Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Qershor 2022:
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PARANDALIMIT TË PASTRIMIT TË PARAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 21, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Elvis Koçi, drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, lirohet nga kjo detyrë.
2. Znj. Iris Ago emërohet drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT, PARAUNIVERSITAR, TË ARSIMIT TË MESËM TË LARTË “ERNEST KOLIQI INTERNATIONAL SCHOOL”, KU MËSIMI ZHVILLOHET NË GJUHËN ANGLEZE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen e institucionit arsimor privat, parauniversitar, të arsimit të mesëm të lartë “Ernest Koliqi International School”, me kohë të plotë, i cili ushtron veprimtarinë arsimore në adresën: autostrada “Tiranë-Durrës”, km 8, Kashar, Tiranë. Në këtë institucion arsimor mësimi zhvillohet në gjuhën angleze, ndërsa lëndët “Gjuhë shqipe”, “Letërsi”, “Histori e kombit shqiptar” dhe “Gjeografia e Shqipërisë” zhvillohen detyrimisht në gjuhën shqipe.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar, Durrës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar, Tiranë dhe institucioni arsimor privat, parauniversitar i arsimit të mesëm të lartë “Ernest Koliqi International School” për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT, PARAUNIVERSITAR, TË ARSIMIT TË MESËM TË LARTË “DEUTSCH –ALBANISCHE SCHULE” (DAS), KU MËSIMI ZHVILLOHET NË GJUHËN GJERMANE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen e institucionit arsimor privat, parauniversitar, të arsimit të mesëm të lartë “Deutsch – Albanische Schule” (DAS), me kohë të plotë, i cili ushtron veprimtarinë arsimore në adresën: rruga “Xhanfize Keko”, kompleksi “Xhurra”, 1005, Tiranë. Në këtë institucion arsimor mësimi zhvillohet në gjuhën gjermane, ndërsa lëndët “Gjuhë shqipe”, “Letërsi”, “Histori e kombit shqiptar” dhe “Gjeografia e Shqipërisë” zhvillohen detyrimisht në gjuhën shqipe.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Durrës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë dhe institucioni arsimor privat parauniversitar i arsimit të mesëm të lartë “Deutsch – Albanische Schule” (DAS) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT, PARAUNIVERSITAR, TË ARSIMIT BAZË “ERNEST KOLIQI INTERNATIONAL SCHOOL”, KU MËSIMI ZHVILLOHET NË GJUHËN ANGLEZE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen e institucionit arsimor privat, parauniversitar, të arsimit bazë “Ernest Koliqi International School”, me kohë të plotë, i cili ushtron veprimtarinë arsimore në adresën: autostrada “Tiranë-Durrës”, km 8, Kashar, Tiranë. Në këtë institucion arsimor mësimi zhvillohet në gjuhën angleze, ndërsa lëndët “Gjuhë shqipe”, “Histori e kombit shqiptar” dhe “Gjeografia e Shqipërisë” zhvillohen detyrimisht në gjuhën shqipe.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar, Durrës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar, Tiranë dhe institucioni arsimor privat, parauniversitar i arsimit bazë “Ernest Koliqi International School” për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË TEATRIT KOMBËTAR TË OPERËS, BALETIT DHE ANSAMBLIT POPULLOR
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, e të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Znj. Zana Çela, drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, lirohet nga kjo detyrë.
2. Znj. Abigeila Voshtina emërohet drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDЁRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN PËR REAGIMIN NDAJ EMERGJENCËS COVID-19 NË SHQIPËRI, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.144/2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së huas, ndёrmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në Shqipëri, ratifikuar me ligjin nr.144/2020, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDACIONIT SHQIPTARO-AMERIKAN PËR ZHVILLIM (AADF) PËR PROJEKTIN “PËR ZHVILLIMIN E EKO-TURIZMIT NË ZONËN DRILON-TUSHEMISHT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 39, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) për projektin “Për zhvillimin e eko-turizmit në zonën Drilon –Tushemisht”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Autorizimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Pogradec për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR NJË PROJEKTLIGJ JOQEVERITAR
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për Urdhrin Profesional të Inxhinierëve”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 224, DATË 21.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË TË USHTARAKËVE AKTIVË TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 20, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.224, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Lidhja nr.1 zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Lidhja nr.2 zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
c) Lidhja nr.5 zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2022, të përballohen nga fondet e miratuara për paga dhe sigurime shoqërore, për sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes, për këtë vit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2022.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.354, DATË 13.6.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E LEJES PËR HAPJEN E INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT, PARAUNIVERSITAR, SHKOLLË E MESME PROFESIONALE “PETER MAHRINGER”, QË DO TË ZHVILLOJË MËSIMIN EDHE NË GJUHËN GJERMANE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 24 e 42, pika 5, të ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.354, datë 13.6.2007, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Titulli i vendimit ndryshohet dhe zëvendësohet me:
“Për dhënien e lejes për hapjen e institucionit arsimor privat, parauniversitar, shkollës së mesme të orientuar “Peter Mahringer”, që do të zhvillojë mësimin edhe në gjuhën gjermane”.
b) Në pikën 1, fjalët “… të arsimit të mesëm profesional “Peter Mahringer” …” zëvendësohen me “… të shkollës së mesme të orientuar për teknologjinë e informacionit “Peter Mahringer” …”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Lezhë, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Shkodër dhe institucioni arsimor privat parauniversitar, “Peter Mahringer”, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË MENAXHIMIT TË INTEGRUAR TË ANSAMBLIT HISTORIK TË PALLATIT TË BRIGADAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 47, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të menaxhimit të integruar të Ansamblit Historik të Pallatit të Brigadave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE, TË PROCEDURAVE DHE TË KRITEREVE TË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PËR NJË JETESË TË PAVARUR PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.93/2014, “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, me propozimin e ministrit së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave, të procedurave dhe të kritereve të ofrimit të shërbimeve për një jetesë të pavarur për personat me aftësi të kufizuar, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Kulturës, bashkitë dhe njësitë administrative për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.75, DATË 12.2.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E MODELIT TË FINANCIMIT TË BUXHETIT PËR ARSIMIN E LARTË DHE KËRKIMIN SHKENCOR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 110, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.75, datë 12.2.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Shkronja “c”, e pikës 2, të kreut III, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) Koeficienti i prioriteteve ose financimi shtesë, në masën 50% për studentët që ndjekin studimet në programe prioritare, në masën 30% për studentët që ndjekin programe studimi të përbashkëta, sipas marrëveshjeve të nënshkruara me IAL-të e shteteve të tjera, në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit të studimeve, dhe në masën 10% për studentët që ndjekin programe studimi me karakter profesional;”.
b) Pas pikës 2, të kreut V, shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Fondet e miratuara për financimin e programeve të përbashkëta të studimit në institucionet publike të arsimit të lartë, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit me institucionet e arsimit të lartë të shteteve të tjera, do të shpërndahen në bazë të kërkesave specifike që do të paraqesin IAL-të publike.
Institucionet publike të arsimit të lartë kërkojnë pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin për përfitimin e financimit nga fondet grant për ndërkombëtarizimin, sipas thirrjes së shpallur nga ministria përgjegjëse për arsimin.”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.72, DATË 3.2.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E NDËRTIMIT TË OBJEKTIT “POLI I RI ADMINISTRATIV”, NJËSIA ADMINISTRATIVE BUBQ, BASHKIA KRUJË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË KRUJË SI NJËSI ZBATUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.72, datë 3.2.2021, të Këshillit të Ministrave, pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, nga Bashkia Krujë për ndërtimin e objektit “Poli i ri administrativ”, njësia administrative Bubq, Bashkia Krujë, në masën 190 503 875 (njëqind e nëntëdhjetë milionë e pesëqind e tre mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH, i cili do të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë, dhe i transferohet Bashkisë Krujë, në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.
2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Krujë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA: HIDROLOGJIA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 2, shkronja “th”, dhe 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: Hidrologjia”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ