Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Janar 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Janar 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Janar 2023:

 

V E N D I M
PËR

EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË TEATRIT KOMBËTAR EKSPERIMENTAL “KUJTIM SPAHIVOGLI”

Në mbështetje të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Gjergj Prevazi emërohet drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

HAPJEN E MISIONIT DIPLOMATIK TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KRYEQYTETIN E UKRAINËS, KIEV

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 21, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Hapjen e Misionit Diplomatik “Ambasadë” të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.

2. Për hapjen e këtij misioni diplomatik, shpenzimet do të përballohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2023.

3. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” VRESHTË NË “TOKË URBANE” TRUALL TË SIPËRFAQES 390.99 M2, PJESË E PASURISË ME NUMËR 1/394, DHE TË SIPËRFAQES 269.13 M2, PJESË E PASURISË ME NUMËR 2/465, ZONA KADASTRALE 1476, BASHKIA DROPULL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndryshimin e kategorisë së resursit “tokë bujqësore” vreshtë në “tokë urbane” truall të sipërfaqes 390.99 m2, pjesë e pasurisë me numër 1/394, dhe të sipërfaqes 269.13 m2, pjesë e pasurisë me numër 2/465, zona kadastrale 1476, Bashkia Dropull, sipas certifikatave të pasurisë, planeve të rilevimit dhe të lidhjes nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Gjirokastër, pasqyron në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit nga “tokë bujqësore” vreshtë në “tokë urbane”, të sipërfaqes 390.99 m2, pjesë e pasurisë me numër 1/394, dhe të sipërfaqes 269.13 m2, pjesë e pasurisë me numër 2/465, zona kadastrale 1476, Bashkia Dropull.

3. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Gjirokastër, kryen ndryshimin e llojit të pasurisë në certifikatën e pasurisë, sipas të dhënave për pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (DAMT), Qarku Gjirokastër, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Gjirokastër, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR NJOHJEN E KUALIFIKIMEVE TË ARSIMIT TË LARTË NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MBYLLJEN E MISIONIT TË POSAÇËM TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KIEV, UKRAINË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 21, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Mbylljen e Misionit të Posaçëm të Republikës së Shqipërisë në Kiev, Ukrainë.

2. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.298, DATË 20.4.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË TURIZMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 12, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 7, e kreut I, të vendimit nr.298, datë 20.4.2016, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“7. Marrëdhëniet e punës të drejtorit të Përgjithshëm dhe të punonjësve të Agjencisë rregullohen, sipas dispozitave të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.”.

2. Për nëpunësit aktualë të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësit civil në rastin e mbylljes dhe të ristrukturimit të institucionit.

3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.122, DATË 5.3.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “UNAZA E MADHE E TIRANËS (KOMUNA E PARISIT- RRUGA E KAVAJËS)”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.122, datë 5.3.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqet “tokë”, me vlerë 464 014 103.6 (katërqind e gjashtëdhjetë e katër milionë e katërmbëdhjetë mijë e njëqind e tre pikë gjashtë) lekë, “objekte”, me vlerë 552 299 823 (pesëqind e pesëdhjetë e dy milionë e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e njëzet e tre) lekë, “kultura bujqësore”, me vlerë 1 561 500 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e pesëqind) lekë, dhe “truall”, me vlerë 737 208 (shtatëqind e tridhjetë e shtatë mijë e dyqind e tetë) lekë”.
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për “tokë”, “objekte”, “truall” dhe “kultura bujqësore” është 1 018 612 634.6 (një miliard e tetëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e katër pikë gjashtë) lekë.”.

2. Pas pikës 6 shtohet pika 6.1, me këtë përmbajtje:

“6.1. Vlera shtesë e shpronësimit, prej 1 063 927 (një milion e gjashtëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e njëzet e shtatë) lekësh, përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.”.

II. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

III. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

IV. Tabelës bashkëlidhur vendimit nr.122 datë 5.3.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, i shtohet edhe tabela bashkëlidhur këtij vendimi.

V. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 1, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NGARKIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË PLANIFIKIMIT TË TERRITORIT, SI ORGAN QENDROR BLERËS, PËR REALIZIMIN E KONKURSIT TË PROJEKTIMIT PËR PROJEKTIDETË E RIKONCEPTIMIT TË KOMPLEKSEVE SPORTIVE TË STADIUMEVE NË QYTETET E DURRËSIT, KORÇËS DHE VLORËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ngarkimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), si organ qendror blerës, për realizimin e konkursit të projektimit për projektidetë e rikonceptimit të komplekseve sportive, si më poshtë vijon:

a) Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës;
b) Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë;
c) Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë.

2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.384, DATË 30.6.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FORMËN E KOMUNIKIMIT NË PROCEDURAT E PROKURIMIT PUBLIK”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.384, datë 30.6.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në pikën 1, fjalët “… dhe konkurs projektimi …” hiqen.

b) Pas pikës 1 shtohet pika 1.1., me këtë përmbajtje:

“1.1. Për procedurën e prokurimit “Konkurs projektimi”, fazat nga dorëzimi i kërkesave për shprehje interesi e në vijim zhvillohen në formë shkresore.”.

2. Ngarkohen të gjitha autoritetet dhe entet kontraktore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Hapet Laboratori i ri i Anatomisë Patologjike në QSUT, Manastirliu: Analizat për sëmundjet tumorale me standarde evropiane