Universiteti i Tiranës, 65 vjet, krenari, sfida dhe arritje - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Universiteti i Tiranës, 65 vjet, krenari, sfida dhe arritje

U festua sot në një ceremoni të veçantë, 65 vjetori i krijimit të Universitetit të Tiranës, tempulli i parë i dijes në arsimin e lartë shqiptar.

Nën logon “Krenari, sfida, arritje” profesorë të nderuar, emra të shquar të këtij Universiteti ndër vite, risollën në kujtesë, punën madhore të realizuar që nga themelimi i tij në vitin 1957 e deri më sot, kur ky Universitet është i akredituar në të gjitha programet e studimit, duke rritur çdo vit e më shumë bashkëpunimin me universitetet prestigjioze ndërkombëtare, si një mundësi më tepër për studentët dhe pedagogët tanë për të përfituar nga përvojat e shkëmbimit. Këtë ngjarje të shënuar për arsimin e lartë në Shqipëri, e përshëndeti edhe Kryeministri Rama:

 

* * *

Mirëmbrëma të gjithëve!

Mua më kanë lënë në fund meqë flas shkurt zakonisht, dallohem për fjalime shumë të shkurtra!

Megjithatë ju siguroj që e ndiej dhimbjen e gjithë atyre që janë në këmbë qysh kur ka filluar kjo natë e gjatë kështu që do bëj çmos t’i shmangem fjalëve të shkruara për të thënë disa pak gjëra, pa hyrë në brengat e Erionit mbi botën e sheshtë apo mbi çipet në vaksinë sepse për fat të keq dhe në fat të mirë nuk jemi vetëm në këtë, e mban Amerika flamurin e njerëzve që besojnë në budallëqe dhe në ndërkohë numri i njerëzve që sot në botë besojnë në teoritë e konspiracionit është rritur qysh me aksesin e rritur në botën e informacionit, por kjo është një temë që nuk e zgjidh dot as qeveria, as universiteti. Besoj bashkia mund ta zgjidhë, jam i bindur dhe kemi shumë besim që me votën që do i japim Erionit, vitin tjetër do kemi më pak njerëz që besojnë që toka është e sheshtë.

Së pari, urime për këtë përvjetor. Në fakt jetojmë në një botë të çuditshme sepse ky është universiteti i parë i Tiranës dhe i Shqipërisë dhe sot festojmë 65 vjetorin, por para ca ditësh unë isha në 70 vjetorin e Universitetit të Mjekësisë dhe Universiteti i Mjekësisë nuk është i vetmi që feston 70 vjetorin, megjithëse mua më rezulton që ka lindur pas vitit ’90.

Ka dhe të tjera universitete, se shoh ftesa që vijnë për 70 vjetore kështu që ky universitet është i pari, por njëkohësisht është dhe më i riu. Kjo është akoma më e komplikuar se bota e sheshtë dhe duke qenë më i riu, ka edhe kuadrin më legjendar, profesor Ismetin që është mbi 100 vjeç.

E dyta që dua të them është që profesori Ismeti preku pikërisht nervin më të ndjeshëm timin në raport me universitetin, jo me të Tiranës, por me të gjithë universitetet sepse unë mbase dhe ngaqë jam i vetmi në këtë sallë që s’kam asnjë titull shkencor, s’kam as master, nuk e di si i bie, jam një bachelor i thjeshtë me një certifikatë bojaxhiu, por do ta them këtë, vazhdoj të mendoj dhe të besoj që ne kemi shumë universitete dhe për të pasur kaq shumë studentë ose dhe më shumë studentë, për të pasur kaq shumë cilësi, por mundësisht më shumë cilësi, ne na duhet të mendojmë seriozisht për një reformë të thellë dhe për një sinergji të re me qendër graviteti Universitetin e Tiranës, në mënyrë që të mos jetojmë me indiferencë ose me qetësinë e inercisë, agoninë e universiteteve nëpër territoret e tjera të vendit që një pjesë të tyre janë në një proces tkurrjeje. Kanë gjithmonë e më pak studentë ndërkohë që Universiteti i Tiranës nuk ka absolutisht asnjë problem të numrit të studentëve. Nga ana tjetër duke synuar me të drejtë që ne të fillojmë të mendojmë seriozisht për rankimin në arenën ndërkombëtare. Duhet të shikojmë në mënyrë praktike që për tu rankuar duhen plotësuar dhe disa kushte shumë të thjeshta teknike. Për shembull Universiteti i Tiranës nuk mund të rankohet ashtu siç duhet sepse i mungon mjekësia, për shembull, por të gjitha këto nuk janë për këtu sot, janë thjeshtë si reflektim i asaj që tha profesori, që universiteti lindi nga një bashkim i disa instituteve dhe le ta themi deri në fund. Unë jam i bindur që të paktën profesor Et’hemi është dakord me mua që ato institutet që u bashkuan atëherë ishin më shumë universitete se ç’janë sot universitetet që deri dje ishin institute.

E treta, unë kam shumë besim tek procesi i ndërkombëtarizimit dhe ne po shikojmë disa rezultate të prekshme që janë shumë inkurajuese, që kur ne kemi filluar ta nxisim seriozisht këtë proces, por edhe qysh se universitetet e gëlltitën atë kafshatën e pakapërdishme në fillim të reformës në arsimin e lartë dhe kanë filluar t’i kolaudojnë mekanizmat e tyre. Sot Universiteti i Tiranës ka në mos gabohem afro 800 pedagogë, diçka më pak. Ka rreth 400 prej tyre që janë të angazhuar drejtpërdrejtë në projekte të financuara nga fonde europiane. Ndërkohë që përpara sesa të niste kjo përpjekje e përbashkët, numri i tyre ishte më pak se 50. Kjo është shumë domethënëse.

Ashtu sikundër është shumë domethënëse që në tre projekte Universiteti i Tiranës është lider dhe këto janë projekte në bashkëpunim me universitete europiane. Ambicia ime është që ne të arrijmë ta bindim Bashkimin Europian që universitetet tona të rajonit të përfshihen totalisht në aleancën e universiteteve europiane sepse ajo do të hapte një horizont komplet tjetër për nga pikëpamja e kapaciteteve të financimit, por mbi të gjitha për nga mundësia e krijimit të urave të drejtpërdrejta dhe e njësimit të plotë të programeve dhe pastaj e vlerës së diplomave. Hapat që po hidhen në këtë drejtim janë shumë inkurajues. Ndërkohë që ne kemi angazhimin në samitin e 6 dhjetorit për të krijuar këtu në Tiranë kampusin e Universitetit e Kolegjit Europian të Bryzhit (Bruges), i cili qendrën e ka në Bruzh (Bruges). Ka një kampus në Poloni, një kampus që u hap në ’91 për të mbështetur procesin e integrimit të Polonisë dhe të atyre vendeve që hynë në valën e parë në Bashkimin Europian dhe në Tiranë do të ngrihet kampusi tjetër, i dyti.

Instituti i Studimeve Europiane të Universitetit është një bërthamë me një cilësi të respektueshme dhe me një potencial të mjaftueshëm për ta parë si një pikë referimi ndërkohë që është aktualisht që flasim në një proces ndërveprimi me kolegjin europian të Bryzhit (Bruges). Nuk dua të them më shumë, por meqenëse janë dhe këto dritat e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri po shtoj edhe dy fjalë për pagat sepse për pagat është bërë një debat i konsiderueshëm, që unë jam i bindur që ju që jeni këtu nuk e keni ndjekur, por Evisi sidomos e ka ndjekur, unë më pak.

E rëndësishme është që u bë rritja e nevojshme e pagave me fondin e universitetit dhe me fondet e qeverisë për të arritur atë objektiv që kishit dhe në ndërkohë ne po përgatitemi bashkë me këtë forumin që kemi krijuar me rektorët për të parë disa konkluzione të një raporti mbi situatën aktuale dhe mbi ku duam që të shkojë universiteti në 2030 dhe duam ta bëjmë këtë gjë bashkarisht, jo si vizion, por si një projekt konkret, me hapa konkretë, me calendar. Një nga elementët për të cilin ne nga ana jonë si qeveri po përgatitemi, është që të diferencojmë pagat, të diferencojmë pagat në kuptimin të diferencojmë kontributet nga ana e qeverisë, nga ana e buxhetit për të vlerësuar më shumë cilësinë, për t’i dhënë më shumë rëndësi atyre që japin më shumë dhe për t’i dhënë fund uniformitetit në mbështetjen financiare për vlerësimin e trupës pedagogjike.

Kjo është shumë e rëndësishme sipas nesh dhe për këtë po punojmë dhe besoj që qysh prej vitit të ardhshëm do të japim një shembull konkret se si kjo do të bëhet, që do të thotë që do të keni përsëri një kontribut nga ana jonë për rritjen e pagave të pedagogëve, por nuk dua që të ma përdorin këtë sinkronin siç është bërë zakon, që i marrin me iPad dhe m’i nxjerrin sepse kjo është gjysma e fjalisë. Gjysma tjetër e fjalisë është që kjo rritje nuk do të jetë uniforme. E ndërkohë do t’i lejojmë hapësirë UT në radhë të pare, por edhe të tjerëve, Universitetit të Mjekësisë për shembull që në këtë rast është model, për të përdorur më shumë nga fondi i tyre në rast se duan të rrisin më shumë pagat e pedagogëve, por këto janë çështje, të cilat do t’i konkretizojmë në vitin e ardhshëm.

Premtimin e mbajta përgjysmë, fjalimi nuk ishte aq i shkurtër sa ju do dëshironit, por nuk ishte absolutisht aq i gjatë sa unë ëndërroja kështu që ju falenderoj me shumë respekt për durimin, duke filluar nga ata që janë në këmbë, kuptohet, përveç Mevlan Shanajt që e shoh që ka gjithë jetën në këmbë, “I teti në bronx”, edhe në këmbë do mbetet bashkë me profesor Ismetin kur ne të tjerët t’ua kemi lënë vendin këtu kalamajve tanë.

Gëzuar festat e fundvitit!

Paçi gjithçka që dëshironi në familjet tuaja edhe të jeni të bindur që 2023-shi do të jetë më i vështirë, por për këtë do të jetë edhe më i bukur.

Shumë faleminderit!

Previous “Nuk ka asgjë më të mirë sesa të festosh miqësinë.” Fjala e Kryeministrit Rama në darkën e fundvitit me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë