Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Mars 2024:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË FSHATIN SHEQ MARINAS, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “ALBANIA POWER CORE”, SH.P.K
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në fshatin Sheq Marinas, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “Albania Power Core”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: shoqëria “Albania Power Core”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: M23112202T;
c) Tipi i centralit: fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 40.56 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: në fshatin Sheq Marinas, Bashkia Fier, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës: sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit e dokumentacionin e projektit;
g) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në fshatin Sheq Marinas, Bashkia Fier, Qarku Fier, e dhënë sipas këtyre rregullave, mund të transferohet te një subjekt i tretë, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
gj) Shoqëria “Albania Power Core”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “Albania Power Core”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë “royalty”, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe “Albania Power Core”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE NR.3038, FSHATI POVELÇË, NJËSIA ADMINISTRATIVE DËRMENAS, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “ALB SUN ENERGY”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale nr.3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “ALB SUN ENERGY”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “ALB SUN ENERGY”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: L82208032O;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 30 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 60 (gjashtëdhjetë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën kadastrale nr.3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe dokumentacionin e projektit;
g) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale nr.3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier, e dhënë sipas këtyre rregullave, mund të transferohet te një subjekt i tretë, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
gj) Zgjatja e afatit të miratimit të ndërtimit, pajisja me lejen e ndërtimit dhe vënia në operim e impiantit fotovoltaik, dhënë sipas këtyre rregullave, bëhen vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
h) Shoqëria “ALB SUN ENERGY”, sh.p.k., ose shoqëria për qëllime të veçanta ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “ALB SUN ENERGY”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “ALB SUN ENERGY”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 7.11.2023, PËR ÇËSHTJEN “DURDAJ DHE TË TJERË KUNDËR SHQIPËRISË” (PËR KËRKESËN NR.63543/09 DHE 3 KËRKESA TË TJERA)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.11.2023, për çështjen “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.63543/09 (Durdaj), nr.46707/13 (Selami), nr.46714/13 (Durdaj dhe Hazizaj), nr.12720/14 (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj), përfundimtar në datën 7.2.2024, sipas shumave të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat e përcaktuara si detyrim në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës, ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlerat e përcaktuara si detyrim në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesve, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.11.2023, “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.63543/09, për secilën kërkesë.
4. Pagimi i shumave të depozituara, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të të gjithë kërkuesve nr.63543/09 (Durdaj), nr.46707/13 (Selami), nr.46714/13 (Durdaj dhe Hazizaj), nr.12720/14 (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj), të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.
5. Në rast mospagimi brenda afati 3-mujor, të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, për shumat e përcaktuara në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të paguhen interesa të thjeshtë të barabartë me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.
6. Efektet financiare të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2024.
7. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
FINANCIMIN E VEPRIMTARISË SË FONDACIONIT “DURRAH CITY FOOTBALL ACADEMY”, PËR VITIN 2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 2, dhe 19, pika 4, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit prej 90 000 000 (nëntëdhjetë milionë) lekësh, të miratuar në buxhetin e vitit 2024, për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në programin buxhetor 08140 “Për zhvillimin e sportit”, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, për financimin e shpenzimeve të ushtrimit të veprimtarisë së fondacionit “Durrah City Football Academy”.
2. Fondi i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e fondacionit, në bankën e nivelit të dytë.
3. Fondacioni “Durrah City Football Academy”, brenda muajit mars të vitit 2025, dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2024, të miratuar nga bordi drejtues i fondacionit.
4. Fondet buxhetore, që do t’i akordohen fondacionit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, duhet t’i nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.
5. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E GARANCISË SHTETËRORE NË FAVOR TË BANKËS SË TIRANËS, SH.A., PËR KONTRATËN E KREDISË, NDËRMJET BANKËS SË TIRANËS, SH.A., FURNIZUESIT TË SHËRBIMIT UNIVERSAL, SH.A., DHE OPERATORIT TË SHPËRNDARJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE GROUP, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe të Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e garancisë shtetërore në favor të Bankës së Tiranës, sh.a., për kontratën e kredisë, ndërmjet Bankës së Tiranës, sh.a., Furnizuesit të Shërbimit Universal, sh.a., dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Group, sh.a., në shumën 20 000 000 (njëzet milionë) euro.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Group, sh.a., dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN “MJEDIS I PASTËR DHE ME AFTËSI RIPËRTËRITËSE, DETI BLU”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR MENAXHIMIN E QËNDRUESHËM TË PYJEVE DHE ZONAVE TË MBROJTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.188, DATË 13.3.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR OFRIMIN NGA INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË TË SHËRBIMEVE, NË PËRPUTHJE ME VEPRIMTARINË E TYRE, PËR INSTITUCIONET E QEVERISJES QENDRORE DHE INSTITUCIONET NË VARËSI TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 9, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 95, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.188, datë 13.3.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për ofrimin nga institucionet publike të arsimit të lartë të shërbimeve, në përputhje me veprimtarinë e tyre, për institucionet e qeverisjes qendrore, institucionet në varësi të tyre dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.”.
b) Pika 1 e vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Kryeministria, ministritë e linjës, institucionet e qeverisjes qendrore, institucionet në varësinë e tyre dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore të kërkojnë fillimisht, sipas nevojave, shërbime me fonde buxhetore, si: konsulenca, studime, ekspertiza apo trajnime/edukim në vazhdim nga institucionet publike të arsimit të lartë, sipas fushave të veprimit.”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1058, DATË 16.7.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhen vendimit nr.1058, datë 16.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Këshillit të Ministrave për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare”, të ndryshuar, përmasat e pronave 2 dhe 4 zëvendësohen me përmasat, sipas formularëve (2 fletë) dhe planrilevimeve (2 fletë), që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NGA RADIOTELEVIZIONI SHQIPTAR NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË EKONOMISË, KULTURËS DHE INOVACIONIT, TË PASURIVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NR.336, NR.338/1, NR.318, NË ZONËN KADASTRALE 3852, XHAFZOTAJ, BASHKIA DURRËS, DHE MIRATIMIN E HAPJES SË PARKUT TEKNOLOGJIK DHE SHKENCOR “DURANA TECH PARK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të neneve 4 e 11, të ligjit nr.58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, dhe në zbatim të nenit 23/1, të vendimit nr.337, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurës dhe kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit të parqeve teknologjike dhe shkencore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin nga Radiotelevizioni Shqiptar në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të pasurive të paluajtshme shtetërore me nr.336, me sipërfaqe 140 400 (njëqind e dyzet mijë e katërqind) m2, nr.338/1, me sipërfaqe 40 600 (dyzet mijë e gjashtëqind) m2, dhe nr.318, me sipërfaqe 81 200 (tetëdhjetë e një mijë e dyqind) m2, e llojit “truall”, në zonën kadastrale 3852, me emërtimin “Radiostacioni”, me vendndodhje në Xhafzotaj, Bashkia Durrës, sipas dokumentacionit/kartelave të pronësisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për t’u përdorur për krijimin/hapjen e parkut teknologjik dhe shkencor “DURANA Tech Park”.
2. Miratimin e hapjes së parkut teknologjik dhe shkencor, me emërtimin “DURANA Tech Park”, me sipërfaqe 140 400 (njëqind e dyzet mijë e katërqind) m2, me vendndodhje në Xhafzotaj, Bashkia Durrës, në pasurinë me nr.336, e llojit “truall”, në zonën kadastrale 3852, sipas kufijve dhe shtrirjes territoriale, që përcaktohen në fragmenthartën kadastale, dhënë në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Llojet e veprimtarive që do të zhvillohen në këtë park janë:
a) Disenjim software-i. Këtu përfshihet, por nuk kufizohet analiza e kërkesave të sistemeve software, projektimi i arkitekturës dhe disenjim i detajuar i këtyre sistemeve;
b) Zhvillimi dhe mirëmbajtja e sistemeve software. Këtu përfshihet, por nuk kufizohet në programim e sistemeve software, kodimi, instalimi, integrimi i të gjithë komponentëve, dokumentacioni, identifikimi dhe korrigjimi i gabimeve, modifikimet (pas vënies në punë të software-it), mirëmbajtja e të gjithë komponentëve, mbështetja e sistemit si një grup komponentësh që, në funksionimin e tyre, përmbushin qëllimin e zgjidhjes së teknologjisë së informacionit;
c) Testimi i software-it. Këtu përfshihet, por nuk kufizohet në testimin e funksionalitetit, ngarkesës së punës, performancës, problemeve të kodit, disponueshmërisë dhe sigurisë së sistemit software;
ç) Projektimi dhe zhvillimi i sistemeve të komunikimit. Këtu përfshihet, por nuk kufizohet analiza, planifikimi, projektimi, zbatimi, vënia në punë dhe mirëmbajtja e sistemeve të komunikimit të rrjetit të pajisjeve të teknologjisë së informacionit (LAN/WAN/WLAN/MAN/SAN/CAN);
d) Projektimi dhe zhvillimi i sistemeve të sigurisë. Këtu përfshihet, por nuk kufizohet, analiza e kërkesave të sigurisë së klientit, projektimi i arkitekturës, instalimi dhe konfigurimi i komponentëve, zbatimi, testimi dhe mirëmbajtja e sigurisë së sistemeve dhe produkteve;
dh) Zhvillimi i sistemeve të migracionit. Këtu përfshihet, por nuk kufizohet , transferimi i të dhënave dhe infrastrukturës përkatëse nga një teknologji e vjetër në një të re dhe përmirësimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit;
e) Analiza e sistemeve me sasi të madhe të dhënash. Analiza e sistemeve të përpunimit dhe analiza e sasive të mëdha të të dhënave, të quajtura si Big Data. Mbi bazën e këtyre të dhënave mund të ndërtohen modele, të cilat, më pas, me përdorimin e inteligjencës artificiale mund të shfrytëzohen për aktivitete biznesesh të ndryshme;
ë) Konsulencë për inovacion. Konsulencë për përdorimin e teknologjisë së informacionit për qëllime të inovacionit (riinxhinierimit) të proceseve të biznesit me zhvillimin e kërkesave teknike për sistemet e informacionit dhe software;
f) Konsulencë për sigurinë e informacionit. Konsulencë për mbrojtjen teknike dhe kriptografike të informacionit, duke përfshirë përdorimin e nënshkrimit elektronik digjital;
g) Konsulencë në auditime, operacione, menaxhim, mbështetje e përdoruesve, trajnime dhe konsulencë për auditime të teknologjisë së informacionit për sistemet software;
gj) Kërkime në fushën e komunikimit. Kërkim dhe zhvillim në fushën e shkencave natyrore dhe teknike që përfshijnë teknologjitë e informacionit e të komunikimit;
h) Kërkime në fushën e zhvillimit të programeve inovative. Kërkimi dhe zhvillimi nënkupton aktivitete krijuese dhe sistematike të ndërmarra për të rritur grupin e njohurive dhe për të krijuar aplikime të reja të njohurive të disponueshme. Termi kërkim dhe zhvillim përfshin tri lloje të kërkimit:
– kërkimin bazë;
– kërkimin e aplikuar;
– zhvillimin eksperimental.
i) Kërkimi dhe zhvillimi në fushën e robotikës. Projektimi (inxhinierimi), kërkimi, testimi i aktiviteteve që përfshijnë teknologjitë robotike, pajisjet dhe sistemet që përdorin sisteme të kompjuterizuara kontrolli.
j) Aktivitete në fushën “Cloud Computing”. Kërkime në Cloud Computing dhe vlerësimin e rrezikut të migrimit të shërbimeve on-premises drejt shërbimeve Cloud;
k) Veprimtari të tjera në fushën e teknologjisë së informacionit, të përcaktuara nga institucioni përgjegjës, sipas autorizimit të këtij vendimi.
4. Autorizimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, sh.a., një shoqëri tregtare aksionare me kapital shtetëror, regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit me numër unik identifikimi subjekti M01917011D, në rolin e zhvilluesit të parkut teknologjik dhe shkencor “DURANA Tech Park”.
5. Korporata e Investimeve Shqiptare, sh.a., brenda 150 (njëqind e pesëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të paraqesë në ministrinë përgjegjëse për ekonominë, planin e zhvillimit tё detajuar, cili përfshin elementet e parashikuara nё shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, “d” tё pikёs 4, tё nenit 3, tё vendimit nr.337, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit të parqeve teknologjike dhe shkencore”, të ndryshuar, si dhe kapacitetet financiare, shoqëruar me projektmarrëveshjen në të cilën parashikohen angazhimet e ndërsjella tё palёve, sipas pikës 2, të nenit 8, tё ligjit nr.58/2022.
6. Miratimin e ndihmës me infrastrukturën e përgjithshme mbështetëse deri në kufijtë e parkut, si rrugë, fibra optike, energji elektrike, por pa u kufizuar në to sipas parashikimeve të nenit 11 të ligjit mbi parqet teknologjike. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., për zbatimin e kësaj pike.
7. Lehtësitë rregullatore dhe fiskale përfitohen pas plotësimit të kushteve dhe procedurave të parashikuara në legjislacionin në fuqi për parqet teknologjike dhe shkencore.
8. Ngarkohen ministria përgjegjëse për ekonominë, ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë, Korporata e Investimeve Shqiptare sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR PRODHIMIN, TREGTIMIN, RUAJTJEN, AMBALAZHIMIN, ETIKETIMIN DHE PËRDORIMIN E PRODUKTEVE PLEHËRUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 17, të ligjit nr.17/2020, “Për produktet plehëruese”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. QËLLIMI DHE PËRKUFIZIMET
1. Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave dhe procedurës për prodhimin, tregtimin, ruajtjen, ambalazhimin, etiketimin dhe përdorimin e produkteve plehëruese të regjistruara.
2. Për efekt të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Drejtues teknik i prodhimit dhe tregtimit me shumicë të produkteve plehëruese”, personi i diplomuar në fushën e agronomisë ose kimisë, i punësuar me kohë të plotë, që përgjigjet për gjithë veprimtarinë teknike e profesionale;
b) “Institucion përgjegjës”, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përgjegjës për mbikëqyrjen dhe kontrollin e prodhimit, importimit, eksportimit, ruajtjes, tregtimit dhe përdorimit të produkteve plehëruese;
c) “Ligj”, ligji nr.17/2020, “Për produktet plehëruese”;
ç) “Ministria”, ministria përgjegjëse për bujqësinë;
d) “Ministri”, ministri përgjegjës për bujqësinë;
dh) “Produkt plehërues i thjeshtë me bazë nitrat amoni, me përmbajtje të lartë azoti”, produkti plehërues në gjendje të ngurtë, me përmbajtje 28% ose më shumë në masë të azotit (N), të përftuar nga nitrati i amonit (NH4NO3).
II. PRODHIMI I PRODUKTEVE PLEHЁRUESE
1. Në Republikën e Shqipërisë lejohet vetëm prodhimi i produkteve plehëruese, të regjistruara sipas ligjit.
2. Të drejtën për ushtrimin e veprimtarisë së prodhimit të produkteve plehëruese e ka çdo person juridik ose fizik, që paraqet dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Dokument certifikimi nga një trupë certifikuese, i lëshuar sipas ligjit;
b) Diplomë “Bachelor” ose “Master” të drejtuesit teknik në fushën e kimisë ose agronomisë;
c) Kontratë pune me kohё të plotë e drejtuesit teknik;
ç) Dokumentin që vërteton se ka laborator për kryerjen e analizave për qëllime të vetëkontrollit, në pronësi të prodhuesit ose një laborator tjetër të nënkontraktuar prej tij;
d) Dokument të lëshuar nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, sipas ligjit nr.152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”;
dh) Dokument të lëshuar nga inspektorati përgjegjës për shëndetësinë, sipas legjislacionit në fuqi për shëndetin publik;
e) Leje mjedisore, lëshuar nga ministria përgjegjëse për mjedisin.
3. Prodhimi i produkteve plehëruese me rrezikshmёri bëhet nga çdo person juridik ose fizik, pas pajisjes me licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Dokumentacioni provues dhe shoqërues për licencim është sipas shkronjave “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 2, të këtij kreu. Pas licencimit, por para fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së prodhimit të produkteve plehëruese, personi juridik ose fizik pajiset me dokumentet sipas shkronjave “d”, “dh” dhe “e”, të pikës 2, të këtij kreu.
4. Institucioni përgjegjës verifikon dokumentacionin për licencimin dhe për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë së prodhimit.
5. Klasifikimi, etiketimi dhe ambalazhimi i produkteve plehëruese që prodhohen kryhen sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e kimikateve.
6. Cdo prodhues i produkteve plehëruese ka një drejtues teknik, i cili kryen këto funksione:
a) Ndjek dhe kontrollon të gjitha fazat e procesit të prodhimit të produktit plehërues;
b) Mban dokumentacionin teknik për 3 (tre) vjet pasi produkti plehërues është prodhuar dhe është vendosur në treg dhe e vendos atë në dispozicion të institucionit pёrgjegjёs.
7. Institucioni përgjegjës pezullon veprimtarinë e prodhimit të produkteve plehëruese dhe produkteve plehëruese me rrezikshmëri në rastet kur nuk plotësohen kriteret e pikës 2 të këtij kreu.
8. Institucioni përgjegjës pezullon deri në 30 (tridhjetë) ditë kalendarike licencën e prodhimit të produkteve plehëruese me rrezikshmëri në rastet kur nuk plotësohen kriteret e pikës 2, të këtij kreu.
9. Institucioni përgjegjës i propozon ministrit heqjen e licencës:
a) në rast të shkeljes së dispozitave të shkronjave “b”, “c”, dhe “d”, të nenit 27, të ligjit;
b) nëse prodhuesi i produkteve plehëruese me rrezikshmëri nuk plotëson kriteret brenda afatit të pezullimit.
10. Kundër vendimit për heqjen e licencës bëhet ankim, sipas nenit 30, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
III. TREGTIMI ME SHUMICË I PRODUKTEVE PLEHËRUESE
1. Të drejtën për ushtrimin e veprimtarisë së tregtimit me shumicë të produkteve plehëruese e ka çdo person juridik ose fizik, që paraqet dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Diplomën “Bachelor” ose “Master” të drejtuesit teknik në fushёn e agronomisё;
b) Kontratë pune me kohё të plotë të drejtuesit teknik;
c) Dokumentacion që provon përmbushjen e kritereve ligjore për funksionimin e magazinave tё tregtimit me shumicë.
2. Tregtimi me shumicë i produkteve plehëruese me rrezikshmёri kryhet nga çdo person juridik ose fizik, pas pajisjes me licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Dokumentacioni provues dhe shoqërues për licencim është sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij kreu. Pas licencimit, por para fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së tregtimit me shumicë të produkteve plehëruese, personi juridik ose fizik pajiset me dokumentacionin sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij kreu.
3. Institucioni përgjegjës verifikon dokumentacionin për licencimin, si dhe për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë së tregtimit me shumicë, sipas pikës 2, të këtij kreu.
4. Drejtuesi teknik mban dokumentacionin teknik për 3 (tre) vjet pasi produkti plehërues është vendosur në treg dhe e vendos në dispozicion të institucionit përgjegjës.
5. Personat juridikë ose fizikë, që ushtrojnë aktivitet tregtimi me shumicë për produktet plehëruese, detyrohen të njoftojnë me shkrim institucionin përgjegjës, jo mё vonё se muaji shkurt i vitit pasardhës, pёr sasinё e produkteve plehëruese qё kanë importuar dhe kanë hedhur nё treg gjatё vitit tё mёparshёm kalendarik.
6. Brenda muajit mars të çdo viti institucioni përgjegjës i dërgon ministrisë përmbledhësen e sasisё së produkteve plehëruese qё janë importuar dhe hedhur nё treg gjatё vitit tё mёparshёm kalendarik. Ministria, pas pёrpunimit, ia dёrgon këto të dhëna INSTAT-it për publikim, si dhe ministrisë përgjegjëse për menaxhimin e kimikateve.
7. Prodhimi deri te tregtimi me pakicë i produkteve plehëruese duhet të shoqërohet nga dokumentacioni për të dhënat e sigurisë (MSDS). Prodhuesi, importuesi dhe furnizues të tjerë të produkteve plehëruese i sigurojnë përdoruesit apo shpërndarësit të produkteve plehëruese MSDS-në dhe i informojnë ata, në përputhje me legjislacionin e menaxhimit të kimikateve.
8. Inspektimi dhe kontrolli për cilësinë e produkteve plehëruese, tё vendosura dhe të hedhura nё treg, lidhur me plotësimin e kërkesave ligjore për tregtim, kryhen nё bazё tё Planit Kombëtar tё Inspektimeve me bazё risku dhe marrjes së mostrave, tё miratuara me urdhër ministri.
9. Marrja e mostrave tё produkteve plehëruese dhe analizimi i tyre kryhen nga laboratorë të akredituar për marrjen e mostrave e për kryerjen e testimeve dhe kryhen sipas pikave 1, 2, 3, 4 dhe 5, të nenit 38, të kreut V, të ligjit nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
10. Mënyra e marrjes së mostrave të produkteve plehëruese për analizim miratohet me udhëzimin e ministrit.
IV. TREGTIMI ME PAKICË I PRODUKTEVE PLEHËRUESE
1. Tregtimi me pakicë i produkteve plehëruese kryhet nga çdo person juridik ose fizik për ushtrimin e kësaj veprimtarie, nëse ai apo i punësuari prej tij është me diplomë “Bachelor” ose “Master” në fushёn e agronomisё.
2. Tregtimi me pakicë i produkteve plehëruese me rrezikshmёri bëhet nga persona juridikë ose fizikë për ushtrimin e kësaj veprimtarie, nëse ai apo i punësuari prej tij është me diplomë “Bachelor” ose “Master” në fushёn e agronomisё.
V. RUAJTJA E PRODUKTEVE PLEHËRUESE
1. Ruajtja e produkteve kryhet sipas kritereve të përcaktuara në nenin 15, të këtij ligji.
2. Dokumentacioni që provon përmbushjen e kritereve për funksionimin e magazinave tё tregtimit me shumicë është, si më poshtë vijon:
a) Leje mjedisore, e lëshuar nga ministria përgjegjëse për mjedisin, sipas rasteve të parashikuara në ligjin nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar;
b) Dokumenti i lëshuar nga inspektorati përgjegjës për shëndetësinë, sipas legjislacionit në fuqi për shëndetin publik;
c) Dokumenti i lëshuar nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH), në zbatim të ligjit nr.152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”.
3. Kërkesat qё duhet tё plotёsohen pёr magazinimin e produkteve plehëruese janё:
a) Produktet plehëruese duhet tё jenё tё identifikuara nёpёrmjet certifikatёs sё origjinёs dhe tё cilёsisё;
b) Hyrja dhe dalja e produkteve plehëruese nga magazina bёhet me dokumente tё rregullta dhe shёnimet pёrkatёse pasqyrohen nё librin e magazinёs për garantimin e sistemit të gjurmueshmërisë;
c) Produktet plehëruese vendosen nё palete tё ndara nga njёra-tjetra, nё ambalazhe origjinale dhe me etiketat e miratuara, sipas dokumentit tё regjistrimit tё tyre;
ç) Kushtet e ruajtjes zbatohen sipas përcaktimeve në etiketën dhe MSDS-në e çdo produkti plehërues.
4. Produktet plehëruese me rrezikshmёri magazinohen nё mjedise tё mbyllura, nё kushte tё veçanta tё sigurisё nga zjarri, nga rrezatimi diellor dhe nga lagёshtia, pёr tё shmangur efektet e mundshme tё shpёrthimit.
VI. AMBALAZHIMI, ETIKETIMI DHE PËRDORIMI I PRODUKTEVE PLEHËRUESE
1. Ambalazhimi, etiketimi dhe përdorimi i produkteve plehëruese të regjistruara kryhet vetëm, sipas nenit 7, të ligjit.
2. Të drejtën për ushtrimin e veprimtarisë së ambalazhimit dhe etiketimit të produkteve plehëruese e ka çdo person juridik ose fizik, që paraqet dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Diplomë “Bachelor” ose “Master” të drejtuesit teknik në fushën e kimisë ose agronomisë;
b) Kontratë pune me kohё të plotë të drejtuesit teknik;
c) Dokumenti i lëshuar nga inspektorati përgjegjës për shëndetësinë, sipas rasteve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për shëndetin publik;
ç) Dokumenti i lëshuar nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH), në zbatim të ligjit nr.152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”.
3. Ambalazhimi dhe etiketimi i produkteve plehëruese me rrezikshmëri bëhet nga persona juridikë ose fizikë, pasi të pajisen me licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Dokumentacioni provues dhe shoqërues për licencim është sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij kreu. Pas licencimit, por para fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së tregtimit me shumicë të produkteve plehëruese, personi juridik ose fizik pajiset me dokumentacionin sipas shkronjave “c” dhe “ç”, të pikës 2, të këtij kreu.
4. Ambalazhimi dhe etiketimi i produkteve plehëruese kryhet në përputhje me legjislacionin e menaxhimit të kimikateve.
5. Kërkesat e etiketimit për produktet plehëruese të regjistruara janë sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6. Pёrdorimi i produkteve plehëruese kryhet sipas përcaktimeve tё pikave 1, 2 dhe 3, të nenit 17, të ligjit.
VII. DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE
1. Për personat juridikë ose fizikë që prodhojnë, ambalazhojnë dhe tregtojnë produkte plehëruese, brenda 6 (gjashtë) muajve pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kryhet vlerësimi i përputhshmërisë së kritereve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pёr zbatimin e kёtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të pikës 5, të kreut VI, të këtij vendimi, që hyn në fuqi në datën 1 korrik 2025.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I SHKOLLËS 9-VJEÇARE, ARBANË”, BASHKIA TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i shkollës 9-vjeçare, Arbanë”, Bashkia Tiranë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 423 129.70 (katërqind e njëzet e tre mijë e njëqind e njëzet e nëntë pikë shtatëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 423 129.70 (katërqind e njëzet e tre mijë e njëqind e njëzet e nëntë pikë shtatëdhjetë) lekësh, përballohet nga Bashkia Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.182, DATË 26.2.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS, TË KRITEREVE, PROCEDURAVE E DOKUMENTACIONIT PËR VLERËSIMIN DHE PËRFITIMIN E PAGESËS PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA, SI DHE TË NDIHMËSIT PERSONAL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 17, pika 1, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 15, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.182, datë 26.2.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në kreun I bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pikat 1 dhe 2 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Përfitojnë pagesë të aftësisë së kufizuar personat e përcaktuar në shkronjën “a”, të nenit 8, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe personat e përcaktuar në shkronjën “b”, të këtij ligji, deri në çastin e rivlerësimit nga komisionet shumëdisiplinore të vlerësimit të aftësisë së kufizuar.
2. Individët, të cilët me vendim të komisionit përcaktohen se kanë nevojë për përkujdesje, përfitojnë një ndihmës personal me pagesë.”.
b) Pika 4 shfuqizohet.
2. Në kreun II bëhen këto ndryshime:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror funksionojnë komisionet e nivelit të parë dhe epror të vlerësimit të paratetraplegjisë dhe verbërisë.”.
b) Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.
c) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Komisionet e nivelit të parë dhe epror KMCAP dhe KMPV marrin vendim për grupin e përfitimit, përfitimet dhe afatet e përfitimit për secilin grup, sipas anekseve nr.1, nr.2, nr.3 dhe nr.4, që i bashkëlidhen këtij vendimi.”.
ç) Pika 7 shfuqizohet.
d) Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8. Kryetari dhe tre prej anëtarëve të komisionit janë mjekë me përvojë profesionale në fushën e ekspertizës. Në përbërje të çdo komisioni merr pjesë, si anëtar me të drejtë vote, një mjek, punonjës i Shërbimit Social Shtetëror, dhe një jurist, me përvojë në fushën e aftësisë së kufizuar, përfaqësues i ministrisë që ka në fushën e përgjegjësisë shtetërore çështjet e aftësisë së kufizuar. Anëtarët e komisionit duhet të kenë një figurë të pastër morale dhe të mos jenë të dënuar penalisht. Mandati i anëtarit të komisionit epror është pesëvjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje.”.
3. Në kreun II/I bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjat “ç”, “d” dhe “f”, të pikës 5, hiqen fjalët “… epikrizë përcjellëse …”.
b) Fjalia e fundit, e pikës 10, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Vendimi ka fuqi ligjore ekzekutive kur është i nënshkruar nga shumica e anëtarëve të komisionit.”.
4. Pika 9, e kreut III, shfuqizohet.
5. Në kreun IV bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Fjalia e dytë, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për rivlerësim shqyrtohet dokumentacioni mjekësor i rekomanduar nga komisioni në vlerësimin e fundit.”.
b) Në pikën 3 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
i. Në fjalinë e parë dhe në shkronjat “a” e “b” hiqen fjalët “… të mesme të lartë apo …”;
ii. Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) Dokumentacioni për ndjekjen e arsimit të mesëm të lartë merret nëpërmjet ndërveprimit mes Regjistrit Elektronik Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar dhe Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP).”.
c) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Në rastet e rivlerësimit, administratori shoqëror njofton personin 2 (dy) muaj para përfundimit të afatit të vlerësimit.”.
6. Në kreun V bëhen këto ndryshime:
a) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Mjeku pranë Shërbimit Social Shtetëror studion dokumentacionin e dosjes, procedurat e zbatuara në komisionin e nivelit të parë, dokumentacionin e vlerësuar nga ky komision dhe pretendimet e parashtruara nga ankimuesi.”.
b) Në fund të fjalisë së dytë, të pikës 4, fjalët “… por asnjëherë në mungesë të kryetarit …” zëvendësohen me “… por asnjëherë në mungesë të kryetarit/zëvendëskryetarit …”.
7. Anekset bashkëlidhur vendimit zëvendësohen me anekset nr.1, nr.2, nr.3 dhe nr.4, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
II. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.383, DATË 1.6.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË SHËRBIMEVE TË TRANSPORTIT RRUGOR, TË DISA PASURIVE, NË ZONËN KADASTRALE 8527, 8522 DHE 3445, ELBASAN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 14, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.383, datë 1.6.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, të disa pasurive, në zonën kadastrale 8527, 8522 dhe 3445, Elbasan”, në listën e pasurive të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, shtohen pasuritë sipas formularëve dhe planrilevimit, bashkëlidhur këtij vendimi.
Lista përbëhet nga 10 (dhjetë) fletë formulari dhe 2 (dy) planrilevime.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E TAVANEVE PËRGATITORE TË SHPENZIMEVE TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2025 – 2027
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 23, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e tavaneve përgatitore të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2025-2027, sipas lidhjes nr.1, “Tavanet e ministrive dhe institucioneve buxhetore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA