Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Dhjetor 2025
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE DHE TË PUNONJËSVE TË DREJTORISË SË SHËRBIMEVE QEVERITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Miratimin e strukturës së pagës mujore për nëpunësit dhe punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.
- Për pozicionet e nëpunësve nga “specialist” deri në “titullar institucioni”, kategoritë e klasave, shtesa e nivelit të kualifikimit që shpërblen nivelin arsimor të kërkuar për pozicionin përkatës të punës, si dhe shtesa për vjetërsi në punë, në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- Elementet përbërëse të pagës bruto mujore (paga për pozicion, shtesa për vjetërsi në punë dhe shtesa e nivelit të kualifikimit) për secilën klasë të përcaktuar në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si dhe vlerat për secilin element janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë në institucionet e administratës shtetërore.
- Përfitojnë shtesë për kushte pune nëpunësit, si më poshtë vijon:
- Titullari i institucionit në masën 150 000 lekë/muaj;
- Drejtori në Drejtorinë e Menaxhimit të Godinave Shtetërore, drejtori në Drejtorinë e Udhëtimeve dhe Akomodimit dhe drejtori në Drejtorinë e Eventeve dhe Trajtimit të Personaliteteve, në masën 40 000 lekë/muaj;
- Shefi i sektorit të udhëtimeve, shefi i sektorit të akomodimeve, shefi i sektorit të projektimit dhe planifikimit të hapësirave, shefi i sektorit të administrimit dhe mirëmbajtjes, shefi i sektorit të mobilimit dhe infrastrukturës së brendshme, shefi i sektorit të godinave qeveritare, shefi i sektorit të ideimit dhe organizimit, shefi i sektorit të zbatimit dhe shefi i sektorit të trajtimit të personaliteteve, në masën 35 000 lekë/muaj;
ç) Shefi i sektorit të shërbimeve të përgjithshme në Kryeministri në masën 50 000 lekë/muaj;
- d) Specialisti i udhëtimit, specialisti i akomodimit, specialisti inxhinier, specialisti arkitekt “interior design”, specialisti i restaurimit, specialisti i logjistikës/terrenit, specialisti i organizimit, specialisti i shërbimit në sektorin e trajtimit të personaliteteve dhe specialisti arkitekt projektues, në masën 30 000 lekë/muaj;
- dh) specialisti i arkivit dhe protokollit në masën 5 000 lekë/muaj;
- e) specialisti në sektorin e godinave qeveritare në masën 25 000 lekë/muaj.
- Klasat e pagës, shtesat për vjetërsi në punë, si dhe shtesat për kushte pune të punonjësve mbështetës në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare janë sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- Vlera e pagës bazë për klasë dhe mënyra e llogaritjes së vjetërsisë për secilën klasë të përcaktuar në lidhjen nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat e punonjësve mbështetës në institucionet e administratës publike.
- Vendimi nr.365, datë 16.6.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve dhe punonjësve të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare”, i ndryshuar, shfuqizohet.
- Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026 për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË KONVENTËS KUADËR TË KËSHILLIT TË EVROPËS PËR INTELIGJENCËN ARTIFICIALE, TË DREJTAT E NJERIUT, DEMOKRACINË DHE SHTETIN E SË DREJTËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës, lidhur në Vilnius, më 5 shtator 2024, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.317, DATË 4.6.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PROGRAMIT KOMBËTAR TË PRAKTIKAVE TË PUNËS NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE DHE INSTITUCIONET E TJERA PUBLIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 14/2, të ligjit nr.75/2019, “Për rininë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në nenin 6, të kreut II, të vendimit nr.317, datë 4.6.2025, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
- Në pikën 1, togfjalëshi “… deri në 250 (dyqind e pesëdhjetë) …” zëvendësohet me “… deri në 450 (katërqind e pesëdhjetë) …”;
- Në shkronjën “a”, të pikës 2, togfjalëshi “… deri në 200 (dyqind) …” zëvendësohet me “… deri në 350 (treqind e pesëdhjetë) …”;
- Në shkronjën “b”, të pikës 2, togfjalëshi “… deri në 50 (pesëdhjetë) praktikantë …” zëvendësohet me “… deri në 100 (njëqind) praktikantë …”.
- Ngarkohen ministria përgjegjëse për rininë, Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Rinisë, Departamenti i Administratës Publike, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike dhe të gjitha institucionet e administratës publike të përfshira në program për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T RI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË AFATMESME TË MENAXHIMIT TË BORXHIT 2026-2030
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Miratimin e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2026-2030, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET
KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
DHE QEVERISË SË KANADASË, PËR TRANSPORTIN AJROR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Kanadasë, për transportin ajror, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË TRAJTIMIT ME USHQIM GJATË QËNDRIMIT NË PUNË TË PUNONJËSIT TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2, shkronja “c”, e 4, të nenit 104, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Të drejtën e trajtimit me ushqim, pa pagesë, e përfitojnë:
- punonjësit e Policisë e Shtetit:
- me normën e ushqimit “një vakt drekë”, kur kohëzgjatja e punës është 8 (tetë) orë;
- me normën e ushqimit “tri vakte”, kur punonjësi është i angazhuar në gatishmëri, në shërbime për ruajtjen e rendit, sigurimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për përballimin e situatave emergjente dhe të fatkeqësive natyrore, aktivitete të ndryshme apo tubime, kur kohëzgjatja e punës është më shumë së koha normale e punës prej 8 (tetë) orësh.
- b) punonjësit e Qendrës së Edukimit Fizik dhe Sporteve Elitare, në Akademinë e Sigurisë, që trajtohen me normën e ushqimit “tri vakte”;
- c) studentët dhe kursantët, që kryejnë trajnim të detyrueshëm sipas programit mësimor në institucionet arsimore të Policisë së Shtetit:
- me normën e ushqimit “një vakt drekë”, kur kohëzgjatja e trajnimit është 1 (një) ditë pune, 8 (tetë) orë;
- me normën e ushqimit “tri vakte”, kur kohëzgjatja e trajnimit është më shumë së një ditë pune. Për ditën e parë të trajnimit, trajtimi me ushqim bëhet për vaktet “drekë” dhe “darkë”, ndërsa për ditën e fundit të trajnimit bëhet për vaktet “mëngjes” dhe “drekë”.
ç) edhe kategoritë e mëposhtme, që trajtohen me normën e ushqimit “tri vakte”, pa pagesë:
- shtetasit e huaj, të cilët hyjnë ilegalisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilët u nënshtrohen procedurave verifikuese deri në sqarimin e pozitës së tyre;
- shtetasit shqiptarë të kthyer nga vendet e tjera, deri në sqarimin e pozitës së tyre;
- shtetasit e ndaluar ose të arrestuar, të cilët u nënshtrohen procedurave verifikuese deri në sqarimin e pozitës së tyre, ose deri në transferimin e tyre në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
- Shërbimi i ushqimit realizohet me ushqim të gatuar në mensa, si dhe nëpërmjet shërbimit të gatimit e të shpërndarjes së ushqimit (catering), i cili u nënshtrohet të gjitha procedurave të prokurimit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
- Kur trajtimi me ushqim, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, nuk është i mundur të realizohet me ushqim të gatuar apo nëpërmjet shërbimit të shpërndarjes së ushqimit (catering), bëhet trajtimi financiar për ditët efektive të punës, sipas përcaktimeve të pikës 5 të këtij vendimi. Vlera e trajtimit financiar (në lekë) të ushqimit i transferohet punonjësit të policisë në llogarinë e tij bankare.
- Normat e ushqimit ditore të k/kalorive për të gjitha kategoritë përfituese, sipas këtij vendimi, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- Masa e kompensimit financiar për çdo normë të trajtimit me ushqim përcaktohet, si më poshtë vijon:
- Normë ditore “një vakt drekë”, në vlerën 500 (pesëqind) lekë;
- Normë ditore “tri vakte”, në vlerën 900 (nëntëqind) lekë.
- Vlerat e kompensimit në lekë të normave ditore të ushqimit, të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 5, të këtij vendimi, indeksohen çdo vit, sipas inflacionit të publikuar nga INSTAT-i.
- Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme, programi buxhetor “Policia e Shtetit”.
- Vendimi nr.189, datë 15.3.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit, të studentëve dhe kursantëve në institucionet arsimore të Policisë së Shtetit, si dhe të shtetasve të ndaluar ose të arrestuar, deri në sqarimin e pozitës së tyre”, i ndryshuar, shfuqizohet.
- Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare shtesë nga 1 janari 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN E TASK-FORCËS DHE TË SKUADRËS KOMBËTARE TË ORGANIZIMIT PËR SAMITIN E NATO-S, TIRANË, 2027
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ngritjen e Task-Forcës – Host Nation Task Force(HNTF) dhe të Skuadrës Kombëtare të Organizimit për Samitin e NATO-s, Tiranë, 2027.
- Task-Forca kryesohet nga Kryeministri dhe, në mungesë të tij, nga Koordinatori Kombëtar për organizimin e samitit, i emëruar me urdhër të Kryeministrit. Task-Forca ka në përbërje këta anëtarë:
- Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
- Ministrin e Mbrojtjes;
- Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor;
ç) Përfaqësuesin e kabinetit të Kryeministrit;
- d) Sekretarët e Përgjithshëm:
- të Ministrisë së Punëve të Brendshme;
- të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
- të Ministrisë së Financave;
- të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
- të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit;
- të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale;
- të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit;
- të Ministrisë së Mbrojtjes.
- dh) Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
- e) Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit;
ë) Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Prokurimit Publik;
- f) Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.
- Task-Forca mbështetet në veprimtarinë e saj nga një sekretariat teknik, që ngrihet pranë dhe nën përgjegjësinë eMinistrisë së Mbrojtjes.
- Në mbledhjet e HNTF-së mund të ftohen, sipas nevojës, përfaqësues të institucioneve të tjera publike, si edhe ekspertë vendas ose të huaj, në varësi të çështjeve që diskutohen.
- Host Nation Task Forceështë organ vendimmarrës për përcaktimin e detyrave dhe të përgjegjësive institucionale në funksion të organizimit të Samitit dhe ka këta objektiva:
- a) Të përcaktojë agjendën dhe programin politik e teknik të punës së Samitit;
- b) Të shqyrtojë e të miratojë aktet, veprimet dhe kërkesat operacionale të propozuara nga Skuadra Kombëtare e Organizimit;
- c) Të propozojë për miratim pranë Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrit të Mbrojtjes, “Planin gjithëpërfshirës të veprimit për organizimin dhe mbarëvajtjen e Samitit të NATO-s, Tiranë, 2027”, duke përcaktuar:
- hapat dhe masat e planifikimit;
- nevojat infrastrukturore, logjistike dhe institucionale;
- procedurat tekniko-juridike dhe instrumentet financiare;
- detyrat e detajuara për çdo strukturë.
ç) Të vlerësojë kostot e organizimit e të propozojë, nëpërmjet ministrit përgjegjës për financat, buxhetimin përkatës në Këshillin e Ministrave;
- d) Të marrë masat për dislokimin e dispozitivit ushtarak dhe mbrojtës, në bashkërendim me strukturat ushtarake aleate.
- Nën varësinë e HNTF-së ngrihet Skuadra Kombëtare e Organizimit (National Organization Team– NOT), e cila kryesohet dhe funksionon nën përgjegjësinë e Koordinatorit Kombëtar, si dhe përbëhet nga:
- drejtori i Protokollit të Shtetit;
- drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare;
- c) drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
ç) drejtori i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
- d) komandanti i Gardës së Republikës;
- dh) drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit;
- e) përfaqësuesi i Shërbimit Informativ të Shtetit;
ë) përfaqësuesi i Kabinetit të Kryeministrit;
- drejtori i Protokollit të Kryeministrit;
- g) drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil;
- gj) drejtori i Përgjithshëm i Albcontrol-it;
- drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar;
- drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike;
- drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar;
- drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile;
- drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Media dhe Informim;
- drejtori i Përgjithshëm i Çështjeve Politike dhe Strategjike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
- m) drejtori i Drejtorisë së NATO-s dhe Çështjeve të Sigurisë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
- n) përfaqësuesi i Bashkisë Tiranë.
- Anëtarët e Skuadrës Kombëtare të Organizimitushtrojnë përgjegjësinë e koordinatorëve kombëtarë sektorialë për fushat përkatëse.
- Mbledhjet e Skuadrës Kombëtare të Organizimitthirren nga kryetari sa herë që vlerësohet e nevojshme.
- Kryetari ka të drejtë të thërrasë mbledhje të natyrës teknike me pjesëmarrje më të kufizuar, në varësi të problematikave/çështjeve që do të diskutohen dhe të konfidencialitetit.
- Në mbledhjet e Skuadrës Kombëtare të Organizimitmund të ftohen përfaqësues të institucioneve të tjera publike, enteve private dhe ekspertë vendas e të huaj, në varësi të problematikave që do të trajtohen.
- Skuadra Kombëtare e Organizimit është përgjegjëse për bashkërendimin me Task-Forcën e Samitit të NATO-s në Bruksel, me Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO, si dhe me task-forcat e vendeve pritëse të samiteve paraardhëse.
- Detyrat e Skuadrës Kombëtare të Organizimit përfshijnë vlerësimin dhe propozimin e masave sektoriale për:
- a) sigurinë e delegacioneve dhe të personaliteteve shtetërore;
- b) përcaktimin e vendeve të zhvillimit të Samitit, eventeve dhe aktiviteteve
ndihmëse;
- c) akomodimin e delegacioneve dhe të trupave shoqëruese;
ç) transportin ajror, rrugor e logjistikën;
- d) mbulimin mediatik dhe komunikimin publik;
- dh) aspektet teknike, digjitale dhe të sigurisë kibernetike;
- çdo detyrë tjetër specifike që lidhet me organizimin e Samitit me miratimin e Host Nation Task Force.
- Koordinatori Kombëtar mbështetet në detyrën e tij nga një shtab i përhershëm,i përbërë nga personel civil e ushtarak, që ngrihet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.
- Personeli civil dhe ushtarak vendoset në dispozicion me kohë të plotë nga institucionet shtetërore.
- Ministria e Mbrojtjes, sipas nevojave të Koordinatorit Kombëtar, mund të punësojë specialistë dhe ekspertë në të gjitha fushat që lidhen me organizimin e zhvillimin e Samitit.
- Shtabi i Përhershëm ushtron funksionet e tij në mjediset e përgatitura posaçërisht pranë Ministrisë së Mbrojtjes, garnizoni “Skënderbej”, Tiranë.
- Host Nation Task Forceparaqet periodikisht pranë Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave raporte për ecurinë e përgatitjeve, si dhe rekomandime për vendimmarrje ndërsektoriale e financiare.
- Ngarkohen institucionet që janë pjesë e Task-Forcës –Host Nation Task Force(HNTF) dhe të Skuadrës Kombëtare të Organizimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGARKIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, SI AUTORITET KONTRAKTOR, PËR KRYERJEN E PROCEDURËS SË PROKURIMIT PUBLIK PËR RIKONSTRUKSIONIN E MJEDISEVE TË KATIT NËNTOKËSOR TË NDËRTESËS SË KRYEMINISTRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ngarkimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, për projektimin dhe kryerjen e punimeve të zbatimit për rikonstruksionin e transformimin e mjediseve të dëmtuara në hapësira funksionale në katin nëntokësor të ndërtesës së Kryeministrisë.
- Në funksion të zbatimit të projektit, të përcaktuar në pikën 1, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngarkohet të kryejë:
- të gjitha procedurat, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratën përkatëse, si dhe të ndjekë zbatimin e saj e të projektit përkatës;
- paraqitjen, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, të kërkesave për miratimin e lejeve përkatëse, në funksion të zbatimit të punimeve.
- Kryeministria i vendos në dispozicion Fondit Shqiptar të Zhvillimit të dhënat për specifikimet teknike të projektit.
- Efektet financiare të përballohen nga fondet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
- Ngarkohen Kryeministria dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRTHITHJEN E DREJTORISË SË SHËRBIMIT TË TRUPIT DIPLOMATIK NGA DREJTORIA E SHËRBIMEVE QEVERITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 33, të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992, “Për ndërmarrjet shtetërore”, të ndryshuar, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Përthithjen e Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik (në vijim, DSHTD) nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare (në vijim, DSHQ) dhe kryerjen e të gjitha procedurave për transferimin e funksioneve institucionale nga DSHTD-ja te DSHQ-ja.
- DSHQ-ja kryen procedurat në funksion të trajtimit të punonjësve të DSHTD-së sipas nevojave të institucionit të DSHQ-së, në përshtatje të realizimit të funksionit institucional, në përputhje me përcaktimet e Kodit të Punës.
- Procedurat për trajtimin e punonjësve të DSHTD-së përfundojnë brenda datës 31.12.2025, por duke respektuar, në çdo rast, parashikimet e Kodit të Punës e duke u paguar atyre të gjitha detyrimet e parashikuara nga dispozitat e tij, sipas rastit.
- Pasuritë e paluajtshme, aktualisht në përgjegjësi administrimi të DSHTD-së, kalojnë në përgjegjësi administrimi të Këshillit të Ministrave për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, së bashku me të gjitha të drejtat e detyrimet e tjera, që lidhen me to. Kalojnë në përgjegjësi administrimi të DSHQ-së edhe të gjitha sendet e luajtshme të DSHTD-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
- DSHTD-ja përgatit inventarët e sendeve të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe kryen të gjitha procedurat, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi. DSHQ-së i kalojnë të gjitha të drejtat e detyrimet, që lidhen me këto sende, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
- Dokumentacioni arkivor dorëzohet sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për arkivat.
- Ngrihet komisioni i likuidimit i DSHTD-së, i përbërë nga 7 (shtatë) anëtarë, i cili do të përgatisë bilancet e likuidimit, inventarizimin e pasurisë, mbylljen e kontratave, përgatitjen e pasqyrave financiare dhe dorëzimin te DSHQ-ja brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Pasqyrimi te DSHQ-ja bëhet me pasqyrat financiare të vitit ushtrimor 2025.
- Pas përfundimit të likuidimit, Komisioni depoziton dokumentacionin për çregjistrimin e ndërmarrjes në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
- Në vendimin nr.840, datë 17.12.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
- Në titullin e vendimit dhe kudo në tekst, emërtesa “Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik” dhe shkurtesa “DSHTD” zëvendësohen me fjalët “struktura përgjegjëse për shërbimin e trupit diplomatik në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare”.
- Pika 1 shfuqizohet.
- Në shkronjën “k”, të pikës 2, të vendimit nr.34, datë 7.1.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare dhe trajtimin e personaliteteve të larta të Këshillit të Ministrave”, të ndryshuar, fjalët “… nëpërmjet drejtorisë përkatëse në varësi të saj …”zëvendësohen me “… nëpërmjet strukturës përgjegjëse në përbërje të saj …”.
- Ngarkohen Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA