Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 14 Shtator 2022:
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QENDRËS SË TRAJNIMIT TË ADMINISTRATËS TATIMORE DHE DOGANORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore (në vijim, Qendra), si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për financat (në vijim, ministri), me seli në Tiranë.
2. Qendra ka për mision të sigurojë që kapacitetet e burimeve njerëzore të administratës tatimore dhe doganore në fushën fiskale të jenë në nivele të larta, me qëllim rritjen e performancës së tyre në kryerjen e detyrave dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve, që ofrojnë këto administrata ndaj tatimpaguesve.
3. Fushat e përgjegjësisë së Qendrës janë:
a) forcimi i njohurive specifike të nëpunësve të administratës tatimore dhe doganore në fushën fiskale nëpërmjet trajnimeve;
b) kërkimet studimore dhe analizat në fushën fiskale;
c) botimi i studimeve në fushën fiskale;
ç) krijimi i njohurive specifike fiskale për nëpunësit e administratës shtetërore, që kanë lidhje me fushën fiskale, sipas kërkesës dhe kur është e mundur nga Qendra.
4. Qendra financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme.
KREU II
PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË QENDRËS SË TRAJNIMIT TË ADMINISTRATËS TATIMORE DHE DOGANORE
5. Qendra ka përgjegjësi funksionale të organizojë punën për:
a) hartimin dhe zbatimin e programeve të trajnimit në fushën fiskale;
b) zhvillimin e procesit të trajnimit, përfshirë përzgjedhjen e trajnerëve dhe vlerësimin e të trajnuarve;
c) përgatitjen e botimeve në fushën fiskale kur Qendra ka kapacitetet dhe mundësitë e duhura.
6. Qendra ushtron përgjegjësitë funksionale, të përcaktuara në pikën 5, të këtij vendimi, kryerja e të cilave kërkon shkallë të lartë specializimi në fushën fiskale.
KREU III
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I QENDRËS SË TRAJNIMIT TË ADMINISTRATËS TATIMORE DHE DOGANORE
7. Qendra e shtrin veprimtarinë e saj për administratën tatimore dhe doganore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror, në formën e Drejtorisë së Përgjithshme.
8. Struktura dhe organika e Qendrës miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
9. Qendra drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet përpara ministrit dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët.
10. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, nëpunësve të Qendrës dhe trajnerëve të brendshëm rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. Trajnerët e jashtëm kontraktohen nëpërmjet kontratave të shërbimit.
11. Rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të Qendrës miratohet nga ministri, pas propozimit të drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës.
12. Rregullorja e trajnimeve, që përmban rregullat për zhvillimin e trajnimeve, organizimin e testimit në përfundim të trajnimeve, vlerësimin e të trajnuarve, si dhe bashkëpunimin e Qendrës me administratën tatimore dhe doganore miratohet nga ministri, pas propozimit të drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës.
13. Pranë Qendrës ngrihet dhe funksionon Këshilli Konsultativ, me qëllim këshillimin e saj në lidhje me politikat dhe strategjitë e trajnimit në fushën fiskale dhe programet e trajnimit.
14. Këshilli Konsultativ ka këtë përbërje:
a) Zëvendësministri përgjegjës për financat, i emëruar nga ministri, kryetar;
b) Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, anëtar;
c) Drejtori i Përgjitshëm i Doganave, anëtar;
ç) Drejtori i drejtorisë përgjegjëse për politikat fiskale dhe makroekonomike, në ministrinë përgjegjëse për financat, anëtar;
d) Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës, anëtar.
15. Gjatë punës së tij, Këshilli Konsultativ bazohet në legjislacionin përkatës për funksionimin e organeve te ngjashme në lidhje me rregullat e votimit, rendin e ditës, kuorumin dhe çështje të tjera të funksionimit të Këshilli Konsultativ.
16. Qendra ka këto detyra:
a) Organizon trajnime specifike fiskale: bazë, funksionale dhe të vazhdueshme;
b) Harton programet e trajnimit përkatëse, në bashkëpunim me organet tatimore dhe doganore, në përputhje me nevojat e tyre;
c) Lëshon certifikatën përkatëse të trajnimit për punonjësit dhe nëpunësit e administratës tatimore dhe doganore, pjesëmarrës në trajnim;
ç) Bashkëpunon me institucione të ngjashme dhe organizata brenda dhe jashtë vendit, sipas rregullave në fuqi;
d) Kryen kërkime studimore dhe analiza në fushën fiskale kur kërkohet;
dh) Dorëzon propozime, zbaton vetë ose në bashkëpunim me institucione dhe organizma publikë ose privatë dhe monitoron projekte përkatëse në fushën fiskale e të forcimit të kapaciteteve të organeve tatimore dhe doganore, brenda rolit e detyrave të Qendrës, të përcaktuara në këtë vendim kur kërkohet;
e) Dërgon për këshillim pranë Këshillit Konsultativ programet e trajnimit;
ë) Dërgon për njohje pranë Këshillit Konsultativ raportin vjetor të veprimtarisë;
f) Raporton jo më pak se dy herë në vit para ministrit përgjegjës të financave.
17. Qendra ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema e Qendrës përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Qendra e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
18. Vula e Qendrës ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit dhe kontrollit të vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU IV
PROGRAMET E TRAJNIMIT TË OFRUARA NGA QENDRA DHE TARIFAT
19. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe, bazuar në vlerësimin e nevojave të kryera, përkatësisht, nga këto dy drejtori të përgjithshme, Qendra harton:
a) programe të trajnimeve specifike fiskale bazë për punonjësit dhe nëpunësit e rinj të administratës tatimore dhe doganore, të punësuar dhe emëruar rishtazi, ata me kohëzgjatje jo më shumë se 1 (një) vit punë, me qëllim që të pajisen me njohuri të rëndësishme themelore përkatëse;
b) programe të trajnimeve funksionale specifike fiskale për punonjësit dhe nëpunësit e administratës tatimore dhe doganore, për specializim në vendin e punës, për zhvillimin e karrierës, ku njohuritë themelore dhe të përgjithshme thellohen përmes trajnimit, që lidhet me funksionet përkatëse administrative;
c) programe të trajnimeve të vazhdueshme specifike fiskale për të gjithë punonjësit dhe nëpunësit e administratës tatimore dhe doganore, të cilat përqendrohen në shkëmbimin e përvojave, transferimin e njohurive dhe dialogun ndërmjet stafit, përditësimin me legjislacionin dhe praktikat e reja të zbatueshme në administratën tatimore dhe doganore.
20. Qendra ofron trajnime për nëpunës jashtë administratës tatimore dhe doganore, që kanë lidhje me fushën fiskale, kur:
a) një institucion i administratës shtetërore, institucion i pavarur ose njësi e vetëqeverisjes vendore paraqet kërkesën për trajnimin e nëpunësve të tij;
b) ka kapacitetet e duhura të lira dhe nuk pengon realizimin e përgjegjësive funksionale për kryerjen e trajnimeve të planifikuara për nëpunësit e administratës tatimore dhe doganore;
c) për zhvillimin e trajnimit të tyre, nuk kërkohen shpenzime shtesë ose, kur këto shpenzime mbulohen nga fondet e buxhetit të shtetit;
ç) rregullat e organizimit parashikohen në rregulloren e trajnimeve të Qendrës.
21. Trajnimet zhvillohen me pjesëmarrje fizike në sallë ose me pjesëmarrje on-line. Trajnimet zhvillohen edhe si kombinim i pjesëmarrjes fizike në sallë dhe pjesëmarrjes on-line. Qendra ofron trajnime në distancë, sipas kërkesës, të cilat ndiqen invididualisht prej nëpunësve, që plotësojnë kushtet për t’u trajnuar në fushën e tatimeve dhe doganave. Rregullat për provueshmërinë e pjesëmarrjes përcaktohen në rregulloren e trajnimeve të Qendrës.
22. Qendra bashkëpunon me qendra, shkolla, institucione të tjera, universitete dhe organizma trajnimi, në bazë të marrëveshjeve, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
23. Trajnimet për punonjësit dhe nëpunësit e administratës tatimore dhe doganore jepen pa pagesë dhe gjatë kohës së trajnimit nëpunësi merr pagën e plotë. Punonjësit e tjerë të administratës shtetërore përfitojnë trajnimin pa pagesë, në rastet kur ka kërkesë nga institucionet përkatëse.
24. Përsëritësit e programeve të trajnimit do të paguajnë 10 000 (dhjetë mijë) lekë për program.
25. Njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë trajnimit bazë testohen me shkrim në “testimet e njohurive”, të organizuar në fund të procesit të trajnimit, për punonjësit, nëpunësit e rinj. Për kategoritë e trajnimit të vazhdueshëm dhe trajnimit funksional, të përcaktuar në këtë vendim, në fund të trajnimit përkatës organizohen “testime të performancës” në trajnim. Në fund të procesit, të gjitha kategoritë e pjesëmarrësve në trajnime, që kalojnë me sukses testimin përkatës, pajisen me certifikatë.
26. Rregullat e vlerësimit, testimit dhe konfirmimit të marrjes së trajnimeve përkatëse përcaktohen në rregulloren e trajnimeve të Qendrës.
27. Shkolla Shqiptare e Administratës Publike bashkëpunon me Qendrën në lidhje me përmbajtjen e trajnimit të detyrueshëm të nëpunësve në periudhë prove të njësive që realizojnë funksionet, për të cilat është krijuar dhe funksionon administrata tatimore dhe doganore.
KREU V
KRITERET PËR TRAJNERËT DHE PAGESA E TYRE
28. Qendra ka këto kategori të trajnerëve:
a) Trajnerë të brendshëm; dhe
b) Trajnerë të jashtëm.
29. Kriteret e përgjithshme për trajnerët e jashtëm, të cilët ofrojnë shërbimet e tyre për Qendrën, bazuar në legjislacionin e zbatueshëm për këtë kategori shërbimesh, janë, si më poshtë vijon:
a) Të punojnë ose të kenë eksperiencë pune në organet fiskale;
b) Të jenë Asisent lektor/lektor/profesor;
c) Të kenë ekspertizën që kërkojnë programet specifike të trajnimit.
30. Për zhvillimin e trajnimeve, Qendra të lidhë me trajnerët e jashtëm kontrata shërbimi me objektin e mëposhtëm:
a) Kontratë për trajnimin e punonjësve dhe nëpunësve të administratës tatimore dhe doganore e të tjerë;
b) Kontratë për hartimin e kurrikulave dhe materialeve trajnuese;
c) Kontratë për trajnimin e trajnerëve (ToT), kur është e nevojshme.
31. Trajnerët e jashtëm, me të cilët lidhen kontratat, sipas shkronjave “a” dhe “c”, të pikës 30, të këtij vendimi, ndahen në kategoritë e mëposhtme:
a) Trajnerë të jashtëm të kategorisë së ulët, trajnerët që kanë një diplomë “Master i shkencave” ose “Master i arteve” ose “Master profesional, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike” apo të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, dhe 3-5 vite përvojë pune në fushën përkatëse, për të cilën do të ofrojnë trajnimin;
b) Trajnerë të jashtëm të kategorisë së mesme, trajnerët që kanë një diplomë “Master i shkencave” ose “Master i arteve” ose “Master profesional të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike” apo të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, dhe 6-10 vite përvojë pune në fushën përkatëse, për të cilën do të ofrojnë trajnimin.
c) Trajnerë të jashtëm të kategorisë së lartë, trajnerët që kanë një diplomë “Master i shkencave” ose “Master i arteve” ose “Master profesional të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike” apo të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, dhe mbi 11 vite përvojë pune në fushën përkatëse, për të cilën do të ofrojnë trajnimin.
32. Trajnerë të jashtëm, me të cilët lidhen kontratat e parashikuara në shkronjën “b”, të pikës 30, zgjidhen individët që plotësojnë kriteret për të qenë trajnerë të jashtëm të kategorisë së lartë.
33. Masa e pagesës për trajnerët e jashtëm përcaktohet në kontratë dhe llogaritet në varësi të kategorisë së trajnerit e të orëve të trajnimit, përkatësisht:
a) për kontratat e parashikuara në shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 30, të këtij vendimi, masa e pagesës për çdo orë trajnimi 60-minutëshe për:
i. trajnerët e jashtëm të kategorisë së ulët të jetë 750 (shtatëqind e pesëdhjetë) lekë;
ii. trajnerët e jashtëm të kategorisë së mesme të jetë 1 000 (një mijë) lekë;
iii. trajnerët e jashtëm të kategorisë së lartë të jetë 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë.
b) për kontratat e parashikuara në shkronjën “b”, të pikës 30, të këtij vendimi, masa e pagesës për hartimin e kurrikulave apo të materialeve të trajnimit, të nevojshme për zhvillimin e 6 orëve 60-minutëshe, të jetë 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë;
c) në rastet e hartimit të kurrikulave apo të materialeve të trajnimit për më pak ose më shumë se 6 orë trajnimi 60-minutëshe, pagesa llogaritet në përpjesëtim me orët e trajnimit;
ç) në rastet e rishikimit të kurrikulave, pagesa të jetë deri në 50% të pagesës së përcaktuar, sipas shkronjës “b”, të kësaj pike.
KREU VI
BOTIMET DHE PRODUKTET INTELEKTUALE
34. Qendra bën botime ose publikime në fushat përkatëse.
35. E drejta e autorit për botimet dhe publikimet e kryera, të krijuara nga trajnerët, përfshirë trajnerët e jashtëm, apo nga personat që trajnohen nga Qendra, në kuadër të trajnimeve përkatëse i përket vetëm Qendrës.
KREU VII
DISPOZITA TË FUNDIT
36. Vendimi nr.1264, datë 16.12.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe funksionimin e Qendrës së Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore”, shfuqizohet.
37. Ngarkohet Qendra t’i propozojë për miratim ministrit përgjegjës për financat rregulloren e brendshme.
38. Nëpunësit dhe asetet e Qendrës së krijuar me vendimin nr.1264, datë 16.12.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe funksionimin e Qendrës së Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore”, transferohen në Qendrën e krijuar me këtë vendim.
39. Ngarkohen ministria përgjegjëse për financat dhe Qendra e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi në datën 1 janar 2023 dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË VENDEVE TË TRETA, SI SHTETE TË TRETA TË SIGURTA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së vendeve të treta, si shtete të treta të sigurta, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vendimi nr.159, datë 2.3.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së vendeve të treta të sigurta”, shfuqizohet.
3. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KAZAKISTANIT, PËR PËRJASHTIMIN E NDËRSJELLË TË KËRKESAVE PËR VIZA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kazakistanit, për përjashtimin e ndërsjellë të kërkesave për viza, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.720, datë 2.9.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kazakistanit, për përjashtimin nga kërkesat për vizë për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.524, DATË 29.7.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.204, DATË 19.2.2009, NR.611, DATË 11.6.2009, NR.677, DATË 18.6.2009, NR.805, DATË 22.7.2009, NR.1039, DATË 14.10.2009, NR.247, DATË 13.4.2010, NR.900, DATË 6.12.2011, NR.258, DATË 25.8.2015, NR.378, DATË 25.5.2016, NR.849, DATË 7.12.2016, NR.810, DATË 29.12.2017, NR.369, DATË 20.6.2018, NR.737, DATË 12.12.2018, NR.54, DATË 6.2.2019, NR.65, DATË 13.2.2019, NR.574, DATË 28.8.2019, NR.326, DATË 22.4.2020, NR.355, DATË 29.4.2020, NR.531, DATË 8.7.2020, NR.604, DATË 29.7.2020, NR.892, DATË 18.11.2020, NR.1083, DATË 24.12.2020, NR.1169, DATË 24.12.2020, NR.543, DATË 29.9.2021, PËR KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA DHE KOMPENSIMIN E PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN PREJ TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, si dhe në vijim të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lidhjet nga A në Ë, të listës bashkëlidhur vendimit nr.524, datë 29.7.2022, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohen me lidhjet nga A në Y, të listës që bashkëlidhet këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
TRAJTIMIN DHE MBULIMIN E SHPENZIMEVE FINANCIARE TË PERSONELIT USHTARAK DHE CIVIL TË MINISTRISË SË MBROJTJES DHE FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, GJATË KOHËS QË EMËROHEN ME DETYRË JASHTË VENDIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikave 1, shkronja “i”, e 3, të nenit 7, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
FUSHA E ZBATIMIT
1. Ky vendim zbatohet për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe punonjësit civilë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, vetëm në rastet kur në strukturë parashikohet përfaqësimi i barasvlershëm me gradat e personelit ushtarak, që emërohen me detyrë jashtë vendit dhe ushtrojnë detyrën si rezidentë në një shtet të huaj, në:
a) misionet diplomatike të Republikës së Shqipërisë;
b) përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s;
c) stafin ndërkombëtar, stafin ushtarak ndërkombëtar, strukturën e komandës, strukturën e forcës, agjencitë dhe qendrat e NATO-s;
ç) organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.
2. Për efekt të këtij vendimi, familjarë të personelit ushtarak dhe civil, që emërohen me detyrë jashtë vendit, janë bashkëshorti/ja, fëmijët, si dhe persona të tretë, në kujdestari, të cilët shoqërojnë personelin në detyrë.
KREU II
TRAJTIMI DHE MBULIMI I SHPENZIMEVE FINANCIARE PËR PERSONELIN USHTARAK DHE CIVIL TË MINISTRISË SË MBROJTJES DHE FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
1. Ministria e Mbrojtjes përballon shpenzimet për sigurimin e jetës së personelit ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, dhe të familjarëve të tyre, në rastet kur vendi pritës konsiderohet vend me rrezikshmëri të lartë. Sigurimi i jetës do të mbulohet për sa kohë vazhdon situata e rrezikshmërisë së lartë.
1.1 Rrezikshmëri e lartë, për efekt sigurimi, sipas këtij vendimi, konsiderohen situatat kur:
a) në shtetin pritës shpallet gjendja e luftës ose e jashtëzakonshme;
b) në shtetin pritës mbizotërojnë situata të përkeqësuara të sigurisë dhe të rendit publik, të cilat vlerësohen të rrezikshme për jetën.
1.2 Procedurat e përzgjedhjes së shoqërive të sigurimit kryhen nga Ministria e Mbrojtjes dhe i nënshtrohen legjislacionit shqiptar në fuqi për prokurimin publik.
2. Personeli ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, dhe familjarët shoqërues të tyre kanë të drejtë që, për raste urgjencash të jashtëzakonshme, të cilat vënë në rrezik shëndetin e tyre, të mjekohen në vendin pritës, me miratimin e eprorit direkt dhe sipas rregullave të strukturës ku bën pjesë, kur për një gjë të tillë nuk është parashikuar sigurimi shëndetësor. Në këtë rast, shpenzimet përballohen nga Ministria e Mbrojtjes.
3. Gjatë ushtrimit të detyrës, personeli ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, përfiton trajtim financiar të posaçëm, për mbulimin e shpenzimeve për:
a) transport personal dhe të familjarëve shoqërues nga Republika e Shqipërisë në vendin e emërimit dhe nga vendi i emërimit për në Republikën e Shqipërisë, në momentin e marrjes dhe të përfundimit të detyrës;
b) transport të sendeve dhe orendive personale në momentin e emërimit dhe përfundimit të detyrës. Transporti i sendeve dhe orendive personale bëhet nga Ministria e Mbrojtjes, deri në masën 7,5 m3 për çdo anëtar të familjes, pa kaluar limitin e 30 m3 për çdo familje. Kur transporti do të kryhet drejt një vendi tjetër jashtë Republikës së Shqipërisë, për shkak riemërimi, personeli ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, ka të drejtë të kryejë blerje nga operatorë ekonomikë të ndryshëm, brenda fondeve buxhetore të vëna në dispozicion për kryerjen e shpenzimeve. Blerja kryhet pas marrjes së jo më pak se të 3 (tri) ofertave nga operatorë ekonomikë të ndryshëm. Ofertat e operatorëve ekonomikë dërgohen në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila bën përzgjedhjen dhe miraton ofertën më të përshtatshme;
c) qira banese/zyre, sigurim banese, pajisje banese/zyre dhe kancelari;
ç) energji elektrike, ujë, telefon fiks, internet, gaz dhe ngrohje e banesës/zyrës;
d) një veshje zyrtare civile;
dh) blerje dhe sigurim automjeti zyrtar;
e) parkim, mirëmbajtje, karburant dhe taksa të ndryshme për automjetin zyrtar;
ë) ceremoni zyrtare dhe pritjeje të personelit ushtarak dhe civil në vendin pritës;
f) organizimin e aktiviteteve publicitare, në interes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë;
g) transport, fjetje, dieta ditore, taksë aktiviteti dhe shpenzimet për pagesa të ndryshme për udhëtime jashtë territorit të vendit pritës, kur këto kryhen në interes të Ministrisë së Mbrojtjes;
gj) transport, dieta ditore, taksë aktiviteti dhe shpenzimet për pagesa të ndryshme, si dhe për fjetje për aktivitete që organizohen brenda vendit pritës, mbi 200 km nga vendqëndrimi i përhershëm, kur këto kryhen në interes të Ministrisë së Mbrojtjes.
3.1 Ministri i Mbrojtjes përcakton me urdhër, periodikisht, kushtet kryesore të qiramarrjes për banesë/zyrë, si dhe listën e pajisjeve të nevojshme për ambientin e banimit/zyrës, në përputhje me tregun e pasurive të paluajtshme në vendin pritës dhe nevojat për prezantim.
3.2 Specifikimet dhe parashikimet e veçanta në lidhje me përballimin e shpenzimeve, të përmendura në këtë pikë, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Mbrojtjes.
4. Personeli ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, ka të drejtë të kryejë blerje nga operatorë ekonomikë të ndryshëm, brenda fondeve buxhetore të vëna në dispozicion për kryerjen e shpenzimeve, të shërbimeve/mallrave, të përmendura në shkronjat “c”, “dh”, “e” dhe “g”, të pikës 3, të këtij kreu. Blerja kryhet pas marrjes së jo më pak se të 3 (tri) ofertave nga operatorë ekonomikë të ndryshëm. Ofertat e operatorëve ekonomikë dërgohen në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila bën përzgjedhjen dhe miraton ofertën më të përshtatshme.
5. Pagesa e komisioneve bankare për të gjitha veprimet bankare për trajtimin dhe mbulimin e shpenzimeve financiare të personelit ushtarak dhe civil që emërohet me detyrë jashtë vendit, të përmendura në këtë vendim, mbulohen nga Ministria e Mbrojtjes.
6. Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, për raste të veçanta për personelin ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, dhe familjarët shoqërues, Ministria e Mbrojtjes mbulon vetëm shpenzimet e udhëtimit për kthimin në atdhe dhe rikthimin në shtetin ku është emëruar. Raste të veçanta, në kuptim të kësaj pike do të konsiderohen rastet e fatkeqësisë familjare, bashkimit familjar, rastet e sëmundjeve të familjarëve, vërtetuar sipas dokumentacionit përkatës dhe raste të tjera të paparashikuara, por që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me personelin ushtarak dhe civil që emërohet me detyrë jashtë vendit.
7. Në rast humbjeje të jetës së personelit ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, apo të pjesëtarit të familjes që e shoqëron në detyrë, shpenzimet për transportin e trupit në atdhe, si dhe ato të ceremonisë mortore përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
8. Të ardhurat për barrëlindje për personelin ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, gjatë kohës që është në detyrë, mbulohen nga sigurimet shoqërore, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
8.1 Në rast se personeli ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, vendos të vijojë lejen e barrëlindjes, pas periudhës 63-ditore nga lindja e fëmijës, atëherë personeli zëvendësohet në detyrë me urdhër të ministrit të Mbrojtjes. Në këtë rast, personeli i zëvendësuar në varësi të statusit që gëzon, do t’i nënshtrohet legjislacionit në fuqi.
KREU III
TRAJTIMI DHE MBULIMI I SHPENZIMEVE FINANCIARE PËR FAMILJARËT E PERSONELIT USHTARAK DHE CIVIL TË MINISTRISË SË MBROJTJES DHE FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
1. Ministria e Mbrojtjes mbulon shpenzimet për sigurimet shoqërore dhe sigurimin e detyrueshëm shëndetësor të bashkëshortit/es të personelit ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, për periudhën që ai/ajo e shoqëron personelin në shërbim. Masa e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për bashkëshortin/en të llogaritet, përkatësisht, si më poshtë vijon:
a) Për bashkëshortin/en, i cili/e cila përfiton pagë mujore, sipas pikës 2, të këtij kreu, kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore paguhen nga Ministria e Mbrojtjes, në përputhje me masën e pagës së përfituar dhe sipas legjislacionit shqiptar në fuqi;
b) Në rastet kur bashkëshorti/ja punësohet me kohë të pjesshme në strukturat e përcaktuara në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore paguhen nga Ministria e Mbrojtjes, në përputhje me parashikimet e legjislacionit shqiptar në fuqi.
2. Bashkëshorti/ja i/e personelit ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, përfiton pagë mujore në vlerën 50 % të pagës së pozicionit të punës, grada “nëntetar”, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e pagave dhe shtesave mbi pagë të punonjësve që shërbejnë me shërbim jashtë vendit. Paga mujore fillon pas paraqitjes pranë Ministrisë së Mbrojtjes, nga titullari i misionit ose postit të vërtetimit të shoqërimit të personelit ushtarak dhe civil që emërohet me detyrë jashtë vendit, nga bashkëshorti/ja në detyrë, në vendin pritës.
2.1. Bëjnë përjashtim nga ky rregull rastet kur bashkëshorti/ja e ushtarakut trajtohet me pagesë papunësie, sipas legjislacionit në fuqi, i cili/e cila vazhdon edhe gjatë kohës në mision.
2.2. Kjo pagë mujore i nënshtrohet ndalesave të tatimit mbi të ardhurat, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
2.3. Në rast se bashkëshorti/ja emërohet në një vend pune në vendin pritës, humbet të drejtën e përfitimit të pagës mujore.
2.4. Bashkëshorti/ja i/e personelit ushtarak ose civil i emëruar me detyrë jashtë vendit, që nuk e shoqëron atë në detyrë në vendin pritës, nuk përfiton pagën mujore të parashikuar në këtë pikë. Bashkëshortit/es kur nuk e shoqëron personelin ushtarak ose civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit për më shumë se 3 (tre) muaj të njëpasnjëshëm, i ndërpritet e drejta për pagë mujore.
3. Fëmijët nën moshën 18 vjeç, që jetojnë në vendin pritës me personelin ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, përfitojnë shpërblim mujor me vlerën 20 % të pagës së gradës “nëntetar”, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, për përcaktimin e pagave dhe shtesave mbi pagë të punonjësve që shërbejnë me shërbim jashtë vendit. Ky shpërblim i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Trajtimi financiar i fëmijës paguhet në llogarinë e personelit ushtarak dhe civil që emërohet me detyrë jashtë vendit.
4. Në rastet kur në vendin pritës çerdhet publike, kopshtet publike dhe shkollat publike janë me pagesë, shpenzimet përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes deri në përfundimin e arsimit të mesëm. Pagesa kryhet me miratimin e ministrit të Mbrojtjes, pas paraqitjes të dokumentacionit që vërteton masën e pagesës mujore/vjetore që duhet paguar, të lëshuar nga institucioni çerdhja, kopshti, shkolla publike përkatëse.
5. Në rastet kur në shtetin pritës programi mësimor në çerdhet publike, kopshtet publike dhe shkollat publike nuk zhvillohet në anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, shkollimi i fëmijëve të personelit ushtarak dhe civil, që emërohet me detyrë jashtë vendit, mund të bëhet në shkolla private të licencuara. Në këto raste, me miratimin e ministrit të Mbrojtjes mbulohet tarifa për shkollimin e fëmijëve, deri në masën 2 500 (dy mijë e pesëqind) euro në vit. Mbulimi i këtyre shpenzimeve bëhet nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Shpenzimet e tjera të shkollimit, si pagesa e librave, transporti, pjesëmarrja në aktivitete kulturore, sportive etj., përballohen nga personeli ushtarak dhe civil që emërohet me detyrë jashtë vendit.
KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE
1. Rregullat e përcaktuara në pikën 3.1, të kreut II, të këtij vendimi, do të zbatohen vetëm për kontratat e qirasë, të lidhura pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Vendimi nr.305, datë 12.3.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e shpenzimeve të atasheve ushtarakë, të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, që shërbejnë në shtabet e NATO-s e në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, dhe të ushtarakëve shqiptarë, që shërbejnë pranë organizatave ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare”, i ndryshuar, shfuqizohet.
4. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, DHE SHKËMBIMIN E PRONËS, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT NË ZONËN E PLANIFIKUAR PËR RINDËRTIM, SIPAS PLANIT TË DETYRUAR VENDOR PËR ZONËN E DËMTUAR PIKËSORE PËR 5 BANESA KOLEKTIVE, NË BASHKINË DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, dhe në vijim të vendimit nr.7, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për kushtet dhe procedurat për shpronësimet dhe/ose shkëmbimin e pronës, për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit”, të ndryshuar, e të vendimit nr.8, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kushteve dhe të kritereve të përfitimit të sipërfaqeve ndërtimore në objektet e reja për banim nga subjektet që posedojnë ndërtime të klasifikuara si ndërtime pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, dhe shkëmbimin e pronës, në funksion të procesit të rindërtimit në zonën e planifikuar për rindërtim, sipas planit të detyruar vendor për zonën e dëmtuar pikësore, për 5 banesa kolektive, në Bashkinë Durrës, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi dhe shkëmbimi i pronës bëhen në favor të Bashkisë Durrës.
3. Shkëmbimi i pasurive të paluajtshme, pronë private, për të cilat pronarët kanë pranuar kompensimin me shkëmbim për pasuritë e llojit “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jobanimi” me një pasuri të ardhshme në pronësi të shtetit, bëhet referuar legjislacionit në fuqi, sipas cilësimeve në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, si dhe marrëveshjeve/kontratave paraprake që janë lidhur/lidhen, ndërmjet Bashkisë Durrës dhe qytetarëve që shprehin dakordësinë, brenda periudhës së zbatimit të projektit.
4. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jobanimi”, në vlerën 7 270 855 (shtatë milionë e dyqind e shtatëdhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekë.
5. Vlera e përgjithshme e kompensimit prej 7 270 855 (shtatë milionë e dyqind e shtatëdhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekë përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit dhe i transferohet Bashkisë Durrës, në buxhetin e vitit 2022, në formën e transfertës së pakushtëzuar.
6. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë origjinale ose dublikatë, kartelën e pasurisë të rifreskuar, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Bashkisë Durrës, referuar aktmarrëveshjes së lidhur.
7. Shpronësimi fillon menjëherë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
8. Bashkia Durrës kryen likuidimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të shpronësuar, dhe bën shkëmbimin e pronës, referuar aktmarrëveshjeve të lidhura.
9. Afati i kryerjes së shpronësimit në vlerë monetare do të jetë momenti i fillimit të realizimit të projektit. Afati i kryerjes së shkëmbimit të pronës private me një pronë shtetërore të ardhshme, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, do të jetë në përfundim të realizimit të rindërtimit në zonën e planifikuar për rindërtim, sipas planit të detyruar vendor për zonën e dëmtuar pikësore, për 5 banesa kolektive, në Bashkinë Durrës.
10. Bashkia Durrës i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që brenda 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të shpronësimit dhe të shkëmbimit ose nga data që ka marrë formë të prerë vendimi i gjykatës, në rast se kompensimi kryhet nëpërmjet shkëmbimit të pronës private me një pasuri shtetërore të ardhshme, në kartelën e pasurisë për pronën truall, ku do të krijohet pasuria e ardhshme, regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, të bëjë regjistrimin e barrës ligjore, sipas legjislacionit në fuqi, në favor të pronarit privat, për përfitimin në të ardhmen të pasurisë shtetërore, kur kjo e fundit të regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Kur pronari/pronarët privat/privatë ka/kanë pranuar kushtet e shkëmbimit, pjesë të kërkesës për regjistrim janë dhe marrëveshjet përkatëse. Me regjistrimin e pasurisë së ardhshme në regjistrin përkatës pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me kërkesë të njësisë zbatuese dhe të përfaqësuesit të pronarit shtet bëhet regjistrimi i kalimit të të drejtave të pronësisë për pronën shtet, në favor të pronarit privat.
11. Bashkia Durrës brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin, i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të kryejë regjistrimin e pasurive pronë private të shpronësuara, sipas legjislacionit në fuqi dhe referuar aktmarrëveshjes së lidhur.
12. Gjatë periudhës së zbatimit të projektit, (përfundimin e punimeve) qytetarët, nëse nuk kanë në pronësi ose në posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet programeve të rindërtimit, të parashikuara në aktin normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, ose në legjislacionin në fuqi për strehimin social.
13. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Durrës për pasuritë e shpronësuara.
14. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
15. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Bashkia Durrës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, DHE SHKËMBIMIN E PRONËS, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT, NË ZONËN E RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE VORË, BASHKIA VORË, FAZA II
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, dhe në vijim të vendimit nr.7, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për kushtet dhe procedurat për shpronësimet dhe/ose shkëmbimin e pronës për interes publik në funksion të procesit të rindërtimit”, të ndryshuar, e të vendimit nr.8, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kushteve dhe të kritereve të përfitimit të sipërfaqeve ndërtimore në objektet e reja për banim nga subjektet që posedojnë ndërtime të klasifikuara si ndërtime pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, dhe shkëmbimin e pronës, në funksion të procesit të rindërtimit, që realizohet në zonën e re për zhvillim në njësinë administrative Vorë, Bashkia Vorë, faza II, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi dhe shkëmbimi i pronës bëhen në favor të Bashkisë Vorë.
3. Shkëmbimi i pasurive të paluajtshme, pronë private, për të cilat pronarët kanë pranuar kompensimin me shkëmbim për pasuritë e llojit “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jobanimi”, me një pasuri të ardhshme në pronësi të shtetit, bëhet referuar legjislacionit në fuqi, sipas cilësimeve në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, si dhe marrëveshjeve/kontratave paraprake që janë lidhur dhe do të lidhen, ndërmjet Bashkisë Vorë dhe qytetarëve që shprehin dakordësinë, brenda periudhës së zbatimit të projektit.
4. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, në vlerën 890 820 (tetëqind e nëntëdhjetë mijë e tetëqind e njëzet) lekë.
5. Vlera e përgjithshme e kompensimit prej 890 820 (tetëqind e nëntëdhjetë mijë e tetëqind e njëzet) lekësh përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit dhe i transferohet Bashkisë Vorë, në buxhetin e vitit 2022, në formën e transfertës së pakushtëzuar.
6. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë origjinale ose dublikatë, kartelën e pasurisë të rifreskuar, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Bashkisë Vorë, referuar aktmarrëveshjes së lidhur.
7. Shpronësimi fillon menjëherë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
8. Bashkia Vorë kryen likuidimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të shpronësuar, dhe bën shkëmbimin e pronës, referuar aktmarrëveshjeve të lidhura.
9. Afati i kryerjes së shpronësimit në vlerë monetare do të jetë momenti i fillimit të realizimit të projektit. Afati i kryerjes së shkëmbimit të pronës private me një pronë shtetërore të ardhshme, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, do të jetë në përfundim të realizimit të projektit për zhvillimin në zonën e re për zhvillim, në njësinë administrative Vorë, Bashkia Vorë, faza II.
10. Bashkia Vorë i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të shpronësimit dhe të shkëmbimit ose nga data që ka marrë formë të prerë vendimi i gjykatës, në rast se kompensimi kryhet nëpërmjet shkëmbimit të pronës private me një pasuri shtetërore të ardhshme, në kartelën e pasurisë për pronën “truall”, ku do të krijohet pasuria e ardhshme, regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, të bëjë regjistrimin e barrës ligjore, sipas legjislacionit në fuqi, në favor të pronarit privat, për përfitimin në të ardhmen të pasurisë shtetërore, kur kjo e fundit të regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Kur pronari/pronarët privat/privatë ka/kanë pranuar kushtet e shkëmbimit, pjesë të kërkesës për regjistrim janë dhe marrëveshjet përkatëse. Me regjistrimin e pasurisë së ardhshme në regjistrin përkatës pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me kërkesë të njësisë zbatuese dhe të përfaqësuesit të pronarit shtet, bëhet regjistrimi i kalimit të të drejtave të pronësisë për pronën shtet, në favor të pronarit privat.
11. Bashkia Vorë brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin, i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të kryejë regjistrimin e pasurive pronë private të shpronësuara, sipas legjislacionit në fuqi dhe referuar aktmarrëveshjes së lidhur.
12. Gjatë periudhës së zbatimit të projektit (përfundimin e punimeve), qytetarët, nëse nuk kanë në pronësi ose në posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet programeve të rindërtimit, të parashikuara në aktin normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, ose në legjislacionin në fuqi për strehimin social.
13. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vorë, për pasuritë e shpronësuara.
14. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
15. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Bashkia Vorë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU