Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Qershor 2026
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR PËRSHTATJEN NDAJ NDRYSHIMEVE KLIMATIKE 2026-2036
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 5, të ligjit nr.155/2020, “Për ndryshimet klimatike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026-2036, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, kapitulli 6 “Plani Kombëtar i Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike” i vendimit nr.466, datë 3.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e dokumentit strategjik dhe të planeve kombëtare për zbutjen e gazeve me efekt serrë dhe për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe të gjitha ministritë e institucionet përgjegjëse, të përmendura në tekstin e këtij plani, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR ZBATIMIN E PROJEKTIT “MBROJTJA E PASURIVE PYJORE TË SHQIPËRISË – BASHKËFINANCIM I AICS PËR PROJEKTIN E FINANCUAR NGA BE-JA “EU FOR FORESTS” – AID 13419”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për zbatimin e projektit “Mbrojtja e pasurive pyjore të Shqipërisë – Bashkëfinancim i AICS për projektin e financuar nga BE-ja “EU for Forests” – AID 13419”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E ZONAVE TË PRODHIMIT TË RRUSHIT PËR VERË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.86/2022, “Për vreshtarinë dhe verën”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Zonat e prodhimit të rrushit për verë në territorin e Republikës së Shqipërisë përcaktohen, si më poshtë vijon:
a) Zona CI: Zonë mesatare, pak e ngrohtë, e cila përfshin kryesisht territorin lindor dhe verilindor të Shqipërisë, duke ndjekur zonat me reliev më të lartë dhe klimë relativisht më të freskët krahasuar me ultësirën perëndimore.
b) Zona CII: Zonë e ngrohtë, e cila përfaqëson brezin tranzitor klimatik midis ultësirës së ngrohtë perëndimore dhe zonave më të freskëta lindore.
c) Zona CIII: Zonë shumë e ngrohtë, e cila shtrihet kryesisht në ultësirën perëndimore dhe në zonat bregdetare, ku ndikimi detar dhe relievi i ulët krijojnë kushtet më të favorshme për vreshtari.
2. Përshkrimi i zonave dhe kufijve territorialë, parametrat kryesorë dhe vlerësimi i tyre në bazë qarku, zonat vreshtare homogjene për kultivarët autoktonë, kufizimet e përjashtimet, si dhe hartat e zonimit vreshtar në format GIS, të cilat kanë karakter detyrues dhe shërbejnë si referencë zyrtare në interpretimin territorial të zonave të prodhimit të rrushit për verë, përshkruhen në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V EN D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA 2026-2030
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026-2030, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet, sipas fushës së përgjegjësisë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE, DOKUMENTACIONIT, AFATEVE DHE PROCEDURAVE TË DETAJUARA PËR PLOTËSIMIN, DORËZIMIN DHE SHQYRTIMIN E KËRKESËS PËR ORGANIZIMIN E VULLNETARIZMIT NGA PERSONI JURIDIK FITIMPRURËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 4, të nenit 24, të ligjit nr.94/2025, “Për vullnetarizmin”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Ky vendim përcakton rregullat, dokumentacionin, afatet dhe procedurat e detajuara për plotësimin, dorëzimin dhe shqyrtimin e kërkesës për organizimin e vullnetarizimit nga personi juridik fitimprurës.
II. DOKUMENTACIONI, AFATET DHE PROCEDURAT
1. Çdo person juridik, vendas apo i huaj, i regjistruar, që kryen veprimtari fitimprurëse dhe kërkon të ofrojë vullnetarizëm në Republikën e Shqipërisë përpara fillimit të programit të vullnetarizmit, depoziton pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (në vijim AKPA) kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues on-line, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, për miratimin e programit.
2. Kërkesa shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Përshkrimin e programit dhe objektivat e tij;
b) Fushën e veprimtarisë dhe përfituesit e synuar;
c) Planin e angazhimit të vullnetarëve, me përcaktimin e kohëzgjatjes dhe detyrave;
ç) Masat për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale;
d) Planin e trajnimit dhe mbështetjes së vullnetarëve;
dh) Mekanizmat e monitorimit dhe raportimit të programit;
e) Deklaratën se programi i propozuar është në përputhje me kushtet e përcaktuara në pikën 1, të nenit 24, të ligjit nr.94/2025, “Për vullnetarizmin”.
3. AKPA-ja shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga data e dorëzimit të tyre.
4. Në rast dokumentacioni të paplotë, AKPA-ja kërkon plotësimin e tij, brenda një afati 5-ditor.
5. AKPA-ja verifikon përputhshmërinë e programit me kushtet e përcaktuara në nenin 24, të ligjit nr.94/2025, “Për vullnetarizmin”.
6. AKPA-ja shprehet me miratimin ose refuzimin e arsyetuar të kërkesës.
7. Miratimi i programit është i vlefshëm për periudhën e përcaktuar në program.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RAPORTIT VJETOR PËR NDIHMAT SHTETËRORE TË VITIT 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e raportit vjetor për ndihmat shtetërore të vitit 2025, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIM DEPOJE NË ZONËN E QYTETIT TË NXËNËSVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim depoje në zonën e Qytetit të Nxënësve”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “ullishte”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 431 283.84 (një milion e katërqind e tridhjetë e një mijë e dyqind e tetëdhjetë e tre pikë tetëdhjetë e katër) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 431 283.84 (një milion e katërqind e tridhjetë e një mijë e dyqind e tetëdhjetë e tre pikë tetëdhjetë e katër) lekësh, përballohet nga Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, sh.a.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, sh.a.
8. Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, sh.a.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 1, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për Ujësjellës-Kanalizime Tiranë sh.a., sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, sh.a., sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 1, Bashkia Tiranë, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, sh.a., dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË ZBATIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, DHE DEUTSCHE GESELLSCHAFT FÜR INTERNATIONALE ZUSAMMENARBEIT (GIZ) GMBH, PËR PROJEKTIN “SUTI – TRANSPORTI I QËNDRUESHËM URBAN NË SHQIPËRI II”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së zbatimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin “SUTi – transporti i qëndrueshëm urban në Shqipëri II”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D IM
PËR
KRIJIMIN E REZERVËS SË ARMATIMEVE DHE TË PAJISJEVE TEKNOLOGJIKE PËR FORCAT E ARMATOSURA NGA SUBJEKTET E LICENCUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekt i këtij vendimi është krijimi i rezervës së armatimeve dhe i pajisjeve teknologjike për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nga subjektet e licencuara, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë vendim.
Neni 2
Qëllimi
Ky vendim përcakton detyrimet që zbaton subjekti i licencuar për sigurimin e një rezerve armatimesh dhe pajisjesh teknologjike për sigurimin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në rastet e gjendjes së luftës ose në kushtet e një rreziku të afërt dhe konkret të një agresioni ushtarak ndaj Republikës së Shqipërisë ose aleatëve të saj strategjikë.
Neni 3
Fusha e zbatimit
Ky vendim zbatohet për çdo subjekt të licencuar, që kryen veprimtari në prodhimin dhe tregtimin e armatimit ushtarak, në përputhje me legjislacionin në fuqi për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake në Republikës së Shqipërisë.
Neni 4
Përkufizime
Për qëllimet e këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Subjekt i licencuar”, çdo person juridik, publik ose privat, që ka marrë licencën e prodhimit dhe tregtimit për të ushtruar veprimtari në fushën e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike.
2. “Rezervë e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike”, sasia e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike, që subjektet e licencuara detyrohen ta sigurojnë dhe ta mbajnë në dispozicion për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
3. “Aktivizim i rezervës”, procesi i krijimit dhe vënies në dispozicion të rezervës për Forcat e Armatosura, sipas urdhrit të dhënë nga ministri i Mbrojtjes.
4. “Sasia dhe tipologjia e rezervës”, përcaktimi i numrit, sasisë, llojit të armatimeve dhe pajisjeve teknologjike, që subjektet e licencuara janë të detyruara të mbajnë në rezervë.
KREU II
KRIJIMI, SASIA, RUAJTJA DHE PËRDORIMI I REZERVËS
Neni 5
Krijimi dhe sasia e mbajtjes së rezervës
1. Subjekti i licencuar mban një sasi rezervë armatimesh dhe pajisjesh teknologjike nga momenti i aktivizimit të saj, të përcaktuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe të miratuar nga ministri i Mbrojtjes, në përputhje me:
a) kërkesat strategjike të Forcave të Armatosura;
b) kapacitetet teknike dhe logjistike të subjektit.
2. Për subjektin e licencuar, që ushtron veprimtarinë në fushën e prodhimit të armatimeve dhe pajisjeve teknologjike, sasia e rezervës, që vihet në dispozicion për aktivizim, nuk tejkalon 5% të kapacitetit të përgjithshëm vjetor të prodhimit.
3. Për subjektin e licencuar, që ushtron veprimtarinë në fushën e tregtimit të armatimeve dhe pajisjeve teknologjike, sasia e rezervës, që vihet në dispozicion për aktivizim, nuk tejkalon 5% të inventarit të destinuar për tregtim.
4. Krijimi i rezervës për shoqërinë shtetërore, të krijuar në zbatim të nenit 15, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, bëhet me vendim të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Sasia e rezervës, që vihet në dispozicion për aktivizim, është 25% e kapacitetit të përgjithshëm vjetor të prodhimit. Kjo sasi ndryshon me vendim të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë.
5. Në rastet kur sasia e rezervës së aktivizuar vihet në dispozicion të Forcave të Armatosura, çmimi i blerjes nuk tejkalon çmimin mesatar të shitjeve të vitit paraardhës tatimor për mallrat e mbajtura në rezervë.
Neni 6
Kushtet e ruajtjes së rezervës
1. Subjekti i licencuar detyrohet të mbajë rezervën në kushte sigurie të certifikuara, që përfshijnë:
a) ambiente të përshtatshme magazinimi, me kontroll të aksesit fizik;
b) sisteme të sigurisë elektronike dhe të monitorimit 24/7;
c) kushte teknike, që sigurojnë mirëmbajtjen e pajisjeve dhe armëve në gjendje funksionale;
ç) respektimin e standardeve të sigurisë në punë dhe të mbrojtjes së mjedisit.
2. Subjekti i licencuar është i detyruar të kryejë mirëmbajtje periodike të pajisjeve të mbajtura rezervë dhe mban dokumentacionin përkatës për çdo veprim të kryer.
Neni 7
Përdorimi i rezervës
1. Sasia dhe tipologjia e rezervës aktivizohet me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe me urdhër të ministrit të Mbrojtjes:
a) në rastin e shpalljes së gjendjes së luftës;
b) në kushtet e një rreziku të afërt dhe konkret të një agresioni ushtarak ndaj Republikës së Shqipërisë, përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi;
c) në kushtet e një rreziku të afërt dhe konkret të një agresioni ushtarak ndaj aleatëve strategjikë të Republikës së Shqipërisë, përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
2. Njoftimi për aktivizimin e rezervës i përcillet menjëherë subjektit të licencuar nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, por jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga marrja e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes.
3. Në momentin e aktivizimit së rezervës, subjekti i licencuar i jep përparësi krijimit dhe vënies në dispozicion të saj, në një kohë sa më të shkurtër, pavarësisht detyrimeve ndaj të tretëve.
4. Sasia e papërdorur e rezervës së aktivizuar, me përfundimin e gjendjes që e ka krijuar, lirohet nga detyrimi për të qenë në dispozicion të Forcave të Armatosura dhe përdoret lirisht nga subjekti i licencuar.
KREU III
RAPORTIMI DHE VERIFIKIMI
Neni 8
Raportimi dhe verifikimi
1. Me aktivizimin e rezervës, subjekti i licencuar njofton menjëherë Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes për gatishmërinë e saj.
2. Subjekti i licencuar raporton menjëherë dhe jo më vonë se 3 (tri) ditë pune nga momenti i konstatimit çdo ngjarje të jashtëzakonshme, që ndikon në gjendjen, sigurinë ose disponueshmërinë e rezervës, përfshirë rastet e humbjes.
3. Në rast ngjarjesh të jashtëzakonshme, subjekti i licencuar informon Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes për gjendjen, disponueshmërinë dhe çdo problematikë të konstatuar lidhur me rezervën e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike.
4. Pas aktivizimit të rezervës, Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes ushtron verifikime për gjendjen, sigurinë e saj.
5. Subjekti i licencuar lejon kryerjen e verifikimit dhe vë në dispozicion çdo informacion të kërkuar nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes.
KREU IV
DETYRIMET SHTESË DHE SANKSIONET
Neni 9
Detyrimet shtesë të subjektit të licencuar
Subjektit të licencuar i ndalohet transferimi, tjetërsimi apo përdorimi për qëllime të tjera të sasisë së armatimeve dhe pajisjeve teknologjike të mbajtura si rezervë për sigurimin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Neni 10
Sanksionet
Për mospërmbushje të detyrimeve të parashikuara në kreun II, të këtij vendimi, për subjektin e licencuar aplikohet masa e revokimit të licencës, sipas shkronjës “e”, të pikës 5, nenit 13, të ligjit nr.87/2025, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
Neni 11
Dispozita të fundit
1. Ngarkohet Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes për monitorimin, mbikëqyrjen, kontrollin dhe inspektimin e zbatimit të këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 12
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y EM I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË POGRADEC TË PASURIVE 9/1+1-4 DHE 9/1+1-5, ZONA KADASTRALE 8581,ME VENDNDODHJE NË NJËSINË ADMINISTRATIVE POGRADEC, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1240, DATË 10.9.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË POGRADEC, TË QARKUT TË KORÇËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Pogradec të pasurive 9/1+1-4 dhe 9/1+1-5, zona kadastrale 8581, me vendndodhje në njësinë administrative Pogradec, sipas formularit gjithsej 1 (një) fletë dhe planimetrive, gjithsej, 2 (dy) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërese të tij, me qëllim për t’u përdorur në fushën e strehimit social.
2. Pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës së inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.1240, datë 10.9.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Pogradec, të Qarkut të Korçës”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Pogradec i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurive të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Bashkia Pogradec dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V EN D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË ARSIMIT, PËR UNIVERSITETIN E MJEKËSISË, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Arsimit, për Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, për ushtrimin e aktivitetit, sipas fushës së saj të përgjegjësisë shtetërore.
Lista përbëhet gjithsej nga 8 (tetë) fletë formulari, 8 (tetë) planrilevime, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e përdorimit të pronave, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, dhe t’i tjetërsojnë ato.
3. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.457, DATË 30.7.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E FJALORIT TË PËRBASHKËT TË PROKURIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 20, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 33, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.457, datë 30.7.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e fjalorit të përbashkët të prokurimit”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1, togfjalëshi “… sipas shtojcave 1, 2 dhe 3 …,” zëvendësohet me “… sipas shtojcave 1, 1/1, 1/2, 1/3, 1/4, 2 dhe 3, …”.
2. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Fjalori i përbashkët i prokurimit zbatohet edhe për dhënien e kontratave të koncesioneve/partneriteteve publike private.”.
3. Në shtojcën 1 “Fjalori i përbashkët i prokurimit”, “Lista e kodeve CPV” bëhen këto shtesa:
a) Përpara togfjalëshit “Shpjegime dhe përshkrime” shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“CPV-ja përbëhet nga një fjalor kryesor dhe një fjalor plotësues.”.
b) Pas paragrafit të tretë shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Fjalori plotësues mund të përdoret për të zgjeruar përshkrimin e objektit të një kontrate. Artikujt përbëhen nga një kod alfanumerik me një formulim përkatës që lejon shtimin e detajeve të mëtejshme në lidhje me natyrën ose destinacionin specifik të mallrave që do të blihen.
Kodi alfanumerik përbëhet nga:
⦁ shkronja e parë që identifikon ndarjet;
⦁ shkronja e dytë që identifikon grupet;
⦁ tre shifra që identifikojnë nënndarjet.
Shifra e fundit shërben për të verifikuar shifrat e mëparshme.”.
4. Pas shtojcës 1 shtohen shtojca 1/1 “Fjalori plotësues”, shtojca 1/2 “Tabela krahasuese midis CPV kodeve dhe klasifikimit të përkohshëm qendror të produkteve (CPC PROV)”, shtojca 1/3 “Tabela krahasuese midis CPV kodeve dhe kodeve të klasifikimit të përgjithshëm industrial të aktiviteteve ekonomike (Nace Rev.1) dhe shtojca 1/4 “Tabela krahasuese midis CPV kodeve dhe nomenklaturës së kombinuar (CN)”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
II. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen autoritetet dhe entet kontraktore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi, e cila hyn në fuqi pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Kamzë-Vorë, Tiranë Rurale 1, Durrës-Kavajë-Krujë, Elbasan, Fier, Lezhë, Tiranë Rurale 2, Vlorë, Shkodër, Pogradec, Sarandë, Zonat e Stimuluara, Gjirokastër, Kukës, Lushnjë dhe Tiranë Jug.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 870 762 086,47 (tetëqind e shtatëdhjetë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e tetëdhjetë e gjashtë presje dyzet e shtatë) lekë, për sipërfaqen 85 140,35 (tetëdhjetë e pesë mijë e njëqind e dyzet presje tridhjetë e pesë) m², sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht: nr.1, nr.2, nr.10, nr.11, nr.22, nr.23, nr.24, nr.27, nr.30, nr.33 nr.36, nr.39, nr.42, nr.44, nr.45, nr.89, nr.95, nr.111, nr.117, nr.118, nr.121, nr.124, nr.126, nr.134, nr.139, nr.140, nr.142, nr.156, nr.157, nr.161, nr.171, nr.173, nr.193, nr.200, nr.201, nr.221, nr.223, nr.228, nr.230, nr.244, nr.246, nr.250, nr.251, nr.252, nr.253, nr.254, nr.260, nr.261, nr.262, nr.263, nr.264, nr.266, nr.267, nr.268, nr.269, nr.270, nr.271, nr.272, nr.273, nr.275, nr.276, nr.277, nr.278, nr.279, nr.280, nr.281, nr.287, nr.295, nr.296, nr.297, nr.298, nr.299, nr.302, nr.303, nr.304, nr.311, nr.334, nr.335, nr.347, nr.359, nr.364, nr.370, nr.376, nr.384, nr.385, nr.398, nr.399, nr.406, nr.407, nr.409 nr.410, nr.411, nr.420, nr.421 dhe nr.422, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikave 3 dhe 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
4. Të ardhurat që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.
5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Kamzë-Vorë, Tiranë Rurale 1, Durrës-Kavajë-Krujë, Elbasan, Fier, Lezhë, Tiranë Rurale 2, Vlorë, Shkodër, Pogradec, Sarandë, Zonat e Stimuluara, Gjirokastër, Kukës, Lushnjë dhe Tiranë Jug të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
Edi Rama
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.61/2012, “PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë””, të ndryshuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU