrime. Kështu, duke pasur dy elementë të rëndësishëm, normën e arkëtimit gjithmonë në rritje dhe humbjet teknike, gjithmonë në ulje, ne kemi arritur të konsolidojmë performancën e OSHEE, duke i dhënë mundësi dhe hapësirë fiskale për uljen e çmimit.
Nga ana tjetër, ka pasur një bashkëpunim midis të gjithë operatorëve, midis të gjithë kompanive të energjisë, kompanive shtetërore, të cilat kanë kontribuar ndjeshëm në konsolidimin e uljes së këtij çmimi. Kështu që, edhe reformimi i çmimit nga ana e KESH në shitje drejt OSHEE, edhe disbalancat dhe humbjet, të cilat janë tashmë të konsoliduara nga ana e OST-së, kanë sjellë që ne sot të arrijmë në një vendimmarrje e cila ka kaluar për një kohë të gjatë, përmes një analize.
Unë e kam thënë disa herë këtë, që tashmë nuk është rasti dhe nuk është as stili ynë i punës që të marrim vendime, të cilat janë të cekëta, të cilat do të ndikonin sektorin negativisht apo të cilat do të ishin vendime momentale për t’u kthyer mbrapa në kohë.
Ky është një vendim i marrë përmes një analize, ky është një vendim që vjen për shkak të konsolidimit të financave të sektorit dhe ky është një vendim, i cili sigurisht hap një epokë të re për energjinë dhe për sektorin në tërësi.
Vendimi që tashmë është edhe aprovuar nga enti rregullator i energjisë, është që duke filluar nga data 1 shkurt, çmimi i energjisë elektrike në Republikën e Shqipërisë nga 9.5 lek/kvh do të shkojë 8.5 lek/kvh për fashën nga 1-700 kvh, e cila faktikisht nuk është një fashë, pasi e kam lexuar dhe dëgjuar tre ditët e fundit në media, dhe pritej që të ndodhte një vendim i tillë, por nuk bëhet fjalë për një fashë, pasi ndryshe nga fashat, të cilat janë faturim në nivele të ndryshme të konsumit, ne flasim për një kategori konsumi, pasi në bazë të saj, ky vendim vjen për shkak të eficencës elektrike.
Ne sot, një nga kërkesat dhe targetet kryesore që kemi, është eficenca e energjisë elektrike, ulja e konsumit dhe padyshim edhe eficenca financiare si e konsumatorëve familjare, ashtu dhe atyre industrialë dhe privatë. Për këtë arsye, ne kemi një faturim me dy kategori konsumi. Kategoria e parë e konsumit, e cila është nga 1-700kvh në muaj, do të vlerësohet dhe do të paguhet me 8.5 lek/kvh.
Ndërkohë që, nëse do të kalojnë këtë kategori konsumi, pra nëse do të kalojnë në 701 kvh, atëherë e gjithë fatura do të paguhet me çmimin që kemi dhe sot 9.5lek/kvh.
Asnjë lidhje me fashën. Kjo është diçka që unë do të preferoja dhe do të kërkoja ndihmë dhe të gazetarëve që ta sqarojnë, nuk është faturim me fasha, është faturim me konsum.
Nga ana tjetër, duhet thënë që ne kemi bërë një analizë shumë të detajuar edhe të abonentëve që preken nga kjo ulje. Kështu që, konsumi mujor i abonentëve nga 0-700 kvh, është i barabartë me 1 milion e 70 mijë abonentë, ose ndryshe e thënë 95% e bazës së abonentëve që ne kemi të regjistruar në OSHEE. Ndërkohë që konsumi nga 201-300kvh i aplikuar në vitet 2005-2006 dhe deri në 2013 i referohet vetëm 10.5% të bazës së abonentëve, ose ndryshe e thënë 120874 abonentë krahasuar me 1070000 abonentë, të cilët do të përfitojnë nga ulja e çmimit në 8.5 lekë që fillon nga 1 shkurti i vitit 2025.
Për të thënë të drejtën, diçka që duhet të ndajmë me ju janë dhe kostot që do të ndërmerren nga OSHEE për të ruajtur këtë nivel, qofshin këto teknike, qofshin këto financiare. Kryeministri e përmendi faktin e faturimit. Ju e kuptoni që në këtë proces, faturimi do të jetë një nga aksionet më të rëndësishme, pasi duhet ruajtur dhe është një detyrë që OSHEE-ja e ka marrë dhe do të kemi në ditët në vijim komunikimet se si do të funksionojë. Faturuesit do të jenë në terren dhe do të jenë të detyruar të bëjnë matjen brenda 30 ditëve për muajt me 30, apo 31 ditëve, muajt kalendarikë me 31 ditë, për të qenë të saktë, dhe për të ulur në minimum numrin e ankesave për mbi faturime pasi ne e kuptojmë që do të ketë sensitivitet nga ajo fashë që është afër konsumit prej 700 kvh, por nga ana tjetër çfarë është e rëndësishme dhe çka duam të ndajmë me ju, ne tashmë ne jemi në prag të firmosjes së kontratës të kredisë me agjencinë franceze, me ADF, e cila operon tashmë prej 2-3 vitesh në Shqipëri përsa i përket financimit të projektit të matësve inteligjentë, qoftë kjo për nënstacionet tona, për kabinat tona dhe më pas për të gjithë abonentët familjarë dhe për ata privatë.
Duhet të theksojmë që e gjithë kjo ulje prej 8.5lekësh, për kategorinë e konsumit deri në 700kvh, korrespondon me 3.1miliardë lekë në vit nga OSHEE që shkon në lehtësim për familjet shqiptare, ndërkohë që kursimi maksimal është për 1 abonent, rreth apo mbi 100 euro në vit. E gjithë kjo paketë sigurisht që do të përballohet në një bashkëpunim shumë të ngushtë midis të gjithë kompanive shtetërore të sektorit, të koordinuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ky është një moment historik për sektorin energjetik. Është një moment historik i cili kurorëzon të gjithë impenjimin, angazhimin, strategjinë, implementimin e kësaj strategjie nga të gjithë aktorët, qofshin këta teknikë apo dhe drejtuesit e sektorëve të cilët gjej rastin ti falënderoj për punën e shkëlqyer dhe për koordinimin, pasi ky koordinim, duke nisur nga ministria, ka sjellë një bashkërendim të të gjitha hapave që ne kemi bërë deri tani, duke na e lehtësuar procesin dhe duke na bërë shpresëplotë se pavarësisht rritjes së kërkesës për energji elektrike nga tregu, pavarësisht rritjes së nevojës për investime, pavarësisht planeve tona agresive për rritjen e kapaciteteve apo dhe projekteve të reja inovatore siç është “pumping system” që kryeministri e përmendi, ne ja dolëm që të ulim çmimin për familjarët, por nga ana tjetër, që të planizojmë në të ardhmen edhe fasilitete më të mëdha të cilat bazohen dhe nxiten nga parimi i eficencës së energjisë.