Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 14 Shkurt 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 14 Shkurt 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 14 Shkurt 2023:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E KONEKTIVITETIT TË RRUGËVE RAJONALE DHE LOKALE NË SHQIPËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE 3358, FSHATI SHEQ MARINAS, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “NOVA SOLAR SYSTEM”, SH.P.K

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale 3358, fshati Sheq Marinas, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “NOVA SOLAR SYSTEM”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: shoqëria “NOVA SOLAR SYSTEM”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: M11824016H;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 50 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë: Koha për marrjen e lejes së ndërtimit, ndërtimin dhe vënien në operim të parkut fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën kadastrale 3358, fshati Sheq Marinas, Bashkia Fier, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vite nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqërisë “NOVA SOLAR SYSTEM”, sh.p.k., i lind e drejta të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit fotovoltaik;
gj) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, me kapacitet të instaluar 50 MW, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale 3358, fshati Sheq Marinas, Bashkia Fier, Qarku Fier, e dhënë sipas këtyre rregullave, si dhe më shumë se 10% e kuotave të shoqërisë për qëllime të veçanta mund të transferohet te një subjekt i tretë, tërësisht ose pjesërisht, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
h) Shoqëria “NOVA SOLAR SYSTEM”, sh.p.k., ose shoqëria për qëllime të veçanta ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ose institucioneve të tjera të autorizuara informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “NOVA SOLAR SYSTEM”, sh.p.k., ose shoqërisë për qëllime të veçanta dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “NOVA SOLAR SYSTEM”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletor zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E SHËRBIMEVE TË TRANSPORTIT RRUGOR TË SIPËRFAQES 2950 M² NË PASURINË ME NUMËR 5/58, ZONA KADASTRALE 1326, BURREL, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.226, DATË 23.4.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË SHËRBIMEVE TË TRANSPORTIT RRUGOR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi te Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve e Transportit Rrugor të sipërfaqes 2 950 (dy mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) m², në pasurinë me numër 5/58, zona kadastrale 1326, Burrel, sipas planit të rilevimit dhe formularit të inventarizimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, e cila do të përdoret për Qendrën e Kontrollit Teknik dhe Fizik Burrel.

2. Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.

3. Në listën e inventarit të pronave, të miratuar me vendimin nr.226, datë 23.4.2006, të Këshillit të Ministrave, shtohet edhe sipërfaqja e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN E SHOQËRISË AKSIONARE PËR PRODHIMIN DHE SHPËRNDARJEN E DOKUMENTEVE BIOMETRIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 105, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e shoqërisë aksionare, me kapital 100 (njëqind) % shtetëror, për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike të shtetasve shqiptarë dhe/ose shtetasve të huaj me banim të përkohshëm apo të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, të cilëve u njihet kjo e drejtë në përputhje me kërkesat e legjislacionit përkatës në fuqi.

2. Emri i shoqërisë aksionare përcaktohet në aktin e themelimit dhe statutin e saj.

3. Shoqëria aksionare, sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij vendimi, themelohet, organizohet dhe funksionon, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.

4. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë aksionare të jetë 20 000 000 (njëzet milionë) lekë.

5. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100 (njëqind) % të aksioneve të shoqërisë aksionare, është Ministria e Brendshme.

6. Shoqëria aksionare ofron kundrejt pagesës shërbimin e prodhimit dhe shpërndarjes së:

a) letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike;
b) dokumentit biometrik (leje qëndrimi për të huajt për çdo motiv me përjashtim të lejes provizore dhe humanitare);
c) letërnjoftimit elektronik për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;
ç) dokumentit të udhëtimit për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;
d) çdo dokumenti tjetër biometrik që lëshon Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

7. Shoqëria aksionare mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.

8. Tarifat e shërbimeve përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

9. Shoqëria aksionare financohet nga të ardhurat e veta nga ofrimi i shërbimeve dhe burime të tjera të ligjshme. Të ardhurat e shoqërisë aksionare përdoren për ushtrimin e veprimtarisë së saj.

10. Ministri i Brendshëm, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme për:

a) themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare;
b) regjistrimin e shoqërisë aksionare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

11. Ministria e Brendshme i siguron shoqërisë aksionare mjediset e punës, të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.

12. Ministria e Brendshme i kalon pa pagesë shoqërisë aksionare çdo të drejtë ose titull të marrë në dorëzim nga koncesionari, sipas përcaktimeve të kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike”, datë 21 korrik 2008, e ndryshuar, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit të Sagem Securite e Fondit Shqiptaro – Amerikan të Ndërmarrjeve, ratifikuar me ligjin nr.9972, datë 27.8.2008, përfshirë të gjitha pasuritë e krijuara apo të ndërtuara apo të zhvilluara posaçërisht ose të përdorura nga koncesionari dhe/ose punonjësit e tij dhe që i përkasin koncesionarit gjatë periudhës së koncesionit dhe për qëllimin e zbatimit të koncesionit, përfshirë sistemet software dhe hardware dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

13. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria e Brendshme transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

14. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS 110 KV CËRRIK-KAJAN-KUÇOVË-JAGODINË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 110 KV Cërrik-Kajan-Kuçovë-Jagodinë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “ullishte” “vreshtë”, “pyll”, “pemëtore”, me një vlerë të përgjithshme prej 555 402 (pesëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e katërqind e dy) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, në masën 555 402 (pesëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e katërqind e dy) lekë, përballohet nga buxheti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, si dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a., sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a., për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria përkatëse e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në qarqet Elbasan, Fier dhe Berat për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE PËR PARANDALIMIN E EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM DHE LUFTËN KUNDËR TERRORIZMIT 2023–2025 DHE TË PLANEVE TË VEPRIMIT 2023–2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit 2023-2025 dhe të planeve të veprimit 2023-2025, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Vendimi nr.930, datë 18.11.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Planit të Veprimit”, dhe vendimi nr.1137, datë 16.12.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Luftës Kundër Terrorizmit, 2021-2025 dhe planit të veprimit 2021-2023”, shfuqizohen.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme, ministritë dhe institucionet përgjegjëse, të përmendura në tekstin e kësaj strategjie dhe planeve të veprimit, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE TIRANË, TË PASURIVE 1/239 DHE 1/240, ZONA KADASTRALE 8150, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.219, DATË 21.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, për njësinë administrative Tiranë, të pasurive 1/239 dhe 1/240, zona kadastrale 8150, sipas formularit dhe planeve të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në fushën e shërbimeve.

2. Pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.

3. Bashkisë Tiranë i ndalohet ndryshimi i destinacionit të pasurive, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

Previous “World Government Summit 2023”, në një bashkëbisedim mbi rastin e shumëvlerësuar të Shqipërisë për gratë në qeverisje