Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Prill 2023:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE EOLIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË TRAGJAS, NJËSIA ADMINISTRATIVE ORIKUM, QARKU VLORË, NGA SHOQËRIA “A GREAT COMPANY”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni, në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë, nga shoqëria “A GREAT COMPANY”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “A GREAT COMPANY”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: L44404004S;
c) Tipi i centralit: Eolik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 3 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë: Koha për marrjen e lejes së ndërtimit, ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vite nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ose Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqërisë “A GREAT COMPANY”, sh.p.k., i lind e drejta të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit eolik;
gj) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, me kapacitet të instaluar 3 MW, i cili nuk është objekt koncesioni, në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë, e dhënë sipas këtyre rregullave, si dhe më shumë se 10% e kuotave të shoqërisë, për qëllime të veçanta, mund të transferohet te një subjekt i tretë, tërësisht ose pjesërisht, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
h) Shoqëria “A GREAT COMPANY”, sh.p.k., ose shoqëria për qëllime të veçanta ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “A GREAT COMPANY”, sh.p.k., ose shoqërisë për qëllime të veçanta dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “A GREAT COMPANY”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE EOLIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË TRAGJAS, NJËSIA ADMINISTRATIVE ORIKUM, QARKU VLORË, NGA SHOQËRIA “NIKOLICA SKI RESORT”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni, në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë, nga shoqëria “NIKOLICA SKI RESORT”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “NIKOLICA SKI RESORT”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: L74829001T;
c) Tipi i centralit: Eolik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 3 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë: Koha për marrjen e lejes së ndërtimit, ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vite nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ose Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqërisë “NIKOLICA SKI RESORT”, sh.p.k., i lind e drejta të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit eolik;
gj) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, me kapacitet të instaluar 3 MW, i cili nuk është objekt koncesioni, në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë, e dhënë sipas këtyre rregullave, si dhe më shumë se 10% e kuotave të shoqërisë, për qëllime të veçanta, mund të transferohet te një subjekt i tretë, tërësisht ose pjesërisht, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
h) Shoqëria “NIKOLICA SKI RESORT”, sh.p.k., ose shoqëria për qëllime të veçanta ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “NIKOLICA SKI RESORT”, sh.p.k., ose shoqërisë për qëllime të veçanta dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “NIKOLICA SKI RESORT”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE EOLIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË TRAGJAS, NJËSIA ADMINISTRATIVE ORIKUM, QARKU VLORË, NGA SHOQËRIA “SUNTECH POWER”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, datë 30.4.2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni, në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë, nga shoqëria “SUNTECH POWER”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “SUNTECH POWER”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: L81906019T;
c) Tipi i centralit: Eolik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 3 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë: Koha për marrjen e lejes së ndërtimit, ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vite nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqërisë “SUNTECH POWER”, sh.p.k., i lind e drejta të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit eolik;
gj) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, me kapacitet të instaluar 3 MW, i cili nuk është objekt koncesioni, në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë, e dhënë sipas këtyre rregullave, si dhe më shumë se 10% e kuotave të shoqërisë, për qëllime të veçanta, mund të transferohet te një subjekt i tretë, tërësisht ose pjesërisht, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
h) Shoqëria “SUNTECH POWER”, sh.p.k., ose shoqëria për qëllime të veçanta ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ose institucioneve të tjera të autorizuara informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “SUNTECH POWER”, sh.p.k., ose shoqërisë për qëllime të veçanta dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “SUNTECH POWER”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA: HABITATET”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 2, shkronja “x”, e 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: habitatet”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA: INFRASTRUKTURA INDUSTRIALE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 2, shkronja “p”, e 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: Infrastruktura industriale”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË CIRKUT KOMBËTAR
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Laid Ymeri emërohet drejtor i Cirkut Kombëtar.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA: INFRASTRUKTURA PËR MONITORIMIN E MJEDISIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 2, shkronja “o”, e 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: Infrastruktura për monitorimin e mjedisit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Enkelejdi Joti emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (HUAMARRËSI) DHE AGJENCISË FRANCEZE PËR ZHVILLIM (HUADHËNËSI), PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “POLITIKA PËR MBËSHTETJEN E REFORMËS NË SEKTORIN ENERGJETIK NË SHQIPËRI, FAZA II”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri, faza II”, me një hua në shumën 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES PËR NJË HUA SHTESË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT TË KUVAJTIT PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK ARAB, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË REHABILITIMIT TË RRUGËS SË LUMIT TË VLORËS, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.47/2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes për një hua shtesë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e projektit të rehabilitimi të rrugës së lumit të Vlorës, ratifikuar me ligjin nr.47/2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË ZBATIMIT PËR PROJEKTET E BASHKËPUNIMIT TEKNIK, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE DEUTSCHE GESELLSCHAFT FÜR INTERNATIONALE ZUSAMMENARBEIT (GIZ) GMBH, SI PËRFAQËSUESE E QEVERISË GJERMANE DHE AGJENCI ZBATUESE, PËR PROJEKTIN “MIGRACIONI PËR ZHVILLIM” (PME III)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së zbatimit për projektet e bashkëpunimit teknik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Deutsche Gesellschaft Für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) Gmbh, si përfaqësuese e qeverisë gjermane dhe agjenci zbatuese, për projektin “Migracioni për zhvillim” (PME III), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9669, DATË 18.12.2006, “PËR MASAT NDAJ DHUNËS NË MARRËDHËNIET FAMILJARE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.475, DATË 8.6.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E NJË TOGE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK TË NATO-S NË LETONI”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 5, të vendimit nr.475, datë 8.6.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, data “31 dhjetor 2023” zëvendësohet me “31 dhjetor 2026”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1039, DATË 16.12.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE PËR EMETIMIN, PRODHIMIN, PËRDORIMIN DHE TREGTIMIN E PULLËS POSTARE SHQIPTARE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 43, të ligjit nr.46/2015, “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në tekstin bashkëlidhur vendimit nr.1039, datë 16.12.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Neni 24 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“24. Pullat postare shqiptare shtypen në ente të specializuara, të pajisura me dokumentacionin e nevojshëm për shtypjen e letrave me vlerë, certifikatë cilësie dhe sigurie të shtypit.”.
b) Në nenin 25, fjala “… shtypja …” hiqet.
2. Ngarkohet Posta Shqiptare, sh.a, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E REKOMANDIMEVE PRIORITARE NË LUFTËN KUNDËR KRIMINALITETIT, PËR VITIN 2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 103, të ligjit nr.97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të pikës 32, të nenit 6, të ligjit nr.8678, datë 14.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit, për vitin 2023, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet ministri i Drejtësisë t’ia përcjellë menjëherë rekomandimet prioritare Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe t’ua bëjë ato të njohura drejtuesve të prokurorive të të gjitha shkallëve dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, në një mbledhje të përbashkët, jo më vonë se 1 (një) muaj nga data e miratimit të këtij vendimi.
3. Ngarkohet ministri i Drejtësisë të ndjekë në vazhdimësi mënyrën e zbatimit të këtyre rekomandimeve, sipas legjislacionit në fuqi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIM I QENDRËS SHËNDETËSORE NË LAGJEN “GAFURR MUÇO”, BASHKIA LUSHNJË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim i qendrës shëndetësore në lagjen “Gafurr Muço”, Bashkia Lushnjë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi, prej 2 254 070 (dy milionë e dyqind e pesëdhjetë e katër mijë e shtatëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 254 070 (dy milionë e dyqind e pesëdhjetë e katër mijë e shtatëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Lushnjë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Lushnjë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Lushnjë.
8. Bashkia Lushnjë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Lushnjë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Lushnjë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Lushnjë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Lushnjë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I SHESHIT PËRPARA DEGËS SË THESARIT TIRANË, RRUGA “MUSTAFA LLESHI””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i sheshit përpara Degës së Thesarit Tiranë, rruga “Mustafa Lleshi””.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 54 608 531.59 (pesëdhjetë e katër milionë e gjashtëqind e tetë mijë e pesëqind e tridhjetë e një pikë pesëdhjetë e nëntë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 54 608 531.59 (pesëdhjetë e katër milionë e gjashtëqind e tetë mijë e pesëqind e tridhjetë e një pikë pesëdhjetë e nëntë) lekësh, përballohet nga Bashkia Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Jug, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Jug, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.110, DATË 6.3.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË RREGULLAVE TË PËRZGJEDHJES SË ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE, TË AUTORIZUARA PËR OFRIMIN E NDIHMËS JURIDIKE PARËSORE TË GARANTUAR NGA SHTETI, QË PËRFITOJNË FINANCIME NGA BUXHETI I SHTETIT DHE MËNYRA E FINANCIMIT TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 15, të ligjit nr.111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.110, datë 6.3.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në shkronjën “b”, të pikës 2, fjala “… aplikuese …” zëvendësohet me fjalët “… që paraqesin kërkesën …”.
2. Në shkronjën “ç”, të pikës 4, fjala “… aplikime …” zëvendësohet me fjalët “… për paraqitjen e kërkesës për përfitimin e financimit …”.
3. Në pikën 5 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në shkronjën “dh”, togfjalëshi “… dorëzimit të aplikimeve …;” zëvendësohet me fjalët “… paraqitjes së kërkesës për përfitimin e financimit …;”;
b) Në shkronjën “e”, fjala “… aplikimit …” zëvendësohet me fjalët “… kërkesës për përfitimin e financimit …”.
4. Nënndarja “iii”, e shkronjës “a”, të pikës 6, shfuqizohet.
5. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Kërkesa për përfitimin e financimit, si dhe të gjitha dokumentet që vërtetojnë plotësimin e kritereve të përgjithshme dhe të veçanta, që i bashkëlidhen kërkesës, paraqiten pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas ia përcjell kërkesën komisionit vlerësues menjëherë.”.
6. Pas pikës 7 shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:
“7/1. Komisioni vlerësues, brenda 7 (shtatë) ditëve nga administrimi i kërkesës për përfitimin e financimit, kryen veprimet e mëposhtme:
a) Kur kërkesa përmban të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, sipas parashikimeve të këtij vendimi, njofton organizatën jofitimprurëse mbi vazhdimin e procedurës së verifikimit të kritereve;
b) Kur kërkesa nuk përmban të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, sipas parashikimeve të këtij vendimi, njofton organizatën jofitimprurëse për plotësimin e të metave brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e njoftimit. Mosplotësimi i të metave brenda afatit përbën shkak për mospranimin e kërkesës.”.
7. Në pikën 8 bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën “a”, fjalët “… aplikimeve për financim të organizatave …” zëvendësohen me “… kërkesave për përfitimin e financimit të paraqitura nga organizatat …”;
b) Në shkronjën “b”, fjalët “… për shkelje të qëllimshme të procedurës së shqyrtimit, të vendimeve për përzgjedhjen e organizatave jofitimprurëse të autorizuara që përfitojnë financim, si edhe të masës së financimit …” zëvendësohen me “… ndaj vendimeve të komisionit vlerësues …”.
8. Pas pikës 8 shtohet pika 8/1, me këtë përmbajtje:
“8/1. “Komisioni vlerësues dhe komisioni i ankimeve shqyrtojnë, përkatësisht, kërkesat për përfitimin e financimit dhe ankesat ndaj vendimeve të komisionit vlerësues, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.”.
9. Shkronja “c”, e pikës 9, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) 1 (një) përfaqësues nga struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë për monitorimin e institucioneve në varësi të saj ose nga Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve.”.
10. Në pikën 10, fjala “… aplikimeve …” zëvendësohet me fjalët “… kërkesave për përfitimin e financimit …”.
11. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Komisioni vlerësues dhe komisioni i ankimit ngrihen me urdhër të ministrit të Drejtësisë jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e njoftimit të thirrjes sipas pikës 5, të këtij vendimi. Emrat e anëtarëve të komisioneve nuk bëhen publikë deri para shpalljes së rezultateve të shqyrtimit të ankesave. Anëtarët e komisioneve sipas pikave 9 dhe 10, të këtij vendimi, zgjidhen nga radhët e nëpunësve civilë.”.
12. Në pikën 14 bëhen këto ndryshime:
a) Fjala “… aplikimet …” zëvendësohet me fjalët “… kërkesat për përfitimin e financimit …”;
b) Togfjalëshi “… 10 (dhjetë) ditëve …” zëvendësohet me “… sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë …”.
13. Pas pikës 14 shtohet pika 14/1, me këtë përmbajtje:
“14/1. Komisioni vlerësues vlerëson përmbushjen e kritereve të përgjithshme dhe të veçanta, bazuar në metodologjinë e miratuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.”.
14. Në pikën 16, fjalët “… i rezultateve për shkelje të procedurave …” shfuqizohen.
15. Në pikën 24, fjala “… revokimin …” zëvendësohet me fjalët “… dhe propozuar shfuqizimin …”.
II. Kërkesat për financim të organizatave jofitimprurëse të autorizuara, që janë depozituar pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, shqyrtohen sipas dispozitave në fuqi të vendimit në kohën e depozitimit të kërkesës.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË NUMRIN E PUNONJËSVE ORGANIKË NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE, PËR VITIN 2023, DHE PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E AUTORITETIT SHTETËROR PËR INFORMACIONIN GJEOHAPËSINOR, MIRATUAR PËR VITIN 2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 12 e 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, për vitin 2023, shtohet me 27 (njëzet e shtatë) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 73 (shtatëdhjetë e tre) punonjës.
2. Numri rezervë i punonjësve, për vitin 2023, zvogëlohet me 27 (njëzet e shtatë) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm rezervë në 73 (shtatëdhjetë e tre) punonjës.
3. Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, në grupin buxhetor nr.87 “Institucione të tjera qeveritare”, në programin “e-qeverisja”, i shtohet fondi prej 40 (dyzet) milionë lekësh, përkatësisht, 25 (njëzet e pesë) milionë lekë për shpenzime korrente dhe 15 (pesëmbëdhjetë) milionë lekë për shpenzime kapitale.
4. Fondi prej 40 (dyzet) milionë lekësh përballohet nga fondi rezervë i buxhetit.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SISTEMIT TË INTEGRUAR PËR INFORMATIZIMIN E MANUALIT TË ÇMIMEVE PËR ZËRAT E PUNIMEVE NË NDËRTIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, si dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
1. Krijimin e sistemit të integruar të informatizimit të manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim (në vijim sistemi i integruar), i cili unifikon metodologjinë e llogaritjes e të formatit të paraqitjes së preventivave dhe situacioneve, si dhe të analizave teknike të çmimeve për të lehtësuar veprimtarinë e subjekteve publike apo private, si dhe për lehtësimin e kontrollit tekniko-financiar në fushën e ndërtimit.
2. Institucioni përgjegjës për gjenerimin dhe përditësimin e të dhënave në sistemin integruar është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Neni 2
1. Të dhënat parësore që përmban sistemi i integruar janë:
a) të dhënat për çmimet mesatare të 4 (katër) elementeve të strukturës së kostos;
b) analizat teknike të çmimeve mesatare për çdo zë pune në ndërtim, për materialet e reja dhe/ose për teknologjitë e reja, të përdorura nga subjektet publike dhe/ose private, që kryejnë veprimtari në fushën e ndërtimit, të prodhimit të materialeve të ndërtimit, si dhe të tregtimit të tyre sipas përcaktimeve të këtij vendimi;
c) preventivat/situacionet për çdo objekt, të hartuara nëpërmjet sistemit të integruar të manualit të çmimeve.
2. Të dhënat dytësore që përmban sistemi i integruar janë të dhënat e identifikimit të subjekteve të interesuara, si : emri, mbiemri, numri personal i identifikimit, NIPT-i ose numri i licencës.
Neni 3
1. Sistemi i integruar ndërvepron me baza të tjera të dhënash, si:
a) Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile;
b) Regjistri Tregtar i Qendrës Kombëtare të Biznesit;
c) Regjistri i Licencave;
ç) Portali unik qeveritar “e-Albania”.
2. Dhënës të informacionit në sistemin e integruar janë:
a) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
b) Personat fizikë apo juridikë privatë, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e ndërtimit;
c) institucionet e administratës publike që planifikojnë investimet për ndërtimin e veprave publike.
Neni 4
1. Subjekte të interesuara janë të gjithë personat fizikë apo juridikë, publikë ose privatë, të cilët kërkojnë të përdorin sistemin e integruar për hartimin e preventivit ose situacionit në rastin e një investimi apo punimi në fushën e ndërtimit, si dhe për çdo arsye tjetër.
2. Niveli i aksesimit në sistemin e integruar është, si më poshtë vijon:
a) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka të drejta regjistrimi, përpunimi, raportimi, leximi, shkrimi dhe përditësimi për të dhënat e regjistruara në sistemin e integruar:
b) Subjektet e interesuara sipas pikës 1, të këtij neni, kanë akses në leximin për sa u përket të dhënave për çmimet mesatare të 4 (katër) elementeve të strukturës së kostos, si dhe analizat teknike të çmimeve mesatare, krijimin e dokumenteve përkatëse, si preventiv apo situacione, si dhe dhënien e informacionit, analizave apo të dhënave për çmimin e elementeve të kostos.
KREU II
MËNYRA E FUNKSIONIMIT TË SISTEMIT TË INTEGRUAR
Neni 5
Të gjitha institucionet shtetërore, që kryejnë programim të fondeve publike nga buxheti i shtetit apo donatorë të huaj, për efekt planifikimi investimesh për ndërtimin e veprave publike, për të përcaktuar vlerën e fondit limit të veprës orientohen dhe i referohen çmimeve të zërave të punimeve të përcaktuara në sistemin e integruar të manualit të çmimeve të ndërtimit.
Neni 6
Hartimi i preventivit apo situacionit, si dhe zbatimi i mbikëqyrjes së çdo punimi ndërtimi, që realizohet nga persona fizikë dhe juridikë, publikë ose privatë, me fonde publike ose private, në territorin e Republikës së Shqipërisë, do të bëhet nëpërmjet sistemit të integruar të manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim.
Neni 7
Preventivat për çdo objekt, të hartuara nëpërmjet sistemit të integruar të manualit të çmimeve për zërat e punimeve në faqen e preventivave të unifikuar në portalin unik qeveritar “e-Albania”, sipas metodologjisë së llogaritjes së kostos, janë pjesë e dokumentacionit teknik të çdo objekti të projektuar apo të ndërtuar në Republikën e Shqipërisë.
Neni 8
1. Vlerat e zërave të punës së preventivave të objekteve ndërtimore, të projektuara nga subjekte, publike apo private, përcaktohen nga prodhimi i volumeve të punës, të llogaritura në librezën e masave të projektit, me çmimet për njësi në sistemin e integruar të manualit të çmimeve.
2. Vlera e zërave të punës, të situacioneve e të ndërtimit përcaktohen nga prodhimi i volumeve të punës, të llogaritura në librezën e masave të zbatimit me çmimet për njësi të llogaritura mbi bazën e analizave teknike të punimeve të ndërtimit, sipas vlerave faktike.
Neni 9
1. Sistemi i integruar i manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim përmban çmimet e punimeve të ndërtimit të mesatarizuara dhe analizat teknike të punimeve të ndërtimit, të specifikuara sipas numrit të analizave.
2. Manuali i çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim pasqyron situatën aktuale të çmimeve të mesatarizuara të materialeve të ndërtimit dhe produkteve për ndërtim, të ofruara nga tregu përkatës, brenda vendit në çdo moment të kohës.
Neni 10
Materialet e ndërtimi janë të gjitha materialet, që përdoren në zbatimin e punimeve të ndërtimit, përfshirë lëndën e parë dhe materialet ndihmëse, në përputhje me standardet e miratuara dhe me rregulloren evropiane për produktet e ndërtimit. Në rastet kur është e aplikueshme, produktet duhet të jenë të shoqëruara me deklaratën e konformitetit (CE).
Neni 11
Sistemi i integruar i manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim përditësohet në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet informcaionit të ardhur nga subjektet publike dhe/ose private, që kryejnë veprimtari në fushën e ndërtimit, të prodhimit të materialeve të ndërtimit, si dhe të tregtimit të tyre, nëpërmjet këtij sistemi, sipas strukturës së kostos së punimeve të ndërtimit, të përcaktuar në aktet ligjore në fuqi.
Neni 12
Të gjitha subjektet, private apo publike, që kryejnë veprimtari në fushën e tregtimit të materialeve apo të produkteve të ndërtimit ose në fushën e ndërtimit nëpërmjet shërbimit të dedikuar elektronik në portalin unik qeveritar “e-Albania”, paraqesin analizat teknike dhe çmimet për çdo zë pune në ndërtim, për materialet e reja dhe/ose për teknologjitë e reja, të përdorura prej tyre, për të cilat nuk ekziston një analizë teknike e çmimit në maualin elektronik. Analizat teknike paraqiten në përputhje me metodologjinë e parashikuar në udhëzimin nr.2, datë 8.5.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin dhe strukturën e kostos së punimeve të ndërtimit”.
Neni 13
1. Të gjitha institucionet shtetërore, që kryejnë prokurime të punimeve të ndërtimit me fonde publike nga buxheti i shtetit apo nga donatorë të huaj, në kontrollin e çmimeve për zërat e punës së ofertave të paraqitura në tender, u referohen çmimeve të zërave të punimeve të dhëna në manualin e çmimeve të ndërtimit dhe në analizat teknike të këtyre çmimeve.
2. Në rastin kur zëri i punës nuk është në manualin e çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim, institucioni shtetëror, që kryen prokurime, u kërkon subjekteve ofertuese të paraqesin analizën teknike, bazuar në formatin e dhënë në sistemin e integruar si dhe në metodologjinë e strukturës së kostos së punimeve të ndërtimit, të përcaktuar në aktet ligjore në fuqi.
3. Fond i veçantë i parashikuar për çdo objekt, i cili shërben për zbatimin e masave për sigurinë në kantier, në zbatim të aneksit VI, të vendimit nr.312, datë 5.5.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për sigurinë në kantier”, parashikohet në dokumentacionin që do të shoqërojë miratimin e projektit. Vlera e këtij fondi do të dalë në përputhje me madhësinë e projektit që do të realizohet, por, në çdo rast, jo më pak se 3% e vlerës së tij.
4. Institucioni prokurues nëpërmjet sistemit të integruar i dërgon analizat për zërin e punës, të paraqitura nga subjekti ofertues i shpallur fitues, si kërkesë për t’u përfshirë në manualin e çmimeve.
Neni 14
Subjektet, që kryejnë veprimtari në fushën e tregtimit të materialeve apo të produkteve të ndërtimit, si dhe në fushën e ndërtimit, bëjnë kërkesë nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania” për përfshirjen e produkteve dhe analizave të reja teknike, të shoqëruara me informacionin:
a) Për prodhuesit e materialeve të ndërtimit, në përputhje me licencën që zotërojnë:
i. analizën tekniko-financiare të prodhimit;
ii. skedën teknike të çdo materiali (analizat laboratorike);
iii. emrin dhe kodin e saktë të çdo materiali, sipas standardit të referimit;
iv. çmimin përkatës të çdo materiali.
b) Për importuesit e materialeve të ndërtimit:
i. skedën teknike të çdo materiali të importuar, sipas standardit të vendit të origjinës;
ii. emrin dhe kodin e saktë të çdo materiali, sipas standardit të referimit;
iii. çmimin përkatës të çdo materiali.
c) Për ndërtuesit, që përdorin materialet e ndërtimit, sipas përdorimeve përkatëse:
i. analizën tekniko-financiare të zërit të punës;
ii. specifikimet teknike të materialeve dhe të teknologjisë së përdorur.
Neni 15
Ministria, që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit, përpunon informacionin e ardhur nga subjektet kërkuese, duke e zbërthyer në katër elementet e strukturës së kostos:
a) shpenzimet për pagat bazë dhe shtesën mbi pagën;
b) shpenzimet për materialet;
c) shpenzimet për transportin;
ç) shpenzimet për makineritë;,
dhe nëpërmjet sistemit të integruar i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve çmimet e mesatarizuara në shkallë vendi.
Neni 16
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me marrjen e kërkesës për dhënien e çmimeve të mesatarizuara në shkallë vendi, është përgjegjëse për vënien në dispozicion brenda 15 ditëve të çmimeve të mesatarizuara pas kontrollit nëpërmjet platformës qendrore të menaxhimit të faturave ose hulumtimeve në terren, ministrisë që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit.
Neni 17
1. Ministria, që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit, është përgjegjëse për unifikimin dhe përpunimin e analizave të reja me çmimet e mesatarizuara të ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve si dhe reflektimin e ndryshimit të çmimeve të mesatarizuara në analizat ekzistuese.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dërgon në çdo kohë, nëpërmjet sistemit, përditësimin e çmimeve mesatare ekzistuese, si dhe kryen propozime për produkte të reja nga kontrolli nëpërmjet platformës qendrore të menaxhimit të faturave ose hulumtimeve në terren.
Neni 18
Të gjitha detyrimet tatimore ndaj shtetit dhe detyrimet e tjera, të lidhura me veprimtarinë ndërtuese në fushën e ndërtimit, përfshirë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, llogariten sipas vlerave faktike të punimeve, bazuar në analizat teknike të çmimeve, që përfshihen në manualin e çmimeve të ndërtimit, të zbërthyera sipas strukturës së kostos, në përputhje me udhëzimin nr.2, datë 8.5.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin dhe strukturën e kostos së punimeve të ndërtimit”.
KREU III
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 19
1. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.629, datë 15. 7.2015, “Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe analizave teknike të tyre”, të ndryshuar, dhe nr.514, datë 15.8.2007, “Për informatizimin e llogaritjes së kostos dhe hartimin e manualit të çmimeve të punimeve të ndërtimit”, të ndryshur, shfuqizohen.
2. Rregullat e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.629, datë 15.7.2015, “Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe analizave teknike të tyre”, të ndryshuar, dhe nr.514, datë 15.8.2007, “Për informatizimin e llogaritjes së kostos dhe hartimin e manualit të çmimeve të punimeve të ndërtimit”, të ndryshur, do të zbatohen deri në 3 (tre) muaj nga publikimi i sistemit të integruar në portalin unik qeveritar “e-Albania”.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe çdo institucion shtetëror për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU