Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Qershor 2022:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE NR.3038, FSHATI POVELÇË, NJËSIA ADMINISTRATIVE DËRMENAS, BASHKIA FIER, QARKU I FIERIT, NGA SHOQËRIA “EZ-5 ENERGY”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale nr.3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku i Fierit, nga shoqëria “EZ-5 ENERGY”, sh.p.k., me elementet e mëposhtme:
a) Emrin e aplikuesit: Shoqëria “EZ-5 ENERGY”, sh.p.k.;
b) Numrin e identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: L91325503D;
c) Tipin e centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapacitetin e instaluar: 10 MW;
d) Afatin e pritshëm të vënies në punë: Koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut fotovoltaik do të jetë brenda 24 (njëzet e katër) muajve nga marrja e lejes së ndërtimit;
dh) Vendndodhjen e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën kadastrale nr.3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku i Fierit;
e) Afatin e operimit: 49 (dyzet e nëntë) vite nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ose institucione të tjera të autorizuara kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe dokumentacionin e projektit;
g) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale nr.3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku i Fierit, e dhënë sipas këtyre rregullave, mund të transferohet te një subjekt i tretë, tërësisht ose pjesërisht, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
gj) Shoqëria “EZ-5 ENERGY”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ose institucioneve të tjera të autorizuara informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e përmendura në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “EZ-5 ENERGY”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj. Shoqërisë “EZ-5 ENERGY”, sh.p.k., i lind e drejta të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit fotovoltaik. Shoqëria “EZ-5 ENERGY”, sh.p.k., dhe shoqëria për qëllime të veçanta do të jenë bashkërisht përgjegjëse për detyrimet sipas këtij miratimi dhe kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shoqëria “EZ-5 ENERGY”, sh.p.k., duhet t’i derdhë tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “EZ-5 ENERGY”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Entela Ramosaçaj emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NË BASHKITË KAMZË DHE LEZHË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 152 560 950 (njëqind e pesëdhjetë e dy milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) lekë, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para sipas aktekspertizave të thelluara, në bashkitë Kamzë dhe Lezhë, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Kamzë, në masën 127 500 000 (njëqind e njëzet e shtatë milionë e pesëqind mijë) lekë;
b) Bashkisë Lezhë, në masën 25 060 950 (njëzet e pesë milionë e gjashtëdhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) lekë.
2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, nga bashkitë Kamzë dhe Lezhë, në masën 91 536 570 (nëntëdhjetë e një milionë e pesëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para sipas aktekspertizave të thelluara, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Kamzë i transferohet fondi në formën e transfertës së pakushtëzuar, në masën 76 500 000 (shtatëdhjetë e gjashtë milionë e pesëqind mijë) lekë;
b) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi në formën e transfertës së pakushtëzuar, në masën 15 036 570 (pesëmbëdhjetë milionë e tridhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë.
3. Efekti financiar për vitin 2022 të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë dhe u transferohet bashkive Kamzë dhe Lezhë në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para.
4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kamzë dhe Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SEKTORIALE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, QË PËRCAKTON DISPOZITAT E MENAXHIMIT DHE ZBATIMIT TË ASISTENCËS FINANCIARE TË BASHKIMIT EVROPIAN PËR REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, NË KUADËR TË PROGRAMIT PËR ZHVILLIMIN RURAL TË INSTRUMENTIT PËR ASISTENCËN E PARAANËTARËSIMIT (IPARD III)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes sektoriale, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, që përcakton dispozitat e menaxhimit dhe zbatimit të asistencës financiare të Bashkimit Evropian për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të programit për zhvillimin rural të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPARD III), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.79, DATË 31.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NJËSIA ADMINISTRATIVE 1, ZONA AUTOTRAKTORI, BASHKIA TIRANË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË TIRANË SI NJËSI ZBATUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nënndarjeve “iii” dhe “iv”, të shkronjës “b”, të nenit 13, e të pikës 3, të nenit 16, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.79, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Titulli i vendimit ndryshohet dhe bëhet, si më poshtë vijon:
“Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, njësia administrative 1, zona Autotraktori, Bashkia Tiranë, dhe caktimin e shoqërisë “Tirana DC”, sh.a., si njësi zbatuese.”.
2. Në pikën 2, fjalët “… Bashkisë Tiranë …” zëvendësohen me “… shoqërisë “Tirana DC”, sh.a., …” .
II. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Bashkia Tiranë dhe shoqëria “Tirana DC”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.793, DATË 24.9.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ZBATIMIN E LIGJIT NR.10142, DATË 15.5.2009, “PËR SIGURIMIN SHOQËROR SUPLEMENTAR TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË GARDËS SË REPUBLIKËS, TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, TË POLICISË SË BURGJEVE, TË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE TË SHPËTIMIT E TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 4, 5, pika 1, 11, 22, 23, pika 1, 26 e 29, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.793, datë 24.9.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në vendim, emërtimi “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm” zëvendësohet me “Agjencia e Mbikëqyrjes Policore” dhe akronimi “SHKB” zëvendësohet me “AMP”.
2. Në kreun I, “Vjetërsia në shërbim”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në paragrafin e parë, fjalët “… nr.10002, datë 6.10.2008, “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme …” zëvendësohen me “… nr.128/2021, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore …”.
b) Pika 12 e shkronjës “A” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Periudha e shërbimit si punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore nga data e pranimit në Agjenci deri në datën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës me Agjencinë.”.
3. Në shkronjën “D”, të kreut II, pas fjalëve “… të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit …” shtohen fjalët “… të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore …”.
II. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe ministritë e institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
RREGULLAT, MËNYRAT DHE AFATET E TRAJTIMIT TË POSEDUESVE TË NDËRTIMEVE PA LEJE QË NUK LEGALIZOHEN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 33, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:
a) “Ligji”, ligji nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
b) “Përfitues”, subjekti që trajtohet me një nga format e shpërblimit ose të trajtimit të veçantë, të parashikuara në këtë vendim, për shkak të përjashtimit nga legalizimi të ndërtimit pa leje, për shkaqe të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi.
c) “Organ përgjegjës”, njësia e vetëqeverisjes vendore ose institucioni përfitues i veprës, sipas rasteve të përcaktuara në këtë vendim.
ç) “Databazë”, baza e të dhënave të proceseve kalimtare, e krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
d) “Organ kompetent”, enti zbatues që kryen investimin e veprës publike.
dh) “Programe të strehimit të përshtatshëm”, programet që shërbejnë për strehimin e familjeve dhe/ose të individëve që janë përfitues të trajtimit, në kuptim të këtij vendimi, pavarësisht mundësisë ekonomike dhe financiare për të siguruar një banesë apo posedimit të banesave të tjera. Përfituesit e këtij programi, me lidhjen e marrëveshjes përkatëse, pajisen me shtëpi banimi, me sipërfaqe, në masën e parashikuar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
e) “Fondi i banesave”, tërësia e banesave në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore apo subjekteve përfituese të veprës, të ndryshme nga njësia e vetëqeversjes vendore, që krijohet nëpërmjet blerjeve në treg të lirë, investimeve për ndërtime të reja, kalimit të pronësisë nga partneritete publike private ose nëpërmjet përfitimit nga mënyrat e tjera, që vijnë nga ndërtimet private, si dhe nga burime të tjera, të parashikuara në ligjin për strehimin social apo nga forma të tjera të ligjshme të përfitimit të pronës.
ë) “Marrëveshje e bashkëpunimit institucional”, marrëveshja që lidhet midis organit përgjegjës dhe entit zbatues të veprës, nëse janë të ndryshëm, me qëllim koordinimin e punës për zbatimin me efikasitet të këtij vendimi.
f) “Marrëveshje për përfitimin e trajtimit ose MPT”, marrëveshja që lidhet midis organit përgjegjës dhe përfituesit, me qëllim përfitimin nga ky i fundit të formave të parashikuara nga ky vendim për trajtimin e përfituesve. Në hartimin e marrëveshjes MPT përllogaritjet bëhen sipas metodologjisë së përcaktuar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Nuk është përfitues sipas këtij vendimi poseduesi, ndërtimi pa leje i të cilit gjendet në një nga këto kushte:
a) Nuk përfshihet në fushën e zbatimit të ligjit, sipas përcaktimeve të neneve 17, pika 1, dhe 69, pika 9, të tij;
b) Nuk ka cilësitë që e klasifikojnë si ndërtim pa leje, sipas përcaktimit të pikës 12, të nenit 4, të ligjit;
c) Është objekt që gjendet në rrethanat e nenit 29, pika 1, të ligjit dhe që trajtohet sipas pikës 3, të të njëjtit nen;
ç) Për të është hequr dorë nga poseduesi nga e drejta për të përfituar legalizim, sipas përcaktimeve të neneve 21, pika 4, dhe 33, pika 3, të ligjit;
d) Për ndërtimin është deklaruar përfundimi i procedurës administrative pa vendim përfundimtar, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave që përcakton rregullat e evidentimit të ndërtimeve pa leje;
dh) Është përjashtuar nga legalizimi përpara hyrjes në fuqi të ligjit dhe akti administrativ i përjashtimit mbetet në fuqi.
II. MËNYRAT DHE AFATET E TRAJTIMIT TË POSEDUESVE TË NDËRTIMEVE PA LEJE QË NUK LEGALIZOHEN
1. Përfituesi, të cilit i është njoftuar përjashtimi nga legalizimi i ndërtimit pa leje, trajtohet me një nga format e shpërblimit ose të trajtimit të veçantë të parashikuara në këtë vendim, si më poshtë vijon:
a) Trajtim përmes fondit të banesave, në zbatim të marrëveshjes MPT që lidhet midis organit përgjegjës, në këtë rast njësisë së vetëqeverisjes vendore, dhe përfituesit;
b) Trajtim në forma alternative, në zbatim të marrëveshjes MPT që lidhet midis organit përgjegjës, në këtë rast subjekti përfitues i veprës i ndryshëm nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
2. Përveç trajtimeve të parashikuara në pikën 1, të kreut II, të këtij vendimi, përfituesit, që nuk zotërojnë asnjë banesë tjetër në njësinë e vetëqeverisjes vendore, të ligjshme apo pa leje, por të legalizueshme, përveç ndërtimit të përjashtuar nga legalizimi, përfitojnë edhe trajtim financiar në formën e bonusit të qirasë për një afat 3-vjeçar nga momenti i firmosjes së marrëveshjes dhe lëshimit të godinës. Fondet për mbulimin e këtij detyrimi përballohen nga organi përgjegjës.
Në rastet kur organi përgjegjës dhe organi kompetent i zbatimit të projektit janë të ndryshëm, fondet për mbulimin e këtij detyrimi përballohen:
a) për vitin e parë të hyrjes në fuqi të këtij vendimi, në masën 100% nga buxheti i shtetit;
b) për vitin e dytë të hyrjes në fuqi të këtij vendimi, në masën 60% nga buxheti i shtetit dhe 40% nga organi përgjegjës;
c) për vitin e tretë të hyrjes në fuqi të këtij vendimi, në masën 30% nga buxheti i shtetit dhe 70% nga organi përgjegjës.
Në rastet kur organi përgjegjës dhe organi kompetent i zbatimit të veprës publike janë i njëjti entitet, trajtimi financiar në formën e bonusit të qirasë përballohet nga buxheti i i tij.
3. Organi përgjegjës për kryerjen e procedurave, me qëllim miratimin dhe realizimin e trajtimit të përfituesit sipas pikave 1, shkronja “a”, dhe 2, të kreut II, të këtij vendimi, është njësia e vetëqeverisjes vendore ku ndodhet objekti i ndërtimit i përjashtuar nga legalizimi.
Organi përgjegjës për kryerjen e procedurave, me qëllim miratimin dhe realizimin e trajtimit të përfituesit sipas pikave 1, shkronja “b”, dhe 2, të kreut II, të këtij vendimi, është subjekti përfitues i veprës apo institucioni publik kompetent, fusha e përgjegjësisë/veprimtarisë të të cilit lidhet me projektin e veprës publike apo shkakun ligjor të moslegalizimit.
4. Me miratimin e projektit të veprës publike nga organi kompetent, nëse në zonën e realizimit të tij rezultojnë objekte të cilat në bazën e të dhënave të proceseve kalimtare pranë ASHK-së kanë statusin si objekte të palegalizueshme, midis institucionit kompetent për realizimin e projektit të veprës publike, organi përgjegjës sipas pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, dhe subjektit zbatues të veprës publike, nëse janë të ndryshëm, lidhet një marrëveshje bashkëpunimi në të cilën përcaktohen:
a) detyrat specifike të secilit prej tyre në cilësinë e organit përgjegjës, në kuadër të realizimit dhe zbatimit të procedurës së trajtimit, në kuptim të këtij vendimi;
b) fondi i banesave që do të vihet në dispozicion të përfituesve, në kuadër të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi;
c) fondi i nevojshëm financiar me qëllim kryerjen e pagesave të qirasë që akordohen në favor të përfituesve, në kuptim të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi;
ç) një sekretariat përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit, i përbërë nga përfaqësues të secilit institucion/subjekt.
Moslidhja e marrëveshjes së bashkëpunimit nuk përjashton organin përgjegjës nga detyrimi për të proceduar në kuadër të detyrimeve të këtij vendimi.
5. Përfituesi vijon të posedojë ndërtimin pa leje deri në momentin e përfitimit të trajtimit sipas pikës 1 dhe/ose pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi. Objekti i palegalizueshëm nuk mund të tjetërsohet pasi nuk përbën send të qarkullueshëm në qarkullimin civil dhe as kalimi i së drejtës së legalizimit nuk mund të realizohet pas miratimit të projektit/pas miratimit të vendimit për moslegalizim.
6. Përfituesit, përjashtimisht, mund t’i hiqet nga posedimi ndërtimi që nuk legalizohet përpara përfitimit të trajtimit nëse:
a) ndërtimi pa leje preket nga një projekt që përbën interes publik, në kuptim të legjislacionit për shpronësimet për interes publik, me kushtin që institucioni zbatues i projektit të ketë kërkuar shprehimisht ekzekutimin e menjëhershëm;
b) ndërtimi pa leje nuk legalizohet për shkak se nga evidentimi faktik në terren është provuar se objekti cenon integritetin strukturor dhe/ose funksional të një ndërtese në pronësi private;
c) pavarësisht shkakut të moslegalizimit, është vërtetuar nëpërmjet aktekspertizës së një autoriteti publik, enti ose eksperti të licencuar se ndërtimi pa leje cenon sigurinë e jetës, shëndetit ose pasurinë e vetë poseduesit apo të të tretëve.
ç) ndërtimi pa leje është me funksion social-ekonomik ose ndërtim i dytë dhe njëkohësisht është ngritur mbi truall privat, në pronësi të të tretëve;
d) ndërtimi pa leje nuk legalizohet për shkak se drejtoria vendore e ASHK-së është njoftuar për ekzistencën e një vendimi gjykate të formës së prerë, me të cilin është vendosur pranimi i padisë për kthimin e sendit, sipas pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Shembja e ndërtimit pa leje në këtë rast kryhet sipas procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm, të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile.
7. Për subjektet përfituese të trajtimit financiar, të parashikuar në pikën 2, të kreut II, të këtij vendimi, godina nuk mund të lirohet dhe ndërtimi nuk mund të prishet përpara se organi përgjegjës të ketë pajisur përfituesin me trajtimin financiar për pagesën e qirasë, të parashikuar në pikën 2, të kreut II, të këtij vendimi. Ngritja e padive ose shqyrtimi gjyqësor i një çështjeje civile apo administrative lidhur me pretendimet e përfituesit apo veprimet e organit përgjegjës/zbatues nuk pezullon procedurat e zbatimit të projektit.
8. Drejtoria vendore e ASHK-së njofton subjektin sipas pikës 30, të vendimit nr.1040, datë 25.11.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të zbatimit të kritereve të legalizimit dhe miratimin e modelit të aktit të legalizimit për ndërtimet pa leje”, ku në përmbajtje të njoftimit përcaktohet statusi i subjektit si përfitues, në kuptim të nenit 33 të ligjit, si dhe i bashkëlidhet kopje e ekstraktit të bazës së të dhënave.
9. Drejtoria vendore e ASHK-së, në përgjigje të kërkesës së organit përgjegjës, i dërgon organit përgjegjës për kryerjen e procedurës së trajtimit:
a) kopje të vendimit të moslegalizimit;
b) dokumentacionin hartografik (genplan dhe planimetri);
c) ekstraktin nga baza e të dhënave për ndërtimin që nuk legalizohet;
ç) informacion kadastral;
d) të dhëna nëse përfituesi zotëron ose jo banesë tjetër të ligjshme brenda territorit të njësisë së vetëqeverisjes vendore apo pa leje ku, do të zhvillohet projekti.
9.1. Dërgimi i këtij dokumentacioni bëhet, në varësi të rastit, duke ndjekur afatet e mëposhtme:
i. Brenda 7 (shtatë) ditëve nga miratimi i vendimit të moslegalizimit, kur janë të pranishme rrethanat e parashikuara në pikën 6, të kreut II, të këtij vendimi;
ii. Brenda javës së parë të çdo muaji, shoqëruar me listën përmbledhëse të subjekteve dhe ndërtimeve të përjashtuara gjatë muajit paraardhës, për të gjitha rastet e tjera kur nuk lind nevoja për shembjen ose lirimin e “menjëhershëm” të ndërtimit.
10. Organi përgjegjës për trajtimin e subjektit përfitues pas administrimit të dokumentacionit dhe informacionit nga drejtoria vendore e ASHK-së fillon procedurën e akordimit të trajtimit dhe kryen veprimet, si më poshtë vijon:
a) Njofton mbajtësin e statusit të përfituesit për fillimin e negociatave për lidhjen e marrëveshjes MPT, ku i bën me dije formën e trajtimit dhe procedurën e realizimit të saj, duke i kërkuar të zgjedhë një nga format e trajtimit, përcaktuar në pikat 1 dhe 2, të kreut II, të këtij vendimi.
Moslidhja e marrëveshjes MPT nga ana e përfituesit brenda afatit 30-ditor nga njoftimi i kryer nga organi përgjegjës nuk pezullon zbatimin e projektit.
Në rastet kur është e nevojshme shembja e menjëhershme e ndërtimit, institucioni përgjegjës zbaton detyrimisht përcaktimet e pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi.
b) Me lidhjen e marrëveshjes MPT, përfituesi brenda 20 (njëzet) ditëve përfiton pagesën e qirasë në kushtet e pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi për një afat 3-vjeçar.
11. Vlera e bonusit të qirasë, vlera e njësisë së banimit të përftuar në pronësi, si dhe vlera e çdo trajtimi alternativ, i parashikuar në MPT, përbëjnë vlerën e shpërblimit financiar, në kuadër të trajtimit nga shteti të përfituesit në zbatim të parashikimit të nenit 33 të ligjit, për efekt njohjeje të vlerës së investimit të ndërtimit të poseduar prej tij, e cila nuk përbën pronë, në kuptim të legjislacionit të zbatueshëm në fuqi.
Në rastet kur subjekti përfitues, pas 6 (gjashtë) muajve nga marrja e njoftimit të parashikuar në pikën 10, të kreut II, të këtij vendimi, nuk pranon asnjë nga format e trajtimit social-ekonomik, të parashikuar në këtë vendim, apo refuzon trajtimin, sipas parashikimeve të nenit 33, të ligjit nr.20/2020,“Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, subjekti përfitues do të konsiderohet se ka hequr dorë nga e drejta e parashikuar në nenin 33, të ligjit dhe do të konsiderohet si i trajtuar nga shteti.
12. Ngarkohen ministritë, njësitë e vetëqeverisjes vendore, entet publike, organet publike që ngarkohen me detyra nga ky vendim dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MARRJEN E MASAVE PËR RUAJTJEN E TRASHËGIMISË KULTURORE NË RASTET E FATKEQËSIVE NATYRORE DHE KONFLIKTEVE TË ARMATOSURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 11, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës dhe të ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i masave për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në rastet e:
a) fatkeqësive natyrore; dhe
b) konflikteve të armatosura.
2. Autoritetet shtetërore qendrore dhe vendore, njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe pronarët ose poseduesit e pasurive kulturore, përfshirë bashkësitë fetare të njohura zyrtarisht, kanë detyrimin, nëpërmjet bashkëpunimit dhe koordinimit, për marrjen e masave për ruajtjen e trashëgimisë kulturore gjatë fatkeqësive natyrore dhe konflikteve të armatosura.
II. STRUKTURAT PËRGJEGJËSE PËR RUAJTJEN E TRASHËGIMISË KULTURORE DHE BASHKËPUNIMIN NDËRINSTITUCIONAL NË RASTET E FATKEQËSIVE NATYRORE
1. Ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe ministria përgjegjëse për mbrojtjen e mbrojtjen civile janë përgjegjëse për marrjen e masave për zvogëlimin e riskut, si dhe organizimin e angazhimin për përballimin e emergjencave civile në rastet e fatkeqësive natyrore dhe konflikteve të armatosura.
2. Strukturat përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore janë:
a) Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore;
b) Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore;
c) Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë;
ç) Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër;
d) Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat;
dh) Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë;
e) Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë;
ë) Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër;
f) njësitë e administrimit dhe koordinimit të parqeve arkeologjike;
g) muzetë, sipas parashikimeve të nenit 193, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”;
gj) institucionet e Rrjetit Arkivor Kombëtar;
h) Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë;
i) Instituti i Arkeologjisë, në varësi të Akademisë së Studimeve Albanologjike;
j) Instituti i Antropologjisë dhe Studimit të Artit, në varësi të ASA-s;
k) njësitë e vetëqeverisjes vendore, që administrojnë muze vendorë dhe fondet e pasurive kulturore në administrim të institucioneve kulturore;
l) institucionet publike qendrore, që administrojnë pasuri kulturore;
ll) struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e trashëgimisë kulturore.
3. Njësia përgjegjëse për çështjet e mbrojtjes civile në ministrinë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore bashkërendon punën me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe institucionet e specializuara në fushën e trashëgimisë kulturore, të përcaktuara në pikën 2, të këtij kreu, për:
a) parandalimin, zvogëlimin dhe menaxhimin e riskut të fatkeqësive natyrore në pasuritë kulturore;
b) marrjen e masave përgatitore për mbrojtjen e pasurive kulturore;
c) menaxhimin e riskut të fatkeqësive natyrore në pasuritë kulturore;
ç) rikonstruksionin dhe kthimin e pasurive kulturore në gjendjen e tyre fillestare.
4. Bashkëpunimi ndërinstitucional, në rastet e fatkeqësive natyrore, realizohet nëpërmjet komunikimit zyrtar ndërmjet institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjen civile. Në rastet e komunikimit verbal, këto institucione ruajnë përmbajtjen e këtyre komunikimeve nëpërmjet përdorimit të mjeteve të teknologjisë.
III. MASAT PËR RUAJTJEN E PASURIVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE NË RAST TË FATKEQËSIVE NATYRORE
1. Masat paraprake për ruajtjen e pasurive kulturore, në rastin e fatkeqësive natyrore, janë:
a) masat paraprake;
b) masat për përballimin dhe rehabilitimin.
2. Masa paraprake për ruajtjen e pasurive të trashëgimisë kulturore, në rastin e fatkeqësive natyrore, janë:
a) hartimi dhe përditësimi i planit të emergjencave civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, në nivel qendror, nga ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore;
b) hartimi, miratimi dhe përditësimi i planit të emergjencave civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, në nivel qarku dhe në nivel vendor, në përputhje me parashikimet në legjislacionin në fuqi për emergjencat civile;
c) inspektimi dhe monitorimi periodik i gjendjes së pasurive kulturore nga institucionet e specializuara për trashëgiminë kulturore, në kuadër të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore sipas zonave të administrimit;
ç) hartimi i një database-i të integruar të riskut, sipas një formati të unifikuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, drejtoritë rajonale të trashëgimisë kulturore, njësitë e administrimit dhe koordinimit të parqeve arkeologjike, muzeve, ku përcaktohet/n:
i. lista e riskut, ku identifikohen pasuritë kulturore të dëmtuara paraprakisht, ato të rrezikuara apo me potencial rreziku në të ardhmen në bazë të tipologjisë së riskut nga fatkeqësitë natyrore, të ndara sipas karakteristikave të pasurisë kulturore apo sipas zonave;
ii. rreziqet që kërcënojnë trashëgiminë kulturore të ndara sipas karakteristikave të pasurive kulturore apo sipas zonave;
iii. kontaktet e poseduesve të pasurive kulturore.
d) rishikim i database-it në mënyrë periodike, çdo 2 (dy) vjet, me përjashtim të rasteve të veçanta kur miratohet nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), që i komunikohet dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile;
dh) kryerja e vlerësimit të riskut nga fatkeqësitë të pasurive kulturore, në nivel qendror, në nivel qarku dhe në nivel vendor, nga institucionet përgjegjëse përkatëse;
e) organizimi i sistemit të paralajmërimit të hershëm, njoftimit dhe sistemit të alarmit, në rast fatkeqësie natyrore, nga institucionet e specializuara për trashëgiminë kulturore;
ë) vendosja e sinjalistikës në pasuritë kulturore dhe në institucionet e trashëgimisë kulturore të aksesueshme për publikun;
f) regjistrimi dhe inventarizimi pranë Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) dhe digjitalizimi i pasurive kulturore dhe materialeve arkeologjike, të cilat qëndrojnë in situ, të ekspozuara në zona arkeologjike/parqe arkeologjike nga autoritetet që i kanë në administrim/posedim ato;
g) hartimi i planeve të menaxhimit të riskut dhe sigurimit të masave të shpëtimit në rastet e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera, të cilat mund të jenë pjesë përbërëse të planeve të menaxhimit të integruar të pasurive kulturore, në zbatim të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”. Në rastin e pasurive kulturore me rëndësi të veçantë apo në rastet kur risku është më i lartë, plani i riskut është dokument më vete;
gj) hartimi i planeve të veprimit sipas llojit të fatkeqësisë natyrore;
h) hartimi i planeve të emergjencës për zhvendosjen dhe grumbullimin e pasurive kulturore të luajtshme. Lista e pasurive miratohet nga KKTKM-ja, sipas propozimit të argumentuar të institucioneve që kanë në administrim këto pasuri. Zhvendosja bëhet sipas parashikimeve të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”;
i) trajnimi i strukturave përgjegjëse, me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore;
j) sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik, pronarëve dhe/ose administratorëve të pasurive kulturore për parandalimin e risqeve të fatkeqësive natyrore e ruajtjen e pasurive kulturore;
k) nxitja e pronarëve dhe/ose e administratorëve të pasurive kulturore për kompletimin, me pajisje paralajmëruese, me masa parandaluese dhe mjete portative automatike për mbrojtjen nga zjarri të objektit.
3. Masat për përballimin dhe rehabilitimin e pasurive të trashëgimisë kulturore si pasojë e fatkeqësive natyrore janë, si më poshtë vijon:
a) Angazhimi i strukturave përkatëse në ministrinë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe i institucioneve të varësisë, për realizimin e planeve apo rregulloreve përkatëse, me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mjedisit dhe të qenies njerëzore;
b) Nxitja e bashkëpunimit ndërinstitucional për angazhimin e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera operacionale të sistemit të mbrojtjes civile, në varësi të llojit të fatkeqësive natyrore;
c) Vlerësimi i menjëhershëm i dëmit për të përcaktuar humbjet, shkallën e dëmtimit të pasurive kulturore, sipas formularëve të vlerësimit për pasuritë kulturore të paluajtshme dhe të luajtshme, pjesë përbërëse të procedurave të emergjencës civile;
ç) Planifikimi i masave dhe hartimi i ndërhyrjeve emergjente në pasuritë kulturore brenda zonave të riskut nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore;
d) Hartimi i projekteve të restaurimit, rikonstruksionit, rindërtimit nga institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore në bashkëpunim me Institutin e Ndërtimit;
dh) Stimulimi i vullnetarizmit në procesin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, e cila realizohet nën mbikëqyrjen e ekspertëve të trashëgimisë kulturore.
IV. MASAT PËR RUAJTJEN E PASURIVE KULTURORE NË RAST TË KONFLIKTEVE TË ARMATOSURA
A. Llojet e masave dhe përmbajtja e tyre
1. Masat për ruajtjen e pasurive kulturore në rastet e konflikteve të armatosura ndahen në:
a) masa paraprake në kohë paqeje;
b) masa gjatë konfliktit të armatosur.
2. Masat paraprake në kohë paqeje synojnë ruajtjen e trashëgimisë kulturore, bazuar në pasojat e parashikuara gjatë një konflikti të armatosur. Në këto masa përfshihen:
a) inventarizimi i pasurive kulturore;
b) plani i masave emergjente kundër zjarrit ose qëndrueshmërisë statike të pasurive kulturore, i miratuar nga ministri përgjegjës për mbrojtjen dhe ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore;
c) plani i zhvendosjes së pasurive kulturore të luajtshme dhe plani i mbrojtjes in situ të trashëgimisë së paluajtshme, i miratuar nga ministri përgjegjës për mbrojtjen dhe ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore;
ç) integrimi në rregulloret aktuale ushtarake të dispozitave për mbrojtjen e pasurive kulturore dhe përcaktimi i bashkëpunimit të forcave të armatosura me autoritetet e tjera për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore;
d) sigurimi i trajnimit të strukturave përgjegjëse, me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
B. Vendosja në mbrojtje të veçantë
1. Mbrojtja e veçantë nënkupton përjashtimin e pasurive kulturore të caktuara nga subjektet e sulmeve ushtarake ose përdorimit të tyre për qëllime ushtarake, duke përfshirë dhe territorin përreth tyre.
2. Të gjitha pasuritë kulturore brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilat vendosen në mbrojtje të veçantë në raste të konfliktit të armatosur, regjistrohen në “Regjistrin ndërkombëtar të vlerave kulturore të vëna në mbrojtje të veçantë”, pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për arsimin, shkencën dhe kulturën.
3. Në mbrojtje të veçantë vendosen:
a) pasuritë kulturore të paluajtshme, të grupuara sipas përcaktimeve të neneve 50-51, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”;
b) pasuritë kulturore të paluajtshme me interes të veçantë;
c) venddepozitimet për ruajtjen e pasurive kulturore të luajtshme;
ç) pasuritë kulturore “me rëndësi universale”, “me rëndësi kombëtare”, në kuptim të legjislacionit për trashëgiminë kulturore.
4. Kriteret për vendosjen në mbrojtje të veçantë për pasuritë kulturore janë, si më poshtë vijon:
a) Objekti të jetë vënë në mbrojtje, në kuptim të legjislacionit shqiptar për trashëgiminë kulturore;
b) Objekti të jetë deklaruar pasuri kulturore “me rëndësi universale”, “me rëndësi kombëtare”, në kuptim të legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore;
c) Objekti nuk përdoret për qëllime ushtarake, duke përfshirë venddepozitimet dhe territorin përreth tyre.
5. Kriteret për vendosjen në mbrojtje të veçantë për venddepozitimet për ruajtjen e pasurive kulturore të luajtshme janë, si më poshtë vijon:
a) Ndodhen në largësi nga qendrat e mëdha industriale ose në largësi nga çdo objektiv ushtarak, që përbën një pikë të ndjeshme, p.sh.: aeroportet, stacionet e transmetimit, stabilimentet e ngritura në funksion të mbrojtjes kombëtare, portet ose stacionet hekurudhore me rëndësi ose rrugët e rëndësishme të komunikacionit;
b) Nuk përdoren për qëllime ushtarake;
c) Sigurohen strehime për pasuri kulturore të luajtshme, pavarësisht nga vendndodhja, nëse vlerësohet se ndërtimi nuk dëmtohet nga bombardimet.
6. Institucionet e specializuara për trashëgiminë kulturore dhe muzetë paraqesin pranë sekretarisë teknike të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale kërkesën për vënien në mbrojtje të veçantë të pasurisë kulturore, në varësi të pasurive kulturore që administrojnë apo posedojnë gjatë konfliktit të armatosur.
7. Kërkesa shoqërohet me relacion shpjegues sipas kategorizimeve dhe kritereve të përmendura në këtë vendim dhe udhëzimeve të konventës “Mbi mbrojtjen e vlerave kulturale në rast konflikti të armatosur”.
8. Ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, në konsultim paraprak me ministrinë përgjegjëse për mbrojtjen dhe ministrinë përgjegjëse për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, miraton listën përfaqësuese për regjistrim në “Regjistrin ndërkombëtar të vlerave kulturore të vëna nën mbrojtje të veçantë”.
9. Lista i propozohet drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për arsimin, shkencën dhe kulturën për regjistrimin në “Regjistrin ndërkombëtar të vlerave kulturore të vëna nën mbrojtje të veçantë”, për pasuritë kulturore në territorin e Republikës së Shqipërisë.
10. Nëse gjatë një konflikti të armatosur nga rrethanat e paparashikuara vlerësohet e nevojshme ngritja e një venddepozitimi të improvizuar dhe kërkohet vendosja në mbrojtje të veçantë, njoftohet menjëherë Komisari i Përgjithshëm, që ushtron misionin pranë Shqipërisë.
C. Shenja dalluese
1. Shenja dalluese përbëhet nga një prizëm me majën të drejtuar poshtë, e ndarë në katër pjesë në formë X-je (X), me ngjyrë të kaltër e të bardhë. Stema përbëhet nga një katror me ngjyrë të kaltër, një nga këndet e së cilës i drejtohet majës së stemës dhe një trekëndësh me ngjyrë të kaltër mbi katroren, të dyja duke u kufizuar me një trekëndësh të bardhë nga çdo anë.
2. Shenja dalluese e përsëritur 3 (tri) herë përdoret vetëm për:
a) vlerat e trashëgimisë kulturore të paluajtshme në mbrojtje të veçantë;
b) zhvendosjen e vlerave të trashëgimisë kulturore;
c) venddepozitimet e improvizuara.
3. Vendi ku vendoset shenja dalluese dhe shkalla e vizibilitetit të saj përcaktohen nga vlerësimi i përbashkët i ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen dhe ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.
4. Shenja dalluese paraqitet në formën e një flamuri, vizatohet mbi një objekt ose paraqitet në çdo formë tjetër të vlefshme.
5. Në rastin e pasurive kulturore të paluajtshme nën mbrojtje të veçantë, shenja dalluese vendoset:
a) në distancat e rregullta të mjaftueshme për të shënuar e treguar qartë perimetrin e një qendre historike, parqeve me interes artistik dhe kulturor;
b) në hyrje të pasurive kulturore të paluajtshme.
6. Në rastet e zhvendosjes së pasurive kulturore të luajtshme, me qëllim ruajtjen nga konflikti i armatosur, shenja vendoset në mënyrë të tillë që të jetë lehtësisht e dukshme ditën, nga ajri, si dhe nga toka.
7. Shenja dalluese përdoret e veçuar për:
a) vlerat e trashëgimisë kulturore, të cilat nuk janë vënë nën mbrojtje të veçantë;
b) personat e ngarkuar me funksionet e kontrollit;
c) personelin e caktuar për mbrojtjen e vlerave kulturore;
ç) letërnjoftimet përkatëse.
8. Personat e parashikuar në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 7, të ndarjes C, të kreut IV, të këtij vendimi, kanë të drejtë të mbajnë flamuj rreth krahut me shenjën dalluese, të lëshuar e të vulosur nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen.
9. Personat e përcaktuar në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 7, të ndarjes C, të kreut IV, të këtij vendimi, mbajnë letërnjoftim të posaçëm të pajisur me shenjën dalluese. Ky letërnjoftim përmban:
a) emrin e mbiemrin;
b) datën e lindjes, titullin ose gradën, ose cilësinë e të interesuarit;
c) fotografinë e titullarit;
ç) firmën ose shenjat e gishtave të tij ose të dyja së bashku;
d) vulën e thatë të ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen.
10. Ministria përgjegjëse për mbrojtjen cakton e miraton modelin e letërnjoftimit dhe ia komunikon palës kundërshtare.
11. Çdo letërnjoftim lëshohet të paktën në 2 (dy) kopje, nga të cilat 1 (një) ruhet nga autoriteti që e ka lëshuar.
12. Personat e ngarkuar për kontrollin dhe mbrojtjen e vlerave kulturore, të miratuar nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen, mbajnë shenjat dalluese dhe letërnjoftimet, sipas kritereve të përcaktuara në konventën “Mbi mbrojtjen e vlerave kulturale në rast konflikti të armatosur”.
13. Pas miratimit nga Komisari i Përgjithshëm, ministria përgjegjëse për mbrojtjen vijon me vendosjen e shenjës dalluese.
Ç. Zhvendosja dhe qarkullimi i pasurive kulturore
1. Zhvendosja e pasurive kulturore të luajtshme brenda territorit të Republikës së Shqipërisë apo jashtë saj në situatë të konfliktit të armatosur realizohet vetëm nën mbrojtje të veçantë.
2. Zhvendosja nën mbrojtje të veçantë jashtë territorit bëhet nën mbikëqyrjen me karakter ndërkombëtar dhe e pajisur me shenjën dalluese të përcaktuar në këtë vendim.
3. Për zhvendosjen nën mbrojtje të veçantë të pasurive kulturore, kërkesa i drejtohet Komisarit të Përgjithshëm për vlerat kulturore.
4. Kërkesa për zhvendosjen nën mbrojtje të veçantë të pasurive kulturore përmban:
a) arsyet për të cilat do të realizohet zhvendosja;
b) inventarin e pasurive kulturore;
c) rëndësinë e vlerave të trashëgimisë kulturore;
ç) vendin aktual të këtyre pasurive kulturore;
d) venddepozitimin e ri;
dh) mjetet e transportit;
e) itinerarin që do të ndiqet;
ë) datën e parashikuar për transportimin;
f) çdo njoftim tjetër të nevojshëm.
5. Gjatë konfliktit të armatosur duhet të bëhet zhvendosja e pasurive kulturore, nëse ndodhen pranë një objektivi ushtarak ose të mundësohet mbrojtja e përshtatshme in situ e pasurisë.
6. Ndalohet eksportimi i pasurive kulturore të një territori të pushtuar gjatë një konflikti të armatosur.
7. Çdo pasuri kulturore e importuar brenda territorit shqiptar, që ka ardhur drejtpërdrejt ose tërthorazi nga një territor i pushtuar, vihet në mbrojtje. Kjo bëhet menjëherë pas importimit ose me kërkesën e autoriteteve të territorit të pushtuar.
D. Veprimtaritë arkeologjike në rast të konflikteve të armatosura
1. Gjatë konflikteve të armatosura, si rregull, ndalohet çdo veprimtari arkeologjike. Veprimtaria arkeologjike lejohet vetëm në rastet përjashtimore, me qëllim shpëtimin, inventarizimin dhe ruajtjen e gjetjeve arkeologjike.
2. Për rastet përjashtimore, veprimtaritë arkeologjike kryhen nën monitorimin edhe të ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen.
DH. Masa ushtarake
1. Në përbërje të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë parashikohen trupa/personel të/i dedikuar për mbrojtjen e pasurive kulturore.
2. Në rregulloret ose udhëzimet aktuale ushtarake integrohen dispozita të tilla, që sigurojnë respektimin e konventës “Mbi mbrojtjen e vlerave kulturale në rast konflikti të armatosur”.
3. Gjatë operacioneve ushtarake, secila palë në konflikt:
a) verifikon që objektivi i sulmit nuk është pasuri kulturore, pjesë e “Regjistrit ndërkombëtar të vlerave kulturore të vëna në mbrojtje të veçantë”;
b) ndërmerr të gjitha masat paraprake të mundshme në zgjedhjen e mjeteve dhe metodave të sulmit, me qëllim shmangien dhe, në çdo rast, minimizimin e dëmtimit të pasurisë kulturore të vënë në mbrojtje të veçantë;
c) shmang sulme që shkaktojnë dëmtime të tërthorta të pasurisë kulturore të vënë nën mbrojtje të veçantë;
ç) ndalon ose pezullon çdo sulm të iniciuar pranë pasurisë kulturore të vënë në mbrojtje të veçantë;
d) zbaton udhëzime të tjera për zbatimin e konventës “Mbi mbrojtjen e vlerave kulturale në rast konflikti të armatosur”, për mbrojtjen e pasurisë kulturore në rregulloret ushtarake.
V. EDUKIMI DHE TRAJNIMI
1. Ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, nëpërmjet Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, bashkëpunon me institucionet e specializuara me anë të programeve të përbashkëta për forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, në rastet e fatkeqësive natyrore, fatkeqësive të tjera ose konflikteve të armatosura, si dhe parandalimin e rrezikut të tyre.
2. Ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore bashkëpunon me ministrinë përgjegjëse për mbrojtjen për trajnimin e strukturave të mbrojtjes civile, me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
3. Trajnimet e specializuara në nivel profesional dhe teknik janë ndërdisiplinore dhe realizohen duke marrë parasysh pikat e mëposhtme:
a) Realizimin e tyre nëpërmjet ekspertizës së kualifikuar, që të mundësojë njohuritë specifike për parandalimin, përballimin e fatkeqësive natyrore e të tjera dhe ndërhyrje emergjente në objekte dhe site-e të trashëgimisë kulturore të rrezikuar;
b) Vlerësimin dhe përcaktimin e vulnerabilitetit e të riskut potencial, veprimet parandaluese dhe mbrojtëse për të minimizuar apo eliminuar riskun, metodat dhe teknikat e ndërhyrjeve konservuese e mirëmbajtëse etj.;
c) Njohjen e teknikave tradicionale dhe përditësimin me teknikat e metodat më bashkëkohore.
VI. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, ministria përgjegjëse për mbrojtjen, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe institucionet e specializuara përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, DHE SHKËMBIMIN E PRONËS, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT, NË ZONËN E RE PËR ZHVILLIM KRUJË, BASHKIA KRUJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, të vendimit nr.7, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për kushtet dhe procedurat për shpronësimet dhe/ose shkëmbimin e pronës për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit”, të ndryshuar, të vendimit nr.8, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kushteve dhe të kritereve të përfitimit të sipërfaqeve ndërtimore në objektet e reja për banim nga subjektet që posedojnë ndërtime të klasifikuara si ndërtime pa leje”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.132, datë 13.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim Krujë, Bashkia Krujë, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin dhe/ose shkëmbimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, dhe shkëmbimin e pronës, në funksion të procesit të rindërtimit, që realizohet në zonën e re për zhvillim Krujë, Bashkia Krujë, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi dhe shkëmbimi i pronës bëhen në favor të Bashkisë Krujë.
3. Shkëmbimi i pasurive të paluajtshme, pronë private, për të cilat pronarët kanë pranuar kompensimin, me shkëmbim, për pasuritë e llojit “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi”, me një pasuri të ardhshme në pronësi të shtetit, bëhet referuar legjislacionit në fuqi, sipas cilësimeve në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, si dhe marrëveshjeve/ kontratave paraprake që janë lidhur dhe lidhen ndërmjet Bashkisë Krujë dhe qytetarëve që shprehin dakordësinë, brenda periudhës së zbatimit të projektit.
4. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, në vlerën 26 107 432 (njëzet e gjashtë milionë e njëqind e shtatë mijë e katërqind e tridhjetë e dy) lekë.
5. Vlera e përgjithshme e kompensimit, prej 26 107 432 (njëzet e gjashtë milionë e njëqind e shtatë mijë e katërqind e tridhjetë e dy) lekësh, përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit dhe i transferohet Bashkisë Krujë, në buxhetin e vitit 2022, në formën e transfertës së pakushtëzuar.
6. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë origjinale ose dublikatën, kartelën e pasurisë të rifreskuar, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Bashkisë Krujë, referuar aktmarrëveshjes së lidhur.
7. Shpronësimi fillon menjëherë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
8. Bashkia Krujë kryen likuidimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të shpronësuar dhe bën shkëmbimin e pronës, referuar aktmarrëveshjeve të lidhura.
9. Afati i kryerjes së shpronësimit në vlerë monetare do të jetë momenti i fillimit të realizimit të projektit. Afati i kryerjes së shkëmbimit të pronës private me një pronë shtetërore të ardhshme, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, do të jetë në përfundim të realizimit të projektit për zhvillimin në zonën e re për zhvillim Krujë, Bashkia Krujë.
10. Bashkia Krujë i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, që brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të shpronësimit dhe të shkëmbimit, ose nga data që ka marrë formë të prerë vendimi i gjykatës, në rast se kompensimi kryhet nëpërmjet shkëmbimit të pronës private me një pasuri shtetërore të ardhshme, në kartelën e pasurisë për pronën truall, ku do të krijohet pasuria e ardhshme, regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, bëhet regjistrimi i barrës ligjore, sipas legjislacionit në fuqi, në favor të pronarit privat, për përfitimin në të ardhmen të pasurisë shtetërore, kur kjo e fundit të regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Kur pronari/pronarët privatë, që kanë pranuar kushtet e shkëmbimit, pjesë të kërkesës për regjistrim janë dhe marrëveshjet përkatëse. Me regjistrimin e pasurisë së ardhshme në regjistrin përkatës pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me kërkesë të njësisë zbatuese dhe të përfaqësuesit të pronarit shtet, bëhet regjistrimi i kalimit të të drejtave të pronësisë për pronën shtet, në favor të pronarit privat.
11. Bashkia Krujë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi, i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të kryejë regjistrimin e pasurive pronë private të shpronësuara, sipas legjislacionit në fuqi dhe referuar aktmarrëveshjes së lidhur.
12. Gjatë periudhës së zbatimit të projektit, (përfundimit të punimeve) qytetarët, nëse nuk kanë në pronësi ose në posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet programeve të rindërtimit, të parashikuara në aktin normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, ose në legjislacionin në fuqi për strehimin social.
13. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Krujë për pasuritë e shpronësuara.
14. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
15. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Bashkia Krujë, si dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1144, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË OBJEKTIT “ATRIUM CENTER THUMANA”, NJËSIA ADMINISTRATIVE THUMANË, BASHKIA KRUJË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË KRUJË SI NJËSI ZBATUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 2, të vendimit nr.1144, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, nga Bashkia Krujë, për rindërtimin e objektit “Atrium Center Thumana”, njësia administrative Thumanë, Bashkia Krujë, në masën 176 168 718 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e tetëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, i cili do të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë dhe i transferohet Bashkisë Krujë, në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.
2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Krujë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, PËR SIPËRFAQEN 70.5 M2, PJESË E PASURISË ME NUMËR 371/17, ZONA KADASTRALE 2259, BASHKIA MEMALIAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen 70.5 (shtatëdhjetë pikë pesë) m2, pjesë e pasurisë me numër 371/17, zona kadastrale 2259, Bashkia Memaliaj, për ndërtimin e strukturës “Magazinë për grumbullimin e produkteve bujqësore”, sipas certifikatës së pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku i Gjirokastrës, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, për sipërfaqen ndërtimore, sipas lidhjes nr.1, të pasurisë me numër 371/17, zona kadastrale 2259, Bashkia Memaliaj. Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tepelenë të bëjë ndryshimin e llojit të pasurisë në certifikatën dhe kartelën e pasurisë, sipas të dhënave të pasurisë.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës, si dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tepelenë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË MAT, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE BURREL, TË PASURISË NR.2/26, ZONA KADASTRALE 1326, BURREL, DHE NJË PJESE TË PASURISË NR.2/306, ZONA KADASTRALE 1326, BURREL, DHE PËR SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.356, DATË 29.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 14 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në pronësi të Bashkisë Mat, për njësinë administrative Burrel, të pasurisë me nr.2/26, zona kadastrale 1326, Burrel, dhe të një pjese të pasurisë me nr.2/306, zona kadastrale 1326, Burrel, sipas formularit dhe planrilevimeve, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim ushtrimin e funksioneve në fushën e shërbimeve sociale dhe ekonomike.
2. Vendimi nr.356, datë 29.4.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, për Drejtorinë e Arkivit Shtetëror Vendor në Dibër, Dega e Arkivit në Burrel, të pronës nr.716, me emërtim “Qendër mobilizimi”, me vendndodhje në Burrel, dhe për një ndryshim në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar”, shfuqizohet.
3. Bashkisë Mat i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pasurive të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Bashkia Mat dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA LIBRAZHD, TË PRONËS NR.755, ME EMËRTIM “ISH-GRUP DEPO”, ME VENDNDODHJE NË MURRASH, LIBRAZHD, ZONA KADASTRALE 2696, PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR, DHE NË VENDIMIN NR.1086, DATË 28.10.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË LIBRAZHD, TË QARKUT TË ELBASANIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar e të neneve 3, 5, 7 dhe 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Librazhd, të pronës nr.755, me emërtim “Ish-grup depo”, me vendndodhje në Murrash, Librazhd, zona kadastrale 2696, sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për ndërtimin e një pike grumbullimi të produkteve bujqësore për fermerët e kësaj zone.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet prona nr.755, me emërtim “Ish-grup depo”, me vendndodhje në Murrash, Librazhd, zona kadastrale 2696, sipas planrilevimit, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.1086, datë 28.10.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Librazhd, të Qarkut të Elbasanit”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Librazhd i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës, të përcakuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë atë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Bashkia Librazhd dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ