Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Maj 2022:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROGRAMIT TË ZBATIMIT TË BASHKËPUNIMIT KULTUROR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR VITET 2022 – 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të programit të zbatimit të bashkëpunimit kulturor, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për vitet 2022 – 2025, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 5, të nenit 4, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Genci Gjeçi emërohet anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË DISA ANËTARËVE TË BORDIT MBIKËQYRËS TË AGJENCISË PËR MBËSHTETJEN E SHOQËRISË CIVILE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.10093, datë 9.3.2009, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Emërimin në detyrë të disa anëtarëve të bordit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, si më poshtë vijon:
– Z. Bashkim Muça;
– Znj. Iris Luarasi;
– Z. Leart Kola;
– Z. Ylljet Aliçka;
– Znj. Vasilika Hysi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Hantin Bonati emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E GARANCISË SHTETËRORE TË HUAS ME BANKAT TREGTARE PËR GARANTIMIN E HUAMARRJES SË SUBJEKTEVE, QË TREGTOJNË ME SHUMICË PRODUKTE USHQIMORE BAZË PËR TË MUNDËSUAR FINANCIMIN E NEVOJSHËM PËR MBAJTJEN E REZERVAVE, ME QËLLIM PËRBALLIMIN E SITUATËS SË VEÇANTË TË KRIJUAR NË TREG, SI DHE PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE KRITEREVE TË MARRËVESHJES SË GARANCISË DHE MARRËVESHJES SË MIRËKUPTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 8, të aktit normativ nr.7, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e linjës së garancisë shtetërore në vlerën 3 000 000 000 (tre miliardë) lekë, në favor të bankave tregtare, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat do të jenë pjesë e skemës së garancisë, që do të mundësojë huadhënien për subjektet, që tregtojnë me shumicë, produkte ushqimore bazë, për të siguruar financimin e nevojshëm për të mbajtur rezerva për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim përballimin e situatës së veçantë, të krijuar në treg.
2. Linja e garancisë shtetërore do të lëshohet në favor të bankave tregtare, si më poshtë vijon:
– Banka Kombëtare Tregtare, sh.a.;
– Banka Credins, sh.a.;
– Banka Raiffeisen sh.a., Albania;
– Banka OTP Albania, sh.a.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë mundëson përcaktimin e shumave të garancisë shtetërore, që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare, nëpërmjet marrëveshjeve të veçanta të garancisë, që do të lidhen me secilën prej bankave.
3. Marrëveshjet e garancisë janë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ministri i Financave dhe Ekonomisë mundëson, nëse rezulton e nevojshme, rialokimin e shumës së garancisë nga huadhënësi që nuk e ka ezauruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi, që e ka ezauruar atë plotësisht, duke ndryshuar për këtë qëllim edhe marrëveshjet e lidhura/nënshkruara të garancisë.
5. Autorizohet ministri i Financave dhe Ekonomisë për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë me secilën nga bankat tregtare, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.
6. Marrëveshja e mirëkuptimit, e cila nënshkruhet nga huamarrësi, përmban kushtet dhe kriteret sipas marrëveshjes tip të integruar si aneks në marrëveshjen tip të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi.
7. Ministria e Financave dhe Ekonomisë mund të kërkojë këshillim/asistencë nga Banka e Shqipërisë gjatë implementimit të marrëveshjeve të garancisë. Ky bashkëpunim mund të rregullohet edhe nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi.
8. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, me urdhër të posaçëm, mund të ngarkojë ndjekjen dhe administrimin e të dhënave të kësaj skeme garancie, duke përfshirë mbajtjen, përllogaritjen, rakordimin dhe raportimin e të dhënave nga punonjës të Agjencisë së Trajtimit të Kredive.
9. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “HEKURUDHAT SHQIPTARE- REHABILITIMI I LINJËS HEKURUDHORE TIRANË- DURRËS DHE NDËRTIMI I LINJËS HEKURUDHORE PËR NË AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS”, NË KUADËR TË GRANTIT TË INVESTIMIT NGA FONDI I PËRBASHKËT EVROPIAN I BALLKANIT PERËNDIMOR, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.52/2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare- rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë- Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në kuadër të grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor, ratifikuar me ligjin nr.52/2018, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
U DH Ë Z I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR HEQJEN DORË NGA REKURSET E DEPOZITUARA NGA ADMINISTRATA SHTETËRORE NËN PËRGJEGJËSINË E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË PASHQYRTUARA NGA GJYKATA E LARTË, PËR DISA ÇËSHTJE ME NATYRË CIVILE DHE ADMINISTRATIVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 472 e vijues të Kodit të Procedurës Civile dhe të nenit 56 e vijues të ligjit nr.49/2012, “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar, duke mbajtur në konsideratë stokun e çështjeve gjyqësore të prapambetura dhe numrin e lartë të çështjeve të reja që regjistrohen në Gjykatën e Lartë, ngarkesën e krijuar për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve efektivë në Gjykatën e Lartë, si dhe rëndësinë jetike të rritjes së efiçencës në sistemin e drejtësisë dhe zbatimin e plotë të reformës në drejtësi, si një nga objektivat dhe prioritetet madhore të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
U DH Ë Z O N:
1. Administrata shtetërore, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, heq dorë nga rekurset e paraqitura përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, kundër vendimeve të gjykatave të apelit dhe të Gjykatës Administrative të Apelit, për çështjet me natyrë civile dhe administrative me objekt:
a) zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lindin nga marrëdhëniet e punës, në të cilat administrata shtetërore, në përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, shfaqet në cilësinë e punëdhënësit, kur gjykata e apelit apo Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë që ka vendosur pranimin e padisë dhe përmbushjen e detyrimit nga institucioni, në vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
b) njohjen/vërtetimin e vjetërsisë në punë, si dhe vërtetësinë/pavërtetësinë/njohjen e të dhënave të dokumentit (librezë pune, regjistër themeltar, listëpagesa, libër pagash, vërtetim e të tjerë);
c) shpërblimin për dëmet pasurore apo jopasurore, kontraktore ose jashtëkontraktore ndaj personave fizikë e juridikë, privatë, vendas e të huaj, kur gjykata e apelit apo Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë që ka vendosur pranimin e padisë dhe shpërblimin e dëmit nga institucioni, në vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
ç) ndryshimin, shfuqizimin apo konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ, të nxjerrë nga organi publik, kur plotëson një nga këto kushte:
i. Këto kërkime nuk janë të shoqëruar me kërkimin për shpërblimin e dëmit apo për shlyerjen e detyrimeve të tjera financiare, si dhe nuk dëmtojnë interesat pasurore të shtetit; ose
ii. Gjykata e apelit ose Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë për pranimin e padisë dhe detyrimin e organit publik për shpërblimin e dëmit apo shlyerjen e detyrimeve të tjera financiare, në vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
d) detyrimin e organit publik për të nxjerrë aktin administrativ për të kryer veprimin administrativ ose një veprim tjetër administrativ, kur plotëson një nga këto kushte:
i. Këto kërkime nuk janë të shoqëruara me kërkimin për shpërblimin e dëmit apo për shlyerjen e detyrimeve të tjera financiare, si dhe nuk dëmtojnë interesat pasurore të shtetit; ose
ii. Gjykata e apelit ose Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë për pranimin e padisë dhe detyrimin e organit publik për shpërblimin e dëmit apo shlyerjen e detyrimeve të tjera financiare, në vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi.
2. Përveç çështjeve me objekt të cilësuar, sipas pikës 1, të këtij udhëzimi, administrata shtetërore, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, heq dorë nga rekurset e paraqitura, përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi edhe për:
a) paditë e tjera, pavarësisht llojit të kërkimeve në objekt, të depozituara prej institucioneve të administratës shtetërore, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, për të gjitha çështjet administrative dhe civile me vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi, për të cilat gjykatat e apelit ose Gjykata Administrative e Apelit kanë vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë për rrëzimin e padisë;
b) paditë që, pavarësisht llojit të kërkimeve në objekt dhe vlerës së tyre, rezultojnë të kenë mbetur pa objekt, për shkak të shuarjes së rrethanave të çështjes;
c) paditë për të cilat, pavarësisht llojit të kërkimeve në objekt, gjykata e apelit apo Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë për pranimin e padisë dhe përmbushjen e detyrimit dhe/ose shpërblimin e dëmit nga organi publik, në vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi, i cili është ekzekutuar plotësisht dhe që plotëson një nga kushtet e mëposhtme:
i. Çështja është humbur nga organi publik në të dyja shkallët e para të gjykimit; ose
ii. Çështja vlerësohet si e pafitueshme, nisur nga vendimet unifikuese/njësuese të kolegjeve të bashkuara ose të kolegjeve të veçanta.
3. Rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij udhëzimi, zbatohen edhe nga shoqëritë tregtare me mbi 50% kapital shtetëror, aksionet ose kuotat e të cilave zotërohen nga institucionet e administratës shtetërore, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave.
4. Heqja dorë nga rekursi, sipas këtij udhëzimi, bëhet vetëm në rastet kur Gjykata e Lartë nuk ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi.
5. Heqja dorë nga rekursi bëhet me shkrim, sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin procedural civil dhe administrativ, pasi organi administrativ ta ketë arsyetuar atë në bazë të një prej rasteve të parashikuara në dispozitat e këtij udhëzimi.
6. Në rastet kur institucioni përfaqësohet nga Avokatura e Shtetit, kjo e fundit shqyrton kërkesën e institucionit ndërgjyqës për heqjen dorë nga rekursi, përpara se ajo të dorëzohet pranë Gjykatës së Lartë. Në rast se edhe Avokatura e Shtetit konstaton rrethanat e heqjes dorë, sipas përcaktimeve të këtij udhëzimi, ajo vijon me paraqitjen e kërkesës për heqjen dorë nga rekursi pranë Gjykatës së Lartë.
7. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore dhe shoqëritë tregtare me mbi 50% kapital shtetëror, aksionet ose kuotat e të cilave zotërohen nga institucionet e administratës shtetërore, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, për zbatimin e këtij udhëzimi.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DEGËVE TË THESARIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e degëve të thesarit, si degë territoriale të ministrisë përgjegjëse për financat.
2. Numri i degëve të thesarit është 36 (tridhjetë e gjashtë), sipas aneksit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Degët e thesarit financohen nga buxheti i shtetit. Buxheti i tyre është pjesë e buxhetit të sistemit të ministrisë përgjegjëse për financat.
4. Misioni i degëve të thesarit është kontrolli financiar dhe kontabël për miratimin e transaksioneve të njësive shpenzuese dhe arkëtuese buxhetore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe raportimi i të dhënave të realizimit të buxhetit.
II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I DEGËVE TË THESARIT
1. Secila degë thesari e ushtron veprimtarinë e saj brenda territorit për të cilën ajo është krijuar.
2. Detyrat kryesore të degëve të thesarit janë, si më poshtë vijon:
a) Ushtron kontroll formal e dokumentar, si dhe kontroll të destinacionit dhe të shumës së fondeve në dispozicion për transaksionet e shpenzimeve buxhetore;
b) Rakordon e raporton të ardhurat e njësive buxhetore të ngarkuara në sistemin informatik financiar të qeverisë nga sistemi bankar;
c) Regjistron, dokumenton, rakordon e raporton realizimin e treguesve buxhetorë dhe pasqyrat financiare të njësive buxhetore, në përputhje me metodologjinë e miratuar;
ç) Konfirmon pagesat e njësive shpenzuese buxhetore, duke respektuar limitet e arkës të përcaktuara nga njësia përgjegjëse për thesarin në ministri, në sistemin informatik financiar;
d) Harton treguesit e performancës së njësive buxhetore.
3. Drejtuesi i degës territoriale drejton degën përkatëse territoriale dhe i raporton e i jep llogari drejtpërdrejt sekretarit të përgjithshëm të ministrisë përgjegjëse për financat. Në përditshmërinë e punës së tyre, degët e thesarit komunikojnë dhe raportojnë pranë drejtuesit të njësisë përgjegjëse për thesarin në ministrinë përgjegjëse për financat.
4. Struktura dhe organika e degëve të thesarit miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
5. Marrëdhëniet e punës së titullarëve të degëve të thesarit dhe nëpunësve të tyre rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
6. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të çdo dege të thesarit miratohet nga ministri përgjegjës për financat, me propozimin e titullarit përkatës të degës, nëpërmjet njësisë përgjegjëse për thesarin në minstri.
7. Degët e thesarit kanë stemat, logot dhe vulat e tyre zyrtare. Stema e secilës degë thesari ka shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Dega e Thesarit …”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës.
8. Vula e secilës degë thesari ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
III. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Për nëpunësit civilë aktualë të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit dhe degëve të saj zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit. Për punonjësit administrativë zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.
2. Deri në miratimin e strukturës e të organikës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe të degëve të thesarit, sipas këtij vendimi, struktura ekzistuese vazhdon funksionimin e saj sipas strukturës dhe organikës së miratuar.
3. Ministri përgjegjës për financat, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatit e ndjek zbatimin e procedurave për miratimin e strukturës dhe të organikës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përfshirë si pjesë përbërëse të saj njësinë përgjegjëse për thesarin, si dhe strukturën e organikën e degëve të thesarit.
4. Numri i punonjësve dhe fondet e miratuara për Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit kalojnë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ndërsa numri i punonjësve dhe fondet e miratuara për degët e thesarit kalojnë pranë këtyre të fundit, si degë territoriale të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
5. Vendimi nr.298, datë 23.5.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit”, shfuqizohet.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, degët e thesarit dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË RREGULLAVE TË TRANSFERIMIT TË TË DREJTAVE MINERARE NGA ZOTËRUESI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 4, të nenit 41, të ligjit nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. KRITETET PËR TRANSFERIMIN E LEJEVE MINERARE
1. Lejet minerare, të dhëna sipas procedurave konkurruese, janë të transferueshme pas një periudhe 5-vjeçare nga data e dhënies së lejes dhe me miratimin paraprak të ministrit përgjegjës për veprimtarinë minerare.
2. Lejet e tjera minerare, të dhëna sipas procedurave të ligjit nr.7796, datë 17.2.1994, “Ligji minerar i Shqipërisë”, të ndryshuar, janë të transferueshme vetëm pas miratimit paraprak nga ministri përgjegjës për veprimtarinë minerare.
3. Kriteret, që duhet të përmbushin personat juridikë, të cilëve do t’u transferohet leja minerare, janë:
a) Ligjore:
i. Të jetë një person juridik, vendas ose i huaj, i regjistruar në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi;
ii. Të pranojë sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim, së bashku me transferimin e lejes minerare, përgjegjësinë për të gjitha detyrimet kundrejt shtetit apo palëve të treta, të cilat rrjedhin nga leja minerare që transferohet;
iii. Të dyja subjektet, zotëruesi i lejes minerare dhe përfituesi i saj, të pranojnë sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim se ndërtimet dhe instalimet e tjera, që mbështesin operacionet kryesore të veprimtarisë minerare, vlerësohen veprimtari ndihmëse të pandashme të së drejtës minerare dhe transferohen bashkë me të.
b) Financiare:
Të kenë aftësi financiare për vazhdimin e realizimit të investimeve të programuara për të zhvilluar veprimtarinë minerare, në përputhje me parashikimet e nënndarjes “i”, të shkronjës “dh”, të pikës 6, të këtij kreu.
c) Teknike dhe profesionale:
Të kenë aftësi teknike dhe profesionale për realizimin e projektit të zhvillimit të veprimtarisë minerare dhe projektit të rehabilitimit të mjedisit, në përputhje me parashikimet e shkronjave “e”, “f”, “g” e të pikës 6, të këtij kreu.
4. Zotëruesi i lejes minerare paraqet në Qendrën Kombëtare të Biznes (QKB) dokumentacionin e plotë për transferimin e lejes minerare. QKB-ja pas verifikimit të dokumentacionit e përcjell atë pranë ministrisë përgjegjëse për veprimtarinë minerare.
5. Dokumentet për vlerësimin e përmbushjes së kritereve të transferimit, që duhet të plotësojnë kërkuesit për transferimin e një lejeje minerare, janë, si më poshtë vijon:
a) Kërkesa në QKB për transferimin e lejes minerare nga zotëruesi i lejes minerare, ku të jetë përcaktuar arsyeja/arsyet e transferimit;
b) Vendimi i asamblesë së ortakëve/asamblesë së përgjithshme të shoqërisë zotëruese të lejes minerare për transferimin e lejes minerare;
c) Vendimi për marrjen e lejes i asamblesë së ortakëve/asamblesë së përgjithshme së shoqërisë që kërkon t’i transferohet leja minerare;
ç) Aktmarrëveshja e nënshkruar përpara noterit, ndërmjet dy shoqërive për transferimin e lejes minerare, ku të jetë përcaktuar që subjekti, i cili kërkon t’i transferohet leja minerare, pranon së bashku me transferimin e lejes minerare, përgjegjësinë për të gjitha detyrimet kundrejt shtetit apo palëve të treta, të cilat rrjedhin nga leja minerare që transferohet, si dhe detyrimet, sipas përcaktimeve të ligjit nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
6. Dokumentet e subjektit, që kërkon t’i transferohet leja minerare, janë, si më poshtë vijon:
a) Vërtetimi se subjekti ka statusin aktiv;
b) Vërtetimi se subjekti nuk është i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë dhe nuk është në ndjekje penale;
c) Ekstrakti nga QKB-ja për regjistrimin si person juridik, në objektin e të cilit të jetë përfshirë edhe zhvillimi i veprimtarisë minerare;
ç) Vërtetimi i lëshuar nga administrata tatimore se subjekti ka paguar të gjitha detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe ka plotësuar detyrimet fiskale;
d) Vërtetimi se subjekti ka paguar detyrimet për energjinë elektrike, të lëshuara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike;
dh)Konfirmimi për burimet financiare të nevojshme për realizimin e investimeve të programuara për të zhvilluar veprimtarinë minerare, të vërtetuar nga dokumentet e mëposhtme:
i. Kopja e pasqyrave financiare të dy viteve të fundit, e certifikuar nga administrata tatimore;
ii. Vërtetimi nga banka që konfirmon se personi juridik ka të depozituara në numrin e llogarisë të paktën 20% të vlerës së investimit të parashikuar për t’u realizuar në programin e investimeve. Vërtetimi duhet të jetë lëshuar jo më parë se 30 (tridhjetë) ditë nga dita e dorëzimit të dokumenteve;
iii. Në rastet kur shoqëria ka paraqitur një dokument noterial me një investitor, i cili garanton mbështetje financiare për realizimin e programit të investimit, ky dokument duhet të shoqërohet me dokumentet që provojnë burimet financiare të këtij të fundit, të përcaktuara në nënndarjet “i” dhe “ii”, të shkronjës “dh”, të kësaj pike.
e) Vërtetime mbi përvojën në fushën minerare apo referenca për përmbushje të suksesshme të punimeve minerare të ngjashme, të lëshuara nga një ent publik ose privat, që tregon vlerën, kohën dhe natyrën e punimeve të ekzekutuara, dhe/ose çfarëdolloj dokumenti tjetër që parashikon legjislacioni minerar në fuqi. Në rast se subjekti nuk ka përvojë në fushën minerare, atëherë ai duhet të paraqesë një dokument noterial (marrëveshje bashkëpunimi) në të cilin shprehet vullneti për mbështetje teknike nga një subjekt me përvojë në fushën minerare. Subjekti mbështetës duhet të vërtetojë eksperiencën e tij në fushën minerare me dokumentacionin e parashikuar në këtë vendim.
ë) Historiku i aktivitetit të shoqërisë;
f) Kualifikimet arsimore dhe profesionale të stafit përgjegjës për drejtimin e punimeve që lidhen me ekzekutimin e punimeve të planit të investimit, si Curriculum Vitae, diploma, leje profesionale apo dokumente të tjera të ngjashme;
g) Certifikata profesionale e drejtuesit teknik dhe kontrata me drejtuesin teknik;
gj) Vetëdeklarimi mbi punonjësit dhe stafin drejtues të shoqërisë;
h) Lista e mjeteve, e shoqëruar me dokumentet që vërtetojnë të drejtat reale që subjekti gëzon ndaj tyre (pronësi, qira, përdorim apo çdolloj tjetër posedimi).
7. Dokumentet e zotëruesit të lejes minerare janë, si më poshtë vijon:
a) Vërtetimi i lëshuar nga administrata tatimore se subjekti ka paguar të gjitha detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe ka plotësuar detyrimet fiskale;
b) Miratimi nga strukturat përgjegjëse për kapacitetet e prodhimit vjetor, vlerën e investimeve, vlerat e garancive, të përcaktuara në nenin 31, të ligjit nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
II. RREGULLAT PËR TRANSFERIMIN E LEJEVE MINERARE NGA ZOTËRUESI
1. Vlerësimi i kushteve të transferimit dhe dokumentet vërtetuese për kërkesat për transferimin e një lejeje minerare realizohen nga drejtoria përkatëse në ministrinë përgjegjëse për veprimtarinë minerare, në bazë të dokumentacionit të përcjellë nga QKB-ja. Kjo drejtori harton aktin e transferimit ose refuzimit të lejes minerare, që miratohet nga ministri përgjegjës për veprimtarinë minerare.
2. Ministri përgjegjës për veprimtarinë minerare, brenda një afati prej 60 (gjashtëdhjetë) ditësh kalendarike nga data e paraqitjes së dokumentacionit, nënshkruan aktin e miratimit ose refuzimit të transferimit të lejes minerare, të cilin e dërgon në QKB. Në rastin e refuzimit, subjektet e interesuara kanë të drejtën e ankimimit sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative.
3. Akti i transferimit depozitohet pranë strukturës përgjegjëse dhe transferimi regjistrohet në Regjistrin Kombëtar të Licencave/Autorizimeve dhe Lejeve, duke e plotësuar me të dhënat e identifikimit të zotëruesit të ri. Data e transferimit është data e regjistrimit në Regjistrin Kombëtar të Licencave/Autorizimeve dhe Lejeve. Akti i transferimit regjistrohet edhe në regjistrin minerar nga strukturat përgjegjëse.
4. Të dyja shoqëritë pjesëmarrëse në transferimin e lejes minerare informohen për miratimin ose jo të kërkesës nga QKB-ja brenda 5 (pesë) ditëve nga miratimi i aktit të transferimit.
IV. TË FUNDIT
1. Vendimi nr.362, datë 29.4.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kritereve dhe rregullave të transferimit, mënyrës së aplikimit për shtyrjen e afateve dhe shndërrimit të lejeve minerare”, shfuqizohet.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Qendra Kombëtare e Biznesit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË KUKËSIT
Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës, dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Zenel Kuçana, prefekt i Qarkut të Kukësit, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Ali Hallaçi emërohet prefekt i Qarkut të Kukësit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM NOTASH, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË FRANCËS, PËR SHKËMBIMIN DHE MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10 460, DATË 13.9.2011
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Francës, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar, ratifikuar me ligjin nr.10460, datë 13.9.2011, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “HEKURUDHAT SHQIPTARE- REHABILITIMI I LINJËS HEKURUDHORE TIRANË- DURRËS DHE NDËRTIMI I LINJËS HEKURUDHORE PËR NË AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.29/2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë- Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, ratifikuar me ligjin nr.29/2017, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, LIDHUR ME KUSHTIN E MARRËVESHJES ME SHKRIM PËR NJËSITË E PAPËRSHTATSHME SIPAS LEAHY
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me kushtin e marrëveshjes me shkrim për njësitë e papërshtatshme sipas Leahy, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.1 TË MARRËVESHJES NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË AUSTRIAKE PËR ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN “MBËSHTETJA E BASHKIMIT EVROPIAN PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË UJIT NË SHQIPËRI”, TË MIRATUAR ME VENDIMIN NR.587, DATË 4.9.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin të Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.1 të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim, për projektin “Mbështetja e Bashkimit Evropian për menaxhimin e integruar të ujit në Shqipëri”, të miratuar me vendimin nr.587, datë 4.9.2019, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT, NË BUXHETIN E VITIT 2022, PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, 4, 5 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Masa e financimit, prej 113 000 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2022, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret, si më poshtë vijon:
a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 33 600 000 (tridhjetë e tre milionë e gjashtëqind mijë) lekë, të ndarë në:
i. 13 824 000 (trembëdhjetë milionë e tetëqind e njëzet e katër mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore, për 72 (shtatëdhjetë e dy) punonjës të administratës;
ii. 19 776 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 103 (njëqind e tre) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 26 496 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, të ndarë:
i. 20 160 000 (njëzet milionë e njëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore, për 105 (njëqind e pesë) punonjës të administratës;
ii. 6 336 000 (gjashtë milionë e treqind e tridhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 33 (tridhjetë e tre) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 26 496 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, të ndarë:
i. 6 528 000 (gjashtë milionë e pesëqind e njëzet e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore, për 34 (tridhjetë e katër) punonjës të administratës;
ii. 19 968 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 104 (njëqind e katër) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 26 408 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e tetë mijë) lekë, të ndarë:
i. 4 992 000 (katër milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore, për 26 (njëzet e gjashtë) punonjës të administratës;
ii. 14 416 000 (katërmbëdhjetë milionë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë mijë) lekë, si kontribut në ndërtimin e Teqesë së Elbasanit;
iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë-preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2022, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.
2. Kalimi i fondit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të bëhet njëherësh, brenda muajit maj të vitit 2022.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.612, DATË 5.9.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT “PËR AKCIZAT””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 108 e 109 të ligjit nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.612, datë 5.9.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Pas pikës 5, të nenit 24 “Humbjet e pakthyeshme”, shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:
“6. Në zbatim të nenit 11 të ligjit, pullat fiskale, që shkatërrohen plotësisht gjatë procesit të vendosjes nga makineritë e prodhimit ose ambalazhimit të produkteve të akcizës, konsiderohen si humbje të pranuara, në rast se konfirmohen me deklaratë vjetore të lëshuar nga fabrikat prodhuese ose ambalazhuese, por, në çdo rast, jo më shumë se niveli mesatar vjetor që nuk kalon 0,5% për artikujt e kapitullit 24 tё Nomenklaturës sё Kombinuar tё Mallrave dhe deri në 1% pёr rastet e tjera, të totalit të pullave të përdorura nga operatori gjatë vitit. Pёr kёtё sasi pullash, qё shkatërrohen plotësisht nga makineritë, nuk përllogariten detyrime akcize apo penalitete.
6.1. Pullat e akcizёs tё shkatёrruara plotёsisht nga makineritё llogariten si vijon: gjendja e pullave nё fillim tё vitit plus furnizimet gjatё vitit minus totalin e pullave të vendosura nё produktet e akcizёs gjatё vitit, pullave të kthyera gjatё vitit pёr t’u asgjёsuar me prezencёn e organeve doganore dhe gjendjen nё fund tё vitit.
6.2. Deklarata faktike pёr humbjet e pranuara tё pullave, qё shkatërrohen plotësisht nga makineritё dhe nuk mund t’i kthehen fizikisht organeve doganore, hartohet nga prodhuesit e mallrave qё bёjnё vendosjen e pullave dhe depozitohet nё Drejtorinë e Pёrgjithshme tё Doganave brenda datёs 31 mars tё çdo viti për vitin e mëparshëm kalendarik. Operatorёt, qё furnizohen nga disa fabrika prodhuese jashtë vendit, bëjnë njё deklaratё përmbledhëse vjetore, e cila paraqitet nga operatori në Drejtorinë e Pёrgjithshme tё Doganave brenda datёs 31 mars tё çdo viti për vitin e mëparshëm kalendarik.”.
Neni 2
Në nenin 48/1, “Produktet e akcizës pa pullë fiskale, që pranohen në një magazinë fiskale stokimi/magazinë doganore”, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Vendosja e pullave të akcizës në ambientet e magazinave fiskale të stokimit/magazinave doganore kryhet sipas përcaktimeve të nenit 41, të ligjit.”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Në përfundim të procesit të vendosjes së pullave të akcizës në produktet e akcizës hartohet procesverbali përkatës, në të cilin pasqyrohen të gjitha të dhënat në lidhje me sasinë e pullave të akcizës të vendosura dhe sasinë e produkteve të akcizës sipas llojeve tek të cilat u aplikuan pullat e akcizës. Në rastet kur autoritetet doganore mbikëqyrëse sigurojnë prezencën gjatë procesit të vendosjes së pullave, procesverbali nënshkruhet nga përfaqësuesi i autoriteteve doganore dhe depozituesi i miratuar/importuesi.”.
Neni 3
Dispozitë transitore
Pёr periudhat e mёparshme pёrpara hyrjes nё fuqi tё kёtyre ndryshimeve, operatorёt kanё afat deri mё 31 korrik 2022 pёr dorёzimin e deklaratave faktike pёr humbjet e pranuara, sipas parashikimeve të nenit 1, të këtij vendimi.
Neni 4
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1090, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR FUNKSIONIMIN E REGJISTRIT TË PRONARËVE PËRFITUES, PËR MËNYRËN E KOMUNIKIMIT NË FORMË ELEKTRONIKE DHE SHKËMBIMIT TË TË DHËNAVE NDËRMJET QENDRËS KOMBËTARE TË BIZNESIT DHE ORGANEVE PËRGJEGJËSE SHTETËRORE, SI DHE PËR MËNYRËN E AFATET E KOMUNIKIMIT MES REGJISTRIT TË PRONARËVE PËRFITUES, REGJISTRIT TREGTAR DHE REGJISTRIT TË ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 7, 7, pika 9, 13, pika 7, e 14, pika 3, të ligjit nr.112/2020, “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.1090, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Kreu II ndryshohet, si më poshtë vijon:
“II. RREGULLAT PËR MËNYRËN E TRANSFERIMIT TË TË DHËNAVE NGA REGJISTRI TREGTAR DHE REGJISTRI I ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE
1. Të dhënat e përgjithshme për subjektin raportues, sipas ligjit për regjistrin e pronarëve përfitues, të regjistruara në Regjistrin Tregtar dhe në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse transferohen automatikisht në mënyrë elektronike, nëpërmjet ndërveprimit të këtyre bazave të të dhënave shtetërore, si të dhëna dytësore në Regjistrin e Pronarëve Përfitues.
2. Në përputhje me pikën 1, të nenit 15/1, të ligjit nr.112/2020, “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, të ndryshuar, regjistrimi fillestar i të dhënave për pronarët përfitues nga subjektet raportuese ekzistuese, të regjistruara në Regjistrin Tregtar me pronësi direkte, kryhet sipas parashikimeve vijuese të këtij kreu.
3. QKB-ja identifikon subjektet raportuese ekzistuese, të regjistruara në Regjistrin Tregtar me pronësi direkte, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.6/2022, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.112/2020, “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, të ndryshuar, nuk kanë përmbushur detyrimin për regjistrimin fillestar të pronarëve të tyre përfitues.
4. QKB-ja, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, brenda datës 30.6.2022, nga baza e të dhënave ekzistuese në Regjistrin Tregtar transferon në Regjistrin e Pronarëve Përfitues të dhënat e pronarëve përfitues që identifikohen sipas përcaktimeve ligjore, në lidhje me subjektet e përcaktuara sipas pikës 3, të këtij kreu.”.
b) Pika 3, e kreut IV, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Me marrjen e njoftimit të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, e deri në pagimin e saj dhe kryerjen e regjistrimit të detyrueshëm, QKB-ja ose autoriteti përgjegjës për mbajtjen e Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse zbaton masat e parashikuara nga neni 13, i ligjit nr.112/2020, “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, të ndryshuar,”.
2. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Qendra Kombëtare e Biznesit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT TË BASHKËPUNIMIT ARSIMOR, SHKENCOR, KULTUROR DHE RINOR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË IZRAELIT, PËR VITET 2022-2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e programit të bashkëpunimit arsimor, shkencor, kulturor dhe rinor, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë të shtetit të Izraelit, për vitet 2022-2025, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR PRONËSINË INTELEKTUALE, 2022-2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Pronësinë Intelektuale, 2022-2025, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Financave dhe Ekonomisë, ministri i Kulturës, ministritë, institucionet qendrore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të përmendura në tekstin e kësaj strategjie, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT TË TRAKTATIT TË ATLANTIKUT TË VERIUT PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË FINLANDËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Republikës së Finlandës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT TË TRAKTATIT TË ATLANTIKUT TË VERIUT PËR ADERIMIN E MBRETËRISË SË SUEDISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Mbretërisë së Suedisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR PËRCAKTIMIN E STANDARDEVE DHE TEKNIKAVE TË ÇAKTIVIZIMIT TË ARMËVE TË ZJARRIT DHE PJESËVE KRYESORE TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 18/1, të ligjit nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për përcaktimin e standardeve dhe teknikave të çaktivizimit të armëve të zjarrit dhe pjesëve kryesore të tyre”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “SISTEMIM – ASFALTIM I RRUGËS “FUAT TOPTANI””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Sistemim – asfaltim i rrugës “Fuat Toptani””.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 65 798 622 (gjashtëdhjetë e pesë milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e njëzet e dy) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit është 65 798 622 (gjashtëdhjetë e pesë milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e njëzet e dy) lekë dhe përballohet nga Bashkia Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, pasqyron në kartelat e pasurive të paluajtshme informacionin për miratimin e shpronësimit, për interes publik, të pasurive, pronë private, të cilat preken nga realizimi i projektit. Regjistrimi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Tiranë të kryhet pas aplikimit nga bashkia për shërbimin përkatës.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.71, DATË 2.2.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS SË PËRFITIMIT NGA PUNONJËSIT DHE ISH-PUNONJËSIT E RAFINERISË SË NAFTËS, BALLSH”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.71, datë 2.2.2022, të Këshillit të Ministrave, në shkronjën “b”, të pikës 3, të kreut II, “Kriteret dhe dokumentacioni për përfitimin e ndihmës financiare”, pas fjalës “… invaliditeti …” shtohet “… të plotë …”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.436, DATË 3.6.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITERIT TË NOTËS MESATARE PËR PRANIMIN E KANDIDATËVE NË PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË PARË DHE NË PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË OSE TRANSFERIMIN E STUDIMEVE NË VITET E NDËRMJETME TË KËTYRE PROGRAMEVE, NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, PËR VITET AKADEMIKE 2020–2021 DHE 2021-2022 E NË VIJIM”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 74, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 3, të vendimit nr.436, datë 3.6.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Kandidatët, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, minimalisht me notë mesatare 6.5 (gjashtë pikë pesë), mund të aplikojnë edhe në programet e studimit të gjuhëve të huaja dhe në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë, të përcaktuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të vendimit, por këta kandidatë pajisen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore me numër të veçantë matrikullimi, i cili nuk i lejon të ndjekin më pas programet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë.”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Qendra e Shërbimeve Arsimore, institucionet e arsimit të mesëm të lartë, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SIGURIMIN E JETËS SË PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QË DËRGOHET NË MISIONE USHTARAKE DHE STËRVITJE JASHTË VENDIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 6, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministria e Mbrojtjes siguron jetën e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që dërgohet në misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit, për vitet 2022 dhe 2023.
2. Sigurimi i jetës së personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që dërgohet në misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit, për vitet 2022 dhe 2023, bëhet sipas kontratës që lidhet me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Ky sigurim mbulon ngjarjet në rastet e:
a) humbjes së jetës për shkak të detyrës apo si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të saj;
b) zhdukjes;
c) paaftësisë së përhershme të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së misionit ushtarak dhe/ose stërvitjes jashtë vendit;
ç) paaftësisë së përkohshme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së misionit ushtarak dhe/ose stërvitjes jashtë vendit;
d) shërbimeve mjekësore në spitalet publike ose private brenda dhe/apo jashtë shtetit, kur mbulimet shëndetësore nuk ofrohen në spitalet publike.
3. Shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit, për çdo person të siguruar, nuk mund të jetë më e ulët se:
a) 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës për shkak të detyrës a zhdukjes së personit;
b) 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për rastet e dëmtimit të rëndë fizik;
c) 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për rastet e dëmtimit të lehtë fizik;
ç) 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës, si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të detyrës.
4. Kushtet standarde të kontratës së sigurimit, përfshirë tabelën e koeficientëve të përfitimit ndaj dëmtimeve trupore, të miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shërbejnë si kushte minimale, të detyrueshme për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimeve.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, për secilin vit.
6. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E ORGANIZATAVE TË PUNËDHËNËSVE DHE TË ORGANIZATAVE SINDIKALE NË KËSHILLIN KOMBËTAR TË PUNËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 200, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Organizatat e punëdhënësve dhe organizatat sindikale, anëtarë të Këshillit Kombëtar të Punës, janë si më poshtë vijon:
A. Për organizatat e punëdhënësve:
a) Bashkimi i Bizneseve Shqiptare (BIZNES ALBANIA) 1 anëtar, 1kandidat;
b) Shoqata Shqiptare e Bankave (SHSHB) 1 anëtar, 1 kandidat;
c) Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë (SHNSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
ç) Shoqata Shqiptare e Turizmit (SHSHT) 1 anëtar, 1 kandidat;
d) Byroja Shqiptare e Sigurimeve (BSHS) 1 anëtar, 1 kandidat;
dh) Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) 1 anëtar, 1 kandidat;
e) Bashkimi i Investitorëve dhe Industrialistëve Shqiptarë (BI&ISH) 1 anëtar, 1 kandidat;
ë) Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptare” (SHBPSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
f) Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve/Këpucëve – Proeksport Albania (DHKPVPA) 1 anëtar, 1 kandidat;
g) Shoqata e Bukës Pastiçerisë dhe Brumërave (SHBPB) 1 anëtar, 1 kandidat;
B. Për organizatat sindikale:
a) Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
b) Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë (SPASH) 1 anëtar, 1 kandidat;
c) Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë (SPMSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
ç) Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Ndërtimit dhe Shërbimeve Publike të Shqipërisë (SPPNSHPSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
d) Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
dh) Federata e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë (FPISH) 1 anëtar, 1 kandidat;
e) Federata e Sindikatave të Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor (FSPSHSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
ë) Federata e Sindikatave të Punonjësve të Tekstileve, Konfeksioneve dhe Shërbimeve të Artizanatit të Shqipërisë (FSPTKSHASH) 1 anëtar, 1 kandidat;
f) Federata e Sindikatave të Punonjësve të Shërbimeve Financiare, Tregtare, Bankare dhe Turizmit (FSPSHFTBTSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
g) Sindikata Autonome e Ushqimit, Agrikulturës, Tregtisë dhe Turizmit (SAUATT) 1 anëtar, 1 kandidat;
2. Emërimi i anëtarëve dhe i kandidatëve të Këshillit Kombëtar të Punës bëhet nga ministri përgjegjës për punën, sipas propozimeve të organizatave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
3. Vendimi nr.129, datë 7.3.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e organizatave të punëdhënësve dhe të punëmarrësve në Këshillin Kombëtar të Punës”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Ministria Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MËNYRËS SË MBLEDHJES DHE ADMINISTRIMIT TË TË DHËNAVE TË HUMBJEVE NGA FATKEQËSITË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 48, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë ruhen dhe përpunohen të dhënat, si më poshtë vijon:
a) Të dhëna për datën e ndodhjes së fatkeqësisë, shtrirjen territoriale të saj dhe çdo e dhënë tjetër mbi fatkeqësinë konkrete;
b) Të dhëna për dëmet materiale dhe jomateriale, të shkaktuara nga fatkeqësia;
c) Të dhëna për humbjet e shkaktuara nga fatkeqësia.
2. Të dhëna parësore konsiderohen të dhënat e grumbulluara nga kjo bazë të dhënash, të cilat janë:
a) të dhëna mbi fatkeqësinë, të cilat do të përfshijnë informacion për:
i. llojin e fatkeqësisë;
ii. datën e ndodhjes së fatkeqësisë;
iii. shtrirjen territoriale të fatkeqësisë;
b) të dhëna për dëmet e shkaktuara, të cilat do të përfshijnë informacion për:
i. listën e pronave publike dhe shtetërore të dëmtuara, si dhe shkallën e dëmeve të shkaktuara;
ii. listën e pronave private të dëmtuara, si dhe shkallën e dëmeve të shkaktuara;
iii. listën e dëmeve të shkaktuara në mjedis;
iv. listën e pasurive kulturore të dëmtuara, si dhe shkallën e dëmeve të shkaktuara;
v. numrin e personave të plagosur, të prekur nga sëmundje infektive dhe sëmundjet që lidhen me traumën e shkaktuar.
c) të dhëna mbi humbjet, të cilat do të përfshijnë informacion për:
i. numrin e humbjeve në jetë njerëzish;
ii. humbjet në gjënë e gjallë, duke përcaktuar llojin e gjësë së gjallë, sasinë dhe koston financiare për çdo lloj;
iii. koston financiare të kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia;
iv. koston e shpenzimeve për marrjen e masave rehabilituese ndaj fatkeqësive në infrastrukturën e dëmtuar;
v. koston e shpenzimeve për marrjen e masave parandaluese ndaj fatkeqësive në infrastrukturën e dëmtuar.
3. Të dhëna dytësore, të cilat administrohen nga një tjetër bazë të dhënash shtetërore dhe reflektohen në Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë, përmes ndërveprimit, janë:
a) të dhënat identifikuese për personat e vdekur ose të dëmtuar si pasojë e ndodhjes së një fatkeqësie;
b) të dhënat identifikuese për pasuritë e paluajtshme.
4. Baza e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë shkëmben informacion e ndërvepron me baza shtetërore të të dhënave elektronike, si më poshtë vijon:
a) Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, për të dhënat dytësore që lidhen me përbërësit e gjendjes civile të personave të vdekur.
b) Bazën Shtetërore të të Dhënave Kadastrale, për të dhënat dytësore që lidhen me përbërësit dhe elementet identifikuese të pasurive të paluajtshme.
5. Dhënës të informacionit në Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë janë:
a) bashkitë për territorin e tyre;
b) ministritë e linjës dhe institucionet qendrore sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë;
c) institucionet e tjera publike dhe subjekte private, në bazë të kërkesës së AKMC-së.
6. AKMC-ja, kur vlerëson se institucionet e tjera publike zotërojnë informacion për një fatkeqësi dhe, për shkak të natyrës së veprimtarisë, institucioni nuk ka privilegjet e përdoruesit dhe ndërvepruesit në Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë, kërkon zyrtarisht prej tyre dhënien e informacionit. Kërkesa për informacion drejtuar institucionit publik i bëhet me dije edhe organit të tij epror.
7. AKMC-ja, kur vlerëson se një subjekt privat, i cili, për shkak të veprimtarisë, zotëron informacion për një fatkeqësi apo është cenuar nga një fatkeqësi, kërkon zyrtarisht prej tij dhënien e informacionit.
8. Në kërkesën për informacion drejtuar institucioneve të tjera publike dhe subjekteve private, AKMC-ja duhet të përcaktojë qartësisht informacionin dhe të dhënat konkrete që kërkohen, formën dhe mënyrën e dhënies së informacionit.
9. Institucionet e tjera publike dhe subjektet private, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës, duhet të japin informacionin e kërkuar nga ana e AKMC-së.
10. Në rastet kur për shkaqe objektive informacioni i kërkuar është i pamundur të jepet brenda afatit 15-ditor, institucionet e tjera publike dhe subjektet private i kërkojnë AKMC-së shtyrjen e afatit të dhënies së informacionit, duke shpjeguar arsyet. Afati për dhënien e informacionit mund të shtyhet deri në 15 ditë, pas përfundimit të afatit 15-ditor.
11. Detyrimet e institucioneve në lidhje me Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë janë:
a) AKMC-ja, si administrator i Bazës së të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë, në bashkëpunim me njësinë e dedikuar pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka këto detyra:
i. Sigurimin e vazhdueshmërisë së pandërprerë dhe mirëfunksionimin e Bazës së të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë;
ii. Arkivimin e sigurt të të dhënave dhe ruajtjen periodike të kopjeve të të dhënave në mjedis rezervë, të shkëputur dhe të pavarur nga sistemi kryesor;
iii. Sigurimin e një alternative funksionale edhe në rastin kur sistemi kryesor nuk mund të përdoret për arsye objektive;
iv. Analizimin e nevojave për ndryshime në bazën e të dhënave, me qëllim përmirësimin dhe përditësimin e të gjitha elementeve përbërëse të saj;
v. Krijimin dhe administrimin për nivelet e aksesit në Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë;
vi. Krijimin e përdoruesve me privilegjet përkatëse për të punuar në Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë;
vii. Shpërndarjen e privilegjeve për përdoruesit dhe heqjen e së drejtës për të punuar në Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë, në rast të largimit të tyre nga funksioni;
viii. Mbikëqyrjen dhe monitorimin e veprimeve që kryhen në Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë, në përgjithësi;
ix. Ndryshimin apo anulimin në nivelin e aksesit të një përdoruesi pa njoftim, kur vëren se ai nuk zbaton rregullat e përdorimit, dyshohet se po i shkakton dëm Bazës së të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë në përgjithësi ose nuk përdor Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë për realizimin e detyrave, brenda një afati të përcaktuar nga AKMC-ja;
x. Hedhjen e të dhënave parësore të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, për institucionet e tjera publike dhe subjektet private, në përputhje me informacionin e marrë prej tyre, sipas përcaktimit të pikave 7 e 8, të këtij vendimi;
xi. Hartimin e udhëzimeve për funksionet e Bazës së të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë në ndihmë të përdoruesve të tij;
xii. Trajnimin e përdoruesve të Bazës së të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë.
b) Ministritë e linjës dhe institucionet qendrore, sipas fushës së përgjegjësisë, kanë detyrim hedhjen dhe përditësimin e të dhënave parësore në Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.
c) Bashkitë, brenda territorit të tyre administrativ, kanë detyrim hedhjen dhe përditësimin e të dhënave parësore në Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.
ç) Prefekti i qarkut ka detyrimin të sigurojë që bashkitë në juridiksionin e vet të hedhin dhe të përditësojnë të dhënat e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, për fatkeqësitë e ndodhura.
12. Nivelet e aksesit për subjektet e interesuara:
a) AKMC-ja, si administrator i sistemit, ka të drejtë leximi, shkrimi dhe modifikimi të dhënave në sistem;
b) Bashkitë kanë të drejtë leximi, shkrimi dhe modifikimi për të dhënat që lidhen me territorin e juridiksionit të tyre;
c) Prefekti i qarkut ka të drejtë leximi për të dhënat e administruara nga bashkitë në territorin e juridiksionit të tij;
ç) Ministritë e linjës dhe institucionet qendrore kanë të drejtë leximi, shkrimi dhe modifikimi për të dhënat që lidhen me fushën e tyre të përgjegjësisë.
13. Të drejtat dhe detyrimet e përdoruesve të Bazës së të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë janë:
a) të ruajnë konfidencialitetin e privilegjeve të aksesit në Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë, si dhe të mbajnë përgjegjësi personale të drejtpërdrejtë, në rast të shkeljes së rregullave, të pakujdesisë apo të keqpërdorimit të nivelit të tyre të aksesit;
b) të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave personale të personave të dëmtuar, si pasojë e një fatkeqësie, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale;
c) të përdorin Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë vetëm për realizimin e detyrave të tyre;
ç) të përditësojnë të dhënat sipas fushës së përgjegjësisë.
14. Ministritë e linjës, institucionet qendrore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore ushtrojnë të drejtat dhe detyrimet që kanë për Bazën e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë, nëpërmjet të paktën një përdoruesi me privilegjet përkatëse.
15. Të gjitha ndryshimet në arkitekturën software dhe hardware të sistemit “Baza e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë”, të cilat mund të ndodhin në varësi të nevojave të institucionit dhe praktikave evropiane e ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të dhënave, bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
16. Efektet financiare të këtij vendimi do të mbulohen nga fondi i dedikuar i buxhetit të shtetit për mbrojtjen civile.
17. Ngarkohen bashkitë për territorin e tyre administrativ – territorial, prefekti i qarkut për bashkitë dhe strukturat e tjera që veprojnë në nivel qarku, ministritë e linjës dhe institucionet qendrore, sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë, institucionet e tjera publike dhe subjekte private, në bazë të kërkesës së AKMC-së dhe në veçanti AKMC-ja, si administrator i Bazës së të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë dhe Njësia e dedikuar pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË KRUJË, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE FUSHË-KRUJË, TË NJË PJESE TË PASURIVE 303, 173, 174/2 DHE TË PASURISË 174/1, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 1665
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Krujë, për njësinë administrative Fushë-Krujë, të një pjese të pasurive 303, 173, 174/2 dhe të pasurisë 174/1, me vendndodhje në zonën kadastrale 1665, sipas formularit dhe planeve të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në funksion të procesit të rindërtimit në njësinë administrative Fushë-Krujë, për të prekurit nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019.
2. Ngarkohen Bashkia Krujë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA