Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Prill 2023:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT POLITIK “PËR KRIJIMIN E NJË MJEDISI MUNDËSUES PËR ZHVILLIMIN E TREGJEVE TË KAPITALIT NË SHQIPËRI, 2023 – 2027”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit politik “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023 – 2027”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË STËRVITJEN “DEFENDER EUROPE 2023” JASHTË VENDIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në stërvitjen “Defender Europe 2023” jashtë vendit, sipas nivelit dhe rajoneve, si më poshtë vijon:
a) 127 (njëqind e njëzet e shtatë) efektivë këmbësorie dislokohen në Maqedoninë e Veriut, nga data 21 maj 2023 deri më 3 qershor 2023;
b) 30 (tridhjetë) efektivë këmbësorie dislokohen në Kosovë, nga data 21 maj deri më 3 qershor 2023;
c) 30 (tridhjetë) efektivë të Policisë Ushtarake dislokohen në Kroaci, nga data 15 maj deri më 4 qershor 2023;
ç) 4 (katër) efektivë të Forcave të Armatosura dislokohen në Kroaci, nga data 15 maj deri më 4 qershor 2023;
d) 14 (katërmbëdhjetë) efektivë këmbësorie dislokohen në Slloveni, nga data 21 maj 2023 deri më 3 qershor 2023;
dh) 30 (tridhjetë) efektivë të Policisë Ushtarake dislokohen në Rumani, nga data 27 maj 2023 deri më 7 qershor 2023.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.531, DATË 29.7.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E NUMRIT TË PËRGJITHSHËM TË PERSONELIT TË POLICISË SË SHTETIT DHE PËRCAKTIMIN E FUNKSIONEVE KORRESPONDUESE E KATEGORIZIMIN PËR GRADAT NË POLICINË E SHTETIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19, pika 6, e 61, pika 1, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.531, datë 29.7.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 1, tofjalëshi “ … 11 834 (njëmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë e katër) …” zëvendësohet me “… 11 932 (njëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e dy) …”.
2. Lidhja nr.1, e përmendur në pikën 2, “Tabela e funksioneve korresponduese dhe kategorizimi për çdo gradë”, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
II. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1039, DATË 4.12.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PUNËS DHE PËR CAKTIMIN E PËRFAQËSUESVE TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE NË KËTË KËSHILL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 200, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.1039, datë 4.12.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Pranë KKP-së krijohen dhe funksionojnë komisionet e përhershme e të specializuara tripalëshe, me përbërje, si më poshtë vijon:
a) Komisioni juridik kryesohet nga drejtori i Drejtorisë së Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe ka në përbërje anëtarë, përfaqësues nga:
i. Ministria e Drejtësisë:
ii. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH);
iii. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH);
iv. Biznesalbania;
v. shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”.
b) Komisioni i punësimit, arsimit dhe formimit profesional kryesohet nga drejtori i Drejtorisë së Punësimit, Arsimit dhe Formimit Profesional në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe ka në përbërje anëtarë, përfaqësues nga:
i. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përgjegjës sektori i PAFP-së;
ii. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH);
iii. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH);
iv. Biznesalbania;
v. Shoqata e Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave.
c) Komisioni i pagave, pensioneve dhe përkrahjes sociale kryesohet nga drejtori i Drejtorisë së Pensioneve dhe Pagës Minimale në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe ka në përbërje anëtarë, përfaqësues nga:
i. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, drejtori i Drejtorisë së Buxhetit;
ii. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH);
iii. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH);
iv. Biznesalbania;
v. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve/Këpucëve-Proeksport.
ç) Komisioni i kushteve të punës, shëndetit dhe sigurimit në punë kryesohet nga drejtori i Drejtorisë së Inspektimit dhe Marrëdhënieve të Punës në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe ka në përbërje anëtarë, përfaqësues nga:
i. ISHPSHSH-ja, nëndrejtori;
ii. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH);
iii. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH);
iv. Biznesalbania;
v. Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë.
d) Komisioni i ekonomisë dhe i financës kryesohet nga drejtori i Drejtorisë së Buxhetit i dhe Borxhit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe ka në përbërje anëtarë, përfaqësues nga:
i. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përgjegjësi i sektorit të Drejtorisë së Buxhetit dhe Borxhit;
ii. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH);
iii. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH);
iv. Biznesalbania;
v. Shoqata Shqiptare e Bankave.
dh) Komisioni i shanseve të barabarta, aftësive të kufizuara dhe rinisë kryesohet nga drejtori i Drejtorisë Përgjegjëse për Shanset e Barabarta dhe Aftësitë e Kufizuara në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ka në përbërje anëtarë, përfaqësues nga:
i. Ministria e Arsimit dhe Sportit, drejtori i drejtorisë përgjegjëse për rininë;
ii. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH);
iii. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH);
iv. Biznesalbania;
v. Shoqata Shqiptare e Turizmit.”.
2. Pika 11 shfuqizohet.
II. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE, KRITEREVE, PROCEDURAVE TË SHQYRTIMIT DHE TË VENDIMMARRJES, FORMATIT DHE AFATEVE PËR DHËNIEN E AUTORIZIMIT PËR PËRDORIM CIVIL TË LËNDËVE PLASËSE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 22, të ligjit nr.74/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve plasëse për përdorimin civil”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
1. Lëndët plasëse për përdorim civil përdoren vetëm me autorizim nga ministria përgjegjëse për energjinë dhe çështjet minerare.
2. Autorizimi për përdorim civil të lëndëve plasëse u jepet:
a) operatorëve ekonomikë të pajisur me licencë/leje nga institucionet përkatëse në fushat minerare, gjeologjike, hidrokarbure, energjetike dhe të infrastrukturës, të cilat për realizimin e veprimtarisë së tyre e kanë të domosdoshëm përdorimin e lëndëve plasëse. Ky autorizim është i vlefshëm vetëm brenda objektit të përcaktuar në licencën/lejen e veprimtarisë së operatorit ekonomik në momentin e marrjes së autorizimit;
b) subjekteve të kontraktuara nga operatorët ekonomikë të pajisur me licencë/leje, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike. Ky autorizim është i vlefshëm vetëm brenda koordinatave të përcaktuara në marrëveshjen kontraktore me operatorin ekonomik, në objektin për të cilin operatori ekonomik është i pajisur me licencë/leje në momentin e marrjes së autorizimit;
c) operatorëve ekonomikë të specializuar për përdorimin civil të lëndëve plasëse.
KREU II
KUSHTET DHE KRITERET E PAJISJES ME AUTORIZIM PËR PËRDORIM CIVIL TË LËNDËVE PLASËSE
Neni 2
1. Operatori ekonomik i pajisur me licencë/leje, që kërkon të pajiset me autorizim për përdorim civil të lëndëve plasëse, duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
a) Të jetë një person juridik i regjistruar në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi;
b) Të ketë në staf punonjës të aftë nga ana shëndetësore, të kualifikuar teknikisht dhe të trajnuar për kryerjen në mënyrë të sigurt për veprimtarinë e përdorimit të lëndëve plasëse, si dhe të pajisur me vërtetim besueshmërie;
c) Të ketë kontratë sigurimi për punonjësit e angazhuar në punët me lëndë plasëse, sipas përcaktimeve të vendimit nr.1109, datë 30.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për sigurimin e punonjësve, të punësuar në veprimtarinë minerare nga aksidentet në punë”;
ç) Të ketë të përcaktuar në kontratën e punës detyrat e punonjësve që do të angazhohen në përdorimin e lëndëve plasëse, të cilat duhet të jenë në zbatim të rregullores së teknikës së sigurimit për përdorim civil të lëndëve plasëse në Republikën e Shqipërisë;
d) Të vërtetojë se specialistët e huaj, që janë pjesë e stafit teknik, përveç plotësimit të kritereve të shkronjës “b”, të kësaj pike, plotësojnë kriteret e punësimit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”;
dh) Të ketë autorizimin për magazinimin e lëndëve plasëse për përdorim civil, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike ose kontratë me një subjekt që ka autorizim për magazinë të lëndëve plasëse, të miratuar. Kontrata verifikohet nga komisariati i policisë, që mbulon territorin ku kryhet veprimtaria;
e) Të ketë program vjetor të kualifikimit të punonjësve, që merren me kryerjen e punimeve me lëndë plasëse.
Neni 3
1. Subjekti i kontraktuar nga operatori ekonomik i pajisur me licencë/leje, që kërkon të pajiset me autorizim për përdorim civil të lëndëve plasëse, duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
a) Të jetë një person juridik i regjistruar në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi;
b) Të ketë kontratë nënkontraktimi me operatorin ekonomik, të pajisur me licencë/leje nga institucionet përkatëse në fushat minerare, gjeologjike, hidrokarbure, energjetike dhe të infrastrukturës, i cili për realizimin e veprimtarisë së tij e ka të domosdoshëm përdorimin e lëndëve plasëse;
c) Të ketë në staf punonjës të aftë nga ana shëndetësore, të kualifikuar teknikisht dhe të trajnuar për kryerjen në mënyrë të sigurt të veprimtarisë së përdorimit të lëndëve plasëse, si dhe të pajisur me vërtetim besueshmërie;
ç) Të ketë kontratë sigurimi për punonjësit e angazhuar në punët me lëndë plasëse, sipas përcaktimeve të vendimit nr.1109, datë 30.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për sigurimin e punonjësve, të punësuar në veprimtarinë minerare, nga aksidentet në punë”;
d) Të ketë të përcaktuar në kontratën e punës detyrat e punonjësve që do të angazhohen në përdorimin e lëndëve plasëse, të cilat duhet të jenë në zbatim të rregullores së teknikës së sigurimit për përdorim civil të lëndëve plasëse në Republikën e Shqipërisë;
dh) Të vërtetojë se specialistët e huaj, që janë pjesë e stafit teknik, përveç plotësimit të kritereve të shkronjës “b”, të kësaj pike, plotësojnë kriteret e punësimit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”;
e) Të ketë autorizimin për magazinimin e lëndëve plasëse për përdorim civil, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike ose kontratë me një subjekt që ka autorizim për magazinë të lëndëve plasëse, të miratuar. Kontrata verifikohet nga komisariati i policisë, që mbulon territorin ku kryhet veprimtaria;
ë) Të ketë program vjetor të kualifikimit të punonjësve, që merren me kryerjen e punimeve me lëndë plasëse.
Neni 4
1. Operatori ekonomik i specializuar, që kërkon të pajiset me autorizim për përdorim civil të lëndëve plasëse, duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
a) Të jetë një person juridik i regjistruar në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi;
b) Të ketë personel inxhiniero – teknik, të aftë nga ana shëndetësore, të kualifikuar teknikisht dhe të trajnuar për kryerjen në mënyrë të sigurt të veprimtarisë së përdorimit të lëndëve plasëse, si dhe të pajisur me vërtetim besueshmërie;
c) Të ketë pajisjet të certifikuara të kontrollit teknik dhe shpërthimit të ngarkesave me lëndë plasëse, si dhe pajisjet e certifikuara për matjet e gazeve;
ç) Të ketë kontratë sigurimi për punonjësit e angazhuar në punët me lëndë plasëse, sipas përcaktimeve të vendimit nr.1109, datë 30.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për sigurimin e punonjësve, të punësuar në veprimtarinë minerare, nga aksidentet në punë”;
d) Të ketë të përcaktuar në kontratën e punës detyrat e punonjësve që do të angazhohen në përdorimin e lëndëve plasëse, të cilat duhet të jenë në zbatim të rregullores së teknikës së sigurimit për përdorim civil të lëndëve plasëse në Republikën e Shqipërisë;
dh) Të vërtetojë se specialistët e huaj, që janë pjesë e stafit teknik, përveç plotësimit të shkronjës “b”, të kësaj pike, plotësojnë kriteret e punësimit sipas përcaktimeve të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”;
e) Të ketë autorizimin për magazinimin e lëndëve plasëse për përdorim civil, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike ose kontratë me një subjekt që ka autorizim për magazinë të lëndëve plasëse, të miratuar. Kontrata verifikohet nga komisariati i policisë, që mbulon territorin ku kryhet veprimtaria.
KREU III
DOKUMENTACIONI PËR APLIKIMIN PËR PAJISJE ME AUTORIZIM PËR PËRDORIMIN CIVIL TË LËNDËVE PLASËSE
Neni 5
1. Dokumentacioni për plotësimin e kritereve për pajisje me autorizim për përdorim civil të lëndëve plasëse për operatorët ekonomikë të pajisur me licence/leje është, si më poshtë vijon:
a) Kërkesa e aplikimit, e cila duhet të përmbajë emrin dhe adresën e selisë së operatorit ekonomik, adresën e vendit ku do të kryhet veprimtaria e lëndëve plasëse, si dhe të dhënat e personave që do të angazhohen në përdorimin e tyre;
b) Licenca/leja e lëshuar nga institucionet përkatëse në fushat minerare, gjeologjike, hidrokarbure, energjetike dhe të ndërtimit (infrastrukturës);
c) Ekstrakti historik i regjistrit tregtar nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
ç) Dokumentacioni, ku vërtetohet se operatori ekonomik ka magazinë për lëndët plasëse për përdorim civil, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike ose kontratë me një subjekt që ka autorizim për magazinë të lëndëve plasëse, të miratuar. Kontrata duhet të jetë e verifikuar nga komisariati i policisë, që mbulon territorin ku kryhet veprimtaria;
d) Vërtetimi i regjistrimit në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera;
dh) Projekti i kryerjes së punëve me lëndë plasëse, në zbatim të projektit të miratuar për objektin ku do të kryhet veprimtaria e licencuar/lejuar nga institucionet përkatëse, i cili duhet të jetë në zbatim të rregullores së teknikës së sigurimit për përdorimin civil të lëndëve plasëse;
e) Njoftimi tek organet e pushtetit vendor për sipërfaqen e rrezikshme ku do të kryhet veprimtaria me lëndë plasëse;
ë) Programi vjetor i kualifikimit të punonjësve, që merret me kryerjen e punimeve me lëndë plasëse.
2. Dokumentacioni që operatorët ekonomikë të pajisur me licence/leje paraqesin për punonjësit, që do të angazhohen në punën me lëndë plasëse, është, si më poshtë vijon:
a) Kopja e dokumentit të identifikimit;
b) Vërtetim i gjendjes shëndetësore, lëshuar nga organi kompetent pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetin publik;
c) Dëshmia e trajnimit të kualifikimit teknik për punën me lëndë plasëse të punonjësve, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për industrinë minerare;
ç) Vërtetimi i besueshmërisë i lëshuar nga struktura përgjegjëse në ministrinë që mbulon rendin dhe sigurinë;
d) Kontrata e punës me inxhinier ose teknik të certifikuar, si drejtues teknik për veprimtarinë minerare ose për veprimtarinë e hapjes së punimeve minerale kapitale dhe dytësore, tuneleve dhe punimeve kapitale nëntokësore për infrastrukturën rrugore, hidrocentrale, kur veprimtaria do të kryhet në objekte minerare, tunele, infrastrukturë rrugore apo hidrocentrale.
Kontrata e punës me ekspertë të certifikuar, si drejtues teknik për aktivitetin e kërkimit, prodhimit e zhvillimit të lëndëve hidrokarbure, kur veprimtaria do të kryhet për kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, në blloqet e kërkimit apo në vendburimet ekzistuese hidrokarbure.
Kontrata e punës me drejtuesin teknik të certifikuar, me profesion inxhinier ndërtimi, inxhinier gjeolog, oficer xhenier, oficer EOD, në veprimtaritë e tjera sipërfaqësore;
dh) Kopja e certifikatës profesionale të drejtuesit teknik;
e) Kontrata e punës me zjarrmëtarin, si dhe kopje të dëshmisë së zjarrmëtarit;
ë) Kontrata për sigurimin nga aksidentet në punë për personat e angazhuar në veprimtarinë e punëve me lëndët plasëse;
f) Kopja e lejes së qëndrimit për shtetasit e huaj;
g) Vërtetimi nga njësia vendore për vendbanimin për shtetasit e huaj.
Neni 6
1. Dokumentacioni për plotësimin e kritereve për pajisje me autorizim për përdorim civil të lëndëve plasëse për subjektet e kontraktuara nga operatorët ekonomikë të pajisur me licence/leje është, si më poshtë vijon:
a) Kërkesa e aplikimit, e cila duhet të përmbajë emrin dhe adresën e subjektit të kontraktuar, emrin e operatorit ekonomik të licencuar, adresën e vendit ku do të kryhet veprimtaria e lëndëve plasëse, si dhe të dhënat e personave që do të angazhohen në përdorimin e tyre;
b) Kontrata e noterizuar, ndërmjet subjektit të kontraktuar dhe operatorit ekonomik, për objektin ku operatori ekonomik është pajisur me licence/leje;
c) Licenca/leja e operatorit ekonomik, e lëshuar nga institucionet përkatëse në fushat minerare, gjeologjike, hidrokarbure, energjetike dhe të infrastrukturës;
ç) Ekstrakti historik i regjistrit tregtar nga Qendra Kombëtare e Biznesit të subjektit të kontraktuar;
d) Dokumentacioni, ku vërtetohet se operatori ekonomik ka magazinë për lëndët plasëse për përdorim civil, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, ose kontratë me një subjekt që ka autorizim për magazinë të lëndëve plasëse, të miratuar. Kontrata duhet të jetë e verifikuar nga komisariati i policisë, që mbulon territorin ku kryhet veprimtaria;
dh) Vërtetimi i regjistrimit në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, për subjektin e kontraktuar;
e) Projekti i kryerjes së punëve me lëndë plasëse, në zbatim të projektit të miratuar për objektin ku do të kryhet veprimtaria e licencuar/lejuar nga institucionet përkatëse, i cili duhet të jetë në zbatim të rregullores së teknikës së sigurimit për përdorimin civil të lëndëve plasëse;
ë) Njoftimi tek organet e pushtetit vendor për sipërfaqen e rrezikshme, ku do të kryhet veprimtaria me lëndë plasëse;
f) Programi vjetor i kualifikimit të punonjësve që merren me kryerjen e punimeve me lëndë plasëse.
2. Dokumentacioni që subjektet e kontraktuara nga operatorët ekonomikë të pajisur me licence/leje paraqesin për punonjësit që do të angazhohen në punën me lëndë plasëse është, si më poshtë vijon:
a) Kopja e dokumentit të identifikimit;
b) Vërtetimi i gjendjes shëndetësore, lëshuar nga organi kompetent pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetin publik;
c) Dëshmia e trajnimit të kualifikimit teknik për punën me lëndë plasëse të punonjësve, e lëshuar nga ministria përgjegjëse për industrinë minerare;
ç) Vërtetimini i besueshmërisë, lëshuar nga struktura përgjegjëse në ministrinë që mbulon rendin dhe sigurinë;
d) Kontrata e punës me inxhinier ose teknik të certifikuar si drejtues teknik për veprimtarinë minerare ose për veprimtarinë e hapjes së punimeve minerale kapitale dhe dytësore, tuneleve dhe punimeve kapitale nëntokësore për infrastrukturën rrugore, hidrocentrale, kur veprimtaria do të kryhet në objekte minerare, tunele, infrastrukturë rrugore apo hidrocentrale.
Kontrata e punës me ekspertë të certifikuar si drejtues teknik për aktivitetin e kërkimit, prodhimit e zhvillimit të lëndëve hidrokarbure, kur veprimtaria do të kryhet për kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, në blloqet e kërkimit apo në vendburimet ekzistuese hidrokarbure.
Kontrata e punës me drejtuesin teknik të certifikuar, me profesion inxhinier ndërtimi, inxhinier gjeolog, oficer xhenier, oficer EOD në veprimtaritë e tjera sipërfaqësore;
dh) Kopja e certifikatës profesionale të drejtuesit teknik;
e) Kontrata e punës me zjarrmëtarin, si dhe kopje të dëshmisë së zjarrmëtarit;
ë) Kontrata për sigurimin nga aksidentet në punë për personat e angazhuar në veprimtarinë e punëve me lëndët plasëse;
f) Kopja e lejes së qëndrimit për shtetasit e huaj;
g) Vërtetimi nga njësia vendore për vendbanimin për shtetasit e huaj.
Neni 7
1. Dokumentacioni për plotësimin e kritereve për pajisje me autorizim për përdorim civil të lëndëve plasëse për operatorët ekonomikë të specializuar është, si më poshtë vijon:
a) Kërkesa e aplikimit, e cila duhet të përmbajë emrin dhe adresën e operatorit ekonomik të specializuar, veprimtaritë për të cilat kërkon të pajiset me autorizim, si operator i specializuar për lëndët plasëse, dhe të dhënat e personave që do të angazhohen në përdorimin e tyre;
b) Ekstrakti historik i regjistrit tregtar nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
c) Informacioni me të dhënat e përgjithshme për personelin inxhiniero-teknik për njohuritë e veprimtarinë e tyre të mëparshme në aktivitetin minerar në tërësi, e veçanërisht, në punët me lëndët plasëse;
ç) Dokumentacioni, ku vërtetohet se operatori ekonomik ka magazinë për lëndët plasëse për përdorim civil, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike ose kontratë me një subjekt që ka autorizim për magazinë të lëndëve plasëse, të miratuar. Kontrata duhet të jetë e verifikuar nga komisariati i policisë, që mbulon territorin ku kryhet veprimtaria;
d) Dokumentacioni për disponimin e pajisjeve të certifikuara të kontrollit teknik dhe shpërthimit të ngarkesave me lëndë plasëse, si dhe pajisjet e certifikuara për matjet e gazeve;
dh) Pasaportat tip të kryerjes së punëve me lëndë plasëse për të gjitha llojet e punimeve nëntokësore e sipërfaqësore së bashku me metodikën e llogaritjeve të treguesve teknologjik;
e) Projekti tip i kryerjes së punëve me lëndë plasëse për të gjitha llojet e punimeve nëntokësore e sipërfaqësore, ku të përcaktohen edhe largësitë e parrezikshme për mbrojtjen e njerëzve dhe të objekteve të ndryshme nga lëkundjet sizmike dhe nga vala goditëse, si dhe flakjen e gurëve apo sendeve të tjera të shkaktuara nga shpërthimi, së bashku me metodikën e llogaritjeve të këtyre treguesve;
ë) Programi vjetor i kualifikimit të punonjësve, që merren me kryerjen e punimeve me lëndë plasëse.
2. Dokumentacioni që operatorët ekonomikë të specializuar paraqesin për punonjësit, që do të angazhohen në punën me lëndë plasëse është, si më poshtë vijon:
a) Kopja e dokumentit të identifikimit;
b) Vërtetimi i gjendjes shëndetësore, lëshuar nga organi kompetent pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetin publik;
c) Dëshmia e trajnimit të kualifikimit teknik për punën me lëndë plasëse të punonjësve, e lëshuar nga ministria përgjegjëse për industrinë minerare;
ç) Vërtetimi i besueshmërisë, të lëshuar nga struktura përgjegjëse në ministrinë që mbulon rendin dhe sigurinë;
d) Kontrata e punës me inxhinier ose teknik të certifikuar si drejtues teknik për veprimtarinë minerare ose për veprimtarinë e hapjes së punimeve minerale kapitale dhe dytësore, tuneleve dhe punimeve kapitale nëntokësore për infrastrukturën rrugore, hidrocentrale, kur veprimtaria do të kryhet në objekte minerare, tunele, infrastrukturë rrugore apo hidrocentrale.
Kontrata e punës me ekspertë të certifikuar si drejtues teknik për aktivitetin e kërkimit, prodhimit e zhvillimit të lëndëve hidrokarbure, kur veprimtaria do të kryhet për kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, në blloqet e kërkimit apo në vendburimet ekzistuese hidrokarbure.
Kontrata e punës me drejtuesin teknik të certifikuar, me profesion inxhinier ndërtimi, inxhinier gjeolog, oficer xhenier, oficer EOD, në veprimtaritë e tjera sipërfaqësore;
dh) Kopja e certifikatës profesionale të drejtuesit/ve teknikë;
e) Kontrata e punës me zjarrmëtarin/ët, si dhe kopja e dëshmisë së zjarrmëtarit/ëve;
ë) Kontrata për sigurimin nga aksidentet në punë për personat e angazhuar në veprimtarinë e punëve me lëndët plasëse;
f) Kopja e lejes së qëndrimit për shtetasit e huaj;
g) Vërtetimi nga njësia vendore për vendbanimin për shtetasit e huaj.
KREU IV
PROCEDURAT, AFATET, VLEFSHMËRITË DHE FORMATET PËR APLIKIMIN DHE DHËNIEN E AUTORIZIMEVE PËR PËRDORIM CIVIL TË LËNDËVE PLASËSE
Neni 8
1. Operatori ekonomik aplikon për autorizim për përdorim civil të lëndëve plasëse pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet minerare dhe energjinë nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.
2. Drejtoria përkatëse në ministrinë përgjegjëse për çështjet minerare dhe energjinë verifikon dokumentacionin e dërguar nga operatori ekonomik, përgatit kërkesën për verifikimin e besueshmërisë së personave që do të angazhohen në punët me lëndët plasëse, si dhe dërgon projektin e kryerjes së punëve me lëndë plasëse në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera.
Neni 9
1. Afati i përgjithshëm për shqyrtimin e aplikimit për pajisjen me autorizim është jo më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga plotësimi i dokumentacionit të plotë.
2. Në rastet kur konstatohen mangësi në kërkesën për aplikim apo mungesë të dokumentacionit, njoftohet operatori ekonomik për plotësimin e tyre. Operatori ekonomik brenda 10 (dhjetë) ditëve duhet të plotësojë mangësitë e konstatuara. Afati i shqyrtimit pezullohet deri në plotësimin e mangësive të kërkesës nga operatori ekonomik.
3. Në rast se edhe pas kalimit të afatit 10 (dhjetë) – ditor operatori ekonomik nuk plotëson mangësitë e konstatuara, kërkesa për pajisjen me autorizim nuk do të pranohet.
Neni 10
Operatorit ekonomik i dërgohet vendimi i miratimit apo i mospranimit në të njëjtën adresë dhe me të njëjtat mjete që ka aplikuar.
Neni 11
1. Afati i vlefshmërisë së autorizimit për përdorim civil të lëndëve plasëse i operatorëve ekonomikë, të pajisur me licencë/leje nga institucionet përkatëse në fushat minerare, gjeologjike, hidrokarbure, energjetike dhe të infrastrukturës, të cilat për realizimin e veprimtarisë së tyre e kanë të domosdoshëm përdorimin e lëndëve plasëse, është i njëjtë me afatin e licencës/lejes për ushtrimin e veprimtarisë.
2. Autorizimi për përdorim civil të lëndëve plasëse është i vlefshëm vetëm brenda sipërfaqes, për të cilën është licencuar/lejuar operatori ekonomik për të ushtruar veprimtarinë. Në rast të ndryshimit të sipërfaqes së licencuar/lejuar, operatorët ekonomikë të pajisur me licencë/leje duhet të aplikojnë për një autorizim të ri për përdorim civil të lëndëve plasëse, me një projekt sipas sipërfaqes së rikonfiguruar.
3. Afati i vlefshmërisë së autorizimit për përdorim civil të lëndëve plasëse i subjekteve të kontraktuara nga operatorët ekonomikë të pajisur me licence/leje sipas fushave, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, është i njëjtë me afatin e kontratës së nënshkruar nga palët.
4. Afati i autorizimit të operatorëve ekonomikë të specializuar për përdorimin civil të lëndëve plasëse është 10 (dhjetë) vjet. Operatorët ekonomikë të specializuar paraqesin çdo vit pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera informacion të hollësishëm për zhvillimin e veprimtarisë me lëndë plasëse. Përmbajtja e këtij informacioni përcaktohet në aneksin 2, të këtij vendimi.
5. Brenda 10 (dhjetë) ditëve nga pajisja me autorizimin e përdorimit civil të lëndëve plasëse si subjekt i specializuar, operatori ekonomik duhet të kryejë regjistrimin në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera.
Neni 12
1. Operatori ekonomik i specializuar, i autorizuar për përdorimin civil të lëndëve plasëse, mund të lidhë kontratë për kryerjen e punimeve me lëndë plasëse për përdorim civil me operatorët ekonomikë të pajisur me licencë/leje nga institucionet përkatëse në fushat minerare, gjeologjike, hidrokarbure, energjetike dhe infrastrukturës, të cilët nuk kanë autorizim për përdorim civil të lëndëve plasëse, por e kanë të parashikuar përdorimin e lëndëve plasëse në projektin e miratuar për objektin. Për këto raste, veprohet, si më poshtë vijon:
a) Kontratës për kryerjen e punëve me lëndë plasëse i bashkëlidhen projekti i kryerjes së punëve me lëndë plasëse, në zbatim të projektit të miratuar për objektin ku do të kryhet veprimtaria e licencuar/lejuar nga institucionet përkatëse, njoftimi drejtuar organeve të pushtetit vendor për sipërfaqen e zonës së rrezikshme ku do të kryhet veprimtaria me lëndë plasëse, si dhe vërtetimi që subjekti disponon magazinë të miratuar të lëndëve plasëse ose kontratë me një subjekt që ka magazinë të lëndëve plasëse, të miratuar;
b) Para fillimit të punimeve, subjekti i specializuar, i autorizuar, që ka lidhur një kontratë, njofton Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera;
c) Për çdo kontratë me operatorë të tjerë ekonomikë, subjekti i specializuar duhet të miratojë në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera projektin e kryerjes së punëve me lëndë plasëse, në zbatim të projektit të miratuar për objektin ku do të kryhet veprimtaria e licencuar/lejuar nga institucionet përkatëse.
Neni 13
1. Kontrolli për përdorimin civil të lëndëve plasëse bëhet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera dhe institucionet e tjera të specializuara shtetërore, të parashikuara me ligj.
Autorizimi për përdorim civil të lëndëve plasëse, shfuqizohet, sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 22, “Kushtet e përgjithshme të administrimit”, të ligjit nr.74/2021.
2. Formati i autorizimit për përdorim civil të lëndëve plasëse është sipas aneksit 1, të këtij vendimi.
3. Operatori ekonomik duhet të aplikojë për ndryshim të autorizimit, në rast të ndryshimit të personave që do të angazhohen në punën me lëndë plasëse. Për çdo person të ri, operatori ekonomik duhet të paraqesë dokumentacionin, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 14
1. Vendimi nr.315, datë 5.5.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e dhënies së autorizimit, për përdorimin civil të lëndëve plasëse”, shfuqizohet.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera dhe institucionet e tjera të specializuara shtetërore, të parashikuara me ligj, për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 15
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROJEKTEVE FITUESE TË FINANCUARA NGA FONDI PËR PARANDALIMIN DHE MENAXHIMIN E FATKEQËSIVE NATYRORE, SI DHE TË AUTORITETIT KONTRAKTOR PËR ZBATIMIN E PROJEKTEVE, SIPAS NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 15, e të pikës 9, të aneksit 6, të ligjit nr.84/2022 “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së projekteve fituese të financuara nga Fondi për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, si edhe të autoritetit kontraktor për zbatimin e projekteve, sipas njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas shtojcës nr.1 që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I ZONËS SË MBROJTUR NGA LUMI OSUM DHE RIJETËZIMI I FASADAVE TË QENDRËS SË QYTETIT URA VAJGURORE, BASHKIA DIMAL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i zonës së mbrojtur nga lumi Osum dhe rijetëzimi i fasadave të qendrës së qytetit Ura Vajgurore, Bashkia Dimal”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Dimal.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 604 285.5 (gjashtëqind e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e pesë pikë pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 604 285.5 (gjashtëqind e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e pesë pikë pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Dimal.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Dimal.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Dimal.
8. Bashkia Dimal kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Dimal.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Dimal për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Dimal për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Dimal, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Berat për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.247, DATË 30.4.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE, TË KËRKESAVE E TË PROCEDURAVE PËR INFORMIMIN DHE PËRFSHIRJEN E PUBLIKUT NË VENDIMMARRJEN MJEDISORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 17, të ligjit nr.10 440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.247, datë 30.4.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Kudo në tekstin e vendimit:
a) emërtimi “Ministria e Mjedisit” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për mjedisin …”;
b) emërtimi “Agjencia Rajonale e Mjedisit” dhe shkurtimi “ARM” zëvendësohen, përkatësisht, me “Drejtoria Rajonale e Mjedisit” dhe “DRM”;
c) fjalët “… qeverisjes vendore …” zëvendësohen me “… vetëqeverisjes vendore …”;
ç) fjala “shënim” zëvendësohet me “procesverbal”.
2. Në kreun I bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Informimin dhe marrjen e mendimit të publikut nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) për projektet, që AKM-ja vlerëson se ato mund të kenë ndikim të konsiderueshëm në mjedis, bazuar në listën e shtojcës II, të ligjit nr.10440 datë 7.11.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, të ndryshuar, të shoqëruar me sqarimet për procedurën në zbatim.”.
b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Në rastet kur AKM-ja vlerëson se projekti ka ndikim të konsiderueshëm në mjedis, publikon menjëherë në faqen e saj të internetit informacionin e plotë për projektin, siç është paraqitur nga zhvilluesi.”.
c) Shkronja “c”, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) mënyrën dhe afatin e ankimit, brenda 30 ditëve nga publikimi i vendimit te titullari i AKM-së, ndaj vendimit dhe procedurës së zbatuar nga AKM-ja për marrjen e vendimit, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Administrative.”.
ç) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Në përfundim të procedurës paraprake të VNM-së, AKM-ja gjatë marrjes së vendimit vlerëson komentet apo sugjerimet e dhëna nga publiku/palët e interesuara për projektin dhe procedurën paraprake të ndjekur gjatë fazës, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij kreu. Vendimi i AKM-së publikohet i plotë në faqen e saj të internetit, ku publiku dhe palët e tjera të interesuara sigurojnë një kopje të plotë të tij.”.
3. Në kreun II bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Shkronja “ç”, e pikës 2.1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) mënyrën e ushtrimit të së drejtës së ankimit ndaj procedurës së pjesëmarrjes së publikut dhe deklaratës mjedisore, brenda 30 ditëve nga publikimi i deklaratës.”.
b) Në pikën 2.3, pas fjalëve “… njësitë administrative vendore …” shtohen “… dhe palët e interesuara …”;
c) Në fund të shkronjës “b”, të pikës 4.1, shtohen fjalët “… të paktën 20 (njëzet) ditë nga publikimi i informacionit të plotë mbi projektin e paraqitur në AKM.”;
ç) Shkronja “dh”, e pikës 4.2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) Merr në konsideratë rezultatet dhe sugjerimet e publikut apo argumenton arsyet e mosmarrjes në konsideratë të kërkesave të tyre gjatë shqyrtimit për deklaratën mjedisore dhe procesit të VNM-së;”.
d) Pas pikës 7.6 shtohet pika 7.7, me këtë përmbajtje:
“7.7 Procesi i zhvillimit të seancës dëgjimore për projektin e propozuar është i vlefshëm brenda 1 viti nga data e realizimit, kur:
i. zhvilluesi tërhiqet nga zhvillimi i projektit, pas përfundimit të procesit të dëgjesës publike;
ii. zhvilluesi është pajisur me deklaratë mjedisore për refuzimin e kërkesës për leje/licencë zhvillimi për atë projekt, shkaqet e së cilës nuk cenojnë interesat e publikut dhe palëve të interesuara, sipas procesverbaleve dhe raporteve të përgatitura gjatë procesit të zhvillimit të seancës dëgjimore. Në këtë rast, procesi i zhvillimit të seancës dëgjimore është i vlefshëm edhe kur zhvilluesi rifillon procedurën për pajisjen me deklaratë mjedisore, brenda 1 (një) viti nga realizimi i këtij procesi.”.
4. Pika 2.1, e kreut III, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2.1 Çdo palë e interesuar ka të drejtën e ankimit administrativ ndaj akteve, veprimeve apo mosveprimeve dhe/ose veprimit procedural gjatë zhvillimit të procedurës së informimit dhe pjesëmarrjes së publikut në procesin paraprak dhe të thelluar të VNM-së, në zbatim të legjislacionit në fuqi dhe Kodit të Procedurës Administrative. Ankimi administrativ paraqitet te ministri brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e shpalljes së deklaratës mjedisore.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.559, DATË 29.7.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E ÇMIMEVE DHE TARIFAVE PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM/PËRDORIM TË FONDIT PYJOR KOMBËTAR PËR VEPRIMTARI EKONOMIKE DHE PËR PRODHIMET DRUSORE DHE JODRUSORE PYJORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, pika 4, 25, pika 4, dhe 27, pika 5, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.559, datë 29.7.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Titulli i vendimit ndryshohet dhe zëvendësohet me “Për përcaktimin e çmimeve dhe tarifave për dhënien në shfrytëzim/përdorim të Fondit Pyjor Kombëtar, për veprimtari ekonomike dhe prodhimet drusore e jodrusore pyjore si dhe mënyrën e procedurën e mbledhjes së tyre”.
2. Në bazën ligjore, pas fjalës “… të neneve …” shtohet togfjalëshi “… 13, pika 4, …”.
3. Në pikën 1, pas fjalëve “… në Fondin Pyjor Kombëtar …” shtohen “… dhe mënyrën e procedurën e mbledhjes së tyre …”.
4. Pas pikës 5 shtohen pikat 5.1, 5.2, 5.3, 5.4, 5.5, 5.6 dhe 5.7, me këtë përmbajtje:
“5.1. Tarifat për dhënien në përdorim të fondit pyjor, sipas shtojcës 1, të këtij vendimi, paguhen çdo vit, nga subjektet që marrin në përdorim fondin pyjor, pavarësisht kohëzgjatjes së kontratës së qirasë për dhënien në përdorim të këtij fondi, të lidhur midis bashkisë, në territorin e së cilës kryhet aktiviteti, dhe subjektit fizik apo juridik që kryen aktivitetin.
5.2. Tarifa vjetore e përcaktuar në pikën 5.1, të këtij vendimi, paguhet në llogarinë bankare të bashkisë brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e lidhjes së kontratës dhe në të njëjtën muaj për vitet në vijim.
5.3. Tarifat për sipërfaqen e shfrytëzuar për heqjen nga Fondi Pyjor Kombëtar përcaktohen në raportin tekniko-ekonomik për sipërfaqen pyjore që hiqet, të hartuar nga strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki. Struktura përgjegjëse për pyjet në ministri, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga miratimi i aktit të heqjes nga fondi pyjor, njofton subjektin për kryerjen e pagesës së tarifës. Tarifa paguhet në llogarinë bankare të bashkisë brenda 10 (dhjetë) ditëve nga dita e njoftimit. Moskryerja e pagesës brenda afatit të përcaktuar përbën kusht për anulimin e aktit të miratimit të heqjes nga fondi pyjor.
5.4. Tarifat për shfrytëzimin e Fondit Pyjor Kombëtar, sipas shtojcës 2, të këtij vendimi, për vendosjen e kampingjeve, qendrave dhe objekteve të lëvizshme janë ditore, bazuar në kontratat sezonale të shfrytëzimit dhe paguhen në momentin e lidhjes së kontratës në llogarinë bankare të bashkisë përkatëse.
5.5. Tarifat, që paguhen për shpërblimin e dëmit të shkaktuar në fondin pyjor, derdhen në llogarinë bankare të bashkisë përkatëse dhe mbledhja e tyre apo ekzekutimi i detyrueshëm bëhet sipas procedurës së përcaktuar në legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
5.6. Tarifat për prodhimet drusore dhe jodrusore pyjore dhe për grumbullimin e nxjerrjen e prodhimeve të dyta pyjore dhe jopyjore, sipas shtojcës 3, të këtij vendimi, paguhen pas shpalljes së fituesit në procedurat e konkurrimit publik dhe lidhjes së kontratës në llogarinë bankare të bashkisë përkatëse.
5.7. Kur veprimtaritë e sipërpërmemdura zhvillohen në fondin pyjor privat mënyra dhe procedura e mbledhjes së tarifës përkatëse përcaktohet në marrëveshjen midis pronarit privat dhe subjektit të interesuar.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
AKT NORMATIV
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Pas nenit 9/3, të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, shtohet neni 9/4, me këtë përmbajtje:
“Neni 9/4
Dispozitë kalimtare
Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve, votues në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të shpallura me dekretin nr.13864, datë 24.10.2022, të Presidentit të Republikës, që përfundon deri në datën 14 maj 2023, zgjatet deri në datën 31 maj 2023.”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROCEDURAVE, KRITEREVE DHE RREGULLAVE PËR ZBATIMIN E PROGRAMIT TË NXITJES SË PUNËSIMIT, SIPAS SKEMËS SË GARANCISË RINORE NËPËRMJET TË NXËNIT NË VENDIN E PUNËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2, shkonja “gj”, e 4, të nenit 11, të ligjit nr.15/2019 “Për nxitjen e punësimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programit të nxitjes së punësimit, sipas skemës së garancisë rinore nëpërmjet të nxënit në vendin e punës për të rinjtë.
2. Programi i nxitjes së punësimit, sipas skemës së garancisë rinore, ka për qëllim përfshirjen në tregun e punës të të rinjve të moshës 15-29 vjeç, që nuk janë në punësim, arsim ose formim profesional, nëpërmjet të nxënit në vendin e punës.
3. Ministri përgjegjës për çështjet e punësimit dhe aftësive miraton planin e shpërndarjes së fondeve dhe pjesëmarrësve në programin e nxitjes së punësimit dhe rajonet, ku do të zbatohet programi në bazë të planit të zbatimit të garancisë rinore, pas propozimit nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.
4. Zbatimi i këtij programi do të realizohet në përputhje me parimet e bashkëpunimit dhe sigurimit të cilësisë në sistemin e arsimit e formimit profesional (AFP).
5. Ofrimi i këtij programi realizohet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet punëdhënësve, të rinjve pjesëmarrës, strukturave rajonale të punësimit dhe institucioneve publike ofruese të AFP-së.
6. Ky program zbatohet bazuar në një proces të drejtë dhe konkurrues aplikimi.
7. Ky program zbatohet dhe administrohet nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.
II. PROGRAMI
1. Programi i nxitjes së punësimit, sipas skemës të garancisë rinore, realizohet me anë të kurseve 3 deri në 6-mujore të formimit profesional nëpërmjet të nxënit në vendin e punës dhe më pas punësimit për 6 (gjashtë) muaj të tjerë.
2. Të rinjtë pjesëmarrës në këtë program (kursantët) angazhohen për pjesën praktike të kursit, deri në 32 (tridhjetë e dy) orë mësimore në javë, gjatë 4 (katër) ditëve të javës. Për kursantët nën 18 vjeç zbatohen kushtet e punësimit në përputhje me rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve në punë (miratuar me vendimin nr.108, datë 15.2.2017, të Këshillit të Ministrave. Një ditë në javë, kursantët do të plotësojnë formimin teorik profesional, për 4 (katër) orë mësimore, pranë një ofruesi publik të AFP-së.
3. Për qëllim të zbatimit të programit të nxitjes së punësimit, sipas skemës së garancisë rinore, nëpërmjet të nxënit në vendin e punës, hartohen programe të kurseve të formimit profesional, të përshtatshme për të rinjtë pjesëmarrës, në përputhje me profilet profesionale dhe kriteret e njoftuara në thirrjen përkatëse.
4. Programet e kurseve të formimit profesional miratohen nga një komision i përbërë nga drejtori i AFP-së në AKPA, një përfaqësues nga AKAFPK-ja dhe drejtori i ofruesit të AFP-së.
5. Institucioni ofrues publik i AFP-së mbikëqyr zbatimin e pjesës praktike të kursit të formimit profesional, plotësimin e formimit teorik profesional dhe vlerësimin e vazhduar e përfundimtar të kursantëve nëpërmjet angazhimit të mësimdhënësit të institucionit publik ofrues të AFP-së, në bashkëpunim me instruktorin në biznes.
6. Mësimdhënësi i institucionit ofrues publik i AFP-së angazhohet:
– një ditë në javë për katër orë mësimore për kursin teorik pranë institucionit ofrues publik të AFP-së për plotësimin e formimit teorik;
– 4 (katër) orë mësimore në javë për mbikëqyrjen e kursantëve në vendin e punës në subjekt;
– për vlerësimin e tyre në fund të periudhës së kursit të formimit profesional të të nxënit në vendin e punës.
7. Në përfundim të programit të kursit profesional, kursantët vlerësohen dhe pajisen me dokumentin e certifikimit, në përputhje me udhëzimet përkatëse të legjislacionit të AFP-së për vlerësimin, provimet dhe certifikimin për kurset e veçanta.
III. PROCEDURAT, RREGULLAT DHE KRITERET E APLIKIMIT DHE TË PËRFITIMIT TË PROGRAMIT
1. Të drejtën e përfitimit nga ky program e kanë të gjithë të rinjtë, referuar në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi, të regjistruar prej jo më shumë se 4 (katër) muajsh në strukturën përkatëse të punësimit.
2. Kanë të drejtë të përfitojnë nga ky program punëdhënësit e regjistruar në strukturën përkatëse të punësimit, që veprojnë si persona fizikë e juridikë.
3. Punëdhënësit duhet të plotësojnë njëkohësisht kriteret e mëposhtme:
a) Të jenë të regjistruar prej jo më pak se 6 (gjashtë) muajsh;
b) Janë aktivë dhe nuk janë në proces falimentimi;
c) Vetëdeklarojnë se nuk kanë të regjistruar shkelje të legjislacionit të punës për të paktën 2 vitet e fundit;
ç) Nuk kanë detyrime tatimore të prapambetura;
d) Vetëdeklarojnë se disponojnë burime njerëzore dhe infrastrukurore në mbështetje të këtij programi;
dh) Vetëdeklarojnë se kanë vende të lira pune.
4. Pozicionet e punës, në të cilat do të angazhohen kursantët, në kuadër të këtij programi, janë pozicione të lira pune, në të cilat kursantët do të punojnë edhe për të paktën 6 (gjashtë) muaj të tjerë pas përfundimit të programit të nxitjes së punësimit, sipas skemës së garancisë rinore, nëpërmjet të nxënit në vendin e punës. Përgjatë këtyre 6 (gjashtë) muajve të punësimit, punëmarrësit do të paguhen nga punëdhënësi të paktën me pagë minimale në shkallë vendi.
5. Punëdhënësit kanë detyrimin të caktojnë të paktën një instruktor për çdo grup përfituesish me deri në 5 (pesë) punëkërkues të papunë në varësi të kapaciteteve dhe vendeve të lira të punës.
Në rast të largimit të instruktorit, punëdhënësi ka detyrim të njoftojë brenda 5 (pesë) ditëve pune strukturën përkatëse të punësimit në lidhje me largimin dhe zëvendësimin e tij/saj në përputhje me kriteret profesionale të parashikuara në pikën 6, të kreut III, të këtij vendimi.
6. Personi, i cili angazhohet si instruktor në biznes, përzgjidhet nga punëdhënësi dhe duhet të jetë staf i punësuar pranë tij. Instruktori në biznes duhet të plotësojë këto kritere profesionale dhe personale, si më poshtë vijon:
a) Të ketë përvojë pune të paktën 3 (tre) vjet në profesione që lidhen me programin e praktikës profesionale të biznesit;
b) Të zotërojë aftësi të mira organizative, planifikuese dhe komunikimi;
c) Të jetë i/e aftë të udhëheqë dhe të mbikëqyrë ecurinë e kursantëve për përvetësimin e aftësive profesionale gjatë kohëzgjatjes së programit të të nxënit në vendin e punës;
ç) Të jetë i/e aftë të vlerësojë ecurinë dhe arritjet e kursantëve.
7. Instruktori në biznes ka për detyrë të këshillojë, të drejtojë e të ndihmojë kursantët për t’u aftësuar në punë e procese, të përcaktuara sipas programit të formimit profesional dhe të bëjë vlerësimin dhe raportimin e ecurisë së kursantëve.
IV. MBËSHTETJA E PËRFITUESVE
1. Kursantët, pjesëmarrës në këtë program, përfitojnë:
a) bonus transporti, në vlerën 1 600 (një mijë e gjashtëqind) lekë në muaj, për të gjithë kohëzgjatjen, për mbulimin e shpenzimeve të transportit, në rast se banojnë më shumë se 2 (dy) km larg vendit të punës. Pagesa e bonusit të shpenzimeve të transportit bëhet çdo muaj në llogarinë e kursantit;
b) pagesë për pjesëmarrje në kursin e formimit profesional, në masën 80% të pagës minimale në shkallë vendi gjatë gjysmës së parë të kursit dhe 100% të pagës minimale në shkallë vendi për pjesën e mbetur. Pagesa për pjesëmarrje do të bëhet çdo muaj në llogarinë e kursantit.
2. Punëdhënësit, pjesëmarrës në program, rimbursohen për kategoritë e mëposhtme të shpenzimeve:
a) Pagesën e instruktorit në biznes, i cili do të angazhohet në masën 20% të kohëzgjatjes normale ditore të punës, për çdo grup prej 5 (pesë) kursantësh. Paga mësimore orare e instruktorit në biznes nuk mund të kalojë pagesën mësimore orare të një instruktori në institucionet publike të AFP-së, sipas legjislacionit përkatës;
b) Pagesën për sigurimin e kursantit për aksidente në punë gjatë kohëzgjatjes së kursit të formimit profesional;
c) Pagesën për sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, në masën e pagës minimale për 6 (gjashtë) muajt e tjerë të punësimit.
3. Punëkërkuesit e papunë, pjesëmarrës në këtë program, nuk mund të zëvendësohen dhe kanë të drejtë të marrin pjesë vetëm një herë në këtë program.
V. PROCEDURAT E NJOFTIMIT DHE ZBATIMIT TË PROGRAMIT
1. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, nëpërmjet strukturave të tij, publikon informacionin e nevojshëm në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në platforma të tjera (faqe interneti, media sociale, shtyp, tryeza diskutimesh etj.) lidhur me zbatimin e programeve dhe informon punëdhënësit e punëkërkuesit të rregjistruar.
2. Institucionet publike ofruese të AFP-së, nëpërmjet njësive të tyre të zhvillimit, promovojnë këtë program dhe informojnë punëdhënësit me të cilët kanë bashkëpunim.
3. Çdo thirrje për kërkesë pjesëmarrjeje në këtë program përmban kriteret e kërkesës, fushat dhe vlerat e financimit, kriteret e pjesëmarrjes, procedurën e vlerësimit dhe njoftimit, afatet e aplikimit, si edhe dokumentet shoqëruese që kërkohen në kuadër të kërkesës.
4. Punëdhënësit paraqesin kërkesën për përfshirjen në program nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, duke ngarkuar dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Formularin e kërkesës të plotësuar, sipas modelit standard, të miratuar dhe publikuar nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë;
b) Autorizimin e punëdhënësit, me të cilin autorizohet institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për të kryer të gjitha verifikimet dhe kërkimet e nevojshme të dokumenteve dhe të të dhënave të kërkesës;
c) Vetëdeklarimin për mospasjen në ngarkim të punëdhënësit të shkeljeve apo të sanksioneve që lidhen me legjislacionin e punës, përgjatë dy viteve të fundit;
ç) vetëdeklarimin se disponojnë burime njerëzore dhe infrastrukurore në mbështetje të këtij programi.
5. Struktura përkatëse e punësimit, brenda 7 (shtatë) ditëve pune nga marrja e kërkesës nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, verifikon plotësimin e kritereve nga kërkuesit dhe shqyrton dokumentet mbështetëse të paraqitura prej tyre, nëpërmjet dokumenteve të mëposhtme:
a) Ekstraktit historik të punëdhënësit, të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
b) Vërtetimit për pagimin e detyrimeve tatimore;
c) Vërtetimit për derdhjen e kontributeve shoqërore e shëndetësore për tatimpaguesin për 12 (dymbëdhjetë) muajt e fundit.
6. Në rast të mangësive në informacion dhe dokumentacion kërkohet që aplikantët të bëjnë plotësimin e tyre, në mënyrë elektronike, brenda një afati të caktuar që nuk mund të jetë më shumë se 3 (tre) ditë pune.
7. Në përfundim të procedurës së verifikimit, struktura përkatëse evidenton punëdhënësit që plotësojnë kriteret dhe i dërgon pranë institucioneve ofruesve publike të AFP-së për të hartuar dhe finalizuar programin e trajnimit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike.
8. Pasi punëdhënësi ka finalizuar programin e trajnimit, struktura përkatëse e punësimit harton listën e punëkërkuesve të papunë, që plotësojnë kriteret për pjesëmarrje në këtë program brenda 7 (shtatë) ditëve pune.
9. Në strukturën përkatëse të punësimit ngrihet komisioni i miratimit të projekteve, i cili përbëhet nga të paktën 3 (tre) anëtarë, njëri prej të cilëve është përfaqësues i institucioneve ofruese publike të AFP-së. Komisioni ka për detyrë që brenda 5 (pesë) ditëve pune të shqyrtojë projektet e nxitjes së punësimit të të nxënit nëpërmjet punës, duke pasur në vëmendje programin, kapacitetet trajnuese të punëdhënësit, si dhe fondin në dispozicion për këtë thirrje.
10. Struktura përkatëse e punësimit njofton punëdhënësin brenda 2 (dy) ditëve pune për miratimin ose refuzimin e aplikimit të tij.
11. Për kursantët, të cilët janë përfitues të skemës së ndihmës ekonomike, struktura rajonale e punësimit kryen njoftimin përkatës në njësinë përgjegjëse të shërbimit social.
12. Të drejtat dhe detyrimet e palëve të përfshira në zbatimin e këtij programi do të përcaktohen në bazë të një marrëveshjeje 4 (katër) – palëshe, ndërmjet strukturës përkatëse rajonale të punësimit, punëdhënësit, kursantit ose prindit/kujdestarit ligjor dhe institucionit ofrues të AFP-së, në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës, si dhe legjislacionit për nxitjen e punësimit dhe AFP-në. Modeli i marrëveshjes hartohet nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.
13. Në rast të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale nga punëdhënësi, ai detyrohet të kthejë 100% të subvencionit të përfituar dhe përjashtohet nga përfshirja në këtë program për të paktën 3 (tre) vjet. Në këtë rast, kursanti dhe ofruesi publik i AFP-së duhet të njoftojnë menjëherë strukturën rajonale të punësimit.
14. Në rast se punëdhënësi e zgjidh kontratën përpara përfundimit të programit, për shkaqe të arsyeshme dhe të justifikuara, që lidhen me thyerjen e rregullave të etikës e sjelljes nga ana e kursantit dhe shkelje në mënyrë të përsëritur të rregullores së brendshme të punëdhënësit, ky i fundit nuk ka detyrim për të kthyer shumën e përfituar nga programi, deri në datën kur ka njoftuar palët për zgjidhjen e kontratës.
15. Zbatimi i këtij programi do të monitorohet nga strukturat përkatëse të punësimit dhe institucionet ofruese publike të AFP-së.
VI. DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
1. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, në programin “Tregu i punës”, të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
2. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë përgatit raportin vjetor për zbatimin e këtij programi, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, dhe ia paraqet ministrisë përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe strukturës përgjegjëse të ndihmës shtetërore.
3. Vlerësimi i ndikimit të programeve kryhet çdo 4 (katër) vjet nga ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit, nëpërmjet ekspertëve ose organizatave me përvojë në këtë fushë.
4. Afati i zbatimit të këtij programi është 5 (pesë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
5. Ngarkohet institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për hartimin e rregullores të zbatimit të programit të nxitjes së punësimit, sipas këtij vendimi, e cila miratohet nga titullari brenda brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
6. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU