Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Dhjetor 2022:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E BUXHETIT PËR AUTORITETIN E KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE DHE POSTARE, PËR VITIN 2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 117, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e fondit të shpenzimeve të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP), për vitin 2023, në shumën 381 500 000 (treqind e tetëdhjetë e një milionë e pesëqind mijë lekë), sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN E TË ARDHURAVE TË PERSONAVE QË PËRFITOJNË PENSION INVALIDITETI, PËR VITIN 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin, në masën 6 000 (gjashtë mijë) lekë të personave, që përfitojnë pension invaliditeti, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për vitin 2022.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 396 642 000 (treqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e dyzet e dy mijë) dhe përballohen nga fondi rezervë i buxhetit, për vitin 2022.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi, të cilët autorizohen të kryejnë edhe rialokimin e fondeve.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË MBROJTJE TË VEÇANTË NGA SHTETI PËR GRATË E PAPUNA ME TRE APO MË SHUMË FËMIJË TË MOSHËS DERI NË 18 VJEÇ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 58, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Grave të papuna me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njëri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100 000 (njëqind mijë) lekë në muaj, periudha e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje.
2. Kontributet e sigurimeve shoqërore për degën e sigurimit të pensioneve dhe degën e sigurimit të barrëlindjes paguhen në nivelin e pagës minimale në shkallë vendi.
3. Shërbimi Social Shtetëror përcakton listën e grave që përfitojnë mbrojtje të veçantë dhe çdo muaj llogarit dhe kryen pagesën e kontributeve, sipas parashikimeve të ligjit nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të udhëzimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe çështjet sociale.
4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2023.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.308, DATË 21.5.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PAKETAVE TË SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE, QË DO TË FINANCOHEN NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË SHËRBIMIN SPITALOR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 6, të ligjit nr.10 383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 8, e vendimit nr.308, datë 21.5.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8. Çmimet e paketave të shërbimeve shëndetësore rishikohen periodikisht, sipas vlerësimit të faktorëve socialë, ekonomikë dhe shëndetësorë nga një komision i kostifikimit të paketave shëndetësore, i cili përcaktohet nga Këshilli Administrativ i Fondit, me pjesëmarrës nga shërbimet shëndetësore publike, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të Fondit. Ndryshimi i çmimeve bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E PENSIONISTËVE PËR FESTAT E FUNDVITIT 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit 115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërblimin, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë, të personave, sipas kategorive të mëposhtme:
a) Personat, që përfitojnë pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
b) Personat, që përfitojnë pension, sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe, sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
c) Personat, që përfitojnë pension, sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë”, personat që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, dhe personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;
ç) Personat, që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
d) Personat, që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANC-it, sipas vendimit nr.190, datë 3.5.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, sipas dispozitave të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
dh) Personat, që nuk përfitojnë pension, por që përfitojnë vetëm pension shtetëror të posaçëm të caktuar në përputhje me nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
e) Personat, që nuk përfitojnë pension, por që janë përfitues vetëm të trajtimit të veçantë financiar, sipas neneve 5/1/a dhe/ose 5/1/b, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
ë) Personat, që nuk përfitojnë pension, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, por përfitojnë pension suplementar të caktuar, sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;
f) Personat, që përfitojnë pension për shkak të profesionit të vështirë, sipas nenit 5, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”;
g) Personat, që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit financiar si fëmijë në përkujdesje të Republikës, sipas ligjit nr.129/2021, “Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës””.
2. Të drejtën për të përfituar shpërblimin, në masën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi e kanë edhe ata persona që u lind e drejta për përfitimin e pensionit deri në datën 31.12.2022, përfshirë edhe këtë datë, dhe kanë të drejtë ta marrin vetëm një herë këtë shpërblim, pavarësisht se mund të përfitojnë më shumë se një përfitim.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 3 503 309 000 (tre miliardë e pesëqind e tre milionë e treqind e nëntë mijë), e ndarë në 3 475 505 000 (tre miliardë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë milionë e pesëqind e pesë mijë) lekë për shpërblimin dhe 27 804 000 (njëzet e shtatë milionë e tetëqind e katër mijë) lekë komisione dhe shpenzime të tjera. Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i miratuar për vitin 2022.
4. Shpërblimet do të kalojnë në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2022 dhe do të paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2022, ato do të paguhen gjatë vitit të ardhshëm. Shpërblimet e patërhequra parashkruhen me kalimin e 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga data e miratimit të këtij vendimi.
5. Administrimi i fondeve buxhetore të shpërblimit të pensionistëve, caktimi i shpërblimit për çdo përfitues dhe pagesa realizohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Posta Shqiptare, sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë, sipas të njëjtave procedura që zbatohen për administrimin e fondit të Sigurimeve Shoqërore.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi dhe autorizohen të kryejnë edhe rialokimin e fondeve, sipas programeve në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E DISA KATEGORIVE TË VEÇANTA PËR FESTAT E FUNDVITIT 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar shpërblehen financiarisht, për vitin 2022, në masën 3 000 (tre mijë) lekë, të ndarë sipas kategorive të mëposhtme:
a) Familjet të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;
b) Familjet të cilat kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas shkronjave “b” dhe “c”, të nenit 8, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;
c) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;
ç) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 399 000 000 (treqind e nëntëdhjetë e nëntë milionë) lekë dhe përballohen nga fondi rezervë i buxhetit, për vitin 2022.
3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIMI I NËNSTACIONIT 400 KV ELBASAN 3”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Ndërtimi i nënstacionit 400 kV Elbasan 3”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 13 475 622 (trembëdhjetë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e dy) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 13 475 622 (trembëdhjetë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e dy) lekësh, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., për pasuritë e shpronësuara.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E NGRITJES DHE FUNKSIONIMIT TË SISTEMIT ELEKTRONIK TË REGJISTRIMIT DHE RAPORTIMIT TË AKTIVITETIT TË PESHKIMIT DHE PËRCAKTIMIN E KOHËS PËR VËNIEN NË FUNKSION TË TIJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 77, pika 3, dhe 85, pika 2, të ligjit nr.64, datë 31.5.2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky vendim ka si objekt ngritjen e Sistemit të Raportimit Elektronik të të Dhënave (ERS) në peshkim, si një bazë të dhënash që regjistron, raporton, përpunon, ruan dhe transmeton të dhënat e peshkimit (zënie, zbarkim dhe transbordim), sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim.
Neni 2
Qëllimi
Regjistrimi dhe raportimi elektronik i të dhënave të peshkimit ka për qëllim të forcojë efektivitetin e operacioneve të monitorimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes si në det ashtu edhe në tokë.
Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Anije dhënëse”, gjatë aktivitetit të transbordimit është anija e cila i kalon produktet peshkore anijes pritëse.
2. “Anije pritëse”, gjatë aktivitetit të transbordimit është anija së cilës i kalohen produktet peshkore nga anija dhënëse.
3. “ERS”, Sistemi i Raportimit Elektronik është komunikimi elektronik i të dhënave të aktivitetit të peshkimit nëpërmjet:
b) përbërësve kompjuterikë (hardware dhe software);
c) tërësisë së rregullave që sigurojnë funksionimin e tij.
4. “Informacionet e librit të anijes”, informacioni sipas pikës 37, të kreut IV, të vendimit të kontrollit.
5. “Kodi alfa 3 të FAO”, kodi i specieve sipas shtojcës 3, të vendimit të kontrollit.
6. “Korrigjime lehtësisht të identifikueshme”, ndryshime që dallohen lehtë nga autoritetet kompetente.
7. “Ligji i peshkimit”, ligji nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar.
8. “MTU (Mobile Transcevier Unit)”, pajisjet e miratuara nga ministria përgjegjëse për peshkimin, të vendosura në bordin e anijeve të peshkimit sipas pikës 33, të kreut IV, të vendimit të kontrollit.
9. “Numri i jashtëm i identifikimit”, anijet e peshkimit shënjohen sipas rregullave të parashikuara në kreun III, të vendimit të kontrollit.
10. “Operacion peshkimi”, çdo aktivitet që lidhet me kërkimin e peshkut, tërheqjen, hedhjen dhe rikuperimin e një vegle peshkimi, si dhe me grumbullimin e zënieve nga vegla e peshkimit.
11. “Vendimi i kontrollit”, vendimi nr.407, datë 8.5.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e një regjimi kontrolli për të garantuar respektimin e rregullave të politikave menaxhuese në peshkim”, i ndryshuar.
12. “XML (extensible mark-up language)”, gjuhë kompjuterike e cila bazohet në formatin tekst për organizimin e informacioneve.
Neni 4
Institucioni administrues i ERS-së
Të dhënat e gjeneruara nga Sistemi i Raportimit Elektronik administrohen nga ministria përgjegjëse për peshkimin.
Neni 5
Të dhënat parësore dhe dytësore
Baza e të dhënave që krijohet nga sistemi ERS përmban:
a) të dhënat parësore sipas shtojcave 4 dhe 5, të vendimit të kontrollit;
b) të dhëna dytësore sipas pikës 24, të kreut IV, të vendimit të kontrollit.
Neni 6
Dhënësi i informacionit
Çdo kapiten, pronar ose përfaqësues i anijes së peshkimit, me një gjatësi të përgjithshme të barabartë ose më të madhe se 12 metra, detyrohet të regjistrojë dhe të transmetojë librin e anijes së peshkimit, deklaratat e zbarkimit dhe të dhënat e transbordimit në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit ERS.
Neni 7
Ndërveprimi me bazat e tjera të të dhënave
ERS-ja ndërvepron me Sistemin e Vëzhgimit të Anijeve (SVA), duke përdorur MTU-në e këtij sistemi, si pjesë të tij.
Neni 8
Niveli i aksesit
Kapitenët e anijeve të peshkimit kanë akses të sigurt, të identifikueshëm me përdorues dhe fjalëkalim, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, në të dhënat e librit të tyre elektronik të anijes së ruajtur në bazën e të dhënave.
Neni 9
Baza e raportimit të të dhënave
Raportimi i të dhënave për zëniet nëpërmjet sistemit ERS bazohet në librin elektronik të anijes së peshkimit, i cili përdoret për të regjistruar dhe transmetuar në mënyrë të sigurt detajet e operacioneve të peshkimit.
Neni 10
Raportimi i informacionit
Informacioni menaxhohet nga kapiteni i anijes së peshkimit dhe u transmetohet autoriteteve të përcaktuara në këtë vendim, ku të dhënat autentike të operacionit të peshkimit ruhen në një bazë të sigurt të dhënash.
Neni 11
Detyrimi i regjistrimit dhe raportimit
Me ngritjen dhe funksionimin e sistemit ERS, që anija e peshkimit të ushtrojë aktivitetin e peshkimit, kapiteni i anijes së peshkimit detyrohet të regjistrojë dhe të komunikojë menjëherë informacionin në lidhje me aktivitetet e peshkimit, duke përfshirë zbarkimet dhe transferimet, si dhe t’u vendosë në dispozicion autoriteteve të përcaktuara në ligjin e peshkimit një kopje të këtyre të dhënave.
II. PLOTËSIMI DHE TRANSMETIMI ELEKTRONIK I TË DHËNAVE
Neni 12
Raportimi i të dhënave për zëniet
Kapitenët e anijeve të peshkimit, me gjatësi totale të barabartë ose më të madhe se 12 metra, regjistrojnë elektronikisht informacionet e librit të anijes dhe i transmetojnë në rrugë elektronike në QNOD dhe në institucionin përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës, së paku një herë në 24 orë:
a) me kërkesë të institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës;
b) menjëherë pas përfundimit të operacionit të fundit të peshkimit;
c) përpara hyrjes në port;
ç) në momentin e çdo inspektimi në det;
d) në rrethana të veçanta të përcaktuara nga legjislacioni i peshkimit.
Neni 13
Detyrimi i raportimit në transbordim
Në zbatim të neneve 85 dhe 99 të ligjit të peshkimit, kapitenët e anijeve të peshkimit me flamur shqiptar, me gjatësi të barabartë ose më të madhe se 12 metra, të përfshira në një veprimtari transbordimi, plotësojnë një deklaratë transbordimi, duke raportuar sasinë për çdo specie të dhënë ose të pritur, në rastin kur kjo sasi është mbi 50 kg peshë e gjallë.
Neni 14
Plotësimi i deklaratës së transbordimit
Deklarata e transbordimit, e përmendur në nenin 13, të këtij vendimi, duhet të përmbajë informacionin e mëposhtëm:
a) Numrin e jashtëm të identifikimit dhe emrin e anijeve të peshkimit, dhënëse dhe pritëse;
b) Kodin alfa 3 të FAO-s për çdo specie dhe zonën gjeografike në të cilën janë bërë zëniet;
c) Vlerësimet e sasive të secilës specie të shprehura në kilogramë, të ndara sipas llojit të prezantimit të produktit ose, sipas rastit, numrit të individëve;
ç) Portin e mbërritjes së anijes pritëse të peshkimit;
d) Portin e caktuar për transbordimin.
Neni 15
Toleranca në përllogaritje
Toleranca e lejuar në përllogaritjet e sasive në kilogramë të peshkut të dhënë ose pritur, regjistruar në deklaratën e transbordimit, është 10% për të gjitha llojet.
Neni 16
Raportimi i transbordimit në format letër
Deri në vënien në funksion të sistemit ERS, kapiteni i anijes dhënëse dhe kapiteni i anijes pritëse duhet të paraqesin secili një deklaratë të transbordimit në format letër, në një kohë sa më të shpejtë dhe në çdo rast jo më vonë se 48 orë pas transbordimit:
a) pranë QNOD-së dhe institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës;
b) nëse transferimi ka ndodhur në portin e një shteti tjetër, tek autoritetet kompetente të shtetit të portit në fjalë.
Neni 17
Përgjegjësia mbi të dhënat
Kapiteni i anijes dhënëse dhe kapiteni i anijes pritëse janë përgjegjës për saktësinë e të dhënave të raportuara në deklaratën e transbordimit.
Neni 18
Raportimi elektronik i deklaratës së transbordimit
Kapitenët e anijeve të peshkimit me një gjatësi të përgjithshme të barabartë ose më të madhe se 12 metra, të përfshira në një operacion transbordimi, regjistrojnë në mënyrë elektronike informacionin e përmendur në nenin 14, të këtij vendimi, dhe ia transmetojnë atë në mënyrë elektronike QNOD-së dhe institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga përfundimi i operacionit të transbordimit.
Neni 19
Marrja e raportimit
QNOD-ja dhe institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës pranojnë raportet elektronike që përmbajnë të dhënat e anijeve të peshkimit, sipas nenit 14, të këtij vendimi.
Neni 20
Transbordimi nga një anije e huaj
Nëse një anije peshkimi e huaj transbordon zëniet e saj në Shqipëri, QNOD-ja dhe institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës i transmetojnë menjëherë elektronikisht të dhënat nga deklarata e transbordimit tek autoritetet kompetente të shtetit flamur të anijes së huaj si dhe tek autoritetet kompetente të shtetit në të cilin zëniet janë të destinuara.
Neni 21
Plotësimi i deklaratës së zbarkimit
Në zbatim të nenit 82, të ligjit të peshkimit, në informacionin që përmban deklarata e zbarkimit përfshihen:
a) numri i jashtëm i identifikimit dhe emri i anijes së peshkimit;
b) kodi alfa 3 i FAO-s për çdo specie dhe zona gjeografike në të cilën janë bërë zëniet;
c) sasitë e secilës specie në kilogramë, të ndara sipas llojit të prezantimit të produktit ose, sipas rastit, numrit të individëve;
ç) porti i zbarkimit.
Neni 22
Detyrimi i raportimit të zbarkimit
Kapiteni i një anijeje peshkimi me gjatësi të përgjithshme të barabartë ose më të madhe se 12 metra ose përfaqësuesi i tij regjistron në mënyrë elektronike informacionin e përmendur në nenin 21, të këtij vendimi, dhe ia transmeton atë në mënyrë elektronike QNOD-së dhe institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës sapo të jetë plotësuar dhe, në çdo rast, jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga përfundimi i operacionit të zbarkimit.
Neni 23
Transmetimi i korrigjimeve
Kapiteni mund të transmetojë korrigjime në librin elektronik të anijes dhe në deklaratatën e transbordimit përpara hyrjes në port. Korrigjimet duhet të jenë lehtësisht të identifikueshme. Të gjitha të dhënat origjinale të librit elektronik dhe korrigjimet e tyre duhet të ruhen nga QNOD-ja dhe institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës.
Neni 24
Ruajtja e informacionit nga kapiteni i anijes
Kapiteni ruan në format elektronik një kopje të informacionit të përmendur në nenin 12, të këtij vendimi, në bordin e anijes së peshkimit gjatë gjithë kohëzgjatjes së udhëtimit të peshkimit deri në paraqitjen e deklaratës së zbarkimit.
Neni 25
Dhënia e konfirmimit
QNOD-ja siguron që një mesazh marrjeje t’u dërgohet anijeve të peshkimit pas çdo transmetimi të të dhënave të librit të anijes, transbordimit ose zbarkimit. Ky mesazh përfshin një konfirmim të marrjes së informacionit.
Neni 26
Njoftimi para hyrjes në port
Në zbatim të nenit 8, të ligjit nr.10/2017, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për masat e shteteve portuale për të parandaluar, frenuar dhe eliminuar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar”, kapitenët e anijeve të peshkimit transmetojnë në mënyrë elektronike në QNOD njoftimin paraprak për hyrjen në port.
Neni 27
Komunikimi me shtetin e flamurit
Nëse një anije e huaj synon të hyjë në një port shqiptar, QNOD-ja, pasi ka marrë njoftimin paraprak të përmendur në nenin 26, të këtij vendimi, do t’ia transmetojë atë menjëherë në mënyrë elektronike autoriteteve kompetente të shtetit të flamurit.
III. FUNKSIONIMI I SISTEMIT TË REGJISTRIMIT DHE TË TRANSMETIMIT TË TË DHËNAVE ELEKTRONIKE
Neni 28
Raportimi në rast dështimi teknik
Në rast të një dështimi teknik ose mosfunksionimi të sistemit elektronik të regjistrimit dhe transmetimit të të dhënave, kapiteni, pronari i anijes ose përfaqësuesi i tyre i autorizuar, komunikon (në telefon ose në radio) të dhënat përkatëse të librit të anijes, të deklaratës së zbarkimit dhe të dhënat e transbordimit në QNOD, çdo ditë dhe jo më vonë se ora 24:00, edhe në mungesë të zënieve,:
a) me kërkesë të institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës;
b) menjëherë pas përfundimit të operacionit të fundit të peshkimit;
c) përpara hyrjes në port;
d) në momentin e çdo inspektimi në det;
e) në rrethana të veçanta të përcaktuara nga legjislacioni i peshkimit.
Neni 29
Përditësimi i të dhënave
QNOD-ja përditëson librin elektronik të anijes pas marrjes së të dhënave të përmendura në nenin 28, të këtij vendimi.
Neni 30
Masat në rast të dështimit teknik
Një anije peshkimi nuk largohet nga porti, në rast të një dështimi teknik ose mosfunksionimit të sistemit elektronik të regjistrimit dhe transmetimit të të dhënave, përpara se institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës të ketë konstatuar se sistemi funksionon normalisht ose kur anija është autorizuar të lundrojë nga ky institucion.
Neni 31
Mosraportimi i të dhënave
Kur QNOD-ja dhe institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës nuk kanë marrë të dhënat e transmetuara në përputhje me nenet 12, 18 dhe 22, të këtij vendimi, oficerët e shërbimit të peshkimit në sallën operacionale në QNOD informojnë menjëherë kapitenin ose pronarin e anijes ose përfaqësuesin e tyre. Nëse për një anije të caktuar kjo situatë ndodh më shumë se tri herë brenda një viti, institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës siguron që të kryhet një kontroll në sistemin e tij elektronik të transmetimit. Institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës kryen hetime për të përcaktuar shkaqet e mosmarrjes së të dhënave.
Neni 32
Ruajtja e të dhënave nga autoritetet
QNOD-ja dhe institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës ruajnë bazat e të dhënave për funksionimin e sistemeve të tyre elektronike të transmetimit. Këto baza të dhënash përfshijnë informacionin e mëposhtëm:
a) Listën e anijeve të peshkimit me flamur shqiptar, të cilat kanë pësuar një defekt ose dështim teknik në sistemet elektronike të transmetimit të të dhënave;
b) Numrin e transmetimeve të librit elektronik të anijes së pranuar çdo ditë dhe numrin mesatar të transmetimeve të marra për çdo anije;
c) Numrin e deklaratave të zbarkimit dhe transbordimit të marrë.
IV. SHKËMBIMI I TË DHËNAVE DHE QASJA NË TË DHËNAT
Neni 33
Komunikimi me shtetet e tjera
Shkëmbimi i informacionit me shtetet e tjera kryhet sipas modelit ad hoc, bazuar në formatin në XML (extensible mark-up language).
Neni 34
Korrigjimet
Korrigjimet në informacionin e përmendur në nenin 23, të këtij vendimi, duhet të identifikohen qartë.
Neni 35
Konfirmimi i marrjes së informacionit ndaj shteteve të tjera
Kur QNOD-ja merr informacion elektronik nga një shtet tjetër duhet të sigurojë që një mesazh marrjeje t’u dërgohet autoriteteve kompetente të atij shteti. Ky mesazh përfshin një konfirmim të marrjes.
Neni 36
Detyrimi për shkëmbimin e informacionit
Të dhënat e parashikuara në modelin ad hoc sipas nenit 33, të këtij vendimi, janë të detyrueshme në shkëmbimet e informacionit ndërmjet shteteve.
Neni 37
Periudha për të cilën raportohet
Të dhënat e përmendura në nenin 33, të këtij vendimi, duhet të mbulojnë periudhën ndërmjet nisjes së fundit nga porti dhe përfundimit të zbarkimit. Të dhënat e udhëtimit të peshkimit për 12 (dymbëdhjetë) muajt e fundit jepen kur kërkohen nga autoriteti kompetent.
Neni 38
Shkëmbimi i informacionit teknik
Autoritetet kompetente shqiptare shkëmbejnë me autoritetet e shteteve të tjera informacionin teknik të nevojshëm për të siguruar akses të ndërsjellë në librat elektronikë të anijeve të peshkimit.
Neni 39
Sigurimi dhe mbrojtja e të dhënave
Autoritetet kompetente sigurojnë:
a) që të dhënat e marra në përputhje me këtë vendim të ruhen në mënyrë të sigurt në bazat e të dhënave elektronike dhe garantojnë konfidencialitetin e tyre;
b) mbrojtjen e të dhënave nga fshirja aksidentale ose e paligjshme, humbja aksidentale, dëmtimi, përhapja ose konsultimi i paautorizuar.
V. DISPOZITA KALIMTARE
Neni 40
Koha e zbatimit
Detyrimi për raportimin elektronik të të dhënave për aktivitetin e peshkimit (zënie, zbarkim dhe transbordim) fillon nga data 1.7.2024.
Neni 41
Miratimi i modelit ad hoc
Modeli ad hoc i shkëmbimit të informacionit me shtetet e tjera do të miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për peshkimin, me instalimin e sistemit ERS në bordin e anijeve të peshkimit.
VI. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 42
Shpenzimet
Shpenzimet e bëra për blerjen dhe instalimin në bordin e anijeve të peshkimit të pajisjeve ERS mbulohen nga buxheti i miratuar i ministrisë përgjegjëse për peshkimin.
Neni 43
Përjashtimi
Ky vendim nuk zbatohet për anijet të cilat përdoren vetëm për qëllime të akuakulturës.
Neni 44
Autoritetet zbatuese
Ngarkohen ministria përgjegjëse për peshkimin, institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe akuakulturës, Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 45
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E ZONËS, DISTANCËS DHE GJERËSISË SË BRIGJEVE TË BURIMEVE UJORE
Në mbështetje të shkronjës “dh”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekt i këtij vendimi është:
a) përcaktimi i zonës, distancës dhe gjerësisë së bregut të burimit ujor, bazuar në kriteret e përgjithshme dhe të posaçme, të parashikuara në këtë vendim, konkretisht të:
i. brigjeve përgjatë detit;
ii. brigjeve në liqene, rezervuarë natyrorë apo artificialë, laguna, pellgje me ujë, duke përfshirë këtu liqenet, rezervuarët ujorë, natyrorë apo artificialë;
iii. brigjeve përgjatë lumenjve dhe përrenjve;
iv. brigjeve përgjatë kanaleve artificiale.
b) përcaktimi i institucioneve përgjegjëse për ndjekjen e procedurave për miratimin e hartave të brigjeve.
2. Në këtë vendim termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Gjerësi e bregut”, gjerësia e hapësirës tokësore nga brinja e sipërme e shtratit të burimit ujor në drejtim të tokës.
b) “Seksion i sistemuar”, ajo pjesë e një trupi ujor në të cilin janë kryer ndërhyrje infrastrukturore hidroteknike të nevojshme për sistemimin e ujërave natyrore ose artificiale si edhe për mbrojtjen e territorit nga këto ujëra, me veshje dhe/ose riprofilim të ndryshëm nga gjendja natyrore e cila siguron kalimin e prurjes maksimale të llogaritur.
c) “Shtrati i burimit ujor”, terreni natyror ose artificial, nëpër të cilin, përherë apo përkohësisht, rrjedh ose qëndron uji.
ç) “Vijë bregdetare” ose “vija e bregdetit”, vija që formon kufirin midis bregdetit (tokës) dhe zonës së bregut.
d) “Vijë ujore” ose “vijë e bregut të trupit ujor”, kufiri ujë-tokë.
dh) “Zonë e bregut të burimit ujor”, hapësira tokësore nga brinja e sipërme e shtratit të burimit ujor që shtrihet në drejtim të tokës, sipas gjerësisë së përcaktuar në bazë të kritereve të përgjithshme e të posaçme.
e) “Zona e bregut të detit”, hapësira që krijohet ndërmjet kufirit ujë-tokë, i cili referuar vendimit nr.1018, datë 16.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri-tema: detet”, është niveli i ujit të detit në baticë dhe vijës bregdetare dhe ku çdo ekosistem bregdetar natyror përfshihet në këtë hapësirë.
II. KRITERET E PËRGJITHSHME PËR PËRCAKTIMIN E ZONËS, DISTANCËS DHE GJERËSISË SË BREGUT TË BURIMIT UJOR
3. Zona, distanca dhe gjerësia e bregut të burimit ujor përcaktohet në bazë të këtyre kritereve të përgjithshme, si më poshtë vijon:
a) Tipologjisë së burimit ujor (i rrjedhshëm apo i qëndrueshëm);
b) Ruajtjes së ekosistemeve;
c) Sigurimit të vazhdimësisë së rrjedhës së trupave ujorë gjatë prurjeve maksimale;
ç) Mbrojtjes nga uji;
d) Morfologjisë së brigjeve;
dh) Deluvioneve dhe aluvioneve të depozituara në vite përgjatë burimit ujor;
e) Pjerrësisë së shtratit të burimit ujor;
ë) Pjerrësisë së brigjeve;
f) Infrastrukturës së transportit rrugor, hekurudhor dhe ujitjes e kullimit, argjinaturat dhe veprat mbrojtëse, portet, të cilat kanë ndryshuar rrënjësisht karakterin e bregut në krahasim me atë natyror;
g) Dokumenteve të planifikimit dhe zhvillimit të territorit;
gj) Garantimit të zhvillimit të qëndrueshëm të zonës së bregut të burimeve ujore në harmoni me nevojat për zhvillim urban, si dhe me veprimtaritë ekonomike, sociale e turistike që zhvillohen ose kanë ndikim mbi të.
III. KRITERET E POSAÇME PËR PËRCAKTIMIN E ZONËS, DISTANCËS DHE GJERËSISË SË BREGUT SIPAS LLOJEVE TË BURIMEVE UJORE
4. Vija bregdetare shënohet me fillimin e bimësisë së përhershme ose kur ka një ndryshim të dukshëm në morfologjinë e nënshtresave ose formës së tokës, p.sh. nga një plazh relativisht i sheshtë në duna kodrinore, me përjashtim të rasteve të mëposhtme:
a) Kur në zonën e bregut të detit ka seksione të sistemuara, janë ngritur objekte publike të infrastrukturës së transportit, si rrugë, shëtitore etj., apo të infrastrukturës së mbrojtjes përgjatë bregut nga proceset natyrore detare, vija bregdetare është kufiri i shtrirjes së veprës publike në drejtim të detit;
b) Në rastin e porteve detare, zona e bregut të detit konsiderohet territori i tij sipas planeve të përgjithshme vendore (PPV) ose planeve të detajuara për zonat me rëndësi kombëtare (PDZRK) ose vendimeve të KKT-së për shpalljen e zonave të rëndësisë kombëtare, të miratuara sipas përcaktimeve në legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit;
c) Në rastet kur PPV-të dhe PDZRK-të, të miratuara sipas përcaktimeve në legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, kanë përcaktuar vijën kufi deri ku lejohet zhvillimi i territorit dhe kjo vijë përkon me kriteret e vijës bregdetare sipas këtij vendimi, atëherë ajo vijë do të konsiderohet kufiri i zonës së bregut të detit në drejtim të tokës, përveç seksioneve të sistemuara, për të cilat zbatohen parashikimet e shkronjës “a”, të kësaj pike. Në të kundërt, PPV-të apo PDZRK-të i nënshtrohen rishikimit në ato territore ku vija nuk përkon me kriteret e vijës bregdetare;
ç) Në rastet kur në PPV-të apo PDZRK-të nuk parashikohen zhvillime në zonën e bregut të detit dhe kjo krijon mundësinë e zbatimit të nenit 8, të ligjit nr.10234, datë 18.2.2010, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin “Për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare në Mesdhe” të Konventës së Barcelonës “Për mbrojtjen e mjedisit detar dhe të rajoneve bregdetare të Mesdheut”, atëherë zona e bregut të detit do të jetë jo më pak se 100 metra në gjerësi;
d) Në rastin e brigjeve shkëmbore të thepisura, me pjerrësi të konsiderueshme më shumë se 70°, që përfundojnë drejtpërdrejt në sipërfaqen e detit, sipërfaqja e shpatit të pjerrët së bashku me zonën e sipërme përtej shpatit në drejtim të tokës, e cila është e ndikuar nga proceset bregdetare, konsiderohet zonë e bregut të detit;
dh) Kur vija kufi e bregut të detit përkon me kufirin natyror të lagunës, zona, distanca dhe gjerësia e bregut detar është dinamike dhe ndjek ndryshimin e regjimit të kufirit të lagunës. Në këtë rast toka e përftuar nga tërheqja e ujit ose nga përparimi i tokës në drejtim të ujit konsiderohet si zonë e bregut të detit;
e) Në rastin e deltave të lumenjve, limaneve detare dhe ngushticave, si pjesë e ujërave të brendshme detare, vija bregdetare i nënshtrohet kushteve dhe kritereve për zonën e bregut të detit.
5. Në liqene, rezervuarë, pellgje me ujë, natyrorë apo artificialë, laguna, zona dhe gjerësia e bregut është hapësira tokësore e krijuar nga vija ujore tek vija e krijuar nga gjurma e lënë nga uji në vite gjatë niveleve maksimale, në të gjithë perimetrin e trupit ujor, duke krijuar aluvione apo zona të pagjelbëruara me bimësinë karakteristike të përhershme të brezit të tokës, me përjashtim të rasteve të mëposhtme:
a) Në rastin kur në zonën e bregut të këtyre trupave ujorë ka seksione të sistemuara, ku janë ngritur objekte publike të infrastrukturës së transportit, si rrugë, shëtitore etj. apo të infrastrukturës së mbrojtjes nga proceset natyrore, zona dhe gjerësia e bregut ka kufi kufirin e shtrirjes së veprës publike në drejtim të trupit ujor;
b) Në rastet kur PPV-të apo PDZRK-të, të miratuara sipas përcaktimeve në legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, kanë përcaktuar vijën kufi deri ku lejohet zhvillimi i territorit dhe kjo vijë përkon me kriteret e zonës, distancës dhe gjerësisë së bregut, atëherë ajo vijë do të konsiderohet kufiri i zonës së bregut në drejtim të tokës, përveç seksioneve të sistemuara, për të cilat zbatohen parashikimet e shkronjës “a”, të kësaj pike. Në të kundërt, PPV-të apo PDZRK-të i nënshtrohen rishikimit të plotë ose të pjesshëm në ato territore ku vija nuk përkon me kriteret e vijës së bregut për këta trupa ujorë;
c) Në rastin e rezervuarëve artificialë të ujitjes, si nivel maksimal i gjurmës konsiderohet niveli apo perimetri maksimal, që përcaktohet në projektin e ndërtimit të rezervuarit, si dhe kushtëzimet në projekt, nëse ka të tilla, mbi këtë nivel maksimal.
6. Zona, distanca dhe gjerësia e bregut përgjatë lumenjve dhe përrenjve përcaktohen, si më poshtë vijon:
a) Në lumenjtë apo përrenjtë ku pjerrësia e profilit gjatësor të shtratit është më e madhe se 10%, zona, distanca dhe gjerësia e bregut është nga vija ujore deri në vijën e krijuar nga gjurma maksimale e ujit për prurje me probabilitet 1 herë në 100 vjet (P=1%);
b) Në lumenjtë apo përrenjtë ku pjerrësia e profilit gjatësor të shtratit është më e madhe se 4% deri në 10%, zona, distanca dhe gjerësia e bregut është 5m për pjerrësinë 4% dhe 2m për pjerrësinë 10% në plan, nga vija ujore deri në vijën e krijuar nga gjurma maksimale e ujit, sipas prurjes mesatare shumëvjeçare. Për vlera të ndërmjetme, përllogaritja bëhet nëpërmjet procesit matematikor të nxjerrjes së vlerave të ndërmjetme kundrejt dy vlerave të njohura (interpolim linear);
c) Në lumenjtë apo përrenjtë ku pjerrësia e profilit gjatësor të shtratit është 2% deri 4%, zona, distanca dhe gjerësia e bregut është 25m për pjerrësinë 2% dhe 5m për pjerrësinë 4% në plan nga vija ujore deri në vijën e krijuar nga gjurma maksimale e ujit, sipas prurjes mesatare shumëvjeçare. Për vlera të ndërmjetme, përllogaritja bëhet nëpërmjet procesit matematikor të nxjerrjes së vlerave të ndërmjetme kundrejt dy vlerave të njohura (interpolim linear);
ç) Në lumenjtë e përrenjtë ku pjerrësia e profilit gjatësor të shtratit është më e vogël se 2%, zona, distanca dhe gjerësia e bregut është 100m për pjerrësinë 0% dhe 25m në plan për pjerrësinë 2%, nga vija ujore deri në vijën e krijuar nga gjurma maksimale e ujit, sipas prurjes mesatare shumëvjeçare. Për vlera të ndërmjetme, përllogaritja bëhet nëpërmjet procesit matematikor të nxjerrjes së vlerave të ndërmjetme kundrejt dy vlerave të njohura (interpolim linear);
d) Në lumenjtë e përrenjtë që kalojnë brenda zonave të urbanizuara, zona, distanca dhe gjerësia e bregut është hapësira tokësore që formohet ndërmjet nivelit maksimal të ujit të seksionit tërthor dhe veprave publike apo atyre që janë në përputhje me dokumentet e planifikimit vendor, të miratuara;
dh) Në lumenjtë e përrenjtë, shtretërit dhe/ose brigjet e të cilëve janë mbrojtur me argjinaturë dhe/ose strukturë gjatësore e tërthore mbrojtëse apo kanë seksione të sistemuara, zona, distanca dhe gjerësia e bregut është hapësira tokësore me ose pa ujë që krijohet ndërmjet argjinaturave, strukturave mbrojtëse, seksioneve të sistemuara dhe vijës ujore.
7. Në kanalet artificiale, zona, distanca dhe gjerësia e bregut është hapësira që krijohet nga vija ujore deri në kuotën e sipërme të skarpatës së kanalit. Në rastet kur ka PPV të miratuara, sipas përcaktimeve në legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, zona dhe gjerësia e bregut është sipas përcaktimeve të planit.
8. Për raste të veçanta të papërcaktuara më sipër apo që rezultojnë nga ndërthurje të parashikimeve të sipërpërmendura, janë organet e menaxhimit të burimeve ujore që interpretojnë zonën, distancën dhe gjerësinë e bregut.
IV. DISPOZITA KALIMTARE
9. Ngarkohet Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për ndjekjen e procedurave për përcaktimin e hartave të brigjeve dhe miratimin, rast pas rasti, në KKU dhe KKT.
10. Ngarkohen Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit e njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU