Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Maj 2024:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRI I SHTETIT PËR PUSHTETIN VENDOR, DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM, QË VEPRON NËPËRMJET AMBASADËS SË ZVICRËS NË SHQIPËRI, PËR PROJEKTIN “BASHKI TË FORTA (BTF), FAZA 2”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, për projektin “Bashki të forta (BTF), faza 2”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS SË PAGESËS PËR ANËTARËT E KOMISIONIT TË LICENCAVE PËR KULTIVIMIN E CANNABIS-IT PËR QËLLIME MJEKËSORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 5, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Anëtarët e emëruar në Komisionin e Licencave për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore përfitojnë një pagesë për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë komision, në masën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë për mbledhje, por jo më shumë se 12 (dymbëdhjetë) pagesa në vit.
2. Ky vendim i shtrin efektet financiare nga momenti i bërjes efektiv të komisionit dhe këto efekte përballohen brenda buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
3. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROJEKTEVE FITUESE TË FINANCUARA PËR VITIN 2024 NGA FONDI PËR DIGAT, SI DHE TË AUTORITETIT KONTRAKTOR PËR ZBATIMIN E PROJEKTEVE, SIPAS NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të nenit 15, e të pikës 10, të aneksit 7, “Fondi për digat”, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së projekteve fituese të financuara për vitin 2024 nga fondi për digat, si dhe të autoritetit kontraktor për zbatimin e projekteve, sipas njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROJEKTEVE FITUESE TË FINANCUARA PËR VITIN 2024 NGA FONDI PËR PARANDALIMIN DHE MENAXHIMIN E FATKEQËSIVE NATYRORE, SI DHE TË AUTORITETIT KONTRAKTOR PËR ZBATIMIN E PROJEKTEVE, SIPAS NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 15, e të pikës 9, të aneksit 6, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së projekteve fituese të financuara për vitin 2024 nga fondi për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore, si dhe të autoritetit kontraktor për zbatimin e projekteve, sipas njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHPËRBLIMIT TË KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KOMISIONIT TË LICENCAVE NË AUTORITETIN E MBIKËQYRJES SË LOJËRAVE TË FATIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 8, të nenit 17/1, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të pikës 5, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Licencave për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve të paraqitura në lidhje me aktivitetin e lojërave të fatit, pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit shpërblehen, si më poshtë vijon:
a) Kryetari i komisionit, në masën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë për mbledhje;
b) Anëtarët e komisionit, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë për mbledhje.
2. Çdo pagesë e anëtarëve të komisionit bëhet mbi bazën e dokumentit (listëprezencë ose procesverbal), që vërteton pjesëmarrjen në mbledhjet e komisionit.
3. Efektet financiare për shpërblimin e anëtarëve të Komisionit të Licencave, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
4. Ngarkohet Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR PROKURIMIN PUBLIK 2024-2030 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT PËR ZBATIMIN E SAJ 2024-2027
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Prokurimin Publik 2024-2030 dhe të planit të veprimit për zbatimin e saj 2024-2027, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Agjencia e Prokurimit Publik dhe të gjitha institucionet përgjegjëse të përcaktuara në strategjinë dhe në planin e veprimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA