Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Dhjetor 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Dhjetor 2024

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Dhjetor 2024: 
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Orjana Osmani emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Nina Guga, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS  SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR  “PËR IDENTIFIKIMIN E PRONARËVE PËRFITUES  TË PARTNERËVE NË SEKTORIN PUBLIK”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin  joqeveritar “Për identifikimin e pronarëve përfitues të partnerëve në sektorin publik”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS  SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.81/2020,  “PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË PARABURGOSURVE””
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin  joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve””, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.359, DATË 5.6.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI SHËRBIMIT INFORMATIV SHTETËROR”, TË NDRYSHUAR, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT    TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT   I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË    SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në  listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.359, datë 5.6.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, përmasat e pronave me vendndodhje në bashkitë Tiranë, Himarë, Fier dhe Sarandë, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët dhe planrilevimet, me emërtimet “Administratë, Tiranë”, “Administratë, Sarandë”, “Shërbimi Informativ i Shtetit, Fier”, “Qendër Trajnimi dhe Kualifikimi, Himarë” dhe “Qendër Trajnimi dhe Kualifikimi, Himarë 2”, që i bashkëlidhen këtij vendimi. Lista përbëhet nga 5 (pesë) fletë formulari dhe 5 (pesë) planrilevime, që janë pjesë përbërëse të këtij vendimi.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar me vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, në pronën me nr.955, me emërtimin “Ish-Brigadë Këmbësorie”, hiqen komponentët me emërtimin “Objekti nr.4, “Ish-komanda 2 kt” dhe “Objekti nr.5 “Ish-depo”, së bashku me truallin funksional, sipas planrilevimit për pasurinë nr.1/1135, zona kadastrale 1952, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Ngarkohen Shërbimi Informativ i Shtetit, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
 PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AUTORITETIT KOMBËTAR PËR SIGURINË KIBERNETIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 7, të ligjit nr.25/2024, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (në vijim, Autoriteti) si person juridik, publik, buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të Kryeministrit.
2. Autoriteti financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.
3. Misioni i Autoritetit është të sigurojë një nivel të lartë të sigurisë kibernetike për rrjetet dhe sistemet e informacionit në Republikën e Shqipërisë, si dhe të garantojë siguri e besueshmëri në përdorimin e nënshkrimit elektronik, identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AUTORITETIT KOMBËTAR PËR SIGURINË KIBERNETIKE
1. Autoriteti kryen detyrat dhe ushtron përgjegjësitë në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi për sigurinë kibernetike, nënshkrimin elektronik, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara.
2. Autoriteti ka përgjegjësi të organizojë punën për:
a) përcaktimin e masave të sigurisë kibernetike dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre nga operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit;
b) hartimin dhe monitorimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike;
c) koordinimin e veprimtarisë me subjekte të tjera përgjegjëse për sigurinë kibernetike dhe bashkëpunimin në nivel kombëtar e ndërkombëtar me institucione e organizma në fushën e sigurisë kibernetike;
ç)  edukimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit në fushën e sigurisë kibernetike;
d) zbatimin e standardeve të sigurisë nga ofruesit e shërbimeve të certifikimit;
 dh)  sigurimin e cilësisë, besueshmërisë dhe përputhshmërisë me standardet ligjore për shërbimet e besuara dhe identifikimit elektronik;
e) kontrollin/monitorimin e zbatimit të standardeve dhe të procedurave të lëshimit të certifikatave të kualifikuara nga ofruesit e kualifikuar të shërbimit të besuar.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AUTORITETIT KOMBËTAR PËR SIGURINË KIBERNETIKE
1. Autoriteti e shtrin veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror si drejtori e përgjithshme.
2. Autoriteti drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe mbikëqyr veprimtarinë e institucionit dhe është përgjegjës për mirëfunksionimin e tij, si dhe përfaqëson institucionin në marrëdhëniet me të tretët.
3. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe të punonjësve të Autoritetit rregullohen në bazë të dispozitave të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
4. Drejtori i Përgjithshëm mbështetet nga 2 (dy) zëvendësdrejtorë të përgjithshëm. Në detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm caktohet një nga drejtorët e drejtorive të përmbajtjes së Autoritetit, i cili, krahas detyrave funksionale, kryen çdo detyrë tjetër të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm për të mbështetur atë në mbarëvajtjen e institucionit.
5. Drejtori i Përgjithshëm ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Siguron zbatimin e legjislacionit në fushën e sigurisë kibernetike, të nënshkrimit elektronik, si dhe të identifikimit elektronik e shërbimeve të besuara;
b) Nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me institucione brenda vendit dhe me autoritete homologe të huaja apo organizma të tjerë jashtë vendit;
c) Drejton, përpunon programin vjetor për angazhimet e drejtorive dhe përcakton prioritetet në punën e tyre;
ç)  Raporton në mënyrë periodike dhe sa herë i kërkohet për veprimtarinë
e institucionit pranë Kryeministrit;
d) Krijon grupe pune për çështje specifike, që kërkon përfshirjen e disa drejtorive të Autoritetit, si dhe monitoron ecurinë e përmbushjes së qëllimit të tyre;
  dh) Merr vendim për dhënien e masave administrative për kundërvajtjet administrative të kryera nga subjektet e legjislacionit në fuqi për sigurinë kibernetike, nënshkrimin elektronik, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara;
e) Miraton programe trajnimi për trajnimin profesional të nëpunësve të  Autoritetit;
ë) Përgatit analiza, raporte dhe bën propozime për mbarëvajtjen e punës
së strukturave në varësi të tij;
f) Siguron miradministrimin e mjeteve financiare e të burimeve
 materiale të institucionit;
g) Kryen çdo funksion tjetër si titullar institucioni, sipas legjislacionit në
fuqi për sigurinë kibernetike, nënshkrimin elektronik, identifikimin  elektronik dhe shërbimet e besuara.
6. Autoriteti, në përmbushje të misionit, të fushave të përgjegjësisë e të përgjegjësive funksionale të tij, kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Harton e monitoron zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike si institucion përgjegjës, në koordinim me institucionet e tjera përgjegjëse për sigurinë kibernetike;
b) Identifikon infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit, në bashkëpunim e bashkërendim me subjektet e tjera përgjegjëse për sigurinë kibernetike;
c) Vepron si pikë qendrore kontakti në nivel kombëtar e ndërkombëtar, si dhe koordinon e bashkërendon punën me institucionet e sigurisë e të mbrojtjes, si dhe bashkëpunon me subjektet e tjera përgjegjëse për sigurinë kibernetike, sipas legjislacionit në fuqi për sigurinë kibernetike;
ç) Vepron në cilësinë e CSIRT-it Kombëtar dhe CERT-it;
d) Bashkëpunon dhe shkëmben informacione të rëndësishme me operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, në lidhje me të dhënat në sisteme, kur ato janë të rrezikuara për shkak të një incidenti kibernetik;
dh) Përcakton dhe kontrollon zbatimin e masave të sigurisë kibernetike, që duhet të aplikohen nga operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit;
e) Asiston operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit në menaxhimin e incidenteve kibernetike;
ë)  Kryen monitorim aktiv të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit nëpërmjet informacioneve të marra nga platformat e jashtme të ngritura nga AKSK-ja ose operatorët e infrastrukturave të informacionit, si dhe nga platformat e brendshme, me kërkesë nga operatorët e infrastrukturave të informacionit, me qëllim evidentimin e parandalimin e veprimeve keqdashëse;
f)  Bashkëpunon me subjektet përgjegjëse të sigurisë kibernetike në nivel kombëtar e ndërkombëtar;
g)  Përgatit skemën kombëtare të certifikimit të sigurisë kibernetike, si dhe inkurajon operatorët e infrastrukturave të informacionit për përdorimin e saj;
gj) Vendos penalitete për subjektet që nuk zbatojnë detyrimet ligjore, sipas legjislacionit në fuqi për sigurinë kibernetike, nënshkrimin elektronik, identifikimin elektronik e shërbimet e besuara;
h) Krijon dhe administron regjistrin e dokumentimit të incidenteve të sigurisë kibernetike;
i) Vlerëson e analizon nivelin e sigurisë së sistemeve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, nëpërmjet kontrolleve dhe simulimeve të vazhdueshme, si dhe përcakton masa shtesë për operatorët e infrastrukturave të informacionit për një reagim sa më të shpejtë dhe efikas ndaj incidenteve apo sulmeve kibernetike;
j) Regjistron organet e vlerësimit të konformitetit për sigurinë kibernetike  për vlerësimin e masave të sigurisë kibernetike;
k) I propozon Kryeministrit shpalljen e gjendjes së krizës kibernetike dhe masat emergjente për zgjidhjen e situatës;
l) Raporton në mënyrë periodike në lidhje me incidentet kibernetike pranë ENISA-s dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, në kuadër të angazhimeve të Republikës së Shqipërisë për çështjet e sigurisë kibernetike;
ll) Kryen aktivitete ndërgjegjësimi dhe edukimi në fushën e sigurisë kibernetike për të gjitha grupet e shoqërisë;
m) Ndërmerr masa të nevojshme, bashkëpunon e bashkërendon punën me institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rinjve, për krijimin e një mjedisi on-line të sigurt kibernetik në Republikën e Shqipërisë;
n) Identifikon, parashikon dhe ndërmerr masat e nevojshme për mbrojtjen ndaj kërcënimeve/sulmeve të mundshme kibernetike, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sigurinë kibernetike;
nj) Propozon politikat për garantimin e sigurisë kibernetike në nivel kombëtar, monitorimin, identifikimin dhe reagimin ndaj incidenteve për mbrojtjen ndaj sulmeve/kërcënimeve kibernetike për infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit në Republikën e Shqipërisë, si dhe kontribuon në hartimin e politikave për ndërgjegjësimin ndaj rreziqeve kibernetike të qytetarëve, subjekteve private e autoriteteve publike;
o) Garanton sigurinë për shërbimet e besuara, në veçanti për garantimin e besueshmërisë dhe të sigurisë në transaksionet elektronike ndërmjet qytetarëve, subjekteve private dhe autoriteteve publike, duke rritur efektivitetin e shërbimeve publike e private dhe tregtisë elektronike;
p) Përcakton rregullat për identifikimin elektronik të sigurt, nënshkrimin elektronik, vulat elektronike, vulat kohore elektronike të kualifikuara, nënshkrimin elektronik të kualifikuar, vulat elektronike të kualifikuara, shërbimet e transmetimit elektronik, shërbimet elektronike të kualifikuara të transmetimit elektronik, autentifikimin e faqeve të internetit, si dhe garantimin e nivelit të lartë të sigurisë për transaksionet elektronike në Republikën Shqipërisë;
q) Përcakton rregullat dhe metodat për verifikimin e vlefshmërisë së produkteve të gjeneruara nga shërbimet e besuara, vendase dhe të huaja, duke mundësuar aksesin publik për kontrollin e vlefshmërisë së tyre nëpërmjet listave të besuara të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe protokollin on-line të statusit të certifikatave dhe të listave të revokimit të certifikatave;
r) Regjistron e publikon në faqen zyrtare të tij ofruesit e kualifikuar të shërbimeve të besuara;
rr) Ndërpret përkohësisht, tërësisht ose pjesërisht, veprimtarinë e ofruesit të shërbimeve të certifikimit, kur vërtetohet shkelje e dispozitave ligjore në fuqi për nënshkrimin elektronik, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara për të ushtruar veprimtarinë e tij;
s) Regjistron dhe jep statusin “i kualifikuar” për ofruesin e shërbimit të besuar, si dhe mbikëqyr veprimtarinë e tij;
sh) Mbikëqyr e kontrollon palët e treta, në rastin kur transferohen një ose më shumë nga detyrat e shërbimeve të besuara;
t) Realizon kontrollin/monitorimin e zbatimit të standardeve dhe të procedurave të lëshimit të certifikatave të kualifikuara nga ofruesit e kualifikuar të shërbimit të besuar;
th) Mbikëqyr procesin e lëshimit të certifikatave të kualifikuara elektronike dhe implementimin e nënshkrimit elektronik në shërbimet e administratës publike;
u) Garanton zbatimin e standardeve për identifikimin e sigurt të individëve, të cilëve u lëshohen certifikatat e kualifikuara elektronike;
v) Harton rregullore dhe udhëzime në përputhje me standardet ndërkombëtare të fushës, me qëllim garantimin e transaksioneve të sigurta elektronike dhe rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike në infrastrukturat e rëndësishme dhe kritike të informacionit në Republikën e Shqipërisë.
7. Autoriteti ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema e Autoritetit përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
8. Vula e Autoritetit ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet e ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
9. Struktura dhe organika e Autoritetit miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
10. Rregullorja për organizimin e brendshëm të punës dhe sjelljen e punonjësve të Autoritetit miratohet nga Kryeministri.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Vendimi nr.141, datë 22.2.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike”, i ndryshuar, shfuqizohet.
2. Ngarkohet Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN “PASURI KULTURORE” TË ZONËS ARKEOLOGJIKE NËNUJORE “A” TË VENDBANIMIT PALAFIT TË FSHATIT LIN NË POGRADEC, MIRATIMIN   E ZONIFIKIMIT DHE TË PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E KËSAJ ZONE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 9, të nënndarjes “iv”, të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 53, e të nenit 153, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin “Pasuri kulturore” të zonës arkeologjike nënujore të vendbanimit palafit të fshatit Lin në Pogradec.
2. Miratimin e zonifikimit të zonës arkeologjike nënujore “A” të vendbanimit palafit të fshatit Lin në Pogradec, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e kësaj zone, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe me aktet nënligjore në fuqi.
5. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartën e zonës arkeologjike nënujore “A” të vendbanimit palafit të fshatit Lin në Pogradec në Gjeoportalin Kombëtar.
6. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Mbrojtjes dhe Bashkia Pogradec për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN “PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME” TË ZONAVE ARKEOLOGJIKE “A” DHE “B” TË QYTETIT  TË SHKODRËS, MIRATIMIN E ZONIFIKIMIT DHE TË PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 9, e të nënndarjes “iv”, të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 53, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin “Pasuri kulturore e paluajtshme” të zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Shkodrës.
2. Miratimin e zonifikimit të zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Shkodrës, sipas koordinatave dhe hartave të zonifikimit në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Vendimi nr.429, datë 9.6.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Shkodrës dhe miratimin e rregullores së administrimit”, shfuqizohet.
5. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe aktet nënligjore në fuqi.
6. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartat e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Shkodrës në Gjeoportalin Kombëtar.
7. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN “PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME”  TË ZONAVE ARKEOLOGJIKE “A” DHE “B” TË QYTETIT  TË VLORËS, MIRATIMIN E ZONIFIKIMIT DHE TË PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 9, e të nënndarjes “iv”, të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 53, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin “Pasuri kulturore e paluajtshme” të zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Vlorës.
2. Miratimin e zonifikimit të zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Vlorës, sipas koordinatave dhe hartave të zonifikimit në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Vendimi nr.729, datë 1.9.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Vlorës dhe miratimin e rregullores së administrimit”, shfuqizohet.
5. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe me aktet nënligjore në fuqi.
6. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartat e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Vlorës në Gjeoportalin Kombëtar.
7. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË DETAJUARA PËR AKSESIMIN E FAQEVE ZYRTARE TË INTERNETIT TË AUTORITETEVE PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Çdo autoritet publik është i detyruar të ketë një faqe zyrtare të internetit për të ofruar informacione për autoritetin publik dhe për shërbimet, të cilat i ofron për shtetasit e personat fizikë dhe/ose juridikë, duke zbatuar rregullat e mëposhtme:
a) Faqja zyrtare përmban emrin e autoritetit publik, me qëllim identifikimin dhe kontaktimin e tij;
b) Adresa e selisë apo qendra kryesore e veprimtarisë së autoritetit publik duhet të jetë e qartë për shtetasit dhe personat fizikë dhe/ose juridikë, që vizitojnë vendndodhjen fizike të tij;
c) Faqja zyrtare përmban adresën e postës elektronike shtetërore dhe çdo adresë tjetër për informacion për shtetasit e personat fizikë dhe/ose juridikë për të adresuar çështje dhe për të kërkuar ndihmë në mënyrë efikase;
ç) Faqja zyrtare përmban listën e shërbimeve publike elektronike, që ofron autoriteti publik në platformën qeveritare “e-Albania”;
d) Faqja zyrtare përmban çdo informacion tjetër të nevojshëm, në përputhje me parashikimet e legjislacionit për të drejtën e informimit, konsultimit publik, si dhe për sinjalizimin e mbrojtjen e sinjalizuesve;
dh) Çdo publikim në faqen zyrtare përmban datën e publikimit dhe datën e përditësimit të fundit;
e) Faqja zyrtare përmban emrin dhe adresën e selisë së institucionit/autoritetit që ushtron kontroll për funksionimin e autoritetit publik.
2. Faqet zyrtare të internetit të autoriteteve publike përmbajnë kushtet e përdorimit dhe kufizimet e informacionit të publikuar, ku përfshihen rregullat e mëposhtme:
a) Informacion të qartë, transparent dhe të detajuar për mënyrën se si përdoruesit mund të shfrytëzojnë të dhënat e ofruara nga faqja;
b) Njoftim publik për përdoruesit për ndryshimet e kryera dhe për çdo modifikim të rëndësishëm në aksesin ose përdorimin e informacionit;
c) Ndalimi i përdorimit të informacionit për qëllime tregtare, pa leje të posaçme nga autoriteti publik. Mosrespektimi i këtij kufizimi sjell përgjegjësi ligjore për përdoruesin;
ç) Informacioni i publikuar në faqet zyrtare të internetit përdoret i patjetërsuar dhe vetëm për qëllime të ligjshme.
3. Faqet zyrtare të internetit të autoriteteve publike duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) Aksesohen nga çdo pajisje që ka akses në internet pavarësisht specifikave të tyre;
b) Janë të disponueshme, pa ndërprerje, përgjatë të gjithë ciklit jetësor të tyre në 24 (njëzet e katër) orë në 7 (shtatë) ditë të javës;
c) Janë të aksesueshme për përdoruesit pavarësisht vendndodhjes gjeografike të tyre.
4. Faqet zyrtare të internetit pajisen me funksionalitetet e dedikuara për personat me aftësi ndryshe për të lehtësuar qasjen në informacionin për shërbimet që ofrohen nga institucionet publike, si:
a) zoom (ndihmon kategorinë e personave me pamje të kufizuar);
b) kontrast (ndihmon kategorinë e personave me disleksi);
c) navigimi me TAB (ndihmon kategorinë e personave paraplegjikë).
5. Faqet zyrtare duhet të zbatojnë protokollin e sigurisë HTTPS dhe versionet e përditësuara të tij për të siguruar komunikimin e sigurt, ndërmjet vizitorit dhe faqes.
6. Informacioni që publikohet në faqet zyrtare të internetit të autoriteteve publike është i lirë të shkarkohet/të transferohet, të ruhet, të përpunohet, të shpërndahet dhe të përdoret, me kusht që të tregohet në mënyrë të qartë burimi i tij dhe të mos paraqitet si informacion origjinal, nëse ka pësuar ndryshime. Në këtë informacion përfshihet:
a) liria për të shkarkuar dhe për të transferuar informacion. Çdo informacion i publikuar në faqet zyrtare të internetit të autoriteteve publike mund të shkarkohet dhe të transferohet lirshëm nga përdoruesit. Përdoruesit kanë të drejtën të ruajnë këto të dhëna në pajisjet e tyre për qëllime informuese ose studimore;
b) përdorimi i informacionit të shkarkuar duhet të kryhet në zbatim të legjislacionit për mbrojtjen e së drejtës së autorit dhe burimin origjinal të informacionit. Ndalohet manipulimi apo ndryshimi i informacionit në mënyrë që ai të prezantohet si i ri ose origjinal, nëse ka pësuar ndryshime nga gjendja e tij fillestare;
c) Transparenca dhe identifikimi i burimit, në mënyrë që përdoruesit të jenë në gjendje të verifikojnë saktësinë e informacionit dhe origjinën e tij. Kur informacioni merret dhe rishpërndahet, përdoruesit janë të detyruar të tregojnë burimin origjinal në çdo përpunim, përmbledhje apo përdorim që bëhet publik.
7. Autoritetet publike kanë detyrimin të krijojnë dhe të mirëmbajnë faqet e tyre zyrtare të internetit, lehtësisht të aksesueshme për ofrimin e informacionit, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë vendim, si dhe informacioni të ofrohet në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme për audiencën e synuar, veçanërisht në rastin e informacionit që është i destinuar për të miturit. Detyrimet përfshijnë:
a) sigurimin që çdo individ, pavarësisht aftësive ose pajisjes që përdor, të mund të ketë akses të plotë në informacionin dhe shërbimet që ofrohen;
b) mirëmbajtjen e faqeve të internetit, duke kryer përditësime të rregullta të përmbajtjes dhe teknologjive të përdorura për të garantuar sigurinë dhe funksionimin e vazhdueshëm, si dhe zbatimin e praktikave më të mira për optimizimin e performancës dhe ngarkimit të faqes;
c) faqet zyrtare të internetit duhet të jenë plotësisht të përshtatura për të funksionuar në një gamë të gjerë pajisjesh dhe platformash, përfshirë kompjutera, desktopë, laptopë, telefona inteligjentë dhe tableta;
ç) informacioni që ofrohet në faqet zyrtare të internetit duhet të jetë i organizuar në mënyrë që të jetë i kuptueshëm dhe i lehtë për t’u naviguar
nga audienca e synuar. Përmbajtja duhet të jetë e shkruar me gjuhë të
thjeshtë;
d) kur faqet zyrtare ofrojnë informacion ose shërbime për të miturit, ato duhet të përmbajnë udhëzime specifike për prindërit apo kujdestarët, duke përfshirë edhe udhëzime për sigurinë e të dhënave dhe përdorimin e shërbimeve on-line nga fëmijët;
dh) autoritetet publike duhet të monitorojnë rregullisht performancën e  faqeve të internetit dhe të mbledhin të dhëna për përvojën e përdoruesve
për të identifikuar problemet e aksesueshmërisë dhe për t’i adresuar ato;
e) faqet duhet të kenë ndihmë on-line, përfshirë chatbots, FAQ (pyetje të shpeshta) ose shërbime të mbështetjes për përdoruesit për të siguruar që përdoruesit të marrin ndihmë në kohë reale për të naviguar dhe për të përdorur faqen.
8. Autoritetet publike janë të detyruara të marrin masa për të mbrojtur privatësinë dhe të dhënat personale të përdoruesve, në përputhje me ligjet e aplikueshme për mbrojtjen e të dhënave personale. Çdo përdorim i të dhënave personale nga palë të treta duhet të jetë i pajisur me miratim të qartë nga përdoruesit.
9. Shtetasit dhe personat fizikë dhe/ose juridikë gëzojnë të drejtën për të përdorur pa kufizime të panevojshme dhe pa kërkesa për informacione personale faqet zyrtare të internetit të autoriteteve publike.
10. Faqet zyrtare të internetit të autoriteteve publike përmbajnë informacion të   plotë, të saktë dhe të përditësuar periodikisht, për detyrat, kompetencat dhe aktivitetet e autoritetit publik, si dhe për dokumentet e të dhënat e tjera të rëndësishme për publikun.
11. Përpunimi i të dhënave personale, në çdo rast, kryhet në përputhje me parimet, kriteret, si dhe masat tekno-organizative, të zbatueshme për garantimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
12. Mekanizmat e mbrojtjes së të dhënave dhe sigurisë së informacionit duhet të jenë të integruar në faqet zyrtare të internetit për të ndaluar përdorimin e paligjshëm të të dhënave personale dhe për të garantuar mbrojtjen e informacionit të shtetasve.
13. Autoritetet publike garantojnë saktësinë, vlefshmërinë dhe ligjshmërinë e informacioneve që publikojnë.
14. Përveç rasteve, kur me ligj parashikohet ndryshe, faqet zyrtare të institucioneve publike janë faqe të lira dhe pa kufizime në akses.
15. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe autoritetet publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR ZHVILLIMIN E ZONAVE AEROPORTUALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 28, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave për zhvillimin e zonave aeroportuale, në lidhje me ndikimet që mund të kenë në sigurinë në operim, ndërtimet e propozuara apo përdorimin e tokës në zonat e mbrojtura të aeroportit dhe jashtë tyre.
2. Zona e mbrojtur e aeroportit, në kuptim të këtij vendimi, nënkupton zonën territoriale, e cila shtrihet në një rreze prej 15 (pesëmbëdhjetë) km nga pika e referimit të aeroportit.
3. Pika e referimit të aeroportit është vendndodhja gjeografike, e përcaktuar me koordinata në bazë të sistemit WGS- 84 për një aeroport, sipas informacionit të publikimit aeronautik shqiptar (AIP).
4. Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi aeroportet që përdoren ekskluzivisht për qëllime ushtarake.
5. Autoritetet përgjegjëse për zbatimin dhe mbikëqyrjen e rregullave në zonën e mbrojtur të aeroportit janë ministria përgjegjëse për transportin ajror, Autoriteti i Aviacionit Civil (në vijim AAC) dhe autoritetet kompetente për kontrollin e territorit.
6. Leja për zhvillim apo ndërtim në zonat e mbrojtura të aeroportit merret pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (në vijim KKTU), sipas parashikimeve në vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar.
7. Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit marrin mendimin e Autoritetit të Aviacionit Civil për çdo praktikë aplikimi për leje zhvillimi, leje ndërtimi apo praktikë hartimi dokumentesh për planifikim të territorit, që përmban objekte, struktura apo instalime që ndodhen në zonat e mbrojtura të aeroportit.
8. Çdo objekt apo strukturë e planifikuar për ndërtim apo instalim në zonat e mbrojtura të aeroportit duhet që të marrë, sipas rastit, miratimin ose pëlqimin nga AAC-ja.
9. Objektet, strukturat apo instalimet do t’i njoftohen AAC-së në lidhje me lartësinë, koordinatat dhe strukturën apo llojin e ndërtimit. Koordinatat e përdorura duhet të jenë në formatin WGS84.
10. Zhvillimi, ndërtimi ose përdorimi i pasurive të paluajtshme, brenda zonës së mbrojtur të aeroportit, për aktivitete apo veprimtari, të cilat mund të tërheqin botën shtazore, do t’i njoftohen për vlerësim AAC-së. AAC-ja jep vlerësimin brenda 10 (dhjetë) ditëve nga bërja e kërkesës.
11. AAC-ja përcakton nëse objektet apo strukturat e planifikuara për ndërtim apo instalim në zonat e mbrojtura janë objekte të rrezikshme për shkak të vendndodhjes, lartësisë ose mungesës së shënimit apo ndriçimit të tyre. Për këtë qëllim, subjektet zhvilluese, të cilat marrin vlerësimin pozitiv nga AAC-ja, duhet të njoftojnë këtë të fundit për fillimin e punimeve dhe përfundimin e tyre.
12. AAC-ja shprehet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e bërjes së kërkesës, sipas pikave 7 dhe 8, të këtij vendimi. Nëse AAC-ja nuk shprehet brenda 30 (tridhjetë) ditëve, kërkesa quhet e pranuar dhe pa vërejtje.
13. Në çdo rast, subjektet që kërkojnë të bëjnë zhvillime ose ndryshime në pasuritë apo objektet që kanë në pronësi, duhet të ndjekin procedurën e parashikuar në vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar, pranë KKTU-së.
14. Për shkeljen e dispozitave që lidhen me kryerjen e zhvillimeve apo ndërtimeve në zonat e mbrojtura të aeroportit merren masa administrative, sipas parashikimeve në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.
15. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Autoriteti i Aviacionit Civil për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE  TË DREJTËSISË 2024 – 2030, TË PLANIT TË SAJ TË VEPRIMIT  DHE TË PASAPORTËS SË TREGUESVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024 – 2030, të planit të saj të veprimit dhe të pasaportës së treguesve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vendimi nr.823, datë 24.12.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021 – 2025 dhe të planit të saj të veprimit”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, institucionet e drejtësisë, ministritë e linjës dhe institucionet e tjera përgjegjëse të përcaktuara në strategjinë, në planin e veprimit, si dhe në pasaportën e treguesve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË TERMOCENTRALIT  DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, ME VENDNDODHJE NË ROSKOVEC, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “FIER THERMOELECTRIC”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të termocentralit dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Roskovec, Qarku Fier, nga shoqëria “FIER THERMOELECTRIC”, sh.a., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “FIER THERMOELECTRIC”, sh.a.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: M22211019U;
c) Tipi i centralit: Termocentral;
ç)  Kapaciteti i instaluar: 170 MW;
d)  Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: në Roskovec, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë)  Koordinatat e tokës, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme, me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe dokumentacionin e projektit;
g)  Shoqëria “FIER THERMOELECTRIC”, sh.a., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të termocentralit;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “FIER THERMOELECTRIC”, sh.a., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “FIER THERMOELECTRIC”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS  SË SHQIPËRISË NË KOMANDËN E NATO-S NË WIESBADEN, GJERMANI, PËR NDIHMË DHE TRAJNIM PËR UKRAINËN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pjesëmarrjen në Komandën e NATO-s në Wiesbaden, Gjermani, të 4 (katër) ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për ndihmë dhe trajnim për Ukrainën.
2. Misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është të kontribuojë në dhënien e ndihmës dhe trajnimit të personelit të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
3. Pjesëmarrja e personelit do të ketë një kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetësh, me rotacion 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë. Afati i misionit fillon të llogaritet nga data e dërgimit në mision. Periudhës së qëndrimit në mision i shtohen edhe ditët e qëndrimit për marrje e dorëzim detyre dhe të vonesave të transportit strategjik për ndërrimin me personelin e radhës.
4. Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë mision, përballon shpenzimet për:
a) dietat për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) akomodim;
c) ushqim;
ç)  lavanderi;
d) ujë të pijshëm;
dh) energji elektrike;
e) sigurimin e jetës;
ë)  siguracion shëndetësor për ditët në udhëtim;
f) mbështetje shëndetësore;
g) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
gj)  transport;
h) transportin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;
i)   aktivitete social-kulturore në rastet e festave kombëtare gjatë kryerjes së misionit;
j)   çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së misionit.
5. Transportimi për në atdhe i individëve të shkëputur nga misioni, në rast vdekjeje, sëmundjeje, pamundësie për të përfunduar misionin ose thyerjeje disipline, përballohet nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, përveç rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy-ose shumëpalëshe, ku pala/palët tjetër/e tjera merr/marrin përsipër përballimin e këtyre shpenzimeve.
6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
7. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Bruksel, kryeministri Edi Rama me ekipin ushtarak dhe civil të Misionit të Shqipërisë në NATO