Transformimi i institucioneve arsimore në infrastruktura të denja për nxënien e dijes dhe mësimdhënien, në kuadër të Programit të Rindërtimit, vijon në çdo qytet të vendit me rikonstruksionin e shkollave dhe të kopshteve ekzistuese, si dhe me ngritjen e objekteve të reja.
Shkolla 9 vjeçare “Demokracia” në Valias, Kamzë është ringritur nga themelet me financimin e buxhetit të shtetit. Një shkollë model, e konceptuar si një kompleks arsimor ku përfshihen përveç shkollës me 445 nxënës, edhe kopshti e çerdhja me 155 fëmijë, si dhe stafi pedagogjik me 36 mësues dhe edukatorë.
Kryeministri Edi Rama, vizitoi sot shkollën e re, të ndërtuar sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, me klasa komode, laboratorë, bibliotekë, një sallë aktivitetesh, auditor prej 180 vendesh, terrene sportive e hapësira rekreative, në shërbim të gjithë komunitetit të Valiasit.
“Kjo është një prej 38 objekteve arsimore përfshirë kopshte, shkolla, çerdhe që janë rindërtuar në Bashkinë e Kamzës dhe është një investim i buxhetit të shtetit në kuadër të Programit të Rindërtimit. Është një shkollë me kapacitet mbi 400 nxënës, 4400 metra katrorë të ndërtuar me të gjitha ambientet që i përkasin palestrës apo terreneve sportive dhe gjithashtu dhe ambienteve rekreative. Kjo është një sallë për shfaqje të shkollës por gjithashtu i shërben dhe komunitetit për aktivitete të ndryshme.” – shpjegoi Ministrja e arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, e cila shoqëronte kryeministrin në këtë vizitë. Ndër të tjera, ministrja tha se “Për vitin 2024-2025 hapen kantierët për 40 shkolla, palestra, terrene sportive në gjithë vendin. Ndërkohë që përfundojmë me gjithë projektet për sa i përket rindërtimit, por dhe me mbështetjen e partnerëve tanë 100 objekte arsimore ne gjithë vendin brenda 2024.
Kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli tha se kjo shkollë dhe jo vetëm, i përmbush të gjitha standardet e BE. “Falë mbështetjes së qeverisë sot shkolla “Demokracia” përmbush te gjitha standardet e Bashkimit Evropian. Kemi 155 fëmijë në këtë kopsht. Falë mbështetjes ne kemi sot 13 kopshte dhe çerdhe të ndërtuara me këtë standard. Kamza është bashkia e tretë sot në Shqipëri sot për numrin e nxënësve në shkollat e mesme dhe ka qenë e parë në investime.” – u shpreh ai.
“Nëse fjala rilindje ka një kuptim, 100 %, e ka në Kamzë” – tha Kryeministri Rama gjatë vizitës në mjediset e shkollës.
Për afrimin e shërbimeve të lehtësuara ndaj studentëve Bashkia Kamzë tashmë është impenjuar që bashkë me Universitetin të krijojë ndërlidhjen mes nxënësve të klasave të 12-ta dhe nxitjes për të studiuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës.