Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 Gusht 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 Gusht 2024

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 Gusht 2024:

V E N D I M  

PËR 

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të   ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I: 

 

  1. Enio Civici, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1691, DATË 10.10.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR PREFEKTËT E ADMINISTRATËN E TYRE, NËNPREFEKTËT DHE ADMINISTRATËN E TYRE DHE PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË EMERGJENCAVE CIVILE (DREJTORISË SË PMNZH-SË)”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të  ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

  1. Në vendimin nr.1691, datë 10.10.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme, për prefektët e administratën e tyre, nënprefektët dhe administratën e tyre dhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile (Drejtorisë së PMNZSH-së)”, bëhen këto ndryshime:
  1. Në titull dhe në pikën 1 hiqen fjalët “ … dhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile (Drejtorisë së PMNZSH- së) …”.
  1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen pronat sipas formularëve dhe planimetrive, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, si më poshtë vijon:
  1. a) Për prefektin e Qarkut të Korçës dhe administratën e tij, lista përbëhet nga 3 (tre) fletë formulari dhe 10 (dhjetë) planimetri;
  2. b) Për nënprefektin e Lushnjës dhe administratën e tij, lista përbëhet nga 1 (një) fletë formulari dhe 3 (tre) planimetri.
  1. Ngarkohen Ministria e Brendshme, prefekti i Qarkut të Fierit, prefekti i Qarkut të Korçës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS PËR ZHVILLIM TË KËSHILLIT TË EVROPËS, PËR FINANCIMIN  E PROJEKTIT “NGRITJA E LABORATORËVE INTELIGJENTË (SMART LABS) – RRJETI I LABORATORËVE TË TIK-UT PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR (PROJEKTI I GRANTIT, SIPAS KORNIZËS SË INVESTIMEVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për financimin e projektit “Ngritja e laboratorëve inteligjentë (Smart Labs) – rrjeti i laboratorëve të TIK-ut për sistemin arsimor parauniversitar (projekti i grantit, sipas kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor)”, me një grant në shumën 10 137 811 (dhjetë milionë e njëqind e tridhjetë e shtatë mijë e tetëqind e njëmbëdhjetë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES KUADËR TË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS  PËR ZHVILLIM TË KËSHILLIT TË EVROPËS, PËR FINANCIMIN  E PROJEKTIT “LABORATORËT INTELIGJENTË (SMART LABS) – DIGJITALIZIMI I SISTEMIT ARSIMOR SHQIPTAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes kuadër të huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për financimin e projektit “Laboratorët inteligjentë (Smart Labs) – digjitalizimi i sistemit arsimor shqiptar”, me një hua në shumën 27 000 000 (njëzet e shtatë milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

 

V E N D I M

PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Blend Çobani, inspektor i Përgjithshëm i Shërbimit Informativ të Shtetit, lirohet nga kjo detyrë.
  1. Rafail Milo emërohet inspektor i Përgjithshëm i Shërbimit Informativ të Shtetit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

 

V E N D I M

PËR 

MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE TË PËRFSHIRJES SOCIALE 2024-2028

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

                                                 V E N D O S I:

  1. Miratimin e Dokumentit të Politikave të Përfshirjes Sociale 2024-2028, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
  1. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministritë dhe institucionet e tjera përgjegjëse, të përcaktuara në Dokumentin e Politikave të Përfshirjes Sociale, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

 

V E N D I M
PËR

SIGURIMIN E JETËS SË PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QË DËRGOHET NË MISIONE USHTARAKE DHE STËRVITJE JASHTË VENDIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 6, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Ministria e Mbrojtjes siguron jetën e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që dërgohet në misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit, për vitet 2024, 2025 dhe 2026.
  2. Sigurimi i jetës së personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që dërgohet në misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit, për vitet 2024, 2025 dhe 2026, bëhet sipas kontratës që lidhet me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Ky sigurim mbulon ngjarjet në rastet e:
  3. a) humbjes së jetës për shkak të detyrës apo si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të saj;
    b) zhdukjes;
    c) dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përhershme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së misionit ushtarak dhe stërvitjes jashtë vendit;
    ç) dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përkohshme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së misionit ushtarak dhe stërvitjes jashtë vendit;
    d) shërbimeve mjekësore në spitalet publike ose private brenda dhe/apo jashtë vendit, kur mbulimet shëndetësore nuk ofrohen në spitalet publike.
  4. Shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit, për çdo person të siguruar, nuk është më e ulët se:
  5. a) 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës për shkak të detyrës apo zhdukjes së personit;
    b) 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) lekë, për rastet e dëmtimit shëndetësor me pasojë paaftësi të përhershme;
    c) 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës, si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të detyrës;
    ç) 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për rastet e dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përkohshme.
  6. Kushtet standarde të kontratës së sigurimit, përfshirë tabelën e koeficientëve të përfitimit ndaj dëmtimeve trupore, të miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shërbejnë si kushte minimale, të detyrueshme për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimeve.
  7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
  8. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

Previous Ushtarakëve me mision jashtë vendit do t’u sigurohet jeta dhe shëndeti, ministri Vengu: Paketë financiare edhe për uzinat ushtarake