Vaksinimi kundër gripit stinor tashmë ka nisur dhe 260 mijë doza janë shpërndarë në gjithë Shqipërinë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ishte në Qendrën Shëndetësore nr. 1 në Tiranë, ku bëri thirrje që sidomos grupet e riskut t’u drejtohen qendrave shëndetësore me qëllim që të bëjnë dozën e vaksinës kundër gripit.
“Janë 260 mijë doza vaksinash që janë siguruar për të gjitha qendrat shëndetësore në mbarë vendin. Instituti i Shëndetit Publik së bashku me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor janë duke mundësuar shpërndarjen pranë mjekëve të familjeve, duke diagnostikuar gjithë grupet e riskuara. Janë të ftuar, dhe u bëj thirrje që t’u drejtohen qendrave shëndetësore me qëllim që të bëjnë dozën e vaksinës kundër gripit,” – u shpreh Ministrja Koçiu.
Doza e vaksinës është mënyra më e mirë për parandalimin e formave të rënda të gripit, dhe ndihmon për një jetë më të shëndetshme gjatë stinës së dimrit.
Në grupin e personave të rrezikuar bëjnë pjesë individët e moshës së tretë mbi 60 vjeç, Fëmijët nga 6 muajsh deri në 12 vjeç, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kardiovaskulare, personat me sëmundje pulmonare apo astëm bronkiale, diabetikët, personat me sëmundje kronike të mëlçisë ose veshkave, të sëmurët me tumor/kancer, personat obezë, personat me imunitet të dobët, etj.