Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Gusht 2026

V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKIA KRUJË TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19, pika 9, e 21, pika 6, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te Bashkia Krujë të 196 (njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) apartamenteve në 11 (njëmbëdhjetë) ndërtesa me njësi banimi (pallat), përkatësisht, sipas listës së inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Krujë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet  në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS  SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SOCIALISTE  TË VIETNAMIT, PËR ELIMINIMIN E TATIMIT TË DYFISHTË     NË LIDHJE ME TAKSAT MBI TË ARDHURAT DHE PARANDALIMIN E EVAZIONIT DHE SHMANGIES SË TAKSAVE
 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Socialiste të Vietnamit, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me taksat mbi të ardhurat dhe parandalimin e evazionit dhe shmangies së taksave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.1 TË MARRËVESHJES SË ZBATIMIT NR.II, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E EKONOMISË DHE INOVACIONIT, DHE DEUTSCHE GESELLSCHAFT FÜR INTERNATIONALE ZUSAMMENARBEIT (GIZ) GMBH, SI PËRFAQËSUESE E QEVERISË GJERMANE DHE AGJENCI ZBATUESE, PËR PROJEKTIN “MBËSHTETJE PËR NEGOCIATAT PËR ANËTARËSIM  TË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN NË SEKTORIN EKONOMIK” (SANECA II), MIRATUAR ME VENDIMIN NR.514, DATË 30.6.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të    ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.1 të marrëveshjes së zbatimit nr.II, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, si përfaqësuese e qeverisë gjermane dhe agjenci zbatuese, për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në sektorin ekonomik” (SANECA II), miratuar me vendimin nr.514, datë 30.6.2026, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.581, DATË 6.10.2021,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË KONTRIBUTIT KOMBËTAR   TË PËRCAKTUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 7, të    ligjit nr.155/2020, “Për ndryshimet klimatike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Teksti i Dokumentit të Kontributit Kombëtar të Përcaktuar (NDC), që i bashkëlidhet vendimit nr.581, datë 6.10.2021, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me tekstin, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.872, DATË 29.12.2021,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR ENERGJINË DHE KLIMËN 2020-2030”
Në mbështetje të pikave 1 e 2, të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikave 3 e 4, të   nenit 14, të ligjit nr.155/2020, “Për ndryshimet klimatike”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.872, datë 29.12.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 2, fjalët “Duke filluar nga data 25 mars 2023 e në vijim, çdo 2 (dy) vjet …” zëvendësohen me “Duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, çdo 2 (dy) vjet, brenda datës 25 mars të vitit në të cilin përfundon çdo periudhë dyvjeçare …”.
2. Pika 3 shfuqizohet.
3. Teksti i Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës, që i bashkëlidhet vendimit, zëvendësohet me tekstin, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Në pikën 4 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Emërtimi “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit zëvendësohet me “Ministria e Mjedisit”;
b) Fjalët “… në shtojcën 9 …” zëvendësohen me “… në kapitullin 3 …”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË   SË ARSIMIT TË PASURISË NR.1/136-ND, NË ZONËN KADASTRALE 8320, PËR QENDRËN E SHËRBIMEVE ARSIMORE, DHE REVOKIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË SË BASHKISË TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të nenit 8/a, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe të ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Arsimit të pasurisë nr.1/136-nd, në zonën kadastrale 8320, godina nr.3 në Rezidencën Studentore Universitare nr.3, Tiranë, për Qendrën e Shërbimeve Arsimore, dhe revokimin e së drejtës së pronësisë së Bashkisë Tiranë, me qëllim sigurimin e ambienteve të punës për Qendrën e Shërbimeve Arsimore, sipas certifikatës së regjistrimit, kartelës së pasurisë dhe fragmentit të hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi të këtij vendimi, realizohet regjistrimi i pronës së përcaktuar në pikën 1 dhe dorëzimi i saj nëpërmjet nënshkrimit të aktdorëzimit ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Arsimit, e cila është përgjegjëse për ndjekjen dhe përfundimin e të gjitha procedurave, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Ministrisë së Arsimit dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore u ndalohet ndryshimi i destinacionit të përdorimit të pasurive, të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Bashkia Tiranë, Ministria e Arsimit, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN DHE FUNKSIONIMIN E QENDRËS KOMBËTARE  TË KOORDINIMIT PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË KUFIRIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 28, të   ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Qendrës Kombëtare të Koordinimit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (në vijim Qendra) për shkëmbimin në kohë reale të informacionit dhe lehtësimin e bashkëpunimit midis autoriteteve kombëtare, me përgjegjësi në menaxhimin e integruar të kufirit, kontrollin dhe mbikëqyrjen e tij me qendrat kombëtare të koordinimit të vendeve të rajonit e ato partnere, si dhe me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX).
2. Qendra Kombëtare e Koordinimit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit është strukturë koordinuese ndërinstitucionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe përbëhet nga përfaqësues të agjencive të zbatimit të ligjit, që operojnë në kufi, si më poshtë vijon:
a) Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit / Departamenti për Kufirin dhe Migracionin;
b) Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
c) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
3. Qendra do të drejtohet nga përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit/Departamenti për Kufirin dhe Migracionin.
4. Qendra bashkëpunon, për ushtrimin e funksioneve të saj, me Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare, Rojën Bregdetare dhe institucione të tjera shtetërore, të angazhuara në menaxhimin e integruar të kufirit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Shkëmbimi i informacionit dhe prezenca e përfaqësuesve të këtyre institucioneve në Qendër realizohet me kërkesë të Qendrës dhe në përputhje me kompetencat ligjore të secilit institucion.
5. Titullarët e autoriteteve, të përcaktuara në pikat 2 dhe 4, të këtij vendimi, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, caktojnë nga një përfaqësues dhe njoftojnë me shkrim Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.  Pas fillimit të funksionimit të Qendrës, në rast ndryshimi të përfaqësuesit të caktuar, titullari i autoritetit përkatës njofton menjëherë Qendrën.
6. Përfaqësuesit e autoriteteve kombëtare në Qendër kanë akses në bazat shtetërore të të dhënave të institucioneve që përfaqësojnë për kryerjen e detyrave funksionale dhe përgjegjësive, të parashikuara në pikën 2, të nenit 28, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”. Çdo veprimtari ndërhyrëse në të dhënat e sipërpërmendura është e gjurmueshme.
7. Qendra ka akses në të gjitha pamjet e kamerave të instaluara dhe që janë në përdorim nga agjencitë ligjzbatuese që operojnë në kufi, si dhe në sistemin e mbikëqyrjes së kufirit tokësor, detar, përveç sistemeve me qëllim të mirëfilltë ushtarak, liqenor dhe lumor.
8. Informacioni i mbledhur dhe i përpunuar nga Qendra, në përmbushje të detyrave funksionale, administrohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, legjislacionin përkatës të bazave të të dhënave shtetërore, si dhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
9. Me qëllim hartimin dhe administrimin e raporteve të situatës kombëtare të sigurisë kufitare, si dhe hartimin e shpërndarjen e raportit ditor të aktivitetit ditor, agjencitë e zbatimit të ligjit, që operojnë në kufi, si dhe Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare informojnë Qendrën në kohë reale për çdo situatë apo incident përgjatë kufirit shtetëror tokësor, detar, liqenor e lumor, si dhe në pikat e kalimit të kufirit ajror, tokësor, detar, liqenor dhe do të dërgojnë pranë Qendrës raportin ditor të aktivitetit të shërbimeve përkatëse, të angazhuara në menaxhimin e kufirit.
10. Qendra do të ketë faqen e saj zyrtare, ku do të pasqyrohen informacione dhe kuadri ligjor, nënligjor, në gjuhën shqipe dhe angleze, që lidhen me qarkullimin ndërkufitar të shtetasve e të mallrave.
11. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, Roja Bregdetare dhe institucionet e tjera shtetërore, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për menaxhimin e integruar të kufirit, sipas kompetencave ligjore përkatëse, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2027.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS 110 KV FIER – KAFARAJ DHE VENDOSJA E TRAKTIT TË RI NË NËNSTACIONIN FIER”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 110 kV Fier-Kafaraj dhe vendosja e traktit të ri në nënstacionin Fier”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “pyll”, me një vlerë të përgjithshme prej 173 647.31 (njëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e dyzet e shtatë pikë tridhjetë e një) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 173 647.31 (njëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e dyzet e shtatë pikë tridhjetë e një) lekësh, përballohet nga buxheti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
10. Operatori i  Sistemit të Transmetimit, sh.a., pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, e cila brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për Operatorin e  Sistemit të Transmetimit, sh.a., për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për Operatorin e  Sistemit të Transmetimit, sh.a., për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI URBAN  NË ZONËN E TREGUT TË HAPUR TË QYTETIT TË VLORËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të   ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikualifikimi urban në zonën e tregut të hapur të qytetit të Vlorës”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.
3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 650 040 (një milion e gjashtëqind e pesëdhjetë mijë e dyzet) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej  1 650 040  (një milion e gjashtëqind e pesëdhjetë mijë e dyzet) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Vlorë.
8. Bashkia Vlorë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Vlorë.
10. Bashkia Vlorë, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, e cila brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.667,  DATË 29.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DREJTORISË  SË PËRGJITHSHME TË AKREDITIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të nenit 4, të  ligjit nr.116/2014, “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.667, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 1, para  akronimit “DPA” shtohen fjalët “… në vijim …”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe selia e saj ndodhet në Tiranë.”.
3. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit operon në përputhje me legjislacionin në fuqi, standardet kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare, rregulloret, udhëzuesit dhe kërkesat për akreditim.”.
4. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. DPA-ja ka detyrim plotësimin në mënyrë të vazhdueshme të kërkesave të neneve 9, 10 dhe 11, të ligjit nr.116/2014, “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj, si dhe përfaqëson institucionin në marrëdhënie me të tretë. Drejtori i Përgjithshëm asistohet dhe mbështetet nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për përmbushjen e objektivave të institucionit, duke bashkërenduar dhe mbikëqyrur veprimtari dhe funksione të veçanta të strukturave të DPA-së, përcaktuar me urdhër dhe delegim të drejtorit të Përgjithshëm, si dhe në rregulloren e brendshme. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm kryen gjithashtu detyrat e menaxherit të cilësisë, sipas kërkesave të standardit ISO/IEC 17011:2017 “Vlerësimi i konformitetit – Kërkesat për organizmat e akreditimit që akreditojnë organet e vlerësimit të konformitetit”.”.
5. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. DPA-ja dërgon në ministri, deri në datën 31 janar të çdo viti kalendarik:
a) raportin vjetor të DPA-së dhe objektivat për vitin pasardhës;
b) raportin vjetor të Bordit të Akreditimit;
c) raportin në lidhje me ankesat dhe apelimet;
ç) raportin në lidhje me shkallën e kënaqësisë së klientëve.
Raporti vjetor publikohet në faqen zyrtare të DPA-së brenda 10 ditëve nga miratimi.”.
6. Pika 15 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“15. Organet e vlerësimit të konformitetit, të regjistruara në Shqipëri dhe të akredituara nga organizma akreditues të huaj, informojnë DPA-në brenda 30 ditëve kalendarike për marrjen e akreditimit të tyre dhe deri më 31 janar të çdo viti për statusin e tyre të akreditimit.”.
7. Në pikën 18, fjalët “… në pikën 15 …” zëvëndësohen me “… në pikën 17 …”.
8. Pika 20 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“20. DPA-ja ka logon dhe simbolin e saj të regjistruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale. DPA-ja i jep të drejtën organeve të akredituara prej saj të përdorin simbolin e akreditimit. Simboli i akreditimit përbëhet nga logoja e DPA-së, standardi kundrejt të cilit janë akredituar, vlerësimi i konformitetit dhe numri i akreditimit. DPA-ja publikon rregullat e përdorimit të simbolit të akreditimit në faqen zyrtare të saj.”.
II. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN E PRONËSISË SË 89,652% TË AKSIONEVE TË SHOQËRISË “DUHAN CIGARE”, SH.A., NË LIKUIDIM, SHKODËR, NGA MINISTRIA E EKONOMISË DHE INOVACIONIT  TE BASHKIA SHKODËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.7926,  datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, të paragrafit të tretë, të nenit 4, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin e pronësisë së 89,652% të aksioneve të shoqërisë “Duhan Cigare”, sh.a., në likuidim, Shkodër, nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit te Bashkia Shkodër, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU