Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Qershor 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Qershor 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Qershor 2023: 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT  “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA: SHËNDETI I NJERËZVE DHE SIGURIA E TIJ”
Në mbështetje të  nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 2, shkronja “n”, e 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: Shëndeti i njerëzve dhe siguria e tij”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE  PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA: ZONAT ME PËRDORIM TË KUFIZUAR”
Në mbështetje të  nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 2, shkronja “rr”, e 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: Zonat me përdorim të kufizuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
MUNDËSINË E OFRIMIT JASHTË REGJIMIT TË PUNËS,  TË PËRCAKTUAR NGA PUNËDHËNËSI, TË SHËRBIMEVE     TË KONSULTAVE AMBULATORE PËR PACIENTË JASHTË SISTEMIT TË REFERIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 27, të ligjit nr.55/2022, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë kriteret e ofrimit të shërbimeve të konsultave ambulatore për pacientë jashtë sistemit të referimit.
2. Spitalet publike, të cilat do të mundësojnë ofrimin e praktikës së dyfishtë, sigurojnë:
a) akses të garantuar për qytetarët në marrjen e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, bazuar në rregullat e ofrimit të shërbimit, sistemin e referimit, cilësinë e shërbimit në çdo hallkë të ofrimit të shërbimit në spital;
b) transparencë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore nëpërmjet sistemit të referimit, pritjes së pacientëve dhe qytetarëve në recepsione apo struktura të konsultave ambulatore, duke garantuar funksionalitetin e plotë të shërbimit spitalor;
c) sigurimin e shërbimeve spitalore nga konsultat ambulatore te shërbimi me shtretër në spital për të gjithë pacientët dhe qytetarët që kanë nevojë për kujdes shëndetësor;
ç) përmbushjen e detyrimeve kontraktuale dhe normave të aktivitetit të shërbimit  nga mjekët specialistë;
d) ofrimin e shërbimit spitalor publik për të gjithë pacientët, brenda dhe jashtë sistemit të referimit, sipas dispozitave ligjore në fuqi dhe rregullave për ofrimin e shërbimit shëndetësor në korsitë preferenciale.
3. Kriteret për ofrimin e praktikës së dyfishtë në spitalet publike janë, si më poshtë vijon:
a) Spitali të ketë përfituar kartën e autonomisë menaxheriale;
b) Spitali të garantojë përmbushjen e aktivitetit spitalor, bazuar në normativat e vendosura nga bordi i spitalit dhe të përmbushë indikatorët e aktivitetit mjekësor, të përcaktuar në kontratën e financimit të spitalit;
c) Spitali të disponojë normat e aktivitetit klinik për çdo mjek specialist, sipas shërbimeve përkatëse në regjimin, që përcaktohet praktika e dyfishtë.
4. Mënyra e ofrimit të praktikës së dyfishtë në shërbimin e konsultave ambulatore për pacientët jashtë sistemit të referimit realizohet, sipas procedurës së mëposhtme:
a) Mjeku specialist paraqet kërkesën në drejtorinë e spitalit publik për të ushtruar praktikën e dyfishtë, jashtë angazhimit kontraktual me punëmarrësin dhe kohës së punës, bazuar në këtë kontratë. Në kërkesën e tij përshkruhet orari i konsultave, të propozuara për pacientët jashtë sistemit të referimit, organizimi dhe mënyra e pritjes së pacientëve që do t’u ofrohet konsulta ambulatore;
b) Drejtoria e spitalit vlerëson kërkesën e mjekut specialist, aktivitetin e mjekut në shërbim, përmbushjen e normave në shërbimin ku ushtron profesionin dhe modalitetet e propozuara të organizimit të konsultave ambulatore, të propozuara në kërkesën e tij, brenda një afati 30 (tridhjetë)- ditor;
c) Pas vlerësimit, nëse kërkuesi përmbush kërkesat, firmoset kontratë dypalëshe me spitalin publik për ofrimin e praktikës dyfishe. Kontrata e shërbimit është me afat të përcaktuar dhe ka të përcaktuar tarifat përkatëse të shërbimit dhe mënyrën e shpërndarjes së tyre, bazuar në tarifat preferenciale të vendosura nga bordi i spitalit;
ç)  Numri i konsultave mujore për mjekët specialistë në sistemin e praktikës dyfishe përcaktohet në kontratën midis palëve dhe të ardhurat e mjekut nga praktika dyfishe nuk duhet të tejkalojnë 30 (tridhjetë) % të pagës bruto të tij.
5. Funksionimi i ofrimit të praktikës së dyfishtë në spitalet publike realizohet, si më poshtë vijon:
a) Spitali përcakton rregullat për kryerjen e praktikës së dyfishtë dhe vendos në dispozicion ambientet, sistemin e recepsionit dhe pritjes në strukturat e konsultave ambulatore, si dhe logjistikën e nevojshme mjekësore dhe jomjekësore për të kryer konsultën ambulatore;
b) Aktiviteti i praktikës së dyfishtë monitorohet nga grupi i posaçëm i monitorimit, i ngritur me vendim të bordit.
6. Spitali është përgjegjës për sistemin e mbledhjes së tarifës së konsultës ambulatore, duke mundësuar, sipas një sistemi periodik mujor, shpërndarjen e të ardhurave të grumbulluara te mjeku specialist nga llogaria e spitalit.
7. Të ardhurat që gjenerohen nga spitali nëpërmjet praktikës se dyfishtë do të futen në zërin e të ardhurave dytësore dhe do të përdoren nga spitali për të përmirësuar më tej cilësinë e shërbimit të ofruar, bazuar në legjislacionin në fuqi.
8. Autoritetet drejtuese të strukturës spitalore publike afishojnë listën e stafit mjekësor të angazhuar në regjimin e praktikës së dyfishtë dhe tarifat përkatëse të shërbimit dhe i bëjnë ato transparente për publikun.
9. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe strukturat spitalore të sistemit shëndetësor publik për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M 
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË KRYETARIT TË QENDRËS KOMBËTARE TË KINEMATOGRAFISË 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.8096, datë 21.3.1996, “Për kinematografinë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Eduart Makri, kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM,  TË MARRËVESHJES, NDËRMJET  REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR AKTIVITETET OPERACIONALE TË KRYERA NGA AGJENCIA EVROPIANE E ROJËS KUFITARE DHE BREGDETARE  NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare në Republikën e Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM,   PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “AFTËSIA RIPËRTËRITËSE E PARË DHE ZHVILLIMI I GJELBËR – HUA PËR POLITIKAT E ZHVILLIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Aftësia ripërtëritëse e parë dhe zhvillimi i gjelbër – hua për politikat e zhvillimit”, me një kredi në shumën 110 800 000 (njëqind e dhjetë milionë e tetëqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.663, DATË 13.10.2022,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA PROJEKTI “NDËRTIMI I SHKOLLËS 9-VJEÇARE “QAZIM TURDIU””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.663, datë 13.10.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikat 3 dhe 4, vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej “10 833 624 (dhjetë milionë e tetëqind e tridhjetë e tre mijë e gjashtëqind e njëzet e katër)” lekësh zëvendësohet me “10 826 810” (dhjetë milionë e tetëqind e njëzet e gjashtë mijë e tetëqind e dhjetë)” lekësh;
b) Në tabelën bashkëlidhur vendimit pasuria me nr.9/216 në nr.rendor 1, zëvendësohet me nr.9/1029, sipas të dhënave të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Bashkia Tiranë.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR 
HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT  DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.  Për vitin 2023, procedura e plotësimit të pozicioneve të lira të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese, për të cilët lëvizja paralele është mbyllur pa fitues, të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë nga jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendet e lira.
2.  Numri maksimal i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, është 48 pozicione të kategorisë së mesme dhe të ulët drejtuese.
3. Pozicionet në të cilat mund të konkurrojnë edhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil për nivelin e mesëm drejtues, gjithsej 23, si dhe për nivelin e ulët drejtues, gjithsej 25, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2023,  MIRATUAR PËR NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2023, miratuar për njësitë e qeverisjes qendrore, bëhet rishpërndarja e fondit, si më poshtë vijon:
a) Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, në programin “e-Qeverisja”, në artikullin 231, i shtohet fondi prej 270 000 000 (dyqind e shtatëdhjetë milionë) lekësh, për projektin “Implementimi i laboratorëve Smart”.
b) Ministrisë së Mbrojtjes, në programin “Forcat e luftimit”, në artikullin 231, i pakësohet fondi prej 270 000 000 (dyqind e shtatëdhjetë milionë) lekësh.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e tij.
      Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE   TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I RRUGËS SË ISH-REPARTIT USHTARAK PËR NË AEROPORTIN E RINASIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të                              ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i rrugës së ish-repartit ushtarak për në Aeroportin e Rinasit”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 477 120 (katërqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e njëzet) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 477 120 ( katërqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e njëzet) lekësh, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoritetit Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë – Vorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë-Vorë, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.109,  DATË 15.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË SIGURIMIT TË CILËSISË NË ARSIMIN E LARTË E TË BORDIT TË AKREDITIMIT DHE PËR PËRCAKTIMIN E TARIFAVE     PËR PROCESET E SIGURIMIT TË CILËSISË NË ARSIMIN E LARTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 14, 15 e 106, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.109, datë 15.2.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në fund të pikës 14 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në Bordin e Akreditimit merr pjesë edhe një student, në rolin e vëzhguesit, përfaqësues i Këshillit Kombëtar të Studentëve.”.
b) Pika 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“18. Mbledhja e Bordit të Akreditimit zhvillohet kur marrin pjesë jo më pak se 8 (tetë) anëtarë të tij. Vendimet e bordit merren me shumicë prej ¾ të anëtarëve të pranishëm.”.
c) Pika 26 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“26. Kryetari dhe anëtarët e Bordit të Akreditimit paguhen për çdo pjesëmarrje në mbledhje. Për çdo vit kalendarik zhvillohen                                  12 (dymbëdhjetë) mbledhje. Nëse është e nevojshme, Bordi mund të mblidhet deri në 3 (tri) herë të tjera, brenda të njëjtit vit kalendarik, me kërkesë të ministrit përgjegjës për arsimin.”.
ç)  Pika 27 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“27. Masa e shpërblimit për çdo mbledhje të jetë, si më poshtë vijon:
a) Anëtarët me rezidencë të përhershme në Republikën e Shqipërisë, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë;
b) Anëtarët me rezidencë të përhershme jashtë Republikës së Shqipërisë, në masën 600  (gjashtëqind) euro;
c) Kryetari, në varësi të rezidencës së tij të përhershme, në masën 30% më shumë se anëtarët e Bordit.”.
d) Në paragrafin e parë, të pikës 2, të shtojcës 2, bashkëlidhur vendimit, pas fjalëve “… në IAL-të publike …” shtohen  “… dhe jopublike …”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
  Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.161, DATË 21.3.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGESËN E SË ARDHURËS NGA PAPUNËSIA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 54, pikat 1 e 2, dhe 55, pika 1, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.161, datë 21.3.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për pagesën e së ardhurës nga papunësia”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “c”, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti të plotë apo pension familjar, paaftësi të përkohshme në punë apo sëmundje profesionale;”.
2. Shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç” e “d”, të pikës 4, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“a) 3 (tre) muaj, për personat me një periudhë kontributi të derdhur si punëmarrës, të paktën, 1 (një) vit;
 b) 6 (gjashtë) muaj, për personat me një periudhë kontributi të derdhur si punëmarrës, të paktën, 3 (tre) vjet;
 c) 9 (nëntë) muaj, për personat me një periudhë kontributi të derdhur si punëmarrës, të paktën, 5 (pesë) vjet;
 ç) 12 (dymbëdhjetë) muaj, për personat me një periudhë kontributi të derdhur si punëmarrës mbi 10 (dhjetë) vjet;
 d) Personat gra dhe burra mbi 55 (pesëdhjetë e pesë) vjeç përfitojnë pagesë papunësie 12 (dymbëdhjetë) muaj, me kusht që të kenë kontribuar si punëmarrës 1 (një) vit në sigurimet shoqërore dhe të kenë mbushur moshën e sipërpërmendur para shkëputjes nga puna për herën e parë dhe në rast të paraqitjes së kërkesës për përfitimin e radhës i nënshtrohen rregullit të parashikuar në shkronjat “a”, “b”, “c” e “ç”, të kësaj pike.”.
3. Në pikën  6 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Shkronja “ç” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) Vërtetim për ndjekjen e arsimit të mesëm, për fëmijët në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, dhe vërtetim për personat që ndjekin arsimin e lartë apo janë vlerësuar me aftësi të kufizuar, sipas komisioneve përkatëse, deri në moshën 25 vjeç;”.
b) Pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) Nëse është rasti, vërtetim nga dega e tatimtaksave dhe sigurimeve shoqërore, të gjeneruar nëpërmjet portalit qeveritar            “e-Albania”, për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga 1.1.1994 deri më 31.12.2011, sipas shkronjave “a” “b”, “c” e “ç”, të pikës 4;”.
4. Në pikën 7 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a)  Shkronja “b” shfuqizohet.
b)  Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) Vërtetim nga dega e tatimtaksave dhe sigurimeve shoqërore, të gjeneruar nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” se personi ka derdhur kontribute si punëmarrës për periudhën 1.1.2012 e në vijim, përkatësisht sipas shkronjave “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 4.”.
5. Shkronja “ç”, e pikës 8, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti të plotë apo pensioni familjar;”.
6. Pika 9 shfuqizohet.
7. Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 “14. Në rastet e punësimit të përkohshëm, gjatë periudhës së përfitimit të pagesës të së ardhurës nga papunësia, e ardhura e papunësisë merret me ndërprerje, si më poshtë vijon:
a) Brenda 6 (gjashtë) muajve nga rifillimi i periudhës së përfitimit të pagesës të së ardhurës nga papunësia, për personat që e përfitojnë pagesën për 3 (tre) muaj;
b) Brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve nga rifillimi i periudhës së përfitimit të pagesës të së ardhurës nga papunësia, për personat që e përfitojnë pagesën për 6 (gjashtë) muaj;
c) Brenda 18 (tetëmbëdhjetë) muajve nga rifillimi i periudhës së përfitimit të pagesës të së ardhurës nga papunësia, për personat që e përfitojnë pagesën për 9 (nëntë) muaj;
ç) Brenda 24 (njëzet e katër) muajve nga rifillimi i periudhës së përfitimit të pagesës të së ardhurës nga papunësia, për personat që e përfitojnë pagesën për 12 (dymbëdhjetë) muaj;
d) Në rastet e ndërprerjes të së ardhurës nga papunësia, për arsye të përfitimit të lejes së lindjes, pjesa e ngelur merret pas përfundimit të lejes së lindjes, për çdo rast përfitimi.”.
8. Shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 16, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“a) sëmundje e vërtetuar me dokumente fletështrimi (dorëzuar nga një përfaqësues i tij) dhe fletëdalje nga spitali (të dorëzuar nga një përfaqësues i tij ose vetë personi);
c) ndalimi nga organet e drejtësisë, e vërtetuar me dokumentacionin përkatës.”.
9. Pika 17  ndryshohet, si më poshtë vijon:
“17. Për të gjitha rastet e përmendura në pikën 16, pagesa e së ardhurës nga papunësia nuk do të regjistrohet në listëpagesën e muajit. Kjo e ardhur do të paguhet në momentin që personi paraqitet në zyrën e punësimit me një nga dokumentet justifikuese.”.
10. Pika 21 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“21. Punëkërkuesi i papunë, i cili qendrën e fundit të punës e ka në juridiksionin e një zyre tjetër punësimi nga vendbanimi aktual, përfitimin e merr në zyrën e punësimit ku ka vendbanimin aktual.”.
II. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR 
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.392, DATË 30.6.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN   E SPECIALITETEVE NË FORCAT E ARMATOSURA  TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1/1, të nenit 21, të ligjit nr.59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në shtojcën 1, që i bashkëlidhet vendimit nr.392, datë 30.6.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e specialiteteve në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, bëhen këto ndryshime:
a) Kudo në rreshtin 2, pas emërtimit “… Orkestra Frymore e FA-së …” shtohet “ … Orkestra Simfonike e FA-së …” dhe pas fjalëve “… në bandën frymore të FA-së …” shtohen “… ose në Orkestrën Simfonike të FA-së …”.
b) Pas rreshtit 4 shtohen rreshtat 5 dhe 6, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Manastirliu: Praktika dyfishe për mjekët e spitaleve që marrin Kartën e Autonomisë Manxheriale