Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Tetor 2022 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Tetor 2022

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Tetor 2022: 

 

AKT NORMATIV
PËR

MIRATIMIN E AMENDIMIT TË KATËRT TË NËNSHKRUAR NË MARRËVESHJEN PËR PRODHIMIN DHE FURNIZIMIN, NGA DHE NDËRMJET PFIZER EXPORT B.V. DHE MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE TË SHQIPËRISË, MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN DHE INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK, MIRATUAR ME AKTIN NORMATIV NR.3, DATË 18.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1
Miratimi i amendimit të katërt

Miratimin e amendimit të katërt të nënshkruar në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr.3, datë 18.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij akti normativ.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Arian Jaupllari emërohet zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES MBI BASHKËPUNIMIN PËR MBROJTJEN NDAJ KATASTROFAVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes mbi bashkëpunimin për mbrojtjen ndaj katastrofave në Ballkanin Perëndimor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Ermira Gjeçi, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (HUAMARRËSI) DHE AGJENCISË FRANCEZE PËR ZHVILLIM (HUADHËNËSI), PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “FURNIZIMI ME UJË I QYTETIT TË DURRËSIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Furnizimi me ujë i qytetit të Durrësit”, me një hua, në shumën 60 000 000 (gjashtëdhjetë milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.360, DATË 29.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË NDOTËSVE ORGANIKË TË QËNDRUESHËM DHE PËRCAKTIMIN E MASAVE PËR PRODHIMIN, IMPORTIMIN, VENDOSJEN NË TREG DHE PËRDORIMIN E TYRE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 37, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 30, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.360, datë 29.4.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në pikën 4, të kreut I, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1.1. Shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç” ndryshohen, si më poshtë vijon:

“a) “Vendosje në treg”, ka të njëjtin kuptim me termin e përcaktuar në nenin 5, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”;

“b) “Artikull”, ka të njëjtin kuptim me termin e përcaktuar në nenin 5, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”;

“c) “Përzierje’, ka të njëjtin kuptim me termin e përcaktuar në nenin 5, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”;

“ç). “Stok” janë substancat, përzierjet ose artikujt e grumbulluar nga mbajtësi i stokut që përbëhen ose përmbajnë ndonjë prej substancave të renditura në aneksin I, bashkëlidhur këtij vendimi.”.

1.2. Pas shkronjës “ë”, të pikës 4, shtohen shkronjat “f”, “g”, “gj”, “h”, “i”, “j”, me këtë përmbajtje:

“f) “Import”, ka të njëjtin kuptim me termin e përcaktuar në nenin 5, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”;

“g) “Prodhim”, ka të njëjtin kuptim me termin e përcaktuar në nenin 5, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”;

“gj) “Përdorim”, ka të njëjtin kuptim me termin e përcaktuar në nenin 5, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”;

“h) “Substancë”, ka të njëjtin kuptim me termin e përcaktuar në nenin 5, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”;

“i) “Substancë e ndërmjetme në sisteme të mbyllura me sipërfaqe të kufizuar”, është një substancë që prodhohet, konsumohet ose përdoret për përpunim kimik për t’u transformuar në një substancë tjetër (“sintezë”), ku prodhimi i substancës së ndërmjetme dhe sinteza e një ose më shumë substancave nga ajo substancë e ndërmjetme ndodh në të njëjtin vend, nga një ose më shumë subjekte, në kushte rreptësisht të kontrolluara, në mënyrë që të përmbahet në mënyrë rigoroze me mjete teknike gjatë të gjithë ciklit të jetës”;

“j) “Ndotës gjurmë i paqëllimshëm”, është niveli i një substance që gjendet rastësisht i pranishëm në një sasi minimale, e cila nëse gjendet nën këtë sasi minimale nuk mund të përdoret në mënyrë kuptimplotë dhe mbi limitet e gjurmimit të metodave ekzistuese të gjurmimit që mundësojnë kontrollin dhe zbatimin.”.

2. Anekset I, II, III dhe IV, të përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c” e “ç”, të pikës 3, të kreut I, zëvendësohen me anekset I, II, III dhe IV, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

3. Kudo në përmbajtjen e vendimit, emërtimi “Ministria e Mjedisit” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për mjedisin …” si dhe emërtimi “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve” zëvendësohet me fjalët “… struktura përgjegjëse për kontrollin dhe inspektimin në fushën e mjedisit …”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 dhjetor 2022.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.558, DATË 18.6.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “UNAZA VERIORE, KORÇË””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.558, datë 18.6.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për tokë “truall”, me sipërfaqe të përgjithshme 1 209 (një mijë e dyqind e nëntë) m2 dhe vlerë të përgjithshme shpronësimi 10 939 310 (dhjetë milionë e nëntëqind e tridhjetë e nëntë mijë e treqind e dhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 10 939 310 (dhjetë milionë e nëntëqind e tridhjetë e nëntë mijë e treqind e dhjetë) lekësh, përballohet në masën:

– 10 200 880 (dhjetë milionë e dyqind mijë e tetëqind e tetëdhjetë) lekë nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar;
– 738 430 (shtatëqind e tridhjetë e tetë mijë e katërqind e tridhjetë) lekë, nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.”.

b) Në pikën 5, vlera “… 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë … ” zëvendësohet me “… 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë …”;

c) Në tabelën bashkëlidhur vendimit shtohet nënndarja me numër rendor 19, me të dhënat sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.861, DATË 29.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE ,“PËR TRANSFERIMIN, NË FONDIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME PËR MBËSHTETJEN E INVESTIMEVE STRATEGJIKE, DHE KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NË ZONËN KADASTRALE NR.8514, BASHKIA DURRËS, PËR ZHVILLIMIN DHE REALIZIMIN E PROJEKTIT INVESTUES STRATEGJIK “MARINA DHE JAHTET E DURRËSIT (DURRËS YACHTS & MARINA)”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, dhe të neneve 27 e 31, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.861, datë 29.12.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në pikën 1, fjalët “… me sipërfaqe totale 812 600.98 m2 (tetëqind e dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind pikë nëntëdhjetë e tetë), nga të cilat 54 217.51 m2 (pesëdhjetë e katër mijë e dyqind e shtatëmbëdhjetë pikë pesëdhjetë e një) sipërfaqe ndërtimore …” zëvendësohen me “… me sipërfaqe totale 818 318.98 m2 (tetëqind e tetëmbëdhjetë mijë e treqind e tetëmbëdhjetë pikë nëntëdhjetë e tetë), nga të cilat 61 450.51 m2 (gjashtëdhjetë e një mijë e katërqind e pesëdhjetë pikë pesëdhjetë e një) sipërfaqe ndërtimore …”.

b) Në pikat 4 dhe 8, shoqëria “Symphony Real Estate Development”, sh.p.k., zëvendësohet me “Eagle Hills Real Estate Development”, sh.p.k.

c) Në shtojcën 1, bashkëlidhur vendimit, hiqen pasuritë me nr.17/3, 17/10, 17/56 dhe shtohen pasuritë sipas listës, planvendosjes dhe planrilevimeve që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1056, DATË 14.12.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS FIER”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.1056, datë 14.12.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Pikat 3 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për “tokë bujqësore”, me sipërfaqe 833 228.83 (tetëqind e tridhjetë e tre mijë e dyqind e njëzet e tetë pikë tetëdhjetë e tre) m2, me vlerë 398 168 426.7 (treqind e nëntëdhjetë e tetë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e katërqind e njëzet e gjashtë pikë shtatë) lekë, për “tokë truall”, me sipërfaqe 170 (njëqind e shtatëdhjetë) m², me vlerë 406 300 (katërqind e gjashtë mijë e treqind) lekë, si dhe objekte, me vlerë 16 282 001 (gjashtëmbëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e dy mijë e një) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 414 856 728 (katërqind e katërmbëdhjetë milionë e tetëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e njëzet e tetë) lekësh.

5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 414 856 728 (katërqind e katërmbëdhjetë milionë e tetëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e njëzet e tetë) lekësh përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.”.

b) Në fund të tabelave bashkëlidhur vendimit shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, bën ndarjen e pasurisë “arë”, për sipërfaqen, objekt shpronësimi, dhe sipërfaqen që mbetet.

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE TE FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT, TË OBJEKTIT ME EMËRTIM “ISH-SANATORIUMI”, BASHKIA KORÇË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c” , të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale te Fondi Shqiptar i Zhvillimit, të pronës së ndodhur në zonën kadastrale nr.8562, me nr.pasurie 3/200 (ndërtesë dhe truall), me sipërfaqe të përgjithshme të truallit 6 888 m2 (gjashtë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e tetë) dhe sipërfaqe të përgjithshme të ndërtesave mbi këtë truall 1 581.6 m2 ndërtim (një mijë e pesëqind e tetëdhjetë e një pikë gjashtë), me emërtimin “Ish-Sanatoriumi”, Bashkia Korçë, sipas planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim ndërtimin e Polit Universitar Korçë për drejtimet e mikpritjes, bujqësisë dhe inovacionit.

2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Korçë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SHËRBIMIT PËRMBARIMOR GJYQËSOR SHTETËROR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1 dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E DËMSHPËRBLIMIT FINANCIAR PËR ISH-TË DËNUARIT POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë të dënuar me burgim, izolim në hetuesi, izolim në institucion mjekësor apo mjekësor psikiatrik, sipas listës së përcaktuar në aneksin A, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë të dënuar me dënim kapital ose të ekzekutuar pa gjyq, sipas listës së përcaktuar në aneksin B, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Shpërndarja e masës së dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë bëhet me këste, sipas kritereve dhe kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

4. Shuma e llogaritur transferohet në një llogari të posaçme në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në llogaritë personale të tyre, të hapura në bankat e nivelit të dytë, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9831, datë 12.11.2017, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

5. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I OBJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI DHE FUQIZIMI I SEGMENTIT TË LINJËS 35 kV TEC/ FIER–HOXHARË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i objektit “Rikonstruksioni dhe fuqizimi i segmentit të linjës 35 kV TEC/Fier–Hoxharë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 160 121.49 (njëqind e gjashtëdhjetë mijë e njëqind e njëzet e një pikë dyzet e nëntë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, në masën 160 121.49 (njëqind e gjashtëdhjetë mijë e njëqind e njëzet e një pikë dyzet e nëntë) lekë, përballohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi paraqesin dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

8. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT TË GODINËS SË KOPSHTIT PUBLIK VORË, BASHKIA VORË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, dhe në vijim të vendimit nr.7, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për kushtet dhe procedurat për shpronësimet dhe/ose shkëmbimin e pronës për interes publik në funksion të procesit të rindërtimit”, të ndryshuar, e të vendimit nr.8, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kushteve dhe të kritereve të përfitimit të sipërfaqeve ndërtimore në objektet e reja për banim nga subjektet që posedojnë ndërtime të klasifikuara si ndërtime pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, në funksion të procesit të rindërtimit të godinës së kopshtit publik Vorë, Bashkia Vorë, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vorë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, në vlerën 1 425 312 (një milion e katërqind e njëzet e pesë mijë e treqind e dymbëdhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 1 425 312 (një milion e katërqind e njëzet e pesë mijë e treqind e dymbëdhjetë) lekësh përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit dhe i transferohet Bashkisë Vorë, në buxhetin e vitit 2022, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Vorë.

8. Bashkia Vorë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Vorë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Rajonale Kamzë – Vorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, pasqyron në kartelat e pasurive të paluajtshme informacionin për miratimin e shpronësimit për interes publik të pasurive, pronë private, të cilat preken nga realizimi i projektit. Regjistrimi i aktit të kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Vorë do të kryhet pas aplikimit nga Bashkia Vorë për shërbimin përkatës.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Rajonale Kamzë -Vorë, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe regjistrimi i aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vorë për pasuritë e shpronësuara.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Rajonale Kamzë – Vorë, dhe Bashkia Vorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.299, DATË 8.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR DHËNIEN E AUTORIZIMIT TË TREGTIMIT TË BARNAVE E TË KLASIFIKIMIT TË TYRE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 5, dhe 12, pika 3, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në tekstin e rregullores, që i bashkëlidhet vendimit nr.299, datë 8.4.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, te “KLASIFIKIMI I NDRYSHIMEVE”, pas pikës B.I.a.4, shtohen pikat B.I.a.5 dhe B.I. a.6, me përmbajtje sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR MEKANIZMAT E SIGURIMIT TË USHQIMIT NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes “Për mekanizmat e sigurimit të ushqimit në Ballkanin Perëndimor”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE FUNKSIONIMIT TË SPITALIT RAJONAL “MEMORIAL” NË FIER, SI APLIKUES I AUTONOMISË SPITALORE MENAXHERIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 14, të ligjit nr.55/2022, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Funksionimin e spitalit rajonal “Memorial” në Fier, si projekt pilot me status të veçantë si spital i nivelit terciar.

2. Spitali rajonal “Memorial” në Fier ushtron veprimtarinë e tij në bazë të legjislacionit në fushën e shërbimit spitalor dhe bazuar në marrëveshjen e lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, të ratifikuar me ligjin nr.23/2021, me seli në Fier, pjesë e skemës së sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor.

3. Spitali rajonal “Memorial” në Fier aplikon autonominë menaxheriale, si një spital pilot për një periudhë 2-vjeçare, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim dhe në aktet e tjera ligjore dhe nënligjore që rregullojnë autonominë spitalore menaxheriale.

4. Ministri përgjegjës për shëndetësinë pajis spitalin “Memorial” në Fier me Kartën e Autonomisë Menaxheriale për një periudhë 2-vjeçare, e cila mirëpërcakton fushat në të cilën aplikohet autonomia menaxheriale.

5. Spitali rajonal “Memorial” në Fier do të funksionojë për një periudhë transitore në bashkëpunim me personat e caktuar nga ministria e shëndetësisë turke, sipas protokollit të bashkëpunimit të lidhur ndërmjet dy ministrave përkatës, përgjegjës për shëndetësinë, i miratuar me vendimin nr.58, datë 26.1.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për funksionimin e përbashkët të spitalit rajonal “Memorial” në Fier, gjatë fazës kalimtare”.

6. Spitali rajonal “Memorial” në Fier ofron shërbimet bazë, sipas listës së shërbimeve të miratuara me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

7. Spitali rajonal “Memorial” në Fier e ushtron veprimtarinë e tij, në përputhje me standardet, treguesit e cilësisë e të performancës, protokollet e diagnozës e të trajtimit, të miratuara nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë.

8. Rregullimet e përgjithshme dhe në hollësi të veprimtarisë së spitalit rajonal “Memorial” në Fier përcaktohen në statutin e spitalit, i cili miratohet nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.

9. Organet drejtuese të spitalit rajonal “Memorial” në Fier, i pajisur me Kartën e Autonomisë Menaxheriale, janë:

a) Bordi Drejtues;
b) Ekipi menaxhues;
c) Administratori i Përgjithshëm.

10. Bordi Drejtues është organi kolegjial më i lartë drejtues i spitalit publik autonom dhe është i pavarur në veprimtarinë e tij. Përbërja dhe funksionet e bordit përcaktohen në rregulloren e autonomisë spitalore.

11. Ekipi menaxhues i spitalit autonom përbëhet nga administratori i Përgjithshëm, drejtuesit teknikë dhe ekonomikë. Detyrat e ekipit menaxhues përcaktohen në rregulloren e brendshme të funksionimit të spitalit.

12. Administratori i Përgjithshëm i spitalit është autoriteti më i lartë ekzekutiv i spitalit autonom dhe emërohet nga Bordi Drejtues sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren e autonomisë spitalore. Detyrat e administratorit të Përgjithshëm përcaktohen në rregulloren e brendshme të funksionimit të spitalit.

13. Anëtarët e bordit marrin shpërblim për pjesëmarrje në mbledhje, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore.

14. Bordi Drejtues raporton periodikisht pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

15. Financimi nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor realizohet sipas paketave të shërbimeve spitalore, në përputhje me listën e shërbimeve të miratuara me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

16. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratë me spitalin rajonal “Memorial” në Fier për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore, duke përfshirë shpenzimet për personelin, shërbimet korrente dhe paketat e shërbimeve të ofruara dhe kontrollon e monitoron buxhetin spitalor, aktivitetin vjetor të spitalit, bazuar në indikatorët e performancës, nëpërmjet strukturave të tyre audituese e kontrolluese, sipas kushteve të përcaktuara në këtë kontratë.

17. Të ardhurat dytësore, të realizuara nga spitali rajonal “Memorial” në Fier, përdoren nga vetë spitali, sipas kritereve që përcaktohen në statut dhe miratohen nga Bordi Drejtues i spitalit.

18. Struktura dhe organika e spitalit miratohen nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, me propozimin e Bordit Drejtues të spitalit.

19. Personeli i kujdesit shëndetësor turk caktohet nga Republika e Turqisë gjatë fazës së transicionit të spitalit rajonal “Memorial” në Fier, në zbatim të nenit 1, të marrëveshjes së lidhur, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, ratifikuar me ligjin nr.23/2021.

20. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të spitalit rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

21. Institucionet kompetente ushtrojnë kontroll mbi veprimtarinë e spitalit rajonal “Memorial” në Fier, sipas legjislacionit në fuqi dhe brenda fushës së tyre të përgjegjësisë.

22. Spitali rajonal “Memorial” në Fier ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, spitali rajonal “Memorial” në Fier, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

23. Vendimi nr.175, datë 17.3.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen, organizimin dhe funksionimin e spitalit rajonal “Memorial” në Fier, si projekt pilot”, i ndryshuar, shfuqizohet.

24. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të pikave 3 dhe 4, të këtij vendimi, që hyjnë në fuqi më 1 janar 2023.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE TË RINISË DHE PLANIT TË VEPRIMIT 2022-2029

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të nenit 5, të ligjit nr.75/2019, “Për rininë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë dhe planit të veprimit 2022-2029, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen ministri përgjegjës për rininë, ministritë e linjës dhe institucionet përgjegjëse të përmendura në tekstin e kësaj strategjie dhe planit të saj të veprimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Forumi Rajonal i OBSH për Shëndetin e të Rinjve në Tiranë, Manastirliu-Kluge: Vaksinim i njëkohshëm kundër gripit dhe Covid-19