Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Janar 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Janar 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Janar 2023:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE NR.1090, NJËSIA ADMINISTRATIVE BALLSH, BASHKIA MALLAKASTËR, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale nr.1090, njësia administrative Ballsh, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, nga shoqëria “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: shoqëria “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: M27511801Q;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 100 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të parkut fotovoltaik do të jetë brenda 60 (gjashtëdhjetë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën kadastrale nr.1090, njësia administrative Ballsh, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vite nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ose institucione të tjera të autorizuara kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqërisë “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”, sh.p.k., i lind e drejta të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit fotovoltaik;
gj) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, me kapacitet të instaluar 100 MW, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale nr.1090, njësia administrative Ballsh, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, e dhënë sipas këtyre rregullave, mund të transferohet te një subjekt i tretë, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
h) Shoqëria “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”, sh.p.k., ose shoqëria për qëllime të veçanta ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ose institucioneve të tjera të autorizuara, informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”, sh.p.k., ose shoqërisë për qëllime të veçanta dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Elbasan, Kamzë-Vorë, Tiranë Rurale 1, Tiranë Jug, Tiranë Veri, Shkodër, Vlorë, Durrës, Tiranë Rurale 2, Zonat e Stimuluara, Lezhë, Kavajë dhe Sarandë.

2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 440 125 488,09 (katërqind e dyzet milionë e njëqind njëzet e pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë e tetë presje zero nëntë) lekë, për sipërfaqen 50 927,5 (pesëdhjetë mijë e nëntëqind e njëzet e shtatë presje pesë) m² sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës 14, të shtojcës 1, përkatësisht: nr.18, nr.41, nr.59, nr.78, nr.79, nr.128, nr.131, nr.134, nr.144, nr.150, nr.158, nr.169, nr.171, nr.180, nr.181, nr.188, nr.191, nr.193, nr.205 dhe nr.207, sipas seksionit të veçantë (kolona 19) të shtojcës 1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Elbasan, Kamzë-Vorë, Tiranë Rurale 1, Tiranë Jug, Tiranë Veri, Shkodër, Vlorë, Durrës, Tiranë Rurale 2, Zonat e Stimuluara, Lezhë, Kavajë, dhe Sarandë të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KËSHILLIT DREJTUES TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Znj. Ermira Gjeçi, anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Alban Mësonjësi emërohet anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.146, DATË 10.3.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E MUZEUT TË ARSIMIT KORÇË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 214, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 1, të kreut IV, të vendimit nr.146, datë 10.3.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, data “… 1.1.2023, …” zëvendësohet me “…1.1.2024, …”.

2. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Muzeu i Arsimit Korçë dhe Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***
V E N D I M
PËR

RREGULLAT E HOLLËSISHME, MËNYRAT DHE MJETET TEKNIKO-HARTOGRAFIKE PËR PËRMIRËSIMIN E REGJISTRIT KADASTRAL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 41, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i procedurave dhe rregullave për përmirësimin e pasaktësive në tërësi dhe gabimeve materiale në regjistrin kadastral për zona kadastrale ose blloqe kadastrale.

2. Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:

a) “Mjete tekniko-hartografike”, tërësia e infrastrukturës teknike, që mundëson realizimin e procesit të përmirësimit të regjistrit;
b) “Palë e interesuar”, në zbatim të këtij vendimi, janë njësitë e vetëqeverisjes vendore (bashkitë), personi fizik/individi ose persona juridikë privatë, të përfshirë në procedurën e përmirësimi të regjistrit, për shkak të projekteve publike me rëndësi strategjike;
c) “Bllok kadastral”, nënnjësia e krijimit dhe mbajtjes së të dhënave kadastrale, brenda zonës kadastrale, i përcaktuar nga kufij të qartë fiziko-natyrorë;
ç) “Kontroll”, kontrolli i pasqyrimit të elementeve ligjore dhe
hartografike në produktin e përmirësimit sipas fazave të kontrollit;
d) “Ligjësim”, në përputhje me nenin 32, të ligjit nr.111/2018, “Për
kadastrën”, është procesi administrativ, që kryhet pas përmirësimit të
regjistrit dhe përfshin formalizimin e tërësisë së kartelave dhe hartës
kadastrale për çdo pasuri të zonës/bllokut kadastral, si dhe përfshirjen
e tyre në bazën shtetërore të të dhënave kadastrale. Dokumenti i
ligjësimit është raporti i ligjësimit të produktit;
dh) “Raport i ligjësimit”, raporti i kontrollit të produktit të
përmirësimit të regjistrit, i hartuar pas konsultimit publik të
zonës/bllokut kadastral dhe trajtimit administrativ të ankesave dhe
pretendimeve.

3. Procesi i përmirësimit të regjistrit kadastral konsiston në:

a) saktësimin e kufirit të zonës kadastrale;
b) saktësimin e të dhënave të regjistrimit fillestar në kartelat e pasurive, në përputhje me aktet e fitimit të pronësisë dhe të dokumentacionit që lidhet me to;
c) saktësimin e të dhënave të regjistrimit fillestar, në hartat kadastrale për pozicionimin gjeografik të pasurive, sipas kufijve të përcaktuar në dokumentacionin e pronësisë, si dhe atyre faktikë në terren;
ç) regjistrimin për herë të parë të titujve të pronësisë që janë administruar në ASHK, por nuk janë regjistruar në regjistrat kadastralë.

4. Përmirësimi i regjistrit kadastral kryhet kur:

a) të dhënat e pasurive të pasqyruara gjatë regjistrimit fillestar nuk përputhen me aktet e fitimit të pronësisë dhe dokumentacionin që lidhet me to;
b) pozicioni gjeografik i pasurive, i pasqyruar në hartën kadastrale, nuk përputhet me pozicionin faktik në terren, sipas aktit të fitimit të pronësisë;
c) brenda zonës/bllokut kadastral konstatohen pasuri të cilat nuk janë të pasqyruara në regjistrin kadastral;
ç) gjatë regjistrimit fillestar, rezultojnë të dhëna për pasuri të paluajtshme në regjistra kadastralë, por të papasqyruara në hartë kadastrale ose anasjelltas, pra për pasurinë nuk është krijuar lidhja midis kartelës dhe hartës kadastrale;
d) pozicioni i kufirit të zonës kadastrale, i pasqyruar në hartën kadastrale, nuk përputhet me pozicionin faktik në terren;
dh) konstatohet mospërputhje e pozicionit, konfigurimit dhe sasisë së
sipërfaqes së pasurisë “ndërtesë”, sipas parashikimeve të nenit 39, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. Përmirësimi për rastet kur kemi të bëjmë me sasi të sipërfaqes së ndërtesës së regjistruar, kryhet për jo më shumë se për 10 % të sipërfaqes së ndërtesave, të ndërtuara deri në vitin 1993, me kushtin që në ndërtesë të mos jenë kryer zhvillime ndërtimore pa leje. ASHK-ja në këtë rast nuk plotëson me titull pronësie për këtë sipërfaqe palën e interesuar, por vetëm korrigjon të dhënat e sipërfaqes në regjistrat kadastralë;
e) konstatohet mospërputhje e sipërfaqes, pozicionimit të pasurisë “tokë”, sipas parashikimeve të nenit 38, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

II. PROCEDURAT ADMINISTRATIVE TË PËRMIRËSIMIT TË REGJISTRIT

1. Përmirësimi i të dhënave të regjistrit kadastral kryhet kryesisht nga vetë ASHK-ja (drejtoritë vendore ose drejtoria e përgjithshme) ose mbi bazën e kërkesës së palës së interesuar. Në rastet kur kërkesa për përmirësimin e të dhënave të regjistrit kadastral bëhet nga personi fizik/individi apo personi juridik, ASHK-ja vlerëson nëse ndodhet në kushtet e fillimit apo jo të kësaj procedure.

2. Përmirësimi i të dhënave të pasurive në regjistrin kadastral kryhet në bazë të akteve të fitimit të pronësisë, dokumentacionit hartografik që administrohet për pasuritë, si dhe të dhënave hartografike që mblidhen nga verifikimi faktik në terren.

3. Përmirësimi i të dhënave të regjistrit kadastral mbulohet financiarisht nga ASHK-ja ose nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në varësi të faktit se si fillon procedura, sipas pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi. Kur procesi mbulohet financiarisht nga njësia e vetëqeverisjes vendore, midis saj dhe ASHK-së lidhet një marrëveshje bashkëpunimi, në të cilën përcaktohet objekti, si dhe të drejtat e detyrimet e palëve. Në rastet kur kryhet nga subjektet e treta të kontraktuara nga ASHK-ja, procedurat zhvillohen në përputhje me parashikimet e ligjit për prokurimin publik.

4. Kur procedura e përmirësimit të regjistrit fillon me iniciativë të drejtorisë vendore të ASHK-së, kjo e fundit njofton drejtorinë e përgjithshme, duke i vendosur në dispozicion urdhrin për fillimin e përmirësimit, shoqëruar me paraqitjen hartografike të kufirit të zonës/bllokut, që do t’i nënshtrohet përmirësimit të regjistrit.

5. Drejtoria vendore e ASHK-së, për zbatimin e procesit të përmirësimit të regjistrit, duhet të hartojë:

a) relacionin tekniko-ligjor mbi shkakun e përmirësimit të regjistrit, sipas parashikimeve të pikës 4, të kreut I, të këtij vendimi;
b) dokumentacionin kadastral të pasurive, për të cilat kryhet përmirësimi i regjistrit.

6. Fillimi i procedurës të përmirësimit të regjistrit për zonën/bllokun kadastral publikohet dhe njoftohet sipas parashikimeve të kreut II, të pjesës së shtatë, të Kodit të Procedurave Administrative.

7. Drejtoria vendore e ASHK-së, brenda 5 (pesë) ditëve nga fillimi i procedurës së përmirësimit të regjistrit, pezullon veprimet me pasuritë që i nënshtrohen përmirësimit, deri në përfundimin e këtij procesi. Urdhri i pezullimit të veprimeve u njoftohet, brenda 5 (pesë) ditëve nga miratimi, pronarëve të pasurive dhe subjekteve që kanë të drejta reale mbi to, si dhe pasqyrohet në kartelat e pasurive.

8. Gjatë përmirësimit të regjistrit kryhen procedurat administrative, si më poshtë vijon:

a) Mbledhja e informacionit dhe dokumentacionit të administruar në drejtorinë vendore të ASHK-së për pasuritë që preken nga përmirësimi;
b) Matjet fushore ose verifikimet në terren të pasurive që i nënshtrohen procesit të përmirësimit nëpërmjet mjeteve tekniko-hartografike, si GPS, lazermetër, metër shirit, ortofoto, stacion total etj;
c) Hartimi i produktit digjital me të dhënat e regjistrit (tërësia e kartelave dhe harta kadastrale), të përmirësuara;
ç) Kontrolli i materialit fillestar të procesit të përmirësimit;
d) Shpallja publike e zonës/bllokut që i është nënshtruar përmirësimit, duke zbatuar parashikimet e nenit 31, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. Dokumentacioni i shpalljes përbëhet nga harta kadastrale e zonës, e lidhur me listën e pasurive dhe pronarët përkatës, pas përmirësimit;
dh) Vlerësimi i ankesave dhe pretendimeve mbi produktin e përmirësimit
dhe pasqyrimi i tyre, sipas rastit, në përputhje me afatet e parashikuara në ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën” dhe Kodin e Procedurave
Administrative;
e) Kontrolli i produktit të përmirësimit dhe hartimi i raportit përkatës;
ë) Ligjësimi dhe përfshirja e produktit të përmirësimit në bazën shtetërore të të dhënave kadastrale.

III. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Gjatë procesit të përmirësimit të regjistrit, dokumentacioni i përmirësimit duhet të jetë sipas standardit të miratuar, për procedurën e regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme dhe në përputhje me kornizën ligjore dhe hartografike të ASHK-së, ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën” dhe vendimin nr.782, datë 7.10.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e modeleve të akteve kadastrale dhe të të dhënave në përmbajtje të hartës kadastrale”.

2. Kur gjatë procesit të përmirësimit të regjistrit konstatohet mbivendosje reale midis dy apo më shumë titujsh pronësie, ASHK-ja vepron, si më poshtë vijon:

a) Kryen pasqyrimin grafik në hartën kadastrale të pjesës së mbivendosur, kur mbivendosja është totale. Kur mbivendosja është e pjesshme pasqyrimi grafik në hartë bëhet si për pjesën e lirë edhe për pjesën e mbivendosur;
b) Evidenton pjesën e sipërfaqes së mbivendosur duke bërë shënimet përkatëse në kartelën kadastrale. Vetëm për pasurinë/pjesën e mbivendosur pezullohen veprimet në përputhje me parashikimet e nenit 66 të Kodit të Procedurave Administrative, deri në zgjidhjen nga gjykata të mbivendosjes me vendim të formës së prerë.

3. Gjatë procedurës së përmirësimit, për pasuritë e zonës/bllokut kadastral, drejtoria vendore e ASHK-së kryen regjistrimin paraprak të akteve të parashikuara në nenin 24, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

4. Procedurat për përmirësimin e regjistrit të nisura përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, që nuk janë ligjësuar dhe ngarkuar në bazën e të dhënave kadastrale, do t’i nënshtrohen përcaktimeve të këtij vendimi.

5. Drejtori i Përgjithshëm i ASHK-së miraton me akt të brendshëm procedurat e hollësishme teknike që do të zbatohen gjatë procesit të përmirësimit të regjistrit kadastral.

6. Vendimi nr.245, datë 30.4.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kushteve dhe të procedurave për përmirësimin e përditësimin e të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme”, shfuqizohet.

7. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “SISTEMIM-ASFALTIM RRUGA KORÇË-ERSEKË, LOTI 1””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i segmentit rrugor “Sistemim-asfaltim rruga Korçë-Ersekë, loti 1””.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 5 396 714 ( pesë milionë e treqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e katërmbëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 5 396 714 (pesë milionë e treqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e katërmbëdhjetë) lekësh, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8. Autoriteti Rrugor Shqiptar kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, bën ndarjen e pasurisë “arë” dhe “truall” për sipërfaqen, objekt shpronësimi, dhe sipërfaqen që mbetet.

13. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Korçë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “STUDIM PROJEKTIM MBIKALIMI I FLLAKËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Studim projektim Mbikalimi i Fllakës”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 43 411 546 (dyzet e tre milionë e katërqind e njëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë) lekësh.

4. Masa e shpërblimit për pronarët që shpronësohen është 43 411 546 (dyzet e tre milionë e katërqind e njëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë) lekë dhe do të përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA PROJEKTI “REHABILITIMI I HAPËSIRAVE PRANË KOPSHTIT NË FSHATIN FUSHË, NJËSIA ADMINISTRATIVE TOPOJË, BASHKIA FIER”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i hapësirave pranë kopshtit në fshatin Fushë, njësia administrative Topojë, Bashkia Fier”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Fier.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 133 614 (një milion e njëqind e tridhjetë e tre mijë e gjashtëqind e katërmbëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 133 614 (një milion e njëqind e tridhjetë e tre mijë e gjashtëqind e katërmbëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Fier.

8. Bashkia Fier kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Fier.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Fier për pasurinë e shpronësuar.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Fier.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Fier, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.131, DATË 22.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E LISTËS SË MALLRAVE TË ZGJEDHURA DHE METODËN E LLOGARITJES SË INDEKSIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 61, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.131, datë 22.2.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Indeksi i ndryshimit mesatar vjetor të çmimeve të grupmallrave e shërbimeve llogaritet çdo muaj nga Instituti i Statistikave dhe i njoftohet Institutit të Sigurimeve Shoqërore çdo datë 10 të muajit pasardhës.”.

2. Pas pikës 5 shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:

“5/1. Në raste të jashtëzakonshme kur ndryshimet në çmimet e konsumit (shporta e konsumit) janë të ndjeshëm (luhatje mujore të mëdha), Këshilli i Ministrave mund të vendosë për indeksimin e përfitimeve nga sigurimet shoqërore më shumë se një herë në vit.”.

3. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Instituti i Statistikave për zbatimin e këtij vendimi.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E VLERËS SË TARIFAVE DHE PAGESAVE, MASËS SË PENALITETEVE, SI DHE TË MËNYRËS SË LLOGARITJES, MBLEDHJES DHE ADMINISTRIMIT TË TË ARDHURAVE TË ARKËTUARA NGA PROCESET KALIMTARE TË PRONËSISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 67, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim ka për qëllim të detajojë llojet e të ardhurave që arkëtohen gjatë zbatimit të procedurave të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe mënyrën e mbledhjes dhe administrimit të tyre.

2. Në përputhje me ligjin nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, Agjencia Shtetërore e Kadastrës arkëton të ardhura nga:

a) kalimi i pronësisë mbi sipërfaqet shtetërore shtesë të tokës bujqësore;
b) kalimi i pronësisë mbi parcelën ndërtimore të ndërtimeve pa leje;
c) kalimi i pronësisë mbi truallin funksional të objekteve pa titull ose mbi oborrin në përdorim;
ç) kalimi i pronësisë mbi truallin në zonat e stimuluara;
d) kalimi i pronësisë mbi truallin shtetëror në përdorim për ndërtimet me
destinacion social-ekonomik, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave,
që përcakton procedurat e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim;
dh) tarifa e shërbimit për përditësimin e ndërtimeve pa leje me funksion social-ekonomik;
e) tarifa e shërbimit shtesë për përfundimin në mënyrë të përshpejtuar të procedurave administrative të legalizimit;
ë) tarifa e shërbimit për subjektet që posedojnë më shumë se një ndërtim
pa leje, në proces legalizimi;
f) tarifa e shërbimit për kalimin e pronësisë së truallit në zonën e stimuluar;
g) tarifa e shërbimit për kalimin e pronësisë mbi objektin pa titull
pronësie dhe truallin funksional apo mbi oborrin në përdorim;
gj) tarifa e shërbimit për kalimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në
përdorim;
h) tarifa për regjistrimin e pronës së institucioneve shtetërore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore;
i) tarifa e aplikimit për legalizim të ndërtimit pa leje;
j) tarifa për pajisjen me vërtetim pozitiv/negativ për procesin e legalizimit dhe për kalimin e pronësisë mbi truallin funksional të objektit pa titull apo mbi oborrin në përdorim;
k) penalitetet për shkelje të lejes së ndërtimit ose zhvillimit, për objektin
që legalizohet, kur shkelja kryhet nga subjekti ndërtues apo investitori.

3. Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:

a) “Ndërtim me funksion social-ekonomik”, ndërtimi pa leje në proces legalizimi, i cili nga evidentimi në terren, sipas nenit 17, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, rezulton se përdoret për aktivitet ekonomik, social apo kulturor;
b) “Ndërtim me funksion të përzier”, ndërtimi pa leje në proces legalizimi, i cili nga evidentimi në terren, sipas nenit 17, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, rezulton se përdoret pjesërisht për banim dhe pjesërisht për aktivitet ekonomik, social apo kulturor.

II. TARIFAT DHE MËNYRA E PAGESËS

1. Tarifat për përditësimin e ndërtimeve pa leje me funksion social-ekonomik dhe në rastin kur subjektet posedojnë më shumë se një ndërtim pa leje, janë secila në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë për çdo kat të ndërtimit. Këto tarifa paguhen nga subjekti nëpërmjet sistemit bankar, në llogarinë e drejtorisë vendore të ASHK-së, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit.
Për ndërtimet pa leje me funksion të përzier aplikohet tarifë shërbimi për përditësimin, vetëm për katin/et që shfrytëzohet/n për veprimtari social-ekonomike.

2. Tarifa e shërbimit shtesë për përfundimin në mënyrë të përshpejtuar të procedurave administrative të legalizimit është në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, pavarësisht funksionit dhe faktit, nëse ndërtimi pa leje legalizohet ose jo. Pagesa kryhet nëpërmjet sistemit bankar, në llogarinë e drejtorisë vendore të ASHK-së, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës në portalin qeveritar “e-Albania”.

3. Tarifa e shërbimit për kalimin e pronësisë së truallit në zonën e stimuluar është në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë dhe shlyhet nga personi i stimuluar apo subjekti i interesuar, përpara paraqitjes së kërkesës për kalimin e pronësisë, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave, për rregullat e kalimit të pronësisë, afatet, mënyrën e llogaritjes dhe të njoftimit të pagesës së truallit në zonat e stimuluara.

4. Për miratimin e dokumentit të pronësisë për objektet pa titull dhe truallit funksional dhe oborret në përdorim, tarifa për procedurën administrative standarde është në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë. Kur subjekti kërkon kryerjen e procedurës administrative në mënyrë të përshpejtuar, tarifa është në vlerën 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë.
Pagesa kryhet nëpërmjet sistemit bankar, në llogarinë e drejtorisë vendore të ASHK-së, në momentin e paraqitjes së kërkesës në portalin qeveritar “e-Albania”.

5. Për procedurën e kalimit në pronësi të truallit shtetëror në përdorim, tarifa e shërbimit është në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë. Pagesa kryhet nëpërmjet sistemit bankar, në llogarinë e drejtorisë vendore të ASHK-së, në momentin e paraqitjes së kërkesës në portalin qeveritar “e-Albania”.

6. Regjistrimi i pasurive në pronësi apo përgjegjësi administrimi të institucioneve shtetërore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore i nënshtrohet tarifave dhe procedurave të përcaktuara, në zbatim të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

7. Gjatë procedurës së kërkesës për legalizim, subjekti posedues i ndërtimit pa leje shlyen tarifën e kërkesës, e cila është në vlerën 3 000 (tre mijë) lekë.
Pagesa kryhet nëpërmjet sistemit bankar, në llogarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së, në momentin e paraqitjes së kërkesës në portalin qeveritar “e-Albania”.

8. Tarifa për pajisjen me vërtetim pozitiv/negativ për procesin e legalizimit dhe për kalimin e pronësisë mbi truallin funksional apo mbi oborrin në përdorim është 300 (treqind) lekë/drejtori dhe 1 000 (një mijë) lekë/për të gjithë territorin. Pagesa kryhet nëpërmjet sistemit bankar, në llogarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së, në momentin e paraqitjes së kërkesës në portalin qeveritar “e-Albania”.

III. PËRCAKTIMI I MASËS SË PENALITETEVE PËR SHTESAT/NDRYSHIMIN E FUNKSIONIT TË HAPËSIRAVE

1. Penaliteti për mosrespektimin e lejes së ndërtimit aplikohet ndaj shoqërive ndërtuese apo investitorëve (persona juridikë ose fizikë), që kanë kryer shtesa anësore/lartësi apo ndryshim të funksionit të hapësirave, në kundërshtim me lejen e ndërtimit/zhvillimit, me qëllim për t’i kaluar të tretëve të drejtën e pronësisë apo për t’i dhënë këto sipërfaqe me qira.

2. Penaliteti llogaritet si përqindje mbi koston mesatare të ndërtimit të zonës përkatëse, të miratuar sipas shkronjës “dh”, të nenit 72, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, për çdo metër katror sipërfaqe shtesë apo ndryshim destinacioni, sipas rregullit në vijim:

a) 2 % të kostos mesatare vjetore të ndërtimit për çdo metër katror sipërfaqe shtesë që ka funksion banimi;
b) 5 % të kostos mesatare vjetore të ndërtimit për çdo metër katror sipërfaqe shtesë që ka funksion social-ekonomik;
c) 10 % të kostos mesatare vjetore të ndërtimit për çdo metër katror sipërfaqe që i është ndryshuar funksioni.

3. Përcaktimi i sipërfaqes shtesë dhe i asaj që i ka ndryshuar funksioni kryhet duke i evidentuar ato në raport me sipërfaqet e projektit të miratuar me lejen e ndërtimit/zhvillimit.

4. Për të llogaritur penalitetin në zona ku nuk ka vlerë të miratuar të kostos mesatare të ndërtimit, përdoret mesatarja aritmetike e kostos së ndërtimit, për zonat në kufi.

IV. MBLEDHJA DHE ADMINISTRIMI I TË ARDHURAVE

1. Të ardhurat që mblidhen nga kalimi i pronësisë mbi parcelën ndërtimore të ndërtimit pa leje kalojnë në masën 70 % në fondin financiar të kompensimit dhe përdoren në përputhje me ligjin nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ndërsa diferenca përdoret nga ASHK-ja.

2. Të ardhurat, që mblidhen nga kalimi i pronësisë mbi sipërfaqet shtetërore shtesë të tokës bujqësore dhe mbi truallin në zonat e stimuluara, kalojnë në masën 50 % në fondin financiar të kompensimit dhe përdoren në përputhje me ligjin nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ndërsa pjesa tjetër përdoret nga ASHK-ja.

3. Drejtoritë vendore të ASHK-së, sipas mënyrës dhe afatit të parashikuar në legjislacionin buxhetor, kalojnë në llogarinë e thesarit pjesën takuese të të ardhurave, sipas përcaktimeve të pikave 1 dhe 2, të kreut IV, të këtij vendimi.

4. Agjencia Shtetërore e Kadastrës administron dhe përdor në masën 100 % të ardhurat nga kalimi i pronësisë mbi truallin funksional të objektit pa titull ose mbi oborrin në përdorim, nga kalimi i pronësisë mbi truallin shtetëror në përdorim me destinacion social-ekonomik, si dhe nga tarifat dhe penalitetet, të parashikuara në këtë vendim. Këto të ardhura përdoren në funksion të veprimtarisë së ASHK-së, sipas parashikimeve të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

V. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Drejtori i Përgjithshëm i ASHK-së miraton modelet për formularët e pagesave, që kryhen nga subjektet, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi.

2. Vendimi nr.860, datë 10.12.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”, të ndryshuar, shfuqizohet.

3. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Punët e Brendshme/Arritjet gjatë vitit 2022, sfida dhe objektiva në 2023