Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Korrik 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Korrik 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Korrik 2023:

 

V E N D I M
PËR

EMËRIMIN E DY ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Znj. Elira Kokona emërohet anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Kryeministrisë.

2. Z. Ermal Nufi emërohet anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E KOEFICIENTIT TË INDEKSIMIT TË BAZËS SË VLERËSUAR TË VITIT 2021 PËR LLOGARITJEN E PENSIONEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2021, me indeksin 8.9% të llogaritur sipas kritereve të përcaktuara në nenin 59, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

2. Indeksi i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, aplikohet për rivlerësimin e bazës së vlerësuar të arritur nëpërmjet kontributeve të derdhura dhe rivlerësimeve të tyre, të kryera deri në vitin 2021, dhe zbatohet për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve që do të caktohet me datë fillimi nga data 1 korrik 2023 e në vazhdim.

3. Indekset akumulative të bazës së vlerësuar, të arritur nëpërmjet pagave të periudhës 1994-2021, referuar kontributeve të derdhura sipas muajve në këtë periudhë dhe pagave referuese sipas punëve dhe profesioneve, e përcaktuar me vendimin nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar, sipas viteve, janë sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Pas aplikimit të indeksit të vitit 2021, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohen me datë fillimi nga data 1 korrik 2023, nuk mund të jetë më e lartë se:
a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, prej 40 000 lekësh, e përcaktuar sipas vendimit nr.113 datë 1.3.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri në 31.12.2001;
b) paga maksimale në shkallë vendi, prej 176 416 lekësh, e përcaktuar sipas kritereve të paragrafit të fundit, të nenit 10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.

5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve, aplikohen vetëm për pensionet që caktohen me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim dhe përballohen brenda buxhetit vjetor të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2023.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN KUVENDIT PËR EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KËSHILLIT TË STATISTIKAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin Kuvendit për emërimin e z. Bardhyl Sejdarasi anëtar të Këshillit të Statistikave, si përfaqësues të medias.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Meri Kumbe, zëvendësministër i Kulturës, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT KUKËS

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Ali Hallaçi, prefekt i Qarkut Kukës, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Albert Halilaj emërohet prefekt i Qarkut Kukës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ZBATUESE TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË BASHKUAR TË BRITANISË SË MADHE DHE IRLANDËS SË VERIUT, PËR TRANSFERIMIN E PERSONAVE TË DËNUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes zbatuese të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për transferimin e personave të dënuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËS EKZISTUESE VLORË-ORIKUM DHE DY BY-PASS-EVE NË RADHIMË, VLORË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 17, pika 4, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugës ekzistuese Vlorë-Orikum dhe dy by-pass-eve, në Radhimë, Vlorë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall”, “pemishte” dhe “ullishte”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 202 682 342.35 (dyqind e dy milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e dy mijë e treqind e dyzet e dy pikë tridhjetë e pesë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 202 682 342.35 (dyqind e dy milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e dy mijë e treqind e dyzet e dy pikë tridhjetë e pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Vlorë.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Vlorë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS 110 KV FIBËR, LIBRAZHD”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 110 kV fibër, Librazhd”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “arë” dhe “ullishte”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 275 925 (një milion e dyqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind e njëzet e pesë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 275 925 (një milion e dyqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind e njëzet e pesë) lekësh, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Librazhd, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron kalimin e pronësisë për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë së pasurive që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Librazhd, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1497, DATË 19.11.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHTYPJEN E LETRAVE ME VLERË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në pikën 2, të vendimit nr.1497, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për shtypjen e letrave me vlerë”, të ndryshuar, pas fjalёve “… biletat e transportit rrugor dhe atij hekurudhor …” shtohen “… kuponët për dokumente biometrike …”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR VITIN 2023, PËR DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, TË KRIJUARA ME LIGJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 5, të nenit 12, të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme shtohet fondi prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh, për përballimin e efekteve financiare nga data 1 prill 2023 – 31 dhjetor 2023, të përcaktimit ligjor të pagës referuese bazë të magjistratit, në zërin buxhetor “Shpenzime personeli”.

2. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për institucionin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë shtohet fondi prej 6 500 000 (gjashtë milionë e pesëqind mijë) lekësh, për përballimin e efekteve financiare nga data 1 prill 2023 – 31 dhjetor 2023, të përcaktimit ligjor të pagës referuese bazë të magjistratit, në zërin buxhetor “Shpenzime personeli”.

3. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për institucionin e Këshillit të Lartë Gjyqësor shtohet fondi prej 300 000 000 (treqind milionë) lekësh, për përballimin e efekteve financiare nga data 1 prill 2023 – 31 dhjetor 2023, të përcaktimit ligjor të pagës referuese bazë të magjistratit, në zërin buxhetor “Shpenzime personeli”.

4. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për institucionin e Gjykatës Kushtetuese shtohet fondi prej 17 000 000 (shtatëmbëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e efekteve financiare nga data 1 prill 2023 – 31 dhjetor 2023, të përcaktimit ligjor të pagës referuese bazë të magjistratit, në zërin buxhetor “Shpenzime personeli”.

5. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për institucionin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtohet fondi prej 55 000 000 (pesëdhjetë e pesë milionë) lekësh, për përballimin e efekteve financiare nga data 1 prill 2023 – 31 dhjetor 2023, të përcaktimit ligjor të pagës referuese bazë të magjistratit, në zërin buxhetor “Shpenzime personeli”.

6. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë shtohet fondi prej 6 000 000 (gjashtë milionë) lekësh, për përballimin e efekteve financiare nga data 1 prill 2023 – 31 dhjetor 2023, të përcaktimit ligjor të pagës referuese bazë të magjistratit, në zërin buxhetor “Shpenzime personeli”.

7. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për institucionin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shtohet fondi prej 35 000 000 (tridhjetë e pesë milionë) lekësh, për përballimin e efekteve financiare nga data 1 prill 2023 – 31 dhjetor 2023, të përcaktimit ligjor të pagës referuese bazë të magjistratit, në zërin buxhetor “Shpenzime personeli”.

8. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për institucionin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shtohet fondi prej 15 600 000 (pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë) lekësh, për përballimin e efekteve financiare nga data 1 prill 2023–31 dhjetor 2023, të përcaktimit ligjor të pagës referuese bazë të magjistratit, në zërin buxhetor “Shpenzime personeli”.

9. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për institucionin e Komisionerëve Publikë shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për përballimin e efekteve financiare nga data 1 prill 2023 – 31 dhjetor 2023, të përcaktimit ligjor të pagës referuese bazë të magjistratit, në zërin buxhetor “Shpenzime personeli”.

10. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për institucionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shtohet fondi prej 5 500 000 (pesë milionë e pesëqind mijë) lekësh, për përballimin e efekteve financiare nga data 1 prill 2023 – 31 dhjetor 2023, të përcaktimit ligjor të pagës referuese bazë të magjistratit, në zërin buxhetor 606 “Transferta për buxhetet familjare dhe individët”.

11. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për institucionin e Avokatit të Popullit shtohet fondi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh, për përballimin e efekteve financiare nga data 1 prill 2023 – 31 dhjetor 2023, të përcaktimit ligjor të pagës referuese bazë të magjistratit, në zërin buxhetor “Shpenzime personeli”.

12. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për institucionin e Shkollës së Magjistraturës shtohet fondi prej 40 000 000 (dyzet milionë) lekësh, për përballimin e efekteve financiare nga data 1 prill 2023–31 dhjetor 2023, të përcaktimit ligjor të pagës referuese bazë të magjistratit, në zërin buxhetor 606 “Transferta për buxhetet familjare dhe individët”.

13. Fondi shtesë, prej 892 600 000 (tetëqind e nëntëdhjetë e dy milionë e gjashtëqind mijë) lekësh, përballohet nga fondi kontingjencës, i miratuar në buxhetin e vitit 2023.

14. Ngarkohen institucionet e përmendura më sipër për detajimin e fondit përkatës dhe dërgimin e tij pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E SKEMËS SË KREDITIMIT STUDENTOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 114, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Studenti, me shtetësi dhe vendbanim në Shqipëri, i cili është regjistruar dhe ndjek studimet në një institucion të arsimit të lartë, ka të drejtë të paraqesë kërkesë për kredi studentore, për financimin e kostove të studimeve.

2. Kostoja e studimeve, për efekt të masës së kredidhënies, përfshin tarifën e studimeve dhe kostot e jetesës. Kostot e jetesës përllogariten deri në kufirin e pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL), brenda muajit janar, negocion me bankat e nivelit të dytë për dhënien e kredive studentore, mbi bazën e kushteve, si më poshtë vijon:

a) Kredia studentore jepet pa kolateral fizik;
b) Kredia studentore jepet për mbulimin e kostove vetëm për ndjekjen e një programi studimi;
c) Financimi i kredisë bëhet me këste, të paktën dy herë në vit, dhe financimi i çdo kësti realizohet vetëm pas konfirmimit nga institucioni i arsimit të lartë, që studenti kredimarrës ka shlyer tarifën vjetore të shkollimit të vitit akademik dhe ka frekuentuar procesin mësimor;
ç) Detyrimi i shlyerjes së kredisë, përfshirë principalin dhe interesin e kredisë nga studenti kredimarrës, fillon jo më herët se 3 (tre) vjet pas nënshkrimit të kontratës së kredisë, për rastet e kredisë së marrë për program studimi të ciklit të parë; jo më herët se 2 (dy) vjet pas nënshkrimit të kontratës së kredisë, për rastet e kredisë së marrë për program studimi të ciklit të dytë dhe jo më herët se 5 (pesë) vjet pas nënshkrimit të kontratës së kredisë, për rastet e kredisë së marrë për program studimi të integruar të ciklit të dytë;
d) Norma e interesit të kredisë studentore të jetë më e ulët se norma mesatare e interesit për kreditë konsumatore, të dhëna nga institucioni kredidhënës për 2 (dy) vitet e fundit, përfshirë vitin në të cilin jepet kjo kredi;
dh) Norma e interesit të kredisë të jetë e pandryshueshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës së kredisë.

4. Kushtet e tjera përcaktohen nga palët, kërkuesit për kredinë studentore dhe banka e nivelit të dytë, në kontratën e kredisë së lidhur ndërmjet tyre.

5. Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë informon ministrinë përgjegjëse për arsimin për negociimet e zhvilluara me bankat e nivelit të dytë, duke i listuar ato sipas normës më të ulët të interesit të ofruar për kreditë studentore.

6. Studenti, i cili nuk është subjekt i përfitimeve prej akteve të tjera që mbështesin studentin me bursa, mbështetje financiare apo përjashtime nga tarifat, ka të drejtë të paraqesë kërkesë për kredi studentore pranë Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë, brenda muajit shkurt. Bashkë me kërkesën, studenti paraqet dokumentacionin që vërteton regjistrimin si student në institucionin përkatës të arsimit të lartë dhe numrin e matrikullimit.

7. Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, brenda muajit mars, vlerëson dhe rendit kërkesat e studentëve për kredi studentore, mbi bazën e kritereve, si më poshtë vijon:

a) Vlera e kredisë së kërkuar, sipas të cilës AKFAL-i i rendit kërkesat për kredi, duke preferuar kërkesat me vlerën e kredisë më të ulët;
b) Lloji i programit të studimit ku është regjistruar studenti, i cili kërkon kredi. Nga kërkesat për kredi, të renditura sipas shkronjës “a”, preferohen kërkesat e paraqitura nga studentët e regjistruar në programe studimi, të përcaktuara si programe prioritare në institucione publike të arsimit të lartë, që plotësojnë detyrimin sipas pikës 6, të këtij vendimi, referuar akteve nënligjore në fuqi, si dhe në programe të tjera studimi, të ofruara nga institucione publike të arsimit të lartë;
c) Rezultatet e studentit kërkues për kredi studentore. Kërkesat për kredi studentore, të cilat, sipas parashikimeve të dy pikave të mësipërme “a” dhe “b”, janë vlerësuar njëlloj të preferuara, do të renditen sipas nivelit më të lartë të rezultateve të studentit që kërkon kredi. Rezultate të studentit, sipas studimeve që ai ndjek, konsiderohen rezultatet, si më poshtë vijon:

i. Rezultatet e arsimit të mesëm të lartë, për studentët të cilët kërkojnë kredi studentore në vitin e parë të studimeve;
ii. Rezultatet e vitit/viteve akademik/e paraardhës/e, për studentët të cilët kërkojnë kredi studentore pas vitit të parë të studimeve për programet profesionale të ciklit të parë dhe programet e integruara të ciklit të dytë. Për studentët pas vitit të dytë përllogaritja e notës mesatare bëhet si total i viteve të mëparshme të studimit;
iii. Rezultatet e ciklit të parë të studimeve për studentët që kërkojnë kredi kur janë regjistruar në një program studimi të ciklit të dytë, pavarësisht vitit që ndjekin.

8. Brenda afatit të përcaktuar në pikën e mësipërme, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë shpall renditjen e kërkesave për kredi studentore dhe informon ministrinë përgjegjëse për arsimin për këtë renditje.

9. Brenda 15 ditëve nga shpallja e listës me renditjen e kërkesave për të përfituar kredi studentore, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë ia paraqet këtë listë bankave të nivelit të dytë, të cilat kanë pranuar të ofrojnë kredinë studentore, sipas kushteve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, me normën më të ulët të interesit. Brenda të njëjtit afat, njoftohen edhe studentët për vijimin e procedurave dhe lidhjen e kontratës së kredisë me bankën përkatëse.

10. Numri i kërkesave për të përfituar kredi studentore, të cilat do të paraqiten te banka/bankat e nivelit të dytë, sipas përcaktimeve të pikës së mësipërme të këtij vendimi, do të rakordohet me fondin, i cili angazhohet çdo vit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për financimin e normës së interesit të kredive studentore.

11. Brenda muajit maj, me miratim të ministrisë përgjegjëse për arsimin, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë lidh me bankën e nivelit të dytë marrëveshje për të financuar një pjesë të normës së interesit të kredive studentore, që banka do të kontraktojë me studentët, por jo më shumë se 5 (pesë) pikë përqindje të normës së interesit.
12. Pasi vlerëson respektimin e kushteve të skemës së kredisë studentore nga banka, për çdo kontratë kredie studentore, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë miraton financimin e pjesës së interesit të çdo kësti kredie të disbursuar kundrejt studentit, bazuar në nivelin e përcaktuar në marrëveshjen përkatëse të financimit.

13. Mundësimi i skemës së kredive studentore bëhet nëpërmjet fondit të financimit të interesit të kredive studentore për institucionet publike të arsimit të lartë. Ky fond është pjesë e programit buxhetor të arsimit të lartë, që përllogaritet deri në 0,5% të shumës vjetore të grantit të mësimdhënies, duke iu zbritur këtij granti dhe i transferohet bankës/bankave të nivelit të dytë nga ministria përgjegjëse për arsimin, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet tyre dhe AKFAL-it, në varësi të kontratave të kredive të nënshkruara.

14. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit për ministrinë përgjegjëse për arsimin.

15. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË FONDIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME PËR MBËSHTETJEN E INVESTIMEVE STRATEGJIKE PËR VËNIEN NË DISPOZICION TË INVESTITORIT STRATEGJIK TË PRONËS SË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NË ZONËN KADASTRALE NR.8561, BASHKIA KORÇË, PËR ZHVILLIMIN DHE REALIZIMIN E PROJEKTIT INVESTUES STRATEGJIK “GREEN HOUSE KORÇA RESORT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të nenit 27, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 3, të kreut II, të vendimit nr.1030, datë 16.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS) të pronës së paluajtshme shtetërore, në zonën kadastrale nr.8561, me numër pasurie 1/911, të llojit “truall”, me sipërfaqe të përgjithshme 10 000 (dhjetë mijë) m2, në pronësi “shtet”, me vendndodhje Bashkia Korçë, sipas kartelës së pasurisë dhe fragmentit të hartës kadastrale që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, vihet në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Green House Korça Resort”, me subjekt investues “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C.

3. E drejta e përdorimit të pronës së përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, nga investitori strategjik “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C, detyrimet dhe kushtet e përdorimit bazohen në pikën 7, shkronja “c”, dhe 11, të vendimit nr.29/4, datë 1.2.2023, të Komitetit të Investimeve Strategjike.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN E PRONËSISË SË 67.21 % TË AKSIONEVE TË SHOQËRISË “TREGU I SHITJES ME SHUMICË FRUTA-PERIME”, SH.A., SHKODËR, NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË TE BASHKIA SHKODËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të paragrafit të tretë, të nenit 4, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin e pronësisë së 67.21 % të aksioneve të shoqërisë “Tregu i shitjes me shumicë fruta-perime”, sh.a, Shkodër, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë te Bashkia Shkodër, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

RREGULLA – PUNONJESIT ANTIKORRUPSION

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Nis investimi në Poliklinikën e Shkodrës, Manastirliu: Spitali gati për autonominë menaxheriale, i hapet rrugë praktikave dyfishe për mjekët