Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Tetor 2025
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Tetor 2025:
V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 16.7.2024, PËR ÇËSHTJEN “MELI DHE SWINKELS FAMILY BREWERS N.V. KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESAT NR.41373/21 DHE 48801/21)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 16.7.2024, për çështjen “Meli dhe Swinkels Family Brewers N.V. kundër Shqipërisë”, përfundimtar në datën 16.10.2024, për kërkesat nr.41373/21 dhe 48801/21, sipas shumave të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat e përcaktuara si detyrim në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës, ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlerat e përcaktuara si detyrim në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesve, sipas shtojcës 1, në vlerën që detyrohet shteti shqiptar, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 16.7.2024, për çështjen “Meli dhe Swinkels Family Brewers N.V. kundër Shqipërisë”, përfundimtar në datën 16.10.2024, për kërkesat nr.41373/21 dhe 48801/21, për secilën kërkesë.
4. Pagimi i shumave të depozituara, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Astrit Meli dhe shoqërisë kërkuese “Swinkels Family Brewers N.V.” të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.
5. Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumat e mësipërme paguhen interesa të thjeshtë të barabartë me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.
6. Efektet financiare të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2025.
7. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E DY ANËTARËVE TË KOLEGJIT TË URDHRAVE DHE MEDALJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “d”, të pikës 1, të nenit 27, të ligjit nr.93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Emërimin e dy anëtarëve të Kolegjit të Urdhrave dhe Medaljeve, ekspertë të fushës së dekorimeve, si më poshtë vijon:
1. Z. Plator Kalakula;
2. Z. Jeronim Bazo.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Miriam Shyti emërohet zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Durrës-Kavajë-Krujë, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Elbasan, Zonat e Stimuluara, Shkodër, Korçë, Lezhë, Sarandë, Kamzë-Vorë, Pogradec, Lushnjë, Fier dhe Vlorë.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 1 122 355 400,75 (një miliard e njëqind e njëzet e dy milionë e treqind e pesëdhjetë e pesë mijë e katërqind presje shtatëdhjetë e pesë) lekë, për sipërfaqen 112 752,5 (njëqind e dymbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e dy presje pesë) m², sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht: nr.1, nr.5, nr.6, nr.12, nr.13, nr.21, nr.25, nr.26, nr.27, nr.28, nr.29, nr.37, nr.49, nr.53, nr.57, nr.61, nr.65, nr.67, nr.72, nr.78, nr.83, nr.90, nr.92, nr.94, nr.96, nr.106, nr.107, nr.114, nr.139, nr.143, nr.144, nr.145, nr.146, nr.152, nr.172, nr.184, nr.185, nr.204, nr.252, nr.262, nr.287, nr.321, nr.334, nr.346, nr.351, nr.355, nr.356, nr.357, nr.367, nr.372, nr.373, nr.381, nr.393, nr.406, nr.408, nr.409, nr.427, nr.448, nr.451, nr.452, nr.453, nr.459, nr.460, nr.465, nr.471, nr.482, nr.484, nr.485, nr.496, nr.501, nr.502, nr.503, nr.509, nr.510, nr.513 dhe nr.514, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikave 3 dhe 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
4. Të ardhurat, që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.
5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë Veri, Tiranë Jug, Durrës-Kavajë-Krujë, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Elbasan, Zonat e Stimuluara, Shkodër, Korçë, Lezhë, Sarandë, Kamzë-Vorë, Pogradec, Lushnjë, Fier dhe Vlorë të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E SHOQËRISË AKSIONARE “MOBAL”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 105, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e shoqërisë aksionare, me kapital 100 % shtetëror, me emërtimin “MobAl”, sh.a., me qëllim ofrimin e shërbimit të operimit dhe organizimit të transportit publik rrugor.
2. Shoqëria “MobAl”, sh.a., ofron kundrejt pagesës shërbimin e operimit dhe çdo shërbim tjetër, në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.
3. Shoqëria “MobAl”, sh.a., sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij vendimi, themelohet, organizohet dhe funksionon me dy nivele administrimi, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.
4. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “MobAl”, sh.a., është 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë. Vlera prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh transferohet nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë pranë shoqërisë “MobAl”, sh.a., menjëherë pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
5. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfaqëson shtetin si pronar të 100 % të aksioneve të shoqërisë dhe, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme ligjore për:
a) themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare;
b) regjistrimin e shoqërisë “MobAl”, sh.a., në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
6. Organet drejtuese të shoqërisë “MobAl”, sh.a., sipas parashikimeve të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, janë Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit, Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori. Detyrat dhe pёrgjegjёsitё e Asamblesё sё Pёrgjithshme, Kёshillit Mbikёqyrёs, Administratorit, si dhe organizimi dhe funksionimi i shoqërisë janë, sipas parashikimeve të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe parashikimeve në statutin e shoqërisë “MobAl”, sh.a.
7. Shoqëria “MobAl”, sh.a., ka si objekt të veprimtarisë:
a) operimin e shërbimit të transportit publik rrugor të udhëtarëve, përfshirë destinacionet turistike;
b) operimin e shërbimeve të rregullta të specializuara të transportit të udhëtarëve, përfshirë transportin e nxënësve dhe të punonjësve arsimorë;
c)organizimin dhe sigurimin e mirëmbajtjes së infrastrukturës së operimit, përfshirë parkun e autobusëve, stacionet, infrastrukturën e karikimit për mjetet elektrike, sistemin e biletimit elektronik, serverat për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave, si dhe çdo shërbim ose element tjetër të nevojshëm për funksionimin e shërbimit;
ç) arkëtimin e tarifës së biletave në mënyrë fizike ose elektronike;
d) organizimin, licencimin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik të udhëtarëve, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi;
dh) krijimin ose sigurimin e sistemeve e të aplikacioneve elektronike për menaxhimin, informacionin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik rrugor të udhëtarëve.
8. Shoqëria “MobAl”, sh.a., mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.
9. Shoqëria “MobAl”, sh.a., financohet nga të ardhurat e veta nga ofrimi i shërbimeve dhe nga burime të tjera të ligjshme. Të ardhurat e shoqërisë aksionare përdoren për ushtrimin e veprimtarisë së saj.
10. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e përfaqësuesit të pronarit shtet, me qëllim përmbushjen e misionit të shoqërisë, siguron injektim kapitali për shoqërinë, brenda fondeve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Transporti rrugor”.
11. Burimi i të ardhurave të shoqërisë “MobAl”, sh.a., janë:
a) të ardhura nga arkëtimi i tarifës së biletës;
b) të ardhura nga tarifa vjetore, që përftohet nga subjektet që kryejnë shërbimin e operimit të shërbimeve të transportit publik rrugor;
c) të ardhura të tjera të ligjshme, të cilat vijnë nga kryerja e veprimtarive sipas pikës 7, të këtij vendimi;
ç) grantet, huatë, subvencionet.
12. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i siguron shoqërisë “MobAl”, sh.a., mjediset e punës, të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.
13. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2025, në programin “Transporti rrugor”.
14. Shërbimi i ofruar në shkronjën “c”, të pikës 7, të këtij vendimi, i fillon efektet në shtator të vitit 2026.
15. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM DHE EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Endrit Yzeiraj, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Financave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Erjona Bejleri, zëvendësministër i Financave, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “”Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËR AGJENCINË KOMBËTARE TË BURIMEVE NATYRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për ushtrimin e aktivitetit sipas fushës së saj të përgjegjësisë shtetërore.
Lista përbëhet, gjithsej, nga 1 (një) fletë formulari dhe 1 (një) plan rilevimi, që u bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronave të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.1 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, DATË 8 TETOR 2020, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM PËR “PROGRAMIN E MUNDËSIMIT TË TURIZMIT DHE INFRASTRUKTURËS”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.883, DATË 12.11.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.1 të marrëveshjes së grantit, datë 8 tetor 2020, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për “Programin e mundësimit të turizmit dhe infrastrukturës”, miratuar me vendimin nr.883, datë 12.11.2020, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.1, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËRFAQËSUAR NGA ZYRA E KRYEMINISTRIT, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR SHQIPËRI – KOSOVË, 2021 – 2027, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.12/2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.1, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri – Kosovë, 2021 – 2027, ratifikuar me ligjin nr.12/2024, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.199, DATË 10.4.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRYETARIT DHE EMËRIMIN E ANËTARËVE, PËRFAQËSUES TË PUSHTETIT QENDROR, NË KËSHILLIN DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.10130, datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 2 e vendimit nr.199, datë 10.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kryetarit dhe emërimin e anëtarëve, përfaqësues të pushtetit qendror, në këshillin drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Emërimin e anëtarëve, përfaqësues të pushtetit qendror, në këshillin drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si më poshtë vijon:
– Z. Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit;
– Z. Andis Salla, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
– Z. Ervin Demo, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor;
– Znj. Ana Kapaj, zëvendësministër i Arsimit.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.286, DATË 10.5.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PROCEDURAVE TË PËRZGJEDHJES SË KRYETARIT, NËNKRYETARIT DHE ANËTARËVE TË KOMITETIT PËR PAKICAT KOMBËTARE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 20, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.286, datë 10.5.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Procedurat e përzgjedhjes për kryetarin, nënkryetarin dhe anëtarët e KPK-së kryhen nga komisioni ad-hoc, i cili kryesohet nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe ka në përbërje një përfaqësues nga këto institucione:
a) Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale;
b) Akademia e Shkencave e Shqipërisë;
c) Ministria e Punëve të Brendshme;
ç) Ministria e Arsimit.
2. Pika 13 shfuqizohet.
3. Pika 20 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“20. Ngarkohen Kryeministria, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Arsimit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Komiteti për Pakicat Kombëtare për zbatimin e këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NOMENKLATURËS SË VEPRIMTARIVE EKONOMIKE TË REVIZIONUARA (REV.2.1)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e zbatimit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (Rev.2.1), e miratuar paraprakisht nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Nomenklatura e Veprimtarive Ekonomike (Rev.2.1), e njohur shkurtimisht “NVE Rev.2.1”, zbatohet për mbledhjen, klasifikimin dhe publikimin e të dhënave statistikore zyrtare.
3. Nomenklatura e Veprimtarive Ekonomike (Rev.2.1) zbatohet nga agjencitë statistikore, ministritë e linjës, institucionet qendrore dhe vendore, personat fizikë e juridikë, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
4. Vendimi nr.320, datë 28.5.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike të Revizionuara (Rev.2)”, shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
5. Ngarkohen institucionet dhe subjektet e përmendura në pikën 3, të këtij vendimi, që pas botimit të tij në “Fletoren zyrtare”, të marrin masat përgatitore për zëvendësimin e kodeve të parashikuara në Nomenklaturën e Veprimtarive Ekonomike të Revizionuara (Rev.2) me kodet e parashikuara në Nomenklaturën e Veprimtarive Ekonomike të Revizionuara (Rev.2.1), sipas këtij vendimi, të cilat përfundojnë brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
6. Ngarkohen institucionet dhe subjektet e përmendura në pikën 3, të këtij vendimi, për zbatimin e Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike të Revizionuara (Rev.2.1).
Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi
në datën 1.7.2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME LIDHUR ME KUSHTET, MASAT DHE KONTROLLET E NGARKESAVE TË PRODUKTEVE ORGANIKE OSE NË KALIM TË IMPORTUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 56, të ligjit nr.104/2024, “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Qëllimi dhe fusha e zbatimit
1. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë rregullat e hollësishme për verifikimin e kushteve të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 55, të ligjit nr.104/2024, “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre” (në vijim, ligji), dhe masat e marra gjatë kontrollit të produkteve të importuara organike dhe/ose në kalim.
2. Rregullat e hollësishme, sipas pikës 1 të këtij neni, përfshijnë:
a) kontrollet zyrtare për produktet që importohen nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian ose vend i tretë, me qëllim vendosjen në tregun shqiptar si produkt organik dhe/ose në kalim;
b) deklarimet e komunikimet nga importuesi, operatori përgjegjës për ngarkesat, marrësi i parë dhe marrësi, për importin e produkteve nga Bashkimi Evropian dhe vendet e treta, me qëllim vendosjen e tyre në tregun shqiptar si produkte organike dhe/ose në kalim;
c) veprimet që duhet të ndërmerren nga institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar në pikat e inspektimit kufitar, në rast të dyshimit ose të konstatimit të mospërputhshmërive të ngarkesave me kërkesat e legjislacionit në fuqi për prodhimin organik.
Neni 2
Përkufizimet
Të gjithë termat e përcaktuar në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me ata të përcaktuar në ligj. Për efekt të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Ngarkesë”, një numër kafshësh ose një sasi mallrash nën një ose më shumë kode të nomenklaturës doganore, të mbuluara nga një certifikatë e vetme zyrtare e operatorit organik, eksportuesit, dhe nga një deklaratë e vetme doganore, transportuar me të njëjtin mjet transporti dhe importuar nga i njëjti vend, që synohen të vendosen në tregun shqiptar si kafshë ose mallra organike dhe/ose në kalim.
2. “Pikë e kontrollit ose inspektimit kufitar” (në vijim, PIK), një vend, përfshirë edhe ambientet që i përkasin atij, përcaktuar nga ministri për kryerjen e kontrolleve zyrtare të kafshëve dhe mallrave, përfshirë ato organike dhe/ose në kalim, që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
3. “Kontroll i dokumentacionit”, kontrolli i certifikatës zyrtare të operatorit organik, që eksporton produkte organike dhe/ose në kalim, përfshirë dokumentet tregtare dhe dokumente të tjera, të cilat shoqërojnë ngarkesën, sipas legjislacionit në fuqi për kontrollin zyrtar në PIK.
4. “Kontroll i identitetit”, inspektimi vizual për të verifikuar nëse përmbajtja dhe etiketimi i një ngarkese, duke përfshirë numrin e identifikimit të kafshës, vulat dhe mjetet e transportit, përputhen me informacionin e dhënë në certifikatën zyrtare të operatorit organik, eksportuesit dhe/ose dokumentet e tjera shoqëruese të ngarkesës.
5. “Kontroll fizik”, kontrolli i kafshëve ose i mallrave dhe, sipas rastit, kontrolli i ambalazhit, i mjetit të transportit, i etiketës, i temperaturës, marrja e mostrës për analizë, testimi ose diagnostikimi te kafshët dhe çdo kontroll tjetër për të verifikuar përputhshmërinë me rregullat e legjislacionit në fuqi për kontrollin zyrtar dhe, në veçanti, për prodhimin organik.
6. “Importues”, një person fizik ose juridik i vendosur në Shqipëri dhe subjekt i sistemit të kontrollit e certifikimit organik të përcaktuar në kreun V të ligjit, i cili është përgjegjës për importin e ngarkesës, vetë ose nëpërmjet një përfaqësuesi.
7. “Operator përgjegjës për ngarkesën”, importuesi ose personi fizik ose juridik i vendosur në Shqipëri, i cili paraqet ngarkesën në pikën e inspektimit kufitar në emër të importuesit.
8. “Marrës i parë”, një person fizik ose juridik i vendosur në Shqipëri dhe që i nënshtrohet sistemit të kontrollit dhe certifikimit organik, të përcaktuar në kreun V të ligjit, të cilit i dorëzohet ngarkesa nga importuesi, pas çlirimit për qarkullim të lirë, për përgatitje të mëtejshme ose tregtim.
9. “Marrës”, një person fizik ose juridik i vendosur në Shqipëri dhe që i nënshtrohet sistemit të kontrollit e certifikimit organik, të përcaktuar në kreun V të ligjit, të cilit i dorëzohet nga importuesi, pas çlirimit për qarkullim të lirë, një lot ose parti malli e përftuar nga ndarja e një ngarkese, për përgatitje të mëtejshme ose tregtim.
10. “TRACES”, platforma digjitale e Bashkimit Evropian, e cila përdoret për lëshimin e publikimin e certifikatës së operatorit organik, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Neni 3
Verifikimi i certifikatës së operatorit organik, që eksporton në Shqipëri
1. Certifikata e operatorit organik, që eksporton në Shqipëri, siç përcaktohet në nënndarjet “i” dhe “ii”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 55, të ligjit, gjendet e publikuar në sistemin TRACES, në link-un e mëposhtëm:
https://webgate.ec.europa.eu/TRACESnt/directory/publication/organic-operator/index
2. Ngarkesa e produkteve, që eksportohen në Shqipëri, siç përcaktohet në nënndarjen “iii”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 55, të ligjit, shoqërohet me certifikatën e operatorit organik që eksporton, e cila përfshin produktet që eksportohen në Shqipëri.
3. Lista e vendeve të treta, të njohura nga Bashkimi Evropian si ekuivalente, dhe autoritetet e tyre kompetente, autoritetet e kontrollit dhe trupat e kontrollit, gjendet e publikuar në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë.
4. Lista e vendeve të treta të njohura nga Bashkimi Evropian me marrëveshje tregtare dhe autoritetet e tyre kompetente, autoritetet e kontrollit dhe trupat e kontrollit, gjenden në link-un e mëposhtëm:
https://agriculture.ec.europa.eu/farming/organic-farming/trade/agreements-trade-organic-products_en.
Neni 4
Regjistrimi e certifikimi i importuesit dhe gjurmueshmëria
1. Importuesi, marrësi i parë ose marrësi, që deklaron produktet organike ose në kalim, në PIK, të jetë i regjistruar dhe të ketë certifikatë të vlefshme si operator organik, siç përcaktohet në kreun V të ligjit, të lëshuar nga një trupë kontrolli e miratuar nga ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe e akredituar për fushën e certifikimit të importit të produkteve organike ose në kalim.
2. Lista e përditësuar e trupave të kontrollit të miratuara gjendet e publikuar në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë.
3. Informacioni për gjurmueshmërinë e produktit organik dhe/ose në kalim, siç përcaktohet në pikën 2, të nenit 55, të ligjit, paraqitet sipas kërkesës te trupa e kontrollit të importuesit ose institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar në PIK.
Neni 5
Njoftimi paraprak i mbërritjes së ngarkesës
1. Për çdo ngarkesë të produkteve organike dhe/ose në kalim, importuesi ose, sipas rastit, operatori përgjegjës për ngarkesën njofton paraprakisht për mbërritjen e ngarkesës në PIK:
a) institucionin përgjegjës për kontrollin zyrtar në PIK-un përkatës;
b) trupën e kontrollit, që certifikon operatorin përgjegjës për ngarkesën e importuar, së cilës i paraqet të gjithë informacionin e duhur lidhur me ngarkesën, emrin e eksportuesit, llojin e produktit, sasinë, vendin e origjinës, trupën e kontrollit që ka certifikuar eksportuesin dhe çdo informacion tjetër për gjurmueshmërinë e produktit.
2. Kur trupa e kontrollit gjatë kryerjes së verifikimit të dokumentacionit sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, dyshon ose konstaton mospërputhje, që prekin integritetin e produkteve organike ose në kalim të një ngarkese, që do të importohet, njofton institucionin përgjegjës për kontrollin zyrtar në PIK dhe importuesin.
3. Njoftimi paraprak, sipas pikës 1 të këtij neni, bëhet minimalisht 24 (njëzet e katër) orë përpara mbërritjes së ngarkesës.
4. Lista e PIK-ëve miratohet sipas legjislacionit në fuqi për kontrollin zyrtar.
Neni 6
Kontrollet zyrtare të ngarkesave
1. Kur ngarkesa e produkteve të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 55, të ligjit, mbërrin në PIK, inspektori i institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar në PIK kryen kontrollin e ngarkesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kontrollin zyrtar në PIK, për verifikimin e përputhshmërisë me legjislacionin në fuqi për prodhimin organik, si më poshtë vijon:
a) Kontrollon dokumentacionin, për çdo ngarkesë të importuar;
b) Kontrollon identitetin për çdo ngarkesë;
c) Bën kontrollin fizik bazuar në riskun për mospërputhshmëri me legjislacionin në fuqi për prodhimin organik.
2. Kontrolli i dokumentacionit sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni, përfshin verifikimin e:
a) certifikatës së operatorit organik, eksportuesit, sipas nenit 3 të këtij vendimi dhe të importuesit;
b) dokumentacionit tregtar e të transportit, si faturat e ngarkesës, lista e produkteve dhe të gjitha dokumentet e tjera shoqëruese të ngarkesës, përfshirë, sipas rastit, rezultatet e analizave ose të testeve të kryera në mostrat e marra.
3. Për ngarkesat e produkteve me rrezik të lartë, bazuar në procedurën e vlerësimit të riskut, inspektori kryen kontrollin e identitetit, kontrollin fizik dhe merr të paktën një mostër përfaqësuese të ngarkesës.
4. Institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar në PIK zbaton procedurën e vlerësimit të riskut për përcaktimin e produkteve me rrezik të lartë, sipas pikës 3 të këtij neni, bazuar në llojin e mospërputhshmërive të konstatuara, shkallën e rëndësisë ose përsëritjen e tyre, që ndikojnë në integritetin e produkteve organike ose në kalim dhe procedurën për marrjen e mostrës përfaqësuese, sipas kategorisë, sasisë dhe ambalazhimit të produktit.
5. Pas kryerjes së kontrollit zyrtar sipas pikave 1, 2 e 3 të këtij neni, inspektori në PIK nxjerr aktin e kontrollit sipas natyrës së produktit, në të cilin përcaktohet statusi i ngarkesës së mëposhtme:
a) Ngarkesa lejohet të futet në Shqipëri, si organike;
b) Ngarkesa lejohet të futet në Shqipëri, si në kalim organike;
c) Ngarkesa lejohet të futet në Shqipëri, si joorganike;
ç) Një pjesë e ngarkesës lejohet të futet në Shqipëri, si organike ose në kalim;
d) Ngarkesa nuk lejohet të futet në Shqipëri;
dh) Një pjesë e ngarkesës lejohet të futet në Shqipëri, si joorganike.
6. Inspektori nxjerr aktin e kontrollit në 3 (tri) kopje, nga të cilat mban kopjen e parë, kopja e dytë i dorëzohet autoritetit doganor dhe kopja e tretë, importuesit.
Neni 7
Çlirimi për qarkullim të lirë nga autoritetet doganore
1. Autoritetet doganore lejojnë hyrjen në Republikën e Shqipërisë të ngarkesës për qarkullim të lirë, pas kryerjes së kontrollit zyrtar nga institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar në PIK, i cili nxjerr aktin e kontrollit, sipas statusit të ngarkesës.
2. Bazuar në aktin e kontrollit dhe në dokumentet shoqëruese të ngarkesës së deklaruar nga importuesi ose përfaqësuesi doganor, si organik dhe/ose në kalim, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave raporton në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë të dhënat e regjistruara në sistemin elektronik doganor, siç përcaktohet në pikën 3, të nenit 56, të ligjit.
Neni 8
Regjistrat dhe mbajtja e dokumentacionit
1. Importuesi, marrësi i parë dhe marrësi ruan, mban e administron të gjitha dokumentet, që shoqërojnë ngarkesën, sipas pikës 2, të nenit 6, të këtij vendimi.
2. Regjistrat dhe dokumentacioni që shoqëron ngarkesën, kur kërkohen, i paraqiten trupës së kontrollit, që kryen inspektimin e certifikimin e tyre si operator organik, si dhe institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit, ushqimit për kafshë dhe kafshëve të gjalla në treg, me qëllim verifikimin e gjurmueshmërisë së produktit organik dhe/ose në kalim.
Neni 9
Përshkrimi i aktivitetit të importuesit
1. Në rastin e importuesit, që deklaron një ngarkesë për të hyrë në Republikën e Shqipërisë si organik dhe/ose në kalim, përshkrimi i plotë i njësisë së prodhimit organik dhe aktivitetit të tij, sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 44, të ligjit, përfshin:
a) njësitë ose mjediset e ruajtjes e të tregtimit të produkteve organike dhe/ose në kalim;
b) aktivitetet që kryen importuesi, përfshirë informacionin për PIK-un, ku kryhet çlirimi për qarkullim të lirë të produkteve të importuara;
c) çdo mjedis, objekt tjetër që importuesi përdor për ruajtjen e produkteve të importuara në pritje të dorëzimit të tyre te marrësi i parë;
ç) marrjen përsipër për të siguruar që çdo mjedis ose njësi, që përdoret për magazinimin dhe ruajtjen e produkteve të importuara i nënshtrohet inspektimit e kontrollit nga trupa e kontrollit ose nga institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar lidhur me ushqimin, ushqimin për kafshë dhe kafshëve të gjalla, që kryen kontrollin në treg.
2. Në rastin e marrësit të parë dhe të marrësit, përshkrimi sipas pikës 1 të këtij neni, përfshin mjediset ose objektet, që përdoren për pranimin e ngarkesave dhe ruajtjen e tyre.
Neni 10
Informacioni që jepet për mospërputhshmëritë e dyshuara ose të konstatuara në ngarkesa
1. Kur inspektori në PIK, gjatë kryerjes së kontrollit zyrtar, sipas nenit 6 të këtij vendimi, dyshon ose konstaton mospërputhshmëri, që prekin integritetin e produkteve organike dhe/ose në kalim në një ngarkesë të importuar, ndërmerr veprimet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kontrollet zyrtare dhe menjëherë:
a) njofton importuesin dhe institucionin përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit, ushqimit për kafshë dhe kafshëve të gjalla, të rajonit ku ka destinacionin ngarkesa;
b) trupën e kontrollit të importuesit, të cilës i kërkon kryerjen e një hetimi zyrtar për rastin.
2. Institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar në PIK ndalon përkohësisht vendosjen në treg të mallit ose të kafshës në fjalë si organik dhe/ose në kalim, në pritje të rezultateve të hetimit zyrtar, që kryhet nga trupa e kontrollit të importuesit.
3. Në varësi të rezultatit të hetimit, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, inspektori nxjerr aktin e kontrollit, në përputhje me pikën 5, të nenit 6, të këtij vendimi.
4. Nëse rezultati i hetimit zyrtar, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, vërteton ndonjë nga rastet e përcaktuara në pikën 2, të nenit 27, të ligjit, ngarkesa nuk çlirohet për qarkullim të lirë si organike ose në kalim.
5. Nëse rezultati i hetimit zyrtar sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, nuk i paraqitet institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar në PIK brenda 2 (dy) javësh, ngarkesa çlirohet për qarkullim të lirë si joorganike.
6. Importuesi mund të kërkojë çlirimin e ngarkesës si joorganike para marrjes së rezultatit të hetimit zyrtar.
Neni 11
Dispozita kalimtare
Pika 4, e nenit 3, të këtij vendimi, zbatohet deri më 31 dhjetor 2026.
Neni 12
Dispozita të fundit
Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, trupat e kontrollit, autoriteti përgjegjës për kontrollin zyrtar lidhur me ushqimin, ushqimin për kafshë dhe kafshët e gjalla dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 13
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet më 29 tetor 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.79, DATË 31.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NJËSIA ADMINISTRATIVE 1, ZONA AUTOTRAKTORI, BASHKIA TIRANË, DHE CAKTIMIN E SHOQËRISË “TIRANA DC”, SH.A., SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nënndarjeve “iii” e “iv”, të shkronjës “b”, të nenit 13, dhe të pikës 3, të nenit 16, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shfuqizimin e vendimit nr.79, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, njësia administrative 1, zona Autotraktori, Bashkia Tiranë, dhe caktimin e shoqërisë “Tirana DC”, sh.a., si njësi zbatuese”, të ndryshuar.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, shoqëria “Tirana DC”, sh.a., dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2025, MIRATUAR PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE, PËR PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË ORGANIZIMIT TË FORUMIT TË INVESTIMEVE MIDIS VENDEVE TË BASHKIMIT EVROPIAN DHE VENDEVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR, QË DO TË ZHVILLOHET NË TIRANË, NË DATAT 13-14 TETOR 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, në zërin 603 “Subvencione”, të programit 01320 “Shërbime qeveritare”, i shtohet fondi prej 31 753 000 (tridhjetë e një milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre mijë) lekësh për përballimin e shpenzimeve të organizimit të Forumit të Investimeve midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet në Tiranë, në datat 13-14 tetor 2025.
2. Efekti financiar, prej 31 753 000 (tridhjetë e një milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre mijë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2025.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA