Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Nëntor 2022 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Nëntor 2022

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Nëntor 2022:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, NJËRA PALË, DHE, BASHKIMIT EVROPIAN, PALA TJETËR, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MEKANIZMIN E MBROJTJES CIVILE TË BASHKIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 11, pika 2, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, njëra palë, dhe Bashkimit Evropian, pala tjetër, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në mekanizmin e mbrojtjes civile të bashkimit, sipas tekstit të marrëveshjes dhe anekseve bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Vendimi nr.529, datë 29.7.2022, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet, Republikës së Shqipërisë, njëra palë dhe Bashkimit Evropian, pala tjetër, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në mekanizmin e mbrojtjes civile të bashkimit”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MAQEDONISË SË VERIUT, PËR KRIJIMIN E TASK-FORCAVE TË PËRBASHKËTA NË FUSHËN E SIGURISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për krijimin e task-forcave të përbashkëta në fushën e sigurisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.273, DATË 6.4.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “UNAZA LINDORE SHKODËR””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.273, datë 6.4.2011, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 3 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Sipërfaqja truall prej “… 24 875.6 (njëzet e katër mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e pesë pikë gjashtë) m² …” zëvendësohet me “… 25 014.1 (njëzet e pesë mijë e katërmbëdhjetë pikë një) m² …”.
b) Vlera e përgjithshme e shpronësimit “… prej 243 642 950 (dyqind e dyzet e tre milionë e gjashtëqind e dyzet e dy mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) lekësh …” zëvendësohet me “…prej 244 821 724 (dyqind e dyzet e katër milionë e tetëqind e njëzet e një mijë e shtatëqind e njëzet e katër) lekësh …”.

2. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 244 821 724 (dyqind e dyzet e katër milionë e tetëqind e njëzet e një mijë e shtatëqind e njëzet e katër) lekësh, përballohet, si më poshtë vijon:

a) Vlera 243 642 950 (dyqind e dyzet e tre milionë e gjashtëqind e dyzet e dy mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) lekë përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, pranë Bankës së Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”;
b) Vlera 1 178 774 (një milion e njëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.”.

3. Tabelës bashkëlidhur vendimit në fuqi i shtohet tabela, bashkëlidhur këtij vendimi.

II. Shpenzimet procedurale, në vlerën prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, përballohen nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

III. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

IV. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.555, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT MJEKËSOR, TË PUNONJËSVE ME ARSIM TË LARTË DHE TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT TEKNIK TË SHKENCAVE MJEKËSORE, NË SISTEMIN E MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR SHËNDETËSINË, NË NJËSINË MJEKËSORE USHTARAKE PRANË SPITALIT UNIVERSITAR TË TRAUMËS, NË STRUKTURAT E TJERA TË FORCAVE TË ARMATOSURA DHE NË INSTITUCIONET E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE DHE SPITALIN PËRKATËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve të personelit mjekësor, të punonjësve me arsim të lartë dhe të punonjësve të personelit teknik të shkencave mjekësore, në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, në Njësinë Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës, në strukturat e tjera të Forcave të Armatosura dhe në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe spitalin përkatës”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa e ndryshime:
1. Pas pikës 20 shtohet pika 21, me këtë përmbajtje:
“21. Për një periudhë transitore 2-vjeçare të punës për autonominë spitalore të spitaleve publike, në bashkëpunim me personat e caktuar nga Ministria e Shëndetësisë Turke, pagat e punonjësve turq në pozicionin “Menaxher spitalor” janë të njëjta me pozicionet respektive të punës sipas lidhjes nr.1/AP.
Përveç pagës sipas lidhjes nr.1/AP, punonjësit turq në pozicionet “Menaxher spitalor”, përfitojnë edhe një shpërblim mujor, në masën e përcaktuar në lidhjen nr.10.”.
2. Në lidhjen nr.1/AP, në nënndarjen 4, shtohet emërtesa “Menaxher spitalor në spitalet universitare e rajonale”.

3. Në lidhjen nr.10 bëhen këto shtesa e ndryshime:

a) Titulli i lidhjes ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Shpërblimi për punonjësit e personelit të caktuar nga pala turke në Spitalin Rajonal “Memorial” Fier dhe për punonjësit turq në pozicionet “Menaxher spitalor në spitalet universitare e rajonale”;

b) Pas nënndarjes 11 shtohet nënndarja 12, me këtë përmbajtje:

12 Menaxher spitalor në spitalet universitare e rajonale 217 900

II. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2022, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2022, për shërbimin spitalor.

III. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.654, DATË 14.9.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE ORGANIKËS SË AGJENCISË SË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA (ADISA)”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 17, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.654, datë 14.9.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA)”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Shtojca I zëvendësohet me shtojcën me të njëjtën numër që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

b) Shtojca II zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

c) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Numri i punonjësve të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) të jetë, gjithsej, 165 veta.”.

2. Ngarkohet Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN NDËRKOMBËTARE TË HONG-KONGUT PËR RICIKLIMIN E SIGURT DHE MJEDISOR TË ANIJEVE, 2009”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, si dhe të nenit 18, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe të Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare të Hong-Kongut për Riciklimin e Sigurt dhe Mjedisor të Anijeve, 2009”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËS “AGO ÇELI” DHE “RRUGËS SË RE”, SI DHE “RIKONCEPTIMI I PALESTRËS SË LAGJES “15 SHTATORI”, TEPELENË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës “Ago Çeli” dhe “Rrugës së Re”, si dhe “Rikonceptimi i palestrës së lagjes “15 Shtatori”, Tepelenë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tepelenë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 14 260 649.10 (katërmbëdhjetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet e nëntë pikë dhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit është 14 260 649.10 (katërmbëdhjetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet e nëntë pikë dhjetë) lekë dhe përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tepelenë, e cila e përcjell dokumentacionin zyrtarisht pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tepelenë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tepelenë për pasuritë e shpronësuara.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, pasqyron në kartelat e pasurive të paluajtshme informacionin për miratimin e shpronësimit për interes publik të pasurive, pronë private, të cilat preken nga realizimi i projektit. Regjistrimi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Tepelenë kryhet pas aplikimit nga Bashkia Tepelenë për shërbimin përkatës.

12. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Tepelenë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

ZBATIMIN NGA REPUBLIKA E SHQIPËRISË TË RREGULLOREVE TË KËSHILLIT TË BASHKIMIT EVROPIAN PËR VENDOSJEN, NDRYSHIMIN DHE SHFUQIZIMIN E MASAVE SHTRËNGUESE NDËRKOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të pikës 3, të nenit 3, të ligjit nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Zbatimin nga Republika e Shqipërisë të rregulloreve të Këshillit të Bashkimit Evropian për vendosjen, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare, sipas anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi, përkatësisht:

a) Për rregulloren e Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) 2022/879, datë 3 qershor 2022, që ndryshon Rregulloren (BE) nr.833/2014 “Në lidhje me masat kufizuese në funksion të veprimeve të Rusisë që destabilizojnë situatën në Ukrainë”, zbatohet neni 1, pika 7, paragrafët 1, 2 dhe nënparagrafët “a” dhe “b”, të paragrafit 3, të nenit 3m, sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPALLJEN E “ZONËS SË TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK” DHE ZHVILLUESIT TË ZONËS ME VENDNDODHJE NË TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4 e 9, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14/1, të vendimit nr.646, datë 22.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë, të territorit me sipërfaqe 342 185 m2 (treqind e dyzet e dy mijë e njëqind e tetëdhjetë e pesë) m2, pjesë të zonave kadastrale nr.3866, nr.2105 dhe nr.1867, në Tiranë, të përbërë nga parcelat me numrat e pasurive dhe sipërfaqet përkatëse, sipas listës dhe genplanit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes e të daljes së “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë, përcaktohen në genplanin, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Veprimtaritë, që do të zhvillohen në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë, janë të llojit:

a) Industria e automobilave;
b) Industria e tekonologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT);
c) Industria e pajisjeve elektronike;
ç) Industria farmaceutike;
d) Industria agropërpunuese;
dh) Industritë prodhuese;
e) Industri të tjera në përputhje me legjislacionin shqiptar.

4. Periudha e funksionimit të “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë, është 35 vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 vjet.

5. Zhvillues i “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë shpallet Bashkia Tiranë.

6. Masat mbështetëse të përfituara nga Bashkia Tiranë, si subjekt përfitues i statusit “Investim/Investitor, procedurë e veçantë”, bazohen në vendimin nr.1/8, datë 15.7.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike.

7. Për pjesët e sipërfaqes së “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë, që janë pronë private, të bëhet shpronësimi dhe/ose kompensimi, sipas ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar.

8. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Kuvendi miraton në parim p/buxhetin dhe paketën fiskale 2023