Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 14 Shkurt 2024:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE 2444, BASHKIA LIBOHOVË, QARKU GJIROKASTËR, NGA SHOQËRIA “FAETHON”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale 2444, Bashkia Libohovë, Qarku Gjirokastër, nga shoqëria “FAETHON”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “FAETHON”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal NIPT/NUIS: M21928024A;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 93 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndertimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën kadastrale 2444, Bashkia Libohovë, Qarku Gjirokastër;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vite nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale 2444, Bashkia Libohovë, Qarku Gjirokastër, e dhënë sipas këtyre rregullave, mund të transferohet te një subjekt i tretë, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
gj) Shoqëria “FAETHON”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. Të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. Të respektojë kushtet e përmendura në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. Të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “FAETHON”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. T’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. Të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “FAETHON”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË BURGJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 26, të ligjit nr.81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Admir Abrija, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË KONTRATËS FINANCIARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, PËR PROJEKTIN “SHTRATI I LUMIT LANA – ZHVILLIMI URBAN”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.63/2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të kontratës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillimi urban”, ratifikuar me ligjin nr.63/2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.1 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, PËR PROJEKTIN “SHTRATI I LUMIT LANA – ZHVILLIMI URBAN”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.64/2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese nr.1 të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillimi urban”, ratifikuar me ligjin nr.64/2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (KËSHILLI I MINISTRAVE) DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR PROGRAMIN E SHKËMBIMIT AKADEMIK “FULBRIGHT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për programin e shkëmbimit akademik “Fulbright”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT SHQIPËRI – SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS KUNDËR MANIPULIMIT TË INFORMACIONIT TË SHTETIT TË HUAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.325, DATË 31.5.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E ANËTARËVE TË KOMISIONIT TË PËRZGJEDHJES SË PROJEKTEVE NË TURIZËM”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 31, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.325, datë 31.5.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, emërtimet “Drejtori i Zhvillimit të Programeve të Turizmit” dhe “Drejtori i Projekteve Zhvillimore të Turizmit” zëvendësohen, përkatësisht, me “Drejtori i Përgjithshëm Ekonomik dhe Shërbimeve Mbështetëse” dhe “Drejtori i Përgjithshëm për Zhvillimin e Turizmit”.
2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Komisioni i Përzgjedhjes së Projekteve në Turizëm për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË DHE RIALOKIM TË NUMRIT TË PUNONJËSVE ORGANIKË NË APARATIN E DISA NJËSIVE TË QEVERISJES QENDRORE PËR VITIN 2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve të ministrisë përgjegjëse për financat, miratuar në buxhetin e vitit 2024, reduktohet me 113 (njëqind e trembëdhjetë) punonjës.
2. Numri i punonjësve të aparatit të ministrisë përgjegjëse për kulturën, miratuar në buxhetin e vitit 2024, reduktohet me 91 (nëntëdhjetë e një) punonjës.
3. Numri i punonjësve rezervë të buxhetit të miratuar për vitin 2024 reduktohet me 71 (shtatëdhjetë e një) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve rezervë në 29 (njëzet e nëntë) veta.
4. Numri i punonjësve të përmendur në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, alokohet në aparatin e ministrisë pëgjegjëse për ekonominë, kulturën dhe inovacionin dhe numri i punonjësve për këtë ministri bëhet 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) veta.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.65, DATË 8.2.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI I AKSEVE RRUGORE ‘UNAZA LINDORE, LOTI II’ DHE PROBLEMATIKAT E RRUGËVE DYTËSORE TË OBJEKTIT”’
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.65, datë 8.2.2023, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në pikën 3, vlera “… 51 783 837.3 (pesëdhjetë e një milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e tre mijë e tetëqind e tridhjetë e shtatë pikë tre) lekë …” zëvendësohet me “… 52 861 542.3 (pesëdhjetë e dy milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e pesëqind e dyzet e dy mijë pikë tre) lekë …”.
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 52 861 542.3 (pesëdhjetë e dy milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e pesëqind e dyzet e dy mijë pikë tre) lekësh, përballohet, si më poshtë vijon:
a) Vlera prej 51 783 837.3 (pesëdhjetë e një milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e tre mijë e tetëqind e tridhjetë e shtatë pikë tre) lekësh, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar;
b) Vlera prej 1 077 705 (një milion e shtatëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e pesë) lekësh, nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
c) Në pikën 10, pas emërtimit “Agjencia Shtetërore e Kadastrës …” shtohet “… Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 1…”.
ç) Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
4. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
5. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 1, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.469, DATË 26.7.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QENDRËS SË BOTIMEVE PËR DIASPORËN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 23, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.469, datë 26.7.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Krijimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën (në vijim “QBD”), si person juridik publik buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për arsimin.”.
b) Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Misioni i Qendrës së Botimeve për Diasporën është mbështetja e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë përmes botimit, sigurimit të teksteve mësimore dhe materialeve plotësuese.”.
c) Pikat 2 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. QBD-ja është përgjegjëse për:
a) botimin e teksteve dhe materialeve plotësuese që do t’i shërbejnë diasporës;
b) redaktimin përfundimtar të teksteve e të materialeve plotësuese që do të botohen;
c) nxitjen e aksesit on-line dhe të teksteve të veçanta për diasporën;
ç) nxitjen e krijimit të platformave digjitale të mësimdhënies dhe të formateve të posaçme për e-book;
d) sigurimin e teksteve mësimore për diasporën, në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara;
dh) mbulimin e shpenzimeve për shpërndarjen e teksteve mësimore e të materialeve plotësuese deri në misionet diplomatike të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit.”.
“3. Shtypja dhe sigurimi i teksteve mësimore dhe materialeve plotësuese, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, realizohet nga QBD-ja dhe shpenzimet përballohen nga buxheti i shtetit.”.
ç) Pikat 4 dhe 5 shfuqizohen.
d) Pas pikës 5 shtohen pikat 5/1, 5/2 dhe 5/3, me këtë përmbajtje:
“5/1. Kërkesat për tekste mësimore e materiale plotësuese, si dhe sasia e tyre mblidhen nga misionet diplomatike të Republikës së Shqipërisë në vendet pritëse të diasporës shqiptare. Ministria përgjegjëse për punët e jashtme i dërgon këto kërkesa të përcaktuara sipas vendeve, brenda muajit maj të çdo viti, në Qendrën e Botimeve për Diasporën dhe për dijeni ministrisë përgjegjëse për arsimin. Qendra e Botimeve për Diasporën siguron me shpenzimet e saj dërgimin e teksteve mësimore e të materialeve plotësuese në misionet diplomatike, duke i kërkuar asistencë për bashkëpunim ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme e cila i siguron QBD-së, në funksion të lehtësimit të procedurave doganore, dërgimin e botimeve, si cargo diplomatike. Misioni diplomatik asiston në shpërndarjen e tyre drejt kërkuesve të teksteve mësimore dhe materialeve plotësuese.
5/2. Nxënësit, që ndjekin mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, përfitojnë falas tekstet mësimore dhe materialet plotësuese të botuara dhe të siguruara nga Qendra e Botimeve për Diasporën.
5/3. Qendra e Botimeve për Diasporën përgatit informacionin vjetor për sasinë dhe mënyrën e shpërndarjes së teksteve mësimore e të materialeve plotësuese në diasporën shqiptare, të cilin e dërgon pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme.”.
dh) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. QBD-ja drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e Qendrës dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për arsimin. Drejtori emërohet, pezullohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, sipas përcaktimeve të mëposhtme:
a) Drejtor i QBD-së emërohet shtetasi që plotëson kriteret e mëposhtme:
i. Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
ii. Të ketë përfunduar një program studimi të ciklit të dytë apo të ketë diplomë ekuivalente me të, sipas ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”. Në rast të përfundimit të studimeve jashtë vendit, të zotërojë diplomë të ciklit të dytë, të njohur dhe të njësuar sipas kuadrit ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
iii. Të ketë të paktën 5 (pesë) vite përvojë pune në fushën e librit ose botimit;
iv. Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
v. Të mos jetë shkarkuar nga ushtrimi i detyrës ose funksioni publik me vendim të organit kompetent, që ka marrë formë të prerë;
vi. Të mos ketë masë disiplinore në fuqi.
b) Drejtori i QBD-së pezullohet nga detyra kur:
i. me vendim gjyqësor të formës së prerë vendoset masa e sigurimit personal ndaj tij; ose
ii. është në proces hetimi për kryerjen e një vepre penale.
c) Drejtori i QBD-së shkarkohet nga detyra në rastet e mëposhtme:
i. Kur ndaj tij ka një vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente për kryerjen e një vepre penale që dënohet me burgim;
ii. Për shkelje të rënda të ligjit;
iii. Kur ka kryer veprimtari në kundërshtim me aktet nënligjore, të nxjerra nga ministri përgjegjës për arsimin;
iv. Për parregullsi të theksuara ose të përsëritura dhe me pasoja gjatë kryerjes së detyrës.
ç) Drejtori i QBD-së lirohet nga detyra në këto raste:
i. Jep dorëheqjen;
ii. Mbush moshën e pensionit;
iii. Me vendim të komisionit mjekoligjor provohet paaftësia mendore ose fizike për kryerjen e detyrave;
iv. Merret masa disiplinore e largimit nga puna.”.
e) Pikat 8, 8/1, 9 dhe 10 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“8. Pranë QBD-së funksionon Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën, si organ vendimmarrës për çështjet e botimeve dhe aktiviteteve për diasporën.”.
“8/1. Pranë Qendrës së Botimeve për Diasporën funksionon Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës, si organ këshillimor për çështjet e mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë.”.
“9. Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën është organ kolegjial, i përbërë nga pesë anëtarë, i cili ka përfaqësues nga:
a) ministria përgjegjëse për arsimin, dy anëtarë;
b) ministria përgjegjëse për punët e jashtme, një anëtar;
c) Akademia e Shkencave e Shqipërisë, një anëtar;
ç) Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, një anëtar.”.
“10. Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën ka këto kompetenca:
a) Shqyrton kërkesat për botime për diasporën.
b) Miraton programet e botimeve të QBD-së, në përputhje me dokumentet strategjike për marrëdhëniet me diasporën.
c) Shqyrton dhe miraton propozimet e QBD-së për botimin e teksteve të tjera e të materialeve plotësuese për diasporën, të cilat i njoftohen ministrisë përgjegjëse për arsimin.
ç) Shqyrton dhe miraton propozimet e QBD-së për përcaktimin e kostove të teksteve e të materialeve plotësuese për diasporën, të cilat i njoftohen ministrisë përgjegjëse për arsimin.
d) Planifikon shpërndarjen e teksteve e të materialeve plotësuese të botuara nga QBD-ja.
dh) Merr vendime për çështje të tjera, që lidhen me veprimtarinë e QBD-së.”.
ë) Pika 11 shfuqizohet.
f) Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Anëtarët e Këshillit Koordinues të Botimeve për Diasporën emërohen dhe shkarkohen me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, me propozim të titullarit të institucionit përkatës. Ministri përgjegjës për arsimin cakton njërin nga anëtarët si kryetar të këtij Këshilli.
Anëtarët e Këshillit Koordinues të Botimeve për Diasporën përzgjidhen individë me përvojë pune në fushat e arsimit dhe diasporës.”.
g) Pas pikës 12 shtohet pika 12/1, me këtë përmbajtje:
“12/1. Këshilli mblidhet jo më pak se 4 (katër) herë në vit. Mbledhja e Këshillit thirret me nismën e kryetarit të Këshillit. Kryetari është i detyruar të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit kur kjo kërkohet me shkrim nga të paktën dy anëtarë të Këshillit ose nga drejtori i QBD-së. Kërkesa duhet të përmbajë qëllimin, çështjet që do të diskutohen në mbledhje dhe materialet përkatëse.
Sekretari i Këshillit duhet të njoftojë anëtarët e Këshillit për mbledhjen, me postë elektronike ose me shkrim, 5 (pesë) ditë pune para datës së caktuar për mbledhjen e Këshillit. Njoftimi për mbledhjen duhet të përmbajë datën, vendin e mbledhjes, rendin e ditës, si dhe materialin që do të shqyrtohet.
Rregulla të hollësishme për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues të Botimeve për Diasporën përcaktohen në rregulloren përkatëse të tij, e cila miratohet nga Këshilli.”.
gj) Pika 13, 13/1, 13/2 dhe 13/3 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“13. Anëtari i Këshillit Koordinues të Botimeve për Diasporën shkarkohet në këto raste:
a) Kur lirohet ose shkarkohet nga funksioni që ushtronte në institucionin që përfaqëson;
b) Me propozim të titullarit të institucionit të përfaqësuar, për shkak të ndryshimit të misionit e të detyrave që ai kryen në atë institucion;
c) Kur neglizhon kryerjen e detyrave dhe pjesëmarrjen e rregullt në mbledhjet e Këshillit Koordinues të Botimeve për Diasporën.”.
“13/1. Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës është organ kolegjial, i përbërë nga 10 (dhjetë) anëtarë, të cilët përzgjidhen nga radhët e mësuesve me origjinë shqiptare që punojnë në diasporë, organizatorë të zhvillimit të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë. Kryetari dhe anëtarët e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës emërohen dhe shkarkohen me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, me propozim të ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme dhe diasporën. Organizimi dhe funksionimi i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës realizohet sipas rregullave të parashikuara në rregulloren përkatëse të tij, e cila miratohet nga Këshilli.”.
“13/2. Anëtarët e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës janë mësues në diasporë dhe kanë të paktën 5 (pesë) vite eksperiencë pune në fushën e mësuesisë.”.
“13/3. Këshilli mblidhet jo më pak se 1 (një herë) në muaj. Mbledhja e Këshillit thirret me nismën e kryetarit të Këshillit. Kryetari është i detyruar të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit kur kjo kërkohet më shkrim nga të paktën dy anëtarë të Këshillit ose nga drejtori i QBD-së. Kërkesa duhet të përmbajë qëllimin, çështjet që do të diskutohen në mbledhje dhe materialet përkatëse.
Sekretari i Këshillit duhet të njoftojë anëtarët e Këshillit për mbledhjen, me postë elektronike ose me shkrim, 5 (pesë) ditë punë para datës së caktuar për mbledhjen e Këshillit. Njoftimi për mbledhjen duhet të përmbajë datën, vendin e mbledhjes, rendin e ditës, si dhe materialet që do të shqyrtohen.”.
h) Pikat 13/4, 13/5, 13/6 dhe 13/7 shfuqizohen.
i) Pas pikës 13/7 shtohet pika 13/8, me këtë përmbajtje:
“13/8. Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës ka këto kompetenca:
a) Jep informacione dhe mendime lidhur me çështjet e arsimit në gjuhën shqipe në diasporë si dhe bën propozime konkrete të lidhura me to;
b) Organizon në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme, ministrinë përgjegjëse për arsimin, si dhe Qendrën e Botimeve për Diasporën takime me arsimtarët në diasporë;
c) Jep mendime për botime të teksteve nga QBD-ja për mbështetjen e mësimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë;
ç) Jep mendime për përmirësimin e zhvillimit profesional të mësuesve në diasporë dhe të mënyrës së bashkëpunimit me ta.”.
j) Pikat 14, 15, 16 dhe 17 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“14. Ministri përgjegjës për arsimin, menjëherë pas shkarkimit të anëtarit, i kërkon institucionit të përfaqësuar në Këshillin Koordinues të Botimeve për Diasporën paraqitjen e emrit të kandidatit për anëtar të këtij këshilli.”.
“15. Shpërblimi i kryetarit dhe i anëtarëve të Këshillit Koordinues të Botimeve për Diasporën kryhet, sipas rregullave të përcaktuara për shpërblimin e anëtarëve të organeve kolegjiale.”.
“16. Struktura dhe organika e QBD-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrit përgjegjës për arsimin.”.
“17. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe të sjelljes së personelit të Qendrës së Botimeve për Diasporën miratohen nga ministri përgjegjës për arsimin, pas propozimit të drejtorit të saj.”.
k) Pika 19 shfuqizohet.
l) Pikat 20 dhe 21 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“20. QBD-ja ka stemën dhe logon e vet zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë”, “Ministria e Arsimit dhe Sportit”, “Qendra e Botimeve për Diasporën””.
“21. Vula e QBD-së ka formën dhe elementet sipas rregullave të prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare.”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Qendra e Botimeve për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.887, DATË 27.12.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT E MENAXHIMIT TË INVESTIMEVE PUBLIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 16 e 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.887, datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e menaxhimit të investimeve publike”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në fjalinë e parë, të pikës 1, pas togfjalëshit “… qartësisht të identifikuara …” shtohen fjalët “… pavarësisht burimit të financimit.”.
2. Në fund të pikës 3 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Përjashtim nga ky rregull bëjnë projektet e investimeve publike që lidhen me rikonstruksionin e ndërtesave publike, blerjen e pajisjeve elektronike apo të pajisjeve të zyrave.”.
3. Në pikën 6 bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) “Shpenzime kapitale administrative” përkufizohen si zëvendësimi i pajisjeve të vjetëruara gjatë ushtrimit të funksioneve nga njësia e qeverisjes qendrore apo blerje të pajisjeve të reja që lidhen me nivelin aktual të personelit ose rritjen e numrit të stafit. Njësitë e qeverisjes qendrore përgatitin propozimet dhe i paraqesin në ministrinë përgjegjëse për financat të shoqëruara me dokumentacionin e kërkuar, në përputhje me procedurat për vlerësim sipas aneksit 1, në përputhje me përcaktimin e nenit 22, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Projektet e vlerësuara sipas këtij klasifikimi do të paraqiten si pjesë përbërëse e kërkesave buxhetore, në kuadër të përgatitjes së Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA). Ministria përgjegjëse për financat shqyrton propozimet, duke i përfshirë, sipas rastit, në procesin e PBA-së apo buxhetin vjetor.”.
b) Kudo në përmbajtje të shkronjës “b” hiqet togfjalëshi “… PBA apo …”.
4. Në fund të paragrafit tё parё, tё pikës 7, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Gjatë procesit të programimit të projekteve të investimeve publike prioritet për financim kanë projektet ekzistuese.”.
5. Në pikën 8 bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Nё paragrafin e parё, pas fjalëve “Propozimet për projektet e reja të investimeve …” shtohen “… pavarësisht burimit të financimit …”.
b) Shkronjat “c” dhe “ç” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“c) Për projektet e investimeve publike, të cilat përfshihen në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, përpara maturimit, institucioni propozues paraqet studimin e fisibilitetit, duke siguruar cilësinë e tij në përputhje me përcaktimet e shtojcës 4, bashkëlidhur këtij vendimi, për të cilat:
i. ministria përgjegjëse për financat vlerëson përballueshmërinë buxhetore të projektit dhe risqet fiskale lidhur me deficitin buxhetor dhe borxhin publik;
ii. institucioni përgjegjës për programimin strategjik jep mendim për plotёsimin e dokumentacionit sipas kritereve të këtij vendimi dhe rivlerёsimin e përputhshmërinë me strategjitё kombëtare, sektoriale dhe ndërsektoriale;
iii. Agjencia e Trajtimit tё Koncesioneve (ATRAKO) jep mendim nё tёrёsi pёr pёrmbushjen e elementeve tё studimit tё fizibilitetit tё projektit, vetёm pёr projektet qё paraqiten sipas modulit PPP.”.
“ç) Projekti konsiderohet i maturuar me miratimin e Komitetit të Planifikimit Strategjik.”.
c) Pas shkronjёs “ç” shtohet shkronja “ç/1”, me këtë përmbajtje:
“ç/1) Institucioni përgjegjës për programimin strategjik reflekton ndryshimin e statusit tё maturitetit tё projekteve qё maturohen dhe rivlerёson rankimin e projekteve nё Listёn Unike tё Projekteve me Rёndёsi Kombёtare.”.
6. Nё pikёn 9 bёhen ndryshimi dhe shtesa e mёposhtme:
a) Fjalia e parё hiqet.
b) Pas togfjalёshit “… rankimin e projekteve …” shtohet “… tё maturuara …”.
7. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Për angazhimet buxhetore shumëvjeçare, që lidhen me projekte të reja investimesh publike, gjatë zbatimit të tyre nuk lejohet që në buxhetin e njësisë përkatëse të njësisë së qeverisjes qendrore të shpërndahen më pak se 20% e vlerës së plotë të projektit përkatës gjatë vitit të parë. Gjatë zbatimit të projekteve të investimeve publike nuk lejohet që në buxhetin e njësisë përkatëse të njësisë së qeverisjes qendrore të shpërndahen më pak se 30% e vlerës së plotë të projektit përkatës gjatë vitit të dytë dhe jo më pak se 30% e vlerës së plotë të projektit përkatës gjatë vitit të tretë, përveç rasteve ku përcaktohet ndryshe në dokumentin e studimit të fisibilitetit dhe projektet e reja të miratuara në PBA 2023-2025. Për projektet e investimeve publike me financim të huaj ndiqen rregullat e përcaktuara në marrëveshjet përkatëse me institucionin financiar.”.
8. Pas pikёs 13 shtohet pika 13/1, me këtë përmbajtje:
“13/1. Projektet e investimeve me statusin “i maturuar” në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, të miratuara me vendimin nr.447, datë 26.7.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Dokumentit të Politikave Prioritare 2024-2026”, përfshihen në PBA apo buxhetin vjetor, pasi:
a) institucioni përgjegjës për programimin strategjik tё kryejë rankimin e projekteve;
b) ministria përgjegjëse për financat tё vlerësojё përballueshmërinë buxhetore të projektit në përputhje me hapësirat fiskale.”.
9. Nё shtojcën 4 “Studimi i fisibilitetit”, bёhen shtesat e mёposhtme:
a) Nё paragrafin e dytё, pas togfjalёshit “Cilёsia e konceptimit …” shtohet “… dhe pёrmbajtjes …”.
b) Pas paragrafit tё tretё shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Bazuar në natyrën e projektit, institucioni propozues, duke argumentuar, mund të vlerësojë si të paaplikueshme një apo disa seksione të udhëzimit të mëposhtëm:”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN E ZYRAVE VENDORE TË AVOKATURËS SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1.5, të nenit 11, të ligjit nr.10 018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Avokatura e Shtetit në nivel vendor organizohet në 6 (gjashtë) zyra me kompetencat tokësore, si më poshtë vijon:
a) Zyra Vendore e Avokaturës së Shtetit Gjirokastër, me kompetencë tokësore në:
i. Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër;
ii. Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë;
b) Zyra Vendore e Avokaturës së Shtetit Korçë, me kompetencë tokësore në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë;
c) Zyra Vendore e Avokaturës së Shtetit Lushnjë, me kompetencë tokësore në:
i. Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat;
ii. Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës;
iii. Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë.
ç) Zyra Vendore e Avokaturës së Shtetit Shkodër, me kompetencë tokësore në:
i. Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës;
ii. Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë;
iii. Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
d) Zyra Vendore e Avokaturës së Shtetit Tiranë, me kompetencë tokësore në:
i. Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër;
ii. Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan;
iii. Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;
iv. Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë;
v. Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;
vi. Gjykatën Administrative të Apelit.
dh) Zyra Vendore e Avokaturës së Shtetit Vlorë, me kompetencë tokësore në:
i. Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier;
ii. Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
2. Ngarkohet Avokatura e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU