Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 shtator 2025
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Shtator 2025:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË DEKLARATËS PËR MIRATIMIN E SHTOJCËS SË MARRËVESHJES SHUMËPALËSHE TË AUTORITETIT KOMPETENT PËR SHKËMBIMIN AUTOMATIK TË INFORMACIONIT TË LLOGARISË FINANCIARE, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.178, DATË 9.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të deklaratës për miratimin e shtojcës së marrëveshjes shumëpalëshe të autoritetit kompetent për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarisë financiare, miratuar me vendimin nr.178, datë 9.3.2016, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AGJENCISË SHTETËRORE PËR SHPRONËSIMIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të kreut III, të vendimit nr.395, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Kastriot Gurra, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, lirohet nga kjo detyrë.
Z. Ermal Shena emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SHTESË TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), “BE PËR UJIN – KOMPONENTI 3”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes shtesë të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), “BE për ujin – Komponenti 3”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PROJEKTIN “EU4SCHOOLS”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.635, DATË 29.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për projektin “EU4SCHOOLS”, miratuar me vendimin nr.635, datë 29.7.2020, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PROJEKTIN “EU4SCHOOLS”, FAZA E DYTË, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.548, DATË 27.7.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për projektin “EU4SCHOOLS”, faza e dytë, miratuar me vendimin nr.548, datë 27.7.2022, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES KUADËR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E MBROJTJES E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE QEVERISË SË SHTETIT TË IZRAELIT, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E MBROJTJES E SHTETIT TË IZRAELIT, NË LIDHJE ME KAPACITETET MBROJTËSE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit, përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes e Shtetit të Izraelit, në lidhje me kapacitetet mbrojtëse, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “PËRMIRËSIMI I PRAKTIKAVE TË KONTABILITETIT DHE RAPORTIMIT TË SEKTORIT PUBLIK NË SHQIPËRI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e letërmarrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Përmirësimi i praktikave të kontabilitetit dhe raportimit të sektorit publik në Shqipëri”, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRЁVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDЁRMJET REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN SHTESË PËR PROJEKTIN E ZHVILLIMIT TË INTEGRUAR URBAN DHE TURIZMIT, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.70/2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin shtesë për projektin e zhvillimit të integruar urban dhe turizmit, ratifikuar me ligjin nr.70/2022, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.15, DATË 9.1.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2025”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 53 të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.15, datë 9.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2025”, shtojca nr.2 zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër e titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.413, DATË 23.7.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË SHKODËR TË PRONËS, ME EMËRTIMIN “GODINA TATIM TAKSA SHKODËR”, ME NUMËR RENDOR 861, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.421, DATË 2.6.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE (TË PJESSHME) TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË SHKODËR, TË QARKUT TË SHKODRËS”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 12, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 4, e vendimit nr.413, datë 23.7.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për transferimin në pronësi të Bashkisë Shkodër të pronës, me emërtimin “Godina Tatim Taksa Shkodër”, me numër rendor 861, dhe për një shtesë në vendimin nr.421, datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare (të pjesshme) të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Shkodër, të Qarkut të Shkodrës”, të ndryshuar”, shfuqizohet.
Ngarkohen Bashkia Shkodër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.466, DATË 30.7.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË SË ZHVILLIMIT TË BIZNESIT DHE INVESTIMEVE, 2021– 2027, DHE TË PLANIT TË SAJ TË VEPRIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2021-2027, bashkëlidhur vendimit nr.466, datë 30.7.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve, 2021-2027, dhe të planit të saj të zhvillimit”, bëhen këto ndryshime:
Kudo në përmbajtjen e Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2021-2027, emërtimet “Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE)” dhe “Ministria e Financave dhe Ekonomisë” zëvendësohen me fjalët “… ministria përgjegjëse për ekonominë …”.
Në tabelën 11 “Masat në fushën e ndërhyrjes “Tërheqja e investimeve dhe ndërkombëtarizimi”, veprimi prioritar “Programi i zhvillimit të ofruesve” zëvendësohet me veprimin prioritar “Vlerësimi i modelit të diplomacisë ekonomike”, sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Në tabelën 12 “Masat në fushën e ndërhyrjes “Zhvillimi i NVM-ve, sipërmarrja dhe inovacioni”” bëhen këto ndryshime:
a) Veprimi prioritar “Skema për mbështetjen e sipërmarrjes me bazë konkurrencën” zëvendësohet me veprimin prioritar “Lidhja mes NMVM-ve dhe startup-eve”, sipas aneksit nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Veprimi prioritar “Fuqizimi i ekosistemit të startup-eve” zëvendësohet me veprimin prioritar “Akses në programet e Bashkimit Evropian në fushën e biznesit”, sipas aneksit nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Në tabelën 13 “Masat në fushën e ndërhyrjes “Zhvillimi i kapitalit njerëzor”, veprimi prioritar “Program për zhvillimin e forcës së punës për dhe me NVM-të dhe investitorët” zëvendësohet me veprimin “Sensibilizimi dhe përfshirja e bizneseve në reformat e sistemit të VET-ësë”, sipas aneksit nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Aneksi 1 “Formati i planit të veprimit i përmbledhur” zëvendësohet me aneksin nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE TË PRONËS, ME EMËRTIMIN “SPITALI I LUSHNJËS”, DHE PËR DISA SHTESA E NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.717, DATË 1.12.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të pronës, me emërtimin “Spitali i Lushnjës”, sipas formularit, 2 (dy) fletë, dhe planrilevimit, 3 (tre) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të pronave, që i bashkëlidhet vendimit nr.717, datë 1.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, të ndryshuar.
Paragrafi i dytë, i pikës 1, të vendimit nr.717, datë 1.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Lista përbëhet, gjithsej, nga 39 (tridhjetë e nëntë) fletë formulari, 26 (njëzet e gjashtë) planrilevime, 4 (katër) planimetri dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.”.
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I QENDRËS KINOSTUDIO”, BASHKIA TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i Qendrës Kinostudio”, Bashkia Tiranë.
Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë”, “apartament” dhe “njësi”, me një vlerë të përgjithshme prej 135 729 849 (njëqind e tridhjetë e pesë milionë e shtatëqind e njëzet e nëntë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë) lekësh.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 135 729 849 (njëqind e tridhjetë e pesë milionë e shtatëqind e njëzet e nëntë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë) lekësh përballohet nga Bashkia Tiranë.
Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Tiranë.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim, për çdo pasuri, objekt shpronësimi, që miratohet me anë të këtij vendimi, do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar për secilin pronar, i konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi.
Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri dhe Drejtoria Vendore Tiranë Jug, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri e Drejtoria Vendore Tiranë Jug, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.549, DATË 4.9.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E MJETEVE AJRORE PA PILOT NË ADMINISTRIM TË FORCAVE TË ARMATOSURA NË MBËSHTETJE TË INSTITUCIONEVE SHTETËRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.7978, datë 26.7.1995, “Për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.549, datë 4.9.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot në administrim të Forcave të Armatosura në mbështetje të institucioneve shtetërore”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Në kreun I, pas fjalës “… shtetërore …” shtohen fjalët “… ose subjekte tregtare me kapital shtetëror …”.
Në pikën 1, të kreut II, pas fjalëve “… një apo më shumë institucione …” shtohen “… ose subjekte tregtare me kapital shtetëror …”.
Në kreun III bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pikën 1 bëhen këto shtesa:
Pas shkronjës “ë” shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) ministria përgjegjëse për financat dhe institucionet në varësi;”.
Pas shkronjës “f” shtohet shkronja “g”, me këtë përmbajtje:
“g) ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionet në varësi;”.
b) Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Subjektet tregtare me kapital shtetëror, në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në legjislacionin e tyre të posaçëm, kërkojnë dhe marrin shërbimin e mjeteve ajrore pa pilot të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Marrja e këtij shërbimi ofrohet kundrejt tarifës, e cila përcaktohet me urdhër të përbashkët të ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Financave.”.
c) Në pikën 9, fjalët “Institucionet shtetërore, të përcaktuara në pikën 1…” zëvendësohen me “Subjektet e përcaktuara në pikat 1 dhe 1/1 …”.
ç) Në pikën 10, fjalët “… institucioneve shtetërore, të përcaktuara në pikën 1 …” zëvendësohen me “… subjekteve të përcaktuara në pikat 1 dhe 1/1 …”.
d) Në pikën 12, fjalët“… institucioneve të përcaktuara në pikën 1 …” zëvendësohen me “… subjekteve të përcaktuara në pikat 1 dhe 1/1 …”.
Në kreun IV bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 1 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
Në pjesën hyrëse, fjalët “… institucioneve shtetërore sipas pikës 1 …” zëvendësohen me “… subjekteve sipas pikave 1 dhe 1/1 …”.
Pas shkronjës “l” shtohen shkronjat “ll” dhe “m”, me këtë përmbajtje:
“ll) mbikëqyrjen, monitorimin dhe kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe të prodhimit të nënprodukteve, produkteve të saj për qëllime mjekësore e industriale, sipas legjislacionit në fuqi.
m) mbikëqyrjen dhe monitorimin e transportit e të lëvizjes së mallrave që ndjekin një regjim të caktuar doganor.” .
b) Në pikën 3, fjalët “… institucionet e përcaktuara në pikën 1 …” zëvendësohen me “… subjektet e përcaktuara në pikat 1 dhe 1/1 …”.
Në kreun V bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pikën 1, fjalët “Institucionet shtetërore të …” zëvendësohen me “Subjektet e …”.
b) Në pikën 5, fjalët “Institucionet shtetërore …” zëvendësohen me “Subjektet e përcaktuara në kreun III …”.
Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe institucionet shtetërore të përmendura në kreun III për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA SHKODËR, TË PRONËS, ME NUMËR RENDOR 429, ME EMËRTIMIN “ISH-REPARTI USHTARAK”, ME VENDNDODHJE NË BËRDICË, SHKODËR, PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.421, DATË 2.6.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE (TË PJESSHME) TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË SHKODËR, TË QARKUT TË SHKODRËS”, TË NDRYSHUAR, SI DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Transferimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Shkodër, të pronës, me numër rendor 429, me emërtimin “Ish-reparti ushtarak”, me vendndodhje në Bërdicë, Shkodër, sipas formularit dhe planit të rilevimit që i bashkëlidhen këtij vendimi, për t’u përdorur për ushtrimin e funksioneve në fushën e bujqësisë, ushqimit dhe zhvillimit ekonomik.
Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.421, datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare (të pjesshme) të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Shkodër, të Qarkut të Shkodrës”, të ndryshuar.
Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, hiqet prona, me numër rendor 429, me emërtimin “Ish-reparti ushtarak”, me vendndodhje në Bërdicë, Shkodër.
Bashkisë Shkodër i ndalohet heqja ose prishja e objekteve fortifikuese të pronës, pa miratimin e ministrit të Mbrojtjes.
Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Bashkia Shkodër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA