Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Maj 2024:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KALENDARIT TË INTEGRUAR TË VEPRIMTARIVE NË KUADËR TË VITIT MBARËKOMBËTAR TË 80-VJETORIT TË ÇLIRIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 14, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 6, të vendimit nr.32, datë 17.1.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e vitit 2024 “Viti mbarëkombëtar i 80-vjetorit të Çlirimit” dhe krijimin e komisionit shtetëror për organizimin e veprimtarive në kuadër të tij”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalendarit të integruar të veprimtarive në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-Vjetorit të Çlirimit, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në buxhetin e miratuar për vitin 2024, nga fondi rezervë i buxhetit, u shtohen fonde për zhvillimin e disa aktiviteteve, sipas përcaktimeve të lidhjes nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi, si më poshtë:
a) Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme i shtohet fondi prej 5 500 000 (pesë milionë e pesëqind mijë) lekësh në programin “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, në llogarinë ekonomike 602;
b) Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i shtohet fondi prej 17 720 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e njëzet mijë) lekësh në programin “Arti dhe kultura”, fonde korrente në llogarinë ekonomike 604.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga ky vendim, me përjashtim të atyre të përmendura në pikën 2, të këtij vendimi, që përballohen nga fondi rezervë i buxhetit, përballohen nga buxheti vjetor i miratuar për çdo institucion.
4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave, Ministria e Brendshme, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Biblioteka Kombëtare dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.7918, DATË 13.4.1995, “PËR MIRATIMIN ME NDRYSHIME TË DEKRETIT NR.1030, DATË 23.2.1995, “PËR EMETIMIN DHE SHPËRNDARJEN E BONOVE TË PRIVATIZIMIT (LEKËVE TË PRIVATIZIMIT)”, DHE DEKRETIT NR.1049, DATË 27.3.1995, “PËR DISA PLOTËSIME NË DEKRETIN NR.1030, DATË 23.2.1995””, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për një ndryshim në ligjin nr.7918, datë 13.4.1995, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr.1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekëve të privatizimit)”, dhe dekretit nr.1049, datë 27.3.1995, “Për disa plotësime në dekretin nr.1030, datë 23.2.1995””, të ndryshuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.320, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGRITJEN E TASK-FORCËS PËR KOORDINIMIN E PROCESIT TË TRAJTIMIT TË TOKAVE BUJQËSORE NË PËRDORIM, NË KUSHTET E NENIT 12, TË LIGJIT NR.20/2020”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 11, të vendimit nr.320, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, togfjalëshi “… 1 (një) viti …” zëvendësohet me “… 2 (dy) viteve …”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.782, DATË 7.10.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E MODELEVE TË AKTEVE KADASTRALE DHE TË DHËNAVE NË PËRMBAJTJE TË HARTËS KADASTRALE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, pika 5, 15, pika 3, e 17, pika 7, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.782, datë 7.10.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e modeleve të akteve kadastrale dhe të dhënave në përmbajtje të hartës kadastrale”, bëhen këto ndryshime:
1. Fjalia e dytë, e pikës 24, të kreut V, “Akte të tjera kadastrale” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Këto vërtetime provojnë se pronari ka depozituar dokumentet ligjore për regjistrim, por prona ndodhet në një zonë kadastrale që nuk i është nënshtruar ende regjistrimit fillestar. Ky vërtetim është i vlefshëm për përdorim nga pronari dhe autoritetet publike deri në përfundimin e procesit të regjistrimit fillestar. ASHK-ja garanton statusin juridik të pasurisë së paluajtshme vetëm pas përfundimit të regjistrimit fillestar sistematik të zonës kadastrale ku ndodhet pasuria.”.
2. Anekset 7 dhe 8, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me anekset me të njëjtin numërtim dhe titull, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
II. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.153, DATË 7.4.2000, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ZBATIMIN E KODIT RRUGOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në rregulloren për zbatimin e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, miratuar me vendimin nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 232 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Titulli i nenit ndryshohet dhe zëvendësohet me “Ndryshimi i karakteristikave konstruktive të mjeteve në qarkullim dhe azhurnimi i lejes së qarkullimit (neni 77 i Kodit Rrugor)”.
2. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Pala e interesuar merr miratimin përpara ndryshimit konstruktiv në DPSHTRR. DPSHTRR-ja, bazuar në rregulloren e saj, jep miratimin ose refuzimin e ndryshimit konstruktiv të kërkuar. Afati i vlefshmërisë së licencës është 1 (një) vit. Në rinovimin e dytë dhe më tej ky afat është 5 (pesë) vjet.”.
Neni 2
Në nenin 237 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli i nenit ndryshohet dhe zëvendësohet me: “Kushtet që duhet të plotësojnë mjetet që hyjnë në Republikën e Shqipërisë për t’u regjistruar dhe pajisur me lejeqarkullimi, certifikatë të përshtatshmërisë teknike dhe dokument identifikimi (nenet 92, 93 dhe 96 të Kodit Rrugor).”.
2. Në pikën 1 bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “a”, e ndarjes “A”, shfuqizohet.
b) Në fund të ndarjeve “A”, shkronja “c”, dhe “B”, shkronja “b”, fjalët “… ose agjencia e shitjes, e ngarkuar prej tij …” shfuqizohen.
3. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Karrelat dhe rimorkiot me masë maksimale të autorizuar deri në 750 kg pajisen nga organet e regjistrimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor me dokument identifikimi. Dokumenti i identifikimit përmban të dhënat e përcaktuara në rregulloren e DPSHTRR-së.
Targa përsëritëse lëshohet për çdo automjet me kërkesë të palës së interesuar. Përdorimi i tyre bëhet sipas rregullores së DPSHTRR-së.”.
4. Pika 3 shfuqizohet.
Neni 3
Në nenin 240 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pikat 1 dhe 2 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Shenja e identifikimit të ciklomotorit është me sfond të bardhë dhe përmban sipas radhës karakterin alfabetik “C”, dy karaktere alfabetike, dhe tri karaktere numerike.
2. Forma dhe përmasat e shenjës së identifikimit të ciklomotorëve janë treguar në figurën III.3/1, të neni 246, të këtij vendimi.”.
2. Pika 3 shfuqizohet.
Neni 4
Neni 242 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 242
Detyrime për mbajtësin e shenjës së identifikimit për ciklomotorë dhe certifikatës së përshtatshmërisë teknike
(Neni 96 i Kodit Rrugor)
1. Në rast humbjeje, vjedhjeje ose shkatërrimi të shenjës së identifikimit (targës) së ciklomotorit, zotëruesi i saj duhet të denoncojë brenda 24 orëve në organet e policisë, të cilët lëshojnë vërtetimin për këtë denoncim. Me kërkesë të personit, ai mund të pajiset me shenjë identifikimi tjetër.
Kur shenja e identifikimit është e dëmtuar, lëshimi i shenjës së re bëhet me dorëzimin e asaj të dëmtuar.
2. Në rast humbjeje, vjedhjeje ose shkatërrimi të certifikatës së përshtatshmërisë teknike, zotëruesi i saj duhet të denoncojë brenda 24 orëve në organet e policisë, të cilët lëshojnë vërtetimin për këtë denoncim. Me kërkesë të personit, ai pajiset me certifikatë përshtatshmërie të re.
Kur certifikata e përshtatshmërisë teknike është e dëmtuar, lëshimi i certifikatës së re bëhet me dorëzimin e asaj të dëmtuar.”.
Neni 5
Në nenin 242/a bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor përcakton me rregullore sasinë e targave provë që mund t’i jepen subjektit. Gjithashtu, DPSHTRR-ja përcakton modelet e autorizimit për qarkullimin provë dhe librin e lëvizjes me targë provë.”.
2. Pikat 7 dhe 8 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“7. Autorizimi rinovohet me kërkesë të subjektit.
Në rast humbjeje, vjedhjeje ose shkatërrimi të autorizimit apo librit të lëvizjes (të vlefshëm), përfaqësuesi i subjektit duhet të denoncojë brenda 24 orëve në organet e policisë, të cilët lëshojnë vërtetimin për këtë denoncim. Me kërkesë të subjektit, ai pajiset me autorizim apo libër lëvizjeje (dublikatë ose të ri).
Në rast humbjeje, vjedhjeje ose shkatërrimi të targës provë, përfaqësuesi i subjektit duhet të denoncojë brenda 24 orëve në organet e policisë të cilët lëshojnë vërtetimin për këtë denoncim. Me kërkesë të subjektit, ai pajiset me targë provë tjetër.
Kur targa është e dëmtuar, lëshimi i targës së re bëhet me dorëzimin e asaj të dëmtuar.
8. Kur organi, që konstaton shkeljen për herë të tretë, siç parashikohet në pikën 3, të nenit 97, të Kodit Rrugor, autorizimin, librin e lëvizjes dhe targën provë i dërgon në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila shfuqizon autorizimin.”.
Neni 6
Pika 1, e nenit 243, shfuqizohet.
Neni 7
Shkronja “a”, e pikës 2, të nenit 244, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) ato që përmbajnë të dhënat e regjistrimit të mjeteve tërheqëse, me të cilat duhet të pajisen nga mbrapa karrelat dhe rimorkiot deri në 750 kg, gjatë qarkullimit, në përputhje me pikën 4, të nenit 99, të Kodit Rrugor;”.
Neni 8
Në pikën 1, të nenit 246, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në shkronjën “c” bëhen këto ndryshime:
a) Paragrafi i tretë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“formati 305 x 153 mm, figura III.4/3.”.
b) Paragrafi i katërt ndryshohet, si më poshtë vijon:
“formati 360 x 100 mm, figura III.4/4.”.
c) Fjalia e dytë, e paragrafit të pestë, hiqet.
2. Pas shkronjës “c” shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) Targat e regjistrimit për mjetet rrugore të veçanta përcaktohen në marrëveshje midis ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrave përkatës”.
Neni 9
Pas shkronjës “l”, të pikës 1, të nenit 248, shtohet shkronja “m”, me këtë përmbajtje:
“m) targat e mjeteve të shërbimit të konsujve të nderit: sfondi i bardhë, shkronjat dhe numrat e gjelbër, shenja dalluese HCC (figurat: III.4/1.r; III.4/2.r; III.4/3.r; III.4/4.r).”.
Neni 10
Në nenin 249 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Në fund të pikës 2 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Përjashtim bëjnë targat e personalizuara.”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Kur targa është e dëmtuar dhe elementet përbërëse të saj janë të dallueshme, lejohet të riprodhohet kur bëhet dorëzimi i saj pranë zyrës përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.”.
Neni 11
Në nenin 291 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Në fund të pikës 2 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Certifikatat mjekësore mund të lëshohen dhe përmes ndërveprimit të sistemeve informatike të përshtatshme.”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Për pikat 6, shkronjat “b” deri në “dh”, të nenit 117, dhe paragrafit të dytë, të pikës 1, të nenit 124, të Kodit Rrugor, drejtuesi paraqet, kur i kërkohet nga organi kontrollues, një dëshmi të aftësisë psikofizike për kërkesat fizike dhe psikike për kategoritë e lejedrejtimit që zotëron, pas një vizite të specializuar mjekësore për çdo rast jo më shumë se 1 vit, sipas mënyrave të përcaktuara në aktet në zbatim, e cila është në përputhje me modelin IV.1, që është pjesë përbërëse e rregullores. Dëshmitë e aftësisë psikofizike mund të lëshohen përmes ndërveprimit të sistemeve informatike të përshtatshme.”.
Neni 12
Pas fjalisë së parë, të pikës 2, të nenit 302, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Certifikatat mjekësore mund të lëshohen dhe përmes ndërveprimit të sistemeve informatike të përshtatshme.”.
Neni 13
Në fund të pikës 2, të nenit 309, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Certifikatat mjekësore mund të lëshohen dhe përmes ndërveprimit të sistemeve informatike të përshtatshme.”.
Neni 14
Në nenin 309/1 bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:
1. Titulli i nenit ndryshohet dhe zëvendësohet me “Kufizime për drejtuesit e mjeteve rrugore (neni 117/1 i Kodit Rrugor)”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Mbajtësve të lejeve të drejtimit të kategorisë B, në dy vitet e para të lëshimit, nuk u lejohet të drejtojnë mjete motorike me fuqi specifike, referuar masës bosh të mjetit, më të madhe se 55 kw/tonë, dhe për makinat hibride elektrike ose plug-in, kufiri specifik i fuqisë është 65 kw/tonë, duke përfshirë peshën e baterisë.
Në lejen e qarkullimit të motomjeteve që kanë kufizime për përdorimin e tyre, sipas pikës 1, të nenit 117/1, të Kodit Rrugor, në rubrikën “Shënime” vihet fjalia: “Neni 117/1 i K.Rr.”.
Në lejen e qarkullimit të automjeteve që kanë kufizime për përdorimin e tyre, sipas pikës 1/1, të nenit 117/1, të Kodit Rrugor, në rubrikën “Shënime” vihet raporti i fuqisë specifike (kw/tonë) dhe fjalia: “Neni 117/1 i K.Rr.”.”.
Neni 15
Në nenin 311 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “b” shfuqizohet.
b) Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) certifikatë mjekësore e kandidatit, që vërteton aftësinë shëndetësore për të drejtuar mjetin rrugor të kategorisë përkatëse, të lëshuar jo më përpara se gjashtë muaj nga data e paraqitjes së kërkesës për t’u regjistruar në autoshkollë. Certifikatat mjekësore mund të lëshohen dhe përmes ndërveprimit të sistemeve informatike të përshtatshme;”.
2. Në pikat 3 dhe 4, togfjalëshi “… 10 (dhjetë) ditë …” zëvendësohet me “… 5 (pesë) ditë …”.
Neni 16
Në nenin 312/1 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në pikat 2, 3, 3/1, 4 dhe 5, fjala “teorik” hiqet.
2. Në fund të pikës 8 shtohen fjalët “ … në testin e teorisë dhe fiton vlerësimin e praktikës.”.
3. Në pikën 9, fjalët “… pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.175/2014 …” hiqen.
Neni 17
Në nenin 313 shtohen pikat 17, 18, 19, 20, 21, 22 dhe 23, me këtë përmbajtje:
“17. Autoshkolla nuk mund të programojë më shumë se 6 (gjashtë) orë mësimi të teorisë për një mësues teorie dhe 8 (tetë) orë mësimi të praktikës në ditë për një instruktor praktike.
18. Për rastet kur përgatitja e kandidatit bëhet në autoshkollë, juridiksioni i aktivitetit të së cilës nuk është i njëjtë me vendbanimin, dosja e lejes së drejtimit dërgohet në DRSHTRR-në, ku ka vendbanimin aplikuesi, pas përfundimit të përgatitjes dhe marrjes së testimit.
Pagesa e transferimit të dosjes bëhet nga kandidati përpara pajisjes me lejedrejtimi.
19. Strukturat e DRSHTRR-së të marrin në prova teorike dhe praktike çdo kandidat që ka kryer ciklin e plotë të përgatitjes teorike e praktike, ka dorëzuar dokumentacionin e plotë dhe ka paguar tarifat e shërbimit. Pas përfundimit të provave, komisioni plotëson dokumentet, sipas modelit të miratuar nga DPSHTRR-ja.
20. Mjetet rrugore, që përdoren gjatë përgatitjes praktike dhe provave për leje drejtimi, dhe certifikata të aftësisë profesionale përcaktohen në udhëzimin e ministrit përgjegjës për transportin. Mjetet me destinacion apo përdorim për autoshkollë duhet të plotësojnë kushtet teknike dhe të komoditetit. Shërbimi i kontrollit dhe i verifikimit të komoditetit kryhet pranë qendrave të kontrollit teknik.
21. Mësuesit e teorisë duhet të jenë të pajisur me dëshmi të aftësisë profesionale “mësues teorie”, e cila është e vlefshme si për përgatitjen e kandidatëve për lejedrejtimi, dëshmi dhe certifikata.
Instruktorët e praktikës duhet të jenë të pajisur me dëshmi të aftësisë profesionale për lejedrejtimi dhe kur përgatit kandidatë për dëshmi dhe certifikata duhet të ketë edhe certifikatën e aftësimit profesional (CAP) ose (DAP), në varësi të kandidatëve që përgatit.
Dëshmitë e aftësisë profesionale për mësuesit e teorisë dhe instruktorët e praktikës të autoshkollave jepen nga strukturat e DPSHTRR-së, pas testimit përkatës. Përgatitja e tyre bëhet sipas programeve të përcaktuara në aktin nënligjor të miratuar nga ministri përgjegjës për transportin.
Dëshmia e aftësisë profesionale e mësuesit të teorisë është pa afat. Lëshimi i dublikatit ose pajisja me dëshmi të re bëhet për rastet kur ajo dëmtohet, humbet ose kur zotëruesi i saj ndryshon vendbanimin.
Mësuesit e teorisë duhet të kryejnë kurse trajnimi periodik çdo 5 vjet. Mësuesi, që nuk respekton detyrimet periodike të trajnimit, nuk mund të përfshihet në personelin e një autoshkolle.
Kursi i trajnimit periodik për mësues teorie ka për objekt një ose më shumë nga temat e mëposhtme:
a) Ruajtjen dhe përmirësimin e aftësive të përgjithshme të mësuesve;
b) Ndryshimet rregullatore lidhur me sigurinë rrugore;
c) Kërkime të reja në lidhje me fushën e sigurisë rrugore, në veçanti sjelljen e drejtuesve të rinj, duke përfshirë evoluimin e tendencave në shkaqet e aksidenteve;
ç) Zhvillimet e reja në metodat e mësimdhënies dhe të të nxënit.
Dëshmia e aftësisë profesionale e instruktorit të praktikës lëshohet për një afat 5-vjeçar, me të drejtë rinovimi. Rinovimi bëhet nëse zotërohen aftësitë e kërkuara fizike e psikike të instruktorit dhe ndiqet kursi i trajnimit periodik.
Kursi i trajnimit periodik për instruktor të praktikës ka për objekt një ose më shumë nga temat e mëposhtme:
a) Ruajtjen dhe përmirësimin e aftësive të përgjithshme të instruktorit të praktikës;
b) Ndryshimet rregullatore lidhur me sigurinë rrugore;
c) Kërkime të reja në lidhje me fushën e sigurisë rrugore, në veçanti sjelljen e drejtuesve të rinj, duke përfshirë ndryshimin e tendencave në shkaqet e aksidenteve.
Të drejtën e pezullimit dhe anulimit të dëshmisë së aftësisë profesionale e ka organi, që e ka lëshuar atë.
Dëshmia e aftësisë profesionale pezullohet me afat nga 1 (një) deri në 3 (tre) muaj, kur mbajtësi i saj kryen shkelje të legjislacionit rrugor.
Anulimi bëhet kur kryhet shkelje e përsëritur e legjislacionit rrugor, shkelje të rënda të etikës dhe sjelljes gjatë ushtrimit të profesionit, kur nuk ndiqet kursi i trajnimit periodik, si dhe kur hiqet kategoria e lejedrejtimit.
DPSHTRR-ja pajis me autorizim të veçantë instruktorin e praktikës për përgatitjen e kandidatëve të autoshkollës në të cilën ai është i punësuar. Në asnjë rast instruktori i praktikës nuk mund të përgatisë kandidatë, të cilët nuk i përkasin autoshkollës së autorizuar.
22. Kur mjeti rrugor mësimor drejtohet nga një kandidat, në të lejohet të hipë edhe një kandidat tjetër përveç instruktorit, ndërsa kur mjeti rrugor është autobus, me të cilin përgatiten persona që do të pajisjen me lejedrejtimi të kategorive D1 dhe D, mund të udhëtojnë vetëm pjesëtarët e të njëjtit grup, por jo më shumë se 8 (tetë) persona.
23. Përgatitja praktike e kandidatëve bëhet sipas udhëzimit të ministrit përgjegjës për transportin.”.
Neni 18
Në pikën 1, të shtojcës X, të përmendur në nenin 245, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Në shkronjën “o”, togfjalëshi “… figurat III.4/1.n, III.4/2.n, III.4/5.n …” zëvendësohet me “… figurat III.4/1.p, III.4/2.p, III.4/5.p …”.
2. Në shkronjën “p”, togfjalëshi “… figura III.3.n …” zëvendësohet me “… figura III.3.p …”.
3. Në shkronjën “q”, togfjalëshi “… figura III.3/1.n …” zëvendësohet me “… figura III.3/1.p …”.
4. Pas shkronjës “q” shtohet shkronja “r”, me këtë përmbajtje:
“r) targat e mjeteve të shërbimit të konsujve të nderit, sipas radhës, stema zyrtare, tri karaktere alfabetike (HCC) dhe 4 numra (figurat III.4/1.r; III.4/2.r; III.4/3.r; III.4/4.r).”.
Neni 19
Lidhja nr.1, “Tabela e pikëve për shkeljet e normave të sjelljes”, që përmendet në pikën 1, të nenit 312/1, zëvendësohet me lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Neni 20
Në fund të rregullores shtohen: figura III.4/1.n, neni 248; figura III.4/2.n, neni 248; figura III.4/5.n, neni 248; figura III.3/1.n, neni 248; figura III.4/1.p, neni 248; figura III.4/2.p, neni 248; figura III.4/5.p, neni 248; figura III.3/p, neni 248; figura III.3/1.p, neni 248; figura III.4/1.r, neni 248; figura III.4/2.r, neni 248; figura III.4/3.r, neni 248; figura III.4/4.r, neni 248, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
Neni 21
Në përmbajtje të procesverbalit të konstatimit të shkeljes, sipas modeleve VI.1 dhe VI.2, të përmendura në pikat 4 dhe 5, të nenit 349, fjalitë “Likuidimi i gjobës duhet bërë brenda 5 ditëve nga data që vendimi merr formë të prerë. Pas kalimit të këtij afati për çdo ditë vonesë paguhet 2% kamatë” zëvendësohen me “Kur pagesa bëhet brenda 15 ditëve, pasi vendimi merr formë të prerë, gjoba ulet me 50% të vlerës. Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet 2 për qind kamatë deri në një muaj.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E DREJTËSISË, PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË BURGJEVE, TË PRONËS ME NR.448, ME EMËRTIMIN “ISH-BATALION AT”, ME VENDNDODHJE NË BICAJ, KUKËS, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR, SI DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1068, DATË 29.12.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Drejtësisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, të pronës me nr.448, me emërtimin “Ish-batalion AT”, me vendndodhje në Bicaj, Kukës, sipas planrilevimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për nevoja të Institucionit të Paraburgimit Kukës.
2. Prona me nr.448 hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar.
3. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.1068, datë 29.12.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të IEVP Burgu nr.325, Burgu Vaqar, Burgu nr.302, Spitali i Burgut Tiranë, IEVP Shënkoll, Lezhë, IEVP Bënçë, Tepelenë, IEVP Rrogozhinë, IEVP Lushnjë (Fshati Kosovë, Komuna Fierzë, Elbasan) dhe të godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Drejtësisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve”, të ndryshuar.
4. Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë ose t’ua japin atë në përdorim të tretëve.
5. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR KONTRIBUTIN E SEKTORIT PRIVAT NË KRIJIMIN E FONDIT PUBLIK TË BANESAVE SOCIALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e rregullave për kontributin e sektorit privat për krijimin e fondit publik të banesave sociale, në përputhje me përcaktimet e nenit 19, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar.
2. Në kontratën paraprake midis njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe subjektit privat, që paraqet kërkesën për leje zhvillimi dhe ndërtimi, përcaktohet mënyra e përfitimit të fondit publik të banesave sociale, referuar sipërfaqeve me metër katror apo e dhënë ajo në vlerë leku, sipas çmimit referues të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa” për zonën ku po ndërtohet, bazuar në sipërfaqen e përgjithshme funksionale të objektit të banimit në ndërtim. Kontrata paraprake lidhet në momentin e dhënies së lejes së ndërtimit/zhvillimit.
3. Përcaktimet e pikës 2, të këtij vendimi, zbatohen edhe në rastet kur një subjekt, që aplikon për leje zhvillimore për ndërtim banese kërkon rritje të intensitetit të ndërtimit, sipas pikës 2, të nenit 19, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar.
4. Sipërfaqen takuese, referuar nenit 19, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, në përmbushje të qëllimit të strehimit, në rast pamundësie për ta dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, subjekti privat e jep atë menjëherë në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi, në përputhje me normat e projektimit të banesave, përfunduar dhe certifikuar me dokumentin e pronësisë, duke e ekuivalentuar në vlerë monetare, sipas çmimit referues të pasurisë paluajtshme “ndërtesa” për zonën ku po ndërtohet, për të cilin është dhënë leja ndërtimore.
5. Për të gjitha ato subjekte që janë pajisur me leje ndërtimi dhe nuk kanë nënshkruar ende kontratën përfundimtare të kalimit të pronësisë me njësinë e vetëqeverisjes vendore, subjekti mund të propozojë që sipërfaqen ndërtimore, në funksion të fondit publik të banesave sociale mund ta ofrojë për ta dhënë në një sipërfaqe të ndryshme nga ajo që po ndërtohet, por me kushtin që sipërfaqja të jetë e përfunduar dhe e certifikuar me dokumentet e pronësisë. Edhe në këtë rast, ekuivalentimi në vlerë monetare bëhet sipas çmimit referues të pasurive të paluajtshme “ndërtesa” për zonën ku po ndërtohet.
6. Kontrata përfundimtare, që nënshkruhet midis njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe subjektit privat për kalimin e sipërfaqes ndërtimore, në favor të fondit publik të banesave sociale, regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kjo kontratë përmban të dhënat e sakta në lidhje me sipërfaqen, zonën, numrin e njësive të banimit dhe çdo të dhënë tjetër të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
7. Në rast se kalimi i sipërfaqes ndërtimore është e dhënë në vlerë leku, fondi kalon nga investitori në llogarinë e posaçme të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në favor të fondit publik të banesave sociale.
8. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE PËR MBROJTJEN E KONSUMATORËVE DHE MBIKËQYRJEN E TREGUT 2024 – 2030
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Mbikëqyrjen e Tregut 2024 – 2030, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministritë dhe institucionet përgjegjëse, sipas përcaktimeve në dokumentin e strategjisë dhe të planit të veprimit, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA