Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Maj 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Maj 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Maj 2023:

 

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT NË BUXHETIN E VITIT 2023 PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, 3, 4, 5 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Masa e financimit, prej 113 000 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2023, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret, si më poshtë vijon:

a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 33 840 000 (tridhjetë e tre milionë e tetëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:

i. 17 040 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e dyzet mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 71 (shtatëdhjetë e një) punonjës të administratës;
ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e mijë) lekë, të ndarë në:

i. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të administratës;
ii. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind mijë) lekë, të ndarë në:

i. 9 600 000 (nëntë milionë e gjashtëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 (dyzet) punonjës të administratës;
ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 26 360 000 (njëzet e gjashtë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, të ndarë në:

i. 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë për financimin, deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 25 (njëzet e pesë) punonjës të administratës;
ii. 13 360 000 (trembëdhjetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, si kontribut në ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër;
iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesëpreventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2023, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.

2. Kalimi i fondit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, bëhet njëherësh, brenda muajit maj të vitit 2023.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LLOJEVE DHE PROCEDURAVE TË LIDHJES SË MARRËVESHJEVE TË POSAÇME (MEA)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 37/1, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ky vendim ka si qëllim përcaktimin e llojeve dhe procedurave të lidhjes së marrëveshjeve të posaçme (MEA).

2. Llojet e MEA janë, si më poshtë vijon:

a) Marrëveshje të posaçme me karakter financiar;
b) Marrëveshje të posaçme të bazuara në performance;
c) Marrëveshje të posaçme hibride.

3. Marrëveshjet e posaçme (MEA) me karakter financiar janë ato marrëveshje të cilat lidhen kur plotësohen një nga kushtet e mëposhtme:

a) Çmimi i propozuar është më i ulët se çmimi CIF, i miratuar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë për një sasi të caktuar të barit për një periudhë të caktuar kohore;
b) Çmimi i propozuar është më i ulët se çmimi CIF, i miratuar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe duke siguruar sasi barnash falas të të njëjtit bar mbi një sasi të kërkuar të barit për një periudhë të caktuar kohore.

4. Marrëveshjet e posaçme (MEA) të bazuara në performancë janë ato marrëveshje të cilat lidhen për barna origjinatorë me çmimin CIF më të ulët se çmimi i miratuar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, që përfshihen në skemat e trajtimit terapeutik për grup të caktuar pacientësh ku risku i efektshmërisë së barit apo efikasiteti i trajtimit ndahet ndërmjet palëve.

5. Marrëveshjet e posaçme (MEA) hibride janë ato marrëveshje të cilat lidhen kur plotësohen një ose disa nga kushtet e përcaktuara në pikat 3 dhe 4, të këtij vendimi.

6. Bazuar në impaktin financiar buxhetor, barrën e sëmundshmërisë, protokollet e mjekimit si dhe opsionet e trajtimit të disponueshme në sistemin shëndetësor në vend, mund të përcjellin propozime pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë për lidhjen e një marrëveshjeje të posaçme (MEA):

a) institucionet spitalore universitare;
b) Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH);
c) mbajtësi i autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri.

7. Institucionet spitalore universitare dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor përcjellin pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë propozimet për MEA, pas kryerjes së një vlerësimi paraprak të tyre, bazuar njëkohësisht në:

a) impaktin financiar dhe disponueshmërinë buxhetore;
b) protokollet e mjekimit;
c) efikasitetin e trajtimit të barit, bazuar në evidenca shkencore;
ç) vlerësimin mbi barrën e sëmundshmërisë, opsionet e trajtimit të disponueshme në sistemin shëndetësor për diagnozën që mbulon terapia në vend dhe shkallën e rëndësisë së trajtimit me terapinë e propozuar, bazuar në vlerësimin e kosto-efikasitetit.

8. Propozimet vlerësohen nga Komisioni Ad-hoc i Vlerësimit të Marrëveshjeve të Posaçme (MEA), i ngritur nga ministri përgjegjës për shëndetësinë. Procesi i vlerësimit kryhet brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e regjistrimit të propozimit pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

9. Marrëveshja e posaçme pas vlerësimit nga Komisioni Ad-hoc i Vlerësimit të Marrëveshjeve të Posaçme dhe nënshkrimit nga palët i përcillet Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ose institucioneve spitalore universitare për zbatim.

10. Kreu VIII, “Kontrata të posaçme (MEA)”, i vendimit nr.622, datë 22.10.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat që përdoren për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit”, shfuqizohet.

11. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe strukturat shëndetësore spitalore publike universitare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.169, DATË 18.3.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E AFATIT TË HYRJES DHE QËNDRIMIT TË SHTETASVE TË UKRAINËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 1, të vendimit nr.169, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e afatit të hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Republikën e Shqipërisë”, togfjalëshi “… 1 (një) vit …” zëvendësohet me “… 2 (dy) vjet …”.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.222, DATË 23.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN E KËRKESAVE PËR NJOHJE TË SË DREJTËS SË KOMPENSIMIT TË PRONËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 37, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.222, datë 23.3.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Në kreun I bëhen këto ndryshime:

a) Në pikat 1 dhe 2, fjala “… ligjorë …” hiqet;
b) Në shkronjën “a”, të pikës 5, emërtimi “Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme” zëvendësohet me “Agjencia Shtetërore e Kadastrës”.

2. Pika 6, e kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“6. Kur ATP-ja konstaton mangësi në dokumentacionin shoqërues të kërkesës, njofton kërkuesin me postë të porositur që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit, të plotësojë pasaktësitë. Kur kërkuesi nuk ka marrë dijeni për mangësitë në dokumentacionin shoqërues të kërkesës, ATP-ja kërkon informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për vendbanimin e kërkuesit, me qëllim kryerjen e njoftimit përmes postës së porositur. Kur njoftimi nuk është i mundur ose vendbanimi i kërkuesit nuk është i njohur, njoftimi bëhet me shpallje në selinë e ATP-së, në njësitë e vetëqeverisjes vendore, ku ndodhet prona, objekt pretendimi, si dhe në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkuesi ka vendbanimin. Njoftimi vlerësohet i kryer pas 10 (dhjetë) ditëve nga data e shpalljes, në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative.”.

3. Në kreun III bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në pikën 12, emërtimet “Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencinë e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale” zëvendësohen me “Agjencinë Shtetërore të Kadastrës”;
b) Pika 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“18. ATP-ja, pas kontrollit, vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesave të paraqitura për njohje të së drejtës së kompensimit, merr vendim për pranimin ose rrëzimin e kërkesës. Në rast pranimi, ATP-ja me të njëjtin vendim, sipas rastit, përcakton:

a) sipërfaqen që kompensohet fizikisht, brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar, kur pronat e paluajtshme janë të lira, sipas përcaktimeve të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar;
b) vlerësimin financiar të së drejtës së kompensimit të njohur, që nuk mund të kompensohet, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike.”.

c) Pas pikës 18 shtohen pikat 18/1, 18/2 dhe 18/3, me këtë përmbajtje:

“18/1. Kompensimi fizik, brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar, sipas shkronjës “a”, të pikës 18, të këtij kreu, kryhet sipas rregullave të përcaktuara në pikat 26/3, 26/5, 26/6 dhe 26/9, të kreut IV/A, të vendimit nr.223, datë 23.3.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar. Vlerësimi financiar i së drejtës së kompensimit, sipas shkronjës “b”, të pikës 18, të këtij kreu, kryhet sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr.223, datë 23.3.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar.

18/2. Vendimi i ATP-së për njohjen e së drejtës për kompensim fizik përcakton pronën në kufij, sipërfaqe dhe në pozicion gjeografik të saktë dhe regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

18/3. Në rastet kur evidentohen mbivendosje të pronave të pretenduara për njohje dhe kompensim, ATP-ja vijon procedurat për njohjen dhe kompensimin e pronës për pjesën që nuk ka mbivendosje. Palët mund të zgjidhin rastin me mbivendosje me marrëveshje me njëri-tjetrin ose në rrugë gjyqësore.”.

II. Ngarkohet Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.223, DATË 23.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR VLERËSIMIN DHE EKZEKUTIMIN E VENDIMEVE PËRFUNDIMTARE TË KOMPENSIMIT TË PRONËS DHE SHPËRNDARJEN E FONDIT FINANCIAR E FIZIK PËR KOMPENSIMIN E PRONAVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 5, 16, pika 6/2, e 37, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.223, datë 23.3.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në bazën ligjore, pas fjalëve “… nenit 100 të Kushtetutës …” shtohen “… nenit 8, pika 5, dhe 16, pika 6/2, …”.

2. Pika 3, e kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. ATP-ja, për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, kur nuk ka ndryshuar zëri kadastral, vlerëson financiarisht vendimet, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën e vlerës, sipas rregullave të mëposhtme:

a) Llogaritet vlera e pronës së njohur për kompensim, duke u bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit;
b) Llogaritet vlera e pronës së kthyer, të kompensuar fizikisht apo të përfituar në një nga mënyrat e tjera sipas ligjeve që kanë rregulluar çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave; Vlera e pronës së kthyer llogaritet si diferencë që rezulton ndërmjet vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit;
c) Vlera e pronës së kthyer, e llogaritur sipas shkronjës “b”, të kësaj pike, i zbritet vlerës së pronës së njohur për kompensim, të llogaritur sipas shkronjës “a”, të kësaj pike;
ç) Në rastet kur vlera e pronës së kthyer është më e madhe sesa vlera e pronës së njohur për kompensim, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me zero lekë dhe subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim është më e madhe sesa vlera e pronës së kthyer, atëherë vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me diferencën që rezulton duke zbritur vlerën e pronës së kthyer nga vlera e pronës së njohur për kompensim.”.

3. Pas pikës 3, të kreut I, shtohen pikat 3/1, 3/2, 3/3, 3/4, 3/5 dhe 3/6, me këtë përmbajtje:

“3/1. ATP-ja, për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, kur ka ndryshuar zëri kadastral, vlerëson financiarisht vendimet, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën e vlerës, sipas rregullave të mëposhtme:

a) Llogaritet vlera e pronës së njohur për kompensim, duke u bazuar në zërin kadastral aktual;
b) Llogaritet vlera e pronës së kthyer, të kompensuar fizikisht apo të përfituar në një nga mënyrat e tjera sipas ligjeve që kanw rregulluar çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave; Vlera e pronës së kthyer llogaritet si diferencë që rezulton ndërmjet vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit;
c) Vlera e pronës së kthyer, e llogaritur sipas shkronjës “b”, të kësaj pike, i zbritet vlerës së pronës së njohur për kompensim, të llogaritur sipas shkronjës “a”, të kësaj pike;
ç) Në rastet kur vlera e pronës së kthyer është më e madhe sesa vlera e pronës së njohur për kompensim, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është e barabartë me zero lekë dhe subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim është më e madhe sesa vlera e pronës së kthyer, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me 10 për qind të diferencës që rezulton duke zbritur vlerën e pronës së kthyer nga vlera e pronës së njohur për kompensim;
ç) Përjashtimisht, kur vlerësimi financiar sipas zërit kadastral, që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, është më i madh se 10 për qind e vlerës së pronës së llogaritur sipas kësaj pike, subjekti i shpronësuar kompensohet me vlerën e llogaritur sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.

3/2. ATP-ja, për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare, që kanë njohur vetëm të drejtën për kompensim, vlerëson financiarisht vendimet, si më poshtë vijon:

a) Kur nuk ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit;
b) Kur ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral aktual. Subjekti i shpronësuar kompensohet në masën 10 për qind të vlerës së pronës, sipas zërit kadastral aktual;
c) Përjashtimisht, kur vlerësimi financiar sipas zërit kadastral, që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, është më i madh se 10 për qind e vlerës së pronës së llogaritur sipas shkronjës “b”, të kësaj pike, subjekti i shpronësuar kompensohet me vlerën e llogaritur sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.

3/3. Zëri kadastral i kohës së shpronësimit të pronës përcaktohet duke u bazuar në dokumentacionin ligjor të administruar në dosje ose, në mungesë të këtij të fundit, për përcaktimin e zërit kadastral përdoret harta e kohës së shpronësimit dhe, në mungesë të saj, harta që është më e afërt me kohën e shpronësimit.

3/4. Në rastet kur është objektivisht e pamundur për përcaktimin e zërit kadastral, sipas pikës 3/3, të këtij kreu, vendimi i kompensimit vlerësohet financiarisht me çmimin minimal, të përcaktuar në hartën e vlerës për atë zonë kadastrale dhe kur zona kadastarale nuk identifikohet për atë bashki, nëse:

a) subjektet e interesuara nuk sjellin dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit brenda afatit të përcaktuar, sipas pikës 2, të nenit 16, të ligjit nr.133/2015, të ndryshuar;
b) ATP-ja është në pamundësi objektive për të vlerësuar pronën, bazuar në dokumentacionin që disponon.

3/5. Në rastet kur në hartën e vlerës mungon vlera e caktuar për zërin kadastral të kohës së shpronësimit, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kompensimit, bëhet duke marrë si referim vlerën me të njëjtin zë kadastral, që ndodhet më afër pronës që do të kompensohet. Në rast se pranë pronës, që do të kompensohet, gjenden disa zëra kadastralë të njëjtë me atë të origjinës së pronës, me distancë të njëjtë dhe me vlera të ndryshme, atëherë, për referim në përllogaritje merret zona që ka çmimin më të lartë.

3/6. Në rastet kur në hartën e kohës së shpronësimit ose, në mungesë të saj, në hartën që është më e afërt me kohën e shpronësimit nuk ka një vijë kufizuese të qyteteve e qendrave të banuara, të miratuar nga autoritetet shtetërore të kohës, me qëllim përcaktimin e zërit kadastral të origjinës, përdoren vijat kufizuese të përcaktuara nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit në hartat specifike të qyteteve, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet vendimit dhe është pjesë përbërëse e tij.”.

4. Pika 4/1, e kreut I, shfuqizohet.

5. Pika 11/1, e kreut II, shfuqizohet.

6. Pika 16, e kreut III, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“16. Kur subjekti disponon një vendim përfundimtar të vlerësuar financiarisht, kërkesa për kompensim paraqitet nga subjekti i shpronësuar, trashëgimtarët e tij ose përfaqësuesit me prokurë, së bashku me dokumentacionin tekniko-ligjor, sipas formularit tip të kërkesës, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.

7. Pikat 16/3 dhe 16/5, të kreut III, shfuqizohen.

8. Pas pikës 16/5, të kreut III, shtohen pikat 16/6 dhe 16/7, me këtë përmbajtje:

“16/6. Përparësia ndërmjet formave të kompensimit është, si më poshtë vijon:

a) Kompensimi fizik brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar;
b) Kompensimi fizik nga fondi i tokës;
c) Kompensimi financiar.

16/7. Përjashtimisht nga parashikimi i pikës 16/6, të këtij kreu,:

a) vendimet përfundimtare, që janë vlerësuar nga organi administrativ apo gjyqësor, me vlerë financiare deri 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë, mund të kompensohen financiarisht në masën 100 (njëqind) % të vlerës së tyre financiare, nëse kërkuesi ka paraqitur kërkesën për t’u kompensuar nëpërmjet kësaj forme si dhe, kur është rasti, kërkuesi heq dorë nga forma e kompensimit fizik, sipas shkronjës “a”, të pikës 16/6, të këtij kreu;
b) rastet kur subjekti nuk përfiton kompensim fizik sipas shkronjës “a”, të pikës 16/6, të këtij kreu, dhe ka një vendim përfundimtar, të vlerësuar financiarisht, përfiton kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në 20% të vlerës totale të kompensimit financiar, por jo më shumë se 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht nga fondi i tokës.”.

9. Në pikën 17, të kreut III, numërtimi “16/2” zëvendësohet me numërtimin “16/6” dhe togfjalëshi “… në pikat 16/3 e 21/1 …” zëvendësohet me “… në shkronjën “a”, të pikës 16/7, e pikën 21/1 …”.

10. Në pikën 19/1, të kreut III, togfjalëshi “… në pikën 16/3 …” zëvendësohet me “… në shkronjën “a”, të pikës 16/7, të këtij kreu, …” dhe togfjalëshi “… shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 16/2, …” zëvendësohet me “… shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 16/6, …”.

11. Pika 20/1, e kreut III, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“20/1. Vlera financiare e vendimeve përfundimtare do të indeksohet sipas pikës 6/1, të nenit 16, të ligjit nr.133/2015, të ndryshuar. ATP-ja kryen ekzekutimin e vendimit përfundimtar duke i shtuar vlerës financiare fillestare dhe indeksimin sipas interesit bankar të mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë.”.

12. Në pikën 21/1, të kreut III, togfjalëshi “… shkronjës “b”, të pikës 16/2, ose sipas pikës 16/3 …” zëvendësohet me “… shkronjës “b”, të pikës 16/6, ose sipas shkronjës “a”, të pikës 16/7, …” dhe togfjalëshi “… sipas shkronjës “a”, të pikës 16/2, …” zëvendësohet me “… sipas shkronjës “a”, të pikës 16/6, …”.

13. Në pikën 24, të kreut IV, togfjalëshi “… në pikën 18 …” zëvendësohet me “… në shkronjën “b”, të pikës 16/7, …”.

14. Në pikën 26/1, të kreut IV/A, togfjalëshi “… pikës 4/1 …” zëvendësohet me “… kreut I …”.

15. Në pikën 26/3, të kreut IV/A, togfjalëshi “… në pikën 16/2 …” zëvendësohet me “… në pikën 16/6 …”.

16. Pika 26/4, e kreut IV/A, shfuqizohet.

17. Në pikën 26/8, të kreut IV/A, togfjalëshi “… në pikën 16/2 …” zëvendësohet me “… në pikën 16/6 …”.

18. Pika 26/10, e kreut IV/A, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“26/10. Vendimi i ATP-së për njohjen e së drejtës për kompensim fizik përcakton pronën në kufij, sipërfaqe dhe në pozicion gjeografik të saktë dhe regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.”.

19. Në pikën 40/1, të kreut VII, togfjalëshi “… në pikat 16/2, 16/3 dhe 18 …” zëvendësohet me “… në pikat 16/6 dhe 16/7 …”.

20. Në pikën 40/2, të kreut VII, togfjalëshi “… pikave 16/3, 18 dhe kreut IV …” zëvendësohet me “… pikës 16/7 dhe kreut IV …”.

II. Ngarkohet Agjencia e Trajtimit të Pronave me zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.490, DATË 22.7.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY PASS, PLEPA – KAVAJË – RROGOZHINË, (LOTI 7, RRUGËT DYTËSORE)””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.490, datë 22.07.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në pikën 3, vlera “… 173 753 243 (njëqind e shtatëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre mijë e dyqind e dyzet e tre) lekë …” zëvendësohet me “… 173 930 574 (njëqind e shtatëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e tridhjetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë …”.

2. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 173 930 574 (njëqind e shtatëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e tridhjetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e katër) lekësh, përballohet, si më poshtë vijon:

a) 173 753 243 (njëqind e shtatëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre mijë e dyqind e dyzet e tre) lekë nga buxheti i vitit 2014, zëri “Detyrimet e prapambetura” (detyrimet e infrastrukturës);
b) 177 331 (njëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e treqind e tridhjetë e një) lekë nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.”.

3. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

4. Tabelës bashkëlidhur vendimit, i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

II. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË TURIZMIT DHE MJEDISIT TË PASURIVE ME NR.178/44, 152/43 DHE 182, NË ZONËN KADASTRALE NR.1522

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 34, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të pasurive me nr.178/44, 152/43 dhe 182, në zonën kadastrale nr.1522, me sipërfaqe totale prej 90 030 (nëntëdhjetë mijë e tridhjetë) m2, sipas shtojcës, fragmenteve të hartës kadastrale dhe planrilevimeve, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, me qëllim përdorimin e tyre për zhvillimin e projektit strategjik të investimit në zonën me përparësi zhvillimin e turizmit.

2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT PËR NDËRLIDHJEN E SKEMAVE PËR IDENTIFIKIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të protokollit për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të shtetasve të Ballkanit Perëndimor, sipas tekstit që bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR INDEKSIMIN E PAGËS SË PUNONJËSVE DHE NËPUNËSVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për indeksimin e pagës së punonjësve dhe nëpunësve në Republikën e Shqipërisë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MENAXHIMIN E GARANCIVE DHE KREDIVE SHTETËRORE TË PAKTHYERA”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I RRUGËS “NEZIR MUZHAQI”, NË ZONËN KADASTRALE 8522”, BASHKIA ELBASAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i rrugës “Nezir Muzhaqi”, në zonën kadastrale 8522”, Bashkia Elbasan.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 179 630 (një milion e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e tridhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 179 630 (një milion e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e tridhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Elbasan.

8. Bashkia Elbasan kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Elbasan.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë, sipas këtij vendimi, për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Elbasan.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë, sipas këtij vendimi, për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Elbasan.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Elbasan, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIGJENERIMI URBAN I ZONËS AFËR GJIMNAZIT NË RRUGËN E DËSHMORËVE, ÇOROVODË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rigjenerimi urban i zonës afër gjimnazit në Rrugën e Dëshmorëve, Çorovodë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Skrapar.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “njësi”, me një vlerë të përgjithshme prej 643 857 (gjashtëqind e dyzet e tre mijë e tetëqind e pesëdhjetë e shtatë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 643 857 (gjashtëqind e dyzet e tre mijë e tetëqind e pesëdhjetë e shtatë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Skrapar.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Skrapar.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohet për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Skrapar.

8. Bashkia Skrapar kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Skrapar.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Skrapar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Skrapar për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Skrapar, pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Skrapar për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Skrapar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Skrapar, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Zgjerohet programi READ i diasporës akademike / Kushi: Qindra akademikë nga diaspora japin kontribut të rëndësishëm