Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Shkurt 2023:
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE PROCEDURAVE TË AKORDIMIT TË FONDEVE PËR MARRJEN E MASAVE PARANDALUESE DHE REHABILITUESE NDAJ FATKEQËSIVE, NË INFRASTRUKTURËN E DËMTUAR, SI EDHE NË VEPRIMTARI TË TJERA NË FUSHËN E MBROJTJES CIVILE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “d”, të pikës 6, të nenit 23, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (në vijim AKMC), në kuadrin e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjes civile, planifikon në buxhetin vjetor të saj fonde për marrjen e masave parandaluese dhe rehabilituese ndaj fatkeqësive, në infrastrukturën e dëmtuar, si edhe në veprimtari të tjera në fushën e mbrojtjes civile.
2. Fondet e planifikuara nga AKMC-ja për marrjen e masave parandaluese dhe rehabilituese ndaj fatkeqësive, në infrastrukturën e dëmtuar, si edhe në veprimtari të tjera në fushën e mbrojtjes civile akordohen, bazuar në këto dokumente orientuese:
a) Strategjinë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë në nivel qendror dhe vendor;
b) Vlerësimin e riskut në nivel qendror dhe vendor;
c) Planin Kombëtar për Emergjencat Civile në nivel qendror dhe vendor.
3. AKMC-ja është institucioni përgjegjës për hartimin dhe miratimin e urdhrave për akordimin e fondeve të planifikuara në buxhetin vjetor të saj, sipas pikës 1, të këtij vendimi.
4. Fondet e planifikuara, sipas pikës 1, të këtij vendimi, i akordohen njësisë së vetëqeverisjes vendore, në territorin e së cilës ka ndodhur fatkeqësia, kur:
a) nevojitet kryerja e shpenzimeve shtesë për përballimin e situatave të krijuara nga fatkeqësitë;
b) kostoja e ndërhyrjes tejkalon buxhetin vjetor të dedikuar për mbrojtjen civile.
5. Për përballimin e situatave emergjente të shkaktuara nga fatkeqësitë e përcaktuara në pikat 9 dhe 10, të nenit 3, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, dokumentacioni për akordimin e fondeve në njësitë e vetëqeverisjes vendore me destinacion sigurimin e kushteve të përkohshme për jetesë të qytetarëve, si dhe për shpenzime të tjera, duhet të përbëhet nga:
a) kërkesa e argumentuar nga kryetari i bashkisë, ku të përfshihet destinacioni i përdorimit të fondit, shoqëruar me preventivat dhe projektet, sipas rastit;
b) miratimi i kërkesës nga prefekti i qarkut, duke dhënë dhe argumente shtesë për nevojën e mbështetjes financiare.
6. Dokumentacioni i hartuar sipas pikës 5, të këtij vendimi, dërgohet nga prefekti i qarkut pranë AKMC-së, e cila shqyrton kërkesën dhe kthen përgjigje brenda 2 ditësh nga marrja e kërkesës.
7. Për akordimin e fondeve me destinacion marrjen e masave parandaluese mbrojtëse, të përgjigjes, të rehabilitimit dhe të rimëkëmbjes për infrastrukturën publike në përgjegjësi të njësive të vetëqeverisjes vendore, duhet të hartohet dokumentacioni, i cili përbëhet nga:
a) kërkesa e njësisë së vetëqeverisjes vendore për fonde shtesë, drejtuar prefektit të qarkut;
b) vendimi i këshillit bashkiak, ku të përcaktohet destinacioni i përdorimit të fondit të kërkuar për emergjencën civile;
c) projekti i zbatimit i shoqëruar me dokumentacionet përkatëse, i cili, sipas rastit, mund të hartohet nga subjekte shtetërore dhe/ose private të licencuara;
ç) konfirmimi nga prefekti i qarkut i ligjshmërisë së vendimit të këshillit bashkiak, i shoqëruar me argumente të tjera shtesë, për mbështetjen financiare;
d) kërkesa e argumentuar nga prefekti i qarkut, drejtuar AKMC-së, për nevojën dhe domosdoshmërinë e ndërhyrjes në objektet e dëmtuara.
8. Dokumentacioni i hartuar sipas pikës 7, të këtij vendimi, dërgohet nga prefekti i qarkut pranë AKMC-së, e cila shqyrton kërkesën dhe kthen përgjigje brenda 45 ditësh nga marrja e kërkesës.
9. Fondet e akorduara njësive të vetëqeverisjes vendore administrohen nga këto të fundit, sipas destinacionit të përcaktuar në urdhrin e nxjerrë nga AKMC-ja, për këtë qëllim.
10. Prefekti i qarkut siguron dhe kontrollon zbatimin e urdhrit të nxjerrë nga AKMC-ja për akordimin e fondit njësisë së vetëqeverisjes vendore, si dhe mënyrën e administrimit të tij, sipas destinacionit të përcaktuar.
11. AKMC-ja për fondet e akorduara njësive të vetëqeverisjes vendore për parandalimin, rehabilitimin ndaj fatkeqësive, në infrastrukturën e dëmtuar, si dhe në veprimtari të tjera në fushën e mbrojtjes civile, ushtron kompetencat për inspektim, sipas legjislacionit në fuqi.
12. Ngarkohen ministri përgjegjës për mbrojtjen civile, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, prefekti i qarkut dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM, PËR NJË TREG PUNE NË DOBI TË RINISË SHQIPTARE: PROJEKTI “RISI (INOVACION) ALBANIA, FAZA 3”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për një treg pune në dobi të rinisë shqiptare: projekti “Risi (Inovacion) Albania, faza 3”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR LIRINË E LËVIZJES ME KARTË IDENTITETI NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me kartë identiteti në Ballkanin Perëndimor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT, PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E DIASPORËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për bashkëpunimin në fushën e diasporës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT, PËR ZHVILLIMIN E PROJEKTEVE TË INFRASTRUKTURËS, SIGURISË LOGJISTIKE DHE EFIÇENCËS SË TRANSPORTIT TË MALLRAVE NDËRMJET DY VENDEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për zhvillimin e projekteve të infrastrukturës, sigurisë logjistike dhe efiçencës së transportit të mallrave ndërmjet dy vendeve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT, PËR TRANSPORTIN UJOR NDËRKOMBËTAR NË LIQENIN E OHRIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për transportin ujor ndërkombëtar në liqenin e Ohrit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.27/2018, “PËR TRASHËGIMINË KULTURORE DHE MUZETË””
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënie mendimi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa në ligjin nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë””, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9917, DATË 19.5.2008, “PËR PARANDALIMIN E PASTRIMIT TË PARAVE DHE FINANCIMIT TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënie mendimi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa ndryshime në ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit””, të ndryshuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.61, DATË 3.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PAKETAVE TË PAJISJEVE MJEKËSORE TË RIMBURSUESHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.61, datë 3.2.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 9.1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9/1. Lista e pajisjeve mjekësore (fisha diabeti) që do të rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2023, për pacientët e grupmoshës 0-25 vjeç dhe nga 65 vjeç e më shumë, është sipas shtojcës, nr.1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
b) Pas pikës 9.1 shtohet pika 9.2, me këtë përmbajtje:
“9.2. Marzhet e tregtimit me shumicë dhe pakicë për listën e pajisjeve mjekësore (fisha diabeti) të rimbursueshme, sipas shtojcës bashkëlidhur, janë përkatësisht 5.5% dhe 13%.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2023.
3. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 27 shkurt 2023.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1140, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KRIMEVE TË RËNDA, 2021-2025, DHE PLANIN E VEPRIMIT 2021-2022”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V EN D O S I:
Në vendimin nr.1140, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Në titull dhe në pikën 1 të vendimit, fjalët “… planin e veprimit 2021-2022” zëvendësohen me “… planin e veprimit 2023-2025”.
2. Pjesa IV “Analiza buxhetore” e Strategjisë zëvendësohet me pjesën me të njëjtin numërtim dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Plani i veprimit 2021-2022, që i bashkëlidhet vendimit në fuqi, zëvendësohet me planin e veprimit 2023-2025, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K RY E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PLANIN VJETOR TË PRANIMIT, PËR VITIN 2023, NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2023 është, gjithsej, 1 152 (një mijë e njëqind e pesëdhjetë e dy), të ndara sipas kategorive të mëposhtme:
a) Për trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues 12;
b) Për kategorinë e mesme drejtuese 50;
c) Për kategorinë e ulët drejtuese 190;
ç) Për kategorinë ekzekutive 900.
2. Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë, si më poshtë vijon:
– Shkenca juridike;
– Audit i brendshëm;
– Shkenca ekonomike;
– Shkenca ekonomike/juridike;
– Shkenca shoqërore;
– Shkenca sociale;
– Histori-filologji;
– Shkenca mjekësore;
– Veterinari;
– Agronomi;
– Zootekni;
– Mbrojtje bimësh;
– Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to;
– Kimi;
– Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme;
– Shkenca inxhinierike;
– Arkitekturë;
– Arkeologji dhe restaurime;
– Artet e bukura;
– Gjeodezi;
– Shkenca ekzakte;
– Shkenca edukimi;
– Mësuesi;
– Arsim i lartë ushtarak/policor;
– Arsim i lartë.
3. Institucionet e administratës shtetërore, ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2023, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2023, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2023, për njësitë e qeverisjes qendrore, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Pagesa për emërtesën “Punonjës arkivi (DPA)”, të përfshirë në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kryhet nga institucionet përkatëse, pas miratimit të listëprezencës dhe shënimeve përkatëse të titullarit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
3. Punonjësit me kontratë në funksionin “Specialist” paguhen në përputhje me kategorinë e pagës së funksionit të ngjashëm organik, të përcaktuar në strukturën e institucionit, por, në asnjë rast, kategoria e pagës së tyre në institucionet e pavarura dhe aparatet e ministrive nuk kalon nivelin IV-a dhe në institucionet në varësi të institucioneve qendrore, nivelin IV-b.
4. Punonjësit me kontratë në funksionin “Operator EDRMS” paguhen, në përputhje me kategorinë e pagës së funksionit “Operator”, sipas vendimit nr.234, datë 20.4.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës dhe punonjësve të tjerë të specialiteteve të ndryshme në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar.
5. Përjashtimisht, për punonjësit me kontratë në funksionin “Specialist”, në Kryeministri, kohëzgjatja e punës është 8 orë përgjatë gjithë vitit buxhetor dhe niveli i pagës për këta punonjës është kategoria III-b.
6. Mbulimi i efekteve financiare për punonjësit me kontratë bëhet nga shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin përkatës të njësive të qeverisjes qendrore. Për punonjësit me kontratë të Shtëpisë së Pushimit Durrës (MB), Shtëpisë së Pushimit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, efektet financiare përballohen nga të ardhurat e vetë institucionit.
7. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi fillojnë pas hyrjes në fuqi të tij. Për punonjësit, të cilët kanë lidhur kontratë në vitin paraardhës, puna e të cilëve nuk është ndërprerë dhe për të cilët është bërë regjistrimi në sistemin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, efektet financiare fillojnë më 1 janar 2023.
8. Ngarkohen ministritë dhe institucionet, sipas lidhjes nr.1, të përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve me kontratë, kategorinë përkatëse të pagës dhe burimin e financimit të tyre.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RREGULLAT DHE PROCEDURAT E SHQYRTIMIT TË NEVOJËS, HARTIMIT, BASHKËPUNIMIT, MIRATIMIT DHE FUNKSIONIMIT TË METODAVE APO TË SEKSIONEVE TË REJA TË PLATFORMËS “ME TY PËR SHQIPËRINË QË DUAM”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 18, të ligjit nr.107/2021, “Për bashkëqeverisjen”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka si qëllim të përcaktojë rastet kur është i nevojshëm krijimi i metodave ose seksioneve të reja të platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”, në vijim e quajtur “Platforma”, si dhe procedurën që ndiqet për hartimin dhe miratimin e tyre.
2. Nisma për krijimin e metodave ose seksioneve të reja mund të ndërmerret nëse janë të pranishme këto rrethana apo kushte:
a) Nga ankesat/kërkesat e subjekteve në “Platformë” apo nga veprimtaria e vetë institucioneve shtetërore konstatohen problematika me karakter të vazhdueshëm ose të përsëritshëm, të cilat, për shkak të specifikave, mund të adresohen në mënyrë më efektive nëpërmjet krijimit të metodave ose seksioneve të reja, të ndryshme nga ato ekzistuese;
b) Metoda ose seksioni i ri paraqet risi dhe përmirësime në drejtim transparencës ose shpejtësisë së ndërveprimit të subjektit me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje (në vijim e quajtur “Agjencia”) dhe institucionet shtetërore.
3. Krijimi i metodave ose seksioneve të reja të “Platformës” mund të nisë nga vetë Agjencia me nismën e saj ose me propozimin e Kryeministrit, ministrit apo institucionit qendror që ka në përgjegjësi çështjet shtetërore për të cilat kërkohet krijimi i metodës ose seksionit.
4. Në rast të ndërmarrjes së nismës nga vetë Agjencia për të krijuar metodën apo seksionin e ri të “Platformës”, ajo mbështetet në:
a) konstatimet e saj nga të dhënat e administruara në “Platformë”;
b) informacionin e mbledhur nga veprimtaria inspektuese e Agjencisë, sipas kreut X, të ligjit nr.107/2021, “Për bashkëqeverisjen”;
c) kërkesat e subjekteve përdoruese të “Platformës” për krijimin e metodave apo seksioneve të reja, nëse ka të tilla.
5. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, për nismën e tij të hartimit të metodës ose seksionit të ri të “Platformës”, njofton Kryeministrin, ministrin/at ose drejtuesit e institucioneve qendrore në fushën e përgjegjësisë të të cilëve është çështja, për të cilën krijohet metoda apo seksioni i ri apo që preken nga krijimi i tij. Agjencia njofton, gjithashtu, edhe AKSHI-n, i cili ngarkohet të asistojë Agjencinë për zhvillimet në fushën e teknologjisë së informacionit, të nevojshme për krijimin dhe mbështetjen e metodës ose seksionit të ri.
6. Procesi i hartimit të metodës apo seksionit të ri nis me ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës, me urdhër të përbashkët të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, drejtorit të Përgjithshëm të AKSHI-t, si dhe të ministrit/ave apo drejtuesit/ve të institucionit/eve qendror/e, në varësi të fushës së përgjegjësisë përkatëse. Përveç përfaqësuesve të kabineteve dhe nëpunësve civilë të ministrive apo të institucioneve qendrore, në veprimtarinë e grupit të punës mund të ftohen të marrin pjesë edhe përfaqësues të kabinetit të Kryeministrit.
7. Grupi ndërinstitucional i punës përgatit një raport që përmban përshkrimin e:
a) parimit dhe mekanizmit të funksionimit të metodës ose seksionit që propozohet;
b) qëllimit dhe objektit të trajtimit të kësaj metode ose këtij seksioni;
c) argumentimit të rrethanave ose kushteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi;
ç) ndikimit që parashikohet të ketë metoda apo seksioni në drejtim të aksesit dhe përfshirjes së subjekteve, në përputhje me qëllimin dhe parimet e ligjit nr.107/2021, “Për bashkëqeverisjen”;
d) zhvillimeve të nevojshme për krijimin e metodës ose seksionit të ri në fushën e teknologjisë së informacionit;
dh) shpenzimeve të nevojshme për krjimin e metodës ose seksionit;
e) identifikimit dhe përcaktimit të të dhënave parësore e dytësore, të nevojshme për krijimin e metodës ose seksionit të ri.
8. Pas përfundimit të raportit, Agjencia harton projektvendimet e Këshillit të Ministrave për krijimin e metodës ose seksionit të ri në bazë të pikës 1, të nenit 18, të ligjit nr.107/2021, “Për bashkëqeverisjen”, si dhe ndryshimet në bazën e të dhënave të “Platformës”, në bazë të pikës 4, të nenit 16, të të njëjtit ligj, dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”. Projektvendimet, së bashku me relacionet shpjeguese dhe raportin e hartuar nga grupi i punës, sipas pikës 7, të këtij vendimi, i përcillen Kryeministrit për t’u proceduar, në përputhje me legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave.
9. Ngarkohen ministritë, institucionet qendrore, Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS 220 KV TË IMPIANTIT FOTOVOLTAIK KARAVASTA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 220 kV të impiantit fotovoltaik Karavasta”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a..
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “pyll”, me një vlerë të përgjithshme prej 556 014 (pesëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e katërmbëdhjetë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 556 014 (pesëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e katërmbëdhjetë) lekësh, përballohet nga shoqëria “Karavasta Solar”, sh.p.k.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga shoqëria “Karavasta Solar”, sh.p.k.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, si dhe regjistron kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, (OST), sh.a., sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a., për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, shoqëria “Karavasta Solar”, sh.p.k., si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS 110 KV LIBRAZHD-PRRENJAS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 110 kV Librazhd-Prrenjas”.
2. Shpronësimi bëhet në favor shtetit.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 193 179 (njëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 193 179 (njëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekësh, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit në përgjegjësi administrimi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a., të pasurive që shpronësohen, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Librazhd, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a., sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Librazhd, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS 400 KV RRASHBULL-TIRANA 2”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 400 KV Rrashbull-Tirana 2”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të shtetit.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall”, “ndërtesë” dhe “kultura bujqësore”, me një vlerë të përgjithshme prej 25 284 520 (njëzet e pesë milionë e dyqind e tetëdhjetë e katër mijë e pesëqind e njëzet) lekësh.
4. Masa e shpërblimit për pronarët, që shpronësohen, prej 25 284 520 (njëzet e pesë milionë e dyqind e tetëdhjetë e katër mijë e pesëqind e njëzet) lekësh, të përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a.
8. Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a., për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.234 DATË, 20.4.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE MBËSHTETËS DHE PUNONJËSVE TË TJERË TË SPECIALITETEVE TË NDRYSHME NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 12, të vendimit nr.234, datë 20.4.2022, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas shkronjës “f” shtohen shkronjat “g” dhe “gj”, me këtë përmbajtje:
“g) punonjësve në pozicionet “laborant” dhe “teknik i mesëm aparaturash” në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
gj) punonjësve në pozicionin “punëtor mirëmbajtjeje (krematoriumi)” në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2023, do të përballohen nga fondet e miratuara për Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për këtë vit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2023.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E STATUSIT TË VEÇANTË “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 5 YJE, STATUS SPECIAL” APLIKUESIT “GREEN COAST”, SH.P.K
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” aplikuesit “Green Coast”, sh.p.k.
2. Ngarkohet ministria përgjegjëse për turizmin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA