Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Mars 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Mars 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Mars 2023:

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT TË INVESTIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (MARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN PËR MENAXHIM TË QËNDRUESHËM DHE MIQËSOR ME KLIMËN NË SEKTORIN E MBETJEVE TË NGURTA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit të investimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve të ngurta, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT PËR MASAT SHOQËRUESE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (MARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN PËR MENAXHIM TË QËNDRUESHËM DHE MIQËSOR ME KLIMËN NË SEKTORIN E MBETJEVE TË NGURTA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit për masat shoqëruese, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për programin për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve të ngurta, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT SECO, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (MARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN PËR MENAXHIM TË QËNDRUESHËM DHE MIQËSOR ME KLIMËN NË SEKTORIN E MBETJEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit SECO, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.430, DATË 2.7.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI UNIVERSITETIT TË TIRANËS”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në listën bashkëlidhur vendimit nr.430, datë 2.7.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohen të dhënat për pronën me numër rendor 16 (gjashtëmbëdhjetë), sipas formularit për inventarizimin e pronave të paluajtshme shtetërore dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Universiteti i Tiranës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN E NATO-S “AEGEAN SEA”, NË DETIN EGJE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dërgimin e 1 (një) anijeje të klasit “Iliria”, e kompletuar me efektivë, të përbërë nga 21 (njëzet e një) ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në operacionin e NATO-s, në detin Egje (Aegean Sea Nato Activity), pjesë e operacionit “Sea Guardian”, në detin Egje.

2. Misioni i anijes është kryerja e detyrave të patrullimit, zbulimit detar, dhënies së ndihmës, njohjes së situatës detare, identifikimit, verifikimit, ndalimit të objekteve detare, në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, Standing NATO Maritime Group-2 (SNMG2), në detin Egje, në kuadër të operacionit të NATOS-s, “Sea Guardian”, në detin Egje.
3. Komandimi operacional i anijes gjatë periudhës së angazhimit në operacion kryhet nga komandanti i grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, SNMG2. Për çdo rast, anija ruan varësinë në nivelin kombëtar, duke raportuar në mënyrë periodike për mbarëvajtjen e operacionit.

4. Kohëzgjatja e këtij operacioni është deri në 6 (gjashtë) muaj, me rotacion çdo 90 (nëntëdhjetë) ditë, afat i cili fillon të llogaritet nga data e nisjes së anijes dhe kontingjentit të parë për në operacion.

5. Ministria e Mbrojtjes përballon shpenzimet për personelin pjesëmarrës në këtë operacion dhe për anijen, për:

a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) sigurimin e jetës;
c) ushqim;
ç) sigurimin e anijes;
d) siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
dh) mbështetje shëndetësore;
e) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
ë) karburant, lubrifikante;
f) transport personeli për në zonën e operacionit;
g) aktivitete social – kulturore në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së operacionit;
gj) transportimin e individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;
h) taksa portuale, shërbime portuale dhe të kalimit nëpër ngushtica;
i) mirëmbajtje teknike dhe riparime të anijes të paparashikuara;
j) riparim të nivelit të tretë pas kthimit nga operacioni;
k) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.

6. Transporti i personelit të anijes që merr pjesë në operacion, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transporti i individëve të shkëputur të operacionit për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline përballohen nga pala shqiptare, përveç rasteve kur arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe, ku pala tjetër merr përsipër këto shpenzime.

7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, për vitin 2023, në programin “Forca e luftimit”.

8. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË SHTABIN E KOALICIONIT FOB UNION III, NË OPERACIONIN E NATO-S NË IRAK (NMI)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dërgimin e 2 (dy) ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në shtabin e koalicionit FOB UNION III, në operacionin e NATO-s në Irak (NMI), në Bagdad, Irak.

2. Misioni i ushtarakëve është këshillimi i institucioneve të sigurisë së Irakut, në lidhje me menaxhimin e burimeve njerëzore, analizimin e trajnimeve të nevojshme dhe identifikimi i mangësive, si pjesë e mësimeve të nxjerra.

3. Kohëzgjatja e këtij operacioni është deri në 3 (tre) vjet, afat i cili llogaritet nga data e dërgimit të ushtarakëve të parë në operacion. Periudha e qëndrimit është me sistem rotacioni në çdo 6 (gjashtë) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrjen dhe dorëzimin e detyrës, vonesa të transportit strategjik).

4. Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për:

a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) sigurimin e jetës;
c) siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
ç) mbështetje shëndetësore;
d) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
dh) energji elektrike, ujë dhe ujë i pijshëm;
e) transport;
ë) aktivitete social-kulturore në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së operacionit;
f) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.

5. Transporti i personelit që merr pjesë në operacion, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën, për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transporti i individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, me përjashtim të rasteve kur arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy- ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër përballimin e këtyre shpenzimeve.

6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

7. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR TË DHËNAT PARËSORE DHE DYTËSORE, RREGULLAT PËR NDËRVEPRIMIN ME BAZAT E TJERA TË TË DHËNAVE SHTETËRORE DHE NIVELIN E AKSESIMIT NË REGJISTRIN ELEKTRONIK TË GJENDJES GJYQËSORE TË SHTETASVE TË DËNUAR JASHTË VENDIT, POR ME BANIM TË PËRHERSHËM NË SHTETIN SHQIPTAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 29, të ligjit nr.10193, datë 3.12.2009, “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim ka si objekt përcaktimin e rregullave të hollësishme për të dhënat parësore dhe dytësore, që regjistrohen në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit, rregullat për ndërveprimin me bazat e tjera të të dhënave shtetërore, si dhe nivelin e aksesimit për subjektet e interesuara në këtë bazë të dhënash në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit.

2. Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit është një bazë e të dhënave shtetërore, nëpërmjet së cilës grumbullohet informacioni i organizuar dhe i ruajtur në formë elektronike për ҫdo vendim penal të formës së prerë, të dhënë nga autoritetet e huaja ndaj shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj ose pa shtetësi, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar, ku përpunimi dhe përditësimi i tij kryhet nëpërmjet një sistemi kompjuterik.

3. Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit administrohet e mirëmbahet nga Ministria e Drejtësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore.

4. Përpunimi i të dhënave personale në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit kryhet në përputhje me parimet dhe kriteret e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

II. PËRMBAJTJA, ADMINISTRIMI DHE RUAJTJA E TË DHËNAVE TË REGJISTRIT ELEKTRONIK TË GJENDJES GJYQËSORE TË SHTETASVE TË DËNUAR JASHTË VENDIT

5. Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit përmban të dhënat për çdo vendim penal të dhënë jashtë shtetit ndaj shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj ose pa shtetësi, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar, që rezultojnë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC) të vitit 2010.

6. Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit përmban të dhëna për:

a) gjendjen civile të personit të dënuar;
b) shtetin në të cilin është dënuar personi dhe autoriteti gjyqësor që ka dhënë dënimin;
c) vendimin penal të autoritetit gjyqësor të huaj;
ç) veprën penale për të cilën është dënuar;
d) masën e dënimit;
dh) shtetin e ekzekutimit të vendimit penal.

7. Të dhënat e regjistrit të shtetasve të dënuar jashtë shtetit në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore.

8. Të dhënat parësore, që përmban regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit, janë:

a) shteti në të cilin është dënuar personi;
b) autoriteti gjyqësor që ka dhënë dënimin;
c) të dhënat e vendimit penal të autoritetit gjyqësor të huaj, si numri i vendimit, data e vendimit dhe dispozitivi i vendimit;
ç) vepra penale për të cilën është dënuar;
d) masa e dënimit;
dh) shteti i ekzekutimit të vendimit penal;
e) të dhëna nëse vendimi penal është dhënë në mungesë, nëse ekzekutimi i dënimit penal është parashkruar apo nëse i dënuari është rehabilituar.

9. Të dhënat dytësore, që përmban regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit, janë:

a) të dhëna lidhur me përbërës të gjendjes civile, si emri, mbiemri, numri personal, numri personal për shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, datëlindja, vendlindja, gjinia, emri i babait, emri i nënës, gjendja civile, të dhënat për vendbanimin dhe vendqëndrimin;
b) të dhëna referenciare nga ndërveprimi me baza të dhënash të tjera, sipas pikës 10, të këtij vendimi.

III. NDËRVEPRIMI ME BAZAT E TJERA TË TË DHËNAVE DHE NIVELI I AKSESIMIT PËR SUBJEKTET E INTERESUARA

10. Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit ndërvepron me baza të tjera të dhënash, të cilat janë:

a) të dhëna nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
b) sistemi elektronik i regjistrimit të çështjeve gjyqësore në Shqipëri;
c) regjistri i çështjeve penale në Shqipëri;
ç) të dhëna nga baza e të dhënave të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë të autoriteteve juridiksionale të huaja, në bazë të marrëveshjeve të bashkëpunimit të ndërsjellë.

11. Dhënës i informacionit për bazën e të dhënave në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit është:

a) ҫdo mision diplomatik në shtetin e huaj;
b) çdo autoritet tjetër publik që merr dijeni për dënimin me vendim të formës së prerë nga një gjykatë e huaj për një shtetas shqiptar, shtetas i huaj apo pa shtetësi, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar.

12. Subjekte të interesuara janë:

a) organi i prokurorisë;
b) Policia e Shtetit;
c) organet e tjera të hetimit;
ç) çdo subjekt tjetër i përcaktuar shprehimisht me ligj apo me vendim të Këshillit të Ministrave;
d) çdo person i interesuar, të cilit i njihet ligjërisht kjo e drejtë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

13. Niveli i aksesit në sistemin dhe bazën e të dhënave të regjistrit elektronik të gjendjes gjyqësore, të shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj dhe pa shtetësi, të dënuar jashtë vendit, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar është, si më poshtë vijon:

a) Veprimet në regjistër kryhen nga struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka të drejta regjistrimi, përpunimi, raportimi, leximi, shkrimi dhe përditësimi për të dhënat e regjistruara në regjistër;
b) Subjektet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 12, të këtij vendimi, kanë të drejtë të kenë akses të drejtpërdrejtë dhe të pakufizuar në leximin e të dhënave, kur është e nevojshme për të hetuar një vepër penale;
c) Subjektet e interesuara, të përcaktuara në shkronjat “ҫ” dhe “d”, të pikës 11, të këtij vendimi, kanë të drejtë leximi të të dhënave të regjistrit elektronik.

14. Subjektet që kanë akses në regjistër ruajnë konfidencialitetin e të dhënave, që aksesojnë nëpërmjet regjistrit.

15. Në rastin kur vendimet e dhëna nga autoritetet e huaja ndaj shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj ose pa shtetësi janë njohur nga autoritetet shqiptare, vendimet e dhëna nga autoritetet e huaja nuk regjistrohen në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT

16. Rregullorja për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të regjistrit elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit miratohet nga ministri i Drejtësisë, në përputhje me standardet, rregullat dhe procedurat e përcaktuara, sipas nenit 10, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”.

17. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Previous 66 mjekë të rinj i shtohen sistemit shëndetësor, Manastirliu: Pas mjekëve specialistë, do të ketë sërish rritje page të targetuar për mjekët dhe infermierët