Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Qershor 2022 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Qershor 2022

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Qershor 2022:

 

V E N D I M
PËR

SHPALLJEN DITË ZIE KOMBËTARE NË NDERIM TË TË NDJERIT, Z. BUJAR NISHANI, ISH-PRESIDENT, ISH-MINISTËR DHE ISH-DEPUTET

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe në vijim të pikës 12, të kapitullit VI, të ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, miratuar me vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 2.6.2022, në nderim të të ndjerit, z. Bujar Nishani, ish-President i Republikës së Shqipërisë, ish-ministër dhe ish-deputet.

2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

3. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e enjte, datë 2.6.2022, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në mjediset e institucionit të Presidencës.

4. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë për vitin 2022.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

*** 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE “AGJENDA DIGJITALE E SHQIPËRISË” DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2022-2026

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e strategjisë ndërsektoriale “Agjenda digjitale e Shqipërisë” dhe të planit të veprimit 2022-2026, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ministritë dhe institucionet e tjera përgjegjëse të përcaktuara në strategji e në planin e veprimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 9.12.2021, PËR ÇËSHTJEN “FOTAQ ZAHARIA KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESA NR.45022/16)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.45022/16, përfundimtar, në datën 9.12.2021, në shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohen shumat, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Vlera e përcaktuar si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Fotaq Zaharia, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021.

4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Fotaq Zaharia, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita, kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.

5. Në rast mospagimi brenda afatit tremujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.

6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.

7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN SHTESË PËR PROJEKTIN E ZHVILLIMIT TË INTEGRUAR URBAN DHE TURIZMIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë e të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin shtesë për projektin e zhvillimit të integruar urban dhe turizmin, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.200, DATË 25.3.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE NË BASHKITË MIRDITË DHE KAMZË DHE CAKTIMIN E TYRE SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.200, datë 25.3.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 2/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2/1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, nga Bashkia Kamzë, për rikonstruksionin e objekteve arsimore, në masën 346 791 450 (treqind e dyzet e gjashtë milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e një mijë e katërqind e pesëdhjetë) lekë pa TVSH, i cili i transferohet Bashkisë Kamzë, në formën e transfertës së pakushtëzuar, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Azem Hajdari”, Zall-Mëner, Bashkia Kamzë, fondi në masën 55 923 450 (pesëdhjetë e pesë milionë e nëntëqind e njëzet e tre mijë e katërqind e pesëdhjetë) lekë pa TVSH, i cili përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022;
b) Për rikonstruksionin e gjimnazit “Isa Boletini”, fondi në masën 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë pa TVSH, i cili përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022, dhe 184 248 000 (njëqind e tetëdhjetë e katër milionë e dyqind e dyzet e tetë mijë) lekë pa TVSH, i cili përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë;
c) Për rikonstruksionin e kopshtit Zall-Mëner, fondi në masën 56 620 000 (pesëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e njëzet mijë) lekë pa TVSH, i cili përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022.”.

2. Pas pikës 2/1 shtohet pika 2/2, me këtë përmbajtje:

“2/2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, nga Bashkia Mirditë, për rikonstruksionin e objekteve arsimore, në masën 49 636 970 (dyzet e nëntë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë) lekë pa TVSH, i cili përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë dhe i transferohet Bashkisë Mirditë, në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.

II. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kamzë e Mirditë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.228, DATË 29.2.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR TIRANË – ELBASAN”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.228, datë 29.2.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen “tokë bujqësore” dhe “truall”, prej 634 712 (gjashtëqind e tridhjetë e katër mijë e shtatëqind e dymbëdhjetë) m², me vlerë të përgjithshme 215 870 150.2 (dyqind e pesëmbëdhjetë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë mijë e njëqind e pesëdhjetë pikë dy) lekë, për objekte, me vlerë 157 232 702 (njëqind e pesëdhjetë e shtatë milionë e dyqind e tridhjetë e dy mijë e shtatëqind e dy) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 373 102 852.2 (treqind e shtatëdhjetë e tre milionë e njëqind e dy mijë e tetëqind e pesëdhjetë e dy pikë dy) lekësh.”.

2. Në pikën 4, vlera prej “… 10 637 500 (dhjetë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind) lekësh …” zëvendësohet me vlerën prej “… 10 687 500 (dhjetë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind lekësh …”.
3. Në pikën 5 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

a) Vlera prej “… 365 550 631.2 (treqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e një pikë dy) lekësh …” zëvendësohet me vlerën prej prej “… 373 102 852.2 (treqind e shtatëdhjetë e tre milionë e njëqind e dy mijë e tetëqind e pesëdhjetë e dy pikë dy) lekësh …”;
b) Pas shkronjës “c” shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:

“ç) 7 552 221 (shtatë milionë e pesëqind e pesëdhjetë e dy mijë e dyqind e njëzet e një) lekë përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2022, për Autoritetin Rrugor Shqiptar.”.

4. Tabelës bashkëlidhur vendimit i hiqet pasuria nr.125/5, zonë kadastrale 2735, me sipërfaqe të shpronësuar 1 739 m² (një mijë e shtatëqind e tridhjetë e nëntë), me vlerë kompensimi 405 187 (katërqind e pesë mijë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë) lekë dhe i shtohet tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi.

II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut të Tiranës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.545, DATË 13.6.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR TIRANË – ELBASAN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.545, datë 13.6.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në pikën 3 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

i. Fjalët “… për sipërfaqen arë 91 401 (nëntëdhjetë e një mijë e katërqind e një) m2, me vlerë 83 928 609.42 (tetëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e njëzet e tetë mijë e gjashtëqind e nëntë pikë dyzet e dy) lekë …” zëvendësohen me “… për sipërfaqen arë 91 424 (nëntëdhjetë e një mijë e katërqind e njëzet e katër) m2, me vlerë 83 937 234.42 (tetëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë mijë e dyqind e tridhjetë e katër pikë dyzet e dy) lekë …”;
ii. Fjalët “… prej 99 828 843 (nëntëdhjetë e nëntë milionë e tetëqind e njëzet e tetë mijë e tetëqind e dyzet e tre) lekësh” zëvendësohen me “… prej 99 837 468 (nëntëdhjetë e nëntë milionë e tetëqind e tridhjetë e shtatë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekësh.”.

b) Pas pikës 4 shtohet pika 4.1, me këtë përmbajtje:

“4.1. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.”.

c) Pas pikës 5 shtohet pika 5.1, me këtë përmbajtje:

“5.1. Vlera shtesë e shpronësimit, prej 8 625 (tetë mijë e gjashtëqind e njëzet e pesë) lekësh, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.”.

2. Tabelës bashkëlidhur vendimit nr.545, datë 13.6.2013, të Këshillit të Ministrave, i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut të Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA BASHKIA TIRANË TE MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËR AUTORITETIN RRUGOR SHQIPTAR, TË PASURISË ME SIPËRFAQE 247 M2, ME NUMËR 12/325, NË ZONËN KADASTRALE 8310, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, si dhe të nenit 8/a, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Bashkia Tiranë te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, të pasurisë me sipërfaqe 247 m2, me numër 12/325, në zonën kadastrale 8310, Tiranë, sipas planit të rilevimit bashkëlidhur këtij vendimi, e cila do të përdoret për projektin “Rehabilitimi i segmentit rrugor Mbikalimi i pallatit me shigjeta- rrethrrotullimi Shqiponja, loti 1”.

2. Autoritetit Rrugor Shqiptar i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.

3. Bashkisë Tiranë i revokohet e drejta e pronësisë për këtë pasuri.

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA DREJTORIA E PËRGJITHSHME E ARKIVAVE TE PROKURORIA E PËRGJITHSHME, TË PASURISË NR.25/48-N4, ZONA KADASTRALE 2315, KUKËS, ME SIPËRFAQE 365 M2, SI DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.660, DATË 4.8.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARKIVAVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, 15 e 16, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave te Prokuroria e Përgjithshme të pronës, me emërtimin “Dega arkivore Kukës”, me nr.pasurie 25/48-N4, zona kadastrale 2315, Kukës, e llojit njësi, me sipërfaqe 365 m2, në katin e tretë teknik, sipas planimetrisë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, me qëllim ushtrimin e funksioneve administrative të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës.

2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.660, datë 4.8.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, të ndryshuar.

3. Ngarkohen Prokuroria e Përgjithshme dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROGRAMIT TË VEPRIMIT 3-VJEÇAR, PËR VITET 2022 – 2024, NË ZBATIM TË STRATEGJISË MINERARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e programit të veprimit 3-vjeçar, për vitet 2022 – 2024, në zbatim të strategjisë minerare.

2. Drejtimet e zhvillimit të sektorit minerar, për periudhën 3-vjeçare 2022 – 2024 janë, si më poshtë vijon:

a) Shfrytëzimi racional i rezervave minerare dhe miradministrimi i kësaj pasurie kombëtare;
b) Zhvillimi i veprimtarive minerare, duke përdorur teknologji të gjelbërta, me një efiçencë të lartë energjetike, me qëllim reduktimin e shkarkimeve të gazeve me efekt serrë, përmirësimin e performancës mjedisore dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm, në zbatim të ligjit nr.155/2020, “Për ndryshimet klimatike”, si dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore;
c) Mbrojtja e jetës së njerëzve dhe mjedisit;
ç) Zhvillimi i aktivitetit minerar me ndikim minimal në fondin pyjor, kullosor e mjedisor;
d) Rehabilitimi mjedisor, si pjesë e pandarë nga veprimtaritë minerare;
dh) Promovimi i riciklimit dhe përdorimit të produkteve sekondare;
e) Përmirësimi dhe modernizimi i vazhdueshëm i bazës logjistike të institucioneve minerare;
ë) Realizimi i studimeve dhe projekteve përgjithësuese dhe specifike gjeologo-minerare nga institucionet minerare, si bazë e fuqishme informacioni e dobishme dhe e domosdoshme për vendimmarrjen, të cilat përfshijnë edhe planet e rehabilitimit mjedisor të sipërfaqeve, ku zhvillohet veprimtaria minerare;
f) Realizimi në vazhdimësi i funksioneve të mbikëqyrjes së shfrytëzimit racional e efektiv të pasurive minerale, monitorimit minerar dhe të fenomeneve të postshfrytëzimit, rritja e kontrollit për rehabilitimin minerar dhe e sigurisë në punë, rritja e aftësisë shpëtuese në raste emergjencash, si dhe monitorimi i rehabilitimit mjedisor të sipërfaqeve, ku zhvillohet veprimtaria minerare;
g) Monitorimi i zonave minerare dhe rehabilitimi i mjedisit të minierave të shfrytëzuara dhe të mbyllura;
gj) Zhvillimi i bazës së të dhënave GIS dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve minerare dhe atyre homologe evropiane;
h) Përafrimi i legjislacionit në sektorin minerar lidhur me rregullat e kapjes dhe të depozitimit gjeologjik të dioksidit të karbonit apo në mënyra të tjera;
i) Mbështetja dhe inkurajimi i përgatitjes së specialistëve të rinj për veprimtarinë minerare dhe mjedisore për të qenë të aftë të përballen me sfidat e sektorit dhe zhvillimi i burimeve njerëzore, në bashkërendim me universitetet dhe qendrat kërkimore të gjeoshkencave;
j) Mbrojtja e tokës bujqësore nga dëmtimet.

3. Zonat minerare, për të cilat do të jepen lejet minerare, përmes procesit të konkurrimit apo procedurave të hapura, për periudhën 3-vjeçare 2022 – 2024, janë të përcaktuara, sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Zonat minerare, të cilat kalojnë në procedurë konkurruese, si dhe zonat e hapura përcaktohen në planin vjetor minerar, mbështetur në hartën minerare digjitale.

5. Dhënia e të drejtave minerare për këto zona do të realizohet, sipas legjislacionit për dhënien e të drejtave minerare për zonat konkurruese dhe për zonat e hapura.

6. Veprimtaria studimore gjeologjike gjatë kësaj periudhe përfshin:

a) rivlerësimin e resurseve minerare, nëpërmjet përgjithësimit të të dhënave komplekse gjeologjike, vlerësimin e planifikimit territorial, mirrimin e territorit dhe vlerësimin e rrezikut gjeologjik;
b) monitorimin e vazhdueshëm të ujërave nëntokësore;
c) realizimin e studimeve dhe të projekteve për emergjencat civile.
7. Zonat minerare të rrezikshme, për të cilat ndalohet dhënia e të drejtave minerare, janë të përcaktuara me koordinata në aneksin nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky aneks përditësohet nga strukturat përgjegjëse, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera. Aneksi i përditësuar do të publikohet në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për veprimtarinë minerare.

8. Zonat minerare, në të cilat është revokuar leja minerare apo mund të revokohet leja minerare për shkaqe ligjore, mund të shpallen si zona të reja konkurruese, pavarësisht se nuk janë përfshirë në programin e veprimit për zbatimin e strategjisë minerare, për periudhën 3-vjeçare 2022-2024.

9. Produkti vjetor minerar parashikohet me një rritje deri në 5% në vit.

10. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të nenit 17, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e vitit 2022, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes, të bëhet rishpërndarje e fondeve ndërmjet programeve buxhetore, si më poshtë vijon:

a) Në programin buxhetor “Mbështetje shëndetësore” 07340 të shtohet fondi prej 91 000 000 (nëntëdhjetë e një milionë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”;

b) Në programin “Mbështetja e luftimit” 02150 të pakësohet fondi prej 91 000 000 (nëntëdhjetë e një milionë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”.

2. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.721, DATË 5.12.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E TARIFËS SË BILETAVE TË TEATRIT KOMBËTAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.721, datë 5.12.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa:

a) Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbatje:

“1/1. Tarifat e reduktuara të jenë sipas çmimit të përcaktuar në tabelën e shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.

b) Në titull dhe kudo në përmbajtje të vendimit, pas emërtimit “… Teatrit Kombëtar …” shtohen fjlalët “… dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”…”.

c) Pas shtojcës nr.1, bashkëlidhur vendimit, shtohet shtojca nr.2, që i bashkëlidhett këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË, NGA FONDI REZERVË I BUXHETIT TË SHTETIT PËR ZBATIMIN E LIGJIT NR.25/2022, “PËR MBËSHTETJEN DHE ZHVILLIMIN E STARTUP-EVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në programin 04130 “Mbështetje për zhvillimin ekonomik”, në zërin “Shpenzime korrente” (art.604), i shtohet fondi prej 300 000 000 (treqind milionë) lekësh në buxhetin e miratuar për Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve për vitin 2022, për zbatimin e ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”.

2. Efekti financiar, i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2022.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Shqipëria merr për herë të parë Presidencën e Këshillit të Sigurimit, Ambasadori Hoxha prezanton planin e punës

Leave Your Comment