Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Tetor 2022:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E AMENDIMIT TË KONTRATËS SË MIRATUAR ME VENDIMIN NR.350, DATË 12.6.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ME NDARJE PRODHIMI PËR KËRKIMIN, ZHVILLIMIN DHE PRODHIMIN E HIDROKARBUREVE NË TOKË, NË SHQIPËRI, BLLOKU 4, NDËRMJET MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA KOMBËTARE E BURIMEVE NATYRORE (AKBN), DHE SHELL ALBANIA BLOCK 4 B.V.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 13, të ligjit nr.7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e amendimit të kontratës së miratuar me vendimin nr.350, datë 12.6.2018, të Këshillit të Ministrave, me ndarje prodhimi për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në tokë, në Shqipëri, blloku 4, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, përfaqësuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) dhe Shell Albania Block 4 B.V., sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË DOKUMENTIT NDRYSHUES NR.2 TË KONTRATËS FINANCIARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, PËR BYPASS-IN E VLORËS, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.109/2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të dokumentit ndryshues nr.2 të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për bypass-in e Vlorës, ratifikuar me ligjin nr.109/2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.605, DATË 14.9.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR INDEKSIMIN E PENSIONEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paragrafi parë, i pikës 11, të vendimit nr.605, datë 14.9.2022, të Këshillit të Minstrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përllogariten në shumën 2 060 000 000 (dy miliardë e gjashtëdhjetë milionë) lekë dhe përballohen nga fondi i kontingjencës për paketën e rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës, miratuar në buxhetin e vitit 2022, të cilat ndahen: …”.
2. Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.879, DATË 12.8.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E LICENCËS PËR HAPJEN E INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT PARAUNIVERSITAR, GJIMNAZI “LINZ”, NË QYTETIN E TIRANËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në titull dhe në pikën 1, të vendimit nr.879, datë 12.8.2009, të Këshillit të Ministrave, emërtimi “Linz” zëvendësohet me “The independent”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Durrës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë dhe institucioni arsimor privat parauniversitar, gjimnazi “The independent” për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.171, DATË 27.3.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 64, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, që i bashkëlidhet vendimit nr.171, datë 27.3.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Në pikën 2, të nenit 4, fjalët “… sipas raportit 80%/20% … ” zëvendësohen me “… sipas raportit 70%/30% …”.
2. Në nenin 7 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pikën 2, fjalët “… për sa është e mundur… ” hiqen;
b) Në shkronjën “dh”, të pikës 5, fjalia e tretë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Në rast mungese të shërbimit me vrojtues plazhi, inspektorati përgjegjës për turizmin merr masa administrative në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin dhe parashikimet e kësaj rregulloreje.”.
3. Në nenin 14 bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Në pikën 1, pas fjalëve “… për vitin 2022 …” shtohen “… dhe për sezonin turistik 2023-2024 …”;
b) Në pikën 13, pas fjalëve “… merr masat administrative…” shtohen “… në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin …”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I SEGMENTIT RRUGOR “SHKODËR (MBIKALIMI I TRENIT) – MES””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i segmentit rrugor “Shkodër (Mbikalimi i trenit) – Mes””.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 2 500 418 (dy milionë e pesëqind mijë e katërqind e tetëmbëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit është 2 500 418 (dy milionë e pesëqind mijë e katërqind e tetëmbëdhjetë) lekë dhe përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletore zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.149, DATË 20.3.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, KARAKTERISTIKAT E PËRDORIMIT E TË AKSESIMIT, TË DHËNAT PARËSORE E DYTËSORE DHE DHËNËSIN E INFORMACIONIT TË SISTEMIT TË INTEGRUAR TË TË DHËNAVE TË DREJTËSISË PENALE PËR TË MITUR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 137, të ligjit nr.37/2017, “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.149, datë 20.3.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa:
1. Pas nënndarjes “vi”, të shkronjës “b”, të pikës 11, shtohet nënndarja “vii”, me këtë përmbajtje:
“vii. Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve.”.
2. Pas shkronjës “e”, të pikës 12, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve”.
3. Pas shkronjës “ç”, të pikës 16, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) Përveç të drejtave të parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike, Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve ka të drejtë përdorimi, leximi, shkrimi dhe gjenerimi të të dhënave të hedhura nga përdoruesit e tjerë në sistem me qëllim grumbullimin e të dhënave, përpunimin e tyre statistikor, analizimin dhe përgatitjen e raporteve në kuadër të parandalimit e kriminalitetit dhe recidivizmit për të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin. Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve realizon raporte periodike për Ministrinë e Drejtësisë për funksionimin dhe mbarëvajtjen e sistemit.”.
II. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, si dhe Agjencia e Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.314, DATË 15.5.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, SI DHE PËRCAKTIMIN E RREGULLIMEVE SPECIFIKE LIDHUR ME STRUKTURËN DHE ORGANIKËN E QENDRËS SË PARANDALIMIT TË KRIMEVE TË TË MITURVE DHE TË RINJVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 133, të ligjit nr.37/2017, “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.314, datë 15.5.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në kreun I bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Në pikën 2, pas fjalëve “… kryerjes së dënimit …” shtohen “… ose pas lirimit me kusht …”.
b) Në pikën 4, pas fjalisë së parë shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Qendra ushtron veprimtarinë parandaluese edhe nëpërmjet aktiviteteve dhe fushatave sensibilizuese në kuadër të rritjes së ndërgjegjësimit të komunitetit që do të mirëpresë të miturit pas përfundimit të periudhës së dënimit apo lirimit me kusht.”.
2. Në pikën 5, të kreut II, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në shkronjën “a”, nënndarja “vii” shfuqizohet.
b) Në shkronjën “c”, fjalët “Bashkëpunon me organet e vetëqeverisjes vendore për: …” zëvendësohen me “Bashkëpunon dhe koordinon me institucione të tjera përgjegjëse për: …”.
c) Pas shkronjës “ç” shtohen shkronjat “d” dhe “dh”, me këtë përmbajtje:
“d) Grumbullon të dhëna dhe përpunon statistika të gjeneruara nga Sistemi i Integruar i të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur, si dhe përgatit raporte e analiza për përmirësimin e gjendjes dhe parandalimin e kriminalitetit për të miturit apo të rinjtë në konflikt më ligjin.
dh) Bashkëpunon me institucione të tjera vendase apo të huaja për të zhvilluar aktivitetin e saj.”.
II. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.502, DATË 24.6.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE “REGJISTRI ELEKTRONIK I EKSPERTËVE””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.82/2021, “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.502, datë 24.6.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Në fund të titullit të vendimit, shtohen fjalët “… , i përkthyesve zyrtarë dhe interpretëve të gjuhëve të shenjave”.
2. Baza ligjore ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, të neneve 224/a, paragrafi i dytë, e 224/d, pika 1, të ligjit nr.8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të nenit 10, pika 3, të ligjit nr.82/2021, “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave”.
3. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri elektronik i ekspertëve, i përkthyesve zyrtarë dhe interpretëve të gjuhëve të shenjave”. Regjistri elektronik i ekspertëve, i përkthyesve zyrtarë dhe interpretëve të gjuhëve të shenjave përbëhet nga regjistri elektronik i ekspertëve (në vijim, “REE”) dhe nga seksioni i veçantë, regjistri elektronik i përkthyesve zyrtarë dhe interpretëve të gjuhës së shenjave (në vijim, “regjistri elektronik i përkthyesve”).”.
4. Pas pikës 13 shtohen nënpikat 13.1, 13.2, 13.3, 13.4, 13.5, 13.6, 13.7, 13.8, 13.9. 13.10, 13.11, 13.12, 13.13, 13.14, 13.15, 13.16, 13.17, 13.18, 13.19, 13.20, me këtë përmbajtje:
“13/1. Në REE ngrihet si seksion i veçantë regjistri elektronik i përkthyesve, ku grumbullohet dhe administrohet informacioni për përkthyesit dhe interpretët e gjuhës së shenjave, sipas parashikimeve të ligjit nr.82/2021, “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar” (në vijim, “ligji për përkthimin zyrtar”).
13/2. Regjistri elektronik i përkthyesve mbahet vetëm në format elektronik dhe ndahet në nënseksione, sipas kategorisë së informacionit që përmban. Përpunimi dhe përditësimi i informacionit në regjistrin elektronik të përkthyesve kryhen nëpërmjet një sistemi kompjuterik.
13/3. Në regjistrin elektronik të përkthyesve regjistrohen të gjithë përkthyesit zyrtarë dhe interpretët e gjuhës së shenjave, që janë certifikuar për kryerjen e veprimtarisë, në përputhje me kushtet dhe procedurat e parashikuara në ligjin për përkthimin zyrtar.
13/4. Të gjitha të dhënat, kërkesat për regjistrim dhe dokumentet shoqëruese, që duhet të jenë pjesë e regjistrit elektronik të përkthyesve, pavarësisht, nëse janë paraqitur në formë shkresore apo elektronike, regjistrohen dhe ruhen në regjistrin elektronik të përkthyesve.
13/5. Regjistri elektronik i përkthyesve plotësohet dhe përditësohet me të dhëna, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Në rast se plotësimi apo përditësimi i të dhënave në këtë regjistër ka të bëjë me informacion të klasifikuar, trajtimi dhe përpunimi i tyre bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar.
13/6. Në regjistrin elektronik të përkthyesve reflektohen si të dhëna parësore, të dhënat për:
a) numrin rendor;
b) numrin e protokollit dhe datën e regjistrimit të përkthyesit ose të interpretit në regjistrin elektronik të përkthyesve;
c) numrin/at e kontaktit;
ç) adresën zyrtare elektronike;
d) llojin e gjuhës ose gjuhëve të huaja, për të cilat është certifikuar përkthyesi;
dh) numrin e certifikatës të përkthyesit ose të interpretit;
e) datën e lëshimit të certifikatës;
ë) autoritetin lëshues të certifikatës;
f) vitet e përvojës profesionale, si dhe të dhëna për eksperiencat profesionale në fushën e përkthimit zyrtar ose interpretimit;
g) të dhënat për formën e organizimit të përkthyesit;
gj) çdo ndryshim, që lidhet me të dhënat e përkthyesit ose të interpretit dhe organizimin e përkthyesit;
h) të dhëna për procedimet disiplinore, vendimet e komisioneve disiplinore përkatëse, masat disiplinore;
i) të dhëna për përkthyesit dhe interpretët e çregjistruar nga regjistri elektronik i përkthyesve;
j) të dhëna për kontraktimet dhe shërbimet e ofruara;
k) të dhëna për dokumentet shoqëruese dhe informacione që regjistrohen, njoftohen apo depozitohen në regjistrin elektronik të përkthyesve;
l) të dhëna për sistemin e pikëzimit të përkthyesit zyrtar;
ll) të dhëna për trajnimet dhe kualifikimet kombëtare e ndërkombëtare në fushën e përkthimit zyrtar ose të interpretimit;
m) çdo të dhënë tjetër, që i shërben ushtrimit të veprimtarisë të përkthimit zyrtar ose interpretit të gjuhës së shenjave, në përputhje me ligjin për përkthimin zyrtar dhe kontrollit të zbatimit të këtij ligji nga Ministria e Drejtësisë.
13/7. Të dhënat e regjistrit elektronik të përkthyesve që parashikohen në pikën 13/6, të këtij vendimi, shkronja “a” deri në shkronjën “gj”, të këtij vendimi, publikohen elektronikisht në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.
13/8. Çdo përkthyes ose interpret i gjuhës së shenjave është i detyruar t’i përgjigjet menjëherë kërkesave të Ministrisë së Drejtësisë për të gjitha të dhënat e përcaktuara në pikën 13/6, të këtij vendimi, si dhe të deklarojë jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë, çdo ndryshim të të dhënave që përmban regjistri elektronik i përkthyesve, sipas parashikimeve të ligjit për përkthimin zyrtar, duke paraqitur edhe dokumentin përkatës që vërteton këto ndryshime sipas rastit. Përkthyesit dhe interpretët mbajnë përgjegjësi ligjore individuale për vërtetësinë e të dhënave, që paraqesin për plotësimin apo ndryshimin e të dhënave që përmban regjistri elektronik i përkthyesve me qëllim përditësimin e tyre.
13/9. Në rast se në regjistrin elektronik të përkthyesve konstatohen pasaktësi, gabime teknike apo gabime të tjera gjatë apo pas regjistrimit të përkthyesit ose të interpretit, me kërkesë të subjektit të interesuar apo kryesisht, korrigjohen nga Ministria e Drejtësisë. Realizimi i korrigjimit dhe të dhënat e korrigjuara publikohen në regjistrin elektronik të përkthyesve, si dhe i njoftohen përkthyesit ose interpretit.
13/10. Regjistri elektronik i përkthyesve parashikon sistemin e pikëzimit, ku palët kontraktuese mund të kryejnë vlerësimin e shërbimit të dhënë nga përkthyesi zyrtar. Ky sistem përfshin, të paktën, të dhënat e mëposhtme:
a) Organin apo subjektin pranë të cilit përkthyesi zyrtar ka dhënë shërbimin për të cilin është kontraktuar;
b) Të dhënat e shërbimit të ofruar;
c) Vlerësimin e respektimit të afateve për plotësimin e detyrave;
ç) Vlerësimin e disponueshmërisë së përkthyesit zyrtar;
d) Vlerësimin e paanshmërisë së përkthyesit zyrtar;
dh) Vlerësimin e komunikimit dhe etikës së përkthyesit zyrtar;
e) Totalin e vlerësimit.
13/11. Subjektet e interesuara plotësojnë dhe dërgojnë formularin e vlerësimit me të dhënat e mësipërme, sipas modelit të aksesueshëm në regjistrin elektronik të përkthyesve dhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, nëpërmjet shërbimit postar apo në rrugë elektronike pranë Ministrisë së Drejtësisë.
13/12. Mbi bazën e të dhënave që rezultojnë nga sistemi i pikëzimit të përkthyesve zyrtarë, Ministria e Drejtësisë harton të paktën një herë në vit raportin e analizës, duke evidentuar gjetjet dhe problematikat ndaj përkthyesve në ofrimin e shërbimit të përkthimit zyrtar sipas ligjit, me qëllim marrjen e masave për adresimin efektiv të tyre.
13/13. Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat e mëposhtme:
a) Të dhëna referenciare të gjendjes civile, si numri personal i identifikimit, emri, mbiemri, atësia, vendlindja, datëlindja, gjinia, bashkia, adresa;
b) Të dhëna referenciare si emri i subjektit, tipi i subjektit, forma ligjore, NUIS, bashkia, adresa, shteti.
13/14. Regjistri elektronik i përkthyesve ndërvepron me bazat e të dhënave, si më poshtë vijon:
a) Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, administruar nga institucioni përgjegjës, i përcaktuar sipas parashikimeve të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për Gjendjen civile”, të ndryshuar, për të dhënat që lidhen me përbërësit e gjendjes civile të përkthyesve dhe interpretëve;
b) Regjistrin Tregtar, administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit, për të dhënat që lidhen me statusin dhe formën e organizimit të përkthyesve dhe interpretëve si subjekte tregtare.
13/15. Dhënës të informacionit në regjistrin elektronik të përkthyesve janë:
a) Ministria e Drejtësisë;
b) Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
c) Qendra Kombëtare e Biznesit.
13/16. Subjekte të interesuara në regjistrin elektronik të përkthyesve janë:
a) përkthyesit zyrtarë dhe interpretët e gjuhës së shenjave, të certifikuar sipas ligjit për përkthimin zyrtar;
b) gjykata;
c) prokuroria;
ç) oficeri i policisë gjyqësore;
d) Gjykata Kushtetuese;
dh) çdo autoritet publik, të cilit ligji u ka njohur të drejtën për përkthimin zyrtar, sipas ligjit për përkthimin zyrtar.
13/17. Niveli i aksesimit në regjistrin elektronik të përkthyesve paraqitet, si më poshtë vijon:
a) Ministria e Drejtësisë ka akses të plotë dhe të pakufizuar në informacionin që prodhohet, regjistrohet dhe administrohet në regjistrin elektronik të përkthyesve, në rolet:
i) lexues;
ii) auditues;
iii) monitorues;
iv) aprovues;
v) prodhues i statistikave përkatëse.
b) Subjektet e interesuara, të përcaktuara në pikën 13/16, të këtij vendimi, kanë të drejtë të kenë akses të drejtpërdrejtë në leximin dhe printimin e të dhënave, që pasqyrohen në regjistrin elektronik të përkthyesve për përkthyesit dhe interpretët.
13/18. Ministria e Drejtësisë përfaqëson autoritetin e vetëm, i cili përcakton të drejtat dhe kufizimet e operimet në regjistrin elektronik të përkthyesve për të gjitha subjektet, që u jepet e drejta e aksesit në regjistrin elektronik të përkthyesve, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
13/19. Veprimet në regjistrin elektronik të përkthyesve kryhen nga nëpunësit e Ministrisë së Drejtësisë, të autorizuar për këtë qëllim nga ministri i Drejtësisë. Këta nëpunës kanë të drejtë të kenë akses të drejtpërdrejtë në leximin, printimin, shkrimin dhe modifikimin e të dhënave të regjistruara në regjistrin elektronik të përkthyesve.
13/20. Aksesi në regjistrin elektronik të përkthyesve i nënshtrohet rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale, sipas legjislacionit në fuqi.”.
5. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.584, DATË 8.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, shkronja “ç”, e 5, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin të Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.584, datë 8.10.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1.Vendosjen e detyrimit të shërbimit publik ndaj prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike, që kanë kontratë me shoqërinë “Furnizuesi i tregut të lirë”, sh.a. Këtyre prodhuesve me përparësi i vendoset detyrimi i shërbimit publik për shitjen e energjisë elektrike te shoqëria “Furnizuesi i tregut të lirë”, në përputhje me çmimin e përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë, në bazë të metodologjisë së miratuar me vendimin nr.687, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi”, i ndryshuar, gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.”.
2. Në pikën 5, fjalët “… 31 dhjetor 2022.” zëvendësohen me “… 30 qershor 2023.”.
3. Në pikën 6, pas fjalëve “… “OSHEE Group”, sh.a., …” shtohen “… FTL, sh.a., dhe ERE …”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU