Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Qershor 2024:
V E N D I M
PËR
AUTORIZIMIN E AUTORITETIT PORTUAL DURRËS PËR TË NEGOCIUAR DREJTPËRDREJT DHE PËR TË LIDHUR MARRËVESHJE KONSULENCE ME SUBJEKT NDËRKOMBËTAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 52, të ligjit nr.16/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.162/2020, “Për prokurimin publik””, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
1. Autorizimin e Autoritetit Portual Durrës për të negociuar drejtpërdrejt dhe për të lidhur marrëveshje konsulence me subjektin ndërkombëtar “Royal Haskoning DHV””, brenda fushës së kompetencës së saj, një fushë me interes strategjik për proceset e konkurrimit, kontraktimit, ndërtimit dhe mbikëqyrjes së portit të ri të integruar të Durrësit në Porto Romano.
2. Ky autorizim qëndron në fuqi jo më shumë se 3 (tre) vjet nga hyrja në fuqi e ligjit nr.16/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.162/2020, “Për prokurimin publik””.
3. Ngarkohet Autoriteti Portual Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN E FUNKSIONIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ANTIKORRUPSIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6, pika 2, e 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit (në vijim DPAK), si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për antikorrupsionin (në vijim ministri), në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, me seli në Tiranë.
2. DPAK-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Misioni i DPAK-së është të sigurojë parandalimin e goditjen e korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore/entet publike/shoqëritë tregtare me kapital shtetëror.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ANTIKORRUPSIONIT
DPAK-ja ka përgjegjësi funksionale të organizojë punën për:
a) koordinimin e përcaktimin e instrumenteve të domosdoshme për implementimin e politikave të fushës kundër korrupsionit;
b) zhvillimin e projekteve e të programeve në fushën kundër korrupsionit;
c) rritjen e ndërgjegjësimit për zbatimin e politikave të fushës kundër korrupsionit;
ç) kryerjen e hetimit administrativ në kuadër të denoncimeve ose ankesave për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare për zbatimin e ligjshmërisë, si dhe identifikimin e punonjësve të institucioneve ku DPAK-ja shtrin aktivitetin, të cilët, me veprime apo mosveprime, kanë kryer shkelje të akteve ligjore/nënligjore në fuqi;
d) ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të dhëna ndaj institucioneve.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ANTIKORRUPSIONIT
1. DPAK-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror, si drejtori e përgjithshme.
2. DPAK-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj, përfaqëson institucionin në marrëdhënie me të tretët dhe përgjigjet para Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.
3. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të DPAK-së rregullohen sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
4. Drejtori i Përgjithshëm emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit. Drejtori i Përgjithshëm duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike, në një nga degët e arsimit të lartë;
ç) Të ketë të paktën 5 (pesë) vite përvojë pune në profesion;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
e) Të mos jetë angazhuar në funksione drejtuese partiake të paktën 5 (pesë) vitet e fundit para emërimit;
ë) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.
5. Drejtori i Përgjithshëm lirohet nga detyra kur:
a) humbet shtetësinë shqiptare;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor apo merr formë të prerë vendimi gjyqësor për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar;
c) plotëson kushtet për pension pleqërie;
ç) i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
d) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi;
dh) ristrukturohet institucioni;
e) jep dorëheqjen nga detyra.
6. Drejtori i Përgjithshëm shkarkohet nga detyra kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
b) kryen shkelje të rënda gjatë detyrës;
c) nuk përmbush objektivat strategjikë të institucionit;
ç) ka performancë të dobët në ushtrimin e detyrës;
d) kryen veprimtari që krijon konflikt interesash, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave;
dh) mungon në detyrë, pa shkaqe të arsyeshme, për më shumë se 30 (tridhjetë) ditë në vijim/radhazi.
7. Ministri, në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit:
a) përcakton drejtimet strategjike dhe objektivat e zhvillimit institucional, në përputhje me prioritetet dhe politikat shtetërore për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit;
b) propozon politikat në fushën e antikorrupsionit;
c) nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, si dhe organizatat vendore, rajonale e ndërkombëtare në fushën e luftës kundër korrupsionit, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
ç) u dërgon kërkesë institucioneve ku DPAK-ja shtrin aktivitetin për emërimin e koordinatorit antikorrupsion;
d) raporton drejtpërdrejt para Kryeministrit për veprimtarinë e DPAK-së dhe të koordinatorëve sa herë kërkohet nga ky i fundit.
8. Drejtori i Përgjithshëm i DPAK-së ushtron përgjegjësitë e mëposhtme:
a) Drejton, organizon dhe kontrollon veprimtarinë e DPAK-së;
b) Mbikëqyr punën e nëpunësve dhe koordinatorëve antikorrupsion;
c) Miraton procedura standarde të brendshme për mbarëvajtjen e punës;
ç) I propozon ministrit ndryshimin e akteve ligjore e nënligjore brenda fushës së veprimtarisë që mbulon DPAK-ja, duke argumentuar edhe arsyet mbi këto propozime;
d) Menaxhon buxhetin e DPAK-së dhe është përgjegjës për mënyrën e shpenzimit të tij, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin;
dh) Informon dhe raporton te ministri sa herë që i kërkohet dhe jo më pak se një herë në 3 muaj mbi çështje të caktuara që kanë të bëjnë me veprimtarinë e DPAK-së;
e) Miraton planet e hetimit;
ë) Delegon ankesat, rast pas rasti, te nëpunësit e DPAK-së apo te koordinatorët kundër korrupsionit;
f) Për raste specifike dhe kur ka mungesë të ekspertizës brenda DPAK-së, vendos për angazhimin e ekspertëve të jashtëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
9. DPAK-ja për të realizuar misionin dhe për të ushtruar përgjegjësitë, sipas këtij vendimi, kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Mbështet ministrin për hartimin e politikave në fushën e antikorrupsionit;
b) Mbledh informacionin për veprimtaritë korruptive dhe praktikat abuzive nga burime të ndryshme dhe kryen hetimin administrativ brenda fushës së përgjegjësisë;
c) Planifikon dhe kryen hetime administrative për rastet e dyshuara si praktika abuzive ose korruptive, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi;
ç) Bashkëpunon me agjencitë homologe të huaja, agjencitë e zbatimit të ligjit, struktura të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me organizatat jofitimprurëse për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në institucionet, pjesë e fushës së zbatimit të këtij vendimi, dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushën e antikorrupsionit;
d) Harton dhe rishikon në mënyrë periodike analizën e vlerësimit të riskut për korrupsionin;
dh) Përpunon të dhëna lidhur me veprimtarinë që ushtron dhe i publikon ato në mënyrë periodike në faqen e saj zyrtare, me qëllim garantimin e transparencës dhe informimin e publikut;
e) Paraqet kallëzim penal në organin e prokurorisë në rastet e dyshimit të arsyeshëm, verifikimit të indicieve apo administrimit të provave për praktikën korruptive;
ë) Monitoron veprimtarinë e koordinatorëve antikorrupsion dhe kryen vlerësimin e punës së tyre çdo 6 (gjashtë) muaj;
f) Kryen detyra të tjera të ngarkuara nga legjislacioni në fuqi dhe ministri në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.
10. Në rastet e hetimeve të thelluara, për shkak të njohurive të veçanta që kërkon hetimi ose verifikimi i një çështjeje, në grupin e punës së DPAK-së mund të përfshihen edhe ekspertë të administratës shtetërore dhe/ose ekspertë të jashtëm.
11. Në rastin kur është e nevojshme përfshirja e ekspertëve nga administrata shtetërore, drejtori i Përgjithshëm i DPAK-së paraqet kërkesën pranë institucionit që mbulon fushën përkatëse për vendosjen në dispozicion të ekspertit/ekspertëve, i cili/të cilët kanë kualifikimet e cilësitë e kërkuara për kryerjen e hetimeve.
12. Titullarët e institucioneve sipas pikës 11, të këtij kreu, duhet të vendosin në dispozicion ekspertë nga administrata shtetërore, të cilët përmbushin kriteret përkatëse. Ekspertët e administratës shtetërore e ushtrojnë veprimtarinë e tyre nën drejtimin e drejtuesit të grupit të hetimit të thelluar, sipas përcaktimeve të urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së dhe brenda afatit të përcaktuar në këtë urdhër.
13. Ekspertët e administratës shtetërore dhe ekspertët e jashtëm, të angazhuar në hetime të thelluara sipas përcaktimeve të këtij kreu, nënshkruajnë deklaratë konfidencialiteti.
14. Në çdo rast, në përfundim të hetimit të thelluar dhe hetimit administrativ hartohet raport përfundimtar, i cili i propozohet për miratim drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së.
15. Procedura e hetimit administrativ nga DPAK-ja kryhet në bazë të kreut VI, të këtij vendimi.
16. DPAK-ja kryen rolin e koordinatorit kundër korrupsionit në ato institucione ku vendi i koordinatorit mbetet bosh, deri në plotësimin e tij.
17. Struktura dhe organika e DPAK-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
18. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të DPAK-së dhe të koordinatorëve kundër korrupsionit miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së. Pjesë e rregullores është edhe procesi i vlerësimit të punës së koordinatorëve kundër korrupsionit, duke iu referuar, për sa është e mundur, procesit të vlerësimit të nëpunësve civilë.
19. DPAK-ja ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema e DPAK-së përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
20. Vula e DPAK-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
21. Përveç pagës mujore, nëpunësit e DPAK-së përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën:
a) 65 000 (gjashtëdhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor i përgjithshëm”, si dhe “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” e “specialist”, në drejtorinë që mbulon hetimin, analizën dhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve;
b) 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” dhe “specialist”, në drejtorinë që mbulon zbatimin e politikave të fushës kundër korrupsionit.
IV. KOORDINATORËT KUNDËR KORRUPSIONIT
1. Institucionet, entet publike dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, ku krijohet pozicioni i koordinatorit kundër korrupsionit janë, si më poshtë vijon:
a) Operatori i Blerjeve të Përqendruara, sh.a;
b) Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore;
c) Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
ç) Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura;
d) Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural;
dh) Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në nivel qendror dhe në drejtoritë vendore, sipas përcaktimit të DPAK-së;
e) Agjencia e Trajtimit të Pronave;
ë) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
f) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
g) Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
gj) Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar;
h) Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
i) Instituti i Shëndetit Publik;
j) Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit;
k) Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
l) Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
ll) Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial;
m) Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë;
n) Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor;
nj) Posta Shqiptare;
0) Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”;
p) Spitali Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”;
q) Spitali Universitar i Traumës;
r) Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”;
rr) Qendra Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”;
s) Shërbimi Social Shtetëror.
2. Koordinatorët kundër korrupsionit të përmendur në pikën 1, të këtij kreu, ushtrojnë veprimtarinë e tyre për institucionin ku janë emëruar në nivel qendror dhe rajonal/vendor.
3. Koordinatorët kundër korrupsionit emërohen nga titullari i institucionit me kërkesë të Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, për një afat 2-vjeçar. Marrëdhëniet e punës së koordinatorit rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
4. Në institucionet e administratës shtetërore, entet publike dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, të përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu, pagat e të cilëve miratohen nga një organ i ndryshëm nga Këshilli i Ministrave, niveli i pozicionit “Koordinator kundër korrupsionit” është i njëjtë me nivelin e punonjësit më të lartë pas titullarit të institucionit ku është emëruar.
5. Lirimi dhe shkarkimi nga detyra i koordinatorit bëhet nga titullari i institucionit, entit publik ose shoqërisë tregtare me kapital shtetëror, sipas kërkesës së Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.
6. Koordinatori përgjigjet para drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së për të gjithë veprimtarinë e ushtruar në rolin e koordinatorit.
7. Procedurat e përzgjedhjes e të rekrutimit të kandidatëve për koordinator përcaktohen në rregulloren e brendshme të DPAK-së. Në rast të mbarimit të mandatit, sipas përcaktimit në pikën 3, të këtij kreu, koordinatori, të cilit i ka përfunuduar mandati, mund të emërohet si koordinator në të njëjtin pozicion apo në një institucion tjetër të përcaktuar në këtë kre, bazuar në vlerësimin e punës, pa kaluar në një procedurë të re rekrutimi.
8. Kandidatët për koordinatorë kundër korrupsionit duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) Të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
b) Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike, në një nga degët e arsimit të lartë, sipas përcaktimit në shpalljen publike;
c) Të kenë të paktën 2 (dy) vite përvojë pune në profesion;
ç) Të mos jenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
d) Ndaj tyre të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
dh) Të mos kenë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.
9. Koordinatori kundër korrupsionit lirohet nga detyra kur:
a) përfundon mandati;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor apo merr formë të prerë vendimi gjyqësor për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar;
c) plotëson kushtet për pension pleqërie;
ç) i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
d) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi;
dh) ristrukturohet institucioni;
e) jep dorëheqjen nga detyra.
10. Koordinatori kundër korrupsionit shkarkohet nga detyra kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
b) kryen shkelje të rënda gjatë detyrës;
c) nuk përmbush objektivat;
ç) ka performancë të dobët në ushtrimin e detyrës;
d) kryen veprimtari që krijon konflikt interesash, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave;
dh) mungon në detyrë, pa shkaqe të arsyeshme, për më shumë se 30 (tridhjetë) ditë në vijim/radhazi.
11. DPAK-ja vë në dijeni Koordinatorin Kombëtar kundër Korrupsionit, në rast se konstaton parregullsi gjatë ushtrimit të detyrave nga koordinatori.
12. Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, në varësi të shkeljes së konstatuar, i propozon titullarit të institucionit, entit publik apo shoqërisë tregtare me kapital shtetëror pezullimin e koordinatorit ose marrjen e masës disiplinore për largimin nga funksioni.
13. Procedura që ndiqet për ecurinë disiplinore përcaktohet në rregulloren e brendshme të DPAK-së, duke iu referuar, për sa është e mundur, procedurës displinore të nëpunësve civilë.
14. Koordinatori raporton për veprimtarinë e kryer prej tij, çdo 3 (tre) muaj, pranë DPAK-së dhe/ose sa herë kërkohet nga kjo e fundit.
V. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË KOORDINATORËVE
Koordinatori ushtron këto detyra:
a) Mbledh informacion për veprimtaritë korruptive, praktikat abuzive apo arbitrare nga burime të ndryshme dhe kryen hetime administrative;
b) Bashkëpunon me strukturat e brendshme të institucionit, entit publik apo shoqërisë tregtare me kapital shtetëror për shqyrtimin e rasteve të korrupsionit;
c) Këshillon, udhëzon e ndërgjegjëson nëpunësit dhe qytetarët për identifikimin e adresimin e rasteve korruptive pranë institucioneve të tyre;
ç) Vlerëson rrezikun e korrupsionit duke analizuar mundësitë e shfaqjes së formave të veçanta të korrupsionit;
d) Harton raportin përfundimtar të rastit, objekt verifikimi, dhe e përcjell atë pranë DPAK-së;
dh) Kryen çdo detyrë tjetër të parashikuar në këtë vendim ose të deleguar nga drejtori i Përgjithshëm i DPAK-së, në përputhje me kompetencat e tij;
e) Në çdo rast, ndjek e raporton pranë DPAK-së zbatimin e rekomandimeve të marra nga institucioni përkatës;
ë) Kërkon hetim të thelluar, sipas rastit, nga DPAK-ja.
VI. PROCEDURA E VERIFIKIMIT, ADMINISTRIMI DHE DOKUMENTIMI
1. Nëpunësit e DPAK-së/koordinatorët kanë pavarësi gjatë verifikimit të rasteve korruptive, praktikave abuzive apo arbitrare.
2. Nëpunësit e DPAK-së/koordinatorët fillojnë procedurën e hetimit në bazë të ankesave apo denoncimeve, të cilat administrohen nga DPAK-ja.
3. Informacionet, ankesat dhe denoncimet anonime trajtohen vetëm në rastet kur të dhënat e paraqitura pranë koordinatorit sigurojnë bazë të mjaftueshme për të filluar procedurën e verifikimit.
4. Për çdo procedurë hetimi apo verifikimi, nëpunësit e DPAK-së/koordinatorët hapin një dosje të veçantë, e cila përmban çdo dokumentacion të ardhur, të marrë apo të mbledhur, lidhur me praktikën në fjalë. Në përfundim të kontrollit, materiali i dosjes ruhet e administrohet sipas legjislacionit në fuqi për arkivat.
5. Nëpunësit e DPAK-së/koordinatorët dokumentojnë çdo sqarim apo shpjegim, që i jepet nga personi denoncues. Për të provuar shkeljen, nëpunësi i DPAK-së/koordinatori mund të kërkojë ballafaqimin e personit denoncues me nëpunësin e institucionit, në rastin kur pranon të mos i ruhet anonimati.
6. Në rastet kur denoncimi vjen nga nëpunës të institucionit, i cili kërkon që identiteti i tij të mos zbulohet, nëpunësi i DPAK-së/koordinatori duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar zbulimin e identitetit të tij, edhe nëse nga vlerësimi i rastit nuk konstatohen shkelje.
7. Gjatë verifikimit, nëpunësi i DPAK-së/koordinatori ka të drejtë të mbledhë informacione dhe dokumente, të cilat bëhen pjesë e dosjes së verifikimit.
8. Dokumentacioni i administruar në kuadër të një verifikimi duhet të jetë i shoqëruar me vulën përkatëse të institucionit për të garantuar vërtetësinë e tij.
9. Nëpunësi, të cilit i është kërkuar dorëzimi i dokumenteve të shkruara dhe/ose materialeve të tjera pranë nëpunësit të DPAK-së/koordinatorit, duhet të sigurojë që materiali i kërkuar të dorëzohet menjëherë dhe, në çdo rast, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune nga paraqitja e kërkesës.
10. Në përfundim të hetimit ose të verifikimit dhe përpara formulimit të raportit përfundimtar, nëpunësit përgjegjës i vihet në dispozicion aktkonstatimi nëpërmjet protokollit apo e-mail-it zyrtar dhe i kërkohet të dokumentojë komente, sqarime apo shpjegime për çështje që lidhen me objektin e verifikimit, si dhe për fakte e rrethana të tjera që kanë lidhje me to brenda 7 (shtatë) ditëve. Komentet, sqarimet, shpjegimet apo dokumentacioni shtesë i nëpunësit përgjegjës bëhen pjesë e dosjes së verifikimit dhe pasqyrohen në raportin përfundimtar. Në rast refuzimi nga nëpunësi përgjegjës për të dhënë sqarime, nëpunësi i DPAK-së/koordinatori dokumenton refuzimin e vijon me hartimin e raportit përfundimtar.
11. Pas përfundimit të procedurës së verifikimit, nëpunësi i DPAK-së/koordinatori harton raportin përfundimtar të arsyetuar, i cili përmban metodologjinë e verifikimit të kryer, gjetjet, si dhe rekomandimet për ecurinë e trajtimit të rastit dhe e përcjell pranë drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së për miratim.
12. Në rast se drejtori i Përgjithshëm i DPAK-së vlerëson se raporti përfundimtar i hartuar nga nëpunësi i DPAK-së/koordinatori nuk është i plotë apo ka mangësi në referimin e dokumenteve provuese, kthen praktikën dhe udhëzon për vazhdimin e verifikimeve për rastin.
13. Në rast se nga raporti përfundimtar vlerësohet se nuk ka shkelje administrative apo elemente të veprës penale, nëpunësi i DPAK-së/koordinatori i propozon drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së mbylljen dhe arkivimin e çështjes.
14. Në rast se, bazuar në raportin përfundimtar, vlerësohet se ka shkelje administrative, i propozohet drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së të miratojë raportin dhe ta përcjellë atë pranë drejtuesit të institucionit përgjegjës.
15. Kur, bazuar në raportin përfundimtar vlerësohet se rasti përmban elemente të veprës penale, i propozohet drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së përcjellja e çështjes në organin e Prokurorisë, së bashku me të gjithë dokumentacionin e administruar.
16. Gjatë procesit të verifikimit, administrimit dhe dokumentimit, për çështjet që nuk parashikohen në këtë vendim respektohen parimet e përgjithshme dhe dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative.
VI. BASHKËPUNIMI
1. Me kërkesën e Kryeministrit, DPAK-ja kryen të gjithë procedurën e hetimit administrativ të përcaktuar në këtë vendim, në ministritë e linjës dhe çdo institucion tjetër të administratës shtetërore.
2. DPAK-ja bashkëpunon me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe/ose çdo platformë tjetër të ankesave publike on-line.
3. DPAK-ja bashkëpunon e merr informacion nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe kryen të gjithë procedurën e hetimit administrativ të përcaktuar në këtë vendim për raste korruptive.
4. DPAK-ja bashkëpunon me struktura të vendeve të tjera, përgjegjëse për çështjet kundër korrupsionit, sipas marrëveshjeve të lidhura për këtë qëllim, nëpërmjet ministrit.
5. Nëpunësit e DPAK-së/koordinatorët asistohen në veprimtarinë e tyre nga stafi i strukturave të administratës shtetërore, entit publik apo shoqërisë tregtare me kapital shtetëror ku zhvillojnë hetimin administrativ.
6. Institucionet dhe njësitë organizative, entet publike apo shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, të përmendura në pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi,:
a) vendosin në dispozicion të nëpunësit të DPAK-së/koordinatorit të gjitha aktet e materialet e kërkuara ose kopje të njësuara me origjinalin e tyre në kohën dhe në mënyrën e kërkuar. Në rastet kur informacioni i kërkuar është i klasifikuar, marrja dhe përdorimi i tij bëhen sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”;
b) bashkëpunojnë me koordinatorin e emëruar pranë institucionit të tyre dhe asistojnë atë për përmbushjen e misionit;
c) krijojnë kushtet e punës për koordinatorin;
ç) krijojnë infrastrukturën e nevojshme për aksesin e qytetarëve pranë zyrës së koordinatorit, sipas orareve të përcaktuara nga këta të fundit;
d) krijojnë akses në bazën e tyre të të dhënave, në të njëjtin nivel me punonjësit e auditimit të brendshëm apo të strukturave kundër korrupsionit.
7. Mosdhënia e informacionit të kërkuar, pengimi i nëpunësit të DPAK-së/koordinatorit në kryerjen e detyrave dhe çdo shkelje lidhur me dhënien e dokumentacionit apo të informacionit të kërkuar përbën shkak për të propozuar fillimin e ecurisë disiplinore ndaj nëpunësit përgjegjës dhe, në rast të përsëritur, informohet institucioni epror për marrjen e masave përkatëse.
8. Mosfillimi i procedurave për ndjekjen e rekomandimeve dhe masave të propozuara nga DPAK-ja përbën shkak për të propozuar fillimin e ecurisë disiplinore të titullarit përgjegjës nga institucioni epror, ku institucioni përgjegjës ka varësinë.
VIII. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të DPAK-së, sipas përcaktimeve të këtij vendimi:
a) struktura aktuale vazhdon funksionimin e saj sipas strukturës dhe organikës së miratuar;
b) funksionet e shërbimeve mbështetëse dhe të financës për llogari të DPAK-së kryhen nga njësitë përkatëse pranë Kryeministrisë.
2. Për nëpunësit civilë aktualë të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit, në Ministrinë e Drejtësisë, zbatohen procedurat e legjislacionit për nëpunësin civil, në rastin e mbylljes e të ristrukturimit të institucioneve.
3. Për koordinatorët, pjesë të rrjetit të koordinatorëve kundër korrupsionit, të cilëve sipas këtij vendimi iu shkurtohet pozicioni i punës, zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.
4. Vendimi nr.618, datë 20.10.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin e funksionimin e Rrjetit të Koordinatorëve kundër Korrupsionit”, i ndryshuar, shfuqizohet.
5. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, koordinatorët e rrjetit të koordinatorëve kundër korrupsionit, Kryeministria, ministritë e linjës, si dhe institucionet e administratës shtetërore, entet publike dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, pjesë e Rrjetit të Koordinatorëve, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË ELBASANIT
Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Ali Musliu emërohet prefekt i Qarkut të Elbasanit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Artemis Malo, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Besart Kadia, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN TEKNIK 2022, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI PËR NJË ZHVILLIM URBAN REZISTENT NDAJ NDRYSHIMEVE KLIMATIKE NË SHQIPËRI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2022, për projektin “Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.321, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT TË AGJENCISË SË MBIKËQYRJES POLICORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të pikave 1, shkronja “a”, e 3, të nenit 70, të ligjit nr.128/2021, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, dhe të shkronjës “h”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lidhja nr.1, e vendimit nr.321, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të personelit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2024, përballohen nga buxheti i miratuar dhe nga fondi i kontingjencës për rritjen e pagave, sipas përcaktimeve në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2024.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.326, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE MBËSHTETËS DHE PUNONJËSVE TË TJERË TË SPECIALITETEVE TË NDRYSHME NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 12, e vendimit nr.326, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës dhe punonjësve të tjerë të specialiteteve të ndryshme në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Për natyrë të veçantë pune u jepet një shtesë mbi pagën bazë mujore të klasës përkatëse, konkretisht:
a) punonjësve të sektorit të teknikës së shtypshkrimit në Qendrën e Botimeve Zyrtare, në masën 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
b) punonjësve shpëtues të sektorit të emergjencave dhe shpëtimit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, në masën 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj;
c) punonjësve të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në masën 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj;
ç) punonjësve në pozicionin “shofer-mekanik” në Qendrën e Shërbimeve dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit, në masën 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj;
d) punonjësve, të cilët punojnë në shërbimet e shëndetit mendor e që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët me probleme të shëndetit mendor, në masën 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj. Ministri përgjegjës për çështjet e shëndetësisë përcakton vendet e punës, që përfitojnë këtë shtesë me miratimin e strukturave të institucioneve shëndetësore përkatëse;
dh) punonjësve, të cilët punojnë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me të dënuarit, në masën 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj. Kjo shtesë aplikohet pas miratimit të strukturave të institucioneve të ekzekutimit të veprave penale përkatëse, sipas propozimit të ministrit përgjegjës për çështjet e drejtësisë;
e) punonjësve në pozicionin “shofer” në urgjencën e spitaleve, në masën 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
ë) punonjësve në pozicionin “rojë mjedisore” në administratat e zonave të mbrojtura, në masën 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj;
f) punonjësve në pozicionet “përgjegjës (shërbimi i ushqimit dhe restorantit)”, “kuzhinier”, “administrues hoteli” dhe “ndihmëskuzhinier” në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme, Durrës, në masën 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj;
g) punonjësve në pozicionet “laborant” dhe “teknik i mesëm aparaturash” në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, në masën 19 000 (nëntëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
gj) punonjësve në pozicionin “punëtor mirëmbajtjeje (krematoriumi)” në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, në masën 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
h) punonjësve në pozicionet “mjeshtër ndriçimi/fonie” dhe “mjeshtër rrobaqepës” në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në masën 24 000 (njëzet e katër mijë) lekë në muaj;
i) punonjësve në pozicionet “mjeshtër skene”, “mjeshtër parukier-grimier”, “mjeshtër garderobier”, “mjeshtër marangoz”, “mjeshtër këpucar”, “ndihmësmjeshtër grimier”, “mjeshtër dekori”, “mjeshtër rekuizite” “ndihmësmjeshtër rrobaqepës”, “ndihmësmjeshtër rekuizitier”, “ndihmësmjeshtër dekorator”, “ndihmësmjeshtër këpucar”, “ndihmësmjeshtër marangoz”, “ndihmësmjeshtër i mekanikës skenike”, “ndihmësmjeshtër parukier-grimier” dhe “ndihmësmjeshtër gardërobier”, në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në masën 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
j) punonjësve në pozicionet “mjeshtër ndriçimi/fonie” në Teatrin Kombëtar, në masën 24 000 (njëzet e katër mijë) lekë në muaj;
k) punonjësve në pozicionet “mjeshtër skene”, “mjeshtër parukier-grimier”, “mjeshtër garderobier”, “mjeshtër marangoz”, “mjeshtër këpucar”, “mjeshtër dekori”, “mjeshtër rekuizite” “ndihmësmjeshtër grimier”, “ndihmësmjeshtër ndriçim/fonie”, “ndihmësmjeshtër rekuizitier”, “ndihmësmjeshtër dekorator”, “ndihmësmjeshtër këpucar”, “ndihmësmjeshtër marangozerie”, “ndihmësmjeshtër i mekanikës skenike”, në Teatrin Kombëtar, në masën 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
l) punonjësit në pozicionin “magazinier”, në Kryeministri në masën 23 000 (njëzet e tre mijë) lekë në muaj;
ll) punonjësit e tjerë mbështetës dhe punonjësit e tjerë të specialiteteve të ndryshme në Kryeministri, aparatet e ministrive të linjës dhe në institucionet e pavarura në nivel qendror, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, në masën 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj;
m) punonjësit mbështetës dhe punonjësit e tjerë të specialiteteve të ndryshme, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, që nuk përfshihen në shkronjat “a” deri në “ll”, të kësaj pike, në masën 4 000 (katër mijë) lekë në muaj.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2024, përballohen nga buxheti i miratuar dhe fondi i kontingjencës për rritjen e pagave, sipas përcaktimeve në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 korrik 2024.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.600, DATË 9.10.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E SHËRBIMIT TË SIGURISË PUBLIKE NË INSTITUCIONET E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR DHE TË KRITEREVE PËR OFICERËT E SIGURISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 37, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Fjalia e parë, e pikës 1, të vendimit nr.600, datë 9.10.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Miratimin e shërbimit të sigurisë publike në institucionet e arsimit parauniversitar të mesëm të lartë, që kanë jo më pak se 80 nxënës, dhe në institucionet e arsimit parauniversitar bazë, që kanë jo më pak se 600 nxënës.”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.221, DATË 12.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 5, të ligjit nr.53/2022, “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 1, të vendimit nr.221, datë 12.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Znj. Elira Kokona, anëtar, zëvendësohet me znj. Eda Vengu.
2. Nënndarjet e tretë dhe e katërt ndryshohen, si më poshtë vijon:
“- Znj. Arta Gurabardhi, riemërim, anëtar;
– Znj. Evis Mamaj, riemërim, anëtar;”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.699, DATË 5.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS VLORË” (SHTESA)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.699, datë 5.10.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “arë”, “kullotë”, “pyll”, “dru frutorë”, “ullishte” dhe “pemëtore”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 260 289 121 (dyqind e gjashtëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet e një) lekësh, si më poshtë vijon:
a) Truall, me sipërfaqe 22 555 (njëzet e dy mijë e pesëqind e pesëdhjetë e pesë) m2, me vlerë 234 128 178 (dyqind e tridhjetë e katër milionë e njëqind e njëzet e tetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë;
b) Arë, me sipërfaqe 55 316 (pesëdhjetë e pesë mijë e treqind e gjashtëmbëdhjetë) m2, me vlerë 11 284 464 (njëmbëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e katër mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë;
c) Kullotë, me sipërfaqe 19 639 (nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e nëntë) m2, me vlerë 3 948 628 (tre milionë e nëntëqind e dyzet e tetë mijë e gjashtëqind e njëzet e tetë) lekë;
ç) Pyll, me sipërfaqe 4 187 (katër mijë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë) m2, me vlerë 690 855 (gjashtëqind e nëntëdhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekë;
d) Dru frutorë, me vlerë 6 732 500 (gjashtë milionë e shtatëqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind) lekë;
dh) Ullishte, me sipërfaqe 11 681 (njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e një) m2, me vlerë 3 134 644 (tre milionë e njëqind e tridhjetë e katër mijë e gjashtëqind e dyzet e katër) lekë;
e) Pemëtore, me sipërfaqe 1 813 (një mijë e tetëqind e trembëdhjetë) m2, me vlerë 369 852 (treqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e dy) lekë.”.
b) Në pikën 4 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
i. Në fjalinë e parë, pas fjalëve “dru frutorë” shtohet fjala “pemëtore”;
ii. Shuma “254 524 689 (dyqind e pesëdhjetë e katër milionë e pesëqind e njëzet e katër mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekë” zëvendësohet me “260 289 121 (dyqind e gjashtëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet e një) lekë” dhe shuma “234 390 718 (dyqind e tridhjetë e katër milionë e treqind e nëntëdhjetë mijë e shtatëqind e tetëmbëdhjetë) lekë” zëvendësohet me “240 155 150 (dyqind e dyzet milionë e njëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e njëqind e pesëdhjetë) lekë”.
c) Tabelës bashkëlidhur vendimit nr.699, datë 5.10.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.866, DATË 27.12.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “SISTEMIM, ASFALTIM E MASA INXHINIERIKE NË KM 21+050-22+050, NË RRUGËN QAFËTHANË – LIN – POGRADEC””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.866, datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen disa ndryshime dhe një shtesë:
1. Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “arë”, kultura bujqësore “drufrutorë” dhe “vresht”, me vlerë të përgjithshme prej 10 703 498 (dhjetë milionë e shtatëqind e tre mijë e katërqind e nëntëdhjetë e tetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 10 703 498 (dhjetë milionë e shtatëqind e tre mijë e katërqind e nëntëdhjetë e tetë) lekësh, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.”.
2. Tabelës, bashkëlidhur vendimit nr.866, datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
III. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E VLERAVE PËR SECILIN ELEMENT PËRBËRËS TË PAGËS BRUTO MUJORE, TË KOMPENSIMEVE TË TJERA FINANCIARE, QË PËRFITOJNË PUNONJËSIT E POLICISË SË BURGJEVE GJATË QËNDRIMIT NË PUNË, DHE PROCEDURAVE TË PËRFITIMIT TË KËTYRE KOMPENSIMEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Ky vendim ka për qëllim miratimin e:
a) vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Policisë së Burgjeve;
b) kompensimeve të tjera financiare për punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe procedurave për përfitimin e tyre.
II. PAGA BRUTO MUJORE
1. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore dhe vlerat për secilin element për punonjësit e Policisë së Burgjeve janë, si më poshtë vijon:
a) “Paga për gradë”, që përfaqëson nivelin e pagës së punonjësit, në përputhje me gradën që ka fituar brenda rolit përkatës. Vlera e pagës për gradë përcaktohet në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) “Shtesa për natyrë të veçantë pune”, që është shtesa për shkak të natyrës së veçantë të punës apo të shërbimit, për kohën që punonjësit ushtrojnë detyrat funksionale (sipas pozicioneve të miratuara në organikë) dhe që përcaktohet:
i. në lidhjen nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, kur ushtrojnë detyrat në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale;
ii. në lidhjen nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, kur ushtrojnë detyrat në aparatin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
c) “Shtesa për vjetërsi në shërbim”, që është shtesa që përfiton punonjësi i Policisë së Burgjeve me grada, për kohën e qëndrimit në gradë/shërbim dhe aplikohet në masën 1 (një) për qind, pas çdo viti pune. Llogaritja e shtesës për vjetërsi shërbimi bëhet mbi pagën e gradës “inspektor”, të rolit bazë.
2. Për efekt të llogaritjes së shtesës për vjetërsi në shërbim, sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij kreu, vite shërbimi konsiderohen vitet e qëndrimit në shërbim, të dokumentuara në librezën e punës apo në mungesë të librezës së punës me çdo dokument tjetër ligjor, të lëshuar nga organet kompetente përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, të çdo punonjësi në strukturat e Policisë së Burgjeve, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Gardës së Republikës së Shqipërisë, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Shërbimit Informativ të Shtetit, sipas ekuivalentimit në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave.
3. Vitet që përjashtohen nga llogaritja e shtesës së vjetërsisë së shërbimit, vetëm për efekt pagese, janë vitet e sigurimit vullnetar të vetëpunësimit, vitet e punës, si punonjës pa gradë, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare.
4. Aspirantët, që ushtrojnë detyrën në Policinë e Burgjeve gjatë periudhës 1-vjeçare, pas përfundimit të trajnimit trajtohen në pagë, në masën 80% të pagës së gradës “inspektor”, që llogaritet si shumë e dy elementeve të pagës, pagës për gradë dhe shtesës për natyrë të veçantë pune, sipas pozicionit ku ushtrojnë detyrën.
III. KOMPENSIMI PËR SHPENZIMET E UDHËTIMIT
1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, kur transferohet ose komandohet jashtë vendbanimit të tij, në rast pamundësie të garantimit nga institucioni të transportit, nga vendbanimi deri në vendin e punës, përfiton kompensim për shpenzimet e udhëtimit.
2. Masa e kompensimit të shpenzimeve të udhëtimit, sipas pikës 1, të këtij kreu, përcaktohet në varësi të distancës në kilometra të vendit të punës me vendbanimin e punonjësit, si më poshtë vijon:
Distanca në kilometra Masa e kompensimit në lekë për muaj
Nga 36 km deri 60 km 3 000 lekë/muaj
Nga 61 km deri 100 km 5 000 lekë/muaj
Nga 101 km deri 150 km 8 000 lekë/muaj
Nga 151 km deri 200 km 10 000 lekë/muaj
Mbi 200 km 15 000 lekë/muaj
3. Për përfitimin e kompensimit për shpenzimet e udhëtimit, punonjësi paraqet në institucionin ku është transferuar dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën me shkrim, pranë institucionit ku është i punësuar punonjësi;
b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
c) Certifikatën e gjendjes civile familjare;
ç) Vërtetimin nga njësia e vetëqeverisjes vendore për vendbanimin e familjes dhe të vetë punonjësit, pavarësisht nga gjendja civile;
d) Vërtetimin nga zyra vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nëse punonjësi është pronar i një banese, në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar;
dh) Vërtetimin nga zyra vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nëse punonjësi ka aplikuar për legalizim banese, në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar.
4. Titullari i njësisë shpenzuese verifikon nëpërmjet strukturave të institucionit vërtetësinë e dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 3, të këtij kreu, të paraqitur nga punonjësi.
5. Punonjësi i Policisë së Burgjeve e përfiton kompensimin për shpenzimet e udhëtimit në masën dhe sipas rregullave të përcaktuara në këtë kre, deri në momentin e sistemimit me banesë në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar.
IV. KOMPENSIMI PËR QIRANË E BANESËS
1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, kur transferohet ose komandohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, për shkak të detyrës ose për nevoja pune, kompensohet për qiranë e banesës, në rastet kur fjetja, transporti dhe ushqimi nuk sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Këtë kompensim punonjësi e përfiton nëse transferohet ose komandohet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale në largësi mbi 36 (tridhjetë e gjashtë) km nga vendbanimi i tij i përhershëm.
2. Masa e kompensimit për qira banese për punonjësin e Policisë së Burgjeve, sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij kreu, përcaktohet në varësi të personave në ngarkim që ka punonjësi, si më poshtë vijon:
Numri i personave në ngarkim Sipërfaqja e banesës për të cilën i kompensohet qeraja e banimit
I vetëm 43.93 m²
Punonjësi dhe një person në ngarkim 56.47 m²;
Punonjësi dhe dy persona në ngarkim 79.74 m²;
Punonjësi dhe tre persona e më shumë në ngarkim
80.50 m².
3. Numri i personave, pjesëtarë të familjes, në ngarkim të punonjësit të Policisë së Burgjeve, vërtetohet nëpërmjet certifikatës së gjendjes së tij familjare.
4. Njësia shpenzuese në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve bën kompensimin e qirasë së banesës së punonjësit të Policisë së Burgjeve, përkundrejt paraqitjes së kontratës së qirasë, në vlerë jo më të madhe se vlera minimale e qirasë, e përcaktuar në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave, për qëllime tatimore. Vlera minimale mujore e çmimit të shitjes për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira do të përllogaritet në bazë të vlerës mesatare të shitblerjeve të banesave në tregun e lirë, sipas njësive administrative, të përcaktuara në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.
5. Për përfitimin e kompensimit për qira banese, sipas pikave 1 deri në 4, të këtij kreu, punonjësi paraqet në institucionin, ku është transferuar, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën me shkrim pranë njësisë buxhetore ku është i punësuar;
b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
c) Certifikatën e gjendjes familjare;
ç) Kontratën e noterizuar të qirasë së banesës në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku punonjësi është transferuar ose komanduar;
d) Vërtetimin nga zyra vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, që punonjësi nuk ka banesë në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar;
dh) Vërtetimin nga zyra vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nëse punonjësi nuk ka aplikuar për legalizim banese në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar.
6. Titullari i njësisë shpenzuese verifikon, nëpërmjet strukturave të varësisë, vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga punonjësi dhe zbatimin e kontratës së qirasë.
7. Përcaktimi i apartamentit të banimit, që punonjësi i Policisë së Burgjeve do të marrë me qira, si dhe i masës së pagesës së qirasë, sipas përcaktimeve në këtë kre, bëhet nga një komision vlerësimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, i cili përzgjedh ofertën më të leverdisshme, mbi bazën e shqyrtimit të 3 (tri) ofertave të marra nga ky punonjës, nga 3 (tri) shoqëri imobiliare.
8. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, pasi merr miratimin për ofertën e përzgjedhur, sipas përcaktimit në pikën 7, të këtij kreu, nënshkruan kontratën e qirasë së apartamentit të banimit për një periudhë 6-mujore, me të drejtë ripërtëritjeje me të njëjtat kushte. Kontrata e qirasë, detyrimisht, duhet të bëhet në një zyrë noterie.
9. Procedurat standarde të punës për verifikimin e vërtetësisë së dokumentacionit të paraqitur nga punonjësi i Policisë së Burgjeve të lidhjes e të zbatimit të kontratës së qirasë dhe pagesës së qirasë së banesës, sipas përcaktimeve të këtij kreu, miratohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
10. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, që përfiton kompensim për qiranë e banesës, nuk përfiton kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit.
11. Fondi i përcaktuar për kompensimin e qirave të banesave, sipas parashikimeve të këtij kreu, planifikohet çdo vit në programin buxhetor të Policisë së Burgjeve.
12. Përfitimi i kompensimit për qiranë e banesës vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar.
V. TRAJTIMI ME USHQIM PA PAGESË OSE KOMPENSIMI I SHPENZIMEVE TË USHQIMIT
1. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i siguron punonjësit të Policisë së Burgjeve, në rastet kur transferohet ose komandohet jashtë vendbanimit, trajtimin me ushqim pa pagesë:
a) me një vakt, kur kohëzgjatja e punës së punonjësve të Policisë së Burgjeve është 8 (tetë) orë;
b) me tri vakte, kur punonjësit e Policisë së Burgjeve janë të angazhuar në shërbime apo gatishmëri dhe kohëzgjatja e shërbimit ose e gatishmërisë zgjat 24 (njëzet e katër) orë.
2. Normat e ushqimit ditor të kalorive për të gjithë punonjësit përfitues, sipas pikës 1, të këtij kreu, miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për Policinë e Burgjeve dhe të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, ku përcaktohen:
a) normat e artikujve ushqimorë, brenda limitit të miratuar të kalorive, duke ruajtur raportin e njësive ushqimore;
b) normat e zëvendësimit të artikujve ushqimorë;
c) normat e pajisjeve dhe të materialeve të shërbimit të ushqimit.
3. Në rastet kur Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk siguron trajtimin me ushqim pa pagesë, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij kreu, punonjësit të Policisë së Burgjeve i jepet një kompensim në vlerë monetare për shpenzimet e ushqimit, për ditët efektive të punës. Vlera e kompensimit (në lekë) të shpenzimeve të ushqimit bëhet bazuar në normën e përcaktuar ushqimore dhe miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
4. Punonjësi i Policisë së Burgjeve përfiton trajtimin me ushqim pa pagesë apo kompensimin e shpenzimeve të ushqimit, sipas këtij kreu, deri në momentin e sistemimit me banesë në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar.
5. Fondi i përcaktuar për këtë qëllim planifikohet për çdo vit në programin buxhetor të Policisë së Burgjeve.
VI. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2024, përballohen nga buxheti i miratuar për këtë institucion, si dhe nga fondi i kontingjencës për rritjen e pagave, sipas përcaktimeve në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar.
2. Vendimi nr.920, datë 25.11.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë e shtesa mbi pagë dhe për procedurën e kompensimit financiar gjatë qëndrimit në punë të punonjësve të Policisë së Burgjeve”, të ndryshuar, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2024.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E VLERAVE PËR SECILIN ELEMENT PËRBËRËS TË PAGËS BRUTO MUJORE TË PUNONJËSVE TË GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35, datë 25.5.2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të pikave 1, shkronja “a”, e 2, të nenit 48, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka për qëllim miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, sipas strukturave, në të cilat ushtrojnë detyrat funksionale.
2. Elementet e pagës bruto mujore dhe vlerat për secilin element janë, si më poshtë vijon:
a) Paga për gradë, që përfaqëson nivelin e pagës së punonjësit, në përputhje me gradën që ka fituar brenda rolit përkatës. Vlera e pagës për gradë përcaktohet në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
b) Shtesa për natyrë të veçantë pune, që u jepet punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, për natyrën e veçantë të punës e të shërbimit që kryejnë, vlerat e së cilës për çdo funksion/pozicion përfitues përcaktohen në lidhjen nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
c) Shtesa mbi pagë për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, që përcaktohet sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
ç) Shtesa për vjetërsi në shërbim, që është shtesa që përfiton punonjësi i Gardës së Republikës së Shqipërisë për çdo vit shërbimi. Kjo shtesë aplikohet në përqindje mbi pagën për gradë, të gradës “inspektor” dhe jepet në masën 1 (një) % për çdo vit, por jo më shumë se 25 (njëzet e pesë) vjet.
3. Për efekt të llogaritjes së shtesës për vjetërsi në shërbim, sipas shkronjës “ç”, të pikës 2, të këtij vendimi, “vite shërbimi” do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës apo, në mungesë të librezës së punës, me çdo dokument tjetër ligjor të lëshuar nga organet kompetente përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, të çdo punonjësi në strukturat e Gardës së Republikës së Shqipërisë, Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Policisë së Shtetit, Policisë së Burgjeve, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, si dhe në strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit.
4. Vitet që përjashtohen nga llogaritja e vjetërsisë në shërbim për efekt pagese janë vitet e sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa grada, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Brendshme e të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2024, përballohen nga buxheti i miratuar dhe fondi i kontingjencës për rritjen e pagave, sipas përcaktimeve në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar.
6. Vendimi nr.688, datë 18.11.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë për punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, shfuqizohet.
7. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2024.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E VLERAVE PËR SECILIN ELEMENT PËRBËRËS TË PAGËS BRUTO MUJORE DHE TË TRAJTIMEVE TË TJERA FINANCIARE PËR PUNONJËSIT E POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, e të pikave 1, shkronja “a”, dhe 2, të nenit 67, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka për qëllim miratimin e:
a) vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Policisë së Shtetit, sipas strukturave, në të cilat ushtrojnë funksionet policore;
b) trajtimit financiar të:
i. kursantëve që pranohen në kolegjin profesional “Kolegji i Policisë”;
ii. studentëve që pranohen të vazhdojnë programet e studimit në Akademinë e Sigurisë me kohë të plotë dhe studentëve që caktohen për të ndjekur studimet me kohë të plotë në akademitë e policisë të shteteve partnere, sipas marrëveshjeve të përbashkëta;
iii. punonjësve të Policisë së Shtetit që kryejnë kurse shkollimi/trajnimi;
iv. punonjësve të Policisë së Shtetit që bashkëpunojnë me institucionet arsimore të sistemit policor, si punonjës të jashtëm.
2. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore dhe vlerat për secilin element për punonjësit e Policisë së Shtetit janë, si më poshtë vijon:
a) Paga për gradë, që përfaqëson nivelin e pagës së punonjësit të Policisë, në përputhje me gradën që ka fituar. Vlera e pagës për gradë përcaktohet në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Shtesa për natyrë të veçantë pune, e lidhur me natyrën e veçantë të punës apo të shërbimit, për kohën që punonjësit e Policisë ushtrojnë detyrat funksionale, (sipas funksioneve/pozicioneve, të miratuara në organikë) dhe që përcaktohet:
i. në lidhjen nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e Policisë që punojnë në strukturat e luftës ndaj krimit të organizuar, krimeve të rënda, antiterrorit dhe në strukturat e Policisë Shkencore;
ii. në lidhjen nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e Policisë që punojnë në strukturat e ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike;
iii. në lidhjen nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e Policisë që punojnë në strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit;
iv. në lidhjen nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e Policisë që punojnë në strukturat e tjera policore;
v. në lidhjen nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e Policisë që punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të administratës publike dhe kërkojnë në mënyrë të detyrueshme diplomë universitare të nivelit “Master i shkencave”, “Master profesional”, “Bachelor” apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “Inxhinieri elektronike”, “Inxhinieri informatike”, “Informatikë”, “Inxhinieri telekomunikacioni”, “Teknologji informacioni”, “Informatikë ekonomike” “Informatikë biznesi”, “Inxhinieri matematike informatike”, “Shkenca kompjuterike”, “Inxhinieri matematike” (në analiza sistemesh).
c) Shtesa për natyrë të veçantë pune, që lidhet me kushte të vështira e të dëmshme për shëndetin, që aplikohet në rastet kur punonjësit e Policisë punojnë në vende pune të vështira e të dëmshme për shëndetin. Masa e kësaj shtese përcaktohet në lidhjen nr.7, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
ç) Shtesa për vjetërsi në shërbim, që është shtesa që përfiton punonjësi i Policisë me grada, për kohën e qëndrimit në gradë dhe aplikohet në masën 1 (një) për qind, për çdo vit deri në 25 (njëzet e pesë) vjet. Llogaritja e shtesës për vjetërsi bëhet mbi pagën e gradës “inspektor”.
3. Për efekt të llogaritjes së shtesës për vjetërsi në shërbim, vite shërbimi do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës apo, në mungesë të librezës së punës, me çdo dokument tjetër ligjor të lëshuar nga organet kompetente përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, të çdo punonjësi në strukturat e Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Policisë së Burgjeve, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Gardës së Republikës së Shqipërisë, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, si dhe në strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit.
4. Vitet që përjashtohen nga llogaritja e shtesës së vjetërsisë në shërbim, vetëm për efekt pagese, janë vitet e sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa grada, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Brendshme e të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare.
5. Kursantët që pranohen në kolegjin profesional “Kolegji i Policisë”, në Akademinë e Sigurisë, gjatë periudhës së shkollimit përfitojnë trajtim me pagesë, në masën 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj.
6. Studentët që pranohen dhe vazhdojnë programet e studimit në Akademinë e Sigurisë, me kohë të plotë, për ciklin e parë të studimeve dhe studentët që caktohen për të ndjekur studimet me kohë të plotë në Akademitë e Policisë të shteteve partnere, sipas marrëveshjeve të përbashkëta, gjatë periudhës së shkollimit përfitojnë çdo muaj trajtim financiar, në masën e pagës për gradën “inspektor”.
Këtë trajtim e përfitojnë edhe shtetasit që pranohen në Akademinë e Sigurisë, të cilët kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara në dispozitat përkatëse, në ligjin për Policinë e Shtetit.
7. Punonjësi i Policisë që shkollohet/trajnohet, brenda ose jashtë vendit, në kuadër të programeve të trajnimeve, të parashikuara e të organizuara nga institucioni, gjatë periudhës së shkollimit/trajnimit përfiton trajtim me pagesë, në masën e pagës për gradë, që përfitonte përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit. Pagesa e punonjësit të Policisë kryhet nga njësia buxhetore, ku është efektiv punonjësi, përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit.
8. Në rastet kur punonjësi i Policisë ka fituar një kurs shkollimi apo trajnimi, në mënyrë individuale dhe jo me iniciativën e institucionit, gjatë kohës së shkollimit/trajnimit nuk përfiton pagesë nga institucioni.
9. Punonjësi i Policisë, që nuk është efektiv me kohë të plotë në institucionet e sistemit arsimor policor, por bashkëpunon me këto institucione, si punonjës i jashtëm, për çdo orë mësimore 60-minutëshe, përfiton një pagesë, si më poshtë vijon:
a) Në kurset e formimit bazë për punonjësit me gradë “inspektor”, në masën 300 (treqind) lekë/për orë;
b) Në kurset e shkollimit/trajnimit për punonjësit me gradë “nënkomisar” deri në “drejtues i parë”, në masën 500 (pesëqind) lekë/për orë.
10. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2024, përballohen nga buxheti i miratuar dhe fondi i kontingjencës për rritjen e pagave, sipas përcaktimeve në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar.
11. Vendimi nr.200 datë 15.3.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Policisë së Shtetit”, të ndryshuar, si dhe të gjitha dispozitat e tjera, në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.
12. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2024.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGAVE, NIVELEVE TË PAGAVE E SHTESAVE MBI PAGË, KOMPENSIMEVE DHE TRAJTIMEVE TË TJERA FINANCIARE TË PUNONJËSVE TË SISTEMIT SHËNDETËSOR, NË INSTITUCIONET SHËNDETËSORE, NË SISTEMIN E MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR SHËNDETËSINË, NË STRUKTURAT SHËNDETËSORE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE DHE TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihen:
a) personeli “mjekë dhe punonjës të tjerë me arsim të lartë” dhe personeli “teknikë të shkencave mjekësore” në institucionet shëndetësore të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë;
b) mjekët në drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe në institucionet e përkujdesjes sociale, të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë;
c) personeli “mjekë dhe punonjës të tjerë me arsim të lartë” dhe personeli “teknikë të shkencave mjekësore” në Njësinë Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës;
ç) personeli ushtarak “mjekë dhe punonjës të tjerë me arsim të lartë” dhe teknikë të shkencave mjekësore” në strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, vetëm për efekt të kryerjes së shërbimeve (rojë, gatishmëri, urgjencë);
d) personeli civil “mjekë dhe punonjës të tjerë me arsim të lartë” dhe “teknikë të shkencave mjekësore” në strukturat e tjera të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes;
dh) personeli i Njësisë së Helikopterëve të Transportit Mjekësor të ministrisë
përgjegjëse për shëndetësinë, në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes;
e) personeli “mjekë dhe punonjës të tjerë me arsim të lartë” dhe personeli “teknikë të shkencave mjekësore” në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe në Qendrën Spitalore të Burgjeve;
ë) personeli civil “mjekë dhe punonjës të tjerë me arsim të lartë” dhe personeli “teknikë të shkencave mjekësore” në strukturat shëndetësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
2. Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Mjek” përfshin të gjithë profesionistët e shëndetësisë, që janë të licencuar për ushtrimin e profesionit të mjekut nga “Urdhri i mjekut” apo “Urdhri i stomatologut” dhe që ushtrojnë profesionin e tyre si “mjek i përgjithshëm”, “mjek i specializuar” dhe “stomatolog”;
b) “Punonjës të tjerë me arsim të lartë” përfshin punonjësit e profesioneve të ndryshme me arsim të lartë (referuar nivelit 6 dhe 7 të kornizës shqiptare të kualifikimeve), si farmacistë, kimistë, fizikantë, inxhinierë, biologë, specialistë të shëndetit publik, psikologë, punonjës socialë dhe specialistë të fiskulturës, të cilët janë pjesë e strukturave shëndetësore për parandalimin e sëmundjeve dhe trajtimin mjekësor të pacientëve;
c) “Personeli teknik i shkencave mjekësore” përfshin të gjithë profesionistët, që janë të licencuar nga urdhri përkatës dhe që ushtrojnë profesionin e tyre, si “fizioterapist”, “infermier”, “logoped”, “mami”, “ndihmësfarmacist”, “ndihmësanestezist”, “teknik imazherie”, “teknik laboratori”, dhe punonjës të tjerë në strukturat shëndetësore, si “prozektor”, “kujdestar” e “oksigjenist”.
3. Në institucionet dhe strukturat shëndetësore, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, përfshihen:
3.1. institucionet shëndetësore të shërbimit spitalor dhe të barazuara me to, për efekt page, të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionet shëndetësore të shërbimit spitalor të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes, si:
a) strukturat shëndetësore universitare;
b) Njësia Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës;
c) Qendra Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”;
ç) spitalet e nivelit terciar;
d) qendrat spitalore rajonale;
dh) spitalet rajonale;
e) spitalet psikiatrike;
ë) spitalet bashkiake;
f) spitalet ditore;
g) Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut;
gj) Klinika Stomatologjike Universitare.
3.2. institucionet shëndetësore qendrore/kombëtare të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, si:
a) Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore;
b) Instituti i Shëndetit Publik;
c) Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe njësitë vendore të kujdesit shëndetësor;
ç) Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët;
d) Qendra e Inxhinierisë Biomjekësore;
dh) Qendra e Shërbimeve Mjekësore;
e) Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore.
3.3. Institucionet e ofrimit të shërbimit të kujdesit parësor të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
3.4. Institucionet e shërbimit social shtetëror, të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, vetëm për mjekët, në:
a) drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror;
b) institucionet e përkujdesjes sociale.
3.5. Institucione të tjera të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, si:
a) Qendra Spitalore e Burgjeve dhe shërbimet shëndetësore në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve;
b) strukturat e shërbimit shëndetësor, pjesë e strukturave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes;
c) strukturat e shërbimit shëndetësor, në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
ç) Njësia e Helikopterëve të Transportit Mjekësor, të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes.
4. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore për punonjësit e institucioneve, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi janë, si më poshtë vijon:
4.1. Për personelin e administrimit të përgjithshëm, nga “specialist” deri në “titullar institucioni”, të institucioneve pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, me përjashtim të institucioneve të përmendura në nënpikën “3.5”, të pikës 3, të këtij vendimi:
a) paga për pozicion, që shpërblen vlerën relative të çdo pozicioni pune, është sipas lidhjeve përkatëse nr.1 dhe nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij;
b) shtesa e nivelit të kualifikimit, që shpërblen nivelin arsimor të kërkuar për pozicionin përkatës të punës. Vlera e shtesës së nivelit të kualifikimit për çdo grup diplome është sipas lidhjes nr.8, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
c) shtesa për vjetërsi në punë, që jepet në masën 2% pas çdo viti pune, deri në 25 (njëzet e pesë) vjet dhe llogaritet mbi vlerën e shtesës së nivelit të kualifikimit, për çdo grup diplome.
4.2. Për personelin “mjekë dhe punonjës të tjerë me arsim të lartë” dhe për personelin “teknikë të shkencave mjekësore” në institucionet shëndetësore, të përcaktuara në nënpikat 3.1, 3.2, 3.3 dhe 3.5, të pikës 3, të këtij vendimi, me përjashtim të personelit mjekësor me grada shkencore dhe tituj akademikë, të Institutit të Shëndetit Publik dhe të spitaleve universitare, të disa institucioneve të tjera shëndetësore, që gëzojnë statusin e qendrave kërkimore shkencore, si dhe me përjashtim të mjekëve në nënpikën 3.4, të pikës 3, të këtij vendimi:
a) paga për pozicion, që shpërblen vlerën relative të çdo pozicioni pune dhe që është sipas lidhjeve përkatëse të këtij vendimi;
b) shtesa e nivelit të kualifikimit, që shpërblen nivelin arsimor të kërkuar për pozicionin përkatës të punës. Vlera e shtesës së nivelit të kualifikimit për çdo grup diplome është sipas lidhjes nr.8, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
c) shtesa për vjetërsi në punë, që jepet në masën 2% pas çdo viti pune, deri në 25 (njëzet e pesë) vjet dhe llogaritet mbi vlerën e shtesës së nivelit të kualifikimit, për çdo grup diplome;
ç) shtesa për kushte pune, e përcaktuar sipas lidhjeve nr.5 dhe nr.6,
që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij;
d) shtesa për natyrë të veçantë pune, që aplikohet për disa pozicione që kanë një natyrë të veçantë, të përcaktuara në tekstin e këtij vendimi.
4.3. Për mjekët që janë punonjës efektivë me kohë të plotë në drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, të cilët bëjnë vlerësimin e aftësisë së kufizuar dhe bio-psiko-sociale dhe në institucionet e përkujdesjes sociale, pavarësisht specialitetit që kanë dhe të cilët janë përcaktuar në nënpikën 3.4, të pikës 3, të këtij vendimi:
a) paga për pozicion, që shpërblen vlerën relative të çdo pozicioni pune, vlera e së cilës është e njëjtë me vlerën e pagës për pozicion të pozicionit “mjek i përgjithshëm që punon në specialitete”, e përcaktuar në pikën 3, të kreut VII, të lidhjes nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) shtesa e nivelit të kualifikimit, që shpërblen nivelin arsimor të kërkuar për pozicionin përkatës të punës. Vlera e shtesës së nivelit të kualifikimit për çdo grup diplome është sipas lidhjes nr.8, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
c) shtesa për vjetërsi në punë që jepet në masën 2% pas çdo viti pune, deri në 25 (njëzet e pesë) vjet dhe llogaritet mbi vlerën e shtesës së nivelit të kualifikimit, për çdo grup diplome.
4.4. Për mjekët me tituj e grada shkencore, të cilët janë punonjës efektivë me kohë të plotë, në spitalet universitare dhe në institucione të tjera shëndetësore, që gëzojnë statusin e qendrave kërkimore-shkencore, (në bazë të legjislacionit përkatës për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, dhe të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave) në Institutin e Shëndetit Publik dhe në spitalin “Memorial” Fier, dhe për personelin “teknik i shkencave mjekësore”, në njësinë e ortopedisë në Spitalin Universitar të Traumës, elementet përbërëse të pagës bruto mujore janë, si më poshtë vijon:
a) Paga bazë mujore e pozicionit të punës, e përcaktuar sipas titullit akademik apo gradës shkencore, sipas lidhjeve nr.9 dhe nr.10, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij;
b) Shtesa për vjetërsi në punë, që aplikohet në masën 0.5% për çdo vit pune, por jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet dhe llogaritet mbi vlerën e pagës bazë mujore të pozicionit të punës;
c) Shtesa për kushte pune, që përcaktohet sipas lidhjeve nr.9 dhe nr.10, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
5. Vlerat e elementit “pagë për pozicion” dhe grupi i diplomës për punonjësit e administrimit të përgjithshëm, nga “specialist” deri në “titullar institucioni”, në institucionet e shërbimit shëndetësor, të përcaktuara në nënpikën 3.1, të pikës 3, të këtij vendimi, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6. Vlerat e elementit “pagë për pozicion” dhe grupi i diplomës për personelin “mjekë dhe punonjës të tjerë me arsim të lartë” dhe “teknikë të shkencave mjekësore” në institucionet e shërbimit shëndetësor, të përcaktuara në nënpikën 3.1, të pikës 3, të këtij vendimi, janë sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
7. Vlerat e elementit “pagë për pozicion” dhe grupi i diplomës për punonjësit e administrimit të përgjithshëm, nga “specialist” deri në “titullar institucioni”, në institucionet shëndetësore të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, të përcaktuara në nënpikat 3.2 dhe 3.3, të pikës 3, të këtij vendimi, janë sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
8. Vlerat e elementeve “pagë për pozicion” dhe grupi i diplomës për personelin “mjekë dhe punonjës të tjerë me arsim të lartë” dhe “teknikë të shkencave mjekësore” në institucionet shëndetësore të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, të përcaktuara në nënpikat 3.2 dhe 3.3, të pikës 3, të këtij vendimi, janë sipas lidhjes nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
9. Vlerat e elementit “shtesë për kushte pune” për punonjësit e personelit “mjekë dhe punonjës të tjerë me arsim të lartë” në institucionet e përcaktuara në nënpikat 3.1, 3.2 dhe 3.3, të pikës 3, të këtij vendimi, janë sipas lidhjes nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
10. Vlerat e elementit “shtesë për kushte pune” për punonjësit e personelit “teknikë të shkencave mjekësore”, në institucionet e përcaktuara në nënpikat 3.1, 3.2 dhe 3.3, të pikës 3, të këtij vendimi janë sipas lidhjes nr. 6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
11. Vlerat e elementeve “pagë për pozicion”, grupi i diplomës dhe “shtesë për kushte pune” për punonjësit e personelit “mjekë dhe punonjës të tjerë me arsim të lartë” dhe “teknikë të shkencave mjekësore” në institucionet e tjera të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, të përcaktuara në nënpikën 3.5, të pikës 3, të këtij vendimi, janë sipas lidhjes nr.7, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
12. Vlerat e elementeve “paga bazë mujore e pozicionit të punës” dhe “shtesë për kushte pune” për mjekët me tituj e grada shkencore, të cilët janë punonjës efektivë me kohë të plotë në spitalet universitare dhe në institucione të tjera shëndetësore, që gëzojnë statusin e qendrave kërkimore-shkencore, (në bazë të legjislacionit përkatës për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor e të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave) në spitalin “Memorial” Fier dhe për personelin “teknik i shkencave mjekësore” në njësinë e ortopedisë në Spitalin Universitar të Traumës, me gradën shkencore “Doktor”, janë sipas lidhjes nr.9, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
13. Vlerat e elementeve “paga bazë mujore e pozicionit të punës” dhe “shtesë për kushte pune” për mjekët dhe punonjësit e tjerë, me tituj e grada shkencore, të cilët janë punonjës efektivë me kohë të plotë në Institutin e Shëndetit Publik, janë sipas lidhjes nr.10, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
14. Pagat dhe shtesat mbi pagë për mjekët dhe punonjësit e personelit teknik të shkencave mjekësore, të cilët për një periudhë të caktuar kohore gjatë sezonit veror, jo më të gjatë se tre muaj, kontraktohen/caktohen me afat të caktuar në qendrat shëndetësore verore, që hapen si shtesë e qendrave shëndetësore dhe, që, në bazë të urdhrit të ministrit përgjegjës për çështjet e shëndetësisë, do të ofrojnë shërbim mjekësor të pandërprerë/24 orë, gjatë këtij sezoni, do të jenë si vijon:
14.1. Për mjekët:
a) paga për pozicion, që shpërblen vlerën relative të çdo pozicioni pune, vlera e së cilës është e njëjtë me vlerën e pagës për pozicion të pozicionit “mjek i përgjithshëm që punon në specialitete”, e përcaktuar në pikën 3, të kreut VII, të lidhjes nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) shtesa e nivelit të kualifikimit, që shpërblen nivelin arsimor të kërkuar për pozicionin përkatës të punës. Vlera e shtesës së nivelit të kualifikimit për çdo grup diplome është sipas lidhjes nr.8, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
c) shtesa për vjetërsi në punë që jepet në masën 2% pas çdo viti pune, deri në 25 (njëzet e pesë) vjet dhe llogaritet mbi vlerën e shtesës së nivelit të kualifikimit, për çdo grup diplome;
ç) shtesa për natyrë të veçantë pune, në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë në muaj.
Mjekët, paga e të cilëve përcaktohet sipas shkronjave “a” deri në “ç”, të kësaj nënpike, gjatë kësaj periudhe nuk përfitojnë shtesa të tjera mbi pagë, si dhe nuk përfitojnë kompensimin për largësi nga vendbanimi, sipas përcaktimeve të ndryshme, të këtij vendimi.
14.2. Për punonjësit e personelit “teknik të shkencave mjekësore”:
a) paga e pozicionit, që shpërblen vlerën relative të çdo pozicioni pune, vlera e së cilës është e njëjtë me vlerën e pagës për pozicion të pozicionit “infermier/mami”, e përcaktuar në pikën 8, të kreut VII, të lidhjes nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) shtesa e nivelit të kualifikimit, që shpërblen nivelin arsimor të kërkuar për pozicionin përkatës të punës. Vlera e shtesës së nivelit të kualifikimit për çdo grup diplome është sipas lidhjes nr.8, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
c) shtesa për vjetërsi në punë, që jepet në masën 2% pas çdo viti pune, deri në 25 (njëzet e pesë) vjet dhe llogaritet mbi vlerën e shtesës së nivelit të kualifikimit, për çdo grup diplome;
ç) shtesa për natyrë të veçantë pune, në masën 80 000 (tetëdhjetë) mijë lekë në muaj. Punonjësit e personelit “teknik të shkencave mjekësore”, paga e të cilëve përcaktohet sipas sipas shkronjave “a” deri në “ç”, të kësaj nënpike, gjatë kësaj periudhe nuk përfitojnë shtesa të tjera mbi pagë, si dhe nuk përfitojnë kompensimin për largësi nga vendbanimi, sipas përcaktimeve të ndryshme, të këtij vendimi.
15. Mjekët e sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe mjekët civilë të strukturave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët, referuar detyrimit kontraktual me ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, kryejnë specializimin në strukturat spitalore universitare, gjatë kohës së specializimit trajtohen në pagë, si më poshtë vijon:
a) Për specializantët “mjek familjeje” dhe “mjek urgjence”, në masën 100 për qind të pagës bruto mujore të mjekut të të njëjtit specialitet;
b) Për specializantët e tjerë, në masën 80 për qind të pagës bruto mujore të mjekut të fushës, në të cilën kryhet specializimi.
16. Për punonjësit e personelit mjekësor, të cilët nuk janë efektivë me kohë të plotë në institucionet e shërbimit spitalor/parësor dhe në drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe/apo në institucionet e përkujdesjes sociale, të cilët për shërbimin që kryejnë në këto institucione, kontraktohen me orë pune të caktuara, vlera e pagesës është, si më poshtë vijon:
16.1. Për punonjësit e personelit mjekësor në institucionet e shërbimit spitalor dhe parësor, të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë e të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes, vlera e pagesës së një ore pune të kontraktuar është e njëjtë me vlerën orare të pozicionit të punës, për të cilin është kontraktuar.
16.2. Për mjekët, në drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe në institucionet e përkujdesjes sociale, vlera e pagesës së një ore pune të kontraktuar është e njëjtë me vlerën orare të pozicionit “mjek i përgjithshëm që punon në specialitete”, e përcaktuar në pikën 3, të kreut VII, të lidhjes nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Paga bruto e këtij pozicioni, për efekt të llogaritjes së pagës orare, për këto raste, do të llogaritet si shumë e elementeve:
a) Paga për pozicion, vlera e së cilës është e njëjtë me vlerën e pagës për pozicion të pozicionit “mjek i përgjithshëm që punon në specialitete”, e përcaktuar në pikën 3, të kreut VII, të lidhjes nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Shtesa e nivelit të kualifikimit, vlera e së cilës për çdo grup diplome, është sipas lidhjes nr.8, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
c) Shtesa për vjetërsi në punë, që jepet në masën 2% pas çdo viti pune, deri në 25 (njëzet e pesë) vjet dhe llogaritet mbi vlerën e shtesës së nivelit të kualifikimit, për çdo grup diplome.
17. Masa e shtesës për natyrë të veçantë pune, për disa kategori të punonjësve të personelit mjekë dhe/apo teknikë të shkencave mjekësore përcaktohet, si më poshtë vijon:
17.1. Për mjekët e spitaleve në shërbimet e urgjencës, reanimacionit, hemodinamikës, në njësinë e aksidenteve cerebrale, si dhe për mjekët neonatë është në masën 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj.
17.2. Për punonjësit “infermier”, “teknik imazherie” dhe “teknik laboratori” të spitaleve në shërbimet e urgjencës, të reanimacionit dhe hemodinamikës, si dhe në njësinë e aksidenteve cerebrale është në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në muaj.
17.3. Për mjekët, të cilët në zbatim të sistemit të referimit, dërgohen për konsulta dhe/apo për ndërhyrje kirurgjikale në spitale të tjera, përfitojnë për çdo ditë shërbimi një shtesë në pagë, si më poshtë vijon:
a) Kur janë pjesë e strukturave shëndetësore universitare/terciare, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në ditë;
b) Kur janë pjesë e strukturave shëndetësore të qendrave spitalore rajonale/spitaleve rajonale, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë në ditë.
17.4. Për mjekët, të cilët, referuar statutit të qendrës shëndetësore, miratuar nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, caktohen drejtues të qendrave shëndetësore:
a) në qendrat shëndetësore nr.1 deri në nr.10, në Bashkinë Tiranë, si dhe në qendrat shëndetësore të specialiteteve nr.1 deri në nr.3, në Bashkinë Tiranë, në masën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë në muaj;
b) në qendrat shëndetësore në njësitë e tjera administrative, me vendndodhje në zonat urbane, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
c) në qendrat shëndetësore në njësitë e tjera administrative, me vendndodhje në zonat rurale, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj.
17.5. Për mjekët që mbulojnë mjekësinë familjare në qendrat shëndetësore të shërbimit parësor, në njësitë administrative në zonat rurale, të bashkive:
a) Pukë, Tropojë, Kukës, Has, Malësi e Madhe, Dibër, Bulqizë, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
b) Mat, Mirditë, Gramsh, Librazhd, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj.
17.6. Për mjekët që punojnë në insitucionet shëndetësore me shtretër:
a) Pukë, Tropojë, Kukës, Has, Malësi e Madhe, Dibër, Bulqizë, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj;
b) Mat, Mirditë, Gramsh, Librazhd, në masën 4 000 (katër mijë) lekë në muaj.
17.7. Pilotët dhe teknikët e strukturës së Njësisë së Helikopterëve të Transportit Mjekësor të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, për çdo fluturim përfitojnë shtesën, në masën 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë.
18. “Specialistët”, “përgjegjësit e sektorit” apo “drejtorët e drejtorive” të kujdesit shëndetësor të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, të cilët punojnë në pozicione, që lidhen me procesin e informatizimit të shërbimit shëndetësor dhe në strukturat biomjekësore dhe kërkojnë në mënyrë të detyrueshme diplomë universitare të nivelit “Master i shkencave”, “Master profesional”, “Bachelor” apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “inxhinieri elektronike”, “inxhinieri informatike”, “informatikë”, “inxhinieri telekomunikacioni”, “teknologji informacioni”, “informatikë ekonomike”, “informatikë biznesi”, “inxhinieri matematike informatike”, “shkenca kompjuterike”, “inxhinieri matematike” (në analiza sistemesh), “inxhinieri biomjekësore”, “inxhinieri mekatronike”, “inxhinieri fizike në mjekësi” përfitojnë shtesën për kushte pune në masën:
a) 7 500 (shtatë mijë e pesëqind) lekë në muaj për nëpunësit e strukturave të TIK-ut dhe atyre biomjekësore, të institucioneve qendrore të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, qendrat spitalore universitare, Spitalin Rajonal “Memorial” Fier dhe në Qendrën Spitalore Rajonale të Tiranës “Shefqet Ndroqi”;
b) 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj për nëpunësit e strukturave të TIK-ut dhe atyre biomjekësore, të spitaleve rajonale apo bashkiake, të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
Zbatimi i shtesave, si më sipër për pozicionet konkrete, bëhet pas miratimit paraprak të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, sipas përshkrimit të pozicionit të punës. Përjashtohen nga ky parashikim nëpunësit e strukturave të TIK-ut të institucioneve të kujdesit shëndetësor të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, që janë bërë pjesë e strukturës dhe organikës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
19. Mjekët dhe punonjësit e personelit teknik të shkencave mjekësore të institucioneve të sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe mjekët, civilë e ushtarakë, të strukturave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e shërbimit të rojës, të gatishmërisë dhe urgjencës përfitojnë një shtesë, si më poshtë vijon:
19.1. Për mjekët:
a) për çdo shërbim rojë, 24 orë pa ndërprerje, masa e shtesës përcaktohet sipas institucioneve, si më poshtë vijon:
Në qendrat spitalore universitare Mjek rojë i parë Mjek rojë i dytë
për ditët e zakonshme 6 000 lekë 5 600 lekë
për ditët e shtuna 7 000 lekë 6 400 lekë
për ditët e diela e festat 8 000 lekë 7 600 lekë
Në institucionet e tjera Mjek rojë i parë Mjek rojë i dytë
për ditët e zakonshme 5 600 lekë 5 200 lekë
për ditët e shtuna 6 000 lekë 5 600 lekë
për ditët e diela dhe festat 7 000 lekë 6 600 lekë
b) për shërbimin e urgjencës së spitalit, që është organizuar dhe funksionon si i tillë, si dhe për shërbimin e urgjencës në qendrat shëndetësore të kujdesit parësor, që ofrojnë shërbim të pandërprerë për kohën që kryejnë shërbimin e urgjencës, masa e shtesës përcaktohet, si më poshtë vijon:
Në ditët e zakonshmeNë ditët e shtunaNë ditët e diela dhe të festave zyrtare
për sistemin 24 orë 2 300 lekë 2 400 lekë 2 700 lekë
për sistemin 16 orë 2 000 lekë 2 300 lekë 2 400 lekë
për sistemin 12 orë 1 800 lekë 2 000 lekë 2 300 lekë
c) për raste të tjera të veçanta, kur mjeku i rojës e sheh të domosdoshme thirrjen e mjekëve për veprime diagnostikuese apo mjekuese, masa e shtesës për vlerën orare të punës për çdo rast dhe numri i orëve shtesë është sipas përcaktimeve në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë.
19.2. Për punonjësit e personelit teknik të shkencave mjekësore:
a) për shërbimin e urgjencës së spitalit, si dhe për shërbimin e urgjencës në qendrat shëndetësore të kujdesit parësor, që orfrojnë shërbim të pandërprerë për kohën që kryejnë shërbimin e urgjencës, u jepet një shtesë, në masën:
Në ditët e zakonshmeNë ditët e shtunaNë ditët e diela dhe të festave zyrtare
për sistemin 24 orë 1 700 lekë 2 100 lekë 2 500 lekë
për sistemin 16 orë 1 400 lekë 1 700 lekë 2 200 lekë
për sistemin 12 orë 1 100 lekë 1 400 lekë 1 700 lekë
b) për rastet kur, me kërkesë të institucionit dhe miratim të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë e të ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen, punonjësve “teknik laboratori” të spitaleve që kryejnë shërbim 24-orë, u jepet një shtesë mbi pagë, si më poshtë vijon:
për ditë të zakonshme 1 700 lekë
për ditët e shtuna 2 100 lekë
për ditët e diela dhe festa 2 500 lekë
c) Për raste të tjera të veçanta, kur mjeku i rojës e sheh të domosdoshme thirrjen e personelit “teknik të shkencave mjekësore” për të ndihmuar në procesin e kryerjes së diagnostikimit apo të mjekimit, masa e shtesës për vlerën orare të punës për çdo rast dhe numri i orëve shtesë është sipas përcaktimeve në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë.
19.3. Për shoferët e autoambulancave në ato qendra shëndetësore të kujdesit parësor, që ofrojnë shërbim të pandërprerë, në rastet kur kryejnë shërbim 24 orë, u jepet një shtesë, si më poshtë vijon:
Në ditët e zakonshmeNë ditët e shtunaNë ditët e diela dhe të festave zyrtare
për sistemin 24 orë 1 500 lekë 1 700 lekë 1 900 lekë
për sistemin 16 orë 1 300 lekë 1 500 lekë 1 700 lekë
për sistemin 12 orë 1 100 lekë 1 300 lekë 1 500 lekë
20. Mjekët, që janë efektivë me kohë të plotë në korpusin akademik të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, të cilët njëkohësisht shërbejnë në institucione të ndryshme shëndetësore, për shërbimin që ofrojnë pranë këtyre strukturave përfitojnë një trajtim financiar, si më poshtë vijon:
a) Kur shërbejnë në strukturat shëndetësore universitare dhe në Qendrën Spitalore Rajonale të Tiranës “Shefqet Ndroqi”, për shërbimin që ofrojnë pranë këtyre strukturave, në pozicionin “shef shërbimi”, masa e trajtimit financiar, sipas nivelit të kualifikimit shkencor përkatës, është:
1. Grada shkencore/Titulli akademik Masa e trajtimit financiar
(lekë në muaj)
1. Shef shërbimi me titullin “Profesor”. 125 000
2. Shef shërbimi me titullin “Profesor i associuar”. 120 000
3. Shef shërbimi me gradën shkencore “Doktor”. 117 000
b) Kur shërbejnë në Institutin e Shëndetit Publik, në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe në Klinikën Stomatologjike Universitare, si dhe zotërojnë gradën shkencore “Doktor” apo titujt akademik “Profesor” dhe/ose “Profesor i associuar”, për shërbimin që ofrojnë pranë këtyre strukturave, masa e trajtimit financiar të tyre është në vlerën 90 000 (nëntëdhjetë mijë) lekë në muaj.
21. Mjekët e sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, të cilët, pas përfundimit të specializimit në spitalet universitare, në bazë të detyrimit kontraktual me ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, emërohen sipas nevojave të sistemit shëndetësor, larg vendbanimit të tyre, për një periudhë 3-vjeçare, përfitojnë një kompensim për kosto jetese, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj, sipas specifikimeve që miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, bazuar në shtrirjen territoriale të shërbimit spitalor. Këta punonjës nuk përfitojnë kompensimin për largësi nga vendbanimi, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
22. Punonjësit e personelit “teknik të shkencave mjekësore”, të cilët punojnë në insitucionet shëndetësore, larg vendbanimit të tyre, marrin një kompensim mujor, në masën, si më poshtë vijon:
22.1. Në qendrat shëndetësore të shërbimit parësor:
a) kur largësia, nga vendbanimi deri në qendrën shëndetësore është në distancën 5 km deri në 10 km, në masën 1 000 (një mijë) lekë në muaj;
b) kur largësia, nga vendbanimi deri në qendrën shëndetësore është në distancën mbi 10 km në 20 km, në masën 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë në muaj;
c) kur largësia, nga vendbanimi deri në qendrën shëndetësore është në distancën mbi 20 km, në masën 3 000 (tre mijë) lekë në muaj;
22.2. Në insitucionet shëndetësore me shtretër:
a) kur largësia, nga vendbanimi deri në spital është në distancën mbi 10 km në 20 km, në masën 1 500 (njëmijë e pesëqind) lekë në muaj;
b) kur largësia, nga vendbanimi deri në spital është në distancën mbi 20 km, në masën 3 000 (tre mijë) lekë në muaj;
kur këta punonjës nuk kthehen në vendbanimin e tyre brenda ditës, 4 000 (katër mijë) lekë në muaj.
23. Titullarët e institucioneve, në varësi të ministrit për çështjet e shëndetësisë, me qëllim realizimin me efektivitet dhe eficiencë të misionit dhe objektivave të institucionit që drejtojnë, kanë të drejtë që për të marrë këshillimin e duhur për çështje specifike të kenë këshilltarë të jashtëm. Kontraktimi i këshilltarëve të jashtëm bëhet pas miratimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Pagesa e këshilltarëve të jashtëm bëhet nga llogaria ekonomike, e përcaktuar sipas udhëzimit përkatës të zbatimit të buxhetit të ministrit përgjegjës për financat dhe përcaktohet nga titullari përkatës, në masën deri në 110 000 (njëqind e dhjetë mijë) lekë në muaj.
24. Trajnimi i personelit mjekësor, personelit paramedikal dhe publikut të gjerë kryhet nëpërmjet veprimtarive të trajnimit që organizohen nga vetë Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ose/dhe në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë apo qendrat spitalore. Në rastet kur punonjësit e personelit mjekësor (me arsim të lartë) të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore marrin pjesë në veprimtaritë e trajnimit (si për personelin mjekësor ashtu edhe për personelin paramedikal dhe publikun e gjerë), të cilat organizohen nga vetë qendra, për çdo orë mësimi 60-minutëshe, përfitojnë trajtim me pagesë, si më poshtë vijon:
a) Trajnerët me më pak se 10 (dhjetë) vite pune në profesion përfitojnë një pagesë, në masën 1 000 (një mijë) lekë për orë;
b) Trajnerët me më shumë se 10 (dhjetë) vite pune në profesion përfitojnë një pagesë, në masën 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë për orë;
c) Trajnerët, të cilët janë punonjës efektivë të personelit “mjekë dhe punonjës të tjerë me arsim të lartë”, të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, e përfitojnë këtë pagesë deri në 200 (dyqind) orë në vit, sipas përcaktimeve në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë;
ç) Në rastet kur trajnerët janë bashkëpunëtorë të jashtëm nga Universiteti i
Mjekësisë apo nga qendrat spitalore, pagesa për orë/trajnimi do të jetë e njëjtë me trajnerët e brendshëm të qendrës.
25. Trajtimi financiar për punonjësit e palës turke të personelit të administrimit të përgjithshëm, të personelit mjekësor dhe të personelit teknik të shkencave
mjekësore:
a) për një periudhë transitore, në bazë të marrëveshjes dypalëshe, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, si dhe të vendimit nr.58, datë 26.1.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për funksionimin e përbashkët të Spitalit Rajonal “Memorial” në Fier, gjatë fazës kalimtare”, pagat mujore bruto të punonjësve të palës turke:
i. të personelit të administrimit të përgjithshëm;
ii. të personelit mjekësor;
iii. të personelit teknik të shkencave mjekësore,
janë të njëjta me pagat mujore bruto të çdo pozicioni respektiv pune të personelit të palës shqiptare në institucionet shëndetësore me shtretër.
b) përveç pagës mujore bruto, të përcaktuar si më sipër, punonjësit e palës turke:
i. të personelit të administrimit të përgjithshëm;
ii. të personelit mjekësor;
iii. të personelit teknik të shkencave mjekësore,
përfitojnë një shpërblim mujor, në masën e përcaktuar në lidhjen nr.11, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
26. Për një periudhë transitore, mjekët e qendrave shëndetësore të shërbimit të kujdesit parësor, të cilët ushtrojnë mjekësinë familjare, të cilët do të rezultojnë me pagë bruto mujore aktuale më të lartë nga sa përcaktohet në këtë vendim, do të trajtohen me pagë në ruajtje, si më poshtë vijon:
a) Në rastet e mbulimit aktual për banorë, pa përfshirë mbulimin për banorë të një mjeku tjetër, për shkak të mungesës së tij të përkohshme në punë për një periudhë të zgjatur, për mjekët që rezultojnë me pagë bruto mujore aktuale, më të lartë nga sa përcaktohet në këtë vendim, paga në ruajtje do të llogaritet si diferencë midis pagës bruto që përfitonin këta mjekë, përpara miratimit të këtij vendimi me pagën bruto mujore, sipas përcaktimeve të këtij vendimi;
b) Në rastet e mbulimit aktual për banorë, përfshirë edhe mbulimin për banorët e një zone të pambuluar me mjekë, për shkak të vendeve vakante, si dhe në zbatim të udhëzimit përkatës të ministrit përgjegjës për çështjet e shëndetësisë, për mbulimin e çdo zone me mjekë, për mjekët që rezultojnë me pagë bruto mujore më të lartë nga sa përcaktohet në këtë vendim, paga në ruajtje do të llogaritet si diferencë midis pagës bruto që përfitonin këta mjekë përpara miratimit të këtij vendimi me pagën bruto mujore, sipas përcaktimeve të këtij vendimi. Këta mjekë do të trajtohen me pagën në ruajtje, deri në plotësimin e vendit vakant.
27. Mjekët që do të punësohen për herë të parë në qendrat shëndetësore të shërbimit të kujdesit parësor, të cilët, në zbatim të udhëzimit përkatës të ministrit përgjegjës për çështjet e shëndetësisë për mbulimin e çdo zone me mjekë, do të ushtrojnë mjekësinë familjare, do të trajtohen me pagë, sipas përcaktimeve të lidhjeve përkatëse të këtij vendimi, dhe, në asnjë rast, nuk përfitojnë pagë në ruajtje, sipas përcaktimeve të pikës 26, të këtij vendimi.
28. Pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve, që bëjnë pjesë në fushën e veprimit të këtij vendimi, përcaktohen në bazë të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve të administratës publike.
29. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2024, përballohen nga fondet buxhetore, të miratuara për vitin 2024, si dhe nga fondi i kontingjencës për rritjen e pagave, sipas përcaktimeve në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për Ministrinë e Mbrojtjes, për Ministrinë e Drejtësisë, për Ministrinë e Brendshme dhe për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
30. Vendimi nr.555, datë 11.8.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve të personelit mjekësor, të punonjësve të tjerë me arsim të lartë dhe të punonjësve të personelit teknik të shkencave mjekësore, në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, në Njësinë Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës, në strukturat e tjera të Forcave të Armatosura dhe në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe spitalin përkatës”, i ndryshuar, si dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohet.
31. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2024.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË TË USHTARAKËVE AKTIVË TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të nenit 20, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihen:
a) ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë: oficerë aktivë, nënoficerë aktivë dhe ushtarë aktivë;
b) kursantët, kandidatët për ushtarë.
2. Elementet përbërëse të pagës për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, me përjashtim të ushtarakëve aktivë të personelit akademik në Akademinë e Forcave të Armatosura, janë, si më poshtë vijon:
a) Paga bazë për gradë, që shpërblen vlerën relative të çdo grade, sipas hierarkisë së gradave dhe sipas viteve të shërbimit për oficerët aktivë, nënoficerët aktivë dhe ushtarët aktivë;
b) Shtesa për kushte të veçanta pune e shërbimi, që aplikohet në një vlerë të caktuar, bazuar në pozicionet e punës, kur ushtarakët e shërbimit aktiv punojnë në pozicione pune të një natyre të veçantë pune e shërbimi;
c) Shtesa për dëmshmëri shëndeti, që aplikohet në një vlerë të caktuar, kur ushtarakët e shërbimit aktiv punojnë në pozicione pune në kushte të vështira dhe të dëmshme për shëndetin.
3. Elementet përbërëse të pagës për ushtarakët aktivë të personelit akademik në Akademinë e Forcave të Armatosura janë, si më poshtë vijon:
a) Paga për titull akademik/gradë shkencore/kualifikim shkencor, që shpërblen vlerën relative të çdo pozicioni, sipas hierarkisë së pozicioneve të punës, në institucionet e arsimit të lartë publik;
b) Shtesa për vjetërsi në punë, që aplikohet për çdo ushtarak të shërbimit aktiv, të personelit akademik, në Akademinë e Forcave të Armatosura, bazuar në vitet e punës së çdo ushtaraku, dhe llogaritet në masën 0,5 (zero presje pesë) % për çdo vit pune, por jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet;
c) Shtesa për kushte të veçanta pune dhe shërbimi.
4. Vlerat e elementit “pagë bazë për gradë”, sipas gradës dhe viteve të shërbimit, për ushtarakët e shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Vlerat e elementit “pagë për titull akademik/gradë shkencore/kualifikim shkencor”, sipas gradës ushtarake dhe pozicionit të punës, për ushtarakët e shërbimit aktiv, të personelit akademik në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe masa e shtesës për kushte të veçanta pune e shërbimi për ta, janë sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6. Masat e shtesës për kushte të veçanta pune e shërbimi për ushtarakët e shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura përcaktohet, si më poshtë vijon:
a) Për ushtarakët e shërbimit aktiv të personelit fluturues dhe mbështetës të fluturimeve, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, përcaktohet sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Për ushtarakët e shërbimit aktiv në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes përcaktohet sipas lidhjes nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Pozicionet për të cilat zbatohet kjo shtesë, në funksione operacionale, operacionale mbështetëse dhe mbështetëse, në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, përcaktohen në urdhrin e Kryeministrit për miratimin e strukturës e të organikës së kësaj agjencie.
c) Për ushtarakët e tjerë të shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët nuk janë pjesë e lidhjeve nr.3 dhe nr.4, me përjashtim të ushtarakëve të shërbimit aktiv të personelit akademik, me tituj akademikë dhe grada/kualifikime shkencore, përcaktohet sipas lidhjes nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
7. Masa e shtesës mbi pagë për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, për ushtarakët e shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët punojnë në vende të vështira pune, përcaktohet sipas lidhjes nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ushtarakët, funksioni i të cilëve përmban dy apo më shumë emërtime, që përfitojnë shtesë për punë të vështirë e të dëmshme në shëndet, trajtohen vetëm me një shtesë, sipas kësaj lidhjeje.
8. Ushtarakët e shërbimit aktiv, në Njësinë e Mjekësisë Ushtarake, pranë Spitalit Universitar të Traumës, që janë të emëruar në pozicionet “drejtor”, “zëvendësdrejtor”, “shef shërbimi” apo “shef reparti”, shtesën për punë të vështirë e të dëmshme për shëndetin e përfitojnë sipas specialitetit dhe jo sipas pozicionit, ku janë emëruar.
9. Ushtarakët e shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët punojnë në pozicione, që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së Forcave të Armatosura, pjesë të strukturave të TIK-ut, si dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, diplomë universitare të nivelit “Master i shkencave/Master profesional/Bachelor” apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “Inxhinieri elektronike”, “Inxhinieri informatike”, “Informatikë”, “Teknologji informacioni”, “Inxhinieri telekomunikacioni”, “Shkenca kompjuterike”, “Informatikë ekonomike” “Informatikë biznesi”, “Inxhinieri matematike informatike” apo “Inxhinieri matematike (në analiza sistemesh)”, përfitojnë shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën 7 500 (shtatë mijë e pesëqind) lekë në muaj.
Zbatimi i shtesave si më sipër për pozicionet konkrete bëhet pas miratimit paraprak të Departamentit të Administratës Publike, bazuar në përshkrimin e pozicionit të punës.
Në rast se për pozicionet e sipërpërmendura, nëpërmjet këtij vendimi, parashikohen shtesa të tjera për kushte të veçanta pune e shërbimi, oficerët aktivë do të zgjedhin ndërmjet dy shtesave, por, në asnjë rast, nuk mund t’i përfitojnë të dyja shtesat.
10. Kursantët, kandidatë për ushtarë, gjatë kohës që ndjekin kurset për t’u certifikuar “ushtar”, përfitojnë trajtim me pagesë në masën 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj.
11. Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura nuk përfitojnë shtesa të tjera mbi pagë të përcaktuara me vendime të tjera të Këshillit të Ministrave.
12. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i të këtij vendimi, për vitin 2024, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes, për vitin 2024.
13. Vendimi nr.224, datë 21.3.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, shfuqizohet.
14. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 korrik 2024.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E VLERAVE PËR SECILIN ELEMENT PËRBËRËS TË PAGËS BRUTO MUJORE TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të pikave 1, shkronja “a”, e 2, të nenit 31, të ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.
2. Elementet e pagës bruto mujore dhe vlerat për secilin element janë, si më poshtë vijon:
a) Paga për gradë, që përfaqëson nivelin e pagës së punonjësit, në përputhje me gradën që ka fituar brenda nivelit përkatës. Vlera e pagës për gradë përcaktohet në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
b) Shtesa për natyrë të veçantë pune, që u jepet punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin për natyrën e veçantë të punës e të shërbimit që kryejnë, vlera e së cilës përcaktohet në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
c) Shtesa për vjetërsi shërbimi, që është shtesa që përfiton punonjësi i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, për çdo vit vjetërsi në shërbim, në masën 1 (një) % për çdo vit, deri në 25 (njëzet e pesë) vjet. Kjo shtesë llogaritet mbi vlerën e pagës bazë të gradës “asistent zjarrfikës”.
3. Për efekt të llogaritjes së shtesës për vjetërsi, “vite shërbimi” do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës apo, në mungesë të librezës së punës, me çdo dokument tjetër ligjor të lëshuar nga organet kompetente përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, të çdo punonjësi, në strukturat e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të Policisë së Burgjeve, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të Policisë së Shtetit, si dhe në strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit.
4. Vitet që përjashtohen nga llogaritja e shtesës së vjetërsisë në shërbim, vetëm për efekt pagese, janë vitet e sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa grada, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Punëve të Brendshme e të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2024, përballohen nga buxheti i miratuar dhe fondi i kontingjencës për rritjen e pagave, sipas përcaktimeve në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar.
6. Vendimi nr.350, datë 19.4.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, i ndryshuar, shfuqizohet.
7. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, në nivel qendror, dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, që kanë strukturat përkatëse të këtij shërbimi, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2024.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHKARKIMIN E NJË ANËTARI TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “d”, të pikës 1, të nenit 5, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Namik Simixhiu shkarkohet nga detyra e anëtarit të Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.325, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGAVE, NIVELEVE TË PAGAVE DHE SHTESAVE TË TJERA MBI PAGË TË ZËVENDËSMINISTRIT, FUNKSIONARËVE TË KABINETEVE, PREFEKTIT, NËNPREFEKTIT, NËPUNËSVE CIVILË DHE NËPUNËSVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të shkronjës “h”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të neneve 7 e 9, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.325, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në fund të shkronjës “d”, të pikës 1, të kreut I, shtohen emërtesat, si më poshtë vijon:
a) Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror;
b) Administrata (specialist) në qendrat burimore dhe shkollat me status të veçantë.
2. Lidhjet nr.1, nr.2, nr.12, nr.12/1, nr.12/3, nr.12/5 e nr.12/6 zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
3. Pika 11/2, e kreut III, dhe lidhja 12/2 shfuqizohen.
4. Në lidhjen nr.3 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Në ministrinë përgjegjëse për financat:
a) në masën 24 000 (njëzet e katër mijë) lekë në muaj, për nëpunësit në pozicionet:
i. “drejtor i përgjithshëm” në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet e programimit makroekonomik dhe fiskal, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për politikat tatimore, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet rregullatore dhe përputhshmërinë dhe në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për borxhin;
ii. “drejtor drejtorie” në njësitë përgjegjëse për planifikimin dhe monitorimin e buxhetit qendror e vendor të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet e programimit makroekonomik dhe fiskal, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për politikat tatimore, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për borxhin dhe në drejtorinë përgjegjëse për programimin, standardizimin dhe harmonizimin e kuadrit rregullator.
b) në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj për nëpunësin në pozicionet:
i. “përgjegjës sektori” në njësitë përgjegjëse për planifikimin dhe monitorimin e buxhetit qendror e vendor të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit;
ii. “përgjegjës sektori” në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet e programimit makroekonomik dhe fiskal, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për borxhin, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për politikat tatimore dhe në drejtorinë përgjegjëse për programimin, standardizimin dhe harmonizimin e kuadrit rregullator.
c) në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj për nëpunësit në pozicionet:
i. “koordinator” dhe “specialist” në njësitë përgjegjëse për planifikimin dhe monitorimin e buxhetit qendror e vendor të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit;
ii. “specialist” në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet e programimit makroekonomik dhe fiskal, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për borxhin, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për politikat tatimore dhe në drejtorinë përgjegjëse për programimin, standardizimin dhe harmonizimin e kuadrit rregullator.
ç) në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj për nëpunësit në njësitë e tjera organizative të përmbajtjes.”.
b) Pas pikës 26 shtohet pika 27, me këtë përmbajtje:
“27. Në ministrinë përgjegjëse për ekonominë, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj për nëpunësit në pozicionet “drejtor i përgjithshëm”, “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” dhe “specialist” në:
a) drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për pronën shtetërore;
b) drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet e nxitjes së biznesit dhe të tregtisë;
c) drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për analizat ekonomike;
ç) drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet e punësimit;
d) drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për inovacionin;
dh) drejtorinë përgjegjëse për çështjet e strehimit.”.
5. Në lidhjen nr.4:
a) në shkronjën “b”, pas fjalëve “përgjegjës sektori” shtohet “inspektor”;
b) pas shkronjës “j” shtohet shkronja “k”, me këtë përmbajtje:
“k. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit – “specialist, vulat zyrtare”, përgjegjës për prodhimin fizik të vulave zyrtare për institucionet publike.”.
6. Në lidhjen nr.8, pas fjalëve “Zëdhënës i ministrit.” shtohen “Koordinator në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.”.
7. Në lidhjen nr.11, shtohet rreshti, me këtë përmbajtje:
Specialist me funksione administrative në qendrat burimore dhe shkollat me status të veçantë. IV-4 1, ose 2, ose 3
II. Ngarkohen:
1. Departamenti i Administratës Publike për mbështetjen dhe sqarimin ndaj institucioneve, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e klasave të pagave deri në momentin e miratimit të strukturave dhe organikave të reja;
2. institucionet e administratës publike, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, të propozojnë deri më 20 korrik 2024, sipas legjislacionit në fuqi, ndryshimet në strukturat dhe në organikat ekzistuese të degëve territoriale për përshtatjen e tyre sipas klasave të pagave, të përcaktuara në këtë vendim.
III. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, fillojnë, si më poshtë vijon:
1. Për përcaktimet e pikave 1, shkronja “b”, 4, 6 dhe 7, të kreut I, të këtij vendimi, nga data e emërimit/transferimit të nëpunësve në detyrë dhe për vitin 2024 përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion për këtë vit;
2. Për të gjitha përcaktimet e tjera, nga data 1 korrik 2024 dhe për vitin 2024, përballohen nga fondi i kontingjencës për rritjen e pagave, sipas përcaktimeve në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.867, DATË 10.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT E BASHKËPUNIMIT NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Pas kreut IV, të vendimit nr.867, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e bashkëpunimit në institucionet e administratës shtetërore”, shtohet kreu V, me këtë përmbajtje:
KREU V
BASHKËPUNIMI NDËRMJET INSTITUCIONEVE QENDRORE DHE VENDORE NË FUNKSION TË PROCESIT TË LEGALIZIMIT TË NDËRTIMEVE PA LEJE
1. ASHK-ja dhe bashkitë, sipas ndarjes territoriale, bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimtarinë administrative, në kuadër të trajtimit me prioritet dhe përfundimit të procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, në zbatim të legjislacionit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë. Bashkëpunimi ndërmjet ASHK-së dhe çdo bashkie në këtë proces realizohet nëpërmjet marrëveshjes përkatëse të nënshkruar sipas modelit të shtojcës A, që është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
2. Rregullat për bashkëpunimin, sipas këtij kreu, zbatohen vetëm për procedurat administrative të papërfunduara në zonat me prioritet zhvillimin urban, për të cilat janë miratuar nga bashkia dokumente të planifikimit të territorit, në kuptim të ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, si dhe për zonat informale, në të cilat evidentohet nga bashkia një numër i konsiderueshëm ndërtimesh pa leje, që shërbejnë kryesisht për funksione banimi.
3. Për qëllim të këtij procesi, ASHK-ja dhe bashkia shkëmbejnë informacion në mënyrë të vazhdueshme, sipas mënyrave të përcaktuara në këtë vendim, bashkërendojnë veprimtarinë administrative nëpërmjet asistencës dhe mbështetjes teknike në terren, si dhe lehtësojnë ndërveprimin e ndërsjellë.
4. ASHK-ja dhe bashkia vlerësojnë nevojën dhe mundësitë reale për realizimin e këtij bashkëpunimi, duke përfshirë burimet njerëzore dhe financiare në dispozicion, në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim trajtimin me prioritet dhe përmbylljen e procesit sipas afatit të përcaktuar në marrëveshje.
5. Marrëveshja zbatohet vetëm për ndërtimet pa leje brenda territorit, që mbulon bashkia, sipas ndarjes territoriale në fuqi. Me qëllim zbatimin efektiv të këtij vendimi, bashkia harton listën e nënzonave dhe identifikon bllokun gjeografik prioritar në funksion të planifikimit të territorit dhe i dërgon ASHK-së listën përkatëse.
6. Ministri i Shtetit për Pushtetit Vendor koordinon procesin e zbatimit të këtij vendimi, si dhe të marrëveshjes ndërmjet ASHK-së dhe bashkisë përkatëse.
7. Objekti i bashkëpunimit ndërmjet ASHK-së dhe bashkive përfshin:
a) shkëmbimin në mënyrë të ndërsjellë të informacionit lidhur me procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim administrimin e të dhënave dhe monitorimin e ecurisë së procesit së legalizimit të ndërtimeve pa leje;
b) identifikimin e subjekteve dhe evidentimin në terren. Bashkia, për efekt të planifikimit dhe të zhvillimit urban, mund të identifikojë subjektet që kanë paraqitur kërkesa për legalizim sipas ligjit dhe të evidentojë në terren objektet pa leje në proces legalizimi, që ndodhen në zonën/bllokun kadastral gjeografik me prioritet zhvillimi urban dhe zonë informale banimi;
c) informimin dhe mbështetjen për plotësimin e dokumentacionit dhe evidentimin. Bashkia koordinon me ASHK-në dhe informon subjektet që kanë paraqitur kërkesa për legalizim të ndërtimeve pa leje në zonat objekt i këtij vendimi, lidhur me procedurat e legalizimit, si dhe ofron asistencën e mbështetjen për plotësimin e dokumentacionit, procesin e evidentimit në terren e në përfundim njoftimin për vendimmarrjen;
b) bashkëpunimin gjatë procesit të evidentimit në terren të ndërtimeve pa leje në zonën/bllokun kadastral, nëpërmjet angazhimit të ndërsjellë të burimeve të nevojshme njerëzore e financiare, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar.
8. Shkëmbimi i informacionit ndërmjet ASHK-së dhe bashkive, sipas parashikimeve të këtij vendimi, kryhet në rrugë shkresore dhe/ose elektronike.
9. Në funksion të realizimit të këtij procesi, bashkia përkatëse:
a) njofton subjektet që kanë aplikuar për legalizimin e ndërtimeve pa leje në zonën me prioritet zhvillimi urban dhe zonën informale të banimit që të paraqesin kopje të kërkesës për legalizim apo dokumentacion tjetër të nevojshëm për trajtimin me prioritet të procesit;
b) administron të dhënat dhe e plotëson atë me informacionin për të dhënat e objekteve ndërtime pa leje dhe subjektet përkatëse, sipas zonave/blloqeve përkatëse, që do t’i nënshtrohen procesit, duke i ndarë sipas kategorive përkatëse;
c) përcjell informacionin e grumbulluar dhe të konsoliduar në funksion të evidentimit të subjekteve dhe të ndërtimeve objekte pa leje të zonës/bllokut përkatës te ASHK-ja;
ç) vepron si ndërlidhës/ndërmjetës ndërmjet ASHK-së dhe komunitetit vendor në zonën përkatëse lidhur me procesin e matjeve në terren të objekteve të ndërtimeve pa leje, kontribuon në ndërgjegjësimin e tij, si dhe lehtëson komunikimin e ndërveprimin e ndërsjellë ndërmjet ASHK-së dhe subjekteve.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në funksion të realizimit të këtij procesi:
a) bashkëpunon me bashkinë për evidentimin e ndërtimeve pa leje në territorin e zonave me prioritet zhvillimi urban e të zonave informale të banimit dhe identifikimin e subjekteve që kanë paraqitur kërkesat;
b) merr masa administrative për caktimin e punonjësve përkatës në funksion të bashkërendimit të veprimtarive administrative me bashkinë, si dhe për realizimin e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, me volumin e kërkesave të evidentuara për këto zona;
c) angazhohet të trajtojë me prioritet, në përputhje me legjislacionin në fuqi, kërkesat e subjekteve për legalizimin e ndërtimeve pa leje në zonat me prioritet zhvillimi urban e të zonave informale të banimit, si dhe të njoftojë subjektet për vendimmarrjen dhe bashkinë.
11. ASHK-ja trajton kërkesat e subjekteve për ndërtimet pa leje që ndodhen në këto zona, në përputhje me kriteret dhe procedurat e parashikuara në ligjin nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe aktet nënligjore të miratuara në zbatim të tij.
12. ASHK-ja dhe bashkia rakordojnë e koordinojnë të dhënat e mbledhura, si dhe japin përkatësisht informacion periodik te ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor.
13. Në çdo rast, trajtimi me prioritet i kërkesave të subjekteve për legalizimin e ndërtimeve pa leje, të propozuara nga bashkia, në përputhje me parashikimet e këtij vendimi, nuk pengon vijimin e veprimtarisë administrative të ASHK-së për legalizimet e ndërtimeve pa leje në zonat që ndodhen jashtë këtyre zonave/blloqeve kadastrale, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë.
14. ASHK-ja u propozon bashkive lidhjen e marrëveshjeve brenda 1 (një) muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.”.
II. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe të gjitha bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË DHE NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.714, DATË 24.11.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË SHKOLLËS 9-VJEÇARE “HALIT COKA”, BASHKIA KAMZË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË KAMZË SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.714, datë 24.11.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Pas pikës 2/1 shtohet pika 2/2, me këtë përmbajtje:
“2/2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2024, për financimin e rindërtimit të shkollës 9-vjeçare “Halit Coka”, Bashkia Kamzë, në masën 42 799 705 (dyzet e dy milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e pesë) lekë pa TVSH, i cili do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2024, dhe i transferohet Bashkisë Kamzë në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.
b) Në pikën 3, togfjalëshi “… sipas pikave 1, 2 dhe 2.1 …” zëvendësohet me “… sipas pikave 1, 2, 2.1 dhe 2.2 …”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E TARIFAVE DHE TË MËNYRËS SË PËRDORIMIT TË TYRE PËR SHËRBIMET QË KRYHEN NGA SEKRETARIATI TEKNIK I KËSHILLIT KOMBËTAR TË TERRITORIT DHE UJIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 46/1, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave,
V E N D O S I:
I. SHËRBIMET DHE TARIFAT
1. Ky vendim përcakton tarifat për shërbimet, si dhe mënyrën e përdorimit të tyre për kërkesat që janë kompetencë e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (në vijim KKTU) dhe që ofron Agjencia e Zhvillimit të Territorit (në vijim AZHT), në cilësinë e sekretariatit teknik të KKTU-së, në zbatim të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.
2. Tarifa ka për qëllim të mbulojë vetëm shpenzimet për procedurat administrative që AZHT-ja kryen, pavarësisht nëse shërbimi i kërkuar nuk mund të realizohet për shkaqe të ligjshme, në përputhje me ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe me legjislacionin sektorial në fuqi.
3. Sekretariati teknik i KKTU-së për shërbimet që do të ofrohen në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrat e saj, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, zbaton tarifa për shqyrtimin e kërkesave për pajisje me:
a) leje zhvillimi;
b) leje ndërtimi;
c) leje për strukturë shërbimi në stacionet e plazhit;
ç) certifikatë përdorimi;
d) leje për shtyrje të afatit të lejes së ndërtimit;
dh) leje për rishikim të kushteve dhe ndryshime në projekt gjatë ndërtimit;
e) leje për ndryshim të subjektit zhvillues;
ë) leje për ndryshim funksioni.
4. Tarifa për shqyrtimin e kërkesave për leje zhvillimi do të llogaritet në bazë të sipërfaqes së pronave që do të zhvillohen dhe niveli i tarifës është në vlerën 100 (njëqind) lekë për m2. Pagesa kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit të lejes së zhvillimit nga Këshilli Kombëtar të Territorit dhe Ujit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja. Nga ky parashikim përjashtohen aplikimet për leje zhvillimi për centralet gjeneruese të energjisë, tarifa për shqyrtimin e të cilave do të llogaritet në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për Mw. Pagesa për këto raste kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit të lejes së zhvillimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja.
5. Tarifa për shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi është në vlerën 1% të vlerёs sё investimit. Vlera e investimit llogaritet sipas preventivit të investimit, paraqitur nga kërkuesi në sistemin e-leje, sipas legjislacionit në fuqi. Pagesa kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit të lejes së ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës së arkëtimit nga AZHT-ja.
6. Tarifa për shqyrtimin e kërkesave për ndryshimin e subjektit zhvillues është në vlerën 1% të vlerёs sё investimit. Vlera e investimit llogaritet sipas preventivit të investimit, paraqitur nga kërkuesi në sistemin e-leje, sipas legjislacionit në fuqi. Pagesa kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja.
7. Tarifa për shqyrtimin e kërkesave për pajisje me leje për strukturë shërbimi në stacionet e plazhit është tarifë fikse, në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë. Pagesa kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja.
8. Tarifa për shqyrtimin e kërkesave për rishikim të kushteve gjatë ndërtimit, ndryshime në projekt gjatë ndërtimit, ndryshim funksioni, si dhe për lëshimin e certifikatave të përdorimit janë tarifa fikse, në masën 300 000 (treqind mijë) lekë. Pagesa për rishikim të kushteve gjatë ndërtimit, ndryshime në projekt gjatë ndërtimit, ndryshim funksioni kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja. Pagesa për lëshimin e certifikatave të përdorimit kryhet brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja.
9. Tarifa për shqyrtimin e kërkesave për shtyrjen e afateve të lejes së ndërtimit është tarifë fikse, në masën 3 000 000 (tre milionë) lekë. Pagesa për shtyrjen e afateve të lejes së ndërtimit kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja.
10. Subjektet e interesuara për përfitimin e shërbimeve të përshpejtuara (fast track), të cilat mundësojnë marrjen e shërbimit të kërkuar, brenda gjysmës së kohës së përcaktuar mund të aplikojnë për përftimin e këtij shërbimi, kundrejt pagimit të 3-fishit të vlerës së tarifës së aplikimit, sipas tarifave të përcaktuara në këtë vendim.
11. Përjashtohen nga pagesa e kësaj tarife të gjitha organet publike dhe shtetërore, në nivel qendror dhe vendor, të cilat janë në rolin e investitorit/zhvilluesit apo të objekteve publike.
12. Struktura e ngarkuar për lëshimin e autorizimit të pagesës për tarifat, të cilat depozitohen për llogari të AZHT-së është Drejtoria e Financës dhe arkëtimi kryhet sipas autorizimit, të lëshuar për këtë qëllim pranë bankave të nivelit të dytë. Mandati i pagesës ngarkohet në sistemin elektronik e-leje. Modeli i faturës miratohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AZHT-së.
13. Tarifa e shërbimit paguhet nga zhvilluesi, për llogari të AZHT-së, pasi t’i jetë vënë në dispozicion subjektit të interesuar apo kërkuesit fatura e arkëtimit për këtë shërbim nëpërmjet sistemit e-leje. Kjo tarifë nuk përfshin tarifat që duhet të paguhen për llogari të institucioneve të tjera shtetërore gjatë procedurës së lëshimit të autorizimeve/miratimeve/lejeve dytësore, të cilat janë të domosdoshme në funksion të miratimit të lejes së zhvillimit/ndërtimit apo kërkesave, sipas pikës 3, të këtij vendimi.
II. DISPOZITA KALIMTARE
1. Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, merr të gjitha masat që brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi të kryhet lëshimi i faturave brenda sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit. Deri në krijimin e modaliteteve përkatëse brenda sistemit e-leje, AZHT-ja mund të kryejë lëshimin e faturave dhe autorizimeve për kryerjen e pagesave, sipas tarifave të përcaktuara në këtë vendim, jashtë sistemit e-leje.
2. Agjencia e Zhvillimit të Territorit merr të gjitha masat për lëshimin e faturave, sipas tarifave të përcaktuara në këtë vendim, për të gjitha vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, që konfirmohen pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi, me përjashtim të vendimmarrjeve para vitit kalendarik 2024.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Tarifat për shërbimet bëhen publike në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
2. Ngarkohen Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA