Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25 Gusht 2022:
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS SË KOMPENSIMIT PËR SHOQËRITË E TRANSPORTIT TË LINJAVE QYTETASE, RRETHQYTETASE DHE NDËRQYTETASE, PJESË E PAKETËS ANTIKRIZË, FAZA II
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TË PËRGJITHSHME
Kompensimin e shoqërive të transportit për linjat qytetase, rrethqytetase dhe ndërqytetase, në masën 100 (njëqind) lekë për litër karburanti, për një periudhë tremujore: gusht, shtator, tetor 2022. Kompensimi bëhet për shumën e konsumimit të karburantit për periudhën: gusht, shtator, tetor 2022, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2021, për secilën nga shoqëritë.
II. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E KOMPENSIMIT
1. Kërkesa për të përfituar kompensimin financiar, të përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, bëhet nga subjekti çdo muaj pranë administratës tatimore, nën juridiksionin e së cilës është regjistruar, e cila bën verifikimin e dokumentacionit të paraqitur.
2. Subjektet kërkuese duhet të paraqesin pranë administratës tatimore, nën juridiksionin e së cilës janë regjistruar, dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Kërkesën, sipas shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Kopjen e licencës përkatëse, të vlefshme për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas;
c) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NUIS;
ç) Emrin e bankës, ku subjekti përfitues ka llogarinë rrjedhëse bankare;
d) IBAN-in e llogarisë bankare (jo më shumë se 28 karaktere dhe në monedhën lekë);
dh) Për shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën: gusht, shtator, tetor, të viteve 2021 dhe 2022;
e) Për shoqëritë, që përveç aktivitetit të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, ushtrojnë edhe aktivitete të tjera, përveç kopjeve të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën: gusht, shtator, tetor të viteve 2021 dhe 2022, duhet të paraqesin edhe:
i. vetëdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas;
ii. kopje të fletëdaljeve të karburantit gjatë muajve gusht, shtator, tetor, të viteve 2021 dhe 2022, të përdorur për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, sipas targave të mjeteve.
3. Kërkesat nga subjektet paraqiten pas datës 10 (dhjetë) të muajit pasardhës, duke filluar nga muaji shtator 2022.
4. Në rastin kur konstatohet se dokumentet e dorëzuara nga subjekti janë të paplota apo kanë mangësi, administrata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve pune, e kthen kërkesën me qëllim plotësimin e dokumentacionit.
5. Administrata tatimore, pas verifikimit të dokumentacionit të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, dërgon pranë degës përkatëse të thesarit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune, urdhërshpenzimet, duke bashkëlidhur listën përmbledhëse të subjekteve përfituese, sipas bankave të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë e tyre bankare.
6. Për shoqëritë e regjistruara pas muajit tetor të vitit 2021, si vlerë reference për kompensim do të merret vlera më e lartë e konsumit të karburantit, për periudhën janar-shkurt 2022.
7. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore mund të kryejnë edhe verifikime në vend, në rast konstatimi të pasaktësive në dokumentacionin e paraqitur në kërkesë.
8. Struktura e thesarit në degë, mbas marrjes së urdhërshpenzimit me listën e përfituesve, sipas pikës 5, të këtij kreu, kryen pagesën brenda 5 (pesë) ditëve pune.
III. ÇËSHTJE TË FUNDIT
1. Kërkesat për kompensim do të pranohen deri në datën 1 dhjetor 2022.
2. Efekti financiar i këtij vendimi përballohet nga fondi i kontingjencës për paketën e rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës, miratuar për vitin 2022.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.657, DATË 8.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR QUKËS – POGRADEC – QAFË–PLLOÇË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.657, datë 8.10.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 15 662 447 (pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e katërqind e dyzet e shtatë) lekë …” zëvendësohet me vlerën “16 096 175 (gjashtëmbëdhjetë milionë e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë …”.
2. Pas pikës 4 shtohet pika 4.1, me këtë përmbajtje:
“4.1. Vlera shtesë e shpronësimit prej 433 728 ( katërqind e tridhjetë e tre mijë e shtatëqind e njëzet e tetë) lekësh përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.”.
3. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
4. Tabelës bashkëlidhur vendimit nr.657, datë 8.10.2014, i shtohet edhe tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, si dhe Drejtoria e Miradministrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.794, DATË 11.12.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR, “RRUGA E ARBRIT””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.794, datë 11.12.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 1 768 919 (një milion e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë) lekësh zëvendësohet me vlerën “… 6 244 373 (gjashtë milionë e dyqind e dyzet e katër mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre) lekë …”.
2. Pas pikës 4 shtohet pika 4.1, me këtë përmbajtje:
“4.1. Vlera shtesë e shpronësimit prej 4 475 454 (katër milionë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e katërqind e pesëdhjetë e katër) lekësh përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.”.
3. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
4. Tabelës bashkëlidhur vendimit në fuqi nr.794, datë 11.12.2019, të Këshillit të Ministrave, i shtohet edhe tabela bashkëlidhur këtij vendimi.
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Dibër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.501, DATË 25.8.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E MBROJTJES SË PËRKOHSHME SHTETASVE AFGANË DHE PERSONAVE PA SHTETËSI, ME VENDQËNDRIM TË PËRKOHSHËM OSE TË PËRHERSHËM NË REPUBLIKËN ISLAMIKE TË AFGANISTANIT, DHE PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR MENAXHIMIN E FLUKSIT TË KËRKUESVE TË MBROJTJES NDËRKOMBËTARE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 2, të vendimit nr.501, datë 25.8.2021, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Me përfundimin e afatit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, personave, që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë, u shtyhet qëndrimi dhe me 6 (gjashtë) muaj të tjerë.”.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU