Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 2 Maj 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 2 Maj 2024

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 2 Maj 2024: 

 

V E N D I M
PËR

AUTORIZIMIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AGJENCISË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT PËR NEGOCIIMIN DHE NËNSHKRIMIN E MARRËVESHJES SË PARTNERITETIT STRATEGJIK, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHOQËRISË “ORACLE CORPORATION”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “d”, të nenit 31, të ligjit nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Autorizimin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes së partneritetit strategjik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “Oracle Corporation”.

2. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT NË BUXHETIN E VITIT 2024 PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, 3, 4, 5 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Masa e financimit, prej 113 000 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2024, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret, si më poshtë vijon:

a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 33 840 000 (tridhjetë e tre milionë e tetëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:

i. 17 040 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e dyzet mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 71 (shtatëdhjetë e një) punonjës të administratës;
ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e mijë) lekë, të ndarë në:

i. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të administratës;
ii. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind mijë) lekë, të ndarë në:

i. 9 600 000 (nëntë milionë e gjashtëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 (dyzet) punonjës të administratës;
ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 26 360 000 (njëzet e gjashtë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, të ndarë në:

i. 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë për financimin, deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 25 (njëzet e pesë) punonjës të administratës;
ii. 13 360 000 (trembëdhjetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, si kontribut në ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër;
iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesëpreventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2024, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.

2. Kalimi i fondit, përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, bëhet njëherësh, brenda muajit maj, të vitit 2024.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E KATEGORIVE TË OPERATORËVE EKONOMIKË, TË CILËT KANË NË PRONËSI OSE ADMINISTROJNË PAJISJE APO INSTALIME NËN PRESION, QË I NËNSHTROHEN DETYRIMIT PËR T’U PAJISUR ME KONTRATËN E SIGURIMIT TË PËRGJEGJËSISË CIVILE, SI DHE KUFIRIN MINIMAL TË PËRGJEGJËSISË SË TYRE, QË MBULOHET NGA KONTRATA E SIGURIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 9, të ligjit nr.32/2016, “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe instalimeve nën presion”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij vendimi është:

1. Përcaktimi i kategorive të operatorëve ekonomikë, të cilët kanë në pronësi ose administrojnë pajisje apo instalime nën presion, në funksion të një veprimtarie tregtare dhe që duhet t’i nënshtrohen detyrimit për t’u pajisur me kontratën e sigurimit të përgjegjësisë civile.

2. Përcaktimi i kufirit minimal të përgjegjësisë që mbulohet nga kontrata e sigurimit, me qëllim garantimin e sigurisë së mjedisit, jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve nga rreziqet e shkaktuara nga këto pajisje dhe instalime.

Neni 2
Fusha e zbatimit

1. Dispozitat e këtij vendimi zbatohen për të gjithë operatorët ekonomikë, që administrojnë apo shfrytëzojnë pajisje dhe instalime nën presion, sipas përcaktimeve të ligjit nr.32/2016, “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe instalimeve nën presion”.

2. Sigurimi i detyrueshëm kryhet vetëm pasi operatori ekonomik ka regjistruar pajisjen/instalimin nën presion pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, sipas përcaktimeve të nenit 7, të ligjit nr.32/2016.

Neni 3
Kategoritë e operatorëve ekonomikë që i nënshtrohen detyrimit për t’u pajisur me kontratën e sigurimit të përgjegjësisë civile

Kategoritë e operatorëve ekonomikë, të cilët kanë në pronësi apo administrojnë pajisje/instalime nën presion, në funksion të një veprimtarie tregtare dhe që duhet t’i nënshtrohen detyrimit për t’u pajisur me kontratën e sigurimit të përgjegjësisë civile janë, si më poshtë vijon:

1. Subjekte që zhvillojnë aktivitet tregtar dhe ofrojnë shërbime për të tretë në fushat:

a) Restorant/shërbime ushqimi;
b) Akomodim/turizëm;
c) Shërbim social;
ç) Shërbim shëndetësor;
d) Institucione arsimore;
dh) Institucion/ndërmarrje shtetërore;
e) Ndërtim;
ë) Prodhim/përpunim/tregtim produkte joushqimore;
f) Prodhim/përpunim/tregtim produkte ushqimore;
g) Shoqëri tregtimi fluidi me shumicë;
gj) Shoqëri tregtimi fluidi me pakicë;
h) Shoqëri nxjerrje/prodhimi dhe përpunimi fluide/hidrokarbure;
i) Shoqëri prodhimi dhe përpunimi gazrash teknike/mjekësore;
j) Shoqëri tregtimi gazrash teknike/mjekësore me shumicë;
k) Shoqëri tregtimi gazrash teknike/mjekësore me pakicë;
l) Transportim i bombolave të ndryshme;
ll) Transportim me autocisterna;
m) Shërbime hekurudhore;
n) Shërbime detare;
nj) Aktivitete të turizmit detar;
o) Subjektet fizike dhe juridike, që operojnë në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, që gjatë veprimtarisë së tyre përdorin enë nën presion (sistemet e mbrojtjes nga zjarri).

2. Subjektet që përdorin dhe/ose administrojnë enë nën presion, sipas volumit:

a) Kaldajë avulli dhe ujë të nxehur në prodhimtari;
b) Pajisje nën presion stacionare/rezervuar GLN (gazi i lëngshëm i naftës);
c) Bombola GLN (pajisje të transportueshme nën presion-PTNP);
ç) Enët e thjeshta nën presion/stacionare;
d) Enët kriogjenike për gazrat teknike hidrogjen/oksigjen (përfshirë PTNP-të);
dh) Bombolat e gazrave teknike dhe mjekësore (PTNP);
e) PTNP të tjera;
ë) Rezervuar hidrokarbur/lëndë djegëse;
f) Linjat teknologjike/industriale;
g) Pajisjet për shuarjen e zjarrit dhe pajisjet stacionare për shuarjen e zjarrit.

3. Kategoritë e operatorëve, lloji i pajisjes/instalimit, sipas nivelit të riskut përcaktohen në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij projektvendimi.

Neni 4
Kufijtë minimalë të përgjegjësisë që mbulohen nga kontrata e sigurimit

1. Me qëllim garantimin e mbulimit të dëmeve që mund të shkaktohen ndaj mjedisit, jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve, kufijtë minimalë të përgjegjësisë do të jenë, si më poshtë vijon:

a) Pajisje/impiante në presion me rrezik të ulët 10 (dhjetë) milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 20 (njëzet) milionë lekë në agregat;
b) Pajisje/impiante në presion me rrezik të mesëm 20 (njëzet) milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 40 (dyzet) milionë lekë në agregat;
c) Pajisje/impiante në presion me rrezik të lartë 35 (tridhjetë e pesë) milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 70 (shtatëdhjetë) milionë lekë në agregat;
ç) Pajisje/impiante në presion me rrezik shumë të lartë 50 (pesëdhjetë) milionë lekë për ngjarje sigurimi dhe 100 (njëqind) milionë lekë në agregat.

2. Kategoritë e operatorëve ekonomikë, që i nënshtrohen detyrimit për t’u pajisur me kontratën e sigurimit të përgjegjësisë civile, mund të kryejnë sigurim edhe mbi kufijtë minimalë, të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.

Neni 5
Parashikime të veçanta

1. Të gjitha kategoritë e operatorëve ekonomikë, sipas këtij vendimi, do të jenë përgjegjëse për të përmbushur detyrimin për të lidhur kontratën e sigurimit të përgjegjësisë civile, si dhe për rinovimin e saj pa shkëputje, përgjatë gjithë periudhës së shfrytëzimit të pajisjeve/instalimeve nën presion për të garantuar mbulimin e dëmeve që mund të shkaktohen ndaj mjedisit, jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE UNIVERSITETIT KOMBËTAR TË ARSIMIT NË DISTANCË (UNED), PËR HAPJEN E UNIVERSITETIT KOMBËTAR TË ARSIMIT NË DISTANCË, KAMPUSI NË GJIROKASTËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë (UNED), për hapjen e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, kampusi në Gjirokastër, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR NJË NDRYSHIM NË AKTIN NORMATIV, ME FUQINË E LIGJIT, NR.4, DATË 9.7.2008, “PËR PRIVATIZIMIN DHE DHËNIEN NË PËRDORIM SHOQËRIVE TREGTARE DHE INSTITUCIONEVE SHTETËRORE TË NDËRMARRJEVE APO OBJEKTEVE TË VEÇANTA, MJETEVE KRYESORE DHE MJETEVE TË XHIROS SË KËTYRE NDËRMARRJEVE”, MIRATUAR ME LIGJIN NR.9967, DATË 24.7.2008, TË NDRYSHUAR ME LIGJIN NR.3/2015 DHE LIGJIN NR.37/2019

Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për një ndryshim në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr.4, datë 9.7.2008, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve””, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar me ligjin nr.3/2015 dhe ligjin nr.37/2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Në listën e inventarit bashkëlidhur vendimit, përmasat e pronave zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët, gjithsej, 5 (pesë) fletë inventari, dhe planrilevimet, gjithsej 5 (pesë), që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij;
b) Prona me numër rendor 169, me emërtimin “Ish-vendkomandë brigade”, me vendndodhje Kodra e Kuqe, Babrru, Tiranë, hiqet nga lista e inventarit bashkëlidhur vendimit.

2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROTOKOLLIT PËR NDËRLIDHJEN E SKEMAVE PËR IDENTIFIKIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e protokollit për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të shtetasve të Ballkanit Perëndimor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR FILLIMIN E PROCEDURËS DISIPLINORE, PËR MËNYRËN E FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT DISIPLINOR, SI DHE RREGULLAT PËR ZHVILLIMIN E PROCEDURËS DISIPLINORE NË FUSHËN E NDËRTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 14/2, 14/5 e 14/7, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullave për fillimin e procedurës disiplinore, për mënyrën e funksionimit të komisionit disiplinor, si dhe rregullat për zhvillimin e procedurës disiplinore në fushën e ndërtimit.

2. Shkronja “ç”, e pikës 1, të nenit 41, të rregullores “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale për individë dhe persona juridikë në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”, miratuar me vendimin nr.759, datë 12.11.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, dhe pika III, e kreut VII, të rregullores “Për kriteret, procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike, që ushtrojnë veprimtari ndërtimi”, miratuar me vendimin nr.42, datë 16.1.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shfuqizohen pas ngritjes dhe funksionimit të komisionit disiplinor, sipas këtij vendimi.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, njësitë e vetëqeverisjes vendore, Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, institucionet publike që kryejnë oponencën dhe çdo autoritet publik që mbikëqyr veprimtarinë e ndërtimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË DHE NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.420, DATË 8.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E CEREMONIALIT SHTETËROR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, në kapitullin VI, pika 6, të tekstit të “Ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, bashkëlidhur vendimit, bëhet shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:

a) Në nënpikën 6.2 shtohet nënndarja “22 nëntor – Dita e Alfabetit”;
b) Në nënpikën 6.4, nënndarja “20 nëntor – Dita e Alfabetit”, shfuqizohet.

2. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1497, DATË 19.11.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHTYPJEN E LETRAVE ME VLERË”, TЁ NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.1497, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për shtypjen e letrave me vlerë”, tё ndryshuar, pas pikës 2, shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:

“2.1. Nga data 1 janar 2025 e nё vijim, autorizohet shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, sh.a., pёr prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, sipas kuptimit në ligjin për akcizat në Republikën e Shqipërisë, kundrejt pagesës.

2. Ministria e Financave i kalon pa pagesë shoqёrisё “Shtypshkronja e Letrave me Vlerё”, të gjitha të dhënat dhe aktivet, të marra në dorëzim nga koncesionari, sipas pёrcaktimeve tё kontratёs koncesionare “Për krijimin dhe funksionimin e sistemit të pullave fiskale”, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “SICPA Security Solutions SA” e “SICPA Security Solutions Albania sh.p.k.”, tё miratuar me ligjin nr.10381, datë 24.2.2011, dhe të ndryshuar me ligjin nr.17/2023.

3. Ngarkohen Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR MIGRACIONIN 2024-2030 DHE TË PLANIT TË SAJ TË VEPRIMIT 2024–2026

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Migracionin 2024-2030 dhe të planit të saj të veprimit 2024-2026, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen të gjitha ministritë e linjës dhe institucionet qendrore, për të cilat në strategji dhe në planin e veprimit janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous “Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm, me një siguri në nivelin më të lartë”