Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Gusht 2023:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NOTËS SË ADERIMIT PËR MINISTRINË E MBROJTJES TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR TË MARRË PJESË NË MARRËVESHJEN TEKNIKE, NDËRMJET MINISTRISË SË MBROJTJES TË REPUBLIKËS SË BULLGARISË DHE MINISTRISË SË MBROJTJES TË REPUBLIKËS ITALIANE, PËR AKTIVITETIN E VIGJILENCËS SË ZGJERUAR TË NATO-S NË BULLGARI DHE SIGURIMIN E MBËSHTETJES SË SHTETIT PRITËS DHE PËRGJEGJËSI TË TJERA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të notës së aderimit për Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë për të marrë pjesë në marrëveshjen teknike, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Bullgarisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës Italiane, për aktivitetin e vigjilencës së zgjeruar të NATO-s në Bullgari dhe sigurimin e mbështetjes së shtetit pritës dhe përgjegjësi të tjera, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGARKIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, SI AUTORITET KONTRAKTOR PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT TË ZONËS MULTIFUNKSIONALE PËRRETH KOMPLEKSIT TË STADIUMIT “NIKO DOVANA” NË DURRËS, PËRFSHIRË STADIUMIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për zbatimin e projektit për zhvillimin e zonës multifunksionale përreth kompleksit të stadiumit “Niko Dovana” në Durrës, përfshirë stadiumin.
2. Në funksion të zbatimit të projektit të përcaktuar në pikën 1, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngarkohet të kryejë:
a) të gjitha procedurat sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratat përkatëse, si dhe të ndjekë zbatimin e tyre e të projektit përkatës, duke përdorur fonde nga programet aktuale të zhvillimit;
b) paraqitjen e kërkesave për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe të ndërtimit pranë autoritetit kompetent të zhvillimit të territorit, si dhe ndjekjen e të gjitha veprimeve e të procedurave të nevojshme për këtë qëllim, sipas legjislacionit në fuqi për zhvillimin e territorit.
3. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Bashkia Durrës lidhin marrëveshje bashkëpunimi në funksion të zhvillimit të projektit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Bashkia Durrës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË KONVENTËS PËR MARRËVESHJET PËR ZGJEDHJEN E GJYKATËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të Konventës për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës, lidhur në Hagë, më 30 qershor 2005, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROJEKTVENDIMIT TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE PËR ASPEKTET TREGTARE TË TË DREJTAVE TË PRONËSISË INTELEKTUALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të projektvendimit të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore për Aspektet Tregtare të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.704, DATË 4.11.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN E PREZENCËS DHE VIGJILENCËS SË PËRFORCUAR (EVA), DREJTUAR NGA NATO-JA, NË BULLGARI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në shkronjën “a”, të pikës 5, të vendimit nr.704, datë 4.11.2022, të Këshillit të Ministrave, togfjalëshi “… 6 000 (gjashtë mijë) lekë …” zëvendësohet me “… 8 000 (tetë mijë) lekë …”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT TË DREJTPËRDREJTË NË TND EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL DHE PËR PËRDORIMIN E PROCEDURËS SË PRANIMIT TË DREJTPËRDREJTË NË TND, PËR VITIN 2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 27, pika 5, dhe 29, pika 1, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, si dhe në vijim të pikave 2, 3 e 4, të kreut V, të vendimit nr.118, datë 5.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e emërimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të anëtarëve të TND-së”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përjashtimisht, për vitin 2023, procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND është e hapur edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në TND.
2. Për vitin 2023, pranimi në TND të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet një konkursi kombëtar.
3. Numri i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND, është 12 (dymbëdhjetë).
4. Kriteret minimale të pranimit për këtë procedurë për kandidatët nga jashtë shërbimit civil janë, si më poshtë vijon:
a) Të plotësojnë kushtet e përgjithshme të pranimit në shërbimin civil, të përcaktuara në shkronjat “a” deri në “dh”, të nenit 21, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar;
b) Të zotërojnë një diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike”, ose të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë. Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit duhet të jenë të njohura paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njësimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi;
c) Të kenë të paktën 3 (tre) vjet përvojë pune në pozicione të mesme drejtuese ose të barasvlefshme në:
i. institucione të administratës publike;
ii. institucione bankare të nivelit të dytë e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
iii. shoqëri tregtare, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohen si biznes i madh e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
iv. organizata jofitimprurëse, të cilat kanë të paktën 5 (pesë) vjet që janë krijuar.
Përjashtimisht, kandidatët nga jashtë shërbimit civil, të cilët kanë punuar dhe/ose punojnë:
i. në institucione ndërkombëtare brenda vendit;
ii. në profesion jashtë vendit;
iii. pedagogë në institucione të arsimit të lartë;
iv. avokatë, noterë apo kontabilistë, të miratuar brenda ose jashtë vendit, që duhet të kenë të paktën 5 (pesë) vjet përvojë pune, përkatësisht, në këto institucione ose në profesion.
ç) Të mos kenë procese gjyqësore, civile, penale, administrative, të cilat janë në proces, si edhe të mos jenë në ndjekje penale nga prokuroria.
5. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR PROCEDURËN E DEKLARIMIT NË KUFI DHE VENDOSJES SË SANKSIONEVE ADMINISTRATIVE NGA AUTORITETET DOGANORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 5, të nenit 17/1, të ligjit nr.9917 datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka si qëllim miratimin e rregullave të hollësishme për procedurën që ndiqet nga çdo person, përfshirë përfaqësuesit e tyre për deklarimin në kufi dhe kur mosdeklarimi përbën vepër penale trajtimin e rastit, sipas Kodit të Procedurës Penale, si dhe paralelisht për vendosjen e sanksioneve me natyrë administrative nga autoritetet doganore, në zbatim të nenit 17/1, të ligjit nr.9917/2008, të ndryshuar.
2. Në përmbajtje të këtij projektvendimi, termat “metale dhe gurë të çmuar”, “objekte antike”, “para fizike” dhe “instrumente të negociueshme të mbajtësit” kanë të njëjtin kuptim me përkufizimet e dhëna në sistemin e harmonizuar për përshkrimin dhe kodifikimin e mallrave dhe ligjin nr.9917/2008, të ndryshuar.
3. Çdo person, i cili hyn në/ose largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të bëjë deklarimin, sipas pikës 1, të nenit 17/1, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar. Deklarimi paraqitet nga:
a) personi që shoqëron ose përfaqësuesi që transporton me rrugë tokësore, ajrore, detare ose shërbime postare sendet, si më poshtë vijon:
i. Para fizike;
ii. Çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit;
iii. Metale ose gurë të çmuar;
iv. Sende me vlerë; ose
v. Objekte antike, me një vlerë të kombinuar prej të paktën 10 000 (dhjetë mijë) eurosh ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera.
b) personi që zotëron ose posedon sendet e përmendura në shkronjën “a”, të kësaj pike, i cili i shoqëron këta artikuj dhe është subjekt sipas nenit 3, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar; ose
c) përfaqësuesi i personit që zotëron ose posedon sendet e përmendura në shkronjën “a”, të kësaj pike, dhe/ose përfaqësuesi ose personi që i zotëron ose i kontrollon dhe është subjekt sipas nenit 3, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.
4. Deklarata plotësohet me shkrim ose në mënyrë elektronike nëpërmjet modulit të sistemit informatik doganor dhe i dorëzohet autoriteteve doganore në pikat e kalimit kufitar.
5. Detyrimi për deklarim konsiderohet i kryer vetëm nëse informacioni i dhënë është i plotë, i qartë dhe i saktë, si dhe pasi të jenë vendosur në dispozicion për inspektim ose kontroll sendet e përmendura në shkronjën “a”, të pikës 3, të këtij vendimi.
II. MASAT QË MERREN NGA AUTORITETI DOGANOR
6. Kryetarët e degëve doganore përcaktojnë ambientet që do të jenë në dispozicion për të garantuar sigurinë e parasë fizike dhe sendeve me vlerë që janë objekt i sanksionit për mosdeklarim.
7. Autoritetet doganore pas plotësimit të formularit të deklarimit vullnetar ose jovullnetar, si dhe të dokumenteve shoqëruese të tij, bëjnë depozitimin e tyre, përfshirë këtu të dhëna të tjera shtesë, sipas rastit, dhe raportojnë në rrugë elektronike pranë DPPPP-së, çdo 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune, pas regjistrimit të veprimit. Depozitimi/raportimi bëhet elektronikisht deri në momentin që do të kalohet në aksesin on-line.
8. Autoritetet doganore për çdo dyshim, sinjalizim, njoftim ose të dhëna që kanë të bëjnë me pastrimin e parave dhe/ose financimin e terrorizmit, pas regjistrimit të veprimit, i dërgojnë DPPPP-së, në rrugë shkresore, brenda 72 (shtatëdhjetë e dy) orësh, raportin e aktivitetit të dyshimtë, si dhe të gjithë dokumentacionin për transaksionin e kryer dhe të dhëna për personin që kryen transaksionin.
9. DPPPP-ja, për të dhënat e dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD), si raporte të aktivitetit të dyshimtë, të përmendura në pikën 8, të këtij kreu, si dhe për rastet e tjera të riskut të evidentuara nga vetë DPPPP-ja, informon për çdo rast DPD-në për rezultatet e arritura, me qëllim zbatimin nga kjo e fundit të masave të kontrollit për të zbutur, menaxhuar ose testuar këto risqe dhe vazhdimin e procedurave të mëtejshme administrative dhe penale.
10. Në rastet kur konstatohet mosdeklarim në kufi, sipas vlerës së parashikuar nga ligji, autoriteti doganor ose/dhe në bashkëpunim me strukturën e shërbimit të policisë gjyqësore përkatëse në Policinë e Shtetit marrin masa, që krahas trajtimit të rastit, sipas dispozitave të Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, paralelisht të vendosin gjobën administrative, sipas nenit 17/1, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, të ndryshuar, nëpërmjet kryerjes së procedurës së mëposhtme:
10.1. Nëpunësi doganor konstatues duhet të njoftojë menjëherë për ngjarjen përgjegjësin e turnit/zyrës doganore kompetente dhe në vijim kryetarin e degës doganore kompetente, ku ky i fundit njofton shefin e Departamentit Operativ Hetimor (DOH), i cili ia dërgon kryerjen e veprimeve të mëtejshme strukturës përkatëse të hetimit doganor.
Në vijim, Drejtoria e Hetimit Doganor, nëpërmjet një punonjësi që ka atributet e oficerit të policisë gjyqësore, kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale, ku, nëse është e nevojshme bashkërendon punën sipas kreut IV, të këtij vendimi, me strukturën përkatëse të Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit dhe në përfundim çështjen ia referon prokurorit të prokurorisë kompetente, sipas parashikimeve në Kodin e Procedurës Penale.
10.2. Në këto raste, punonjësit e zyrës doganore kompetente, krahas veprimeve të kryera nga strukturat e tjera hetimore, çështjen e shqyrtojnë administrativisht, duke përpiluar të gjitha aktet përkatëse, si më poshtë vijon:
a) “Aktin e konstatimit/bllokimit”, i cili është sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) “Procesverbalin për evidentimin fizik të parasë dhe sendeve me vlerë të konstatuara/bllokuara”, i cili është sipas aneksit 1/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Për këtë qëllim:
i. në lidhje me kartëmonedhat e vjetra, në paketim macete ose tjetër, shënohet një numër i rastësishëm i numrave serialë përafërsisht, në raportin një numër serial për pesëdhjetë kartëmonedha;
ii. në lidhje me kartëmonedhat e reja në maceta të përgatitura dhe të nxjerra regjistrohet numri serial në krye dhe në fund të çdo macete, së bashku me rezultatet e kontrollit vizual të kartëmonedhave, brenda macetës për të siguruar rendin e vazhdueshëm numerik;
iii. në lidhje me konstatimet që përfshijnë një kombinim të kartëmonedhave të reja dhe të vjetra, siç përshkruhet në nënndarjet “i” dhe “ii” më sipër, bëhet një qasje e kombinuar, e përcaktuar në mënyrë proporcionale me kombinimin e kartëmonedhave të përshkruara më sipër;
iv. bëhen fotografi të parasë fizike në veçanti:
– një foto që tregon mënyrën e mbajtjes ose transportimit të parasë fizike;
– një foto që tregon macetat e parave, së bashku me një vizore për matje standarde;
– një foto që tregon qartë prerjet ose valutat e parave;
– një foto që tregon, nëse ka fashetën e institucionit financiar ose lidhje të tjera që përdoren për të krijuar macetat e parasë.
v. bëhen fotografi të sendeve me vlerë për të treguar paketimin e përdorur për të mbajtur ose transportuar sendet me vlerë dhe objektet aktuale të padeklaruara, sipas ligjit.
vi. bëhet një përshkrim i detajuar i sendeve të tjera me vlerë dhe përshkrimi të përafrohet me fotot.
c) “Deklarimet e transportuesit ose pronarit të parasë fizike dhe/ose sendeve me vlerë”, që janë sipas aneksit 1/2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
10.3. Nëpunësit doganorë marrin parasysh:
a) sasinë e përgjithshme të parasë fizikë dhe sendeve me vlerë, e krahasuar me pragun e deklarimit, duke kryer të gjitha verifikimet, sipas ligjit;
b) çdo dëshmi që transportuesi ose pronari ka gënjyer për paranë fizike dhe sendet me vlerë që të shmangë deklarimin;
c) çdo dëshmi për të mbështetur fshehjen me dashje të parasë fizike dhe sendeve me vlerë për të shmangur konstatimin nga autoritetet (nga Policia e Shtetit ose autoritetet doganore);
ç) prova rrethanore për të mbështetur faktin që transportuesi ose pronari duhej të kishin dijeni për detyrimin për të deklaruar paranë fizike dhe sendet me vlerë, p.sh. historikun e udhëtimit të shpeshtë në/ose jashtë Republikës së Shqipërisë;
d) çdo shpjegim fillestar, nëse ka, në lidhje me origjinën dhe përdorimin fundor të parave dhe sendeve me vlerë; dhe
dh) çdo rrethanë tjetër që do të bënte që autoritetet doganore të dyshojnë që paraja fizike dhe sendet me vlerë përfaqësojnë produkte të krimit që nxirren nga/ose futen në juridiksionin e Republikës së Shqipërisë.
10.4. Nëpunësit doganorë përkatës mbajnë një “Procesverbal për verifikimin e kundërvajtjeve administrative”, sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
a) Procesverbali është në katër kopje dhe shpërndahet, si më poshtë vijon:
i. Një kopje i jepet pronarit/transportuesit të parasë fizike dhe sendeve me vlerë (edhe nëse kanë refuzuar të nënshkruajnë dokumentin);
ii. Një kopje për Policinë e Shtetit;
iii. Një kopje për prokurorinë; dhe
iv. Kopja origjinale mbahet në dosjen e autoritetit doganor në lidhje me incidentin.
10.5. Formularët sipas anekseve 1, 1/1, 1/2 dhe 2, pas plotësimit duhet të nënshkruhen, si më poshtë vijon:
a) Formularët nënshkruhen nga nëpunësi doganor konstatues, përgjegjësi i turnit/zyrës ose nëpunësi i caktuar prej tij, si dëshmitar;
b) Transportuesit ose pronarit të parasë fizike dhe sendeve me vlerë i kërkohet të nënshkruajë formularët nëse dëshiron dhe beson se detajet e regjistruara janë të sakta;
c) Nëse pronari/transportuesi refuzon të nënshkruajë formularët, duhet të bëhet një shënim në to për refuzimin. Nëse transportuesi ose pronari beson se formularët përmbajnë informacion dhe material që nuk është i saktë, ata mund ti shënojnë këto vërejtje në pjesën e duhur të formularëve.
10.6. Kur një ose me shumë shkelës apo dëshmitarë janë shtetas të huaj, intervista bëhet në prani të një përkthyesi, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale dhe të Kodit të Procedurës Civile.
10.7. Formularët e plotësuar së bashku me dokumentacionin shoqërues i dorëzohen pa vonesë kryetarit të degës doganore kompetente, i cili merr vendim në përputhje me pjesën III, të këtij vendimi.
III. VENDIMMARRJA DHE MASAT VIJUESE
11. Kryetari i degës doganore kompetente, brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga momenti i mbajtjes së procesverbalit të verifikimit të shkeljes, bën verifikimin në sistemin informatik doganor, nëse shkelja është e përsëritur dhe merr vendimin përkatës, një kopje të të cilit ia njofton menjëherë kundërvajtësit.
12. Sistemi informatik doganor përdoret si bazë për të përcaktuar nëse kundërvajtësi ka historik të kësaj kundërvajtjeje.
13. Ankimimi dhe vjelja e gjobës bëhet sipas ligjit për kundërvajtjet administrative.
IV. BASHKËPUNIMI NGA POLICIA E SHTETIT DHE NJOFTIMET RECIPROKE
14. Në ndihmë dhe mbështetje të autoritetit doganor, organet e Policisë së Shtetit me iniciativë, në rast se vihen në dijeni të një rasti mosdeklarimi të parasë fizike dhe sendeve me vlerë, siç kërkohet nga ligji, njoftojnë menjëherë degën doganore kompetente, duke ia referuar asaj çështjen dhe duke i vënë në dispozicion të gjitha të dhënat dhe dokumentacionin lidhur me shkeljen.
Njoftimi përmban informacion të detajuar për shkeljen, për të cilën është ndaluar/arrestuar transportuesi ose pronari me qëllim plotësimin e formularëve nga autoriteti doganor, sipas anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi, si edhe detaje për vendndodhjen dhe sasinë e parasë fizike dhe sendeve me vlerë, të cilat janë konstatuar/sekuestruar si provë materiale.
15. Në rast se kërkohet nga autoriteti doganor, Policia e Shtetit ofron gjithë ndihmën e nevojshme për zbatimin e masave.
16. Autoritetet doganore njoftojnë menjëherë organet e Policisë së Shtetit në lidhje me masat që do të merren ndaj shkeljes së mundshme të detyrimit për të deklaruar paranë fizike dhe sendet me vlerë.
V. REGJISTRIMI I SHKELJEVE
17. Të gjitha të dhënat në lidhje me mosdeklarimin e parasë fizike, instrumenteve të negociueshme të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike regjistrohen në “Sistemin e automatizuar të të dhënave- Asycuda World”. Ky veprim duhet të kryhet brenda 24 (njëzet e katër) orëve, kohë gjatë cilës merr vendim kryetari i degës doganore kompetente, duke konfirmuar gjobën dhe vendimin.
Deri në momentin që do të mundësohet regjistrimi në “Sistemin e automatizuar të të dhënave- Asycuda World”, ky regjistrim do të bëhet në aplikacionin e bazës së të dhënave relacionale të përdorur në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
18. Të dhënat e ruajtura në sistem janë pronë e autoritetit doganor.
VI. MBROJTJA E TË DHËNAVE
19. Të dhënat personale duhet të mblidhen vetëm për qëllim të këtij vendimi ose qëllime të tjera, që janë në përputhje me ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, të ndryshuar.
20. Të gjitha të dhënat në lidhje me këtë vendim duhet të mbahen të paktën për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh, në përputhje me nenin 16, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, të ndryshuar.
21. Mbledhja, përpunimi dhe administrimi i të dhënave, sipas dispozitave të këtij vendimi, i nënshtrohen rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale, sipas legjislacionit në fuqi.
VII. DISPOZITA TË FUNDIT
22. Për procedurat e paparashikuara në këtë vendim zbatohen ato të parashikuara në ligjin për kundërvajtjet administrative dhe në legjislacionin në fuqi.
23. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I INFRASTRUKTURËS SË BLLOKUT TË KUFIZUAR NGA RRUGËT “ENDRI KEKO”, “SADIK PETRELA” DHE “LANA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i infrastrukturës së bllokut të kufizuar nga rrugët “Endri Keko”, “Sadik Petrela” dhe “Lana”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 82 260 756 (tetëdhjetë e dy milionë e dyqind e gjashtëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 82 260 756 (tetëdhjetë e dy milionë e dyqind e gjashtëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi kompensohen për efekt shpronësimi pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Jug, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Jug, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.205, DATË 6.4.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE TË APLIKIMIT, TË RREGULLAVE TË KRYERJES SË VERIFIKIMEVE DHE KONTROLLEVE TË NEVOJSHME PËR FITIMIN E SHTETËSISË SHQIPTARE PËR KONTRIBUT TË VEÇANTË NË FUSHËN E ARSIMIT, SHKENCËS DHE SPORTIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.113/2020, “Për shtetësinë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.205, datë 6.4.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave të aplikimit, të rregullave të kryerjes së verifikimeve dhe kontrolleve të nevojshme për fitimin e shtetësisë shqiptare për kontribut të veçantë në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në shkronjën “e”, të kreut I, pas togfjalëshit “… ministria përgjegjëse …” shtohen fjalët “… për arsimin, shkencën dhe sportin në Republikën e Shqipërisë …”.
2. Në kreun II bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Në shkronjën “e”, pas emërtimit “… Republikën e Shqipërisë …” shtohen fjalët “… që përkojnë me standardin e minimumit jetik, të indeksuar çdo vit në lidhje me indeksin e çmimeve të disa mallrave të zgjedhura, të parashikuar në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore …”.
b) Shkronja “ë” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ë) ka kontribut të veçantë në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, të njohur ndërkombëtarisht ose ka arritur rezultate të larta në arenën ndërkombëtare, sipas disiplinës që përfaqëson.”.
3. Në pikën 1, të kreut IV, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Shkronja “ç” shfuqizohet.
b) Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) Vetëdeklarim se nuk ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë në shtetin e origjinës, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie.Vetëdeklarimi i gjendjes gjyqësore i bashkëlidhet formularit të kërkesës për fitimin e shtetësisë, të miratuar nga AHPVSH-ja.”.
c) Në shkronjën “e”, fjala “… zyrtare …” hiqet.
ç) Në shkronjën “f”, fjala “… vërtetuar …” zëvendësohet me “… lëshuar …”.
d) Në shkronjën “g” bëhen këto ndryshime:
i. Nënparagrafi “i” shfuqizohet.
ii. Nënparagrafët “ii” dhe “iii” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“ii. 1 (një) rekomandim nga një institucion përkatës në fushën e arsimit, shkencës, sportit dhe federatat sportive në Republikën e Shqipërisë, në varësi të disiplinës.
iii. 2 (dy) rekomandime nga personalitete të fushës së sportit apo klubet sportive ku kanë luajtur, të vendit të origjinës dhe/ose të shtetit shqiptar, në disiplinën përkatëse për të cilën individi kërkon të fitojë shtetësinë shqiptare.”.
II. Kërkesat e depozituara në AHPVSH, jo më vonë se 5 (pesë) muaj përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të shqyrtohen në përputhje me parashikimet e këtij vendimi.
III. Ngarkohen ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, ministri përgjegjës për arsimin, shkencën dhe sportin dhe Agjencia e Hartimit të Programeve të Veçanta të Shtetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.347, DATË 22.5.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË PROCEDURAVE TË TRANSFERIMIT TË MENAXHIMIT TË INFRASTRUKTURËS SË PESHKIMIT TEK ORGANIZATAT E PESHKIMIT, NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE DHE SUBJEKTET PRIVATE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 65, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.347, datë 22.5.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në kreun I bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Kudo në kreun I, fjalët “… ministria përgjegjëse për peshkimin …” zëvendësohen me “… institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës për peshkimin …”.
b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Procedura e transferimit të infrastrukturës së peshkimit dhe infrastrukturës së lidhur me peshkimin tek organizata e peshkimit dhe subjektet private zhvillohet on-line nëpërmjet konkurrimit publik, sipas parashikimeve të këtij vendimi.”.
c) Në pikën 6, pas fjalëve “… ose sipërfaqe për ndërtimin e tyre, …” shtohen “… qendrave të grumbullimit, tregu i shitjes me shumicë ose sipërfaqja e ndërtimit të tregut,…”.
ç) Pika 14 shfuqizohet.
2. Në kreun II bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pikën 1, fjalët “… ministria përgjegjëse për peshkimin …” zëvendësohen me “… institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës …”.
b) Në shkronjën “ç”, të pikës 2, fjala “… vendi …” hiqet.
c) Në fjalinë e parë, të pikës 3, fjala “… vendi …” hiqet dhe në fjalinë e dytë, togfjalëshi “… 7 (shtatë) ditë kalendarike …” zëvendësohet me “… 20 (njëzet) ditë kalendarike …”.
ç) Në pikën 4, fjalët “… i dorëzohet komisionit në orën e hapjes së konkurrimit …” zëvendësohen me “… të cilët duhet të jenë persona fizikë ose juridikë, ngarkohet on-line në portalin “e-Albania” …”.
d) Në pikën 5, fjalët “… i dorëzohet komisionit …” zëvendësohen me “… ngarkohet on-line në portalin “e-Albania”…”.
dh) Në pikën 6 bëhen këto ndryshime:
i. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Shkarkon dokumentacionin e ngarkuar në portalin “e-Albania”, ruan një kopje elektronike të tij dhe në rastin kur dokumentacioni është jo i plotë, i paqartë apo i ndryshëm nga ai që kërkohet, njofton konkurrentin për të plotësuar të metat brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike. Mosplotësimi i të metave brenda këtij afati përbën shkak për mospranimin e kërkesës.”.
ii. Në shkronjën “c”, togfjalëshi “… brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve …” zëvendësohet me “… brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike …”.
e) Në pikën 7, fjala “… ministri …” zëvendësohet me fjalët “… Komisioni i dhënies me qira ose enfiteozë të pasurisë shtetërore …”.
ë) Në pikën 10, fjalët “… ministria përgjegjëse për peshkimin …” zëvendësohen me “… institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës …”.
3. Në kreun IV bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 2, fjalët “… ministri përgjegjës për peshkimin …” zëvendësohen me “… institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës …”.
b) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Pranë institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës ngrihet një komision i cili, brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës, shqyrton propozimin dhe dokumentacionin shoqërues të dorëzuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore dhe, nëse e gjen në përputhje me parashikimet e ligjit dhe të këtij vendimi, i përcjell dokumentacionin, për mendim, Komisionit Konsultativ Qendror për Peshkimin dhe Akuakulturën (në vijim “KKQPA”), i cili vepron sipas parashikimeve të nenit 21, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar.”.
4. Në kreun V bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Transferimi i menaxhimit të infrastrukturës së porteve të peshkimit dhe/ose tregut të shitjes me shumicë i bëhet organizatave të peshkimit të përcaktuara në pikën 1, të nenit 58, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me kërkesë ose kryesisht nga institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe akuakulturës.”.
b) Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Njoftimi për transferimin e infrastrukturës së porteve të peshkimit dhe/ose tregut të shitjes me shumicë publikohet në Buletinin e Njoftimeve Publike nga institucioni përgjegjës për peshkimin dhe akuakulturën, duke përcaktuar të dhënat e objektit që do të transferohet dhe dokumentacionin që do të paraqesin konkurrentët në portalin “e-Albania”. Organizatat e peshkimit kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për transferim dhe dokumentacionin e kërkuar brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga publikimi i njoftimit.”.
c) Pikat 2 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Organizata e peshkimit ngarkon on-line në portalin “e-Albania” kërkesën, vendimin e regjistrimit, aktin e themelimit, statutin, vendimin e organeve vendimmarrëse të organizatës së peshkimit për këtë qëllim, planin e menaxhimit të miratuar nga organet drejtuese të saj.”.
“4. Pranë institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës ngrihet një komision i cili, shkarkon dokumentacionin e ngarkuar në format elektronik në portalin “e-Albania”, ruan një kopje elektronike të tij dhe, brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike, pas përfundimit të afatit të publikimit, shqyrton dokumentacionin e ngarkuar nga organizata e peshkimit.”.
ç) Pas pikës 4 shtohen pikat 4/1, 4/2 dhe 4/3, me këtë përmbajtje:
“4/1. Komisioni i ngritur vlerëson planin e menaxhimit sipas këtyre kritereve:
a) Investimet e parashikuara;
b) Plani për sigurinë e infrastrukturës;
c) Cilësia e shërbimit;
ç) Kostot operative.
4/2. Komisioni vendos për subjektin fitues në konkurrim dhe bën shpalljen e tij në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe kur në konkurrim marrin pjesë më shumë se një konkurrues, njoftimi për shpalljen e fituesit vendoset edhe në këndin e njoftimeve të institucionit përkatës.
4/2. Pas shpalljes së fituesit, institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës lidh marrëveshjen për transferimin e menaxhimit të infrastrukturës së peshkimit me subjektin fitues brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga dita e shpalljes së fituesit në Buletinin e Njoftimeve Publike.”.
d) Pika 5 shfuqizohet.
dh) Pas pikës 24 shtohet pika 25, me këtë përmbajtje:
“25. Menaxhimi i infrastrukturës së peshkimit, ku përfshihet edhe infrastruktura e porteve, i transferohet vetëm organizatave të peshkimit nëpërmjet konkurrimit publik.”.
5. Pas kreut V shtohet kreu V/I, me këtë përmbajtje:
“V/I. TRANSFERIMI I MENAXHIMIT TË TREGUT TË SHITJES ME SHUMICË DHE/OSE QENDRËS SË GRUMBULLIMIT TE SUBJEKTET PRIVATE
1. Procedura e transferimit të një tregu shitjeje me shumicë ose qendrës së grumbullimit kryhet kryesisht nga institucioni përgjegjës për peshkimin dhe akuakulturën ose me kërkesë të një ose disa subjekteve private.
2. Njoftimi për transferimin e tregut të shitjes me shumicë dhe/ose qendrës së grumbullimit publikohet në Buletinin e Njoftimeve Publike nga institucioni përgjegjës për peshkimin dhe akuakulturën, duke përcaktuar të dhënat e objektit që do të transferohet dhe dokumentacionin që do të paraqesin konkurrentët në portalin “e-Albania”. Subjektet private kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për transferim dhe dokumentacionin e kërkuar brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga publikimi i njoftimit.
3. Subjekti privat i interesuar ngarkon on-line në portalin “e-Albania” kërkesën, ekstarktin historik të regjistrit tregtar, planbiznesin dhe deklaratat në formën e vetëdeklarimit për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe sigurimet shoqërore, deklaratën se mban përgjegjësi ligjore për vërtetësinë e deklarimeve në dokumentacionin e ngarkuar.
4. Komisioni i ngritur për transferimin e tregut të shitjes me shumicë pranë institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës shkarkon dokumentacionin e ngarkuar në format elektronik në portalin “e-Albania”, ruan një kopje elektronike të tij dhe brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike, pas përfundimit të afatit të publikimit, shqyrton dokumentacionin e ngarkuar.
5. Komisioni i ngritur vlerëson planin e biznesit sipas këtyre kritereve:
a) Investimet e parashikuara;
b) Plani për sigurinë e infrastrukturës;
c) Cilësia e shërbimit;
ç) Kostot operative.
6. Komisioni vendos për subjektin fitues në konkurrim dhe bën shpalljen e tij në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe kur në konkurrim marrin pjesë më shumë se një konkurrues, njoftimi për shpalljen e fituesit vendoset edhe në këndin e njoftimeve të institucionit përkatës.
7. Pas shpalljes së fituesit, institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës lidh marrëveshjen për transferimin e menaxhimit të infrastrukturës së peshkimit me subjektin fitues brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga dita e shpalljes së fituesit në Buletinin e Njoftimeve Publike.”.
6. Në pikën 6, të kreut VI, fjalët “… ministri përgjegjës për peshkimin …” zëvendësohen me “… institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës …”.
7. Kudo në aneksin “DRAFTKONTRATË QIRAJE”, emërtimi “Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural” zëvendësohet me fjalët “… institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe akuakulturës …”.
8. Marrëveshja tip për transferimin e menaxhimit të infrastrukturës të portit të peshkimit/tregut të shitjes me shumicë, ndërmjet drejtorisë së shërbimeve të peshkimit dhe akuakulturës dhe organizatës së peshkimit/njësive të vetëqeverisjes vendore zëvendësohet me “marrëveshjen tip”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
II. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË NUMRIN E PUNONJËSVE ORGANIKË NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE, PËR VITIN 2023, DHE PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 12 e 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, si dhe të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve organikë të grupit nr.87 “Institucione të tjera qeveritare”, për vitin 2023, shtohet me 10 (dhjetë) veta, për Agjencinë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve dhe numri i përgjithshëm i këtij grupi bëhet 1 455 punonjës.
2. Numri rezervë i punonjësve për vitin 2023 reduktohet me 10 (dhjetë) veta, duke e çuar numrin e përgjithshëm rezervë në 63 (gjashtëdhjetë e tre) punonjës.
3. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për grupin nr.87 “Institucione të tjera qeveritare”, në programin “Shërbime të tjera” shtohet fondi 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) lekë për funksionimin e Agjencisë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve, përkatësisht fondi 8 000 000 (tetë milionë) lekë në zërin “Shpenzime korrente” dhe fondi 4 000 000 (katër milionë) lekë në zërin “Shpenzime kapitale”.
4. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për grupin nr.87 “Institucione të tjera qeveritare”, në programin “Shërbime të tjera”, në zërin “Transferta korrente të brendshme”, shtohet fondi prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh.
5. Efekti financiar prej 62 000 000 (gjashtëdhjetë e dy milionë) lekësh përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023.
6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË TË PASURIVE 1/54 DHE 1/44, ME VENDNDODHJE NË NJËSINË ADMINISTRATIVE TIRANË, ZONA KADASTRALE 8160, DHE PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.219, DATË 21.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurive 1/54 dhe 1/44, me vendndodhje në njësinë administrative Tiranë, zona kadastrale 8160, sipas formularit, gjithsej, 1 (një) fletë, dhe planrilevimeve, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Pasuritë e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA