Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Maj 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Maj 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Maj 2023:
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE RREGULLAVE     PËR PARAQITJEN E KËRKESAVE PËR TË VEPRUAR    SI ADMINISTRATOR NË PROCEDURAT E FALIMENTIMIT,   SI DHE PROCEDURËN PËR DHËNIEN E HEQJEN E LICENCËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 42, të ligjit nr.110/2016, “Për falimentimin”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i kritereve dhe rregullave të hollësishme për mënyrën e paraqitjes dhe trajtimin e kërkesave për të vepruar si administrator, sipas përcaktimeve të ligjit nr.110/2016, “Për falimentimin”, si dhe procedurës për dhënien e heqjen e licencës.
Neni 2
Përkufizime
Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Administrator”, administratori i përkohshëm, administratori mbikëqyrës dhe administratori i falimentimit.
2. “Administrator i falimentimit”, administratori i caktuar nga gjykata e falimentimit në vendimin për fillimin e procedurës së falimentimit ose pas hapjes së saj kur zëvendëson debitorin në administrimin dhe drejtimin e veprimtarisë.
3. “Agjencia Kombëtare e Falimentimit”, autoriteti shtetëror kompetent për mbikëqyrjen, trajnimin dhe licencimin e veprimtarisë së administratorëve.
4. “Kandidat”, individi që paraqet kërkesë pranë Agjencisë Kombëtare të Falimentimit për t’u licencuar si administrator.
5. “Licencë”, akti administrativ që i njeh titullarit të saj të drejtën të fillojë e të ushtrojë profesionin e administratorit, në përputhje me kushtet e përcaktuara në të.
6. “Provimi i kualifikimit”, testimi i njohurive të kandidatëve që përmbushin kriteret për të qenë pjesë e tij, kalimi me sukses i të cilit mundëson ushtrimin e funksionit të administratorit.
7. “Regjistri i administratorëve”, regjistri i administratorëve të certifikuar të falimentimit, sipas përcaktimeve në ligjin nr.110/2016, “Për falimentimin”.
KREU II
KRITERET DHE PROCEDURA PËR DHËNIEN E LICENCËS
SEKSIONI I
KRITERET E PËRZGJEDHJES DHE PARAQITJA E KËRKESAVE
Neni 3
Kriteret e përzgjedhjes
Kandidati duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë një diplomë të ciklit të dytë të studimeve ose ekuivalente me të në shkenca ekonomike ose drejtësi;
ç) Të ketë të paktën 5 (pesë) vjet përvojë pune në shkenca ekonomike ose drejtësi;
d) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) Të mos jetë shkarkuar nga ushtrimi i detyrës ose i funksionit publik për arsye të integritetit etik, me vendim të organit kompetent, që ka marrë formë të prerë, me përjashtim të rasteve kur kjo masë disiplinore është shuar sipas legjislacionit të posaçëm;
e)  Të ketë kryer me sukses provimin e kualifikimit;
ë)  Të ketë kryer pagesën e tarifës për pajisjen me licencë, sipas pikës 3, të nenit 23, të këtij vendimi.
Neni 4
Publikimi i thirrjes
1. Thirrja për shprehje interesi hapet të paktën 2 (dy) herë në vit dhe publikohet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit, të Ministrisë së Drejtësisë dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Republikës së Shqipërisë.
2. Thirrja qëndron e hapur për një periudhë prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga data e publikimit.
Neni 5
Paraqitja e kërkesës për shprehje interesi dhe dokumentacioni shoqërues
1. Kandidati paraqet kërkesën për shprehje interesi elektronikisht nëpërmjet shërbimit elektronik në portalin qeveritar “e-Albania” dhe ngarkon elektronikisht dokumentacionin shoqërues brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga përfundimi i afatit të publikimit të përcaktuar në nenin 4, të këtij vendimi.
2. Trajtimi i kërkesës për shprehje interesi dhe verifikimi i kritereve të kandidatëve kryhet nga struktura përgjegjëse për licencimin e administratorëve pranë Agjencisë Kombëtare të Falimentimit.
3. Kandidati depoziton kërkesën e tij të shoqëruar me këto dokumente:
a) Jetëshkrim;
b) Kërkesë për shprehje interesi;
c) Vetëdeklarim i gjendjes gjyqësore;
ç) Kopje të njësuar të diplomës së ciklit të dytë të studimeve ose ekuivalente me të, lëshuar nga një institucion arsimor i akredituar në Republikën e Shqipërisë ose nga një institucion arsimor i huaj, të njohur e të njësuar nga ministria përgjegjëse për arsimin;
d) Kopje të njësuar të librezës së punës ose çdo vërtetim tjetër, të lëshuar nga një autoritet shtetëror, që provon përvojën e punës në shkenca ekonomike ose drejtësi;
dh) Vërtetim për pagesën e tarifës së provimit të kualifikimit për llogari të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit.
4. Paraqitja e kërkesës dhe dokumenteve shoqëruese kryhet në rrugë elektronike, përmes portalit qeveritar “e-Albania”.
5. Kandidati është përgjegjës personalisht për vërtetësinë dhe saktësinë e dokumentacionit, të depozituar pranë Agjencisë Kombëtare të Falimentimit.
Neni 6
Verifikimi paraprak
Struktura përgjegjëse për licencimin e administratorëve, pranë Agjencisë Kombëtare të Falimentimit, administron shprehjet e interesit dhe dokumentacionin shoqërues të kandidatit dhe, brenda 5 (pesë) ditëve nga përfundimi i afatit për paraqitjen e tyre, kryen veprimet e mëposhtme:
a)  Kur shprehja e interesit dhe dokumentacioni shoqërues është në përputhje me nenin 5, të këtij vendimi, njofton kandidatin, përmes portalit qeveritar “e-Albania” në rubrikën “Hapësira ime”, për vazhdimin e procedurës së verifikimit të kritereve;
b) Kur shprehja e interesit dhe dokumentacioni shoqërues nuk është në përputhje me nenin 5, të këtij vendimi, njofton kandidatin, përmes portalit qeveritar “e-Albania” në rubrikën “Hapësira ime”, për plotësimin e të metave brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e njoftimit. Struktura përgjegjëse ndihmon në mënyrë aktive kandidatin për plotësimin e të metave të konstatuara. Mosplotësimi i të metave brenda afatit 5-ditor përbën shkak për mospranimin e kërkesës.
Neni 7
Verifikimi i kritereve
1. Struktura përgjegjëse, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga njoftimi për vazhdimin e procedurës së verifikimit ose përfundimit të afatit për plotësimin e të metave, verifikon nëse kandidatët plotësojnë kriteret për të vepruar si administrator, në përputhje me parimet dhe rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
2. Nëse dokumentacioni i paraqitur nuk vërteton plotësisht përmbushjen e kritereve për të vepruar si administrator, nuk është i plotë e i saktë ose ka dyshime të arsyeshme për vërtetësinë e tij, struktura përgjegjëse mund të kërkojë informacion ose dokumentacion shtesë nga çdo organ publik apo persona të tjerë juridikë, vendas ose të huaj.
3. Në përfundim të verifikimit për plotësimin e kritereve për të vepruar si administrator, struktura përgjegjëse harton relacionin shpjegues për secilin kandidat, ku pasqyrohen të dhënat e dokumentacionit të paraqitur dhe arsyet për pranimin ose rrëzimin e kërkesës, si dhe njoftimin përkatës.
Neni 8
Ankimi ndaj refuzimit të kërkesës
1. Kandidatët, të cilëve u është refuzuar kërkesa, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë ministrit të Drejtësisë, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit, duke bashkëlidhur argumentet dhe dokumentacionin që provon përmbushjen e kritereve ligjore.
2. Struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë shqyrton ankimin dhe i propozon ministrit të Drejtësisë përfshirjen në listën e kandidatëve të kualifikuar, në rastet kur provohet përmbushja e kritereve për pjesëmarrje në provimin e kualifikimit ose skualifikimin përfundimtar të tij nga pjesëmarrja në provim. Ministri i Drejtësisë nxjerr urdhrin përkatës jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e paraqitjes së ankimit.
3. Ndaj urdhrit të ministrit për skualifikimin e kandidatit mund të bëhet ankim në gjykatë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
SEKSIONI 2
ORGANIZIMI I PROVIMIT TË KUALIFIKIMIT
Neni 9
Provimi i kualifikimit
1. Provimi i kualifikimit të administratorëve zhvillohet në datën e caktuar me urdhër të ministrit të Drejtësisë, i cili publikohet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit dhe të Ministrisë së Drejtësisë, të paktën 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga përfundimi i afatit të publikimit të thirrjes për shprehje interesi.
 2. Tarifa për pjesëmarrje në provimin e kualifikimit është 10 000 (dhjetë mijë) lekë dhe paguhet për llogari të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit.
Neni 10
Ngritja dhe funksionimi i komisionit të provimit të kualifikimit
1. Komisioni i provimit të kualifikimit ngrihet me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
2. Komisioni përbëhet nga 3 përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit dhe 2 përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë.
3. Kryetar i komisionit caktohet një nga përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Falimentimit, që ka përvojë më të gjatë profesionale dhe në rast se të tre përfaqësuesit kanë të njëjtën përvojë profesionale, kryetar caktohet përfaqësuesi më i vjetër në moshë.
4. Komisioni mbështetet nga struktura përgjegjëse pranë Agjencisë Kombëtare të Falimentimit për mbarëvajtjen administrative dhe logjistike, të nevojshme për veprimtarinë e tij.
5. Përveç nëse parashikohet ndryshe në këtë vendim, në veprimtarinë e komisionit zbatohen, për aq sa gjejnë zbatim, dispozitat e legjislacionit në fuqi për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike.
Neni 11
Përgjegjësitë e komisionit të provimit të kualifikimit
Komisioni është përgjegjës për:
a) hartimin e tezave të provimit dhe përgjigjeve të tyre;
b) vlerësimin me pikë të përgjigjeve në provim;
c) shqyrtimin e ankimeve nga kandidatët ndaj rezultateve të publikuara;
ç) shpalljen e rezultateve përfundimtare të provimit të kualifikimit.
Neni 12
Deklarata e konfliktit të interesit
1. Pas njohjes me listën e kandidatëve të kualifikuar, anëtarët e komisionit nënshkruajnë një deklaratë personale se nuk ndodhen në rastet e pengesave ligjore të parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative me kandidatët për administrator që marrin pjesë në provim.
2. Kur anëtari ndodhet në një nga këto raste, zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative për përjashtimin dhe zëvendësimin e tij.
Neni 13
Provimi i kualifikimit për administrator
1. Tezat e provimit hartohen me qëllim matjen e njohurive të kandidatëve mbi Kodin e Procedurës Civile, Kodin Civil, legjislacionin mbi falimentimin, mbi tregtarët dhe shoqëritë tregtare dhe legjislacionin që lidhet me të.
2. Provimi përmban pyetje me alternativa dhe me zhvillim, prej të cilave 2/3 janë me alternativa dhe 1/3 me zhvillim.
3. Vlerësimi i provimit të kualifikimit bëhet me maksimumin e mundshëm 100 (njëqind) pikë.
4. Kandidati kalon me sukses provimin e kualifikimit kur ka marrë të paktën 70 (shtatëdhjetë) pikë.
Neni 14
Përgatitja e pyetjeve të provimit dhe përgjigjet
1. Pyetjet e provimit dhe përgjigjet e tyre përgatiten nga komisioni jo më herët se 1 (një) ditë para datës së zhvillimit të provimit dhe nuk u bëhen të ditura personave të tjerë.
2. Pyetjet hartohen në 3 (tri) teza të ndryshme dhe futen në zarfe të ndryshme prej të cilave zgjidhet njëri nga zarfet për t’u përdorur në provim. Të gjitha zarfet nënshkruhen nga të gjithë anëtarët e komisionit. E njëjta procedurë ndiqet edhe për përgjigjet e tezave të provimit.
3.   Zgjedhja e zarfit bëhet me short ditën e zhvillimit të provimit dhe në prani të kandidatëve. Zarfi duhet të jetë i mbyllur dhe i nënshkruar.
Neni 15
Paraqitja dhe identifikimi i kandidatëve
1. Hyrja për në mjediset e brendshme të zhvillimit të provimit bëhet 1 (një) orë përpara orarit të njoftuar për zhvillimin e provimit dhe identifikimi i kandidatëve bëhet në bazë të një dokumenti identifikimi personal të vlefshëm dhe me fotografi, i cili mund të jetë letërnjoftim ose pasaportë. Kandidatët, që nuk kanë mjet identifikimi të vlefshëm, përjashtohen nga pjesëmarrja në provim, për të cilën mbahet procesverbali përkatës.
2.  Kandidatët ftohen të zënë vendet sipas një përzgjedhjeje rastësore nga personat e caktuar për mbikëqyrjen e provimit dhe për asnjë arsye nuk lejohen të ndryshojnë vendin e caktuar ose të dalin jashtë.
Neni 16
Përzgjedhja dhe shpërndarja e tezës së provimit
1. Zarfi i zgjedhur, sipas pikës 3, të nenit 14, të këtij vendimi, hapet nga komisioni dhe teza e përzgjedhur u bëhet e ditur publikisht kandidatëve nga kryetari i komisionit.
2. Kandidatëve u shpërndahet teza e provimit dhe fleta e përgjigjeve. Teza e provimit nënshkruhet nga komisioni dhe përmban kodin e provimit. Kodi i provimit është një numër me dy ose më tepër shifra dhe unik për çdo kopje të provimit dhe për çdo kandidat.
3. Kandidatët plotësojnë kodin e provimit në fletën e përgjigjeve, si dhe përbri emrit të tyre në një fletë të posaçme të vënë në dispozicion nga personat e caktuar për mbikëqyrjen e provimit, e cila mbyllet në një zarf të veçantë.
Neni 17
Rregullat e sjelljes gjatë zhvillimit të provimit
1. Përpara fillimit të provimit, personat e caktuar për mbikëqyrjen e provimit udhëzojnë kandidatët për zbatimin e rregullave të sjelljes gjatë zhvillimit të provimit.
2. Pas këtij njoftimi, kandidatët plotësojnë një deklaratë me shkrim se u njohën me rregullat, dhe se shkelja e tyre përbën shkak për skualifikimin e menjëhershëm nga provimi. Refuzimi për nënshkrimin e deklaratës apo kundërshtimi i përmbajtjes së saj sjell humbjen e menjëhershme të së drejtës për të kryer provimin.
3. Kandidati që gjatë provimit nuk respekton udhëzimet e dhëna, njoftohet pa paralajmërim të ndërpresë provimin dhe të lërë menjëherë sallën, duke iu komunikuar edhe skualifikimi nga procedura e provimit.
4. Në tezën e provimit dhe fletën e përgjigjeve të kandidatit të skualifikuar, sipas pikës 3, të kësaj dispozite, bëhet shënimi “Skualifikohet”, vihet në dijeni kryetari i komisionit dhe bëhet pasqyrimi në procesverbalin e provimit, ku shënohet nxjerrja jashtë procesit të vlerësimit të tezës së kandidatit të skualifikuar, si dhe shkaqet që kanë çuar në skualifikimin e kandidatit.
5. Procesverbali i provimit nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e komisionit dhe bëhet pjesë e dosjes për procedurat e zhvilluara, duke i bashkëlidhur tezat e provimeve dhe fletët e përgjigjeve të kandidatëve të skualifikuar.
Neni 18
Procedura pas përfundimit të provimit
1. Pas përfundimit të kohës së caktuar për provimin, mblidhen fletët e përgjigjeve të provimit të kandidatëve dhe, nëse është rasti, bëhen shënimet përkatëse sipas parashikimeve të mësipërme.
2. Pas dorëzimit  nga të gjithë kandidatët të fletëve të përgjigjeve të provimit, hapet zarfi ku ndodhen dy kopje me përgjigjet e tezës.
3. Komisioni administron njërën nga kopjet e përgjigjeve, ndërsa kopja tjetër publikohet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit dhe të Ministrisë së Drejtësisë.
Neni 19
Korrigjimi i provimit dhe vlerësimi me pikë
1. Komisioni korrigjon provimet jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga data e përfundimit të provimit. Secili prej anëtarëve të komisionit kryen vlerësimin e pavarur të çdo testi dhe në fund përllogariten pikët mesatare të të gjithë anëtarëve për çdo pyetje. Në fund të korrigjimit, komisioni përllogarit shumën totale të pikëve të fituara nga çdo kandidat.
2. Administrimi i rezultateve të përfituara nga korrigjimi dokumentohet me procesverbal nga një prej anëtarëve të komisionit, që zgjidhet nga kryetari. Anëtarët e komisionit janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e diskutimeve në mbledhje.
3. Vlerësimi i provimeve nënshkruhet në çdo fletë nga të gjithë anëtarët e komisionit. Rezultatet e vlerësimit pasqyrohen në një listë, e cila përmban kodin dhe përbri pikët vlerësuese, si dhe nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e komisionit.
4. Pas nënshkrimit të listës me kodet dhe pikët e vlerësimit për të gjitha provimet e korrigjuara, hapet zarfi me emrat dhe kodet e kandidatëve dhe përbri emrit dhe kodit të çdo kandidati shënohen pikët e fituara.
Neni 20
Publikimi i rezultateve të provimit
Lista me emrat, kodet dhe pikët e fituara nga kandidatët nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e komisionit. Një kopje e saj, e cila përmban vetëm kodet dhe pikët e fituara nga kandidatët, publikohet brenda ditës në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit dhe të Ministrisë së Drejtësisë. Për efekt ankimi, publikimi është i barasvlershëm me njoftimin e çdo kandidati.
Neni 21
Ankimi ndaj rezultateve të provimit
Kandidatët, që kanë vërejtje për vlerësimin e provimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim brenda 3 (tri) ditëve nga dita e publikimit të listës. Komisioni shqyrton ankimet jo më vonë se 5 (pesë) ditë pas kalimit të këtij afati dhe njofton ankuesin mbi shqyrtimin e ankimit përmes portalit qeveritar “e-Albania”.
Neni 22
Lista përfundimtare e fituesve
Komisioni, pas kalimit të afatit të ankimit apo shqyrtimit të ankimeve të paraqitura, sipas nenit 21, të këtij vendimi, përgatit listën përfundimtare të fituesve të provimit, e cila publikohet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit dhe të Ministrisë së Drejtësisë. Lista përfundimtare publikohet sipas renditjes së pikëve dhe kodit të provimit për secilin kandidat, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
SEKSIONI 3
DHËNIA E LICENCËS
Neni 23
Pajisja e kandidatëve fitues me licencë
1. Kandidatët fitues, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga publikimi i listës përfundimtare të fituesve, paraqesin vërtetimin për kryerjen e pagesës së tarifës, sipas pikës 4, të këtij neni, dhe pajisen me licencë.
2. Licenca lëshohet edhe elektronikisht me vulë/nënshkrim elektronik përmes portalit qeveritar “e-Albania”.
3. Licenca e administratorit ka afat 3-vjeçar  dhe i jep të drejtë kandidatit fitues të ushtrojë profesionin e administratorit në Republikën e Shqipërisë.
4. Tarifa për pajisjen me licencë është 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe paguhet për llogari të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit.
Neni 24
Regjistrimi i licencës
1. Agjencia Kombëtare e Falimentimit regjistron menjëherë licencën për administrator në Regjistrin e Administratorëve.
2. Agjencia njofton gjykatat e falimentimit dhe strukturën përgjegjëse për administrimin e regjistrit elektronik të ekspertëve në Ministrinë e Drejtësisë për licencën e lëshuar.
Neni 25
Rinovimi i licencës
1. Licenca rinovohet në bazë të kërkesës me shkrim të administratorit, e cila depozitohet në Agjencinë Kombëtare të Falimentimit, jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike përpara datës së mbarimit të afatit të vlefshmërisë së saj.
2. Kërkesa shoqërohet me dokumentet e mëposhtme:
a)  Kopjen e dokumentit të identifikimit;
b) Deklaratën e kërkuesit se vazhdon të plotësojë kriteret për mbajtjen e licencës;
c)  Dokumentacionin për aktivitetet e kryera në fushën e falimentimit, për të paktën 3 (tre) vjetët e fundit;
ç)  Deklaratën se ka marrë pjesë në trajnime vazhduese profesionale dhe/ose kurse në fushën e falimentimit të organizuara nga Agjencia;
d)  Deklaratën se kërkuesi nuk ka qenë subjekt i ndonjë mase disiplinore;
dh) Vërtetimin e pagesave për detyrimet e përcaktuara nga Agjencia gjatë procedurës së mbikëqyrjes profesionale;
e)  Vërtetimin që provon pagesën e tarifës për rinovimin e licencës.
3. Tarifa për rinovimin e licencës është 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe paguhet për llogari të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit.
4. Kërkesa për rinovimin e licencës shqyrtohet nga struktura përgjegjëse në Agjencinë Kombëtare të Falimentimit brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e paraqitjes së saj, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.
5. Kur administratori nuk ndjek procedurën sipas këtij neni, ai trajtohet si kandidat për administrator.
KREU III
PROCEDURA PËR HEQJEN E LICENCËS
Neni 26
Heqja e licencës
Heqja e licencës së ushtrimit të profesionit të administratorit bëhet me urdhër të drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit, kur administratori:
a)  heq dorë nga ushtrimi i profesionit të administratorit, me kërkesën e tij;
b)  humbet zotësinë për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
c)  është dënuar pas marrjes së licencës me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ç) vërtetohet se në momentin e marrjes së licencës e ka marrë atë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi;
d) ka kryer shkelje të rënda të konstatuara nga Agjencia Kombëtare e Falimentimit gjatë kontrollit dhe mbikëqyrjes.
Neni 27
Procedura për heqjen e licencës
1. Struktura përgjegjëse, në kuadër të mbikëqyrjes dhe kontrollit periodik të administratorëve, bën verifikimin e çdo informacioni të nevojshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe, në rast se konstaton një nga rastet e parashikuara në shkronjat “b”, “c”,”ç” dhe “d”, të nenit 26, të këtij vendimi, i propozon drejtorit fillimin e procedurës për heqjen e licencës.
2. Drejtori, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e marrjes së propozimit, udhëron fillimin e procedurës administrative dhe kryen hetimin administrativ, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Administrative.
3. Në përfundim të procedurës administrative, drejtori vendos për heqjen e licencës, kur vërtetohen kushtet e përcaktuara në nenin 26, të këtij vendimi. Urdhri i drejtorit për heqjen e licencës ka formë të shkruar në letër dhe hartohet në përputhje me nenet 99 dhe 100 të Kodit të Procedurës Adminstrative.
Neni 28
Njoftimi i urdhrit për heqjen e licencës
1. Agjencia Kombëtare e Falimentimit njofton administratorin, gjykatat e falimentimit dhe strukturën përgjegjëse për administrimin e regjistrit elektronik të ekspertëve në Ministrinë e Drejtësisë mbi urdhrin për heqjen e licencës.
2. Heqja e licencës pasqyrohet në Regjistrin e Administratorëve.
Neni 29
Ankimi
Administratori ka të drejtë të paraqesë ankim ndaj urdhrit për heqjen e licencës në gjykatën administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 30
Shfuqizime
Fjalia e dytë, e pikës 14, të vendimit nr.542, datë 19.9.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Falimentimit”, shfuqizohet.
Neni 31
Organet zbatuese
Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia Kombëtare e Falimentimit për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 32
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT  TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI, PËR BASHKËPUNIMIM NË FUSHËN    E MBROJTJES SË BIMËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së bimëve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.414, DATË 8.7.2021,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PROCEDURAVE DHE KRITEREVE TË NDARJES  DHE TË PËRDORIMIT TË FONDIT TË KUSHTËZUAR    TË BUXHETIT TË SHTETIT PËR MBROJTJEN CIVILE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 65, të    ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.414, datë 8.7.2021, të Këshillit të Ministrave, “shkronja “ë”, e pikës 3.1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ë) blerjen e automjeteve për përdorim të veçantë, makinave teknologjike dhe mjeteve rrugore të veçanta, të përcaktuara si të tilla, sipas parashikimeve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, të cilat përdoren për përballimin e situatave emergjente, të krijuara si pasojë e një fatkeqësie, si edhe për shpenzime të kryera për blerje karburanti dhe pjesësh ndërrimi për automjete dhe makineri, të cilat përdoren për përballimin e situatave emergjente, të krijuara si pasojë e një fatkeqësie.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, bashkitë dhe prefektët e qarqeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1691, DATË 10.10.2007,   TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BRENDSHME PËR PREFEKTËT E ADMINISTRATËN E TYRE, NËNPREFEKTËT   DHE ADMINISTRATËN E TYRE DHE PËR DREJTORINË    E PËRGJITHSHME TË EMERGJENCAVE CIVILE (DREJTORINË   E PMNZSH-SË)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 13, të ligjit nr.8743, datë  22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.1691, datë 10.10.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme për prefektët e administratën e tyre, nënprefektët dhe administratën e tyre dhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile (Drejtorinë e PMNZSH-së)”, të ndryshuar, në listën e inventarit me 1 (një) fletë, për prefektin e Qarkut të Durrësit dhe administratën e tij, me 4 (katër) prona, formulari për pronën me numër rendor 2 (dy), me emërtimin “Zyra e nënprefekturës, Krujë”, zëvendësohet me formularin, planrilevimin dhe planimetrinë, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR VITIN 2023, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË DHE MINISTRISË SË TURIZMIT DHE MJEDISIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në buxhetin e vitit 2023, në programin “Tregu i punës”, në artikullin 606, i pakësohet fondi prej 45 000 000 (dyzet e pesë milionë) lekësh.
2. Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në buxhetin e vitit 2023, në programin “Zhvillimi i turizmit”, në artikullin 604, i shtohet fondi prej 45 000 000 (dyzet e pesë milionë) lekësh për zhvillimin dhe promovimin e destinacioneve, produkteve dhe diversifikimin e ofertës turistike në turizëm.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE   TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I RRUGËS SHËNGJIN – BAKS-RRJOLL, SEGMENTI NGA KM + 0.00 DERI NË KM 7 + 310”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi  i rrugës Shëngjin – Baks – Rrjoll, segmenti nga  km + 0.00  deri  në  km 7 + 310”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Lezhë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë  e llojit “arë”, “pyll”, “truall” dhe “kullotë”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 144 537 067.63 (njëqind e dyzet e katër milionë e pesëqind e tridhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë e shtatë pikë gjashtëdhjetë e tre) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 144 537 067.63 (njëqind e dyzet e katër milionë e pesëqind e tridhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë e shtatë pikë gjashtëdhjetë e tre) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Lezhë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Lezhë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lezhë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Lezhë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lezhë, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Lezhë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Lezhë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lezhë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë  Këshillit të Qarkut Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
 SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE    TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZONA E TEKNOLOGJISË      DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK “TEDA TIRANË””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik “TEDA Tiranë””.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 115 458 560 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë e katërqind e pesëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 115 458 560 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë e katërqind e pesëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.662, DATË 13.10.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RISHIKIMI I PROJEKTIT PËR SEGMENTIN RRUGOR TË VAZHDIMIT TË ‘UNAZËS SË MADHE’ TIRANË NGA ‘SHESHI SHQIPONJA’–‘BULEVARDI I RI’ DHE ‘RIKUALIFIKIMI I ‘UNAZËS LINDORE’ PËR LOTET 4, 5, 6”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.662, datë 13.10.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë”, “ndërtesë”, “apartament”, “njësi” dhe “bodrum”, me një vlerë të përgjithshme prej 3 851 711 841.5 (tre miliardë e tetëqind e pesëdhjetë e një milionë e shtatëqind e njëmbëdhjetë mijë e tetëqind e dyzet e një pikë pesë) lekësh.”.
2. Në pikën 4 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej “3 158 206 249 (tre miliardë e njëqind e pesëdhjetë e tetë milionë e dyqind e gjashtë mijë e dyqind e dyzet e nëntë) lekësh”  ndryshon dhe bëhet “3 851 711 841.5 (tre miliardë e tetëqind e pesëdhjetë e një milionë e shtatëqind e njëmbëdhjetë mijë e tetëqind e dyzet e një pikë pesë) lekësh”.
b) Në shkronjën “a”, vlera prej “3 035 497 750 (tre miliardë e tridhjetë e pesë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) lekësh” ndryshon dhe bëhet “3 729 003 342.5  (tre miliardë e shtatëqind e njëzet e nëntë milionë e tre mijë e treqind e dyzet e dy pikë pesë) lekësh”.
3. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 140 000 (njëqind e dyzet mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.”.
4. Pikat 7 dhe 8 ndryshohen, si më poshtë vijon:
 “7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.”.
5. Tabelës bashkëlidhur vendimit në fuqi i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROCEDURAVE PËR KRYERJEN E VEPRIMTARIVE TË SHFRYTËZIMIT NË FONDIN PYJOR KOMBËTAR NGA INDIVIDË APO SUBJEKTE TË LICENCUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 23, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë procedurat që ndiqen nga individët apo subjektet e licencuara gjatë kryerjes së veprimtarive të shfrytëzimit në Fondin Pyjor Kombëtar.
Neni 2
Përkufizime
Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me termat e ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, ndërsa termat e mëposhtëm kanë kuptimin, si më poshtë vijon:
1. “Veprimtari shfrytëzuese në Fondin Pyjor Kombëtar”, punimet apo aktivitetet në fondin pyjor, që kryejnë individët për nevojat vetjake apo subjektet e pajisura me lejen përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi për licencat, lejet dhe autorizimet, kategoria III.4, të cilat zotërojnë të drejtën e shfrytëzimit, sipas legjislacionit në fuqi, si më poshtë vijon:
a) Punimet për shfrytëzimin e lëndës drusore dhe të asortimenteve;
b) Punimet dhe aktivitetet në infrastrukturën pyjore;
c) Punimet për prerjet kulturore;
ç)  Punimet për mbrojtjen e tokës pyjore;
d) Vjelja dhe grumbullimi i bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore (BMET) dhe prodhimeve pyjore jodrusore.
2. “Individ” ka kuptimin, sipas përcaktimit të pikës 22, të nenit 3, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, dhe ndjek procedurat e këtij vendimi vetëm në rastet e shfrytëzimit të fondit pyjor për nevojat e veta.
3. “Subjekti i licencuar”, këtu e në vijim subjekti, ka kuptimin e personit fizik dhe juridik, që zotëron të drejtën e shfrytëzimit në Fondin Pyjor Kombëtar, pasi të jetë pajisur me lejen përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi për licencat, lejet dhe autorizimet, kategoria III.4, për ushtrimin e veprimtarive të shfrytëzimit, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
4. “Transport i largët”, transporti i lëndës drusore nga sheshet e depozitimit drejt pikës së magazinimit apo shitjes.
5. “Sheshi i depozitimit” ka kuptimin e një vendi të caktuar brenda parcelës ose grupparcelave të përcaktuara për shfrytëzim, ku depozitohet e stivoset lënda drusore pas përfundimit të transportit të brendshëm.
6. “Punimet për mbrojtjen e tokës pyjore” kanë kuptimin e kryerjes së pyllëzimit dhe të sistemimeve malore.
KREU II
PROCEDURAT E KRYERJES SË VEPRIMTARIVE TË SHFYTËZIMIT
Neni 3
Procedura e shfrytëzimit të lëndës drusore dhe asortimenteve në Fondin Pyjor Kombëtar
1. Individi apo subjekti, që zotëron të drejtën e shfrytëzimit, kërkon nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki projektin teknologjik të shfrytëzimit dhe lejen përkatëse të shfrytëzimit.
2. Struktura përgjegjëse për pyjet në bashki, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga administrimi i kërkesës, pajis me projektin teknologjik dhe lejen e shfrytëzimit individin apo subjektin.
3. Struktura përgjegjëse për pyjet në bashki, brenda 5 (pesë) ditëve nga vënia në dispozicion e projektit dhe lejes përkatëse të shfytëzimit, i dorëzon individit apo subjektit parcelën apo parcelat që janë objekt i shfrytëzimit.
4. Pas marrjes në dorëzim, individi apo subjekti, në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse, si dhe në përputhje me afatet e parashikuara në kontratë kryejnë procedurat e nevojshme, si më poshtë vijon:
a) Përforcojnë me shenja të veçanta dhe të kuptueshme drurët e damkosur;
b) Caktojnë vendet, të cilat nevojiten për instalime të përkohshme në funksion të skemave teknologjike të shfrytëzimit, të tilla si skelat e ngarkimit, sheshet e depozitimit etj;
c) Përcaktojnë një vend për ngritjen e kampingut të punëtorëve, në rastin kur lëvizja ditore e punëtorëve nga qendra e banuar në vendin e punës dhe anasjelltas, është e pamundur për shkaqe që lidhen me largësinë etj;
ç) Marrin përsipër dorëzimin e vendit të kampingut të punëtorëve, pas përfundimit të shfrytëzimeve, si në gjendjen fillestare të tij, pa mbetje dhe pa dëmtime;
d) Brenda periudhës së shfrytëzimit të përcaktuar në lejen e shfrytëzimit, kanë detyrimin e mbrojtjes së sipërfaqes pyjore, në të cilën do të kryhet veprimtaria e lejuar, sipas përcaktimeve në kontratën e përbashkët me pronarin.
5. Në rastin kur në kontratë është përcaktuar që individi apo subjekti të kryejë transportin e largët të lëndës drusore, individi apo subjekti i kontraktuar i kërkon strukturës përgjegjëse për pyjet në bashki pajisjen me vërtetim transporti për përmbushjen e detyrimit kontraktor.
6. Vërtetimi i transportit plotësohet dhe lëshohet nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki në sheshin e depozitimit, pas kryerjes së matjeve përkatëse të lëndës drusore që do të transportohet.
7. Para kryerjes së transportit të largët të lëndës drusore nga sheshet e depozitimit apo skelat e ngarkimit, individi apo subjekti shënon lëndën drusore me bojë, sipas ngjyrës së përcaktuar e të miratuar nga bashkia.
Neni 4
Procedura për kryerjen e punimeve dhe aktivitetet në infrastrukturën pyjore
1. Punimet dhe aktivitetet në infrastrukturën pyjore kryhen vetëm nga subjekte që zotërojnë të drejtën e shfrytëzimit.
2. Për punimet dhe aktivitetet në infrastrukturën pyjore, subjekti, pasi ka lidhur kontratën përkatëse me bashkinë, në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse në bashki, ndjek procedurën e mëposhtme:
a) I kërkon strukturës përgjegjëse në bashki, brenda 5 (pesë) ditëve, t’i dorëzojë subjektit projektin përkatës, që do të zbatohet në infrastrukturën pyjore;
b) Shënon me shenja të qarta në terren gjurmën, për të cilën do të zbatohet projekti.
3. Në rast se gjatë zbatimit të projektit, druri apo grupdrurësh rrezikohen të dëmtohen gjatë kryerjes së punimeve, struktura përgjegjëse për pyjet merr masat për mbrojtjen e tyre, duke ngarkuar subjektin që kryen punimet, për krijimin e kushteve mbrojtëse të tyre, të tilla si gardhimi apo krijimi i strukturave që pengojnë dëmtimin e pjesëve të drurit.
4. Në rastin kur mbrojtja e parashikuar në pikën 3, të këtij neni, është e pamundur, pasi pengon zhvillimin e projektit, atëherë struktura përgjegjëse për pyjet në bashki merr masat për prerjen dhe largimin e drurit apo të grupit të drurëve, si më poshtë vijon:
a) Kryen verifikime në terren në vendin ku zbatohet projekti dhe harton një raport teknik, i cili përmban të dhëna për volumet e lëndës drusore dhe vlerat financiare që nevojiten për prerjen dhe largimin e saj. Më pas vijohet me prerjen dhe largimin  e drurëve, sipas akteve nënligjore në fuqi për pyjet;
b) Nëse volumi i drurëve që priten është më pak ose i barabartë me 50 m3 (metër kub), struktura përgjegjëse për pyjet në bashki ndjek procedurat për prerjen dhe largimin  e tyre dhe brenda 5 (pesë) ditëve njofton:
i. strukturat përgjegjëse për pyjet në ministri;
ii. strukturat përgjegjëse të kontrollit në pyje.
c) Kur volumi i drurëve që priten është më i madh se 50 m3 (metër kub), kjo sasi trajtohet nga struktura përgjegjëse për pyjet, sipas procedurës së miratimit të mundësisë vjetore të shfrytëzimit;
ç) Pavarësisht procedurave të përcaktuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 4, të këtij neni, volumet e drurëve të prerë të jenë në përputhje me mundësinë vjetore të shfrytëzimit, të përcaktuara në planin e mbarështimit dhe në asnjë rast ato nuk duhet ta tejkalojnë atë.
5. Në rastin kur gjatë zbatimit të projektit bëhet i domosdoshëm transporti i largët i lëndës drusore, atëherë subjekti, i cili është kontraktuar për të kryer transportin e largët të lëndës drusore, kërkon nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki pajisjen me vërtetim transporti.
6. Vërtetimi i transportit plotësohet dhe lëshohet nga struktura përgjegjëse për pyjet në sheshin e depozitimit, pasi ka kryer matjet përkatëse të lëndës drusore që do të transportohet.
Neni 5
Procedura për kryerjen e punimeve për prerjet kulturore
1. Punimet për prerjet kulturore kryhen vetëm nga subjekte që zotërojnë të drejtën e shfrytëzimit të fondit pyjor.
2. Për punimet për prerjet kulturore, subjekti, pasi ka lidhur kontratën përkatëse me bashkinë, në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse në bashki, ndjek procedurën e mëposhtme:
a) I kërkon strukturës përgjegjëse të pyjeve në bashki që, brenda 5 (pesë) ditëve nga lidhja e kontratës, ta pajisë me projektin përkatës për punimet për prejet kulturore dhe lejen përkatëse, për këtë qëllim;
b) Shënon me shenja të qarta në terren sipërfaqen, për të cilën do të zbatohen prerjet kulturore, si dhe shënon me shenja të dallueshme të gjithë drurët që do të hiqen gjatë prerjeve kulturore.
3. Kur gjatë këtyre punimeve rezulton të ketë asortimente të lëndës drusore, të tilla si lëndë punimi apo dru zjarri, subjekti i kërkon strukturës përgjegjëse për pyjet që të bëjë vlerësimin e saj, nëse një gjë e tillë nuk ka qenë e parashikuar në projekt.
4. Në rastin kur gjatë zbatimit të projektit bëhet i domosdoshëm transporti i largët i lëndës drusore, atëherë subjekti, i cili është kontraktuar për të kryer transportin e largët të lëndës drusore, kërkon nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki, që ta pajisë me vërtetim transporti.
5. Vërtetimi i transportit plotësohet dhe lëshohet nga struktura përgjegjëse për pyjet në sheshin e depozitimit, pasi ka kryer matjet përkatëse të lëndës drusore që do të transportohet.
6. Brenda periudhës së përcaktuar në lejen për prerjet kulturore, subjekti merr përsipër mbrojtjen e të gjithë sipërfaqes, në të cilën kryen veprimtarinë e lejuar, sipas përcaktimeve në kontratën e përbashkët me pronarin.
7. Pas përfundimit të punimeve, subjekti i kërkon strukturës përgjegjëse për pyjet vlerësimin e punimeve të kryera dhe dorëzimin e objektit.
8. Struktura përgjegjëse për pyjet, pas përfundimit të punimeve, brenda                          15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, merr në dorëzim objektin, duke analizuar, vlerësuar dhe konstatuar në bazë të provave administrative, që punimet janë kryer në përputhje me projektin teknik.
9. Procedura e dorëzimit të objektit nga ana e subjektit dhe ajo e marrjes në dorëzim të tij nga struktura përgjegjëse për pyjet shënohen në procesverbalin e dorëzimit.
Neni 6
Procedura për kryerjen e punimeve për mbrojtjen e tokës pyjore
1. Punimet për mbrojtjen e tokës pyjore kryhen vetëm nga subjekte që zotërojnë të drejtën e shfytëzimit në fondin pyjor.
2. Për punimet për mbrojtjen e tokës, subjekti, pasi ka lidhur kontratën përkatëse me bashkinë, në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse në bashki, ndjek procedurën e mëposhtme:
a) I kërkon strukturës përgjegjëse për pyjet në bashki që, brenda 5 (pesë) ditëve nga lidhja e kontratës, ta pajisë me projektin përkatës për punimet për mbrojtjen e tokës pyjore dhe me lejen përkatëse për këtë qëllim;
b) Struktura përgjegjëse për pyjet kryen shënjimin e qartë në terren të sipërfaqes, për të cilën do të zbatohet projekti.
3. Në rastin e punimeve për sistemimet malore, struktura përgjegjëse për pyjet përcakton rrugët për transportin e lëndëve të para që nevojiten për ndërtim, veçanërisht në rastin kur transporti kryhet me kafshë dhe kalon përmes sipërfaqeve të pyllëzuara.
4. Pas përfundimit të punimeve, subjekti i kërkon strukturës përgjegjëse për pyjet që të vlerësojë punimet e kryera dhe të dorëzojë objektin.
5. Struktura përgjegjëse për pyjet, pas përfundimit të punimeve, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve merr në dorëzim objektin, duke analizuar, vlerësuar dhe konstatuar në bazë të provave administrative, që punimet janë kryer në përputhje me projektin teknik.
6. Procedura e dorëzimit të sipërfaqes pyjore nga subjekti dhe ato të marrjes në dorëzim të tij nga ana e strukturës përgjegjëse për pyjet shënohen në procesverbalin e dorëzimit.
Neni 7
Procedura për vjeljen dhe grumbullimin e bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore (BMET) dhe prodhimeve pyjore jodrusore
1. Punimet për vjeljen dhe grumbullimi i bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore dhe prodhimeve pyjore jodrusore (në vijim BMET) kryhen nga individë apo subjekte, që zotërojnë të drejtën e shfrytëzimit në fondin pyjor.
2. Për BMET-të, individi apo subjekti, pasi ka lidhur kontratën përkatëse me bashkinë dhe është pajisur me lejen përkatëse, në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse në bashki, ndjek procedurën e mëposhtme:
a) Pajiset nga bashkia, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e depozitimit të kërkesës, me projektin përkatës për vjeljen dhe grumbullimin e BMET-ve dhe prodhimeve pyjore jodrusore dhe me lejen përkatëse;
b) Struktura përgjegjëse për pyjet në bashki bën shënjimin e qartë në terren të sipërfaqes për të cilën do të zbatohet projekti.
3. Në rastin kur gjatë zbatimit të projektit bëhet i domosdoshëm transporti i largët i prodhimeve të dyta, atëherë individi apo subjekti kërkon nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki pajisjen me vërtetim transporti.
4. Vërtetimi i transportit plotësohet dhe lëshohet nga struktura përgjegjëse për pyjet në vendin e depozitimit, pasi ka kryer vlerësimet përkatëse të BMET-ve dhe prodhimeve pyjore jodrusore që do të transportohen.
5. Brenda periudhës së përcaktuar në lejen përkatëse, subjekti merr përsipër mbrojtjen e të gjithë sipërfaqes, në të cilën kryen veprimtarinë e lejuar, sipas përcaktimit në kontratën e përbashkët me pronarin.
6. Pas përfundimit të punimeve, subjekti i kërkon strukturës përgjegjëse për pyjet që të vlerësojë kryerjen e veprimtarisë së BMET-ve dhe të prodhimeve pyjore jodrusore dhe të dorëzojë sipërfaqen e shfrytëzuar pyjore.
7. Struktura përgjegjëse për pyjet, pas përfundimit të punimeve, brenda                          15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, merr në dorëzim objektin, duke analizuar, vlerësuar dhe konstatuar në bazë të provave administrative që punimet janë kryer në përputhje me projektin teknik.
8. Procedura e dorëzimit të sipërfaqes pyjore nga subjekti dhe ato të marrjes në dorëzim të tij nga ana e strukturës përgjegjëse për pyjet shënohen në procesverbalin e dorëzimit.
9. Me kërkesë të subjektit, struktura përgjegjëse për pyjet, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, lëshon certifikatën e origjinës për BMET-të dhe prodhimet pyjore jodrusore.
Neni 8
Dispozita të fundit
Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Reykjavik, Islandë, Kryeministri Rama në Samitin e Liderëve të Këshillit të Europës