Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 23 Tetor 2025

V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR PËRPUNIMIN E TË DHËNAVE TË UDHËTIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës e të neneve 4, pika 6, 5, pika 13, 9,   pika 3, 10, pika 4, 15, pika 6, 16, pika 4, 17, pika 3, 18, pikat 3 e 4, 19, pika 3, 20, pika 5, dhe 21, pika 3, të ligjit nr.38/2025, “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për përpunimin e të dhënave të udhëtimit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.954, datë 2.12.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për përpunimin e të dhënave të pasagjerit”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Byroja Kombëtare e Hetimit, Shërbimi Informativ i Shtetit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe Policia Ushtarake për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR TRAJTIMIN, SHFRYTËZIMIN, SHITJEN, EKSPORTIN, IMPORTIN, ADMINISTRIMIN DHE TRANSPORTIN E MATERIALIT DRUSOR E TË PRODHIMEVE JODRUSORE PYJORE, SI DHE KATEGORIZIMIN E RRUGËVE AUTOPYJORE, PËRDORIMIN DHE STANDARDET TEKNIKE TË TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26, pikat 1 e 3, 27, pika 4,  dhe 32, pika 1, shkronjat “ç” e “dh”, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
1. Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave, që lidhen me:
a) trajtimin dhe shfrytëzimin e materialit drusor e të prodhimeve jodrusore pyjore, me synim përfitimin nga to dhe garantimin e mbarështimit të qëndrueshëm e të vijimësisë së prodhimit të Fondit Pyjor Kombëtar;
b) shitjen, eksportin (rastet e lejuara), importin, administrimin dhe transportin e materialit drusor e të prodhimeve jodrusore pyjore, bimëve mjekësore eterovajore e tanifere natyrore (BMET);
c) kategorizimin e rrugëve pyjore, përdorimin dhe standardet teknike, rregullat e ndërtimit, riparimit e të mirëmbajtjes së tyre;
ç) përcaktimin e kritereve për shënimin me bojë të paheqshme dhe vendosjen e etiketave në prodhimet drusore.
Neni 2
Përkufizimet
Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “BMET”, bimë mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore, sipas përcaktimit të nenit 4, të ligjit nr.10120, datë 23.4.2009, “Për mbrojtjen e fondit të bimëve mjekësore, eterovajore dhe tanifere natyrore”, të ndryshuar;
b) “Drurë industrialë”, drurët dhe shkurret, të cilat janë pjesë e Fondit Pyjor Kombëtar, në gjendje natyrore ose të kultivuara, me vlera të larta për përdorim në industrinë farmaceutike përpunuese;
c) “Çekiç-damkë”, mjeti në formë sëpate të vogël, me teh prerës në pjesën e përparme dhe i sheshtë në anën e pasme, me një shenjë të gdhendur të përbërë nga një shkronjë dhe një numër, që shërben për shënimin e drurëve që priten;
ç) “Leje shfrytëzimi”, dokumenti i lëshuar nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki;
d) “Mbritshmëri e pyjeve” nënkupton hyrjen apo afrimin në një ekonomi pyjore dhe shpërndarjen në brendësi të saj në formë rrjeti, në zona apo në  pika të veçanta të tij, me qëllim kryerjen e punimeve shfrytëzuese e silvoteknike;
dh) “Rregulla të trajtimit dhe të shfrytëzimit” kanë kuptimin e rregullave të ndërhyrjeve, që aplikohen mbi një grumbull pyjor, mbështetur në parimin e vijimësisë e të mbarështimit të qëndrueshëm, si dhe rregullat e procedurat teknike të silvikulturës;
e) “Rrugë autopyjore” ka kuptimin e një rripi toke, i cili përdoret për lëvizjen e mjeteve/automjeteve, njerëzve dhe kafshëve, ndërtuar mbi bazën e normave teknike për të lejuar qarkullimin e tyre në kushte të mira;
ë)   “Trase”, vija apo linja që përcakton vendosjen në terren apo në hartë të boshtit gjatësor gjeometrik të linjës transportuese;
f) “Transport i brendshëm”, lëvizja e materialit drusor nga ngastra në sheshin e depozitimit;
g) “Shesh depozitimi” ka kuptimin e një vendi të caktuar brenda ngastrës/nënngastrës, të përcaktuara për shfrytëzim, ku depozitohet e stivohet materiali drusor dhe nga ku transportohet jashtë ekonomisë pyjore.
II. RREGULLAT E TRAJTIMIT E TË SHFRYTËZIMIT TË LËNDËS DRUSORE, PRODHIMEVE JODRUSORE PYJORE E TË BMET-SË, SI DHE KRITERET TEKNIKE PËR SHËNIMIN DHE ETIKETIMIN E PRODHIMEVE DRUSORE
Neni 3
Trajtimi dhe shfrytëzimi i materialit drusor
1. Trajtimi dhe shfrytëzimi i materialit drusor, përveç sa është përcaktuar në nenet 27 e 32, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, të ndryshuar, bazohet edhe në rregullat e mëposhtme:
a) Shfrytëzimi planifikohet çdo vit në përputhje me urgjencën e prerjeve të lejuara, sipas ngastrave/nënngastrave pyjore dhe të dhënave të planeve të mbarështimit apo të inventarizimit, të hartuara nga strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki;
b) Shfrytëzimi në pyjet me funksion mbrojtës e të veçantë bëhet vetëm në rastet kur kryhen punimet e përkujdesjes dhe të prerjeve shëndetësore.
2. Shfrytëzimi i fondit pyjor në zonat e mbrojtura bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura dhe, në rastet kur ky legjislacion lejon shfrytëzimin, zbatohen rregullat e përcaktuara në këtë vendim. Shfrytëzimi i ngastrave/nënngastrave pyjore, përveç rasteve kur kryhet nga njësitë/ekipet e specializuara të bashkisë, fillon vetëm pasi është lidhur kontrata e shfrytëzimit të materialit drusor midis bashkisë dhe subjektit të licencuar, si dhe pas pajisjes së subjektit me lejen e shfrytëzimit, sipas afateve të përcaktuara në këtë kontratë. Ngastrat/nënngastrat e miratuara për shfrytëzim dorëzohen me procesverbal.
3. Në ngastrat/nënngastrat, ku kryhen prerje përfundimtare, shfrytëzimi bëhet vetëm pasi është garantuar ripërtëritja e grumbullit dhe në rast se filizëria është më e madhe se 50 (pesëdhjetë) cm, atëherë shfrytëzimi kryhet vetëm në periudhën me dëborë.
4. Prerja e drurëve pyjorë fillon pasi bëhet shënimi i tyre me damkë të veçantë. Damkimi apo shënimi i drurëve që hiqen kryhet në muajt maj-korrik nga specialistë të strukturës përgjegjëse për pyjet pranë bashkisë, me formimin përkatës profesional në degën e inxhinierisë së pyjeve dhe me mbi 3 (tre) vjet eksperiencë pune në fushën e pyjeve. Specialistët hartojnë listëdamkat dhe llogarisin vëllimet, të cilat i nënshkruajnë së bashku me grupin e punës.
5. Në pyjet trungishte prerja lejohet gjatë gjithë vitit, kurse në pyjet cungishte dhe shkurret, të cilat ripërtërihen me lastarë, lejohet nga data 1 tetor deri më 31 mars të vitit pasardhës.
6. Kërkesat teknike të caktimit të ngastrave/nënngastrave, grup-ngastrave dhe ekonomive pyjore për shfrytëzim, të damkosjes së drurëve, të prerjes kulturale e asortimit të tyre, pastrimit, dorëzimit, depozitimit, stivimit, transportit, marrjes në dorëzim të materialit drusor janë të detajuara në aneksin nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
7. Sigurimi i druve të zjarrit për ngrohje nga banorët e fshatrave në zonat malore dhe në brendësi të pyjeve, për nevojat e tyre, kryhet vetëm nëpërmjet mbledhjes/vlerësimit të materialit drusor nga drurët e rrëzuar apo të shkulur e të thyer nga furtunat e zjarret dhe punimet silvikulturore të pyllit, me rrallime e prerje rigjeneruese e shëndetësuese, sipas projekteve të hartuara nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki dhe vlerësimit paraprak në vëllim të materialit drusor. Projektet e hartuara miratohen nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve 1 (një) vit përpara se të fillojë vjelja.
8. Me mbarimin e afatit sipas pikës 5, të këtij neni, përfundon shfrytëzimi i materialit drusor dhe i prodhimeve jodrusore pyjore.
9. Prerja e drurëve industrialë lejohet vetëm në rastet kur ata janë të kalbur ose në tharje e sipër, janë të prekur nga sëmundje dhe dëmtues, të cilët paraqesin rrezik tharjeje për vetë drurin ose përbëjnë burim infeksioni për drurët e tjerë, si dhe në rastet kur drurët janë të dëmtuar rëndë e janë këputur shumë degë, kanë maja të thyera dhe kurora është çarë në dy ose në më shumë pjesë.
10. Në çdo rast, prerja e materialit drusor  fillon vetëm pasi të jetë hartuar dhe/ose të jetë miratuar projekti teknologjik i ndërhyrjes sipas parashikimeve të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, të ndryshuar, si dhe të akteve të tjera nënligjore, në zbatim të tij. Modeli i projektit është sipas aneksit nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 4
Trajtimi dhe shfrytëzimi i sipërfaqeve pyjore me filizëri të zhvilluar
Në sipërfaqet me filizëri të zhvilluar mbi lartësinë optimale lejohet vetëm ndërhyrja me krahë dhe transporti me kafshë pune. Treguesit optimalë janë:
a) për pyjet e ahut, kur kanë filizërinë me moshë 6-10 vjet, me lartësi të filizave 30-80 cm dhe me numër mbi 3 filiza/m2 ose mbi 30 000 filiza/ha të shpërndarë uniformisht në mbi 80% të sipërfaqes;
b) për pyjet e pishës së zezë, kur kanë filizërinë me moshë 4-6 vjet me lartësi të filizave 25-50 cm dhe me numër mbi 2-3 filiza/m2 ose ka mbi 20 000-30 000 filiza/ha të shpërndarë uniformisht në mbi 80% të sipërfaqes.
Neni 5
Markimi dhe etiketimi i prodhimeve drusore
1. Prodhimet drusore, që rezultojnë nga shfrytëzimi, shënohen me bojë të paheqshme, sipas këtyre asortimenteve:
a) Drutë e zjarrit, me bojë me ngjyrë të zezë;
b) Lëndë ndërtimi, me bojë me ngjyrë të verdhë;
c) Lëndë punimi dhe trupa sharre mbi 22 cm, me bojë me ngjyrë të kuqe.
2. Prodhimet drusore, që rezultojnë nga shfrytëzimi, në rastet e lëvizjes së tyre ndërmjet bashkive dhe eksportit të tyre, etiketohen nga struktura përgjegjëse për pyjet, sipas asortimenteve dru zjarri dhe lëndë e sharruar. Etiketa ka  formën e rombit me përmbajtje e madhësi, si më poshtë vijon:
a) Për drutë e zjarrit: Dru zjarri 6×6 cm;
b) Lënda e sharruar: Lëndë e sharruar 10×10 cm.
Neni 6
Dorëzimi i ngastrave/nënngastrave për trajtim dhe shfrytëzim të materialit drusor dhe kolaudimi i tyre
1. Dorëzimi i ngastrës/nënngastrës për trajtim dhe/ose shfrytëzim te subjekti i kontraktuar mbështetet në projektin teknologjik të ndërhyrjes. Për çdo rast, nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki mbahet procesverbali i dorëzimit të çdo pjese dhe më pas ai i kolaudimit provizor të saj. E njëjta procedurë vijohet edhe me pjesët e tjera deri në kolaudimin përfundimtar të ngastrës/nënngastrës.
2. Njësitë/ekipet e specializuara të bashkisë apo subjekti i licencuar, i kontraktuar për shfrytëzim, mbajnë përgjegjësi për mossigurimin e ripërtëritjes, dëmtimin e tokës pyjore, materialit të padamkosur, dëmtimin e filizërisë, rënien e zjarreve, dëmtimin e shenjave të mbarështimit dhe të infrastrukturës pyjore.
3. Deri në momentin e kolaudimit përfundimtar të ngastrës/nënngastrës, mbrojtja nga dëmtimet dhe zjarret e ngastrave bëhet nga  subjekti i licencuar, i kontraktuar për shfrytëzimin e ngastrës/nënngastrës.
4. Kolaudimet provizore dhe ai përfundimtar bëhen nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki, në prani të drejtuesit teknik të subjektit apo të ekipit të specializuar të bashkisë. Drejtuesi teknik përgjigjet për procesin e trajtimit dhe të shfrytëzimit të lëndës drusore e të produkteve jopyjore.
Neni 7
Trajtimi dhe shfrytëzimi i prodhimeve jodrusore pyjore dhe i BMET-së
1. Trajtimi dhe shfrytëzimi i prodhimeve jodrusore pyjore dhe i BMET-së bazohet në potencialet, kriteret teknike dhe statusin e llojit, të parashikuar në aneksin nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Kontingjenti i shfrytëzimit bazohet në studimin dhe projektin mbi mundësitë e grumbullimit të prodhimeve jodrusore pyjore dhe i BMET-së, të hartuar  nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki dhe të miratuar nga ministria përgjegjëse për pyjet e kullotat.
3. Grumbullimi i prodhimeve jodrusore pyjore, që përfshijnë lulet, frutat, farat, sythat, bisqet, degët, drurët dekorativë, shpatullat, kalemat, gjethet, halat, boçet, zhukat, kallamishtet, rrëshirën, plisat, barin, rrënjët, zhardhokët, kërpudhat, myshqet, humusin, lëgushat, torfat, dheun, gurët, zhavorrin, rërën, bimët mjekësore, eterovajore e tanifere dhe të nënprodhimeve të tjera, pyjore e jopyjore, u lejohet personave fizikë e juridikë, të pajisur me lejen përkatëse, të lëshuar nga struktura përgjegjëse për pyjet e kullotat pranë bashkisë.
4. Prodhimet pyjore dhe i BMET-së grumbullohen nga subjekti i ngarkuar me këtë detyrë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
5. Trajtimi dhe shfrytëzimi i prodhimeve jodrusore pyjore dhe i BMET-së në zonat e mbrojtura bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura dhe, në rastet kur ky legjislacion lejon shfrytëzimin, zbatohen rregullat e përcaktuara në këtë vendim.
III. SHITJA E MATERIALIT DRUSOR DHE PRODHIMEVE JODRUSORE PYJORE, TRANSPORTI, EKSPORTI (NË RASTET E LEJUARA) DHE IMPORTI I TIJ
Neni 8
Shitja e materialit drusor dhe prodhimeve jodrusore pyjore
1. Shitja e materialit drusor për dru zjarri, për nevoja të popullatës apo të enteve publike, bëhet nga bashkitë, si dhe nga individë apo nga subjekte që zotërojnë të drejtën e shfrytëzimit.
2. Shitja e materialit drusor në këmbë apo me asortimente bëhet me ankand të hapur. Në rastin kur shitja e materialit drusor bëhet në këmbë, atëherë çdo njësi mbarështimi, ngastër/nënngastër i nënshtrohet konkurrimit.
3. Në rast kur nga shfrytëzimi i pyjeve publike të territorit të një bashkie ka tepricë prodhimi të materialit drusor, pas plotësimit të nevojave të banorëve të saj dhe të enteve të tjera publike, që veprojnë në të, bashkia këtë tepricë ka të drejtë t’ua shesë bashkive të tjera të vendit, sipas kërkesës së këtyre të fundit.
4. Shitjes i nënshtrohet dhe materiali drusor i sekuestruar. Në këtë rast, procesverbali i sekuestrimit është pjesë e dokumentacionit të shitjes.
5. Shitja e materialit drusor të pyjeve private bëhet nga pronari te bashkia përkatëse, sipas një marrëveshjeje paraprake të nevojave të kërkesave të saj. Në rastet kur bashkia nuk e blen këtë sasi materiali drusor, pronari ka të drejtë ta shesë vetë në treg.
6. Shitja e sasive të prodhimeve jodrusore pyjore dhe i BMET-së bëhet nga:
a) bashkitë, nëse grumbullimi i tyre është realizuar nga njësitë/ekipet e specializuara të bashkisë;
b) individët, sipas sasive të miratuara nga strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki/zonat e mbrojtura;
c) personat juridikë e fizikë, sipas kontingjenteve të miratuara nga ministria përgjegjëse për pyjet e kullotat dhe kontratave me bashkitë përkatëse.
Neni 9
Transporti, eksporti (në rastet e lejuara) dhe importi i materialit drusor e i prodhimeve jodrusore pyjore e i BMET-së
1. Ndalohet eksporti i lëndës së rrumbullakët të papërpunuar dhe druve të zjarrit nga pyjet në pronësi publike.
2. Lejohet eksporti i lëndës drusore të papërpunuar nga shfrytëzimi i pyjeve private, si: lëndë djegëse në kërcunj, kopaçe, në degë, në shkarpa, në ashkla, në copa të çara, të rrumbullakëta, si dhe të përpunuara në pellet, briket, që rezultojnë nga shfrytëzimi dhe nga trajtimi i ngastrave e grup-ngastrave pyjore, në rast se nuk klasifikohen si mbetje, në përputhje me vendimin nr.402,                        datë 30.6.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut të mbetjeve”.
3. Lejohet eksporti dhe importi i produkteve drusore, që rezultojnë të përpunuara në nënprodukte të tjera, si element druri, paleta dhe brikete, në rast se nuk klasifikohen si mbetje, në përputhje me vendimin nr.402, datë 30.6.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut të mbetjeve”.
4. Lejohet eksporti i pëllet-it, ku si lëndë e parë shërben vetëm tallashi i drurit dhe jo drutë e zjarrit, nga subjekte që kanë ngritur fabrika apo impiante përpunimi të tallashit, të cilat grumbullojnë tallash dhe mbetje në pikat e sharrimit e të përpunimit të lëndës drusore në vend, sipas legjislacionit në fuqi, në rast se nuk klasifikohet si mbetje, në përputhje me vendimin nr.402,                                         datë 30.6.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut të mbetjeve”.
5. Shitja, transporti, eksporti (kur lejohet) dhe importi i materialit drusor dhe i prodhimeve jodrusore pyjore e të BMET-së, përveç rasteve kur kryhet nga njësitë/ekipet e specializuara të bashkisë, shoqërohet me certifikatën e origjinës, kontratën, lejen e shfrytëzimit dhe lejen e eksportit nga vendi i origjinës.
6. Subjekti, i cili kërkon të eksportojë ose të importojë produkte drusore të përpunuara, të cilat nuk klasifikohen si mbetje, sipas vendimit nr.402, datë 30.6.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut të mbetjeve”, paraqet kërkesën pranë strukturës përgjegjëse për pyjet në bashki, e cila shoqërohet me këto dokumente:
a) Kontratën e shfrytëzimit të lëndës drusore ndërmjet subjektit dhe strukturës përgjegjëse për pyjet ose pronarit privat, e konfirmuar nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki;
b) Kontratën e porosisë me subjektin pritës në vendin që eksportohet materiali;
c) Certifikatën e origjinës.
7. Struktura përgjegjëse për pyjet në bashki, pasi shqyrton kërkesën për eksport të subjektit dhe e gjen atë të rregullt, përgatit dokumentacionin e duhur dhe përcjell kërkesën për trajtim në ministrinë përgjegjëse për pyjet.
8. Kërkesa e bashkisë shoqërohet me këto dokumente:
a) Lejen e shfrytëzimit, të lëshuar nga struktura përgjegjëse në bashki për subjektin ose pronarin privat;
b) Evidencën e rakordimit me strukturën përgjegjëse për pyjet në bashki;
c) Kontratën e porosisë me subjektin pritës në vendin që eksportohet materiali;
ç)  Certifikatën e origjinës.
9. Struktura përgjegjëse për pyjet në ministri shqyrton kërkesën dhe, nëse e gjen atë të rregullt, përgatit shkresën për miratimin e eksportit të kërkuar.
10. Në rast se nënproduktet e drurit, të parashikuara në këtë nen, klasifikohen si mbetje, në përputhje me vendimin nr.402, datë 30.6.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut të mbetjeve”, i nënshtrohen legjislacionit në fuqi për mbetjet.
11. Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki, çdo 3 (tre) muaj, bëjnë rakordimin me degën e doganës përkatëse në lidhje me sasitë e prodhimeve drusore/produkteve jodrusore pyjore/BMET-së të eksportuara dhe të importuara. Mbi bazën e këtyre të dhënave kryhen rakordimet me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
IV. RRUGËT AUTOPYJORE, KATEGORIZIMI, PËRDORIMI DHE STANDARTET E TYRE
Neni 10
Kategorizimi dhe përdorimi i rrugëve autopyjore
1. Rrugët pyjore janë të kategorive IV, V dhe VI dhe ndahen në:
a) rrugë autopyjore kryesore të hyrjes – kategoria IV;
b) rrugë autopyjore kryesore të depërtimit – kategoria V;
c) rrugë autopyjore degëzuese – kategoria VI.
2. Rrugët sipas relievit ndahen në rrugë fushore, kodrinore dhe malore.
3. Rrugët, sipas periudhës së shfrytëzimit, ndahen në rrugë të përhershme për periudha shfrytëzimi mbi 5 (pesë) vjet, rrugë provizore deri në 5 (pesë) vjet dhe rrugë sezonale.
4. Rrugët, sipas rripave (drejtimeve) të kalimit, ndahen në rrugë me një rrip kalimi dhe me dy rripa kalimi.
5. Rrugët autopyjore mbledhëse (variantet e vogla) projektohen për shpejtësi deri 10 km/orë, me gjerësi 3-3.5 m, kanë karakter sezonal dhe janë të pashtruara. Rrugët pyjore dytësore (sekondare) projektohen për shpejtësi 15 km/orë, me gjerësi 3,5-4 m dhe janë të shtruara me çakëll. Rrugët pyjore kryesore duhet të jenë me shtresë kalldrëmi/guri, të gjera mbi 4 m dhe me shpejtësi 25 km/orë.
6. Standardet janë sipas tabelës në aneksin nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 11
Rregulla të hollësishme për ndërtimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve autopyjore
1. Projektimi dhe ndërtimi i rrugëve autopyjore kryhet sipas rregullave apo normave teknike, si më poshtë vijon:
a) Gjerësia e platformës rrugore, 4-4.5 m;
b) Gjerësia e brezit të kalimit dhe bankinave, 3-3.5 m dhe 0.5 m;
c) Pjerrësia gjatësore maksimale, e drejtë, 10-12 %;
ç)  Pjerrësia gjatësore, e kundërt, 7-8 %;
d) Rrezja minimale e kurbave, 10 m;
dh) Pjerrësia gjatësore në kurba dhe kordele, 4-8 % dhe 4-5 %;
e) E drejta minimale e ndërmjetme midis kurbave,12 m;
ë)  Pjerrësia tërthore e platformës/bankinave, 2-3 % dhe 3-4 %;
f) Pjerrësia tërthore në kurba, 7-8 %;
g) Pjerrësia e skarpateve në gërmim dhe mbushje, 1:1 dhe 1:1.5;
gj) Sheshe ndërrimi të automjeteve, çdo 0.5 km.
2. Rrugët autopyjore ndërtohen të tilla që ato të përdoren, si më poshtë vijon:
a) Rrugët në përdorim gjithëvjetor të jenë 70-80 % të mbritshme;
b) Rrugët në përdorim sezonal të jenë 20-30 % të mbritshme.
3. Mirëmbajtja dhe riparimi i rrugëve pyjore bëhet sipas nevojave, duke zbatuar normativat e pikës 1, të këtij neni.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 12
1. Me fillimin e efekteve juridike të këtij vendimi, vendimi nr.438, datë 8.6.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe rregullat e shfrytëzimit të pyjeve dhe të shitjes së materialit drusor e të prodhimeve të tjera pyjore e jopyjore”, të ndryshuar, shfuqizohet.
2. Ngarkohen Ministria e  Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet juridike në datën 4.2.2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR 
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE, MASËS, PËRJASHTIMEVE NGA SANKSIONET DHE PROCEDURËS PËR MBLEDHJEN DHE ADMINISTRIMIN E TARIFËS SË TRANSMETIMIT TË INFORMACIONIT TË UDHËTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.38/2025, “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME  
1. Ky vendim përcakton rregullat, masën, përjashtimet nga sanksionet dhe procedurën për mbledhjen dhe administrimin e tarifës, që paguhet nga transportuesit që transmetojnë informacionin e udhëtimit në sistemet e Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimit.
2. Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me ata të përcaktuar në ligjin nr.38/2025, “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”.
3. Ky vendim zbatohet për të gjithë transportuesit tokësorë, ajrorë dhe ujorë, që operojnë në hyrje, dalje ose transit në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjin nr.38/2025, “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”.
II. MASAT, RREGULLAT DHE PROCEDURAT PËR MBLEDHJEN DHE ADMINISTRIMIN E TARIFËS
4. Tarifa për transmetimin e informacionit të udhëtimit, për një vit nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, është në vlerën 200 (dyqind) lekë për pasagjer. Pas vitit të parë, vlera e tarifës rishikohet dhe caktohet në vlerë fikse të rishikueshme çdo 3 (tre) vjet.
Të ardhurat nga kjo tarifë përdoren për mbulimin e kostove të transmetimit dhe të transformimit të informacionit të udhëtimit.
5. Tarifa përcaktohet në përputhje me parimet e kostos reale të shërbimit, efikasitetit dhe rishikimit periodik.
Vlera e tarifës përbëhet nga:
a) kostoja e infrastrukturës teknologjike (servera, pajisje sigurie, licenca software-ike);
b) kostoja operacionale (mirëmbajtje, mbështetje teknike, komunikim me sistemet e transportuesve);
c) kostoja e transferimit të vazhdueshëm të të dhënave te Sektori i Inteligjencës së Udhëtimit;
ç) kostoja e transformimit të të dhënave dhe përpunimi në formatet e miratuara në rregulloren e përpunimit të të dhënave të udhëtimit;
d) kostoja e sigurisë dhe e auditimit të të dhënave;
dh) kostoja administrative e operatorit ekonomik për të menaxhuar dhe për të përpunuar kërkesat që lidhen me transmetimin ose me transformimin e të dhënave të udhëtimit.
Për rishikimin e tarifës, operatori ekonomik paraqet një raport financiar të detajuar, ku shpjegohen kostot ekzistuese dhe ato të reja, që justifikojnë ndryshimin e tarifës. Raporti financiar i detajuar verifikohet dhe miratohet nga Sektori i Inteligjencës së Udhëtimit dhe duhet të përfshijë të gjithë zërat e kostove, përfshirë mirëmbajtjen, sigurinë, licencat, shpenzimet operative, krahasuar me sasinë e të dhënave të transmetuara.
6. Procedura për mbledhjen dhe administrimin e tarifës është, si më poshtë vijon:
a) Transportuesit, brenda datës 5 (pesë) të çdo muaji, paraqesin pranë Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimit raportimin e të dhënave për pasagjerët e transportuar në muajin paraardhës;
b) Sektori i Inteligjencës së Udhëtimit, brenda 5 (pesë) ditëve punë, verifikon dhe konfirmon të dhënat për numrin e pasagjereve dhe ia paraqet këto operatorit ekonomik që do të ofrojë shërbimin e transmetimit dhe të transformimit të informacionit të udhëtimit;
c) Operatori ekonomik, brenda 5 (pesë) ditëve nga konfirmimi i Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimit, prodhon dhe i njofton faturën mujore përkatëse çdo transportuesi të detyruar për transmetimin e të dhënave, bazuar në numrin e pasagjerëve dhe për të cilët janë transmetuar të dhënat e udhëtimit;
ç) Një kopje e faturës së prodhuar i dërgohet Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimit, së bashku me informacionin lidhur me momentin e njoftimit të faturës transportuesit;
d) Pagesa kryhet nga transportuesi në llogarinë e operatorit ekonomik që do të ofrojë shërbimin e transmetimit të informacionit të udhëtimit, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga momenti i njoftimit të faturës;
dh) Në rast mospagese të tarifës, sipas afateve të përcaktuara në këtë pikë, zbatohen parashikimet e ligjit nr.48/2014, “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”, të ndryshuar;
e) Administrimi i tarifës kryhet nga operatori ekonomik që do të ofrojë shërbimin për transmetimin dhe për transformimin e informacionit të udhëtimit dhe përdoret për qëllimin për të cilin është vendosur tarifa;
ë) Operatori ekonomik ka detyrimin për të siguruar transparencë të plotë në administrimin e tarifës, duke mbajtur të dhëna të sakta dhe të gjurmueshme për çdo pagesë të kryer nga transportuesit ose nga operatorët e tyre përfaqësues;
f) Operatori ekonomik është i detyruar të raportojë çdo tremujor te Sektori i Inteligjencës së Udhëtimit për numrin e transportuesve të mbuluar, shërbimet e kryera dhe vlerën e përgjithshme të tarifave të arkëtuara. Raportet shoqërohen me dokumentacion mbështetës financiar dhe teknik.
7. Përjashtohen nga pagesa e tarifës:
a) pasagjerët nën moshën 2 (dy) vjeç, pa vend të rezervuar;
b) udhëtimet për qëllime humanitare, të konfirmuara nga autoritetet shtetërore;
c) transportet e kryera nga strukturat shtetërore, në funksion të misioneve të posaçme të sigurisë apo të emergjencës.
8. Transportuesit apo operatorët ekonomikë përjashtohen nga zbatimi i sanksioneve të parashikuar në shkronjën “dh”, të pikës 6, të këtij vendimi, në rastet e:
a) defekteve teknike të papritura në sistemet e transmetimit, të provuara dhe të dokumentuara;
b) forcës madhore (fatkeqësi natyrore, gjendje të jashtëzakonshme, të konfirmuara me vendim të organit publik, sulme kibernetike), që e bëjnë objektivisht të pamundur transmetimin;
c) njoftimit paraprak ose të menjëhershëm të problemit dhe bashkëpunimit me Sektorin e Inteligjencës së Udhëtimit për korrigjimin e tij;
ç) korrigjimit të shkeljes brenda afatit të arsyeshëm, kur nuk kanë ardhur pasoja.
III. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AGJENCISË KOMBËTARE TË MJEDISIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 61, të  ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Arta Dollani, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË KONVENTËS SË KOMBEVE  TË BASHKUARA KUNDËR KRIMIT KIBERNETIK; FORCIMI I BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR PËR LUFTËN KUNDËR DISA KRIMEVE TË KRYERA ME MJETE TË SISTEMEVE  TEKNOLOGJISË SË INFORMACIONIT DHE KOMUNIKIMIT DHE PËR NDARJEN E PROVAVE TË KRIMEVE TË RËNDA  NË FORMË ELEKTRONIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit Kibernetik; Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar për luftën kundër disa krimeve të kryera me mjete të sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit dhe për ndarjen e provave të krimeve të rënda në formë elektronike, bërë në Nju – Jork, në datën 24.12.2024, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
 V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I HAPËSIRËS SË PALLATEVE NË KRYQËZIMIN E RRUGËS “KUJTIM LARO” DHE “KONGRESI I MANASTIRIT”, BASHKIA TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i hapësirës së pallateve në kryqëzimin e rrugës “Kujtim Laro” dhe “Kongresi i Manastirit”, Bashkia Tiranë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 6 055 283.97 (gjashtë milionë e pesëdhjetë e pesë mijë e dyqind e tetëdhjetë e tre pikë nëntëdhjetë e shtatë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 6 055 283.97 (gjashtë milionë e pesëdhjetë e pesë mijë e dyqind e tetëdhjetë e tre pikë nëntëdhjetë e shtatë) lekësh përballohet nga Bashkia Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIM, RIKONSTRUKSION I URËS SË VIROIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitim, rikonstruksion i urës së Viroit”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e  llojit “vresht”, me një vlerë të përgjithshme prej 700 000 (shtatëqind mijë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 700 000 (shtatëqind mijë) lekësh përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Gjirokastër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
12. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Gjirokastër, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Gjirokastër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR SIGURINË KIBERNETIKE 2025 – 2030 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2025 – 2027
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 4 e 5, të nenit 6, të ligjit nr.25/2024, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025 – 2030 dhe të planit të saj të veprimit 2025 – 2027.
2. Vendimi nr.1084, datë 24.12.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe planit të veprimit 2020 – 2025”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ministritë dhe institucionet e tjera përgjegjëse të përcaktuara në strategji dhe në planin e veprimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
*** 
V E N D I M 
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Herida Duro emërohet zëvendësministër i Arsimit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të  ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Elda Xhumari emërohet zëvendësministër i Mjedisit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M 
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të  ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Roland Kristo, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.