Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Gusht 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Gusht 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Gusht 2023: 
V E N D I M 
PËR 
NGARKIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË PLANIFIKIMIT TË TERRITORIT, SI ORGAN QENDROR BLERËS, PËR REALIZIMIN E KONKURSIT TË PROJEKTIMIT PËR PROJEKTIDETË E ZHVILLIMIT TË TIRANA EXPO DHE PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË PLANIFIKIMIT TË TERRITORIT, MIRATUAR PËR VITIN 2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngarkimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), si organ qendror blerës, për realizimin e konkursit të projektimit për projektidetë e zhvillimit të Tirana Expo, një hapësirë fleksibël për ekspozita, panaire, koncerte, takime, evenimente, rekreacion dhe logjistikë.
2. Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, t’i shtohet fondi prej 23 705 000 (njëzet e tre milionë e shtatëqind e pesё mijë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, për përballimin e shpenzimeve për realizimin e procedurave të prokurimit, sipas pikës 1, të këtij vendimi.
3. Efekti financiar, prej 23 705 000 (njëzet e tre milionë e shtatëqind e pesё mijë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për                 vitin 2023.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M  
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS DITORE TË PËRFITIMIT DHE PROCEDURËS SË KOMPENSIMIT PËR STREHIM PËR PUNONJËSIT E GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 51, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e masës ditore të përfitimit dhe procedurës së kompensimit për strehim për punonjësit e nivelit të mesëm e të lartë të Gardës së Republikës, të cilët emërohen ose transferohen në detyrë jashtë vendbanimit të përhershëm dhe nuk u sigurohet nga Garda mjedisi për akomodim.
2. Kur punonjësi nuk ka në ngarkim persona të tjerë familjarë, me të cilët zhvendoset jashtë vendbanimit të përhershëm, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 30 m² neto. Për çdo person familjar shtesë, sipërfaqja neto shtohet me 10 m2.
3. Numri i personave, pjesëtarë të familjes, në ngarkim të punonjësit të Gardës së Republikës vërtetohet nëpërmjet certifikatës familjare, në momentin e emërimit ose transferimit.
4. Garda e Republikës bën kompensimin e qirasë së banesës së punonjësit, përkundrejt paraqitjes së  kontratës së noterizuar të qirasë, sipas legjislacionit përkatës në fuqi. Në kontratë përcaktohet qartë adresa ku ndodhet ndërtesa, sipërfaqja në metër katror dhe vlera mujore e qirasë së objektit.
5. Masa ditore e përfitimit të kompensimit për strehim do të jetë sa 1/30 e vlerës minimale të qirasë mujore, sipas përcaktimeve në vendimin nr.469,                          datë 3.6.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”.
6. Punonjësi i Gardës së Republikës, që përfiton kompensim për qira banese, paraqet pranë sektorit të burimeve njerëzore dokumentet e mëposhtme:
a) Kërkesën me shkrim për kompensimin e qirasë së banesës;
b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
c) Certifikatën personale dhe certifikatën familjare;
ç)  Kontratën e noterizuar të qirasë së banesës ku është transferuar;
d) Vërtetimin nga Drejtoria Vendore e ASHK-së se ai ose pjesëtarët e familjes, që ka në certifikatën e gjendjes familjare, nuk kanë banesë apo nuk kanë aplikuar për legalizim banese, në juridiksionin ku është emëruar ose transferuar.
7. Verifikimi i dokumentacionit të paraqitur nga punonjësi dhe përllogaritja e shumës së përfitimit të kompensimit të qirasë së banesës bëhet nga komisioni, me këtë përbërje:
a) Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse;
b) Shefi i sektorit të burimeve njerëzore;
c) Shefi i sektorit të buxhet-financës;
ç)  Specialisti i infrastrukturës;
d) Specialisti jurist.
8. Sektori i burimeve njerëzore njofton komisionin për paraqitjen e dokumentacionit nga punonjësi. Komisioni brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga paraqitja e dokumentacionit bën vlerësimin e tij dhe në rast të pranimit të kërkesës bën përllogaritjen e shumës së përfitimit të kompensimit të qirasë së banesës. Komisioni merr vendim me shumicë, në prani të të gjithë anëtarëve të tij. Në bazë të vendimit të komisionit, drejtori i Përgjithshëm nxjerr urdhrin për kompensimin e qirasë së banesës për punonjësin.
9. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE TË POSAÇME TË LICENCIMIT DHE AUTORIZIMIT, DOKUMENTEVE SHOQËRUESE, QË PARAQITEN PËR PAJISJEN ME LICENCË APO AUTORIZIM, AFATIT TË VLEFSHMËRISË SË LICENCËS DHE AUTORIZIMIT, PROCEDURAVE TË SHQYRTIMIT E TË VENDIMMARRJES DHE AFATEVE PËR KRYERJEN E TYRE, SI DHE PROCEDURAVE TË SHFUQIZIMIT/PEZULLIMIT TË LICENCAVE E AUTORIZIMEVE PËR PRODHIMIN, IMPORTIMIN, EKSPORTIMIN, TRANSITIMIN E ARTIKUJVE PIROTEKNIKË
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 1, të nenit 25, të ligjit nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
KUSHTET E POSAÇME TË LICENCIMIT DHE AUTORIZIMIT
Neni 1
Kushtet e posaçme të licencimit për import ose eksport të artikujve piroteknikë
1. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve është institucioni përgjegjës që lëshon licencat e importit, eksportit dhe të prodhimit të artikujve piroteknikë, si dhe autorizimet për importin, eksportin, transitin e artikujve piroteknikë për operatorët ekonomikë kërkues.
2. Operatori ekonomik, që kërkon të pajiset me licencë për import ose eksport të artikujve piroteknikë, duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
a) Të ketë në objektin e aktivitetit veprimtarinë e importit/eksportit të artikujve piroteknikë;
b) Të ketë të instaluara dhe funksionale sistemet për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin për ambientet e magazinimit;
c) Të ketë në ruajtje fizike ambientet e magazinimit të artikujve piroteknikë, me një shoqëri të licencuar për shërbimin privat të sigurisë fizike;
ç) Të ketë drejtues teknik, i cili është përgjegjës për çështjet e sigurimit teknik, trajnimit të personelit me rregullat e sigurimit teknik. Drejtuesi teknik duhet të jetë i pajisur me dëshmi zjarrmëtari, lëshuar nga organi përgjegjës në ministrinë që mbulon çështjet e industrisë dhe të energjetikës;
d) Punonjësit e angazhuar për nevojat e operatorit ekonomik të plotësojnë kushtet e aftësimit shëndetësor, trajnimit, sipas kërkesave të nenit 17, të ligjit nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve artikujve piroteknikë”;
dh) Personeli përgjegjës për magazinimin, asgjësimin e artikujve piroteknikë duhet të jetë i pajisur me dëshminë e zjarrmëtarit nga organi përgjegjës në ministrinë që mbulon çështjet e industrisë dhe të energjetikës;
e) Administratori, ortaku dhe punonjësit e angazhuar duhet të gëzojnë besueshmëri për ushtrimin e aktivitetit me lëndët piroteknike, e cila vërtetohet nga dokumenti i besueshmërisë që përpilohet nga struktura e Policisë së Shtetit, ku shtetasi ka vendbanimin, në bazë të kërkesës së bërë nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve;
ë) Administratori, ortaku dhe punonjësit e angazhuar të operatorit ekonomik nuk duhet të jenë të dënuar për vepra penale.
Neni 2
Kushtet e licencimit për prodhimin e artikujve piroteknikë
1. Operatori ekonomik, që kërkon të pajiset me licencë për prodhimin e artikujve    piroteknikë, duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
a) Të ketë në objektin e aktivitetit veprimtarinë e prodhimit të artikujve piroteknikë;
b) T’i jetë nënshtruar procedurës për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe të jetë i pajisur me vendim për vlerësimin e ndikimit në mjedis/deklaratë mjedisore që në fazën e projektidesë, si dhe të sigurojë lejet përkatëse mjedisore për prodhimin e artikullit piroteknik, përpara vënies në punë të instalimit, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për lejet e mjedisit;
c) Të ketë në pronësi ose përdorim objektin ku do të ushtrojë veprimtarinë e prodhimit dhe magazinimit të artikujve piroteknikë;
ç) Të përcaktojë projektin teknologjik të prodhimit, i cili duhet të jetë i miratuar nga një inxhinier projektues i licencuar dhe me eksperiencë në projektimin e linjave teknologjike;
d) Të ketë të instaluara dhe funksionale sistemet për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin për ambientet e prodhimit dhe magazinimit;
dh) Të ketë në ruajtje fizike ambientet e prodhimit e të magazinimit me një shoqëri të licencuar për shërbimin privat të sigurisë fizike;
e) Punonjësit e angazhuar për nevojat e operatorit ekonomik të plotësojnë kushtet e aftësimit shëndetësor, trajnimit, sipas kërkesave të nenit 17, të ligjit nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë”;
ë) Administratori, ortaku dhe punonjësit e angazhuar duhet të gëzojnë besueshmëri për ushtrimin e aktivitetit me lëndët piroteknike, i cili vërtetohet nga dokumenti i besueshmërisë që përpilohet nga struktura e Policisë së Shtetit, ku shtetasi ka vendbanimin, në bazë të kërkesës së bërë nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve;
f) Administratori, ortaku dhe punonjësit e angazhuar nuk duhet të jenë të dënuar për vepra penale;
g) Për produktet, të cilat kërkon të prodhojë, duhet të kryejë pranë një organizmi evropian të notifikuar procedurat e vlerësimit të përputhshmërisë së artikujve piroteknikë, duke ndjekur njërën nga procedurat e parashikuara në nenin 19, të ligjit nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknike”;
gj) Të ketë të punësuar drejtues teknik me kohë të plotë pune dhe që jetë i regjistruar në ekstraktin e QKB, i cili duhet:
i. të ketë arsimin e lartë të nivelit “Master i shkencave” apo ekuivalent me të, në inxhinieri kimie ose kimi industriale ose të ketë përfunduar arsimin e lartë të nivelit “Master i shkencave” apo ekuivalent me të, në fusha akademike ushtarake, me profil në njërën nga këto degë kimi, armatim, municion, forca xheniere, piroteknikë, lëndë plasëse ose lëndë piroteknike;
ii. të ketë përvojë pune dyvjeçare në fushën e prodhimit të artikujve piroteknikë ose të jetë trajnuar e certifikuar pranë një subjekti prodhues për artikuj piroteknikë, brenda ose jashtë vendit, provuar me librezën e punës;
iii. të vërtetojë me raport mjekësor që është i aftë nga ana mendore e fizike;
iv. të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë nga organet përgjegjëse të Policisë së Shtetit;
v. të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë;
vi. të jetë i pajisur me certifikatë trajnimi për kryerjen e kursit të trajnimit për zjarrfikës me rrezik të lartë pranë Akademisë së Sigurisë, lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin.
h) Të ketë të miratuar rregulloren e sigurimit teknik, hartuar nga drejtuesi teknik, ku përcaktohen kushtet e sigurisë, trajnimi i punonjësve, masat për sigurimin e jetës dhe shëndetit të punonjësve dhe mjedisit gjatë prodhimit, magazinimit, asgjësimit dhe testimit të produkteve piroteknike, si dhe identifikimi i rreziqeve, kompensimi i rrezikut nga zjarri, menaxhimin e emergjencave, me qëllim zbutjen e rrezikut të mbetur, nëpërmjet organizimit dhe menaxhimi i ekipeve të sigurisë në drejtim të masave parandaluese dhe mbrojtëse, me referencë të veçantë ndaj sjelljes së zjarrit të strukturave (REI);
i) Të mos punësojë punonjës të patrajnuar nga drejtuesi teknik lidhur me sigurinë në punë, të cilëve u matet efektiviteti i trajnimeve nëpërmjet testimeve para marrjes në punë dhe monitorimeve periodike gjatë periudhës së marrëdhënieve të punës;
j) Personeli përgjegjës për magazinimin, asgjësimin dhe testimin e artikujve piroteknikë duhet të jetë i pajisur me dëshminë e zjarrmëtarit nga organi përgjegjës në ministrinë që mbulon çështjet e industrisë dhe të energjetikës.
Neni 3
Kushtet për pajisjen me autorizim për import ose eksport të artikujve piroteknikë
1. Operatori ekonomik, që kërkon të pajiset me autorizim për import ose eksport të artikujve piroteknikë, duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
a) Të jetë i pajisur me licencën përkatëse për import ose eksport të artikujve piroteknikë;
b) Artikujt piroteknikë që kërkon të importojë apo eksportojë duhet të jenë të pajisur me një nga modulet e parashikuara në nenin 19, të ligjit nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë”;
c) Të ketë të nënshkruar një kontratë të vlefshme apo urdhërporosi;
ç) Të jetë i pajisur me autorizim për magazinim të artikujve piroteknikë, lëshuar nga struktura përgjegjëse në Policinë e Shtetit.
2. Pas plotësimit të kushteve të përgjithshme të licencimit të prodhimit, sipas nenit 2, të këtij kreu, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, me qëllim kryerjen e procedurave të vlerësimit të përputhshmërisë, merr vendim për të lejuar prodhimin vetëm për nevoja testimi, deri në pajisjen nga një organizëm evropian, i notifikuar me certifikatat e vlerësimit të përputhshmërisë, sipas përcaktimeve të nenit 19, të ligjit nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë”.
Neni 4
Kushtet e licencimit për pajisjen me autorizim për transitin e artikujve piroteknikë
1. Operatori ekonomik, që kërkon të pajiset me autorizim për transitin e artikujve piroteknikë, duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
a) Të ketë një kontratë të vlefshme për shërbimin e transportit me shoqërinë transportuese ose të dhënat e transportuesit;
b) Malli që kërkon të transitojë duhet të ketë leje eksporti nga vendi eksportues dhe/ose licencat ose lejet e importit nga vendi importues. Në rast se këto dokumente nuk lëshohen në vendet e huaja, operatori ekonomik, që kërkon autorizim transiti, duhet të bëjë një vetëdeklarim, ku të përcaktojë subjektet eksportuese dhe importuese, si dhe përdoruesin e fundit të artikujve piroteknikë;
c) Të ketë të përcaktuar të dhëna për mjetet e transportit, periudhën kohore të transitit, itinerarin brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pikën doganore hyrëse dhe pikën doganore dalëse.
KREU II
DOKUMENTET SHOQËRUESE QË PARAQITEN PËR PAJISJEN ME LICENCË APO AUTORIZIM
Neni 5
Dokumentet për pajisjen me licencë për import ose eksport
1. Operatori ekonomik, që kërkon të pajiset me licencë për import ose eksport të artikujve piroteknikë, duhet të paraqesë pranë Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dokumentet e mëposhtme:
a) Vërtetimin nga Prokuroria, që shoqëria, administratori, ortaku dhe punonjësit e angazhuar të operatorit ekonomik nuk janë në procedim penal;
b) Vërtetimin, që shoqëria dhe administratori nuk janë në proces gjyqësor penal, lëshuar nga gjykata e rrethit gjyqësor që ka selinë;
c) Vërtetimin nga Shërbimi Përmbarimor Shtetëror, që shoqëria dhe administratori nuk kanë detyrime ndaj personave fizikë apo juridikë, privatë ose shtetërorë;
ç)  Vërtetimin nga dega e tatim-taksave për shlyerjen e detyrimeve;
d) Autorizimin për magazinimin e artikujve piroteknikë, ku të jetë përcaktuar specifikisht kapaciteti mbajtës për artikujt piroteknikë, lëshuar nga strukturat përgjegjëse në Policinë e Shtetit;
dh) Dokumentacionin tekniko-ligjor për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin, projektin e miratuar për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin, si dhe certifikatën e sigurisë nga zjarri për ambientet e magazinimit, lëshuar nga Drejtoria ose sektori i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin në bashkinë përkatëse;
e) Kontratën e shërbimit për ruajtjen fizike të ambienteve të magazinimit të artikujve piroteknikë me një shoqëri të licencuar për shërbimin privat të sigurisë fizike, ku të jenë të parashikuara rregullat e ruajtjes e të sigurimit të magazinave dhe objekteve të tjera të aktivitetit;
ë) Kontratën me drejtuesin teknik, i cili është përgjegjës për çështjet e sigurimit teknik, trajnimit të personelit me rregullat e sigurimit teknik. Drejtuesi teknik duhet të jetë i pajisur me dëshmi zjarrmëtari, lëshuar nga autoriteti përgjegjës për çështjet minerare;
f) Vetëdeklarimin për punonjësit e angazhuar për nevojat e operatorit ekonomik, që plotësojnë kushtet e aftësimit shëndetësor, trajnimit, sipas kërkesave të nenit 17, të ligjit nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë”;
g) Vërtetimin e besueshmërisë për administratorin, ortakun dhe punonjësit e angazhuar;
gj) Vetëdeklarimin e administratorit, ortakut dhe punonjësve të angazhuar, me anë të cilit japin aprovimin për verifikimin në regjistrin e gjendjes gjyqësore. Certifikata e gjendjes gjyqësore për administratorin, ortakun dhe punonjësit e angazhuar, të cilët nuk duhet të jenë të dënuar për vepra penale, nxirret nga administrata e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.
Neni 6
Dokumentet për pajisjen me licencë për prodhimin e artikujve piroteknikë
1. Operatori ekonomik, që kërkon të pajiset me licencë për prodhimin e artikujve piroteknikë, duhet të paraqesë pranë Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dokumentet e mëposhtme:
a) Vërtetimin nga Prokuroria që shoqëria dhe administratori nuk janë në procedim penal;
b) Vërtetimin që shoqëria dhe administratori nuk janë në proces gjyqësor penal, lëshuar nga gjykata e rrethit gjyqësor që ka selinë;
c) Vërtetimin nga përmbarimi që shoqëria dhe administratori nuk kanë detyrime ndaj personave fizikë apo juridikë, privatë ose shtetërorë;
ç)  Vërtetimin nga dega e tatim-taksave për shlyerjen e detyrimeve;
d) Vendimin për vlerësimin e ndikimit në mjedis, deklaratë mjedisore dhe lejen përkatëse mjedisore për prodhimin e artikullit piroteknik;
dh) Lejen e ndërtimit, shoqëruar me projektin e ndërtimit për prodhimin e artikujve piroteknikë, si dhe dokumentacionin e pronësisë ose kontratën e përdorimit të ambienteve që do të përdorë për prodhim;
e) Projektin teknologjik të prodhimit, i cili duhet të jetë i miratuar nga një inxhinier projektues i licencuar dhe me eksperiencë në projektimin e linjave teknologjike;
ë) Aktin teknik dhe projektin për mbrojtjen nga zjarri e shpëtimin për mjediset ku do të  magazinohen dhe do të prodhohen artikujt piroteknikë, ku të jenë përcaktuar sistemet e shuarjes nga zjarri si brenda dhe jashtë ambienteve të prodhimit e të magazinimit;
f) Planveprimin dhe dokumentacionin për kushtet e sigurisë në punë, trajnimin e punonjësve e të stafit, të miratuar nga drejtuesi teknik;
g) Kontratën për ruajtjen e ambienteve të prodhimit e të magazinimit me një shoqëri të licencuar për shërbimin privat të sigurisë fizike, ku të jenë parashikuar rregullat e ruajtjes e të sigurimit të objektit për magazinimin e artikujve piroteknikë;
gj) Autorizimin për magazinimin e artikujve piroteknikë, lëshuar nga autoritetet shtetërore, sipas parashikimeve të nenit 24, të ligjit nr.73/2021;
h) Vetëdeklarimin për punonjësit e angazhuar për nevojat e operatorit ekonomik, që plotësojnë kushtet e aftësimit shëndetësor, trajnimit, sipas kërkesave të nenit 17, të ligjit nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë”;
i) Vërtetimin e besueshmërisë për administratorin, ortakun dhe punonjësit e angazhuar;
j) Vetëdeklarimin e administratorit, ortakut dhe punonjësve të angazhuar, me anë të cilit jepet aprovimi për verifikimin në regjistrin e gjendjes gjyqësore. Certifikata e gjendjes gjyqësore për administratorin, ortakun dhe punonjësit e angazhuar, të cilët nuk duhet të jenë të dënuar për vepra penale, nxirret nga administrata e AKSHE-së;
k) Certifikatën e vlerësimit të përputhshmërisë të artikujve piroteknikë, duke ndjekur njërën nga procedurat e mëposhtme, të parashikuara në nenin 19, të ligjit nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknike”;
l) Kontratën e punësimit me drejtuesin teknik, ku të jenë të përcaktuara detyrat e drejtuesit teknik në lidhje me sigurinë në punë dhe sigurimin e prodhimit;
ll) Certifikatën e trajnimit për drejtuesin teknik për kryerjen e kursit të trajnimit për zjarrfikës me rrezik të lartë pranë Akademisë së Sigurisë, lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin;
m) Rregulloren e sigurimit teknik, ku përcaktohen kushtet e sigurisë e shëndetit të punonjësve dhe mjedisit gjatë prodhimit, magazinimit, asgjësimit dhe testimit të produkteve piroteknike, si dhe identifikimin e rreziqeve, kompensimin e rrezikut nga zjarri, menaxhimin e emergjencave, me qëllim zbutjen e rrezikut të mbetur, nëpërmjet organizimit dhe menaxhimit të ekipeve të sigurisë në drejtim të masave parandaluese dhe mbrojtëse, me referencë të veçantë ndaj sjelljes së zjarrit të strukturave (REI);
n) Vetëdeklarimin nga operatori ekonomik se kimikatet, që do të përdoren si lëndë e parë për prodhimin e artikujve piroteknikë, duhet të jenë në përputhje me parashikimet e ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, si dhe aktet e tjera nënligjore në fuqi.
Neni 7
Dokumentet për pajisjen me autorizim për import ose eksport
1.  Operatori ekonomik, që kërkon të pajiset me autorizim për import ose eksport të artikujve piroteknikë, duhet të paraqesë dokumentet e mëposhtme:
a) Dokumentacionin e origjinës së mallit me llojet dhe sasitë e artikujve piroteknikë nga fabrika prodhuese, si dhe faturën e mallit të shoqëruar me listën e paketimit;
b) Dokumentacionin me të dhënat teknike të përbërjes së artikujve piroteknikë, emërtimin e tyre, kodin përkatës të shoqëruara me fotografi;
c) Deklaratën e përputhshmërisë lëshuar nga prodhuesi, si dhe dokumentacionin për përmbushjen e procedurave për vlerësimin e përputhshmërisë të artikujve piroteknikë, duke paraqitur një nga modulet e parashikuara në nenin 19, të ligjit nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë”;
ç)  Kopjen e kontratës së shërbimit të transportit me shoqërinë transportuese, nëse ka, ose të dhënat e transportuesit;
      d)  Kopjen e kontratës ose urdhrit të porosisë me subjektin e huaj;
dh) Deklaratën e përdoruesit të fundit nga subjekti i huaj importues, në rastet e autorizimit për eksport;
e)  Deklaratën për gjendjen e magazinës për sasinë e artikujve piroteknikë që disponon.
Neni 8
Dokumentet për pajisjen me autorizim për transitin e artikujve piroteknikë
1. Operatori ekonomik, që kërkon të pajiset me autorizim për transitin e artikujve piroteknikë, duhet të paraqesë dokumentet e mëposhtme:
a) Dokumentacionin e origjinës së mallit me llojet dhe sasitë e artikujve piroteknikë nga fabrika prodhuese ose eksportuese, si dhe faturën e mallit të shoqëruar me listën e paketimit;
b) Dokumentacionin me të dhënat teknike të përbërjes së artikujve piroteknikë;
c) Kopjen e kontratës së shërbimit të transportit me shoqërinë transportuese, nëse ka, ose të dhënat e transportuesit;
ç)  Licencat ose lejet e eksportit nga vendi eksportues dhe/ose licencat ose lejet e importit nga vendi importues. Në rast se këto dokumente nuk lëshohen në vendet e huaja, operatori ekonomik, që kërkon autorizim transiti, duhet të bëjë një vetëdeklarim, ku të përcaktojë subjektet eksportuese dhe importuese, si dhe përdoruesin e fundit të artikujve piroteknikë;
d) Të dhëna për mjetet e transportit, periudhën kohore të transitit, itinerarin brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pikën doganore hyrëse dhe pikën doganore dalëse.
Neni 9
Vlefshmëria e dokumentacionit
1. Dokumentacioni ligjor, i paraqitur nga operatorët ekonomikë për t’u pajisur me licencë prodhimi, importi ose eksporti i artikujve piroteknikë, i përcaktuar në nenet 5, 6, 7 dhe 8 , të këtij kreu, duhet të jetë lëshuar nga organet kompetente, brenda 3 muajve të fundit nga data e paraqitjes së kërkesës për pajisjen me licencë.
2. Për dokumentacionin, i cili lëshohet me afat të caktuar vlefshmërie në funksion të licencës/autorizimit,  operatori ekonomik ka detyrimin e rinovimit të tij, sipas legjislacionit në fuqi dhe paraqitjen e dokumentit të rinovuar, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.
Neni 10
Shfuqizimi i licencave/autorizimeve
Në rastet kur operatorit ekonomik nuk i miratohet nga organet përgjegjëse rinovimi i dokumenteve, të përcaktuara në nenet 5, 6, 7 dhe 8, të këtij kreu, të cilat lëshohen me afat të caktuar, licencat e prodhimit, importit ose eksportit të artikujve piroteknikë ose autorizimet përkatëse shfuqizohen.
KREU III
PROCEDURAT E SHQYRTIMIT E TË VENDIMMARRJES DHE AFATET PËR KRYERJEN E TYRE
Neni 11
Procedura standarde e shqyrtimit dhe vendimmarrjes për licencim
1. Operatori ekonomik paraqet kërkesën pranë Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për t’u pajisur me autorizim për importin, eksportin, transitin e artikujve piroteknikë dhe licencë të importit, eksportit ose prodhimit, me shkrim ose nëpërmjet platformave on-line, të shoqëruar me dokumentacionin e plotë, të përcaktuar në kreun II, të këtij vendimi.
2. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve pas marrjes në shqyrtim të kërkesës nga operatori ekonomik, verifikimit të dokumentacionit, të përcaktuar në kreun II dhe plotësimit të kushteve, të përcaktuara në kreun I, të këtij vendimi, vendos miratimin, refuzimin apo i kërkon operatorit ekonomik të plotësojë mangësitë e konstatuara.
3. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve vendos refuzimin e kërkesës për pajisje me licencë importi apo eksporti, në rastet kur:
a) administratori dhe ortaku nuk gëzon besueshmërinë për ushtrimin e aktivitetit me lëndët piroteknike, i provuar nëpërmjet vërtetimit të besueshmërisë, lëshuar nga struktura përgjegjëse në Policinë e Shtetit;
b) operatori ekonomik dhe administratori janë në proces gjyqësor penal;
c) operatori ekonomik dhe administratori janë të dënuar me vendim penal të formës së prerë.
4. Në rastet kur Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve gjatë shqyrtimit të dosjeve konstaton mangësi të dokumentacionit, të parashikuar në nenet 5, 6, 7 dhe 8, të kreut II, nga ana e operatorit ekonomik i kërkon atij me shkresë plotësimin e tyre. Operatori ekonomik ka 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kohë për të plotësuar mangësitë e konstatuara, në të kundërt kërkesa do të konsiderohet e refuzuar. Për këtë do të njoftohet me shkrim, nëpërmjet platformës on-line, operatori ekonomik.
5. Në çdo rast, para lëshimit të licencës së prodhimit, si dhe gjatë vlefshmërisë së saj kur konstatohen ndryshime, të cilat synojnë të prekin procesin teknologjik të prodhimit (makineri, objekte, produkt), Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve propozon që, me urdhër të ministrit përgjegjës për mbrojtjen, të caktohen ekspertë të fushës nga Forcat e Armatosura për verifikimin e kushteve dhe kritereve, të përcaktuara në këtë vendim.
Neni 12
Miratimi ose refuzimi i licencave
1. Miratimi ose refuzimi i licencave të importit dhe eksportit të artikujve piroteknikë jepet brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për pajisjen me licencë, me shkrim ose nëpërmjet platformave on-line, të shoqëruar me dokumentacionin e plotë.
2. Miratimi ose refuzimi i licencës së prodhimit të artikujve piroteknikë jepet brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për pajisjen me licencë, me shkrim ose nëpërmjet platformave on-line, të shoqëruar me dokumentacionin e plotë.
Miratimi i testimit të artikujve piroteknikë pezullon afatet e shqyrtimit të subjektit për licencën e prodhimit.
3. Miratimi ose refuzimi i autorizimeve për importin, eksportin, transitin e artikujve piroteknikë jepet brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për pajisjen me autorizim, me shkrim ose nëpërmjet platformave on-line, të shoqëruar me dokumentacionin e plotë.
4. Për çdo ndryshim që mund të bëjë operatori ekonomik, pas marrjes së licencës në kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim, duhet të njoftojë, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve. Ndryshimet e kërkuara duhet të miratohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve me të njëjtën procedurë shqyrtimi si ajo e miratimit të licencës. Në rast se ndryshimet e kërkuara nuk përputhen me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim, licenca apo autorizimi i lëshuar shfuqizohet.
KREU IV
AFATI I VLEFSHMËRISË SË LICENCAVE, AUTORIZIMEVE DHE DETYRIMET E OPERATORIT EKONOMIK
Neni 13
Afatet e licencimit dhe vlefshmërisë
1. Afati i vlefshmërisë së licencës për importin dhe eksportin e artikujve piroteknike është 5-vjeçar.
2. Afati i vlefshmërisë së licencës për prodhimin e artikujve piroteknikë është 8-vjeçar.
3. Afati i vlefshmërisë së autorizimeve për importin, eksportin dhe transitin e artikujve piroteknikë është 1-vjeçar.
Neni 14
Detyrimet e operatorit ekonomik
1. Operatori ekonomik, i pajisur me licencë importi ose eksporti, duhet që të dërgojë pranë Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve deklaratë vjetore, të shoqëruar me një pasqyrë për sasinë në gjendje të artikujve piroteknikë, brenda datës 15 janar të çdo viti.
2. Operatori ekonomik, i pajisur me licencë prodhimi, duhet të raportojë pranë Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për:
a) sasinë e mallit të prodhuar çdo fund muaji;
b) deklaratën vjetore, të shoqëruar me një pasqyrë për sasinë në gjendje të artikujve piroteknikë, brenda datës 15 janar, të vitit pasardhës.
3. Operatori ekonomik, i licencuar për prodhimin e artikujve piroteknikë, gjatë ushtrimit të veprimtarisë duhet të përmbushë këto detyrime:
a) Informon për probleme që lidhen me veprimtarinë e prodhimit të artikujve piroteknikë autoritetin licencues ose autoritetet e tjera shtetërore, që kanë kompetenca për kontrollin e kësaj veprimtarie;
b) Përmbush, brenda afateve, detyrat e lëna pas inspektimit nga autoriteti licencues dhe autoritetet shtetërore që kanë kompetenca për kontrollin e kësaj veprimtarie;
c) Harton dhe afishon në mënyrë të dukshme skemat për reagimin ndaj situatave emergjente dhe parashikon plane të veçanta për përballimin e tyre;
ç) Lajmëron autoritetin licencues për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës me drejtuesit teknikë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga zgjidhja e kontratës së punës dhe zëvendëson drejtuesin teknik, brenda një periudhe kohore prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh. Për marrjen në shqyrtim të këtij ndryshimi ndiqet e njëjta procedurë si ajo e pajisjes me licencë të subjektit. Në rast se drejtuesi teknik nuk plotëson kushtet e përcaktuara në këtë vendim, licenca apo autorizimi i lëshuar shfuqizohet.
4. Operatori ekonomik i pajisur me autorizim për import, eksport ose transit, duhet që:
a) për çdo transferim të mallit të njoftojë 24 (njëzet e katër) orë përpara mbërritjes së mallit në Republikën e Shqipërisë ose dërgimit, me anën e një vetëdeklarimi, Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, për sasinë që do të importojë, do të eksportojë ose do të transitojë;
b) të dërgojë pranë Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dokumentet e importit, eksportit ose transitit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e lëvrimit, të shoqëruara me deklaratat doganore.
KREU V
PROCEDURAT E SHFUQIZIMIT DHE PEZULLIMIT TË LICENCAVE DHE AUTORIZIMEVE
Neni 15
Procedura e shfuqizimit dhe pezullimit të licencave dhe autorizimeve
1. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve vendos marrjen e masave administrative me gjobë, me pezullim ose shfuqizim të licencës apo autorizimit, sipas rasteve të përcaktuara në nenin 33, të ligjit nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë”.
2. Në rastet e pezullimit të licencës apo autorizimit, operatorit ekonomik i lihet një afat 6-mujor për plotësimin e mangësive të konstatuara. Në përfundim të këtij afati, në rast të mosplotësimit të mangësive, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve vendos për shfuqizimin e licencës ose autorizimit.
Neni 16
Ankimimi ndaj vendimeve të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve
1. Vendimet e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve mund të ankimohen te ministri përgjegjës për mbrojtjen, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes dijeni.
2. Ministri përgjegjës për mbrojtjen, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së ankimit, vendos për lënien në fuqi, ndryshimin ose shfuqizimin e vendimit të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.
3. Ndaj vendimit të ministrit përgjegjës për mbrojtjen mund të bëhet ankim në rrugë gjyqësore, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga data e marrjes dijeni.
Neni 17
Bashkëpunimi me institucionet e tjera
Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve bashkëpunon me institucionet e tjera përgjegjëse, të përcaktuara në nenin 24, të ligjit nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknike”, si dhe kërkon, pranon dhe u jep atyre zyrtarisht informacion për operatorët ekonomikë që paraqesin kërkesat për pajisjet me licencë apo autorizim pranë tij, sipas fushave të përgjegjësisë.
KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 18
1. Formularët e paraqitjes së kërkesës për pajisjen me licencë dhe autorizim, formati i raportimeve, si dhe modelet standarde të licencave dhe autorizimeve, miratohen me urdhër të titullarit të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.
2. Vendimi nr.932, datë 18.11.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurën për dhënien e licencave të importit, eksportit dhe prodhimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve për përdorim civil”, i ndryshuar, shfuqizohet.
3. Licencat dhe autorizimet e dhëna publikohen në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve.
4. Ngarkohen Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS (NR.ABA-P3, DATË 30 QERSHOR 2008), NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS JAPONEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (TË ZËVENDËSUAR NGA AGJENCIA JAPONEZE E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR, NË TETOR 2008), PËR PROJEKTIN “PËRMIRËSIMI I SISTEMIT TË KANALIZIMEVE PËR TIRANËN E MADHE”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9964, DATË 24.7.2008
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas (nr.ABA-P3, datë 30 qershor 2008), ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (të zëvendësuar nga Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në tetor 2008), për projektin “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, ratifikuar me ligjin nr.9964, datë 24.7.2008, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.223, datë 13.4.2022, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të ndryshimit me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas nr.ABA-P3, datë 30 qershor 2008, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (të zëvëndësuar nga Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në tetor 2008), për projektin “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, ratifikuar me ligjin nr.9964, datë 24.7.2008, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR BASHKËPUNIMIN NË LEHTËSIMIN E PROCEDURAVE NË PIKAT E INSPEKTIMIT KUFITAR PËR PRODUKTET ME ORIGJINË JOSHTAZORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin në lehtësimin e procedurave në pikat e inspektimit kufitar për produktet me origjinë joshtazore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.359, DATË 29.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR PARIMET DHE UDHËZIMET E PRAKTIKËS SË PRODHIMIT TË MIRË TË BARNAVE, PËR PËRDORIM NJERËZOR, NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në rregulloren “Për parimet dhe udhëzimet e praktikës së prodhimit të mirë të barnave, për përdorim njerëzor, në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr.359, datë 29.4.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Në kreun I bëhen ndryshimet e mëposhtme:
i. Shkronja “b”, e pikës 1.5, shfuqizohet.
ii. Shkronja “b”, e pikës 1.12, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Kontrata përcakton qartë përgjegjësitë e secilës palë dhe shpjegon, në veçanti, respektimin e PMF-së së barnave, që duhet të ndiqet nga pranuesi i kontratës.”.
b) Në “Fjalorin e termave”, në përkufizimin “Person i kualifikuar”, në shkronjën “b”, togfjalëshi “… të paktën dy vjet …” zëvendësohet me “… jo më pak se 5 vjet …”.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E SHËRBIMEVE TË TRANSPORTIT RRUGOR TË NJË PJESE TË PASURIVE, ME NR.4/53; NR.4/222; NR.4/223; NR.4/296; NR.4/130; NR.4/315; NR.4/652, NË ZONËN KADASTRALE 8591, SHKODËR, DHE PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.226, DATË 23.4.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË SHËRBIMIT TË TRANSPORTIT RRUGOR, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË TRANSPORTIT DHE TË TELEKOMUNIKACIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi te Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor të një pjese të pasurive me nr.4/53; nr.4/222; nr.4/223; nr.4/296; nr.4/130; nr.4/315; nr.4/652, në zonën kadastrale 8591, Shkodër, sipas formularit për inventarizimin dhe planeve të rilevimit që i bashkëlidhen këtij vendimi, për ndërtimin e “Terminalit të autobusëve ndërqytetas Shkodër”.
2. Në listën e inventarit të pronave, të miratuar me vendimin nr.226, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, shtohen edhe pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN  NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I TREGUT PËR SHITJET ME SHUMICË DHE PAKICË I PRODUKTEVE  USHQIMORE (TIRANA AGRIKULTURË)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i tregut për shitjet me shumicë dhe pakicë i produkteve ushqimore (Tirana Agrikulturë)”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “vreshtë”, me një vlerë të përgjithshme prej 3 434 215.68 (tre milionë e katërqind e tridhjetë e katër mijë e dyqind e pesëmbëdhjetë pikë gjashtëdhjetë e tetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 3 434 215.68 (tre milionë e katërqind e tridhjetë e katër mijë e dyqind e pesëmbëdhjetë pikë gjashtëdhjetë e tetë) lekësh, përballohet nga Bashkia Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 1, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi, në favor të Bashkisë Tiranë.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi, në favor të Bashkisë Tiranë.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 1, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.662, DATË 8.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE PROCEDURAVE PËR HAPJEN DHE PËR MBYLLJEN E INSTITUCIONEVE ARSIMORE PARAUNIVERSITARE PUBLIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 41, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 23, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.662, datë 8.10.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Kudo në përmbajtje të vendimit, fjalët “… qeverisjes vendore …” zëvendësohen me “… vetëqeverisje vendore …” dhe fjalët “… njësia arsimore përkatëse vendore …” zëvendësohen me “… Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar përkatëse …”.
2. Në pikën 1, të nënkreut A, të kreut I, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Fjalët “… për herë të parë e njërit prej institucioneve …” zëvendësohen me “… të institucioneve …”;
b) Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “b/1”, me këtë përmbajtje:
“b/1) Shkollë e arsimit bazë;”.
3. Në pikën 7, të nënkreut A, të kreut I, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Shkronjat “ç”, “dh” dhe “e” ndryshohen, si më poshtë vijon:
 “ç) Infrastruktura është e mjaftueshme dhe e përshtatshme, që plotëson standardet sipas legjislacionit në fuqi;
dh) Deklarimin për përmbushjen e standardeve të përgjithshme, të përcaktuara nga ministria përgjegjëse për arsimin, lidhur me ngarkesën mësimore të mësuesve.
 e) Deklarimin për plotësimin e kritereve profesionale për drejtuesin dhe personelin mësimor, sipas përcaktimeve në kuadrin ligjor në fuqi.”.
b) Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Plotëson standardet që lidhen me kurrikulën mësimore, të përcaktuara  nga ministria përgjegjëse për arsimin.”.
4. Pas nënkreut B, të kreut I, shtohet nënkreu C, me këtë përmbajtje:
     “C. HAPJA DHE MBYLLJA E SHKOLLAVE TË BASHKUARA
1. Në kuptim të këtij vendimi, “Hapja e shkollave të bashkuara” është procesi i hapjes së një institucioni arsimor parauniversitar publik, ku përfshihen nxënës, sipas përcaktimeve në nenin 24/1, të ligjit nr.69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2. Hapja e shkollave të bashkuara realizohet nëpërmjet bashkimit apo ndarjes së disa institucioneve arsimore parauniversitare publike, të përcaktuara në pikën 1, të nënkreut A, të kreut I, të këtij vendimi. Ky proces iniciohet me kërkesë të njësive të vetëqeverisjes vendore ose Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar mbi bazën e studimeve të argumentuara apo kërkesës/ave objektive të komunitetit të zonës, ku ushtron veprimtarinë institucioni arsimor.
3. Institucioni/et arsimor/e parauniversitar/e publik/e hapen si shkollë e bashkuar kur vlerësohet i nevojshëm:
a) përmirësimi i menaxhimit të institucionit për të përmbushur funksionet e përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi;
b) bashkimi/ndarja e institucioneve arsimore parauniversitare publike për të optimizuar burimet njerëzore, financiare dhe të infrastrukturës;
c) transferimi i një institucioni arsimor publik në një zonë tjetër për ushtrimin e veprimtarisë;
d) në çdo rast tjetër, në kuadër të zbatimit të reformave në fushën e politikave të arsimit parauniversitar.
4. Shkollat e bashkuara mbyllen në rastet kur secili prej institucioneve arsimore parauniversitare publike, të përcaktuara në pikën 1, të nënkreut A, të kreut I, të këtij vendimi, që kanë qenë pjesë e shkollës së bashkuar, hapet si institucion arsimor parauniversitar më vete.
5. Vendimmarrja e ministrisë përgjegjëse për arsimin bazohet në vlerësimet e kryera nga institucionet përgjegjëse në varësi të saj të nevojave për hapjen apo mbylljen e shkollës së bashkuar, bazuar në analizën e shtimit/pakësimit të numrit të nxënësve, kushteve social-ekonomike të zonës ku do të hapet shkolla e bashkuar, si dhe në bazë të vlerësimit të performancës dhe të plotësimit të standardeve nga institucioni arsimor parauniversitar publik.
6. Hapja dhe mbyllja e shkollave të bashkuara realizohet në përfundim të vitit shkollor.”.
II. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, njësitë e vetëqeverisjes vendore, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.514, DATË 18.9.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E ZBATIMIT, MBIKËQYRJES DHE KOLAUDIMIT PËR REHABILITIMIN E INFRASTRUKTURËS SË RRJETIT TË KULLIMIT NË ZONËN E PORTO-ROMANOS – KËNETË DHE SISTEMIMIN E RRJETIT TË UJËRAVE TË SHIUT NË ZONËN URBANE TË QYTETIT TË DURRËSIT DHE CAKTIMIN E BASHKISË DURRËS, SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar,  me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.514, datë 18.9.2021, të Këshillit të Ministrave, pas pikës 2/1 shtohet pika 2/2, me këtë përmbajtje:
 “2/2. Bashkisë Durrës, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, i transferohet fondi, në masën 892 511 312.6 (tetëqind e nëntëdhjetë e dy milionë e pesëqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e dymbëdhjetë pikë gjashtë) lekë pa TVSH, për financimin e zbatimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto-Romanos – Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit, i cili përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit miratuar për vitin 2023 dhe i transferohet Bashkisë Durrës, në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE PËR TRANSFERIMIN E PUNONJËSVE TË GARDËS SË REPUBLIKËS NË STRUKTURA TË TJERA ME GRADË, NË VARËSI TË MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR RENDIN DHE SIGURINË PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 27, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Punonjësit e Gardës së Republikës mund të transferohen, për arsye shërbimi, në struktura të tjera me gradë, në varësi të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, me kërkesën e këtyre të fundit.
2. Punonjësit, të cilët transferohen në struktura të tjera me gradë, emërohen në funksion në nivel ekuivalent me gradën që kanë.
3. Titullarët e institucioneve kërkuese, të cilët shprehin interes për emërimin e punonjësve të Gardës së Republikës, në strukturat e tyre, paraqesin kërkesën me shkrim pranë drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, duke specifikuar kriteret dhe kualifikimin që duhet për të kryer detyrën.
4. Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës, për çdo funksion të kërkuar nga institucionet kërkuese, përzgjedh kandidaturën që plotëson kriteret e kërkuara dhe e përcjell atë tek institucioni kërkues, së bashku me dokumentacionin që vërteton kualifikimin e tij për pozicionin e propozuar.
5. Kur kandidatura e përzgjedhur mban gradën “Drejtues i lartë”, transferimi bëhet me urdhër të ministrit, pas propozimit të drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës.
6. Institucioni kërkues, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e kandidaturës së propozuar, sipas pikave 4 dhe 5, të këtij vendimi, shprehet me shkrim për pranimin ose jo të tij.
7. Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, pas marrjes së dakordësisë, nxjerr urdhrin e transferimit të punonjësit dhe ia përcjell atë institucionit kërkues, së bashku me dosjen personale.
8. Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës ka të drejtë që për nevoja pune të kërkojë rikthimin e punonjësit në Gardën e Republikës, para plotësimit të afatit të transferimit, por jo më parë se 6 (gjashtë) muaj nga transferimi.
9. Punonjësi i transferuar pranë strukturave/institucioneve të tjera me gradë, në varësi të ministrisë, sipas këtij vendimi, në përfundim të periudhës së qëndrimit në detyrë, ka të drejtë të rikthehet në strukturat e Gardës në një funksion, në përputhje me gradën që mban aktualisht.
10. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Garda e Republikës, Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera me gradë në ministrinë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Përgatitjet e shkollave, Ministrja Kushi në Roskovec: E nisim vitin shkollor me mjedise moderne dhe terrene të reja sportive