Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Shtator 2022 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Shtator 2022

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Shtator 2022:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT PËR ZHVILLIMIN E INTEGRUAR URBAN DHE TURIZMIN, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.19/2017

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për zhvillimin e integruar urban dhe turizmin, ratifikuar me ligjin nr.19/2017, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË DETAJUARA PËR MËNYRËN E CAKTIMIT TË MBIKËQYRËSIT, DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E TIJ, KUSHTET DHE ELEMENTET E PËRGJITHSHME TË SIGURIMIT TË PËRGJEGJËSISË PROFESIONALE, SI DHE RREGULLAT, PROCEDURAT DHE MËNYRËN E MBAJTJES SË DOKUMENTACIONIT GJATË ZHVILLIMIT TË PUNIMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 7/1, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

KREU I
RREGULLAT PËR CAKTIMIN E MBIKËQYRËSIT

Neni 1

1. Mbikëqyrja e punimeve bëhet për të gjitha llojet e objekteve të ndërtimit dhe kryhet nga mbikëqyrës/grupi i mbikëqyrësve të punimeve, i cili ka përgjegjësi kontrollin e mbarëvajtjes të të gjithë procesit të zbatimit të punimeve, në përputhje me projektin, rregullat dhe standardet teknike të projektimit, zbatimit, si dhe destinacionin e objektit, duke pasur parasysh edhe anën ekonomike të tij.

2. Mbikëqyrja e punimeve kryhet nga persona fizikë apo juridikë, vendas apo të huaj, të licencuar për ushtrimin e mbikëqyrjes së punimeve, të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe të pajisur me NIPT.

Neni 2

1. Mbikëqyrësi i punimeve/grupi i mbikëqyrësve caktohet nga zhvilluesi, sipas subjekteve të regjistruara në regjistrin elektronik të profesionistëve të regjistruar.

2. Caktimin e mbikëqyrësit/grupit të mbikëqyrësve, zhvilluesi e kryen duke pasur parasysh llojin e punimeve që do të mbikëqyren në zbatimin e veprës. Mbikëqyrësi/grupi i mbikëqyrësve caktohet në bazë të licencës profesionale të mbikëqyrjes që disponon dhe pikëve të kualifikimit, të cilat përkojnë me zërat e punimeve që do të kryhen në objekt.

Neni 3

Në rastet kur autoritetet publike investojnë dhe realizojnë një zhvillim në një zonë të caktuar, mbikëqyrësi i punimeve/grupi i mbikëqyrësve përzgjidhet nga autoriteti publik në përputhje me rregullat e parashikuara nga legjislacioni për prokurimin publik në fuqi.

Neni 4

Tarifa për shërbimin e mbikëqyrjes, për vepra publike, të financuara me fonde publike apo private, llogaritet në përputhje me tarifat në fuqi për shërbimin në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim. Tarifa për shërbimin e mbikëqyrjes, me financim nga subjekte private, nuk mundet të jetë më e vogël se tarifa minimale referuese në fuqi. Në rastet e shtyrjeve të afateve kontraktuale, për shërbimin e mbikëqyrjes llogaritet tarifë shtesë për kohën e shtyrjes së kontratës, sipas legjislacioneve në fuqi sipas fushës, për të cilën kërkohet shërbimi shtesë.

Neni 5

1. Zhvilluesi lidh kontratë me mbikëqyrësin e punimeve, duke përcaktuar detyrimet e ndërsjella, kushtet e punës, tarifën, rastet e zëvendësimit, sipas pikës 2, të nenit 6, të këtij vendimi, dhe detyrimin e mbikëqyrësit për të raportuar pranë autoriteteve çdo 45 (dyzet e pesë) ditë për gjendjen e zhvillimit të punimeve.

2. Mbikëqyrësi i punimeve vihet në dijeni nga zhvilluesi për kontratën e lidhur me zbatuesin e punimeve dhe të nënkontraktorëve të mundshëm që zgjedh zbatuesi i punimeve, në përputhje me kontratën e nënshkruar.

Neni 6

1. Mbikëqyrësi i punimeve nuk zëvendësohet, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 2, të këtij neni.

2. Zhvilluesi mund të kërkojë zëvendësimin e mbikëqyrësit të punimeve, vetëm në rastet kur:

a) ka mangësi në plotësimin e detyrave të kontrollit të mbarëvajtjes të të gjithë procesit të zbatimit të punimeve, në përputhje me projektin, kushtet teknike të projektimit, të zbatimit, si dhe destinacionin e objektit, duke pasur parasysh dhe anën ekonomike të tij;
b) ka ndërprerje të paarsyeshme të punimeve dhe zgjatje të pajustifikuar të tyre;
c) ka mangësi kontrolli në koston e kontabilitetit, tolerimin e materialeve me vlera mbi ato të preventivuara dhe/ose me cilësi më të dobët se ajo e përcaktuar në projekt;
ç) nuk kryen raportimet sipas këtij vendimi;
d) ka pamundësi për kryerjen e detyrës për shkaqe shëndetësore, e vërtetuar nga komisioni kompetent mjekësor;
dh) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje.

3. Në rastin e zëvendësimit të mbikëqyrësit të punimeve, mbahet procesverbali i dorëzimit të dosjes së punimeve, ku shënohen edhe shkaqet e këtij zëvendësimi. Dokumentacioni i mbikëqyrësit të vjetër i dorëzohet mbikëqyrësit të ri. Njoftimi i mbikëqyrësit të ri kryhet on-line në sistemin e-leje.

KREU II
DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E MBIKËQYRËSIT TË PUNIMEVE

Neni 7

Mbikëqyrësi i punimeve në bashkëpunim me zbatuesin e punimeve programon punimet që do të kryhen në objekt nëpërmjet një plani të shprehur në grafik për çdo muaj. Ai mbikëqyr grafikun e punimeve, kontrollon librin e kantierit dhe është përgjegjës për saktësinë, vërtetësinë e dokumentacionit që mbahet në objekt.

Neni 8

1. Mbikëqyrësi ka detyrimin të raportojë te zhvilluesi, çdo 45 (dyzet e pesë) ditë për kryerjen e punimeve, sipas fazave të akteve të kontrollit, në përputhje me nenin 42, të këtij vendimi.

2. Mbikëqyrësi ka detyrimin të njoftojë on-line në sistemin e-leje pranë autoriteteve përkatëse kryerjen e punimeve, sipas fazave të akteve të kontrollit, në përputhje me nenin 42, të këtij vendimi. Ai njofton on-line brenda 5 (pesë) ditëve pune në sistemin e-leje pranë autoriteteve përkatëse në rastet kur vëren se punimet e kryera janë në shkelje apo tejkalim të lejes së ndërtimit, si dhe kryen on-line çdo 45 (dyzet e pesë) ditë raportimin e kryerjes së punimeve, sipas metodologjisë së përcaktuar nga organi i lëshimit të lejes së ndërtimit.

Neni 9

1. Mbikëqyrësi i punimeve miraton materialet e ardhura në kantier përpara se të vendosen në objekt, nëse ato janë në përputhje me kërkesat e projektit, kushtet teknike të projektimit dhe zbatimit, standardet e cilësisë së materialeve, si dhe makineritë e pajisjet e siguruara nga zbatuesi i punimeve, të nevojshme në procesin e ndërtimit. Materialet, të cilat nuk marrin miratimin e mbikëqyrësit të punimeve, zëvendësohen me shpenzimet e zbatuesit të punimeve, të cilat duhet të marrin miratimin e mbikëqyrësit të punimeve për t’u përdorur në procesin e ndërtimit.

2. Mbikëqyrësi i punimeve kryen vëzhgimin dhe korrigjimin e detajeve të elementeve të parapërgatitura (parafabrikat), në përputhje me kërkesat e projektit, kushtet teknike të projektimit dhe zbatimit, si dhe standardet e cilësisë së materialeve, të cilat do të përdoren në procesin e ndërtimit.

3. Mbikëqyrësi i punimeve duhet të dokumentojë me procesverbalet e analizave të provave, së bashku me aktin teknik, argumentimin e shmangieve të palejuara, referuar standardeve shqiptare ose në mungesë të tyre standardeve evropiane.

Neni 10

1. Mbikëqyrësi i punimeve njofton zbatuesin e punimeve për porositë, urdhrat dhe udhëzimet e dhëna në ditarin e objektit gjatë zbatimit të kontratës së punimeve dhe kolaudimit.

2. Mbikëqyrësi i punimeve gjatë zbatimit të objektit i jep instruksione dhe urdhra me shkrim zbatuesit të punimeve sa herë që e sheh të nevojshme, në zbatim të akteve ligjore e nënligjore në fushën e ndërtimit dhe ky i fundit është i detyruar t’i respektojë ato, por duke pasur të drejtën t’i bëjë me shkrim zhvilluesit vërejtjet e tij për instruksionet dhe urdhrat e mbikëqyrësit të punimeve.

3. Mbikëqyrësi i punimeve i kërkon zbatuesit të punimeve të zëvendësojë përfaqësuesit e tij dhe punonjësit e tjerë të kantierit, kur e gjykon dhe e vërteton se ata janë shkak për mosecurinë e punimeve në afat dhe me cilësi, sipas kushteve të kontratës. Për të realizuar këtë, ai i drejtohet me shkrim personit juridik të shoqërisë së zbatimit të punimeve, duke i shpjeguar arsyet. Arsyet kryesore të propozimit për largim mund të jenë moszbatimi i standardeve dhe i rregullave teknike, mosbindja, paaftësia, arbitrariteti në zgjidhjen e problemeve teknike ose pakujdesi të rënda.

Neni 11

1. Mbikëqyrësi i punimeve merr propozimet nga zbatuesi i punimeve për rritje të vlerës së kontratës apo zgjatje të afatit të punimeve dhe ia përcjell ato zhvilluesit për miratim.

2. Në rastin e punimeve shtesë, mbikëqyrësi kërkon nga zbatuesi i punimeve prova dhe inspektime shtesë për të verifikuar konformitetin e punimeve me projektin e specifikimet teknike, sipas kushteve të kontratës. Këto punime shtesë janë objekt i një raportimi të veçantë pranë autoritetit që lëshon lejen e ndërtimit në sistemin on-line të lejeve të ndërtimit.

3. Mbikëqyrësi i punimeve njofton zhvilluesin për defektet e konstatuara gjatë zbatimit të punimeve, si dhe për kohën e korrigjimit të tyre.

Neni 12

Mbikëqyrësi i punimeve kontrollon dhe pranon paraprakisht situacionet pjesore në lloje, zëra, sasi, çmim e vlerë, sipas kontratës dhe ndryshimeve të miratuara nga zhvilluesi.

Neni 13

Mbikëqyrësi i punimeve, pasi njoftohet dhe merr propozimet nga drejtori i punimeve për pasaktësitë, mospërputhjet, mungesat e të dhënave në vizatimet, përshkrimet e specifikimet teknike, jep udhëzimet e tij për zgjidhjen e situatës me miratim të projektuesit.

Neni 14

Mbikëqyrësi i punimeve ka të drejtë të kërkojë kryerjen e provave dhe të çdo prove tjetër inxhinierike të nevojshme të materialeve të vendosura në objekt, për të verifikuar cilësinë, kur këto nuk janë kryer në masën, sipas vëllimeve të realizuara. Shpenzimet për këto prova janë në ngarkim të zbatuesit të punimeve.

Neni 15

Mbikëqyrësi i punimeve kryen matjet në kantier në bashkëpunim me zbatuesin e punimeve dhe për çdo shmangie të konstatuar mbi atë të lejuarën, të përcaktuar në aktet ligjore për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, pezullon punimet dhe njofton menjëherë zhvilluesin, autoritetin e lëshimit të lejes së ndërtimit dhe Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit/Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në sistemin e-leje.

Neni 16

1. Mbikëqyrësi i punimeve, kur gjykon se ka defekte në zbatimin e punimeve, kërkon verifikimet përkatëse. Nëse nga verifikimet rezulton që punimet janë kryer në shkelje të kushteve teknike të zbatimit, të standardeve e specifikimeve teknike, të përcaktuara në projektin e miratuar, ai me miratimin e zhvilluesit urdhëron pezullim të punimeve, për aq kohë sa është i nevojshëm korrigjimi i defekteve, si dhe prishjen e ribërjen e tyre me shpenzimet e zbatuesit të punimeve, brenda periudhës së korrigjimit të defekteve.

2. Në rast se konstatohet që punimet e prishura nuk përbënin shkelje të kushteve teknike të zbatimit, standardeve e specifikimeve teknike, të përcaktuara në projektin e miratuar, zbatuesi i punimeve ka të drejtë të kërkojë shlyerjen e shpenzimeve për ribërjen e tyre, e cila mbahet nga sigurimi i profesionit që ka bërë mbikëqyrësi.

Neni 17

1. Mbikëqyrësi pezullon përkohësisht punimet për zbatimin teknik të gabuar ose paaftësi teknike zbatimi, në çdo rast me miratimin e zhvilluesit, për aq kohë sa është i nevojshëm korrigjimi i punimeve me defekt.

2. Kur vërehen shkelje të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e ndërtimit, zhvilluesi dhe Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit/Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, urdhërojnë mbikëqyrësin e punimeve për ndërprerjen e procesit të punës në kantier, deri në përcaktimin e llojit të shkeljes nga IMT-ja dhe deri në përcaktimin dhe marrjen e masave përkatëse për normalizimin e gjendjes.

Neni 18

1. Mbikëqyrësi i punimeve kontrollon zbatimin e grafikut të punimeve dhe i raporton çdo 45 (dyzet e pesë) ditë zhvilluesit për realizimin e tij, Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit/Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, si dhe autoritetit që lëshon lejen e ndërtimit.

2. Nëse ai konstaton vonesa në zbatimin e punimeve, njofton zhvilluesin për vonesat në kryerjen e punimeve të shoqëruar me arsyen e këtyre vonesave, edhe në intervalin midis dy raportimeve periodike.

Neni 19

1. Mbikëqyrësi i punimeve njoftohet nga zbatuesi i punimeve kur punimet që do të mbulohen, do të maskohen ose do të betonohen janë gati për t’u kontrolluar prej tij. Me marrjen e njoftimit nga zbatuesi i punimeve, mbikëqyrësi i punimeve kontrollon dhe miraton çdo punim përpara se të mbulohet, maskohet ose betonohet.

2. Në rast se mbikëqyrësi nuk njoftohet në kohë dhe punimet për maskimin ose betonimin janë kryer, mbikëqyrësi mban një procesverbal në prezencë të drejtuesit të punimeve, dhe njofton zhvilluesin dhe IKMT-në. Punimet fillojnë pas përcaktimit nga IKMT-ja për ecurinë e procesit të ndërtimit.

Neni 20

Mbikëqyrësi i punimeve bashkëpunon me zbatuesin e punimeve për çmimet e punimeve të reja, që nuk përfshihen në kontratë dhe në kërkesëpropozimin për ndryshimin e saj.

Neni 21

Mbikëqyrësi i punimeve ndërpret punimet për arsye të ndikimit të kushteve klimatike në procesin e ndërtimit, kundrejt një zgjatjeje korresponduese të afatit, sipas kushteve dhe detyrimeve të palëve për ndërprerje të punimeve, të përcaktuara në kontratë.

Neni 22

Mbikëqyrësi i punimeve kontrollon faturat e blerjes së materialeve dhe të çdo shpenzimi tjetër, që është i lidhur me ndërtimin e objektit, situacionet e paraqitura nga zbatuesi i punimeve në fazat e ndryshme të punimeve, si dhe kontabilitetin.

Neni 23

1. Mbikëqyrësi i punimeve kontrollon dhe autorizon përdorimin e fondit rezervë, të preventivuar dhe i raporton periodikisht, çdo muaj, zhvilluesit për gjendjen e tij.

2. Zhvilluesi, nëse ka vërejtje në përdorimin e fondit rezervë, njofton zbatuesin e punimeve dhe merr masat e nevojshme për përdorimin e këtij fondi, për të cilin duhet të dakordësohen të dyja palët. Për çdo ndryshim të mundshëm, mbikëqyrësi i punimeve vihet në dijeni nga zhvilluesi për të ndjekur zbatimin e ndryshimeve të dakordësuara.

Neni 24

1. Mbikëqyrësi i dorëzon zbatuesit të punimeve aktin e përfundimit të punimeve dhe rezervat që do të parashtrohen për punimet gjatë kolaudimit.

2. Mbikëqyrësi, me kërkesë të zbatuesit të punimeve, vërteton me procesverbal datën e përfundimit të punimeve, sipas projektit, ndryshimeve të mundshme dhe kushteve të kontratës. Ai njofton zhvilluesin për përfundimin e punimeve në objekt.

Neni 25

Mbikëqyrësi i punimeve, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga përfundimi i punimeve, merr nga zbatuesi i punimeve deklaratën teknike për punimet e kryera, e cila nënshkruhet nga drejtuesit teknikë e ligjorë të zbatuesit të punimeve, si dhe përgjegjësi teknik i punimeve në kantier, bazuar në dokumentacionin teknik të grumbulluar dhe të përpunuar në ndjekjen dhe kontrollin e punimeve.

Neni 26

Mbikëqyrësi i punimeve në bashkëpunim me drejtuesin e punimeve në përfundim të punimeve përgatit dokumentacionin e nevojshëm për kolaudim dhe së bashku me relacionin përfundimtar ia vendos në dispozicion zhvilluesit.

Neni 27

1. Në përgatitjen për kolaudim mbikëqyrësi i punimeve kryen mbikëqyrjen përfundimtare, që konsiston në:

a) përputhshmërinë e dokumenteve me të dhënat nga matjet në dimension, formë, sasi dhe cilësi. Kontrollin në objekt për të verifikuar, nëse ka defekte, të cilat janë brenda afatit të garancisë. Nëse konstaton defekte, kërkon nga zbatuesi i punimeve korrigjimin e tyre, duke përcaktuar një afat kohor, në përputhje me llojin e defektit, para skadimit të afatit të garancisë kontraktuale ose të paktën në dy vitet e para pas pranimit të përfundimeve të punimeve;
b) mbledhjen e vizatimeve dhe llogaritjeve që tregojnë rezultatin përfundimtar të projektit të zbatuar;
c) përgatitjen e raporteve për gjendjen e objektit në bazë të gjetjeve nga kontrolli për aftësinë funksionuese të pjesëve të objektit dhe të objektit në tërësi;
ç) hartimin e listës për pajisjet dhe inventarin;
d) përgatitjen e udhëzimeve për mirëmbajtjen dhe kujdesin e objektit, për kohën deri në marrjen e certifikatës së përdorimit;
dh) mbikëqyrjen e punimeve të mirëmbajtjes për kohën deri në marrjen e certifikatës së përdorimit, por jo më shumë se 2 (dy) vjet;
e) verifikimin e analizës së ndërtimit të objektit dhe funksionimit të tij, shpenzimeve dhe defekteve;
ë) llogaritjen e shpenzimeve për ritarifimin e pagesës së projektimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit;
f) konfirmimin se objekti është në përputhje me lejen e ndërtimit dhe ndryshimet e miratuara.

Neni 28

1. Pas përfundimit të kolaudimit, mbikëqyrësi i punimeve, mbështetur në kontratën dhe në dokumentacionin, përcakton vlerën përfundimtare të objektit, e cila i njoftohet zbatuesit të punimeve dhe ia dorëzon për likuidim zhvilluesit.

2. Për përcaktimin e vlerës përfundimtare të punimeve të kryera në objekt, mbikëqyrësi i punimeve kontrollon dhe përllogarit koston përfundimtare, duke përputhur vlerën e preventivuar dhe të kontraktuar me atë të paraqitur në situacionin përfundimtar, si dhe bën sqarimet përkatëse në rastet e mospërputhjes.

KREU III
KUSHTET DHE ELEMENTET E PËRGJITHSHME TË SIGURIMIT TË PËRGJEGJËSISË PROFESIONALE

Neni 29

Mbikëqyrësi i punimeve si person fizik apo juridik, i licencuar, është i detyruar të lidhë një kontratë të sigurimit të përgjegjësisë profesionale. Kontrata e sigurimit të përgjegjësisë profesionale mbulon çdo dëm që mund të shkaktohet si pasojë e veprimtarisë së tij gjatë procesit të ndërtimit të objektit.

Neni 30

Shuma e sigurimit llogaritet në përqindje ndaj tarifës së shërbimit të mbikëqyrjes për kostot e llogaritshme, pa vlerën e tatimit mbi vlerën e shtuar, të përcaktuar në preventivin përfundimtar, i depozituar për të marrë lejen e ndërtimit. Kjo vlerë do të jetë jo më shumë se 20% e vlerës, sipas kontratës së nënshkruar midis zhvilluesit dhe mbikëqyrësit.

Neni 31

Limiti i përgjegjësisë/shuma e sigurimit të kontratës së sigurimit përcaktohet në policën e sigurimit dhe nuk mund të jetë më i ulët se shuma e sigurimit, sipas përcaktimit në nenin 30, të këtij vendimi.

Neni 32

Shoqëria e sigurimit dëmshpërblen në vlerë monetare të siguruarin/përfituesin për dëmet që ai ka pësuar si pasojë e ndodhjes së ngjarjes së sigurimit. Dëmshpërblimi nuk kalon në asnjë rast limitin e përgjegjësisë së caktuar në policën e sigurimit, në bazë të pjesës takuese të njësisë individuale dhe asaj të caktuar për palën e tretë.

Neni 33

Maksimumi i shumës agregate të dëmshpërblimit që mund të përfitohet për të gjitha ngjarjet e sigurimit, të ndodhura gjatë periudhës së vlefshmërisë së kontratës së sigurimit, përbën limitin agregat të dëmshpërblimit dhe nuk kalon në asnjë rast limitin e përgjegjësisë së caktuar në policën e sigurimit.

Neni 34

Polica e sigurimit duhet të jetë e përcaktuar për objektin e punimeve, për të cilin mbikëqyrësi siguron profesionin e tij, sipas përcaktimeve në lejen e zhvillimit ose ndërtimit.

Neni 35

1. Kontrata e sigurimit, që lidhet pranë shoqërive të sigurimit nga mbikëqyrësi i punimeve, është e vlefshme për të gjithë periudhën e vlefshmërisë së kontratës së lidhur ndërmjet zhvilluesit dhe mbikëqyrësit.

2. Shoqëria e sigurimit lidh kontratën e sigurimit, me kusht që të përmbushen kërkesat e mëposhtme:

a) Personi fizik apo juridik të jetë i pajisur me licencë për mbikëqyrjen e punimeve që do të realizohen në objekt nga institucioni që ka në fushën e veprimtarisë licencimin për mbikëqyrjen e punimeve në ndërtim;
b) Personi fizik apo juridik i pajisur me licencë për mbikëqyrjen e punimeve të jetë i regjistruar në QKB dhe i pajisur me NIPT;
c) Personi fizik apo juridik mbikëqyrës i punimeve të ketë kontratën me zhvilluesin, të firmosur nga mbikëqyrësi, në rastin e personit juridik nga përfaqësuesi juridik i tij, si dhe përfaqësuesi i zhvilluesit.

Neni 36

1. Shoqëria e sigurimit detyrohet të dëmshpërblejë të siguruarin/përfituesin për dëmtime të ndodhura në objekt, si pasojë e veprimtarisë së mbikëqyrësit gjatë procesit të ndërtimit të objektit, të cilat çojnë në:

a) shembje tërësore ose pjesore të objektit;
b) rrezik të dukshëm të shembjes së objektit;
c) defekte serioze/të rënda gjatë procesit të ndërtimit.

2. Përjashtohen nga e drejta për dëmshpërblim kontraktuesi dhe familjarët e tij, sipas certifikatës familjare, bashkëjetuesi/esja dhe çdo person që bashkëjeton me të.

3. Në rastin kur kontraktuesi është person juridik, përjashtohen nga e drejta për dëmshpërblim ortakët/aksionarët dhe përfaqësuesi ligjor/administrator i tij.

Neni 37

Kushte dhe elemente të posaçme shtesë të sigurimit përcaktohen në kontratën e sigurimit.

KREU IV
RREGULLAT, PROCEDURAT DHE MËNYRA E MBAJTJES SË DOKUMENTACIONIT GJATË ZHVILLIMIT TË PUNIMEVE

Neni 38

1. Korrespondenca e mbikëqyrësit të punimeve me zhvilluesin dhe zbatuesin e punimeve është pjesë e dokumentacionit të objektit.

2. Në dosjen e mbikëqyrjes së punimeve pasqyrohen të gjitha aktet e mbajtura gjatë zbatimit të objektit, si akti i dorëzimit të sheshit të ndërtimit, urdhrat e ndryshëm të dhënë nga mbikëqyrësi i punimeve, kundërshtitë dhe kontradiktat e lindura gjatë punës si dhe zgjidhjet e tyre, ndërprerjet e punimeve dhe shkaqet që kanë diktuar këto ndërprerje, relacionet teknike të kërkuara ose të paraqitura gjatë zbatimit, si dhe të gjitha rrethanat e nevojshme për të dhënë kuadrin e plotë të të gjitha fazave të zbatimit të punimeve.

Neni 39

1. Mbikëqyrësi i punimeve nëpërmjet drejtuesit të punimeve njihet me librin e kantierit, dokumentacionin e kontabilitetit teknik e të furnizimit të objektit me materiale e produkte ndërtimi, me fotografitë, kasetat filmike dhe çdo dokument tjetër, që provon saktësinë dhe cilësinë e produkteve dhe të punimeve.

2. Mbikëqyrësi i punimeve njoftohet për inspektim të punimeve që do të bëhen të maskuara nga zbatuesi i punimeve për marrjen e kampioneve për kryerjen e provave, të analizave të përcaktuara në rregullat teknike ose të kërkuara shtesë nga vetë ai.

Neni 40

1. Mbikëqyrësi i punimeve para fillimit të punimeve bën verifikimin paraprak, që konsiston në:

a) verifikimin e të gjithë dokumentacionit përkatës, të licencave, autorizimeve dhe lejeve;
b) verifikimin e sheshit të ndërtimit, nëse është i lirë dhe i gatshëm për të filluar punimet;
c) njohjen me hollësi të kontratës së sipërmarrjes dhe të të gjitha akteve administrative që lidhen me të, si dhe njohjen e të gjitha ndryshimeve të mundshme të kësaj kontrate;
ç) marrjen në dorëzim të punës dhe të furnizimeve të materialeve nga zbatuesi i punimeve, duke mbajtur një procesverbal për rezultatin e marrjes në dorëzim;
d) verifikimin, vendosjen e tabelës së identifikimit në kantier me të dhënat e mëposhtme:

i. Emërtimi i objektit;
ii. Data e marrjes së lejes së ndërtimit;
iii. Zhvilluesi;
iv. Projektuesi;
v. Zbatuesi i punimeve dhe drejtuesi teknik;
vi. Mbikëqyrësi;
vii. Afati i ndërtimit;
viii. Sipërfaqja e ndërtimit;
ix. Lartësia (numri i kateve mbi dhe nën tokë).

Neni 41

1. Mbikëqyrësi i punimeve dhe zhvilluesi, për çdo objekt që ndërtohet, administrojnë në kantier dokumentacionin teknik dhe mbajnë përgegjësi për saktësinë dhe vërtetësinë e tij, si:

a) lejen e zhvillimit, lejen e ndërtimit, së bashku me vendimet përkatëse të lëshuara nga organi kompetent, si dhe me planvendosjen;
b) aktin e dorëzimit të sheshit të ndërtimit, sipas shtojcës i bashkëlidhet këtij vendimi;
c) projektin e zbatimit, të miratuar nga organi, i cili ka këtë të drejtë, sipas juridiksionit dhe oponencën teknike;
ç) preventivin e plotë të projektit të zbatimit, duke përfshirë të gjitha volumet e punimeve, të hartuara nga projektuesit;
d) studimin gjeologo-inxhinierik dhe dokumentacionin topografik të objektit;
dh) studimin sizmik;
e) planorganizimin e punimeve të ndërtimit, i cili përmban planin e ngritjes dhe organizimit të kantierit, grafikun e përgjithshëm të punimeve dhe planin e veprimit për ndërtimin e objektit sipas projektit, në perputhje me afatet dhe kushtet e kontratës;
ë) aktin e miratimit për vlerësimin e ndikimit në mjedis, miratuar nga organi kompetent;
f) ndryshimet në projekt (nëse ka) dhe miratimin e tyre, si dhe dokumentacionin ku pasqyrohen të gjitha problemet e verifikuara, të miratuara dhe të firmosura nga ai;
g) certifikatën profesionale (licencat) të pjesëmarrësve në procesin e ndërtimit;
gj) njoftimin për fillimin e punimeve, sipas shtojcës VI, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
h) procesverbalin mbi fillimin e punimeve në objekt, sipas shtojcës X, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
i) aktin e piketimit të objektit, sipas shtojcës IX, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
j) aktkontrollin e kuotës + 0.00, sipas shtojcës II, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
k) aktet e miratimit në fushën e trashëgimisë kulturore, arkeologjike apo zonat e mbrojtura mjedisore, sipas legjislacionit sektorial në fuqi;
l) librezën e masave, ku pasqyrohen vëllimet metrike gradualisht me zhvillimin e punimeve, sipas shtojcës IV, që i bashkëlidhet këtij vendimi, e cila është dokumentacioni bazë për verifikimin e saktësisë së vëllimeve të punimeve të ndërtimit të vendosura në situacion. Kjo librezë hartohet nga drejtuesi teknik i objektit dhe firmoset nga ai, nga mbikëqyrësi i punimeve dhe nga përfaqësuesi ligjor i zhvilluesit, për të cilin është miratuar leja e ndërtimit;
ll) situacionet mujore pjesore dhe progressive, të hartuara mbi bazën e volumeve të llogaritura në librezën e masave dhe çmimeve faktike, mbështetur në analizat teknike të çmimeve, që përfshihen në manualin tenik të çmimeve të ndërtimit. Ato firmosen nga drejtuesi teknik i objektit, mbikëqyrësi i punimeve dhe përfaqësuesi ligjor i zhvilluesit, sipas shtojcës XII, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
m) librin e kantierit;
n) ditarin e objektit, sipas shtojcës V, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
nj) pasqyrën e realizimit të punimeve, sipas shtojcës XI, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
o) procesverbalet e punimeve të maskuara, sipas shtojcave VII dhe VIII, që i bashkëlidhen këtij vendimi;
p) provat dhe certifikatat e cilësisë së materialeve të përdorura në objekt;
q) aktin e kontrollit të përfundimit të karabinasë së objektit;
r) deklaratën teknike të zbatuesit të punimeve, sipas shtojcës III, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
rr) aktin e kolaudimit të fazës së karabinasë;
s) dokumentacionin për masat e sigurimit teknik dhe paisjen me mjete mbrojtëse përkatëse;
sh) aktet e inspektimit të kryera gjatë zbatimit të punimeve, sipas shtojcës II, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
t) dokumentin e vlerësimit të rrezikut, që hartohet për një kantier të veçantë, sipas vendimit nr.312, datë 5.5.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për sigurinë në kantier””, i quajtur Plani i sigurisë dhe koordinimit (PSK);
th) siguracionin e punonjësve, të cilët punojnë në objekt;
u) siguracionin për dëmtim kundrejt palëve të treta në infrastrukturën publike;
v) policën e sigurimit të përgjegjësive profesionale;
x) dokumentacionin fotografik apo videoregjistrimin për çastet më të rëndësishme të zbatimit të punimeve, veçanërisht për ato që bëhen të padukshme, punimet e maskuara;
xh) projektin e zbatuar;
y) projektin për mirëmbajtjen e objektit, i cili të përmbajë edhe afatet e kontrollit periodik në intervale kohore të përcaktuara të gjendjes së të gjitha sistemeve përbërëse, sipas disiplinave përkatëse të zbatimit të punimeve;
z) certifikimi i montimit të ashensorëve dhe inspektimi final;
zh) raportimet 45 ditore të bëra pranë Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit/Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe autoritetit të lëshimit të lejes së ndërtimit.

Neni 42

1. Mbikëqyrësi i punimeve për proceset e ndërtimit të objekteve të banimit, social-kulturore dhe ekonomike mban aktet e kontrollit, sipas këtyre fazave:

a) Ngritja e kantierit të punimeve, përfshirë murin rrethues;
b) Piketimi i strukturës;
c) Përfundimi i themeleve dhe kuota + 0.00;
ç) Përfundimi i karabinasë për të gjithë objektin;
d) Përfundimi i fasadave dhe rifiniturave të strukturës së re, përfshirë instalimet elektrike, të ngrohjes, ftohjes, hidraulike, të komunikimit elektronik;
dh) Përfundimi i sistemimit të jashtëm në planin e vendosjes së strukturës së re, përfshirë vendosjen e kutisë postare dhe lidhjen me infrastrukturat publike ekzistuese.

2. Aktet e kontrollit janë pjesë e dokumentacionit që mbahet në objekt dhe një kopje depozitohet pranë njësisë vendore, të shoqëruara me një deklaratë përgjegjësie, të plotësuar nga subjekti/personi fizik, juridik që i ka hartuar, sipas fazave të grafikut të punimeve dhe afatit të lejes.
Neni 43

1. Mbikëqyrësi i punimeve, pas verifikimeve të përcaktuara në nenin 8, të këtij vendimi, harton këto dokumentacione:

a) Aktin e dorëzimit të sheshit të ndërtimit që ia dorën zbatuesit të punimeve;
b) Aktin e dorëzimit nga zbatuesi i punimeve të dokumentacionit, teknik dhe administrativ, si licenca, autorizime e leje të marra për ndërtimin e objektit;
c) Shkresën, me atë të së cilës njofton autoritetin vendor dhe Inspektoratin Kombëtar të Mbikëqyrjes së Territorit/Inspektoratin Vendor të Mbikëqyrjes së Territorit për fillimin e punimeve.

Neni 44

1. Mbikëqyrësi i punimeve brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga njoftimi me shkrim nga zbatuesi i punimeve për përfundimin e punimeve, nëse nuk i vihet në dispozicion, i kërkon zbatuesit të punimeve dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Kontratën dhe aktet që lidhen me të;
b) Regjistrimin e kontabilitetit;
c) Procesverbalet e fillimit, të ndërprerjes ose të zgjatjes dhe të përfundimit të punimeve;
ç) Certifikatat e cilësisë së provave të materialeve të përdorura gjatë procesit të ndërtimit, të lëshuara nga laboratorët e akredituar për këtë qëllim;
d) Për materiale të importuara, certifikatën e cilësisë nga një laborator i akredituar nga vendet e Bashkimit Evropian;
dh) Deklaratën që vërteton se objekti është zbatuar në përputhje me projektin e zbatimit pa shmangie në drejtimet funksionale dhe statike, si dhe në përputhje me kushtet teknike në fuqi, sipas shtojcës III, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
e) Deklaratën që vërteton se objekti është në përputhje me lejen e ndërtimit dhe ndryshimet e miratuara, nëse ka pasur.

KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 45

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen njësitë e qeverisjes qendrore dhe vendore, Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, autoritetet e zhvillimit të territorit, çdo autoritet publik që mbikëqyr veprimtarinë e ndërtimit.

Neni 46

Në udhëzimin nr.3 datë 15.2.2001, të Këshillit të Ministrave, “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve në ndërtim”, të ndryshuar, shfuqizohet kreu I “Mbikëqyrja e punimeve të ndërtimit”.

Neni 47

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MBYLLJEN E VEPRIMTARISË SË INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT PARAUNIVERSITAR “MEHMET AKIF ERSOY”, I CILI E ZHVILLON MËSIMIN EDHE NË GJUHË TË HUAJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 42 e 70, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, i licencuar me vendimin nr.560, datë 26.8.1996, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënie lejeje për funksionimin e institucioneve arsimore private”, për nivelin e arsimit të mesëm të lartë, i cili e zhvillon mësimin edhe në gjuhë të huaj.

2. Institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy” ka këto detyrime:

a) Të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar;
b) Të mbulojë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, në zbatim të këtij vendimi;
c) Të kthejë pagesat e kryera (nëse ka) nga prindi/përfaqësuesi ligjor i nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj nxënësit;
ç) Të vërë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim;
d) Të dorëzojë në Arkivin Shtetëror Vendor të gjithë dokumentacionin që disponon, si dhe të paraqesë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, një kopje të dokumentacionit dhe të procesverbalit të dorëzimit të tij, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

3. Institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, nën juridiksionin e të cilit ndodhet shkolla, ka për detyrë:

a) të ngrejë grup pune brenda 3 (tri) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe të marrë masat për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”;
b) të marrë masat për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar në këtë institucion arsimor;
c) të administrojë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer nga ky institucion arsimor privat parauniversitar.

4. Në shkronjën “b”, të pikës 1, të vendimit nr.560, datë 26.8.1996, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënie lejeje për funksionimin e institucioneve arsimore private”, fjalët “… kolegji “Mehmet Akif Ersoy”, i nivelit të arsimit të mesëm në qytetin e Tiranës… ”, shfuqizohet.

5. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale Arsimore Parauniversitare, Durrës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë, institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy” dhe fondacioni “Gulistan” për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.43, DATË 19.1.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2022”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shtojca nr.2, bashkëlidhur vendimit nr.43, datë 19.1.2022, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohet me shtojcën nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për spitalet, për vitin 2022.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME E SHTESA NË VENDIMIN NR.285, DATË 10.4.2020, TË KËSHILLIT TE MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, SI DHE PROCEDURAT E NIVELIN E TARIFAVE TË SHËRBIMEVE QË DO TË OFROHEN NGA AGJENCIA E TRAJTIMIT TË KONCESIONEVE (ATRAKO)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 12, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në kreun III, “Organizimi dhe funksionimi i ATRAKO-s”, të vendimit nr.285, datë 10.4.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:

a) Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“8. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të ATRAKO-s rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.”.

b) Pas pikës 8 shtohen pikat 8/1, 8/2, dhe 8/3, me këtë përmbajtje:

“8/1. Kryetari i ATRAKO-s emërohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ekonominë. Kryetari i ATRAKO-s duhet të plotësojë kriteret, si më poshtë vijon:

a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të ketë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 (njëqind e njëzet) kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike” ose të barasvlershme me to, sipas legjislacionit për arsimin e lartë për shkencat ekonomike/juridike;
ç) Të ketë përvojë në profesion, të paktën 3 (tri) vite;
d) Të shquhet për figurë të pastër etiko-morale;
dh) Të mos jetë i angazhuar në funksione drejtuese partiake;
e) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
ë) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
f) Të mos ketë konflikt interesi me detyrën, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.

8/2. Kryetari i ATRAKO-s lirohet nga detyra, kur:

a) plotëson moshën për pensionin e plotë të pleqërisë;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor;
c) gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit;
ç) jep dorëheqjen nga detyra.

8/3. Kryetari i ATRAKO-s shkarkohet nga detyra, kur:

a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo të një kundërvajtjeje penale me dashje;
b) konstatohen shkelje të dispozitave të legjislacionit në fuqi, përfshirë legjislacionin specifik mbi të cilën ushtron veprimtarinë e ATRAKO-s;
c) kryen veprimtari që krijon konflikt interesash;
ç) konstatohet në kushtet e ndalimit për kryerjen e funksioneve publike, sipas legjislacionit për integritetin e personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike;
d) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës;
dh) vërtetohet se ka përgjegjësi për mosrealizimin e objektivave të vendosur për ATRAKO-n.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.404, DATË 20.6.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË KRITEREVE E TË PROCEDURAVE TË PËRFITIMIT TË KOMPENSIMIT FINANCIAR, NGA PERSONAT ME STATUSIN E TË VERBRIT DHE INVALIDIT, PARAPLEGJIK DHE TETRAPLEGJIK, PËR FATURËN E ENERGJISË ELEKTRIKE DHE FATURËN E TELEFONISË FIKSE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 12, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.404, datë 20.6.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Në pikat 1 dhe 2, fjalët “… 2 000 (dy mijë) lekë në muaj…” zëvendësohen me “…… 3 000 (tre mijë) lekë në muaj…”.

2. Në pikën 3 të vendimit fjalët “… 1 400 (një mijë e katërqind) lekë në muaj …” zëvendësohen me “… 2 400 (dy mijë e katërqind) lekë në muaj …”.

3. Kudo në vendim, emërtimet “Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta” dhe “Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta” zëvendësohen, përkatësisht, me “Ministri përgjegjës për çështjet sociale” dhe “Ministria përgjegjëse për çështjet sociale”.

4. Ngarkohen Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi më 1 tetor 2022 dhe botohet në “Fletoren zyrtare”

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.480, DATË 13.7.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E DHËNIES SË GRANTEVE PËR STARTUP-ET DHE LEHTËSUESIT E STARTUP-EVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 14, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shtojca 1, referuar në pikën 1, të vendimit nr.480, datë 13.7.2022, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.597, DATË 4.9.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS MUJORE TË PËRFITIMIT TË NDIHMËS EKONOMIKE DHE PËRDORIMIT TË FONDIT SHTESË MBI FONDIN E KUSHTËZUAR PËR NDIHMËN EKONOMIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, pikat 1 e 8, e 21, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në kreun III, të vendimit nr.597, datë 4.9.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në pikat 7, 8 dhe 9, fjalët “… 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj …” zëvendësohen me “… 9 900 (nëntë mijë e nëntëqind) lekë në muaj …”.

b) Pas pikës 16 shtohen pikat 16/1, 16/2 dhe 16/3, me këtë përmbajtje:

“16/1. Gratë kryefamiljare, përfituese në programin e ndihmës ekonomike, që kanë në përbërje të familjes deri në dy fëmijë të moshës nga 0 në 18 vjeç, përfitojnë dyfishin e masës së pagesës ekzistuese të ndihmës ekonomike, sipas strukturës së familjes.

16/2. Përfituesit e programit të ndihmës ekonomike, që kanë mbushur moshën 65 vjeç, të vetmuar, dhe nuk trajtohen me pension pleqërie apo pension social, përfitojnë dyfishin e masës së pagesës ekzistuese të ndihmës ekonomike.

16/3. Anëtarët e familjeve përfituese të programit të ndihmës ekonomike, që kanë mbushur moshën 65 vjeç dhe nuk trajtohen me pension pleqërie apo pension social, përfitojnë dyfishin e masës së pagesës ekzistuese të ndihmës ekonomike, sipas strukturës së familjes.”.

c) Pikat 17 dhe 18 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“17. Masa e ndihmës ekonomike për familjet, që nuk përfitojnë sipas pikave 16/1, 16/2 dhe 16/3, të këtij kreu, rritet me dhjetë për qind më shumë të masës së pagesës ekzistuese, sipas strukturës së familjes.

18. Masa e ndihmës ekonomike sipas pikave 16, 16/1, 16/2, 16/3 dhe 17, të këtij kreu, përllogaritet nga Shërbimi Social Shtetëror, bazuar në masën e pagesës ekzistuese, sipas strukturës së familjes, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi.”.

2. Ngarkohen Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi më 1 tetor 2022 dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.656, DATË 31.10.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLAVE, BORDEVE OSE KOMISIONEVE TË PËRHERSHME TË NJËSIVE TË QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 3, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 3, të vendimit nr.656, datë 31.10.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:

a) Shfuqizohen emërtesat e mëposhtme:

i. Këshilli i Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore;
ii. Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi;
iii. Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm në Fushën e Shërbimit.

b) Shtohet tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Kulturës dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.360, DATË 26.4.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARKIVAVE””, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 15, pika 2, e 94, të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”, dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në kreun I, të rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, bashkëlidhur vendimit nr.360, datë 26.4.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në nenin 4, shkronjat “l”, “ll” dhe “m” shfuqizohen.

b) Pas nenit 4 shtohet neni 4/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 4/1
Blerja e përqendruar

1. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kryen blerjen e përqendruar për të gjitha autoritetet dhe entet kontraktore për furnizimin me kuti dhe dosje të standardit të përhershëm, përfshirë edhe etiketat e tyre. Procedura e prokurimit kryhet çdo vit për vitin pasardhës, duke marrë parasysh në këtë procedurë edhe shtrirjen gjeografike të vendruajtjes depozituese finale të dokumentacionit arkivor, për të cilin kryhet blerja e përqendruar.
2. Brenda datës 1 shkurt të çdo viti, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njofton përmes rrugës shkresore dhe/ose elektronike autoritetet dhe entet kontraktore për:

a) standardet kombëtare të miratuara për kutitë dhe dosjet e standardit të përhershëm;
b) çmimin për njësi të llogaritur përmes parashikimeve ligjore, e indeksuar me ndryshimet e mundshme të evidentuara gjatë studimit paraprak të tregut, të kryer prej saj.

3. Brenda datës 1 mars, autoritetet ose entet kontraktore i dërgojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave specifikimet teknike, kërkesat sasiore dhe fondin limit. Kërkesat e dërguara pas kësaj date nuk merren parasysh për prokurimin për vitin pasardhës.

4. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kryen procedurën e prokurimit nga procesi i njoftimit të kontratës deri në nënshkrimin e marrëveshjes kuadër, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik.

5. Për çdo kontratë të lidhur nga autoritetet dhe entet kontraktore, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kryen verifikimin paraprak të cilësisë për sa i përket jetëgjatësisë së kutive dhe dosjeve të standardit të përhershëm, sipas udhëzimeve administrative të saj. Autoritetet ose entet kontraktore marrin në dorëzim kutitë dhe dosjet bashkë me dokumentacionin shoqërues të verifikimit paraprak të cilësisë.”.

2. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.310, DATË 21.5.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR, “SKELË – UJI I FTOHTË”, BASHKIA VLORË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.310, datë 21.5.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

– Të dhënat e numrit rendor 52, në pronësi të bashkëpronarëve: Metushi, Merkaj dhe Rustemaj, në tabelën bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me të dhënat në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Vlera shtesë, prej 984 067.2 (nëntëqind e tetëdhjetë e katër mijë e gjashtëdhjetë e shtatë pikë dy) lekësh e kësaj pasurie, përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.

3. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Nju Jork, Ministrja Xhaçka takon Nasser Bourita: Maroku të njohë pavarësinë e Kosovës

Leave Your Comment