Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Prill 2022 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Prill 2022

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Prill 2022:

 

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKINË DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 1 633 906 424 (një miliard e gjashtëqind e tridhjetë e tre milionë e nëntëqind e gjashtë mijë e katërqind e njëzet e katër) lekë pa TVSH, nga Bashkia Durrës, për financimin e riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat) dhe njësive individuale të banimit, të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni.

2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, në masën 326 781 285 (treqind e njëzet e gjashtë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e një mijë e dyqind e tetëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH, i cili do të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë.

3. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

KRITERET E VENDOSJES DHE TË FUNKSIONIMIT TË STACIONEVE SEZONALE TË ANKORIMIT/BREGËZIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 21, të ligjit nr.43/2020, “Për aktivitetet e turizmit detar”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e kritereve të vendosjes të stacioneve sezonale të ankorimit/bregëzimit të mjeteve lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi si dhe mënyrës së funksionimit për vendosjen e tyre, në vijën bregdetare të Republikës së Shqipërisë, sipas parashikimeve të këtij vendimi.

2. Ky vendim zbatohet:

a) nga çdo person fizik dhe juridik, vendas dhe i huaj, të cilët aplikojnë për vendosjen e stacioneve sezonale të ankorimit/bregëzimit të mjeteve lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, nëpërmjet lidhjes së kontratës së qirasë për funksionimin e këtyre stacioneve;
b) nga çdo institucion publik i ngarkuar, i cili përfshihet në procesin e planifikimit, dhënies me qira ose përdorim dhe monitorimit të stacioneve sezonale të ankorimit/bregëzimit.

3. Stacionet sezonale të ankorimit/bregëzimit të mjeteve lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi vendosen vetëm në zonat e miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT-ja), sipas përcaktimit të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.43/2020, “Për aktivitetet e turizmit detar”, dhe numri maksimal i stacioneve sezonale të ankorimit/ bregëzimit përcaktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin, bazuar në propozimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

4. Asnjë hapësirë detare dhe sipërfaqe toke në funksion të vendosjes të stacionit sezonal të ankorimit/bregëzimit nuk mund të jepet me qira apo të vihet në dispozicion, kur bie ndesh me kontrata të lidhura apo në proces shqyrtimi, bazuar në ligjin nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, apo të vënies në dispozicion të pronës investitorëve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit.

5. Stacioni sezonal i ankorimit/bregëzimit të mjeteve lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi plotëson kriteret e mëposhtme:

a) Të përballojë në kushte sigurie, përveç peshës së tij dhe ngarkesa të tjera të përhershme, veprimet e transmetuara nga lëvizja e valëve, nga rrymat detare, nga tërheqjet gjatë ankorimit, nga erërat, nga çdo lëkundje eventuale sizmike, nga mbingarkesa vertikale të ndryshueshme dhe veprime horizontale, kushtet lokale të motit, ndryshimet në nivelin e detit, karakteristikat e mjeteve lundruese dhe mënyra e ankorimit;
b) Të sigurojë dhe të marrë të gjitha masat për mbrojtjen maksimale të mjedisit detar;
c) Të ketë lartësinë minimale mbi nivelin e detit 0.5 m;
ç) Të ketë shërbimet higjienike të vendosura në raport 1 njësi higjienike (përbëhet nga të paktën tualete të dedikuara për femra dhe meshkuj, lavamanë dhe dush) për 25 mjete lundruese, si dhe të respektojë kriteret e parashikuara në legjislacionin në fuqi për personat me aftësi të kufizuara;
d) Të sigurojë një sistem për grumbullimin e ujërave të zeza që do të gjenerohen gjatë sezonit turistik dhe të bëhet trajtimi i tyre me impiante depurimi sipas legjislacionit në fuqi;
dh) Të realizojë furnizimin me energji elektrike nëpërmjet një sistemi me materiale rezistente ndaj korrozionit dhe në përputhje me rregulloret aktuale të sigurisë teknike;
e) Të realizojë ndriçimin e zonës së ankorimit të mjeteve lundruese me minimumi 5-7 lux, ndërkohë ndriçimi i zonës së parkimit të mjeteve dhe karelave të realizohet minimumi me 7-10 lux;
ë) Të sigurojë furnizimin me ujë në kushtet e mungesës së rrjetit të ujit të pijshëm, nëpërmjet vendosjes së depozitave për ujë të pijshëm dhe ujë industrial në raport me kapacitetin e stacionit (200 m3 ujë industrial për 200 mjete lundruese dhe 40 m3 ujë të pijshëm për 200 mjete lundruese);
f) Të vendosë mjetet e sigurisë në det (komerdare dhe litari i nevojshëm) në çdo 25 metra;
g) Të instalojë sinjalistikën detare (fenerë, bova sinjalizuese, litarë lundrues kufizues, fare etj) në përputhje me dispozitat e Kodit Detar dhe aktet ligjore në zbatim të tij dhe me standardet specifike kombëtare dhe ndërkombëtare;
gj) Të realizojë trajtimin e mbetjeve, nëpërmjet vendosjes së kontejnerëve, me një kapacitet 1.5 m3 për çdo 50 mjete lundruese. Tërheqja e mbetjeve të ngurta dhe vajore nga mjetet lundruese dhe nga kontejnerët të bëhet nga shoqëri të licencuara në zbatim të legjislacionit në fuqi;
h) Të sigurojë ndihmën e parë nëpërmjet njoftimit të mjekut të dedikuar (kontraktuar) dhe përdorimit të kasetës së emergjencës, pajisur me mjetet dhe produktet më të rëndësishme të ndihmës së parë.

6. Mënyra e funksionimit për vendosjen e stacioneve sezonale të ankorimit/bregëzimit të mjeteve lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi bëhet nëpërmjet dhënies me qira çdo personi fizik ose juridik, vendas dhe i huaj, që shfaq interes për zhvillimin e projektit për vendosjen e këtyre stacioneve nga ministria përgjegjëse për turizmin, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

7. Dhënia me qira realizohet nëpërmjet kontratës së qirasë të lidhur ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe subjektit fitues me afat deri në 10 (dhjetë) vjet sipas kontratës tip, të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin. Subjektit fitues i ndalohet ta japë atë apo pjesë të saj te të tretë me nënkontratë.

8. Tarifa minimale e dhënies me qira të sipërfaqes së truallit në funksion të stacionit sezonal të ankorimit/bregëzimit të mjeteve lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi është, në përputhje me legjislacionin në fuqi për dhënien me qira të pasurisë së paluajtshme shtetërore.

9. Të ardhurat, që krijohen nga kontratat e qirasë apo përdorimit, të rregulluara sipas këtij vendimi, derdhen në masën 100% në buxhetin e shtetit.

10. Në rastet kur kërkohet miratimi i një lejeje ndërtimi, subjekti fitues aplikon në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi mbi planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

11. Dokumentacioni administrativo-ligjor për vendosjen dhe funksionimin e stacioneve sezonale të ankorimit/bregëzimit, në zbatim të këtij vendimi, përmban:

a) Kërkesën për zhvillimin e veprimtarisë në hapësirën detare dhe pronën e paluajtshme shtetërore, në funksion të zhvillimit dhe funksionimit të stacionit sezonal të ankorimit/bregëzimit;
b) Ekstraktin historik, i cili gjenerohet on-line nga faqja e Qendrës Kombëtare të Biznesit nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe administrohet në dosjen e procedurës;
c) Vërtetimin që nuk është në proces falimentimi dhe kapitalet e tij të mos jenë në proces ekzekutimi nga përmbaruesit;
ç) Vërtetimin se nuk është subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe nuk ka një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata, ose të mos ketë një marrëveshje me kreditorët apo ndonjë procedurë tjetër të ngjashme;
d) Dokumentin që vërteton që nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale, si person fizik ose juridik, ortak apo aksionar i shoqërisë;
dh) Vërtetimin përkatës nga administrata tatimore se subjekti ka përmbushur detyrimet për pagimin e tatimeve, detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.

12. Dokumentacioni teknik përmban:

a) projektidenë, në përputhje me kriteret e përcaktuara në pikën 5, të këtij vendimi;
b) projektin inxhinierik në përputhje me kriteret e përcaktuara në pikën 5, të këtij vendimi;
c) vlerën e investimit;
ç) planin e zbatimit, grafikun, fazat dhe afatet e realizimit të investimit.

13. Dokumentacioni financiar përmban planbiznesin, në përputhje me kriteret e përcaktuara në pikën 5, të këtij vendimi, i cili të përmbajë, të paktën, dokumentacionin e mëposhtëm:

a) shpenzimet kapitale për kryerjen e investimit;
b) shpenzimet për kostot operacionale dhe të ardhurat.

14. Dokumentacioni në lidhje me ndikimin mjedisor përmban impaktin mjedisor të zhvillimit të investimit dhe përmirësimet e propozuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit.

15. Dokumentacioni i përcaktuar në pikat 11, 12, 13 dhe 14, të këtij vendimi, depozitohet pranë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

16. Në kontratën, që do të nënshkruhet, përveç termave të përgjithshëm të kontratës duhet të mbahen parasysh:

a) natyra dhe objekti i veprimtarisë së Agjencisë Kombëtare të Bregdetit;
b) kohëzgjatja e kontratës;
c) vlera e projektit;
ç) pronësia e aseteve të projektit dhe detyrimet e palëve, sipas rastit, për dhënien me qira të hapësirës për zhvillimin e projektit dhe çdo lehtësi tjetër e mundshme;
d) tarifa e përdorimit ose qirasë;
dh) procedurat për rishikimin dhe miratimin e projekteve inxhinierike, të planeve të ndërtimit dhe specifikimeve nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, si dhe procedurat për testimin dhe kontrollin përfundimtar, miratimin e pranimin e mjetit të infrastrukturës, rregullat e standardet, në bazë të të cilave janë projektuar projektet, që duhet të jenë në përputhje me praktikat më të mira;
e) e drejta e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për të monitoruar zbatimin e detyrimeve të kontratës, kushtet dhe masa, në të cilën Agjencia Kombëtare e Bregdetit mund të urdhërojë ndryshime për punët dhe kushtet e shërbimit. E drejta e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për të marrë masa të tjera të arsyeshme për të siguruar që mjeti infrastrukturor të operohet si duhet dhe shërbimet të jepen në përputhje me kërkesat e zbatueshme ligjore dhe kontraktuale;
ë) detyrimet e zhvilluesit për t’i dhënë autoritetit kontraktues apo një autoriteti tjetër publik, sipas rastit, raporte dhe informacion tjetër për veprimtarinë;
f) çdo kufizim për transferimin e të drejtave dhe të detyrimeve të zhvilluesit, sipas kontratës;
g) çdo kufizim ose kusht për transferimin e një interesi kontrollues të zhvilluesit;
gj) përkufizimi dhe pasoja e forcës madhore, ndryshimi në ligj dhe ndryshime të tjera në rrethana (duke përfshirë çdo të drejtë të palëve për të kërkuar kompensimin ose rishikimin e kontratës);
h) garancitë për t’u përmbushur dhe politikat e sigurimeve që duhet të ndiqen nga zhvilluesi për zbatimin e kontratës;
i) procedurat e rregullimit të shkeljes së kontratës, të bërë nga njëra prej palëve;
j) detyrimi i qiramarrësit për të kthyer në gjendjen fillestare e të pacenuar hapësirën tokësore dhe detare, objekt të kontratës;
k) kushtet dhe procedurat për ndryshimin dhe/ose përfundimin e kontratës;
l) ligji i zbatueshëm dhe mekanizmat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të lindin ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe zhvilluesit;
ll) të drejtat dhe detyrimet e palëve për informacionin konfidencial.

17. Vlerësimi i kërkesës për zhvillimin e veprimtarisë në hapësirën detare dhe pronën e paluajtshme shtetërore, në funksion të zhvillimit dhe funksionimit të stacionit sezonal të ankorimit/bregëzimit bëhet nga një komision, i ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin. Komisioni ka në përbërje jo më pak se 5 persona, specialistë të fushës, nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Drejtoria e Përgjithshme Detare, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe drejtohet nga përfaqësuesi, anëtar i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

18. Në Komision nuk mund të marrin pjesë personat që kanë konflikt interesi me aplikuesit, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për konfliktin e interesit. Anëtarët e Komisionit kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e përmbajtjes së aplikimeve. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të këtij komisioni përcaktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin.

19. Drejtoria e Përgjithshme Detare monitoron zbatimin e kritereve teknike kundër ndotjeve në zbatim të konventës MARPOL dhe, në rast se konstaton shkelje, merr masë administrative në zbatim të Kodit Detar dhe akteve ligjore në zbatim të tij përkundrejt subjektit dhe i propozon njësisë përgjegjëse (AKB) plotësimin e kushteve.

20. Agjencia Kombëtare e Bregdetit pas lidhjes së çdo kontrate me subjektin investues, njofton zyrtarisht:

a) Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë e Përgjithshme Detare, Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare dhe Shërbimin Hidrografik për:

i. vendndodhjen e stacionit sezonal të ankorimit;
ii. subjektin investues;
iii. afatin e realizimit të projektit;
iv. të dhëna teknike të projektit.

b) Njësinë e vetëqeverisjes vendore në territorin ku zhvillohet aktiviteti turistik, prefektin e qarkut dhe strukturat qendrore, në nivel vendor, si të shëndetësisë, mjedisit, furnizimit me energji elektrike.

21. Shërbimi Hidrografik përditëson në hartat detare stacionet e reja të ankorimit.

22. Drejtoria e Përgjithshme Detare informon subjektet lundruese për stacionet e reja sezonale të ankorimit/bregëzimit.

23. Policia Kufitare monitoron aktivitetin e stacioneve sezonale të ankorimit/bregëzimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

24. Përgjatë periudhës së funksionimit të stacioneve të ankorimit/bregëzimit, në territorin funksional lejohen të ofrohen vetëm:

a) Shërbimi i ankorimit/bregëzimit apo parkimit të mjeteve lundruese;
b) Shërbimi i ruajtjes së mjeteve;
c) Shërbimi i furnizimit të pijeve dhe ushqimit.

25. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, ministria përgjegjëse për transportin, ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0B5581, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN E FORCIMIT TË CILËSISË SË AUDITIMIT DHE RAPORTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e letërmarrëveshjes së grantit nr.TF0B5581, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e forcimit të cilësisë së auditimit dhe raportimit sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT (ASISTENCA TEKNIKE) PËR KONEKTIVITETIN E RRUGËVE RAJONALE DHE LOKALE PËR SHQIPËRINË – MBËSHTETJE PËR ZBATIMIN E PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT (ENTI I PROJEKTIT) DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, MBËSHTETUR NGA FONDI I POSAÇËM I AKSIONARËVE TË BERZH-IT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit (asistenca teknike) për konektivitetin e rrugëve rajonale dhe lokale për Shqipërinë – mbështetje për zbatimin e projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (marrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (enti i projektit) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mbështetur nga fondi i posaçëm i aksionarëve të BERZH-it, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDЁRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN PËR REAGIMIN NDAJ EMERGJENCËS COVID-19 NË SHQIPËRI, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.144/2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në Shqipëri, ratifikuar me ligjin nr.144/2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT DHE PROJEKTIT TË BE-SË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (MARRËSI), TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW) DHE KORPORATËS ELEKTROENERGJETIKE SHQIPTARE (KESH) (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT), REHABILITIMI I HIDROCENTRALIT TË FIERZËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit dhe projektit të BE-së, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (marrësi), të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW) dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (agjencia e zbatimit të projektit), rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË ZBATIMIT NR.IV, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE DEUTSCHE GESELLSCHAFT FÜR INTERNATIONALE ZUSAMMENARBEIT (GIZ) GMBH, SI PËRFAQËSUESE E QEVERISË GJERMANE DHE AGJENCI ZBATUESE, PËR PROGRAMIN “ZHVILLIMI I QËNDRUESHËM EKONOMIK DHE RAJONAL, NXITJA E PUNËSIMIT DHE ARSIMI DHE FORMIMI PROFESIONAL” (PROSEED)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së zbatimit nr.IV, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, si përfaqësuese e qeverisë gjermane dhe agjenci zbatuese, për programin “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal, nxitja e punësimit dhe arsimi dhe formimi profesional” (proSEED), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MASAT MENAXHUESE TË RUAJTJES SË BURIMEVE PESHKORE DHE PËRFSHIRJEN E INSTITUCIONEVE NË MARRJEN DHE ZBATIMIN E TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Marrja e masave menaxhuese të ruajtjes së burimeve peshkore ka për qëllim:

a) ruajtjen e burimeve biologjike detare dhe menaxhimin e peshkimit e të flotës, që shfrytëzon këto burime;
b) të sigurojë që peshkimi të jetë ekologjikisht i qëndrueshëm në planin afatgjatë dhe të menaxhohet në mënyrë që të jetë në përputhje me objektivat e arritjes së përfitimeve ekonomike, sociale dhe të punësimit e të kontribuojë në disponueshmërinë e furnizimit me ushqim;
c) të zbatojë qasjen e kujdesshme në menaxhimin e peshkimit dhe të sigurojë që shfrytëzimi i burimeve biologjike të gjalla detare të rikthejë dhe të mbajë popullatat e specieve të peshkuara mbi nivelet e afta për të prodhuar rendimentin maksimal të qëndrueshëm;
ç) të zbatojë qasjen e bazuar në ekosistem për menaxhimin e peshkimit për të siguruar që aktivitetet e peshkimit të kenë një ndikim negativ minimal në ekosistemet detare dhe të sigurojë që peshkimi të shmangë degradimin e mjedisit detar;
d) që, gradualisht, të eliminojë hedhurinat, rast pas rasti, duke marrë parasysh mendimet më të mira shkencore të disponueshme, duke shmangur e zvogëluar, për aq sa është e mundur, zëniet aksidentale dhe duke siguruar gradualisht që zëniet të zbarkohen;
dh) nëse është e nevojshme, të shfrytëzojë sa më mirë zëniet aksidentale, pa krijuar një treg për këto zënie, që janë nën madhësinë minimale të ruajtjes së referencës;
e) të krijojë kushtet e nevojshme për të bërë sektorin e zënies e të përpunimit dhe aktivitetet në tokë të lidhura me aktivitetet e peshkimit ekonomikisht të qëndrueshëm dhe konkurrues;
ë) të parashikojë masa për të përshtatur kapacitetin e peshkimit të flotës në nivelet e mundësive të peshkimit, në përputhje me shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, në mënyrë që flota të jetë ekonomikisht e qëndrueshme, pa mbishfrytëzuar burimet biologjike detare;
f) të kontribuojë në sigurimin e një standardi të drejtë jetese për ata që varen nga aktivitetet e peshkimit, duke marrë parasysh peshkimin bregdetar dhe aspektet socio-ekonomike;
g) të kontribuojë në një treg të brendshëm efikas e transparent për produktet e peshkimit dhe të sigurojë kushte të barabarta për tregtimin e tyre brenda vendit;
gj) të marrë parasysh interesat e konsumatorëve dhe të prodhuesve;
h) të promovojë aktivitetet e peshkimit bregdetar, duke marrë parasysh aspektet socio- ekonomike;
i) të harmonizojë veprimet e masat për menaxhimin e burimeve peshkore me vendimmarrjet për ruajtjen e specieve, habitateve dhe zonave të mbrojtura detare;
j) të promovojë mbështetjen e iniciativave për rritjen e vlerës së shtuar të produkteve të peshkimit në shkallë të vogël; optimizimi i kanaleve të shpërndarjes, nxitja e zënieve më pak të tregtueshme, eko-etiketimi për produktet e qëndrueshme të peshkimit në shkallë të vogël, informimi dhe ndërgjegjësimi në radhët e konsumatorëve.

2. Masat për ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve biologjike detare përfshijnë:

a) objektivat specifikë për ruajtjen e shfrytëzimin e qëndrueshëm të rezervave dhe masat përkatëse, që synojnë minimizimin e ndikimit të peshkimit në mjedisin detar;
b) përshtatjen e kapacitetit të peshkimit të anijeve me mundësitë e disponueshme të peshkimit;
c) stimujt, duke përfshirë ato ekonomikë si mundësitë, e peshkimit, për të promovuar metodat e peshkimit, që kontribuojnë në peshkim më selektiv, për të shmangur e zvogëluar, aq sa është e mundur, zëniet aksidentale dhe peshkimin me pak ndikim në ekosistemin detar dhe në burimet e peshkimit;
ç) fiksimin dhe alokimin e mundësive të peshkimit;
d) madhësitë minimale të referencës për ruajtjen;
dh) projektet pilot për llojet alternative të teknikave të menaxhimit të peshkimit dhe në pajisjet e peshkimit, që rrisin selektivitetin ose minimizojnë ndikimin negativ të aktiviteteve të peshkimit në mjedisin detar;
e) pajtueshmërinë me detyrimet, sipas legjislacionit të brendshëm mjedisor, duke përfshirë planet e menaxhimit dhe planet e veprimit për ruajtjen e specieve.

3. Masat teknike përfshijnë:

a) karakteristikat e mjeteve të peshkimit dhe rregullat që rregullojnë përdorimin e tyre;
b) specifikimet lidhur me ndërtimin e mjeteve të peshkimit, duke përfshirë:

i. modifikimet ose pajisjet shtesë, që synojnë përmirësimin e selektivitetit ose minimizimin e ndikimit negativ në ekosistem;
ii. modifikimet ose pajisjet shtesë për të zvogëluar zëniet aksidentale të specieve të rrezikuara, të kërcënuara e të mbrojtura dhe për të zvogëluar zëniet e tjera aksidentale.

c) kufizimet ose ndalimet në përdorimin e mjeteve të caktuara të peshkimit, dhe në aktivitetet e peshkimit, në zona ose periudha të veçanta;
ç) ndërprerjen e aktiviteteve të peshkimit nga anijet e peshkimit në një zonë të caktuar për një periudhë minimale të përcaktuar, në mënyrë që të mbrohen grumbullimet e përkohshme të specieve të rrezikuara, rezervat e peshkut në riprodhim, peshqit nën madhësinë e referencës minimale të ruajtjes dhe burimet e tjera detare të cenueshme;
d) zvogëlimin e ndikimit negativ të aktiviteteve të peshkimit në biodiversitetin detar dhe ekosistemet detare, përfshirë masat që synojnë shmangien dhe zvogëlimin, aq sa është e mundur, të zënieve aksidentale;
dh) detyrimin e zbarkimit të specieve, për të cilat janë përcaktuar dimensionet minimale, sipas shtojcës III, të vendimit nr.402, datë 8.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masave menaxhuese për shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve peshkore në det”, të ndryshuar, të kryera gjatë aktiviteteve të peshkimit në ujërat territoriale shqiptare ose nga anijet e peshkimit me flamur shqiptar jashtë ujërave territoriale shqiptare.

4. Zbatimi i masave të parashikuara në pikat 2 dhe 3, të këtij vendimi, sigurohet nga:

a) institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës;
b) Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në rastin e peshkimit në zonat e mbrojtura detare e bregdetare.

5. Objektivat që duhet të arrihen nga zbatimi i një plani shumëvjeçar menaxhimi të peshkimit përcaktohen në pikën 1 të këtij vendimi.

6. Plani shumëvjeçar i menaxhimit të peshkimit hartohet duke iu referuar masave të parashikuara në pikat 2 dhe 3 të këtij vendimi.

7. Planet shumëvjeçare të menaxhimit të peshkimit hartohen nga ministri përgjegjës për peshkimin në bashkëpunim me institucionin përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës.

8. Me përjashtim të pikës 7, të këtij vendimi, hartimi dhe miratimi i planeve të menaxhimit të peshkimit në zonat e mbrojtura detare e bregdetare bëhet nga ministria përgjegjëse për peshkimin në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për zonat e mbrojtura, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

9. Në rastin kur ministria përgjegjëse për peshkimin e vlerëson të nevojshme, në hartimin e planeve shumëvjeçare të menaxhimit të peshkimit përfshihen edhe institucionet teknike e shkencore.

10. Planet shumëvjeçare miratohen si çështje prioritare në bazë të mendimeve shkencore, teknike dhe ekonomike, që përmbajnë masa për ruajtjen dhe që synojnë rivendosjen e ruajtjen e rezervave të peshkut mbi nivelet e afta për të prodhuar rendimentin maksimal të qëndrueshëm, sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij vendimi.

11. Në rast se nuk është e mundur të përcaktohen objektivat specifikë në lidhje me rendimentin maksimal të qëndrueshëm, sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, për shkak të të dhënave të pamjaftueshme, planet shumëvjeçare parashikojnë masa të bazuara në qasjen e kujdesshme në menaxhimin e peshkimit, të cilat sigurojnë të paktën një nivel të krahasueshëm të mbrojtjes së rezervës peshkore në fjalë.

12.Planet shumëvjeçare kanë të bëjnë me:

a) një specie të vetme; ose
b) në rastin e peshkimit të shumë specieve, kur dinamika e rezervave kryqëzohet, me aktivitetin e peshkimit, që shfrytëzon rezervat e ndryshme në një zonë gjeografike në fjalë, duke marrë parasysh njohuritë mbi ndërveprimet midis rezervave të peshkut, peshkimit dhe ekosistemeve detare.

13. Planet shumëvjeçare përmbajnë objektiva specifikë të ruajtjes dhe masa konservimi të bazuara në qasjen pro ekosistemit, në mënyrë që të adresojnë problemet specifike të peshkimit të shumë specieve në lidhje me arritjen e objektivave të përcaktuar sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, për disa stoqe të përfshira në plan dhe nëse këshillimi shkencor tregon se është e pamundur të rritet selektiviteti.

14. Aty ku është e nevojshme, plani shumëvjeçar përfshin masa alternative specifike të mbrojtjes për disa nga rezervat e përfshira në plan, bazuar në qasjen pro ekosistemit.

15. Një plan shumëvjeçar i peshkimit parashikon gjithashtu mundësinë e rishikimit të tij pas vlerësimit paraprak të ndryshimeve të mendimeve shkencore.

16. Ngarkohen ministria përgjegjëse për peshkimin, ministria përgjegjëse për mjedisin, institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës dhe institucioni përgjegjës për zonat e mbrojtura për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR NJË PROJEKTLIGJ JOQEVERITAR

Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural””, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.928, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRATVE, “PËR KRITERET, PROCEDURAT DHE DOKUMENTACIONIN PËR PENSIONIN SOCIAL”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5/1, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shkronja “a”, e pikës 2, të vendimit nr.928, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) Shtetasi, që plotëson kriteret për trajtimin financiar me pension social, plotëson kërkesën nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, ndërsa dokumentet origjinale dërgohen nëpërmjet shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku kanë vendbanimin.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.53, DATË 29.1.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT DHE MASËN E TRAJTIMIT TË VEÇANTË FINANCIAR TË PILOTËVE FLUTURUES NË PENSION”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 8, të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 1, e vendimit nr.53, datë 29.1.2004, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Personi i interesuar, për efekt të llogaritjes, caktimit dhe pagesës së shtesës mbi pension, si trajtim i veçantë financiar, në zbatim të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension”, paraqet kërkesë nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.78, DATË 28.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ZBATIMIN E LIGJIT NR.150/2014, DATË 6.11.2014, “PËR PENSIONET E PUNONJËSVE QË KANË PUNUAR NË MINIERA, NË NËNTOKË””, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.150/2014, datë 6.11.2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Paragrafi i parë, i pikës 1, të kreut III, të vendimit nr.78, datë 28.1.2015, të Këshillit të Minstrave, të ndryshuar, si më poshtë vijon:

“Në zbatim të nenit 7, të ligjit nr.150/2014, datë 6.11.2014, pensioni i pleqërisë për punonjësit që kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë së bashku me dokumentacionin përkatës, përmes portalit qeveritar “e-Albania”, ndërsa dokumentet shoqëruese dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ku ka vendbanimin.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.505, DATË 10.6.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE SHPËRBLIMIN E KOMISIONEVE EPRORE TË CAKTIMIT TË AFTËSISË PËR PUNË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 39/2, pika 4, e 39/3, pika 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shkronja “a”, e pikës 6, të vendimit nr.505, datë 10.6.2015, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) Ankimi në komisionin epror bëhet nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, sipas formularit tip të dhënë në aneksin 3, bashkëlidhur këtij vendimi.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.548, DATË 27.7.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KRITEREVE, RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR PËRFITIMIN E PENSIONEVE SHTETËRORE SUPLEMENTARE TË PERSONAVE QË KRYEJNË FUNKSIONE KUSHTETUESE DHE TË PUNONJËSVE TË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1, 15 e 17, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 18, e vendimit nr.548, datë 27.7.2016, të Këshillit të Minstrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“18) Personat e interesuar për të përfituar pagesë kalimtare apo pensione shtetërore suplementare duhet të paraqesin, përmes portalit qeveritar “e-Albania”, kërkesën për përfitim, ndërsa dokumentet origjinale dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ku kanë vendbanimin.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.584, DATË 8.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.584, datë 8.10.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Pika 3 shfuqizohet.

2. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 31 dhjetor 2022.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.644, DATË 16.6.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS DHE TË MASËS SË TRAJTIMIT TË VEÇANTË FINANCIAR TË PILOTËVE E TË TEKNIKËVE FLUTURUES TË NJËSISË SË TRANSPORTIT MJEKËSOR ME HELIKOPTER, NË PENSION”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 8, të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 1, e vendimit nr.644, datë 16.6.2010, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Piloti/tekniku i interesuar, për efekt të llogaritjes, caktimit dhe pagesës së shtesës mbi pension, si trajtim i veçantë financiar, plotëson kërkesën për përfitim nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I ST R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.651, DATË 14.9.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ZBATIMIN E LIGJIT NR.10139, DATË 15.5.2009, “PËR PENSIONET SHTETËRORE SUPLEMENTARE TË PUNONJËSVE TË UNIVERSITETEVE, TË SHKOLLAVE TË LARTA, QENDRËS SË STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE, AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE TË GJITHA INSTITUCIONEVE TË TJERA KËRKIMORE PUBLIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, TË CILËT KANË TITUJ SHKENCORË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, 7, 12 e 15, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”, të ndryshuar”, dhe ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 7, e vendimit nr.651, datë 14.9.2016, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“7. Personat e interesuar për të përfituar pension suplementar sipas ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar, paraqesin, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, kërkesën për përfitim dhe dërgojnë, nëpërmjet shërbimit postar, pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku kanë vendbanimin, dokumentet shoqëruese, si më poshtë vijon:

a) Fotokopje të noterizuar të dëshmisë për dhënien e titullit ose vërtetim për dhënie titulli nga komisioni i kualifikimit shkencor apo nga komisioni i vlerësimit të titujve;
b) Vërtetim, lëshuar nga qendra e punës, për pagën referuese, si dhe kohën e gëzimit të titullit, në zbatim të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.793, DATË 24.9.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ZBATIMIN E LIGJIT NR.10142, DATË 15.5.2009, “PËR SIGURIMIN SHOQËROR SUPLEMENTAR TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË GARDËS SË REPUBLIKËS, TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, TË POLICISË SË BURGJEVE, TË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE TË SHPËTIMIT E TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 4, 5, pika 1, 11, 22, 23, pika 1, 26 e 29, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shkronja “A”, e kreut III , të vendimit nr.793, datë 24.9.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“A. Personi, të cilit i lind e drejta për përfitime pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, paraqet kërkesë përmes portalit qeveritar “e-Albania”.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.17, DATË 15.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT, KRITERET DHE RREGULLAT PËR ZBATIMIN E PROGRAMEVE TË NXITJES SË PUNËSIMIT NËPËRMJET PUNËSIMIT, FORMIMIT NË PUNË DHE PRAKTIKAVE PROFESIONALE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 11, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.17, datë 15.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në kreun II, “Kriteret e aplikimit”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

i. Në pikën 1, fjalët “… 3 (tre) …” ndryshohen me “… 1 (një) …”;
ii. Në shkronjën “f”, të pikës 4, fjalët “… 4 (katër) …” ndryshohen me “… 2 (dy) …”;
iii. Në pikën 5, pas fjalëve “ … aplikojnë në ….” shtohen “… një ose …”.

b) Në pikën 3, të kreut III, “Programet, përfituesit dhe mbështetja”, bëhen këto ndryshime:

i. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) Programi i praktikave profesionale ka si qëllim të garantojë tranzicion të shpejtë në tregun e punës, në të njëjtën fushë ose në një fushë të ngjashme me atë, në të cilën ka studiuar i diplomuari ose nxënësit e diplomuar në shkollat e mesme profesionale publike apo private, për një kohëzgjatje 6-mujore.”.

ii. Në shkronjën “b”, fjalët “… 24 (njëzet e katër) …” ndryshohen me “… 36 (tridhjetë e gjashtë) …”.

c) Fjalia hyrëse e pikës 2, të kreut IV, “Rregullat dhe procedurat e zbatimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Punëdhënësit paraqesin kërkesën për përfshirjen në program nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke ngarkuar dokumentacionin e mëposhtëm: ”.

ç) Kudo në përmbajtje të vendimit, fjalët “… aplikues/aplikim …” ndryshohen me “… kërkues/kërkesë …”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.191, DATË 15.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË AGJENCISË PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK RAJONAL TË GODINAVE DHE TRUALLIT FUNKSIONAL TË TYRE, NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 8210, ME NUMËR PASURIE 3/74, ME SIPËRFAQE 5044.85 M2, DHE ME NUMËR PASURIE 3/183, ME SIPËRFAQE 1580.89 M2”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 14, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.191, datë 15.3.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në titull dhe kudo në vendim, emërtimi “Agjencisë për Zhvillimin Ekonomik Rajonal” zëvendësohet me “Fondit Shqiptar të Zhvillimit”.

2. Në titull, pas fjalëve “… me sipërfaqe 1 580.89 m2 …” shtohen fjalët “… dhe me numër pasurie 3/389, me sipërfaqe 56 m2 …”.

3. Në fund të pikës 1 hiqen fjalët “… me qëllim zhvillimin e projektit “Qendra multifunksionale e shërbimeve për sipërmarrjet e reja “Betahaus Tirana” …”.

4. Pas pikës 1 shtohen pikat 1/2 dhe 1/3, me këtë përmbajtje:

“1/2. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit të ndërtesës me sipërfaqe të përgjithshme 498.6 (katërqind e nëntëdhjetë e tetë pikë gjashtë) m2, e cila pozicionohet në pasurinë nr.3/74, me sipërfaqe 363.1 (treqind e gjashtëdhjetë e tre pikë një) m2, në pasurinë 3/183, me sipërfaqe 79.5 (shtatëdhjetë e nëntë pikë pesë) m2, dhe në pasurinë nr.3/389, me sipërfaqe 56 (pesëdhjetë e gjashtë) m2, ndodhur në zonën kadastrale 8210, Tiranë, sipas planrilevimit, bashkëlidhur këtij vendimi.

1/3. Fondit Shqiptar të Zhvillimit i ndalohet ta tjetërsojë pronën ose ta japë në përdorim te të tretët që nuk janë struktura apo subjekte në varësi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.”.

II. Ngarkohen Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.453, DATË 3.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MASËN E SUBVENCIONIT TË INTERESAVE TË KREDISË DHE PROCEDURËN E DHËNIES SË TIJ PËR FAMILJET, QË PËRFITOJNË BANESË ME KOSTO TË ULËT, ME KREDI TË LEHTËSUARA NGA SHTETI”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 47, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.453, datë 3.7.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 3 bëhen ndryshimet, e mëposhtme:

a) Në fjalinë e parë, pas fjalës “… të shpronësuara …” shtohen fjalët “… dhe për familjet e punonjësve, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës …”;
b) Në fund të fjalisë së dytë shtohen fjalët “… program, i cili zbatohet për këto kategori familjesh nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave (EKB), si institucion publik i ngarkuar për zbatimin e këtij programi.”.

2. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:

“3/1. Kufiri maksimal i kreditimit, sipas strukturës së familjes, llogaritet sipas formulës në lidhjen 1, bashkëlidhur këtij vendimi, bazuar në:

a) çmimet mesatare të shitblerjes së banesave në treg, sipas aktit nënligjor në fuqi, që përcakton vlerat mesatare të shitblerjes së banesave në treg;
b) sipërfaqen e apartamentit, që përfiton familja, bazuar në normat e strehimit në fuqi.”.

2. Në fund të shkronjës “b”, të pikës 8, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“Disbursimi i fondeve për subvencionim në këtë rast bëhet nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave.”.

4. Pika 16 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“16. Individi/familja, që kërkon për subvencionimin e interesave të kredisë, ngarkon në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e banesave sociale, dokumentacionin, që lidhet me plotësimin e kushteve të përgjithshme. Lista e familjeve, që plotësojnë kushtet e subvencionimit të interesave të kredisë miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.”.

5. Pas pikës 16 shtohet pika 16/1, me këtë përmbajtje:

“16/1. Familjet qiramarrëse në ish-pronë private ngarkojnë në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e Entit Kombëtar të Banesave, dokumentacionin, sipas shkronjës “b”, të pikës 18, të këtij vendimi. Miratimi i listave të familjeve, që plotësojnë kushtet për të përfituar kredi me interes 0 (zero) % miratohen me vendim të komisionit të kredisë të ngritur pranë EKB-së.”.

6. Në pikën 17 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Pas fjalëve “… me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore … ” shtohen “… apo me vendim të komisionit të kredisë të ngritur pranë EKB-së …”;
b) Fjala “… përfitimin …” zëvendësohet me “… dhënien …”.

7. Pika 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“18. Për efekt të përfitimit të subvencionimit të interesave të kredisë, veprohet, si më poshtë vijon:

a) Individët/familjet, që do të miratohen me vendim të këshillit të njësisë vetëqeverisjes vendore, paraqesin kërkesën në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e banesave sociale, duke ngarkuar deklaratën për dhënien e pëlqimit për përdorimin e të dhënave personale, si dhe për të ngarkuar dokumentacionin e përcaktuar në pikën 16, të vendimit nr.384, datë 12.6.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e dokumentacionit për të përfituar strehim sipas çdo programi social të strehimit dhe të afateve e të procedurave të miratimit nga organet e vetëqeverisjes vendore”;
b) Individët/familjet me statusin e qiramarrësit në ish-pronë private, të cilët përfitojnë kredi me 0 (zero) % interes në vit, paraqesin kërkesën në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e Entit Kombëtar të Banesave, duke ngarkuar dokumentacionin, si më poshtë vijon:

i. Autorizim ose dokument të lëshuar nga ish-Komiteti Ekzekutiv i lagjes/Këshilli Popullor i lagjes;
ii. Certifikatë apo vërtetim pronësie në favor të pronarit ose vendim gjykate, në të cilin vërtetohet se prona i është kthyer pronarit të ligjshëm dhe qytetari është i pastrehë; vërtetim negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës përkatëse, që, në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes, sipas certifikatës të gjendjes familjare të datës 1.12.1992, nuk figuron banesë e regjistruar ose në proces regjistrimi;
iii. Vërtetim nga organet tatimore se asnjë anëtar i familjes, që përfiton kredi të lehtësuar, nuk është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, si biznes i madh;
iv. Certifikatë e gjendjes familjare të datës 1 dhjetor 1992 dhe ajo aktuale;
v. Adresa e banesës dhe emri i pronarit të banesës.

c) Familjet e punonjësve, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, të cilët përfitojnë kredi me 0 (zero) % interes në vit, plotësojnë dokumentacionin, si më poshtë vijon:

i. Certifikatë e gjendjes familjare aktuale;
ii. Vërtetim negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës e vendit ku banojnë, që, në emër të kryefamiljarit dhe të anëtarëve të tjerë të familjes, nuk figuron pronë e regjistruar apo në proces regjistrimi;
iii. Lista e miratuar nga Ministria e Brendshme dhe e shoqëruar me dokumentacionin e plotësuar i përcillet Entit Kombëtar të Banesave, i cili shqyrton dokumentacionin për të vazhduar me procedurat e kreditimit.”.

8. Në pikën 19, pas fjalës “… vendore …” shtohen fjalët “… ose me vendim nga komisioni përkatës i ngritur pranë EKB-së, në varësi të programeve të kreditimit që zbatohen …”.

9. Në fund të fjalisë së parë, të pikës 23, shtohen fjalët “… si dhe sipas listës së dërguar nga EKB-ja.”.

10. Pika 24 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“24. Individët/familjet e miratuara me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, për të përfituar nga programi i kreditimit, duhet të kujdesen për gjetjen e blerjen e një banese në treg të lirë. Afati maksimal për kryerjen e procedurave të përfitimit të kredisë është 18 (tetëmbëdhjetë) muaj nga data e protokollimit të listës emërore pranë institucionit, që monitoron subvencionimin e interesave të kredisë. Individi/familja, që ende nuk ka gjetur banesën, njofton nëpërmjet postës elektronike, çdo 6 (gjashtë) muaj, institucionin financiar dhe, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, institucionin që monitoron subvencionim e kredisë për shfaqjen e interesit dhe pamundësisë së tij për gjetjen e banesës. Me mosdërgimin e këtij informacioni çdo 6 (gjashtë) muaj, veprohet sipas pikës 12, të këtij vendimi. Njësitë e vetëqeverisjes vendore njoftojnë menjëherë individët/familjet e miratuara për fillimin e afatit, brenda të cilit duhet të kryejnë procedurat për përfitim kredie.”.

11. Pika 25 shfuqizohet.

12. Fjalia hyrëse e pikës 26 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Në rast se familja nuk paraqet kërkesë për shtyrje, sipas afateve të përcaktuara në pikën 24, të këtij vendimi, veprohet, si më poshtë vijon:”.

13. Pas pikës 26 shtohet pika 26/1, me këtë përmbajtje:

“26/1. Individët/familjet e miratuara për të përfituar kredi me interes 0 (zero) %, duhet të kujdesen për gjetjen e blerjen e një banese në treg të lirë. Këto familje vazhdojnë të qëndrojnë në listë pritjeje deri në kryerjen e procedurave të kreditimit dhe të lidhjes së kontratës me institucionin financiar për përfitimin e kredisë.”.

14. Pika 28 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“28. “Lista e individëve/familjeve, e miratuar me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas lidhjes 2 bashkëlidhur këtij vendimi, i dërgohet institucionit financiar me të cilin është nënshkruar marrëveshja.”.

15. Pas pikës 28 shtohet pika 28/1, me këtë përmbajtje:

“28/1. Lista e familjeve qiramarrëse, që banojnë në banesa, pronë e subjekteve të shpronësuara, e miratuar me vendim të komisionit të vlerësimit në EKB, i dërgohet institucionit financiar me dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Kopje e certifikatës familjare të datës 1 dhjetor 1992;
b) Emri, atësia, mbiemri i kryefamiljarit, struktura e apartamentit dhe vlera e kredisë, që përfiton familja, sipas certifikatës familjare të datës 1 dhjetor 1992;
c) Në rastet kur kryefamiljari, emri i të cilit i është përcjellë institucionit financiar, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, ka ndërruar jetë, institucioni financiar vijon me procedurat e përfitimit të kredisë, duke pasur parasysh certifikatën familjare të datës 1 dhjetor 1992, të vënë në dispozicion nga EKB-ja.”.

16. Pas shkronjës “b”, të pikës 36, shtohen shkronjat “c” e “ç”, me këtë përmbajtje:

“c) mangësi apo të meta në dokumentacionin e dosjes së familjes përfituese;
ç) subvencionimi i interesave ndërpritet edhe në rastet kur të ardhurat e individit/familjes, që nga momenti i miratimit të tij nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe deri në miratimin e kredisë nga institucioni financiar janë rritur më shumë se 1.2 e të ardhurave fillestare. Në rast se institucioni financiar nga dokumentacioni konstaton se individi/familja ka raportuar të ardhura më të larta sesa niveli i përcaktuar në ligjin nr.22/2018, “Për strehimin social”, njofton, brenda 3 (tri) ditëve pune institucionin zbatues. Për zbatimin e këtij detyrimi nga institucioni financiar, institucioni që zbaton programin i dërgon këtij të fundit nivelin e të ardhurave maksimale për çdo strukturë familjare sipas qarqeve.”.

17. Në pikën 38, pas fjalëve “… ministria përgjegjëse për strehimin … ” shtohet emërtimi “Enti Kombëtar i Banesave”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.477, DATË 25.7.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT DHE MASËN E TRAJTIMIT TË VEÇANTË FINANCIAR TË PILOTËVE DHE TEKNIKËVE FLUTURUES ME HELIKOPTER, NË PENSION, NË DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË POLICISË SË SHTETIT DHE GARDËN E REPUBLIKËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1, 3 e 8 të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 1, e vendimit nr.477, datë 25.7.2012, të Këshillit të Ministrave ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Punonjësi i Policisë së Shtetit dhe i Gardës së Republikës, në funksionet pilot dhe teknik fluturues të helikopterëve, që trajtohen nga ligji nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar, me daljen në pension, plotëson kërkesën nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.721, DATË 11.11.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E DOKUMENTACIONIT, SHUMËS VJETORE TË TRANSFERTËS NGA BUXHETI I SHTETIT DHE PROCEDURAVE TË FINANCIMIT TË FONDIT TË SIGURIMEVE SHOQËRORE PËR TRAJTIMIN FINANCIAR SUPLEMENTAR TË PUNONJËSVE QË KANË PUNUAR NË MINIERA NË NËNTOKË, TË PUNONJËSVE TË INDUSTRISË SË NAFTËS E TË GAZIT DHE TË PUNONJËSVE QË KANË PUNUAR NË METALURGJI”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 13, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.721, datë 11.11.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Për të përfituar pension për shkak të profesionit, personat që plotësojnë kushtet sipas ligjit, plotësojnë kërkesën nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” dhe dërgojnë nëpërmjet shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ku kanë vendbanimin, dokumentet shoqëruese, si më poshtë vijon:

a) Librezën e punës të plotësuar në të gjitha rubrikat, sipas llojit të punës;
b) Vërtetimin për bazën e vlerësuar për periudhat e punësimit nga data 1.1.1994 deri në datën e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare nga puna ose vetëpunësimi;
c) Vërtetimin e posaçëm të konfirmimit të llojit të punës në profesionet e vështira, sipas përcaktimeve në këtë ligj dhe në vendimin nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, i lëshuar nga ndërmarrja ku personi ka qenë i punësuar, kur subjekti është aktiv ose nga dokumentacioni arkivor i sigurimeve shoqërore;
ç) Çdo dokumentacion tjetër që vërteton llojin dhe periudhën e punës për
efekt pensioni, i njohur për zbatimin e dispozitave të ligjit nr.7703,
datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”.

2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Për të përfituar shtesë mbi pensionin, sipas nenit 4, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, personat që plotësojnë kushtet e neneve 3 e 6, të këtij ligji, dhe janë përfitues të pensionit sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Mbi sigurimet shoqërore shtetërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të pensionit të parakohshëm, sipas nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar, si dhe sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, kur data e lindjes të së drejtës për pension është deri më 31.12.2014, plotësojnë kërkesën nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” dhe dërgojnë nëpërmjet shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku kanë vendbanimin, çdo dokumentacion tjetër që vërteton llojin dhe periudhën e punës, për efekt pensioni, i njohur për zbatimin e dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”.

II. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.535, DATË 8.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT, KRITERET DHE RREGULLAT PËR ZBATIMIN E PROGRAMIT TË PUNËVE PUBLIKE NË KOMUNITET”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 11, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.535, datë 8.7.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Fjalia hyrëse e pikës 3, të kreut V, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Punëdhënësit paraqesin kërkesën për përfshirjen në program nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, me dokumentacionin e mëposhtëm: …”.

b) Kudo në përmbajtjen e vendimit, fjala “aplikim” zëvendësohet me “kërkesë”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.837, DATË 28.10.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PER PROCEDURAT, KRITERET E RREGULLAT PËR OFRIMIN E SHËRBIMEVE TË PUNËSIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.837, datë 28.10.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Pika 1, e kreut III, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Çdo punёdhёnёs, që kërkon të përfitojë shërbime nga zyra përkatëse e punësimit, regjistrohet nëpërmjet portalit e-Albania, duke plotësuar formularin përkatës, ku përfshihet edhe deklarimi për kontrollin e të dhënave.”;

b) Kudo në përmbajtjen e vendimit, fjala “aplikim” zëvendësohet me fjalën “kërkesë”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e
Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1243, DATË 11.12.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E DOKUMENTEVE, QË DUHET TË PARAQESIN SHTETASIT E TË PROCEDURAVE, QË DUHET TË KRYEJNË ZYRAT E GJENDJES CIVILE NË BASHKI/NJËSI BASHKIAKE/KOMUNA DHE INSTITUCIONET SHTETËRORE, TË POSAÇME, PËR NDRYSHIMIN E VENDBANIMIT/ADRESËS SË SHTETASVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 18, pika 4, 20, pika 4, e 22, pika 2, të ligjit nr.10 129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.1243, datë 11.12.2009, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Në titullin e vendimit, fjalët “… njësi bashkiake/komuna …” zëvendësohen me “… njësi administrative …”.

2. Kreu I, “Parime të përgjithshme”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Shtetasit me banim në territorin e Republikës së Shqipërisë kryejnë regjistrimin ose ndryshimin e vendbanimit të tyre në rrugë elektronike (on-line), nëpërmjet paraqitjes së kërkesës në portalin qeveritar “e-Albania”, duke depozituar dokumentin e pronësisë së banesës, kontratën e qiramarrjes, huadhënies, përdorimit ose çdo dokument tjetër të ligjshëm që provon vendbanimin.
Dokumentet e ngarkuara në portalin qeveritar “e-Albania” nga shtetasi, që provojnë regjistrimin ose ndryshimin e vendbanimit të ri, ruhen në arkivin elektronik të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.

2. Anëtari madhor i familjes, i cili kërkon të regjistrojë ose të ndryshojë vendbanimin, më parë duhet të kryejë procedurën e veçimit, si familje më vete në rrugë elektronike (on-line), përmes paraqitjes së kërkesës nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, përveç rasteve të përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi.

3. Shtetasi, i cili kërkon të bashkohet në një familje, paraqet kërkesën në rrugë elektronike (on-line) nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, duke depozituar në portal konfirmimin e të gjithë anëtarëve madhorë të familjes pritëse, duke pasur në konsideratë standardet e banimit, të miratuara nga legjislacioni në fuqi.”.

3. Në kreun II, “Veprimet që kryhen nga institucionet shtetërore, dokumentacioni i nevojshëm dhe afatet e komunikimit”, pikat 5 dhe 8 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“5. Lista emërore e hartuar nga institucionet e parashikuara në pikën 4, të këtij vendimi, duhet të përmbajë emrin, mbiemrin dhe numrin personal. Kjo listë i dërgohet zyrës së gjendjes civile përkatëse nëpërmjet sistemit të qarkullimit të dokumenteve me nënshkrim elektronik.

8. Për regjistrimin e vendbanimit të ri të shtetasve, të përcaktuar në pikën 7, të këtij vendimi, institucionet shtetërore komunikojnë nëpërmjet sistemit të qarkullimit të dokumenteve me nënshkrim elektronik për shkëmbimin e dokumenteve të mëposhtme:

a) Listës emërore, ku shënohen emri, mbiemri dhe numri personal;
b) Dokumentit që vërteton vendbanimin për rastet e shtetasve që banojnë jashtë ndërtesave të institucionit.”.

4. Në kreun III, “Veprimet e zyrave të gjendjes civile”, pikat 10 dhe 11 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“10.Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, për regjistrimin e vendbanimit të shtetasve të huaj e të personave pa shtetësi, me banim të përkohshëm apo të përhershëm, në Republikën e Shqipërisë, pasi merr njoftimin dhe aktet përkatëse nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit apo zyra, që mbulon shtetësinë dhe refugjatët, i kërkon në rrugë elektronike zyrës së gjendjes civile, ku këta shtetas kanë të përcaktuar vendbanimin e tyre, të bëjë regjistrimin, sipas afateve të përcaktuara në lejen e qëndrimit, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së njoftimit.

11. Nëpunësi i zyrës së gjendjes civile, pas marrjes së dokumentacionit e të kërkesës nga shtetasit dhe nga institucionet që e kanë këtë detyrim ligjor, bën ndryshimin e adresës së shtetasit në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me urdhër të ministrit, që mbulon gjendjen civile.”.

II. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE, PROCEDURAVE DHE KRITEREVE PËR PAJISJEN ME CERTIFIKATËN E EKSPERTIT NË FUSHËN E PYJEVE DHE KULLOTAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 19, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e rregullave, procedurave dhe kritereve për pajisjen me certifikatë të ekspertëve në fushën e pyjeve dhe kullotave, në përputhje me veprimtaritë që kërkojnë shërbimin e ekspertizës profesionale në pyje dhe kullota.

2. Pajisja me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve është e detyrueshme për çdo individ, që kërkon të ushtrojë ekspertizë profesionale për veprimtari të tilla, si supervizimi, studimi, projektimi dhe zbatimi për investimet në pyje dhe kullota në Republikën e Shqipërisë me fonde publike e private.

3. Në kuptim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Aplikim elektronik”, kërkesa e dorëzuar nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, për pajisjen me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve dhe dorëzimi i dokumenteve që shoqërojnë kërkesën.
b) “Certifikatë”, dokumenti zyrtar i lëshuar nga ministri përgjegjës për pyjet në përputhje me kërkesat e këtij vendimi, pas plotësimit të kritereve të certifikimit.
c) “Certifikimi i ekspertit në fushën e pyjeve”, ka kuptimin sipas pikës 1, të kreut III, të vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar.
ç) “Ekspert i certifikuar”, ka kuptimin e dhënë sipas pikës 13, të nenit 3, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”.
d) “Specialist i mesëm”, individi që ka përfunduar studimet dhe është certifikuar dhe/apo diplomuar, referuar përkatësisht niveleve 4 e 5, të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, miratuar me ligjin nr.10247, datë 4.3.2010, “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”, të ndryshuar, në institucionet ofruese të arsimit dhe formimit profesional.
dh) “Veprimtari”, ka kuptimin e dhënë sipas ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për lejet, licencat dhe autorizimet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. Termat “cikël studimi”, titujt akademikë “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”, të përdorur në këtë vendim, kanë të njëjtin kuptim me përkufizimet e dhëna në ligjin nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

II. RREGULLAT PËR CERTIFIKIMIN E EKSPERTIT TË PYJEVE DHE KULLOTAVE

1. Certifikimi i ekspertit në fushën e pyjeve dhe kullotave kryhet nga struktura përgjegjëse për pyjet në ministri, nëpërmjet aplikimit elektronik në portalin qeveritar “e-Albania”.

2. Kërkuesi aplikon në portalin “e-Albania” për marrjen e certifikatës si ekspert për ushtrimin e veprimtarisë së shërbimeve të ekspertizës profesionale në fushën e pyjeve dhe kullotave.

3. Shërbimi i ekspertizës profesionale në pyje dhe kullota ushtrohet nga eksperti për veprimtaritë e mëposhtme:

a) Supervizimin e aktiviteteve të ndryshme në fushën e pyjeve dhe kullotave, mbikëqyrjen, kolaudimin dhe certifikimin e veprimtarive të prodhimit apo tregtimit të farave, kalemave e fidanëve pyjorë dhe të materialit mbjellës.
b) Hartimin e metodikave, udhëzuesve/manualeve, studimeve thellësisht teknike për përdorimin e territorit për zhvillimin e qëndrueshëm të fondit pyjor dhe kullosor dhe vlerësimin e peizazhit, biodiversitetit, zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare, florës spontane (bimët mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore), faunës së egër, të rrjetit të burimeve gjenetike, konservimit të germoplazmës dhe parandalimit të rrezikut të zjarreve.
c) Hartimin e projekteve të tilla, si projekte komplekse të menaxhimit të pellgjeve ujëmbledhëse, projekte për hartimin e planeve të mbarështrimit të pyjeve, kullotave, florës dhe faunës, për pyllëzimet, fidanishtet, trajtimin e pyjeve me prerje kulturore, të sistemimeve malore, përmirësimit të kullotave dhe veprave ujëpirëse në to, të mbritshmërisë, ndërtimin e rrugëve autopyjore dhe teleferikëve pyjorë.
ç) Zbatimin e projekteve në fushën e pyjeve, ku përfshihet zbatimi i projekteve të shfrytëzimit, të pyllëzimit dhe projektet që dalin në zbatim të objektivave të planit të mbarështimit të pyjeve.

4. Certifikimi i ekspertit kryhet nga ministria përgjegjëse për pyjet, pas verifikimit të plotësimit të kritereve të certifikimit dhe të dokumentacionit përkatës, të përcaktuara sipas këtij vendimi. Individët, që kanë dorëzuar kërkesë për certifikim, nuk i nënshtrohen testimit të njohurive për marrjen e certifikatës së ekspertit.

5. Tarifa e aplikimit për paijsjen me certifikatën e ekspertit në pyje është 2 000 (dy mijë) lekë. Kjo tarifë depozitohet në llogarinë e ministrisë përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, në degën e thesarit ose/dhe elektronikisht përmes platformës qeveritare të pagesave elektronike. Të ardhurat e përfituara prej tyre derdhen në buxhetin e shtetit.

6. Certifikata e ekspertit në fushën e pyjeve dhe kullotave miratohet nga ministri përgjegjës për pyjet, në përputhje me parashikimin e pikës 5, të nenit 19, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”.

7. Lista e ekspertëve të certifikuar sipas shërbimeve të ekspertizës profesionale që ata ofrojnë publikohet në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për pyjet e kullotat dhe përditësohet çdo fillim muaji nga struktura përgjegjëse për pyjet e kullotat në ministri.

III. KRITERET PËR PAJISJEN ME CERTIFIKATË

1. Për pajisjen me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve e kullotave për veprimtaritë e fushës së ekspertizës profesionale, të parashikuara në shkronjat, “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, kërkuesi duhet të mos ketë qenë i dënuar me burgim për vepra penale të kryera me dashje, si dhe duhet të plotësojë një nga kriteret e mëposhtme:

a) Të ketë fituar titujt akademikë, “Profesor i Asociuar” ose “Profesor” në fushën e pyjeve dhe kullotave; ose
b) Në rast se kërkuesi nuk plotëson kriterin sipas shkronjës “a”, të pikës 1, ai duhet:

i. të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve në fushën e pyjeve dhe kullotave, sipas nivelit 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, dhe të ketë të paktën 15 vjet eksperiencë në punë në fushën e pyjeve dhe kullotave; ose
ii. të ketë përfunduar ciklin e tretë të studimeve në fushën e pyjeve dhe kullotave, sipas nivelit 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, dhe të ketë të paktën 10 (dhjetë) vjet eksperiencë në punë në fushën e pyjeve dhe kullotave.

2. Për pajisjen me certifikatën e ekspertit vetëm për shërbimet e ekspertizës profesionale në pyje dhe kullota, të parashikuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, kërkuesi duhet të plotësojë në mënyrë kumulative kriteret e mëposhtme:

a) Të ketë përfunduar studimet në programin e ciklit të tretë të studimeve në fushën e pyjeve dhe kullotave, referuar nivelit 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, dhe të ketë të paktën 3 (tre) vite eksperiencë në punë në fushën e pyjeve dhe kullotave ose të ketë përfunduar studimet në programin e ciklit të dytë të studimeve në fushën e pyjeve dhe kullotave, referuar nivelit 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, dhe të ketë të paktën 7 (shtatë) vite eksperiencë në punë në fushën e pyjeve dhe kullotave;
b) Të mos ketë qenë i dënuar me burgim për vepra penale të kryera me dashje.

3. Për pajisjen me certifikatën e ekspertit vetëm për veprimtaritë në fushën e shërbimeve të ekspertizës profesionale në pyje dhe kullota, të parashikuara në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, kërkuesi duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

a) Të ketë përfunduar studimet në programin e ciklit të parë dhe të dytë të studimeve në fushën e pyjeve, referuar përkatësisht niveleve 6 dhe 7, të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve;
b) Të ketë të paktën 5 (pesë) vite eksperiencë në punë në fushën e pyjeve dhe kullotave;
c) Të mos ketë qenë i dënuar me burgim për vepra penale të kryera me dashje.

4. Për pajisjen me certifikatën e ekspertit vetëm për veprimtarinë e shërbimeve profesionale në pyje dhe kullota, të parashikuara në shkronjën “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, kërkuesi duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

a) Të jetë specialist i mesëm për pyjet, sipas përcaktimit të shkronjës “d”, të pikës 3, të kreut I, të këtij vendimi;
b) Të ketë të paktën 2 (dy) vite eksperiencë në punë në fushën e pyjeve dhe kullotave;
c) Të mos ketë qenë i dënuar me burgim për vepra penale të kryera me dashje.

IV. PROCEDURAT PËR PAJISJEN ME CERTIFATË TË EKSPERTIT TË PYJEVE DHE SHFUQIZIMIN E CERTIFIKATËS

1. Kërkuesi aplikon në portalin qeveritar “e-Albania”, duke plotësuar formularin e aplikimit, i cili përmban të dhënat e përcaktuara në lidhjen nr.1 bashkëlidhur këtij vendimi, me dokumentet e mëposhtme:

a) Dokumentin origjinal të skanuar, që provon eksperiencën e punës së kërkuar në fushën e pyjeve apo kullotave (librezë pune);
b) Dëshminë e penalitetit, të lëshuar jo më herët se tre muaj nga data e paraqitjes së dokumentit, që sigurohet nga punonjësi i institucionit shërbimofrues;
c) Faturën (mandat arkëtimi) që provon se ka paguar tarifën e parashikuar në pikën 5, të kreut II, të këtij vendimi;
ç) Dokumentin origjinal të skanuar të titullit të fituar “Profesor” apo “Profesor i Asociuar” në fushën e pyjeve dhe kullotave, ose diplomë që provon se ka përfunduar ciklin e dytë ose të tretë të studimeve në fushën e pyjeve dhe kullotave, referuar përkatësisht niveleve 7 ose 8, të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, për të gjithë individët që kërkojnë të pajisen me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve dhe kullotave për veprimtaritë e fushës së ekspertizës profesionale, të parashikuara në shkronjat, “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi;
d) Dokumentin origjinal të skanuar të diplomës, që provon se kërkuesi ka përfunduar studimet në programin e ciklit të dytë ose të tretë të studimeve, referuar përkatësisht nivelit 7 ose nivelit 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, për të gjithë kërkuesit që aplikojnë për t’u pajisur me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve dhe kullotave vetëm për shërbimet e ekspertizës profesionale në pyje dhe kullota, për veprimtaritë e fushës së ekspertizës profesionale, të parashikuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi;
dh) Dokumentin origjinal të skanuar të diplomës, që provon se kërkuesi ka përfunduar studimet në programin e ciklit të parë ose të ciklit të dytë të studimeve, referuar përkatësisht niveleve 6 dhe 7, të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, për të gjithë kërkuesit që aplikojnë për t’u pajisur me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve dhe kullotave për veprimtaritë e fushës së ekspertizës profesionale, të parashikuara në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi.
e) Dokumentin origjinal të skanuar të diplomës së Maturës Shtetërore Profesionale, e lëshuar në përfundim të programit të shkollës së mesme profesionale në profilin “pyje”, referuar përkatësisht nivelit IV të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK), dhe/ose certifikatë profesionale të niveleve 4 dhe 5, të KSHK-së, që provon se kërkuesi ka përfunduar me sukses kualifikimin profesional për pyjet dhe kullotat, për të gjithë kërkuesit që aplikojnë për t’u pajisur me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve dhe kullotave, vetëm për ekspertizën profesionale në pyje dhe kullota, për veprimtaritë e fushës së ekspertizës profesionale, të parashikuara në shkronjën “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi.

2. Struktura përgjegjëse për pyjet në ministri, brenda 15 ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës, shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin e depozituar nga kërkuesi, si dhe verifikon nëse dokumentacioni është depozituar i plotë sipas pikës 1, të këtij kreu.

3. Në rast se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit, struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat pranë ministrisë konstaton se dokumentacioni i depozituar sipas pikës 1, të këtij kreu, nuk është i plotë apo nuk është sipas formatit të kërkuar, njofton përmes portalit e-Albania kërkuesin, duke kërkuar plotësimin e dokumentacionit dhe të metave të konstatuara, brenda 7 (shtatë) ditëve nga dita e njoftimit.

4. Mosplotësimi i dokumentacionit të kërkuar brenda afatit të përcaktuar në pikën 3, të këtij kreu, përbën shkak për mospranimin e kërkesës. Kërkuesi njoftohet përmes portalit “e-Albania” për arsyet e refuzimit, si dhe për të drejtën e ankimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ankimet administrative.

5. Struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në ministri, nëse vlerëson se dokumentacioni është i plotë sipas pikës 1, të këtij kreu, dhe plotëson kriteret e përcaktuara në kreun III, brenda 5 (pesë) ditëve, i përcjell ministrit certifikatën së bashku me argumentet për pajisjen e kërkuesit me certifikatë eksperti, sipas veprimtarive në fushën e shërbimit të kërkuar të ekspertizës profesionale në pyje dhe kullota.

6. Ministri miraton kërkesën dhe nënshkruan elektronikisht certifikatën e ekspertit për të ushtruar veprimtarinë apo veprimtaritë që përshkruhen në certifikatë, sipas formatit të miratuar prej tij.

7. Struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në ministri, në rast se konstaton se dokumentet e paraqitura nga eksperti janë të pavërteta apo vihet në dijeni nga strukturat monitoruese/kontrolluese/inspektuese se eksperti ka shkelur kërkesat e legjislacionit në fuqi për pyjet i propozon ministrit, brenda 5 (pesë) ditëve nga konstatimi apo vënia në dijeni, shfuqizimin e certifikatës.

8. Ministri miraton propozimin dhe nënshkruan urdhrin përkatës për shfuqizimin e certifikatës së ekspertit.

9. Struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në ministri njofton nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” brenda 3 (tre) ditëve kërkuesin për urdhrin e ministrit me objekt shfuqizimin e certifikatës dhe arsyet shfuqizimit, si dhe përditëson regjistrin e ekpertëve të pyjeve, të publikuar në faqen zyrtare të ministrisë.

10. Kërkuesi ka të drejtën e ankimit administrativ për shfuqizimin e certifikatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ankimet administrative.

V. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Ekspertët e certifikuar në fushën e pyjeve dhe kullotave, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij, përmes portalit “e-Albania”, dorëzojnë certifikatën e ekspertit që disponojnë, së bashku me dokumentacionin që plotëson kriteret e përcaktuara në këtë vendim për t’u pajisur me certifikatën e ekspertit sipas formatit të miratuar nga ministri, në përputhje me pikën 5, të nenit 19, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”. Procedura për pajisjen me certifikatën e ekspertit është e njëjtë me atë të parashikuar në kreun IV, të këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE KRITEREVE TË DETAJUARA PËR KUSHTET TEKNIKE, SIGURINË, PËRSHTATSHMËRINË DHE AKSESUESHMËRINË NGA PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA, QË DUHET TË PLOTËSOJNË NDËRTESAT E INSTITUCIONEVE TË EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave dhe kritereve të detajuara për kushtet teknike dhe sigurinë, që duhet të plotësojnë ndërtesat e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, si dhe kriteret për përshtatshmërinë dhe aksesueshmërinë e tyre nga personat me aftësi të kufizuara.

Neni 2
Qëllimi

Ky projektvendim ka për qëllim përcaktimin e rregullave bazë mbi të cilat projektohen, ndërtohen ose rikonstruktohen institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, në kuadër të unifikimit të kushteve teknike dhe sigurisë, si dhe eliminimit të pengesave të cilat përbëjnë burim vështirësish për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara.

Neni 3
Fusha e zbatimit

Rregullat dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim zbatohen për institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të cilat projektohen, ndërtohen ose rikonstruktohen.

Neni 4
Përkufizime

Në kuptim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Aksesueshmëri”, mënjanimi i pengesave të të gjitha llojeve.

2. “Pengesa” janë:

a) pengesat fizike si burim vështirësish për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara dhe në mënyrë të veçantë të personave që, për çfarëdolloj arsyeje, kanë një aftësi lëvizëse të kufizuar të përhershme ose të përkohshme;
b) pengesat që kufizojnë ose pengojnë personat në përdorimin komod dhe të sigurt të hapësirave dhe pajisjeve të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale;
c) mungesat e mjeteve dhe sinjalizimeve që lejojnë orientimin apo njohjen e vendeve dhe të burimeve të rrezikut nga personat me aftësi të kufizuara dhe, në veçanti, për personat me shikim apo dëgjim të kufizuar.

3. “Personat me aftësi të kufizuara”, personat me kufizim të aftësive në lëvizje, si pasojë e dëmtimeve afatgjata fizike, mendore, intelektuale apo shqisore dhe personat me shikim apo dëgjim të kufizuar të cilët në ndërveprim me pengesa të ndryshme pengohen në pjesëmarrjen e tyre efektive në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, në pozita të barabarta me të tjerët.

KREU II
RREGULLAT DHE KRITERET PËR KUSHTET TEKNIKE QË DUHET TË PLOTËSOJË INSTITUCIONI I EKZEKUTITMIT TË VENDIMEVE PENALE

Neni 5
Ndërtesat e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale

Institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale përmbush elementet e mëposhtme:

a) Ndërtesat kanë një ndarje të qartë të hapësirave të ndryshme funksionale për arsye të brendshme sigurie dhe teknike. Ndërtesat ose pjesët e ndërtesave projektohen dhe strukturohen duke shmangur hapësirat për të cilat nuk mundësohet pamje e plotë;
b) Muri rrethues ndërtohet me shtresë betoni, të përforcuar me skarë hekuri;
c) Fasadat e mureve dhe ndërtesave ndërtohen me material të rrëshqitshëm;
ç) Çatia mbulohet me një shtresë betoni shtesë, të përforcuar me hekur;
d) Pozicionimi i vendosjes së mjediseve të fjetjes së të burgosurve shmang shikimin e drejtpërdrejtë nga dritaret e mjediseve të administratës së institucionit dhe të ndërtesave përreth;
dh) Pozicionimi i dritareve dhe mjediseve të ajrimit duhet të shmangë përpjekjet e të burgosurve për t’u ngjitur në fasadat e ndërtesës;
e) Kanalet pajisen me vida sigurie ose bllokime të çdolloji tjetër dhe nuk duhet të shërbejnë si rrugë arratisjeje apo për futjen dhe nxjerrjen e sendeve të ndryshme.

Neni 6
Hapësira e jashtme

1. Jashtë ndërtesave të institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale krijohen hapësira me të cilat lidhet ndërtesa e mjediseve të fjetjes. Hapësira e jashtme e institucionit nuk është e vrojtueshme nga shikimi i qytetarëve dhe e anasjellta.

2. Hapësira e jashtme vendoset në afërsi të mjediseve të fjetjes të të burgosurve.

3. Në hapësirat e jashtme improvizohen ambiente sportive funksionale dhe lehtësisht të kontrollueshme nga personeli i sigurisë.

Neni 7
Kriteret teknike të ndërtesës

1. Ndërtesat e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale përmbushin të gjitha kriteret e përcaktuara në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, si dhe legjislacionin në fuqi për kërkesat minimale të performancës së energjisë së ndërtesave dhe elementeve të tyre.

2. Veshjet me xhama vertikalë dhe horizontalë, të cilat janë të ekspozuara ndaj diellit, kombinohen me një mbrojtje të jashtme ndaj diellit. Me qëllim reduktimin struktural ndaj mbingrohjes vendoset një mbrojtje e jashtme fleksibël kundër diellit.

3. Për përthithjen e zhurmave të komponentëve të jashtëm dhe për zgjatjen ekuivalente të reduktimit të saj përdoren materiale të cilat mundësojnë eliminimin e zhurmave dhe temperaturave.

4. Dyshemetë shtrohen me pllaka me material grez-porcelanat. Në zona të veçanta, dyshemeja shtrohet me beton të lëmuar.

Neni 8
Elementet teknike dhe funksionale të regjimit të jashtëm

1. Elementet teknike dhe funksionale të regjimit të jashtëm janë, si më poshtë vijon:

a) Muri rrethues është i ndërtuar me përforcime betoni me hekur, i pakalueshëm në mënyrë direkte, është me lartësi 5 – 6 m dhe me gjerësi 1 metër e cila në pjesën e sipërme mundëson kalimin dhe lëvizjen e punonjësve të Policisë së Burgjeve;
b) Hapësira jashtë murit rrethues është me distancë 5 m;
c) Rrethimi perimetrik i pajisur me rrjetë teli me gjemba i vendosur në brendësi dhe paralel me murin rrethues me lartësi 4.5 m.

2. Rrjeta e telit me gjemba ndërtohet me kthesa të vogla, që mundëson shikimin dhe është i kontrollueshëm me vendosjen e detektorëve të lëvizjes. Hapësira ndërmjet murit rrethues dhe rrethimit perimetrik është sa më e vogël e mundshme për të mundësuar kalimin për qëllime mirëmbajtjeje.

3. Në murin rrethues vendosen vendshërbimet për punonjësit e Policisë së Burgjeve me lartësi deri në 2.4 – 2.6 metra nga pjesa e sipërme e murit, të mbrojtura me vetrata me xham antiplumb. Vendshërbimi siguron shikueshmëri në 360°.

4. Porta hyrëse në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale ndahet në dy pjesë të ndara nga njëra-tjetra ku një pjesë shërben për hyrjen dhe daljen e personave dhe një pjesë për hyrjen ose daljen e automjeteve.

Neni 9
Ndarja e mjediseve

1. Ndarja e mjediseve të institucionit, emërtimi dhe vlerësimi që zë secili prej tyre janë sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ndërtesat e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale ndërtohen të ndara nga pjesa e jashtme me një distancë të paktën 10 metra nga muri perimetrik.

Neni 10
Regjimi i brendshëm

1. Mjediset e fjetjes lidhen mes tyre me korridore të përbashkëta. Korridoret kanë hapësira të mjaftueshme për lëvizjen drejt mjediseve të tjera të institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale. Gjerësia e korridoreve është jo më pak se 2.6 metra.

2. Muret e mjediseve të fjetjes ndërtohen me material betoni dhe hekuri.

3. Hapësira e brendshme e mjediseve të fjetjes është në çdo rast jo më pak se 9 m3 (metër kub).

4. Për sa është e mundur, shmanget vendosja e dritareve në pjesën veriore të institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale. Hapësira e dritareve është jo më pak se 160×150 centimetra dhe pajiset me xhama antivandalë. Elementet e dritares janë të paçmontueshme.

5. Dyert e mjediseve të fjetjes janë prej materiali hekuri me çelësa të posaçëm sigurie dhe skarë hekuri. Dyert janë të blinduara dhe pajisen me dritare të vogël me xham antivandal, me përmasa 22×26 centimetra, si dhe një hapje tjetër me përmasa të njëjta për kalimin e ushqimit.

6. Skarat metalike të dritareve dhe dyerve janë me hekur/çelik, me diametër jo më të vogël se 22 milimetra, kombinuar me shirita metalikë me profil jo më të vogël se 12×12 milimetra.

7. Institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale pajiset me ashensor i cili përshkruan të gjitha katet e ndërtesës. Ashensori ka përmasa për lëvizjen e 8 (tetë) personave dhe mundëson mbajtjen e barelës së shërbimeve shëndetësore.

Neni 11
Mjediset e fjetjes

1. Mjediset e fjetjes pajisen me tualet të ndarë nga mjediset e tjera të qëndrimit. Dera e tualetit vendoset në pozicion të tillë që të mos pengojë pamjen e brendshme të mjedisit të fjetjes kur kontrollohet nga punonjësit e Policisë së Burgjeve.

2. Ndriçuesit në mjediset e fjetjes janë inkandeshentë dhe antivandalë. Mjedisi pajiset me rrjet të përshtatshëm prizash dhe spinash.

3. Në varësi të kapacitetit të institucionit të sigurisë së lartë, një numër i caktuar mjedisesh fjetjeje përshtaten për zbatimin e regjimit të posaçëm sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për të drejtat dhe trajtimin e të burgosurve dhe rregulloren e përgjithshme të burgjeve.

Neni 12
Shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe ekzaminimet

1. Shërbimi shëndetësor ofrohet në një mjedis të përshtatshëm brenda institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale për të mundësuar ofrimin sa më të shpejtë të tij.

2. Mjediset, standardet dhe mjetet e shërbimeve shëndetësore në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale përcaktohen në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale krijohen edhe mjedise të posaçme për kryerjen e ekzaminimeve dhe konsultave. Këto mjedise aksesohen nga të burgosurit në rrugë të ndryshme nga kalimi për në mjediset e fjetjes.

4. Dhomat e konsultës pajisen me EDP.

Neni 13
Mjediset për aktivitete fizike e sportive

1. Mjediset për aktivitete fizike e sportive vendosen në ambiente të mbyllura. Dyshemeja e këtyre mjediseve është elastike dhe kur është e nevojshme mundëson instalimin e pajisjeve të ndryshme sportive.

2. Mjediset për aktivitete fizike e sportive kanë 1 (një) hyrje dhe dalje shtesë.

Neni 14
Mjediset e qëndrimit dhe veprimtarive të përbashkëta

Në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale krijohet një mjedis i mbyllur i përbashkët qëndrimi dhe për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të riteve fetare, zhvillimin e mbledhjeve, si dhe kryerjen e veprimtarive të tjera të lejuara.

Neni 15
Mjediset për kryerjen e vizitave

1. Mjediset për kryerjen e vizitave janë të ndara nga mjediset e fjetjes dhe nuk lejojnë kalimin e vizitorëve në mjediset e fjetjes dhe as kalimin e të burgosurve nga dhoma e vizitave në ambientet e jashtme.

2. Korridoret e kalimit të vizitorëve janë gjithashtu të ndara nga korridoret e kalimit të të burgosurve në mjediset e fjetjes.

3. Mjediset e posaçme për kryerjen e vizitave janë në afërsi të hyrje-daljes së institucionit. Në hyrje instalohen detektorë metali dhe krijohen dhomat e kontrollit me qëllim ndalimin e futjes së sendeve të ndaluara në institucion.

4. Ndarja ndërmjet vizitorëve dhe të burgosurve në mjedisin e posaçëm për kryerjen e vizitave bëhet me xham dhe komunikimi realizohet me anë të pajisjeve telefonike të instaluara nga të dyja anët.

5. Pajisjet telefonike vendosen në raport me kapacitetin e institucionit, por, në çdo rast, jo më pak se 8 (tetë) poste telefonike. Kabllot lidhës vendosen brenda tubave metalikë.

6. Mjediset e takimeve speciale ndërtohen sipas kritereve të mjediseve të fjetjes.

Neni 16
Mjediset e punës

1. Mjediset e punës në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale krijohen, për aq sa është e mundur, në ndërtesa të ndara nga ndërtesat ku ndodhen mjediset e fjetjes.

2. Kushtet dhe kriteret për krijimin e mjediseve të punës përshtaten sipas kërkesave të llojit të punës dhe parashikimeve të legjislacionit në fuqi që rregullon marrëdhëniet e punës.

3. Mjedisi i punës pajiset me instalime elektrike të mjaftueshme për të mundësuar lidhjen e pajisjeve të punës.

4. Në mjedisin e punës krijohet një hapësirë e posaçme për magazinimin e materialeve dhe mjeteve të punës.

5. Në hyrje dhe dalje vendosen detektorë metali me qëllim kontrollin e të burgosurve.

Neni 17
Kuzhina dhe mjedisi i ngrënies

1. Mjedisi i ngrënies së institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale vendoset në afërsi të mjediseve të fjetjes, duke krijuar lidhje të drejtpërdrejtë me korridor.

2. Mjedisi i ngrënies lidhet, gjithashtu, drejtpërdrejt me kuzhinën, në të cilën ka akses vetëm personeli i institucionit dhe të burgosurit të punësuar në kuzhinë.

3. Kuzhina ka hapësirë të mjaftueshme për të vendosur pajisjet e kuzhinës dhe të ngrënies, si dhe produktet ushqimore, në raport me kapacitetet e institucionit.

Neni 18
Mjediset e administratës

Mjediset e administratës së institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale vendosen pranë hyrje-daljes së institucionit. Hapësirat e këtyre mjediseve krijohen duke mbajtur në konsideratë kapacitetin e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale, numrin e punonjësve dhe veprimtaritë e tyre.

Neni 19
Mjediset e furnizimit dhe mjediset ekonomike

Mjediset e furnizimit dhe mjediset ekonomike aksesohen nga hyrja kryesore e institucionit. Hapësirat e sheshit dhe të rrugëve të kalimit duhet të jenë të tilla që të marrin parasysh mundësinë e lëvizjes së automjeteve me përmasa të mëdha. Sipërfaqja e shesheve dhe rrugëve të kalimit është e shtruar me asfalt.

KREU III
VLERAT E IDENTIFIKIMIT FIZIK

Neni 20
Kriteret për reduktimin e zhurmave

1. Muret e mjediseve të institucionit të ekzekutimeve penale, veçanërisht mjediset e përbashkëta të kohës së lirë, vishen me shtresa të posaçme për reduktimin e zhurmave dhe përmirësimin e akustikës. Veshja me shtresa e këtyre ambienteve bëhet e tillë që rikthimi i zërit dhe niveli i reduktimit të zhurmës të arrijnë maksimumin e lejueshëm.

2. Në zonat e lëvizjes mund të jetë një shtresë më pak ose të përdoren panele me karton, në mënyrë që të arrihet mjaftueshëm ulja e nivelit të zhurmës. Gjithashtu, mund të krijohen zonat e nevojshme për përthithjen e zhurmës. Koha e llogaritur nuk duhet t’i kalojë 1.5 sekonda.

3. Në mjediset, ku zhvillohen klasa mësimore, koha e kthimit të zërit është 0.7 sipas frekuencës së mesme prej 500 Hz 0.9 sekondash.

4. Mjediset e aktiviteteve fizike dhe sportive përfshijnë masa për reduktimin e nivelit të zhurmës nëpërmjet veshjes së mureve me shtresa.

Neni 21
Pajisjet teknike dhe elektrike

1. Furnizimi i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale me energji elektrike bëhet me anë të një rrjeti kryesor me një linjë furnizimi 20 KW dhe një burimi dytësor. Me qëllim sigurimin me energji elektrike në situata të veçanta, instalohet edhe një transformator dhe gjenerator rezervë.

2. Në rastin e mungesës së energjisë elektrike nga linja kryesore vendoset gjeneratori i emergjencës për mbajtjen në punë të pajisjeve më të nevojshme në objekt dhe merret parasysh një rezervë prej 50%.

3. Pajisjet për sigurinë në institucion lidhen në çdo rast edhe me rrjetin e furnizimit në rastet e emergjencës, veçanërisht serverat, për pajisjet e alarmit dhe të videokamerave, sistemet e hyrjes dhe të daljes etj.

4. Instalimet që kryhen në objekt bëhen duke i futur në brendësi të murit në mënyrë që të mos lejohen manipulimet.

5. Për të siguruar lehtësi në përdorimin dhe menaxhimin e mëvonshëm të këtyre sistemeve bëhen shënime dhe lihen gjurmë në rrugët e shtrimit dhe instalimit, në mënyrë që të jenë të evidentueshme kur të kryhen punime ose riparime të defekteve.

6. Pajisjet e ndriçimit vendosen sipas standardeve ndërkombëtare. Sipas përkatësisë dhe destinacionit të mjedisit, duhet të aplikohen vlerat e ndriçimit sipas shtojcës nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

7. Në ndërtesa instalohet rrjeti i tokëzimit dhe mbrojtjes nga rrufetë.

8. Ndërtesa pajiset me një pajisje automatike për të treguar zonën e zjarrit.

9. Për mjediset e fjetjes, zonat e lëvizjes në ajër të pastër (sheshet e ajrimit) dhe zona të tjera të përgjithshme vendoset një pajisje fonie me anë të së cilës mund të komunikohet nga çdo zyrë e administratës së institucionit që ka si detyrë komunikimin me të burgosurit.

10. Me qëllim lidhjen me sinjale radioje dhe televizive, vendosen antena qendrore me anë të të cilave dërgohen sinjale në mjediset e fjetjes dhe në mjediset e tjera ku është e nevojshme, si dhe vendoset një pajisje satelitore nëpërmjet së cilës të merren edhe stacionet digjitale të radios dhe televizionit në mënyrë qendrore.

11. Për realizimin e rrjetit të IT-së për postet e punës individuale, kablloja është “kabllo rrjeti informatik kategoria e 7-të” (UTP ose CTP). Nëpërmjet ngjyrave përcaktohet priza e fuqisë dhe priza e UP, modul telefoni dhe modul interneti.

12. Furnizimi i pajisjeve teknologjike të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale dhe pajisjet e dispozimit disenjohen në mënyrë të sigurt dhe ekonomike, duke mbajtur parasysh parametrat e paraqitur në shtojcën nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 22
Instalimet e sistemit të ngrohjes dhe ventilimit

1. Sistemi i ngrohjes së institucionit të ekzekutimit të vendimit penal realizohet me ngrohje qendrore me kaldajë me gaz, me naftë dhe me panele diellore në kombinim dhe me pompa nxehtësie.

2. Sistemi i tubacioneve izolohet në mënyrë të plotë dhe shpërndarja e tyre në zona të dukshme mbulohet me veshje alumini.

3. Ventilimi është i ndarë nga sistemi i ngrohjes. Ventilatorët shoqërohen me absorbues zhurme dhe kontrollues për volumin e ventilimit.

4. Në instalimet e rrjetit të ujit vendosen pajisje për përpunimin e tij.

Neni 23
Rrjeti kompjuterik dhe serverat

1. Rrjeti kompjuterik përdoret nga rrjeti telefonik i brendshëm IP, sistemi i kamerave IP, kompjuterat dhe printerat e rrjetit.

2. Kabllot dhe fibra optike për ndërtimin e rrjetit bëhen sipas standardeve të shtresave të rrjetit acces layer, distribution layer, core layer.

3. Pajisjet lidhëse të rrjetit switch dhe router kanë specifikat sipas shtresës së rrjetit ku ato përdoren.

4. Sasia dhe shpërndarja e rrjetit kompjuterik në zyra bëhet sipas numrit të punonjësve.

5. Materialet që përdoren për ndërtimin e rrjetit janë kabllo Ethernet Cat 5e, fibër optike patch panel, patch cord, patch guidë, rack për rrjetin etj.

6. Kabllot e furnizimit me energji janë rezistente kundër zjarrit.

7. Serverat përdoren për ngritjen e domain controller, sistemit të kartelave të të dënuarve dhe sistemin antivirus.

8. Kapacitetet dhe specifikimet teknike të serverave janë jo më të vjetra se një 1 (vit) nga data e instalimit dhe e vënies në efiçencë të këtyre pajisjeve.

KREU IV
RREGULLAT DHE KRITERET PËR KUSHTET E SIGURISË QË DUHET TË PLOTËSOJNË INSTITUCIONET E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE

Neni 24
Siguria e jashtme e institucionit

1. Siguria e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale garantohet nga punonjësit e Policisë së Burgjeve.

2. Hapësira e jashtme e institucionit komandohet nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, e konsideruar si zona e sigurisë. Madhësia e zonës së sigurisë varet nga madhësia e institucionit dhe niveli i tij i sigurisë. Kjo zonë vendoset si një njësi strukturore e pavarur nga ndërtesat e tjera ose si njësi e posaçme e tyre.

3. Punonjësit e Policisë së Burgjeve garantojnë sigurinë në institucion edhe nëpërmjet vendrojeve. Kabina e punonjësit të Policisë së Burgjeve në portën hyrëse të institucionit pozicionohet në mënyrë që të ketë shikueshmëri të qartë të murit të jashtëm rrethues dhe pjesës së brendshme të institucionit. Për lehtësi të kontrollit, punonjësi i Policisë së Burgjeve ka akses shikimi në monitor për kamerat e jashtme të institucionit. Dritaret e kabinës së punonjësit të Policisë së Burgjeve janë të pajisura me veshje antiplumb dhe, nëse është e nevojshme, ka mbështjellje me skara hekuri.

4. Madhësia e kabinave është e përshtatshme për qëndrimin e punonjësit të Policisë së Burgjeve dhe vendosjen e monitorëve.

5. Dhomat e zhveshjes për personelin janë në afërsi të hyrje-daljes së institucionit.

Neni 25
Monitorimi i institucionit

1. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, me përjashtim të mjediseve të fjetjes, tualeteve, ambienteve ku ofrohen shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe ekzaminimet, si dhe ambienteve të punës së administratës, mbikëqyren me videokamera. Të gjitha kamerat kryejnë regjistrime në formë digjitale dhe kontrollohen nga qendrat e kontrollit me monitor.

2. Në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale krijohet dhoma e serverave ku instalohen pajisjet kryesore të menaxhimit të të gjitha sistemeve të sigurisë e të teknologjisë së informacionit të institucionit.

3. Për arsye sigurie dhoma e serverave ndërtohet në mjediset e ndërtesës së administratës së institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale. Dhoma e serverave vendoset jashtë regjimit të brendshëm dhe është e paaksesueshme nga të burgosurit.

4. Standardet e ndërtimit të dhomës së serverave janë sipas rregullave të përcaktuara nga institucioni përgjegjës për kontrollin e shoqërisë së informacionit.

Neni 26
Kushtet e sigurisë nga zjarri

1. Në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale sigurohen mjete të përshtatshme dhe masa për mbrojtjen nga zjarri, nëpërmjet instalimit të alarmit të detektorëve të zjarrit dhe një linje fikse të thatë me hidrantë muri për gradët korrespondues të zjarrit.

2. Institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale në ambientet e brendshme pajiset me kaseta hidranti për mbrojtjen nga zjarri.

3. Ndërtesat e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale pajisen gjithashtu me rrufepritëse.

4. Monitorimi i sistemit të detektorëve të zjarrit bëhet nga operatorët në sallën e monitorimit.

5. Projekti për mbrojtjen nga zjarri përmban instalimin e plotë të rrjetit të mbrojtjes nga zjarri me hidrantë uji brenda dhe jashtë, si dhe pajisjen e objektit me mjete për shuarjen e zjarrit, si fikës zjarri të instaluara në mure dhe kaseta me mjete të tjera për shuarjen e tij.

Neni 27
Siguria e të burgosurve në institucion

1. Siguria e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale bëhet sipas kritereve të caktuara në nenin 8, të këtij vendimi.

2. Pajisjet teknologjike të sigurisë shërbejnë për të parandaluar arratisjen e të burgosurve ose ndalimin e personave që hyjnë në mbështetje të të burgosurve.

3. Pajisjet garantojnë mbrojtjen e punonjësve të Policisë së Burgjeve, nëpërmjet zbulimit, sa më shpejt që të jetë e mundur, të sulmeve që mund të ndërmarrin të burgosurit mbi ta ose ndaj të burgosurve të tjerë.

4. Për të mundësuar një mbikëqyrje sa më mirë të ambienteve brenda dhe jashtë ndërtesave, instalohen pajisje të përshtatshme ndriçimi, të cilat shërbejnë për të kryer aktivitetin e përgjithshëm dhe aktivitetet në hapësirat e lëvizjes së jashtme. Ndriçuesit vendosen në lartësinë e duhur dhe me ndriçimin e duhur për të mundësuar qartësi shikimi.

5. Për ndriçimin e hapësirave të oborreve të brendshme vendosen shtylla me disa pika ndriçimi.

6. Në fasadat e jashtme të ndërtesave instalohen drita me fuqi të ulët, të cilat mundësojnë mbikëqyrjen me kamera. Këto drita vendosen në mënyrë të tillë që të sigurohet një qartësi sa më e mirë për kamerat dhe monitorët e videokamerave.

7. Për të sinjalizuar lëvizjen dhe lokalizimin e personave, si shtesë e ndriçimit të zakonshëm dhe ndriçimit të jashtëm përdoren dritat e alarmit me halogjen.

8. Hapësira nga muri perimetrik deri të muret e ndërtesave mbikëqyret nëpërmjet detektimit të lëvizjes me anë të vlerësimit të figurës me videodiferencim.

9. Fasadat e ndërtesës së burgimit vëzhgohen nga videokamera, të cilat janë të montuara dhe të rregulluara me lëvizje në mënyrë të shpejtë dhe që tregojnë objekte veçanërisht intensive.

10. Hapësirat jashtë murit të sigurisë mbikëqyren nëpërmjet një fijëzimi automatik që sinjalizon lëvizjet.

11. Zonat e brendshme bllokohen me dyer që mbyllen me kyçe të automatizuara.

Neni 28
Kriteret teknike të sistemeve të sigurisë

1. Kamerat e jashtme të rrotullueshme kontrollojnë gjithë territorin e burgjeve, janë I.P. kamera, antivandale, ditë-natë, WDR, min 2 Mp, dhe punojnë në kushtet ekstreme të mjedisit.

2. Kamerat mbulojnë të gjithë ambientin e jashtëm dhe të brendshëm ku kryhen aktivitete gjatë veprimtarisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

3. Softi i regjistrimit është i sigurisë së lartë me certifikatë për mospërpunim figure. Koha e regjistrimit është minimumi 3 (tre) muaj.

4. Salla e monitorimit krijohet në varësi të kapacitetit të institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale, por, në çdo rast, jo më pak se 8 monitorë 52”.

5. Sistemi ka pavarësi nga rrjeti për të paktën 12 orë.

6. Pajisjet e regjistrimit janë në një rack.

7. Telefonia e brendshme është I.P. Telefoni është i përshtatshëm për përdorim në minimum nga 200 numra.

8. Sistemi i telefonisë I.P. integrohet me sistemet e rrjetit kompjuterik dhe atë të kamerave në institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.

Neni 29
Pajisjet bllokuese

1. Në të gjithë hapësirën e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale instalohen aparatura dhe pajisje për bllokimin e të gjitha komunikimeve telefonike nëpërmjet çfarëdolloj aparati celular dhe satelitor.

2. Pajisjet bllokuese punojnë në mënyrë të pandërprerë. Pajisjet janë me ushqim 220 V AC dhe ushqim 12 ose 24 v DC. Ato janë pajisura me bateri të brendshme dhe aksesorët përkatës për të siguruar një vazhdimësi në punë për një interval kohor prej minimumi 6 orë në rastet e ndërprerjes së energjisë elektrike nga rrjeti i furnizimit të burgut.

3. Pajisjet bllokuese nuk interferojnë ose ndikojnë në punën e pajisjeve dhe aparaturave të sistemit të komunikimit RF, të sistemit të monitorimit me kamera dhe rrjetit të kompjuterave apo në punën normale të aparaturave elektromjekësore të instaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale.

4. Pajisjet bllokuese nuk interferojnë ose bllokojnë komunikimet telefonike celulare dhe RF në objektet shtetërore dhe banesat civile, të cilat mund të jenë pranë territorit të burgjeve.

5. Pajisjet bllokuese dhe antenat rrezatuese instalohen në vende që lejojnë kryerjen e funksionit optimal të tyre dhe nuk dëmtojnë me rrezatime RF personelin e shërbimeve, punonjësit dhe personat që kryejnë dënimin në burg.

Neni 30
Sistemi i mbrojtjes perimetrike

Në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale instalohet:

a) sistem alarmi me sensor, i shtrirë në gardhin rrethues për të zbuluar çdo kontakt të mundshëm;
b) sistem me sensor të shtrirë në tokë për lëvizjet sizmike për të zbuluar lëvizjet dhe kanalet nëntokësore;
c) sistem shock i vendosur mbi gardhin e murit perimetrik;
ç) sistemi me infra për lartësitë.

Neni 31
Sistemi i komunikimit me radio

1. Sistemi i komunikimit me radio për punonjësit e Policisë së Burgjeve krijohet nëpërmjet një trank-u digjital multisite me 4 kanale.

2. Të gjitha shërbimet kanë radiostacione dhe çdo punonjës pajiset me radio dore.

3. Radiot e dorës kanë GPS të inkorporuar:

a) me software me hartën digjitale të Shqipërisë dhe për GPS dhe DATA;
b) me software për Multi Site Trunk Network;
c) me software FleetSync AVL & Dispatch Messaging Software, (AVL – Automatic Veicle ocation);
ç) sistemin e telefonisë I.P.

KREU V
RREGULLAT DHE KRITERET PËR PËRSHTATSHMËRINË DHE AKSESUESHMËRINË E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUAR

Neni 32
Ndërtesat e institucioneve

1. Të burgosurve me aftësi të kufizuara u garantohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, trajtimi pa diskriminim i çdo forme për shkak të aftësisë së kufizuar, duke plotësuar nevojat specifike për aftësimin dhe riaftësimin e tyre, duke mbajtur parasysh standardet e legjislacionit në fuqi për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara.

2. Në raport me kapacitetin e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale, një numër i caktuar mjedisesh fjetjeje përshtaten për të burgosurit me aftësi të kufizuar, si dhe krijohen lehtësi për aksesimin dhe përshtatshmërinë e tyre gjatë ekzekutimit të vendimeve penale.

3. Për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor, për të cilët gjykata ka vendosur zbatimin e masave mjekësore të detyrueshme, ndërtesat e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale janë të posaçme, me qëllim akomodimin e kësaj kategorie të burgosurish, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shëndetin mendor.

4. Gjatë projektimit dhe ndërtimit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale apo rikonstruktimit të tyre, sipas legjislacionit në fuqi, aplikohen zgjidhje teknike për eliminimin e barrierave penguese për personat me aftësi të kufizuara, me qëllim mosdiskriminimin dhe sigurimin e lëvizjes pa pengesa dhe qëndrim të barabartë në këto ambiente me personat e tjerë.

5. Ndërtesat e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale duhet të plotësojnë elemente teknike për të mundësuar aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha ambientet e ndërtesës dhe për të përdorur të gjitha shërbimet që ofron institucioni, duke mbajtur në konsideratë përdorimin e krevateve, vendeve ulëse, shkallëve, shërbimet e higjienës, aksesin në vendin e ngrënies, aksesin në ambientet e takimeve, në ambientet e ajrimit si dhe çdo ambient tjetër pune, argëtimi apo mësimi.

6. Ndërtesat e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale duhet të plotësojnë elementet e mëposhtme:

a) Dyert e hyrjes së çdo ndërtese janë lehtësisht të manovrueshme, ku lloji dhe hapësirat e tyre lejojnë kalimin me lehtësi të personave me aftësi të kufizuara;
b) Pragu i derës, përpara dhe pas saj, vendoset në të njëjtin nivel me sipërfaqet e ambienteve. Ndryshimi i nivelit lidhur me madhësinë e derës së hyrjes të një ndërtese ose në ndërhyrjet në rikonstruksion nuk duhet të pengojë kalimin e një personi me aftësi të kufizuara;
c) Përmasat e hapësirës para dhe pas derës lejojnë manovrat që kryhen me karrige me rrota. Hapësira duhet të mundësojë hapjen e derës nga të dyja anët e përdorimit;
ç) Në ambientet e përbashkëta dyshemetë janë të sheshta dhe jorrëshqitëse;
d) Ndryshimet e nivelit kapërcehen nëpërmjet platformave të pjerrëta, të përshtatura në mënyrë të tillë që të mos krijojnë pengesa për kalimin e personave me aftësi të kufizuara;
dh) Pajisjet e palëvizshme në njësitë e ambientit duhet të vendosen në mënyrë të tillë që të lejojnë kalimin e personave me aftësi të kufizuara si dhe përdorimin me lehtësi të karrocave me rrota ose mjeteve ndihmëse. Duhet t’u jepet përparësi përdorimit të pajisjeve me material joprerës dhe pa kënde të mprehta;
e) Në shkallët e ndërtesës montohen edhe kangjella mbajtëse për të lehtësuar përdorimin e shkallëve nga personat që kanë vështirësi në lëvizje;
ë) Shërbimet higjienike duhet të garantojnë, nëpërmjet hapësirave të llogaritura, manovrimet e nevojshme të një karrigeje me rrota, për përdorimin e pajisjeve sanitare, në veçanti:

i. hapësira e nevojshme për afrimin anësor të karriges me rrota te WC-ja, bideja, dushi;
ii. hapësira e nevojshme për afrimin ballor të karriges me rrota te lavamani;
iii. vendosja e një mbajtëseje të përshtatshme dhe e një zileje emergjence e vendosur afër WC-së dhe dushit.

f) Gjerësia e rampave të pjerrëta dhe e sheshpushimeve duhet të lejojë kalimin në të njëjtën kohë të dy personave ose kalimin horizontal të një barele, me një pjerrësi maksimumi 15% përgjatë boshtit gjatësor;
g) Gjatësia e rampës së pjerrët duhet të jetë e kufizuar, në të kundërt ajo duhet të ndërpritet me një sheshpushim. Rampat e shkallëve duhet të jenë lehtësisht të perceptueshme edhe nga personat me kufizime në shikim dhe dëgjim.

Neni 33
Sinjalistika

1. Në ambientet e institucionit vendoset një sistem shenjash që tregojnë aktivitetet kryesore që zhvillohen dhe rrugët e nevojshme për t’i arritur.

2. Për të burgosurit me vështirësi në shikim vendosen pajisje zanore për treguesit e dhënë ose tabela qendrore të shkruara me alfabetin braille. Çdo situatë rreziku duhet të jetë e dallueshme edhe nëpërmjet shenjave sinjalizuese dhe mjeteve referuese, si ato zanore ashtu edhe pamore.

3. Institucionet pajisen me lajmërues akustik, që sinjalizon kohën e ajrimit, për personat me kufizime në shikim dhe dëgjim, aty ku është e nevojshme me komanda manuale të arritshme për të lejuar kohën e mjaftueshme për ajrim në mjedise të hapura.

4. Tabelat dhe pajisjet sinjalizuese të shërbimeve në institucion pajisen dhe instalohen në pozicion të tillë që të shihen dhe të lexohen lehtësisht.

5. Zyrat, kabinat telefonike ose pajisjet, si ashensorët dhe telefonat, që sigurojnë shërbime komunikimi për personat me aftësi të kufizuar dëgjimi, duhet të kenë në pozicion të dukshëm simbolin ndërkombëtar të hyrjes për këta persona.

6. Në rastin e ndryshimit të nivelit të dyshemeve vendoset sinjalizim i dallueshëm me ngjyra me nuanca të forta ose të shndritshme me qëllim lehtësimin e lëvizshmërisë për personat që kanë vështirësi në shikim.

Neni 34
Vendosja e pajisjeve

1. Në raport me kapacitetin e institucionit, një numër i caktuar telefonash vendosen në lartësi prej 120 centimetrash nga sipërfaqja e dyshemesë që receptori të mund të kapet me dorë në lartësi prej 100 centimetrash.

2. Instalimet elektrike duhet të kenë:

a) interfon të vendosur në lartësi deri 120 centimetra nga dyshemeja me indikacione drite;
b) ndërprerës të dritës dhe ziles, i vendosur në lartësi prej 90 deri 120 centimetrash nga dyshemeja;
c) prizat në kuzhinë të vendosura mbi sipërfaqen e punës;
ç) prizat e tjera të vendosura në lartësi prej 90 deri 120 centimetrash nga dyshemeja;
d) kuadër elektrik, vendosur në lartësi prej 90 deri 120 centimetrash;
dh) të gjitha pajisjet e instalimeve elektrike të kenë ngjyrë në kontrast me sipërfaqen ku montohen.

Neni 35
Shmangia e rreziqeve

Tabelat, pajisjet sinjalizuese, strukturat mbajtëse të linjave elektrike, telefonike, instalimet e ndriçimit dhe pajisjet e çfarëdolloj tipi instalohen në mënyrë të tillë që të mos bëhen burim aksidentesh ose pengesash për personat me aftësi të kufizuara.

Neni 36
Kriteret teknike të ndërtesave

Në projektimin, ndërtimin apo rikonstruksionin e ndërtesave të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, përveç rregullave të përmendura në këtë vendim, respektohen të gjitha parashikimet e legjislacionit të brendshëm mbi përcaktimin e rregullave për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar.

KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 37
Rregulla të fundit

1. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën përmirësimin periodik të standardeve.

2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshëm e Burgjeve për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

PROCEDURAT E OFRIMIT TË SHËRBIMEVE ON-LINE NGA INSTITUCIONET SHËRBIMOFRUESE DHE PËR METODOLOGJINË E MONITORIMIT E TË KONTROLLIT TË VEPRIMTARISË ADMINISTRATIVE TË OFRIMIT TË TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 61, të ligjit nr.107/2021, “Për bashkëqeverisjen”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihen shërbimet e të gjitha institucioneve shërbimofruese, aplikimet e të cilave kryhen nëpërmjet platformës “e-Albania” dhe që duhet të realizohen vetëm elektronikisht, duke siguruar lëshimin e dokumentit përfundimtar me vulë elektronike ose nënshkrim elektronik.

2. Ky vendim ka për qëllim të sigurojë që ofrimi në mënyrë elektronike i shërbimeve të institucioneve shtetërore të jetë sa më cilësor dhe në përputhje me përcaktimet e nenit 61, të ligjit nr.107/2021, “Për bashkëqeverisjen”, dhe të legjislacionit në fuqi.

3. Ky vendim ka për objekt rregullimin e:

a) procedurës së ofrimit të shërbimit në mënyrë elektronike nga institucionet shtetërore, duke lëshuar dokumentin përfundimtar elektronik, me nënshkrim ose vulë elektronike, në favor të subjektit kërkues;
b) procedurës dhe të afateve të shkëmbimit të dokumenteve ndërmjet institucioneve, nëpërmjet sistemit të qarkullimit të dokumenteve me nënshkrim elektronik, në rastet kur duhet të ketë shkëmbim dokumentacioni shoqërues ndërmjet institucioneve deri në marrjen e shërbimit dhe të dokumentit elektronik me vulë elektronike ose nënshkrim elektronik;
c) metodologjisë së monitorimit dhe të kontrollit të veprimtarisë administrative, që kryhet në funksion të ofrimit të shërbimit në mënyrë elektronike.

4. Ndërveprimi i institucioneve ofruese të shërbimit me subjektet kërkuese, si dhe vendosja në dispozicion të tyre e dokumentit elektronik kryhen nëpërmjet platformës “e-Albania”. Të gjitha institucionet, që ofrojnë shërbime publike të lëshimit të dokumenteve zyrtare, janë të detyruara t’ia vendosin ato në dispozicion subjekteve kërkuese, në formën e dokumentit elektronik, me nënshkrim ose vulë elektronike, nëpërmjet platformës së sipërpërmendur.

5. Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Institucion shtetëror”, institucioni i administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, sipas kuptimit të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”;
b) “Shërbim on-line”, procesi që konsiston në apo konkludohet me vendosjen në dispozicion të informacionit, lëshimin e një akti administrativ apo dokumenti zyrtar, në favor të subjektit kërkues apo përfitues, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative dhe që në kuadër të këtij vendimi kryhet vetëm elektronikisht, sipas nenit 61, të ligjit nr.107/2021, “Për bashkëqeverisjen”;
c) “Platforma “e-Albania”” ose “Portali unik qeveritar “e-Albania””, ka të njëjtin kuptim si në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Portali unik qeveritar “e-Albania”” dhe miratimin e rregullave për mënyrën e funksionimit të pikës së vetme të kontaktit;
ç) “Sistemi i qarkullimit të dokumenteve me nënshkrim elektronik”, në vijim i quajtur “SQDNE”, është sistemi i cili bën të mundur komunikimin, shkëmbimin e dokumenteve shoqëruese të kërkuara ndërmjet institucioneve për ofrimin e shërbimit, aplikimi i të cilit realizohet nëpërmjet platformës “e-Albania”, deri në lëvrimin e tij dhe lëshimin e dokumentit përfundimtar me vulë elektronike ose nënshkrim elektronik, si dhe monitorimin e lëvrimit të shërbimit sipas afateve ligjore.

II. PROCEDURAT E OFRIMIT TË SHËRBIMIT NË MËNYRË ELEKTRONIKE DHE TË SHKËMBIMIT TË DOKUMENTEVE NDËRMJET INSTITUCIONEVE

A) Ofrimi i shërbimit në mënyrë elektronike, pa shkëmbim dokumentacioni me institucione të tjera

6. Institucioni shtetëror është i detyruar të administrojë kërkesat për shërbim nëpërmjet platformës “e-Albania”.

7. Në rast se pranë institucionit paraqiten kërkesa për shërbim në rrugë postare në formën e dokumentit shkresor apo nëpërmjet postës elektronike, atëherë ai nuk e realizon atë, por i kthen përgjigje kërkuesit, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike, duke e udhëzuar ta paraqesë kërkesën nëpërmjet platformës “e-Albania”.
Përjashtimisht, vetëm dokumentet shoqëruese të kërkesës, të cilat nuk mund të ngarkohen në format elektronik, i dërgohen institucionit në format shkresor (hard copy). Në këto raste, kërkuesi paraqet kërkesën për shërbim nëpërmjet platformës “e-Albania”, ndërsa dokumentacionin shoqërues të saj, origjinal apo të njësuar me të, e dorëzon në rrugë postare pranë institucionit përkatës.

8. Afati i institucionit shtetëror për realizimin e shërbimit, në kuptim të neneve 56 dhe 57 të Kodit të Procedurave Administrative, llogaritet dhe fillon të ecë pas ditës kur kërkuesi ka paraqitur kërkesën në platformën “e-Albania”.

9. Afati i zbatueshëm për realizimin e shërbimit nga institucioni shtetëror është ai i përcaktuar në legjislacionin e posaçëm që rregullon veprimtarinë e tij dhe procedurën administrative konkrete.

10. Në mungesë të një afati të shprehur në legjislacionin e posaçëm, atëherë zbatohen, sipas rastit, afatet e mëposhtme për realizimin e shërbimeve on-line:

a) 10 (dhjetë) ditë pune nga paraqitja e kërkesës, në përputhje me pikën 1, të nenit 15, të ligjit nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit”, kur shërbimi ka të bëjë vetëm me vendosjen në dispozicion të informacionit apo lëshimin e një dokumenti që realizohet apo hartohet pa nevojën e hetimit administrativ;
b) 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga paraqitja e kërkesës, në përputhje me pikën 5, të nenit 49, të Kodit të Procedurave Administrative, kur shërbimi ka të bëjë me njësimin e dokumenteve;
c) 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike nga paraqitja e kërkesës, në përputhje me pikën 2, të nenit 91, të Kodit të Procedurave Administrative, kur shërbimi kërkon kryerjen e hetimit administrativ ose në rastet kur për kryerjen e shërbimit nevojiten procedura vendimmarrjeje dhe miratimi nga komisione të posaçme.

11. Shërbimi i vendoset në dispozicion kërkuesit, brenda afatit përkatës, në formën e dokumentit elektronik me nënshkrim ose vulë elektronike, duke ia përcjellë nëpërmjet platformës “e-Albania”, në sesionin “hapësira ime”.

B) Ofrimi i shërbimit në mënyrë elektronike, kur nevojitët shkëmbimi i dokumentacionit me institucione të tjera

12. Nëpunësi i administratës është i detyruar që kërkesën për ndihmë administrative për kryerjen e një ose disa veprimeve të nevojshme, veçanërisht për njohjen me dokumente, fakte apo mjete të tjera të provës, në administrim të organit tjetër, sipas përcaktimit të nenit 71, të Kodit të Procedurës Administrative, ta dërgojë jo më vonë se 1 (një) ditë pune nga paraqitja e kërkesës nga kërkuesi. Në çdo rast, ndihma administrative, sipas kësaj pike, kërkohet nëpërmjet SQDNE-së.

13. Detyrimi i nëpunësit të administratës shtetërore, për mundësimin e dokumenteve në SQDNE nis në momentin e marrjes së kërkesës për dokumentacionin shoqërues nëpërmjet SQDNE-së.

14. SQDNE-ja mundëson komunikimin për shkëmbimin e dokumenteve shoqëruese të kërkuara ndërmjet institucioneve për ofrimin e shërbimit, aplikimi i të cilit realizohet nëpërmjet platformës “e-Albania”, deri në lëshimin e dokumentit përfundimtar me vulë elektronike ose nënshkrim elektronik, si dhe monitorimin e ofrimit të shërbimit, sipas afateve ligjore.

15. Shkëmbimi i dokumenteve dhe komunikimi ndërmjet institucioneve kryhen vetëm nëpërmjet SQDNE-së, në të cilin kanë akses punonjësit e administratës shtetërore, të caktuar për ndjekjen e procesit.

16. Në rastet kur nëpunësi i caktuar, për shkak pamundësie apo të kryerjes së pushimeve vjetore të pagueshme apo pushimeve të tjera me ose pa pagesë, nuk është prezent në punë, institucioni duhet të marrë masa për personin zëvendësues, i cili akseson sistemin me kredencialet e tij, me qëllim respektimin e afateve të shërbimit.

17. Aksesimi në sistem i punonjësit të administratës bëhet nëpërmjet kredencialeve personale, duke bërë të mundur identifikimin e tij në sistemin SQDNE, sipas legjislacionit që rregullon identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara.

18. Dokumentet e hedhura në SQDNE nga punonjësi i administratës duhet të jenë të ngarkuara në këtë sistem sipas formatit të zyrtarizuar, të jenë të nënshkruara elektronikisht ose të pajisura me vulë elektronike, në varësi të dokumentit. Dokumentet, të cilat janë të ngarkuara në SQDNE dhe rezultojnë si të përfunduara, kanë vlerë të njëjtë me dokumentet e lëshuara në formën e shkresës fizike nga institucioni.

19. Të gjitha institucionet, që marrin kërkesën për dokumentacion shoqërues nga institucionet kërkuese, kanë detyrimin t’u vendosin atyre në dispozicion në SQDNE dokumentet shoqëruese të kërkuara, brenda afatit të përcaktuar në ligjin përkatës ose, në mungesë të tij, brenda 2 (dy) ditëve pune nga e nesërmja e marrjes së kërkesës për dokumentet shoqëruese në sistem.

20. Bëjnë përjashtim nga pika 19, e këtij vendimi, rastet kur shërbimi i kërkuar nga kërkuesi duhet t’i mundësohet atij brenda 1 (një) dite pune. Në varësi të këtyre shërbimeve, shkëmbimi i dokumenteve ndërmjet institucioneve, nëpërmjet SQDNE-së duhet të kryhet brenda 1 (një) dite pune nga e nesërmja e marrjes së kërkesës për dokumentet shoqëruese në sistem.

21. Në rastet kur dokumentacioni shoqërues, i cili mundësohet apo gjenerohet nga institucionet, ka detyrim financiar, kërkesa konsiderohet e vlefshme vetëm pas pagesës së kryer on-line ose pas hedhjes në sistem të mandatpagesës së kryer. Në këto raste, afati i shkëmbimit të dokumenteve shoqëruese në sistem nis nga e nesërmja e momentit kur vlerësohet se detyrimi financiar është përcjellë në sistem.

22. Për ndërveprimin e institucionit shtetëror me kërkuesin dhe për realizimin përfundimtar të shërbimit në favor të kërkuesit, zbatohen të njëjtat rregulla si në pikat 6 deri në 11 të këtij vendimi, duke vendosur në dispozicion të tij dokumentin përfundimtar me vulë elektronike ose nënshkrim elektronik, nëpërmjet platformës “e-Albania”.

III. MONITORIMI DHE KONTROLLI I ZBATIMIT, SHKELJET DHE PASOJAT

23. Në mënyrë që të zbatohen afatet për shërbimin ndaj kërkuesit, nëpunësit, eprori apo titullari duhet të kenë mundësinë e monitorimit nëpërmjet sistemit për të verifikuar statusin e kërkesës. Çdo nëpunës përgjegjës duhet të vetëdeklarojë, nëpërmjet sistemit, ofrimin e shërbimit ose statusin e kërkesës, duke përfshirë dhe datën në të cilën është ofruar ky shërbim te qytetari ose subjekti që ka paraqitur kërkesën.

24. Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje është institucioni përgjegjës për monitorimin e raportimin e zbatimit të afateve dhe përdorimit të SQDNE-së, në rastet kur duhet të ketë shkëmbim dokumentacioni shoqërues ndërmjet institucioneve deri në ofrimin e shërbimit dhe të dokumentit përfundimtar me vulë elektronike ose nënshkrim elektronik në platformën “e-Albania”, sipas afateve ligjore.

25. Nëpunësit përgjegjës raportojnë pranë Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje për vonesat, kërkesat e refuzuara apo gabimet gjatë procesit për kërkim dokumentacioni, ofrimin e shërbimit dhe masat e marra nga institucioni në rast vonese në ofrimin e shërbimit.

26. Moskthimi brenda afatit të përcaktuar në këtë vendim i një dokumenti shoqërues nga institucioni përgjegjës nuk përbën pengesë për institucionin kërkues që të vijojë procedurat e mëtejshme të trajtimit të kërkesës.

27. Mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në këtë vendim përbën kundërvajtje administrative dhe trajtohet sipas përcaktimeve të nenit 56, të ligjit nr.107/2021, “Për bashkëqeverisjen”, duke nisur procedurën e inspektimit. Në përfundim të inspektimit, në rast se konstatohen shkeljet e afateve dhe të procedurave të përcaktuara në këtë vendim, ndaj punonjësit apo nëpunësit përgjegjës të administratës dhe/ose titullarit të institucionit merren masat e parashikuara në dispozitën e sipërpërmendur të ligjit nr.107/2021.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT

28. Institucionet shtetërore, që ofrojnë shërbime publike, për të cilat nuk aplikohet ende vetëm në platformën “e-Albania”, janë të detyruara të dorëzojnë pranë AKSHI-t informacion lidhur me këto shërbime (emërtimi, formulari i aplikimit, dokumentacioni shoqërues dhe përshkrimi), brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, në mënyrë që AKSHI të marrë masa për realizimin e zhvillimeve teknike për përfshirjen e tyre në platformë, në përputhje me parashikimet e pikës 1, të nenit 61, të ligjit nr.107/2021, “Për bashkëqeverisjen”.

29. Subjekti kërkues mund të ushtrojë secilin nga këto mjete ligjore, më vete apo njëkohësisht, për të kundërshtuar mosveprimin e institucionit shtetëror ose përmbajtjen e dokumentit të lëshuar prej tij:

a) ankimin administrativ, në përputhje me rregullat, formën dhe afatet e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative dhe në legjislacionin e posaçëm që rregullon veprimtarinë e institucionit;
b) ankesën pranë Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, sipas ligjit nr.107/2021, “Për bashkëqeverisjen”.

30. Ngarkohen institucionet shtetërore për të miratuar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, rregullore me karakter të brendshëm për mënyrën e zbatimit nga ana e punonjësve dhe strukturave të tyre përgjegjëse të detyrimeve që burojnë nga ky vendim.

31. Vendim nr.43, datë 15.1.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për funksionimin e procesit të shkëmbimit të dokumenteve ndërmjet institucioneve, nëpërmjet sistemit të qarkullimit të dokumenteve me nënshkrim elektronik”, i ndryshuar, shfuqizohet.

32. Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “SISTEMIM RRUGËSH, BLLOKU “PËRROI I ÇAPRAZIT”, POGRADEC”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Sistemim rrugësh, blloku “Përroi i Çaprazit”, Pogradec”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Pogradec.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “truall”, me vlerë 23 003 616 (njëzet e tre milionë e tre mijë e gjashtëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 23 003 616 (njëzet e tre milionë e tre mijë e gjashtëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekësh, përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi paraqesin certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Pogradec.

8. Bashkia Pogradec kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Pogradec.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit, mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe bën regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara, në favor të Bashkisë Pogradec.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Pogradec.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, dhe Bashkia Pogradec për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.658, DATË 8.10.2014, TË KËSHLLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I RRUGËS SË ELBASANIT (FAKULTETI FILOLOGJIK-UNAZA E MADHE E TIRANËS)”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.658, datë 8.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në pikën 3, vlera e përgjithshme e shpronësimit të pronarëve ndryshon nga “150 563 038.8 (njëqind e pesëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e tridhejtë e tetë pikë tetë) lekë” në “152 588 338.8 (njëqind e pesëdhjetë e dy milionë e pesëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e tridhjetë e tetë pikë tetë) lekë”.

2. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 152 588 338.8 (njëqind e pesëdhjetë e dy milionë e pesëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e tridhjetë e tetë pikë tetë) lekësh përballohet, si më poshtë vijon:

a) Vlera prej 150 563 038.8 (njëqind e pesëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e tridhjetë e tetë pikë tetë) lekësh përballohet nga buxheti i vitit 2014, zëri “Shpronësime”, miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar;
b) Vlera prej 2 025 300 (dy milionë e njëzet e pesë mijë e treqind) lekësh përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.”.

3. Në pikën 5, vlera e shpenzimeve procedurale, prej 211 500 (dyqind e njëmbëdhjetë mijë e pesëqind) lekësh, zëvendësohet me vlerën prej 261 500 (dyqind e gjashtëdhjetë e një mijë e pesëqind) lekësh, e cila përballohet nga buxheti i miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

4. Tabelave bashkëlidhur vendimit në fuq i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1299, DATË 16.12.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS, TË ORGANIKËS DHE TË NUMRIT TË NËPUNËSVE TË SHËRBIMIT TË GJENDJES CIVILE NË BASHKI/NJËSI ADMINISTRATIVE DHE NË ZYRAT E ARKIVIT TË GJENDJES CIVILE PRANË PREFEKTIT TË QARKUT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 62, të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.1299, datë 16.12.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pikat 1 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Struktura e shërbimit shtetëror të gjendjes civile është sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.

“4. Shërbimi publik i gjendjes civile ofrohet në 394 zyra të gjendjes civile, 150 prej të cilave funksionojnë si sportele fizike, ndërsa pjesa tjetër si sportele on-line.”.

2. Pas pikës 4/1 shtohen pikat 4/2, 4/3 dhe 4/4, me këtë përmbajtje:

“4/2. Shërbimi i gjendjes civile ofrohet nga 524 nëpunës, gjithsej, të cilët në mënyrë alternative ofrojnë këtë shërbim.
4/3. Organizimi i sporteleve fizike në nivel qarku/bashkie bëhet sipas pasqyrës nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4/4. Kryetarët e bashkive, bazuar në nevojat dinamike të komunitetit, përcaktojnë zyrat e gjendjes civile që funksionojnë si sportele fizike çdo vit brenda datës 5 janar. Përjashtimisht për vitin 2022, ky përcaktim bëhet brenda datës 1 maj 2022.”.

II. Ngarkohen Ministria e Brendshme, prefektët e qarqeve dhe kryetarët e bashkive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË MIRDITË TË PASURISË NR.2/134, ZONA KADASTRALE 3224, MIRDITË, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE RRËSHEN, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.359, DATË 5.6.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI SHËRBIMIT INFORMATIV SHTETËROR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 14 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi, nga Shërbimi Informativ i Shtetit te Bashkia Mirditë, për njësinë administrative Rrëshen, të pronës, me emërtimin “Godinë 3 kate zyra”, Rrëshen, me numër pasurie 2/134, zona kadastrale 3224, Mirditë, sipas formularit dhe planrilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim ushtrimin e funksioneve në fushën e shërbimeve sociale dhe për infrastrukturë rrugore.

2. Prona, me emërtimin “Godinë 3 kate zyra”, hiqet nga lista e inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.359, datë 5.6.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.

3. Bashkisë Mirditë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.

4. Ngarkohen Bashkia Mirditë dhe Shërbimi Informativ i Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Ministrja Kushi: Do të mbështesim programet e mësuesisë me bursa dhe reduktim tarifash për studentët

Leave Your Comment