Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Tetor 2024:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES PËR PËRZGJEDHJEN E KANDIDATIT PËR ZËVENDËSDREJTOR TË PËRGJITHSHËM, DREJTOR TË DEPARTAMENTIT, DREJTOR TË DREJTORISË VENDORE DHE SHEF TË KOMISARIATIT NË POLICINË E SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 59, të pikës 5, të nenit 60, të pikës 5, të nenit 61, dhe të pikës 4, të nenit 62, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të Përgjithshëm, drejtor të Departamentit, drejtor të Drejtorisë Vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Në rregulloren e Policisë së Shtetit, miratuar me vendimin nr.750, datë 16.9.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, dispozitat që parashikojnë përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të Përgjithshëm, drejtor të Departamentit, drejtor të Drejtorisë Vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit”, shfuqizohen.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.26, DATË 17.1.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR, PËR VITIN 2024”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.26, datë 17.1.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor, për vitin 2024”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet, të cilat përdoren tërësisht nga vetë spitali. Përdorimi i të ardhurave dytësore miratohet nga bordi drejtues i spitaleve për spitalet që kanë përfituar autonominë menaxheriale. Për spitalet e tjera, përdorimi i të ardhurave bëhet bazuar në procedurat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit, të cilat mbarten në vitin buxhetor pasardhës.”.
2. Shtojca nr.2, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me shtojcën nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE TË “QENDRËS HISTORIKE” TË QYTETIT TË ELBASANIT, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE TË SAJ DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 9, të pikës 3, të nenit 62, dhe të pikës 1, të nenit 96, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore të “Qendrës historike” të qytetit të Elbasanit, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Përcaktimin e zonës mbrojtëse të “Qendrës historike” të qytetit të Elbasanit, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartat e “Qendrës historike” të qytetit të Elbasanit dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportalin Kombëtar.
5. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE TË “ZONAVE ARKEOLOGJIKE “A” DHE “B”” TË QYTETIT TË ELBASANIT DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 9, të nënndarjes “iv”, të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 53, dhe të pikës 3, të nenit 62, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore të “Zonave arkeologjike “A” dhe “B”” të qytetit të Elbasanit, sipas hartës së zonifikimit dhe koordinatave gjeografike, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi në hartat kadastrale, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe aktet nënligjore në zbatim.
4. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartat e qendrës historike dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportalin Kombëtar.
5. Vendimi nr.687, datë 23.10.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e zonës arkeologjike “A” të qytetit të Elbasanit dhe të planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e saj”, shfuqizohet.
6. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Elbasan për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
RREGULLAT E DETAJUARA PËR ZHVILLIMIN E PROGRAMIT TË SHITJES ME TË DREJTË PARABLERJEJE
TË OBJEKTEVE TË KONFISKUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 9, të nenit 20, të ligjit nr.66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e rregullave të detajuara për zhvillimin e programit të shitjes me të drejtë parablerjeje të objekteve të konfiskuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit.
2. Procesi i shitjes realizohet duke respektuar parimin e ligjshmërisë, të konkurrueshmërisë, të transparencës, si dhe të zbutjes së pasojave sociale të shkaktuara nga ndërtimet pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit.
3. Procedura e shitjes së objekteve të konfiskuara fillon pas miratimit nga Komisioni i Objekteve të Konfiskuara (në vijim, Komisioni) të programit të shitjes, i cili, së bashku me dokumentacionin shoqërues, përcillet pranë ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronës.
4. Struktura përgjegjëse për privatizimin në ministrinë përgjegjëse të administrimit të pronës shtetërore aplikon pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit apo pranë çdo institucioni të qeverisjes vendore apo lokale, sipas parashikimeve të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 12, të ligjit nr.66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara” (në vijim, ligji nr.66/2023).
5. Pas përfundimit të aplikimeve dhe të plotësimit të dokumentacionit, sipas pikës 4, të këtij vendimi, përcaktohet vlera e objektit me ekspertë vlerësues të licencuar të pasurisë së paluajtshme, të caktuar nga ministri përgjegjës për administrimin e pronës shtetërore në urdhrin e vlerësimit të objektit të konfiskuar.
6. Afati për vlerësimin do të jetë jo më shumë se 30 (tridhjetë) ditë nga miratimi i urdhrit për vlerësim të ministrit përgjegjës për administrimin e pronës shtetërore.
7. Ekspertët vlerësues hartojnë raportin përfundimtar të vlerësimit, bazuar në parashikimet e nenit 2, të ligjit nr.66/2023, i cili përmban vlerën minimale të shitjes, dhe ia përcjellin ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore.
8. Shpenzimet për ekspertët përballohen nga fondi i veçantë i objekteve të konfiskuara nga të ardhurat e siguruara nga shitja e objektit. Kjo pagesë do të jetë 2 (dy) % e vlerës së objektit apo të grup-objekteve të vlerësuara, por jo më pak se 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë, si dhe jo më shumë se 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë pa TVSH.
9. Shitja e objekteve të konfiskuara fillimisht u ofrohet subjekteve, që kanë të drejtën e parablerjes, pronari i truallit ose personat e tretë, sipas nënndarjeve “i” ose “ii”, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 20, të ligjit nr.66/2023. Nëse subjektet nuk shprehin interes, të drejtën e parablerjes e ka zhvilluesi/ndërtuesi, sipas procedurës së parashikuar në nënndarjen “iii”, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 20, të ligjit nr.66/2023.
10. Struktura përgjegjëse për shitjen e pronës pranë ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore njofton me shkrim, për të drejtën e parablerjes, subjektet në lidhje me ushtrimin e kësaj të drejte.
11. Konfirmimi për ushtrimin e së drejtës së parablerjes nga subjektet bëhet me shkrim, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit, në lidhje me ushtrimin e së drejtës së parablerjes.
12. Në rastin e pronarit të truallit dhe të personave të tretë, e drejta e parablerjes realizohet sipas marrëveshjes juridiko-civile të hartuar para noterit, të regjistruar në regjistrat përkatës në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit, të vërtetuar me faturë të bankave të nivelit të dytë.
13. Nëse personat e tretë nuk shfaqin interes për parablerjen, ata kompensohen për vlerën e paguar sipas parashikimeve të pikës 2, të nenit 24, të ligjit nr.66/2023. Kompensimi paguhet nga fondi i veçantë i objekteve të konfiskuara.
14. Pagesa e vlerës së objektit kryhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga konfirmimi me shkrim për ushtrimin e së drejtës së parablerjes, sipas pikës 11 të këtij vendimi. Në qoftë se subjekti nuk kryen pagesën brenda afatit, ai humbet të drejtën e blerjes së objektit të konfiskuar.
15. Në rast se pronarët e truallit, personat e tretë apo zhvilluesi/ndërtuesi nuk ushtrojnë të drejtën e parablerjes, shitja e objekteve të konfiskuara në tejkalim të lejes së ndërtimit do të kryhet në zbatim të kuadrit ligjor për ankandin publik. Procedurat e kryerjes së ankandit publik bazohen në parimet e parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi për ankandin e pronave publike. Në asnjë rast nuk do të lejohet ofrimi i shitjes me një çmim më të ulët se vlera fillestare e ankandit publik.
16. Kontrata e kalimit të pronësisë nënshkruhet para noterit në format, si më poshtë vijon:
a) Për pronarët e truallit dhe personat e tretë nënshkruhet kontratë për transferimin e të drejtave dhe të detyrimeve;
b) Për zhvilluesin/ndërtuesin dhe ndaj blerësve sipas procedurës së ankandit nënshkruhet kontratë e shitjes.
17. Për nënshkrimin e kontratave, sipas pikës 16 të këtij vendimi, autorizohet drejtori i strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës.
18. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E ELEMENTEVE TË AKTEVE NOTERIALE, VENDIMEVE GJYQËSORE APO AKTEVE ADMINISTRATIVE, QË KONTROLLOHEN PËR EFEKT REGJISTRIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 71, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton të gjitha elementet e akteve noteriale, vendimeve gjyqësore, akteve administrative dhe akteve të përmbaruesit gjyqësor, që Agjencia Shtetërore e Kadastrës (në vijim ASHK) duhet të kontrollojë për efekt të regjistrimit të tyre në regjistrin kadastral.
2. Përveç përjashtimeve të përcaktuara me ligj, ndryshimi i gjendjes juridike të pasurisë së paluajtshme në regjistrin kadastral bëhet vetëm nëse veprimi i fundit që do të kryhet në regjistër vjen si rrjedhojë e titullit të regjistruar të pronarit paraardhës për pasurinë e paluajtshme të certifikuar.
3. Kur aktet noteriale, vendimet gjyqësore, aktet administrative dhe aktet e përmbaruesit gjyqësor nuk përmbajnë elementet formale, të përcaktuara në këtë vendim, në bazë të nenit 26, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, Agjencia Shtetërore e Kadastrës njofton kërkuesin për plotësimin e të metave, sipas afatit të përcaktuar në këtë dispozitë. Kur kërkuesi nuk plotëson të metat brenda afatit, kërkesa refuzohet nga ASHK-ja.
II. KONTROLLI I ELEMENTEVE TË AKTEVE NOTERIALE
1. Aktet noteriale, që përmbajnë kalimin ose njohjen e së drejtës së pronësisë apo e një të drejte reale mbi një pasuri të paluajtshme, me paraqitjen e kërkesës për regjistrim, i nënshtrohen kontrollit të elementeve të formës nga ASHK-ja, si më poshtë vijon:
a) Elementet e formës, në përputhje me ligjin nr.110/2018, “Për noterinë”, neni 99 e vijues, dhe, sipas rastit, me ligjet dhe aktet nënligjore përkatëse;
b) Objektin e aktit noterial, që duhet të tregojë vendndodhjen, numrin e pasurisë, zonën kadastrale, sipërfaqen, llojin e pasurisë, kufijtë sipas hartës kadastrale apo dokumentacionin teknik, bashkëlidhur aktit noterial dhe, sipas rastit, vlerën e pasurisë së paluajtshme;
c) Deklarimin e noterit se ka verifikuar pronësinë e palës në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme, duke i bashkëlidhur aktit, së bashku me certifikatën e pronësisë, edhe kopje të kartelës kadastrale dhe hartës kadastrale të rifreskuar.
2. Për aktet noteriale që disponojnë për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, krahas elementeve të përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu, kontrollohet edhe që akti të përmbajë:
a) çmimin e pasurisë dhe mënyrën e pagesës së tij;
b) deklarimin e regjimit pasuror martesor, sipas parashikimeve të Kodit të Familjes.
Në rastet kur pasuria është fituar përgjatë martesës dhe bashkëshortët nuk kanë lidhur kontratë për regjim tjetër pasuror martesor, duhet cilësuar shprehimisht në aktin noterial prezumimi i bashkësisë ligjore.
3. Për aktet e trashëgimisë, të çelura nga noteri, verifikohen elementet e përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu.
Për efekt të procedurave të regjistrimit të akteve të trashëgimisë, në rastet kur pasuritë janë të regjistruara në pronësi të trashëgimlënësit, ASHK-ja gjatë procesit të regjistrimit të aktit të trashëgimisë duhet të verifikojë nëse pasuritë kanë qenë në pronësi individuale të trashëgimlënësit apo me prezumimin e bashkësisë ligjore.
ASHK-ja verifikon nëse në aktin e trashëgimisë është zbatuar parashikimi i bërë në pikën 2, të nenit 112, të ligjit nr.110/2018, “Për noterinë”.
4. Me kontrollin, sipas përcaktimeve të pikave 1-3, të këtij kreu, për të kryer regjistrimin mbi pasurinë e paluajtshme për të cilën disponon akti, ASHK-ja verifikon nëse:
a) nëse pasuria e paluajtshme figuron në regjistrin kadastral, në emër të tjetërsuesit/tjetërsuesve/transferuesit të së drejtës, sipas aktit noterial; dhe
b) të dhënat e pasurisë së paluajtshme, sipas përmbajtjes së aktit noterial, përputhen me të dhënat e pasqyruara në regjistrin kadastral.
III. KONTROLLI I ELEMENTEVE TË VENDIMEVE GJYQËSORE
1. Vendimet gjyqësore që përmbajnë fitimin, njohjen, ndryshimin, pushimin e së drejtës së pronësisë ose që deklarojnë të pavlefshme veprimet juridike ose aktet e tjera për kalimin e pronësisë, të regjistruara më parë, me paraqitjen e kërkesës për regjistrim, i nënshtrohen kontrollit të elementeve të formës dhe përmbajtjes nga ASHK-ja, nëse:
a) vendimi gjyqësor ka marrë formën e prerë, sipas parashikimeve të nenit 451, të Kodit të Procedurës Civile;
b) të paktën njëra nga palët ndërgjyqëse (ose trashëgimtarët e saj, sipas neneve 165 e 316, të Kodit të Procedurës Civile) figuron në regjistrat kadastralë, pronare e pasurisë së paluajtshme, mbi të cilën gjykata ka disponuar me vendim (nenet 18 dhe 90 të Kodit të Procedurës Civile); dhe
c) në dispozitivin e vendimit, të dhënat për pasurinë e paluajtshme janë të plota dhe lejojnë regjistrimin e saj ose regjistrimin e të drejtave të tjera reale mbi të, si dhe përputhen me të dhënat e pasqyruara në regjistrin kadastral; dhe
ç) ekzistojnë regjistrime pronësie në favor të personave të tjerë fizikë ose juridikë, që nuk kanë qenë palë ndërgjyqëse në gjykim mbi pasurinë e paluajtshme për të cilën disponon vendimi.
Nëse pasuria e paluajtshme, mbi të cilën gjykata ka disponuar sipas vendimit, figuron pronë shtetërore ose në emër të një institucioni apo enti publik, procedohet duke verifikuar nëse ka qenë palë në gjykim pikërisht ai institucion ose ent publik, që ka pasur të drejtën e pronësisë mbi pasurinë (nenet 18 dhe 90 të Kodit të Procedurës Civile), dhe Avokatura e Shtetit (neni 79/a i Kodit të Procedurës Civile dhe disponimet e ligjit nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar).
d) në gjykimet, që kanë për objekt kundërshtimin e vendimit të
Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave/Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave/komisioneve vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave/Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave/Agjencisë së Trajtimit të Pronave është thirrur si palë ndërgjyqëse në gjykim pronari (apo trashëgimtarët e tij), në emër të të cilit figuron prona e regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme (nenet 18 e 90 të Kodit të Procedurës Civile);
dh) në gjykim, me objekt kundërshtimin e procedurave apo të kontratës së shitjes së pasurive publike/shtetërore, të kryera nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit/Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike/Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike në ministrinë përgjegjëse për administrimin e pronës publike, është thirrur si palë në gjykim apo palë e interesuar institucioni apo enti publik, që ka të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme dhe/ose Avokatura e Shtetit.
2. Vendimet për regjistrimin e hipotekës gjyqësore duhet të përmbajnë gjithashtu edhe vlerën e detyrimit që garantohet nga hipoteka gjyqësore.
3. Vendimet gjyqësore, të dhëna për sigurimin e padisë, si dhe ato për ekzekutimin e përkohshëm regjistrohen edhe pse nuk kanë marrë formë të prerë sepse nuk shkaktojnë fitimin apo kalimin e së drejtës së pronësisë.
4. Në vendimet gjyqësore, që kanë objekt kundërshtimin e akteve administrative, të krijuara nga organet kompetente, fitimin e pronësisë me parashkrim fitues, verifikohet, gjithashtu, nëse palët në gjykim, pronari (trashëgimtarët) i pasurisë së paluajtshme, institucioni/enti publik që ka nxjerrë aktin ose që ka në administrim pasurinë mbi të cilën ka disponuar gjykata dhe palë pjesëmarrëse Avokatura e Shtetit, përputhen me të dhënat e regjistruara në regjistrat kadastralë.
IV. KONTROLLI I ELEMENTEVE TE AKTEVE ADMINISTRATIVE DHE AKTEVE TË PËRMBARUESIT GJYQËSOR
1. Aktet administrative, që përmbajnë kalimin e së drejtës së pronësisë/reale mbi një pasuri të paluajtshme, me paraqitjen e kërkesës për regjistrim, i nënshtrohen kontrollit të elementeve të formës nga ASHK-ja, si më poshtë vijon:
a) Elementet e formës, në përputhje me përcaktimet e kreut VI, të Kodit të Procedurave Administrative, dhe të ligjeve apo akteve nënligjore përkatëse, që rregullojnë regjimin e tyre;
b) Të dhënat e pasurisë së paluajtshme, vendndodhja, numri i pasurisë, zona kadastrale, sipërfaqja, pozicioni gjeografik, kufijtë e saktë, pronari/bashkëpronarët përfitues nga akti administrativ dhe, sipas rastit, vlerën e pasurisë së paluajtshme;
c) Paraqitja grafike e pasurisë së paluajtshme për të cilën disponon akti administrativ;
ç) Ekzistenca e regjistrimeve të mundshme të pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, që është objekt i kërkesës për regjistrim, në favor të personave të tjerë, fizikë ose juridike, përveç palëve të përcaktuara në aktin administrativ, të cilat nuk kanë qenë palë në procesin administrativ;
d) Nëse në aktin administrativ të dhënat për pronën janë të plota dhe lejojnë regjistrimin e saj në regjistrat kadastralë;
dh) Nëse kanë përfunduar afatet ligjore për ankimin administrativ.
2. Përjashtimisht, për regjistrimin e aktit të marrjes së tokës bujqësore në
pronësi (AMTP), si akt administrativ, ASHK-ja kryen procedurat e
verifikimit të elementeve dhe të regjistrimit, sipas vendimit të Këshillit të
Ministrave, që miraton procedurat e regjistrimit të akteve të marrjes së
tokës në pronësi, saktësimin e kufijve, sipërfaqeve, si dhe normat për
sipërfaqet shtetërore shtesë e pronat shërbyese.
3. Aktet e përmbaruesit gjyqësor që përmbajnë kalimin e së drejtës së pronësisë mbi një pasuri të paluajtshme, me paraqitjen e kërkesës për regjistrim, i nënshtrohen kontrollit të elementeve të formës nga ASHK-ja, si më poshtë vijon:
a) Elementet e formës së aktit përmbarimor, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin nr.26/2019, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, dhe në ligjin nr.8/2023, “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror”;
b) Objekti i aktit përmbarimor, që duhet të tregojë vendndodhjen, numrin e pasurisë, zonën kadastrale, sipërfaqen, pozicionin gjeografik, kufijtë e saktë dhe, sipas rastit, vlerën e pasurisë së paluajtshme;
c) Deklarimi i përmbaruesit se ka verifikuar pronësinë e palës në regjistrin e pasurive të paluajtshme, duke i bashkëlidhur aktit kopje të kartelës kadastrale të rifreskuar të pasurisë;
ç) Nëse të dhënat e pasurisë së paluajtshme në regjistrin kadastral përputhen me të dhënat, sipas aktit të përmbaruesit;
d) Nëse në aktin e përmbaruesit të dhënat e pasurisë janë të plota dhe lejojnë regjistrimin;
dh) Ekzistenca e regjistrimeve të mundshme të pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, që është objekt i kërkesës për regjistrim, në favor të personave të tjerë, fizikë ose juridikë, përveç palëve të përcaktuara në aktin e përmbaruesit.
V. REFUZIMI I REGJISTRIMIT TË AKTEVE NOTERIALE, VENDIMEVE GJYQËSORE APO AKTEVE ADMINISTRATIVE NË REGJISTRAT KADASTRALË
1. Kërkesat për regjistrimin e akteve noteriale, vendimeve gjyqësore apo akteve administrative do t’i nënshtrohen refuzimit, sipas përcaktimeve të bëra në nenet 24 dhe 26 e vijues, të ligjit nr.111/2018 ,“Për kadastrën”, në rastet e mëposhtme:
a) Kur vendimi gjyqësor nuk ka marrë formë të prerë, në përputhje me disponimet e bëra në nenin 510, të Kodit të Procedurës Civile;
b) Kur në pjesën urdhëruese të vendimit (dispozitivit) të gjykatës përcaktohet se është vendosur vërtetimi i faktit juridik të pronësisë, sipas nenit 388, të Kodit të Procedurës Civile, përveç rasteve të dhënies së vendimit para datës së hyrjes në fuqi të Kodit Civil (1 nëntor 1994), nëse nuk krijon mbivendosje me tituj të tjerë të regjistruar;
c) Kur të dhënat për pasurinë nuk janë të plota e nuk janë të përcaktuara, sipas përcaktimeve të bëra në kreun II – IV, të këtij vendimi;
ç) Kur në aktet noteriale nuk janë plotësuar elementet e formës, sipas përcaktimeve të bëra në kreun II, të këtij vendimi;
d) Kur në aktet administrative nuk kanë përfunduar afatet ligjore për ankimimin administrativ/nuk plotësohen elementet e formës sipas përcaktimeve të bëra në kreun IV, të këtij vendimi/ekzistojnë regjistrime të pronësisë për pasurinë e paluajtshme në favor të personave të tjerë fizikë/juridikë;
dh) Kur në bazë të pikës 4, të nenit 24, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, aktet e paraqitura për regjistrim nuk kanë vijueshmëri kronologjike me pasurinë e regjistruar dhe që do të krijonte mbivendosje të titujve.
2. Kur subjektet e përmendura në shkronjat “ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 1, të kreut III, të këtij vendimi, nuk janë thirrur si palë në gjykim, kërkesa për regjistrim pezullohet dhe për pasurinë e paluajtshme, që përbën objektin e saj, titullari i ASHK-së lëshon urdhër për kufizimin në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë së paluajtshme, sipas nenit 27, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. Në këtë rast, titullari i ASHK-së merr masat për njoftimin e këtyre subjekteve, në përputhje me dispozitat e ligjit të sipërpërmendur. Në momentin e mbarimit të afatit të kufizimit mbi pasurinë e paluajtshme, ASHK-ja vlerëson rastin dhe konkludon me procedurën e regjistrimit ose refuzimit të tij, sipas rastit.
3. Kur vendoset kufizimi i kërkesës për regjistrim, sipas pikës 2, të këtij kreu, titullari i ASHK-së është i detyruar që kopjen e plotë të praktikës t’ua dërgojë, me shkresë përcjellëse, institucionit apo entit publik (kur ky është i identifikuar) dhe Avokaturës së Shtetit. Korrespondenca e mbajtur me institucionet ose entet publike dhe Avokaturën e Shtetit, sipas rastit, i bashkëlidhen dosjes së praktikës.
4. Kur në bazë të pikës 1, të këtij kreu, propozohet refuzimi i kërkesës apo kufizimi i regjistrimit, dosja e plotë e praktikës, së bashku me projektvendimin e refuzimit i kalojnë për kompetencë drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Me miratimin e vendimit/urdhrit, kërkuesit i vihen në dispozicion kopja e njësuar e dokumentacionit të dosjes dhe udhëzimi për të drejtën, afatet e ankimit, organet kompetente për shqyrtimin gjyqësor të ankimit, si dhe orientimi për mënyrën e saktë të plotësimit të shkaqeve të refuzimit.
VI. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Kur akti noterial, vendimi gjyqësor, akti administrativ apo vendimet e përmbaruesit gjyqësor disponojnë për një pasuri të paluajtshme, e cila ndodhet në një zonë kadastrale pa regjistrim fillestar, regjistrimi i aktit kryhet sipas nenit 19, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. Në këtë rast ASHK-ja kontrollon vetëm elementet e akteve dhe vërtetësinë e regjistrimit ekzistues, kur për pasurinë është depozituar më parë dokumentacion për regjistrim dhe po kryhet një veprim tjetërsimi.
2. Kërkesat e paraqitura për regjistrim përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për të cilat nuk ka përfunduar trajtimi administrativ, i nënshtrohen parashikimeve të këtij vendimi.
3. Udhëzimi nr.2, datë 12.9.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e elementeve të akteve që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURËN DHE MËNYRËN E PËRDORIMIT TË TË ARDHURAVE TË AGJENCISË KOMBËTARE TË KONTROLLIT TË CANNABIS-IT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Të ardhurat nga tarifa e lëshimit të licencës për subjektet aplikante derdhen 100% në buxhetin e shtetit.
2. Të ardhurat nga tarifa vjetore mbi veprimtarinë e subjekteve të licencuara derdhen 70% në buxhetin e shtetit dhe 30% përdoren nga Agjencia.
3. Të ardhurat e Agjencisë, të krijuara sipas pikës 2, të këtij vendimi, klasifikohen në strukturën buxhetore me kapitull 06 “Të ardhura të veta jashtë limitit” të patrashëgueshme dhe përdoren vetëm për investime e shpenzime të mbarëvajtjes së veprimtarisë operacionale të Agjencisë.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË PROJEKTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI SHTETËROR PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE, QË VEPRON NËPËRMJET AMBASADËS SË ZVICRËS NË SHQIPËRI, PËR OFRIMIN E ASISTENCËS TEKNIKE PËR FORCIMIN E MENAXHIMIT TË FINANCAVE PUBLIKE NË NIVEL VENDOR NË SHQIPËRI, FAZA 2
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së projektit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, për ofrimin e asistencës teknike për forcimin e menaxhimit të financave publike në nivel vendor në Shqipëri, faza 2, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.326, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE MBËSHTETËS DHE PUNONJËSVE TË TJERË TË SPECIALITETEVE TË NDRYSHME NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.326, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës dhe punonjësve të tjerë të specialiteteve të ndryshme në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Shkronja “e”, e pikës 12, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“e) Punonjësve në pozicionin “shofer autoambulance” në institucionet shëndetësore të shërbimit spitalor dhe paraspitalor, në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj.”.
b) Në numrin rendor 1, të kreut I/8, “Renditja e pozicioneve të veçanta të punës për çdo klasë të punonjësve të institucioneve qendrore”, shtohet emërtesa “shofer autoambulance në institucionet shëndetësore në nivel qendror të shërbimit spitalor dhe paraspitalor, në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe në Spitalin Universitar të Traumës”;
c) Në numrin rendor 2, të kreut II/1, “Renditja e pozicioneve të përgjithshme të punës për çdo klasë të punonjësve të institucioneve të përmendura në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, dhe të disa institucioneve të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes”, shtohet emërtesa “shofer autoambulance në spitalet rajonale/bashkiake dhe qendrat shëndetësore të kujdesit parësor të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2024, përballohen nga buxheti i miratuar i ministrive përgjegjëse dhe nga fondet e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 korrik 2024.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME TË BASHKËRENDIMIT TË PUNËS NDËRMJET AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS DHE AGJENCISË SË TRAJTIMIT TË PRONAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 57, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të hollësishme të bashkërendimit të veprimtarisë administrative të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (në vijim, ASHK) dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronave (në vijim, ATP), për zbatimin e ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar.
2. ASHK-ja dhe ATP-ja janë të detyruara të përdorin informacionin, që shkëmbehet sipas mënyrave të përcaktuara në këtë vendim, dhe të bashkërendojnë veprimtarinë për:
a) trajtimin e kompensimit fizik të subjekteve, duke respektuar kriteret e legjislacionit për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, në zonat ku zbatohen proceset kalimtare;
b) evidentimin e pronave të paluajtshme të shtetit, përmirësimin/përditësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, të kartelave dhe hartave kadastrale, në funksion të evidentimit të këtyre pronave;
c) verifikimin, përditësimin dhe regjistrimin e gjendjes juridike të fondit të tokës bujqësore, pyll, livadh, kullotë, i cili është në dispozicion të ATP-së në fondin fizik të kompensimit, sipas akteve nënligjore në fuqi;
ç) identifikimin e pronës së paluajtshme të shtetit, për kalimin e saj në fondin e kompensimit fizik të subjekteve të shpronësuara;
d) zëvendësimin e pasurive të fondit të kompensimit fizik në dispozicion të ATP-së, të cilat janë në posedim faktik të përfituesit të aktit të marrjes në pronësi të tokës bujqësore, që është në proces regjistrimi;
dh) përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për transferimin e vlerës monetare të pronës së shitur në fondin special të ATP-së;
e) përputhjen e elementeve hartografike të vendimeve përkatëse, sipas pikës 8, të kreut II, të këtij vendimi;
ë) kalimin e pronësisë pa shpërblim të tokës bujqësore, sipas seksionit 3, të kreut II, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, proces për të cilin ATP-ja informon mbi sipërfaqet, objekt kërkese të kompensimit fizik, si dhe për pasuritë, që janë pjesë e fondit të tokës.
II. RREGULLAT E HOLLËSISHME TË BASHKËRENDIMIT
1. Shkëmbimi i informacionit ndërmjet ASHK-së dhe ATP-së, për efekt të procedurave administrative të të dyja institucioneve, kryhet nëpërmjet përdorimit të moduleve digjitale për shkëmbimin e informacionit, të miratuar me aktet ligjore e nënligjore përkatëse në fuqi.
2. Përjashtimisht, shkëmbimi i informacionit në rrugë shkresore ose nëpërmjet postës elektronike do të kryhet vetëm në rastet e mëposhtme:
a) Kur për shkak të problemeve informatike/infrastrukturore, deri në tejkalimin e tyre, ndërveprimi i bazave të të dhënave apo funksionimi i moduleve digjitale është përkohësisht i pamundur;
b) Për informacionin mbi proceset kalimtare të pronësisë, deri në ngritjen e bazës së të dhënave të këtyre proceseve dhe digjitalizimin e informacionit;
c) Kur informacioni që është ofruar paraprakisht në mënyrë digjitale nuk është i plotë apo kur është i nevojshëm interpretimi i tij.
3. Për të miratuar kompensimin fizik në bazë të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar, ATP-ja duhet të mbështetet në informacionin kadastral dhe në informacionin për proceset kalimtare të pronësisë, sipas neneve 12 e 24, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar, si dhe neneve 36, shkronja “c”, e 58, pika 1, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, në Republikën e Shqipërisë”.
4. ATP-ja nuk mund të vendosë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara, për pasuritë që janë objekt i proceseve kalimtare të pronësisë. Përjashtim bën rasti, kur kemi të bëjmë me kërkesa për kalimin e pronësisë pa shpërblim të tokës bujqësore. Verifikimi i informacionit në funksion të procedurës së kompensimit fizik kryhet nga ATP-ja sipas rregullave të parashikuara në pikat 2 dhe 3, të kreut II, të këtij vendimi.
5. Në çdo rast, dokumentacioni hartografik, që shoqëron kërkesën për informacion mbi gjendjen juridike të pronës dhe vendimin e ATP-së për kompensim fizik, duhet të përmbushë standardet teknike të përcaktuara në legjislacionin për organizimin e funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor. Ai duhet të jetë në përputhje me shkallën dhe kornizën hartografike të ASHK-së, duke pasqyruar koordinatat e pasurisë së paluajtshme.
6. Për zbatimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave, që disponojnë për kompensimin e pronarëve joposedues mbi truallin e zënë nga ndërtimet pa leje, kryhen procedurat e mëposhtme:
a) Në momentin e legalizimit të ndërtimit dhe të regjistrimit të tij, në kartelën e pasurisë së parcelës ndërtimore, në seksionin “Informacione të tjera”, vendoset shënimi, që tregon se pasuria, ose një pjesë e saj do t’i nënshtrohet kompensimit. Me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave, në kartelën e pasurisë duhet të pasqyrohet vendimi i kompensimit për pronarin joposedues dhe kalimi i pronësisë sipas nenit 22, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, në Republikën e Shqipërisë”;
b) ATP-ja, përpara se të ekzekutojë pagesën për kompensimin e pronarit joposedues, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, duhet t’i kërkojë ASHK-së konfirmimin e gjendjes juridike, pjesët takuese të bashkëpronarëve, informacionin, nëse pasuria është e lirë nga çdo barrë apo detyrim, që mund të jetë vendosur mbi pronën që është tjetërsuar gjatë procesit të legalizimit.
7. ATP-ja e dërgon në rrugë elektronike kërkesën për informacion mbi gjendjen juridike të pasurisë, e cila duhet të jetë në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.389, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës dhe të tarifave të shërbimeve kadastrale”, të ndryshuar. Pas paraqitjes së kërkesës në formën e kërkuar nga ligji, ATP-ja njofton subjektin e interesuar që ka inciuar procedurën administrative pranë saj për shlyerjen e tarifës për marrjen e shërbimit kadastral të kërkuar. Pas shlyerjes së pagesës, në përputhje me parashikimet e vendimit nr.389, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës dhe të tarifave të shërbimeve kadastrale”, të ndryshuar, drejtoria vendore e ASHK-së, sipas afateve të miratuara me aktet nënligjore në fuqi, jep informacion mbi gjendjen juridike të pronës dhe pjesët takuese të pronarëve, që do të kompensohen sipas informacionit e dokumentacionit të administruar në regjistrat kadastralë.
8. Kur ATP-ja merr vendim për kompensim fizik të pronarit, ky vendim duhet t’i njoftohet ASHK-së, në zbatim të vendimit nr.223, datë 23.3.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar.
Njoftimi zyrtar i shoqëruar me vendimin i përcillet ASHK-së jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga data e miratimit, me qëllim që të pasqyrohet në kartelën e pasurisë së paluajtshme, sipas parashikimeve të nenit 24, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
9. Fondi i tokës, për qëllim kompensimi, i nënshtrohet përditësimit, në zbatim të nenit 58, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
10. Procedura për përditësimin e fondit të tokës realizohet, si më poshtë vijon:
a) Pasi e identifikon, ASHK-ja e njofton ATP-në për pasurinë, pjesë të fondit, që është objekt i proceseve kalimtare të pronësisë. Ajo pozicionon grafikisht në hartën kadastrale pjesën e sipërfaqes, që hiqet nga fondi dhe informon ATP-në për të dhënat e pasurive të mbetura si rezultat i kalimit të pronësisë nga ASHK-ja për efekt të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, në Republikën e Shqipërisë”.
b) ASHK-ja, me kërkesë të ATP-së, identifikon një pasuri që do të zëvendësojë atë që hiqet nga fondi, me të njëjtën sipërfaqe dhe, mundësisht, në të njëjtën zonë kadastrale. Nëse kjo është e pamundur, zgjidhet një pasuri që ka vlerë ekuivalente, e përcaktuar kjo sipas hartës së vlerës në fuqi në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar.
c) ASHK-ja kryen procedurat e hartimit të projektaktit për ndryshimet në vendimin nr.770, datë 12.11.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 23368,8 ha, në pronësi shtetërore, dhënë në përdorim njësive të qeverisjes vendore”.
ç) Njëkohësisht, ASHK-ja, për sipërfaqen përkatëse të propozuar për t’u hequr nga fondi i tokës, e cila është objekt i procesit kalimtar të kalimit të pronësisë sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, heq shënimet e vendosura në regjistrat kadastralë të pasurisë mbi informacionin për kompensimin fizik të ATP-së dhe vijon me procedurat administrative të regjistrimit të titujve të pronësisë të lëshuar në përputhje me ligjin nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”.
d) Me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për zëvendësimin e pasurisë në fondin e tokës, ASHK-ja bën regjistrimin e këtij akti në regjistrat kadastralë, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
dh) ATP-ja akseson bazën e të dhënave të ASHK-së për të verifikuar nëse prona që do të shërbejë për kompensim fizik është në pronësi të shtetit e nuk u shërben proceseve kalimtare apo nuk ka asnjë pretendim nga të tretët.
III. BASHKËRENDIMI PËR TOKËN BUJQËSORE
1. Procedura për kalimin në fondin e tokës të sipërfaqeve sipas pikës 10, të kreut II, këtij vendimi, realizohet nga ASHK-ja dy herë në vit, pasi të kryhet procesi i evidentimit të tyre, nga drejtoritë vendore, sipas zonave kadastrale, gjatë regjistrimit fillestar apo përmirësim-përditësimit. ASHK-ja përgatit propozimin e miratimit nga Këshilli i Ministrave të kalimit të sipërfaqeve në fondin e tokës.
2. Toka bujqësore, që është pjesë e fondit të kompensimit, miratuar me vendimin nr.770, datë 12.11.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në fondin e kompensimit fizik në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 23 368.8 ha, në pronësi shtetërore, dhënë në përdorim njësive të qeverisjes vendore”, që u është dhënë subjekteve me akt të marrjes së tokës në pronësi, me vendim gjykate të formës së prerë apo me një akt tjetër, në përputhje me parashikimet e nenit 193 të Kodit Civil, e që kërkohet të regjistrohet, do të zëvendësohet dhe do të hiqet nga ky fond, sipas procedurës së përcaktuar në pikën 10, të kreut II, të këtij vendimi.
3. Për verifikimin e kushteve për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore, sipas shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 12, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, ASHK-ja kërkon informacion pranë ATP-së në një nga format e parashikuara në këtë vendim, në përputhje me parashikimet e nenit 68, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Për të realizuar regjistrimin në regjistrin kadastral të fondit pyjor, kullosor në administrim të ATP-së, sipas vendimit nr.1077, datë 18.6.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e fondit të kompensimit fizik nga fondi pyjor dhe kullosor”, dhe të pikës 68/2, të vendimit nr.433, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për transferimin, në pronësi të bashkive të pyjeve dhe kullotave publike, sipas listave të inventarit dhe aktualisht në administrim të Ministrisë së Mjedisit e të ish-komunave/bashkive”, të ndryshuar, ATP-ja paraqet kërkesën për shërbimin kadastral, “Regjistrim të kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ”, për pasuritë konkrete të individualizuara, sipas zonave kadastrale, shoqëruar nga dokumentacioni hartografik, ku identifikohet pasuria. Ky shërbim nuk i nënshtrohet kamatëvonesës.
2. Tarifa për regjistrim sipas pikës 1, të kreut IV, të këtij vendimi, i kompensohet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga fondet e buxhetit të shtetit, në përputhje me pikën 3, të nenit 63, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. Nëse vlera nuk rimbursohet në vitin pasardhës, drejtoria vendore e ASHK-së nuk vijon me dhënien e shërbimit.
3. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU