Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Maj 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Maj 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Maj 2023:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE NR.1020, FSHATI ALLPRENAJ, NJËSIA ADMINISTRATIVE GOLEM, BASHKIA LUSHNJË, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “5GX ENERGY”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale nr.1020, fshati Allprenaj, njësia administrative Golem, Bashkia Lushnjë, Qarku Fier, nga shoqëria “5GX ENERGY”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “5GX ENERGY”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal, NIPT/NUIS: M27511801Q;
c) Tipi centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 10 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndertimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të parkut fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën kadastrale nr.1020, fshati Allprenaj, njësia administrative Golem, Bashkia Lushnjë, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale nr.1020, fshati Allprenaj, njësia administrative Golem, Bashkia Lushnjë, Qarku Fier, e dhënë sipas këtyre rregullave, mund të transferohet te një subjekt i tretë, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
gj) Shoqëria “5GX ENERGY”, sh.p.k., ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “5GX ENERGY”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “5GX ENERGY”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE EOLIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË TRAGJAS, NJËSIA ADMINISTRATIVE ORIKUM, QARKU VLORË, NGA SHOQËRIA “RENEW POWER ALBANIA”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni, në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë, nga shoqëria “RENEW POWER ALBANIA”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “RENEW POWER ALBANIA”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal, NIPT/NUIS: L52403002R;
c) Tipi centralit: Eolik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 3 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë: Koha për marrjen e lejes së ndërtimit, ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ose Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqërisë “RENEW POWER ALBANIA”, sh.p.k., i lind e drejta të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit eolik;
gj) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, me kapacitet të instaluar 3 MW, i cili nuk është objekt koncesioni, në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë, e dhënë sipas këtyre rregullave, si dhe më shumë se 10% e kuotave të shoqërisë për qëllime të veçanta mund të transferohet te një subjekt i tretë, tërësisht ose pjesërisht, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
h) Shoqëria “RENEW POWER ALBANIA”, sh.p.k., ose shoqëria për qëllime të veçanta ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht, çdo tre muaj, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ose institucioneve të tjera të autorizuara informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “RENEW POWER ALBANIA”, sh.p.k., ose shoqërisë për qëllime të veçanta dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “RENEW POWER ALBANIA”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KATEGORIVE TË TJERA TË NDËRTESAVE QË PËRJASHTOHEN NGA LIGJI NR.116/2016, “PËR PERFORMANCËN E ENERGJISË NË NDËRTESA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 4, të ligjit nr.116/2016, “Për performancën e energjisë së ndërtesave”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e kategorive të tjera të ndërtesave dhe njësive të ndërtesave që do të jenë objekt përjashtimi prej detyrimeve që rrjedhin nga ligji nr.116/2016, “Për performancën e energjisë së ndërtesave”.

2. Termat e përcaktuar në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim si në ligjin nr.116/2016, “Për performancën e energjisë së ndërtesave”, ndërsa me termat e mëposhtëm nënkuptohen:

a) “Ndërtesa në formën e sallave të hapura”, sallat e sportit (basketboll dhe fusha tenisi, pishina, salla gjimnastike, pista vrapimi) sallat teatrale, cirqet, sallat e mbështjella me material plastmasi, duke përfshirë dhe hapësirën për qëndrimin e spektatorëve;
b) “Ndërtesa ushtarake dhe të mbrojtjes”, magazinat ushtarake, si dhe kazermat për Forcat e Armatosura;
c) “Ndërtesat, njësi nëntokësore”, ndërtesat ose njësitë të cilat shfrytëzohen për qëllime të tilla, si ndërtesa për garazhe (tokësore dhe nëntokësore), parkime të mbuluara të automjeteve, qilarët, qilarë verërash;
ç) “Zona me kërkesa minimale të komfortit”, zonat ku përfshihen të gjitha aktivitetet e parashikuara sipas shtojcës II, bashkëlidhur këtij vendimi.

3. Kategoritë e ndërtesave ose njësitë e ndërtesave, që përjashtohen nga detyrimi për të zbatuar kërkesat minimale për performancën e energjisë në ndërtesa dhe masat e tjera që rrjedhin nga ligji nr.116/2016, janë:

a) ndërtesat, njësi nëntokësore, të cilat janë të destinuara për t’u përdorur për aktivitete sipas shkronjës “c”, të pikës 2, duke përjashtuar rastet kur njësitë nëntokësore përdoren si zona që duhet të plotësojnë kërkesat minimale të komfortit, sipas shtojcës II, bashkëlidhur këtij vendimi;
b) ndërtesat ose njësitë nëntokësore me status ushtarak dhe civil të mbrojtjes (të Forcave të Armatosura dhe të mbrojtjes civile) dhe të institucioneve të tjera qendrore për rritjen e sigurisë publike, duke përfshirë ndërtesat që shërbejnë për qëllime stërvitjeje, poligone, tunele, bunkerë strehimi, magazina ushtarake, për aq kohë sa ndërtesat ose njësitë e ndërtesës nuk përdoren si zona që duhet të plotësojnë kërkesat minimale të komfortit sipas shtojcës II të këtij vendimi;
c) ndërtesat e veçuara, të cilat nuk përdoren si zona që duhet të plotësojnë kërkesat minimale të komfortit sipas shtojcës II të këtij vendimi;
ç) magazinat ku mbahen mallra të ndryshme të cilat nuk kanë datë skadence. Magazinat, të cilat kanë në projekt ose kanë të vendosur impiant teknik për kondicionimin e ajrit, nuk klasifikohen në ndërtesat që përjashtohen nga ky vendim pavarësisht materialeve ose produkteve që do të magazinohen;
d) ndërtesat në formën e sallave të hapura, për aq kohë sa nuk përdoren si zona që duhet të plotësojnë kërkesat minimale të komfortit sipas shtojcës II të këtij vendimi.
dh) objektet që do të ndërtohen në zbatim të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, dhe ndërtimi i të cilave miratohet nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit.

4. Subjektet, që përfitojnë sipas pikës 3, të këtij vendimi, dorëzojnë pranë Agjencisë për Efiçencën e Energjisë deklaratën sipas shtojcës I, bashkëlidhur këtij vendimi.

5. Agjencia për Efiçencën e Energjisë monitoron subjektet që përfitojnë, sipas pikës 3 të këtij vendimi, duke bërë auditimin energjetik të ndërtesës ose të njësisë së ndërtesës.

6. Vendimi nr.122, datë 3.3.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kategorisë së ndërtesave, që përjashtohen nga ligji nr.116/2016, “Për performancën e energjisë së ndërtesave”, shfuqizohet.

7. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia për Efiçencën e Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.543, DATË 17.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË TË PASURISË NR.1/644, ZONA KADASTRALE NR.8210, TIRANË, NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË DREJTËSISË DHE KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA BASHKIA TIRANË TE MINISTRIA E DREJTËSISË, TË PASURISË NR.5/626, ZONA KADASTRALE NR.8160, TIRANË, SI DHE PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.670, DATË 7.8.2013, DHE NR.219, DATË 21.3.2017”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Planvendosja e sipërfaqes prej 4 900 (katër mijë e nëntëqind) m2, pjesë e pasurisë nr.5/626, në zonën kadastrale 8160, me emërtimin “truall”, me vendndodhje në Qytetin Studenti, Tiranë, që i bashkëlidhet vendimit nr.543, datë 17.7.2019, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me planvendosjen, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.422, DATË 6.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, RREGULLAT E FUNKSIONIMIT DHE TRAJTIMIN FINANCIAR TË GRUPIT NEGOCIATOR DHE DETYRAT E KRYENEGOCIATORIT PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE TË ADERIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me propozimin e Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 1, të kreut I, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në nënndarjen “- Z. Besfort Lamallari, zëvendësministër i Brendshëm, dhe z. Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 24”, fjalët “… dhe z. Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm, bashkënegociator përgjegjës …” zëvendësohen me “… negociator përgjegjës …”;
b) Nënndarja “- Znj. Adela Xhemali, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, negociator përgjegjës për kriterin ekonomik dhe kapitujt 4, 32 dhe 33” zëvendësohet me “- Znj. Adela Xhemali, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, negociator përgjegjës për kriterin ekonomik, kapitujt 32 dhe 33”;
c) Nënndarja “- Z. Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, negociator përgjegjës për kapitujt 1, 2, 3, 6, 7, 20 dhe 30, si dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 19 e 28” zëvendësohet me “- Z. Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, negociator përgjegjës për kapitujt 1, 3, 6, 7, 20 dhe 30, si dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 4 dhe 28.”;
ç) Fjalët “Znj. Ermira Gjeçi …” zëvendësohen me “Z. Arian Jaupllari …”;
d) Fjalët “Znj. Ornela Çuçi …” zëvendësohen me “Znj. Almira Xhembulla …”;
e) Në fund të nënndarjes “- Znj. Natasha Ahmetaj, zëvendësguvernator i dytë në Bankën e Shqipërisë, negociator përgjegjës për kapitullin 17”, shtohen fjalët “… dhe bashkënegociator për kapitullin 4”;
f) Në fund shtohet nënndarja “- Znj. Olta Manjani, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, negociator përgjegjës për kapitullin 2, si dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 19;”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit dhe Kryenegociator dhe grupi negociator për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS “TASI DËMA”, FIER”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës “Tasi Dëma”, Fier”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Fier.

3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 3 052 210 (tre milionë e pesëdhjetë e dy mijë e dyqind e dhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 3 052 210 (tre milionë e pesëdhjetë e dy mijë e dyqind e dhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Fier.

8. Bashkia Fier kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Fier.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Fier për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Fier për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Bashkia Fier, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RRUGA E RE E VARREZAVE ELBASAN DHE NDËRTIMI I NËNKALIMIT HEKURUDHOR NË KRYQËZIMIN E RRUGËS NACIONALE ELBASAN – LIBRAZHD ME RRUGËN “BORODIN MITARJA” DHE “RIKONSTRUKSION DHE NDËRHYRJE NË LINJËN K.U.Z., NDËRTIMI I SHESHIT TË PARKIMIT TË VARREZAVE PUBLIKE DHE ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE””, BASHKIA ELBASAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rruga e re e varrezave Elbasan dhe ndërtimi i nënkalimit hekurudhor në kryqëzimin e rrugës nacionale Elbasan-Librazhd me rrugën “Borodin Mitarja” dhe “Rikonstruksion dhe ndërhyrje në linjën K.U.Z., ndërtimi i sheshit të parkimit të varrezave publike dhe zgjerimi i varrezave publike””, Bashkia Elbasan.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 9 303 354 (nëntë milionë e treqind e tre mijë e treqind e pesëdhjetë e katër) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 303 354 (nëntë milionë e treqind e tre mijë e treqind e pesëdhjetë e katër) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Elbasan.

8. Bashkia Elbasan kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Elbasan.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Elbasan për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Bashkia Elbasan, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.441, DATË 3.6.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E HARTIMIT TË PROJEKTEVE PËR MIRATIMIN E LEJEVE TË NDËRTIMIT, PËR NDËRTIMIN E NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË ZONAT E SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR, NË BASHKITË DURRËS, KAVAJË, KAMZË, MIRDITË, KRUJË, KURBIN, LEZHË, SHIJAK DHE VORË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, të neneve 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.441, datë 3.6.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në titullin e vendimit hiqen fjalët “… miratuar në buxhetin e vitit 2020 …”;
b) Pas pikës 2 shtohen pikat 2.1 dhe 2.2, me këtë përmbajtje:

“2.1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2023, për financimin e hartimit të projektit për miratimin e lejeve të ndërtimit, përfshirë kostot për shërbime të rilevimeve topografike, vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe të shërbimeve gjeologjike, që i takojnë nëntokës e punimeve në themel, për ndërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar, në bashkitë Durrës, Kamzë, Mirditë Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shijak dhe Vorë, në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë pa TVSH;

2.2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, i kalohet fondi në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë pa TVSH, për financimin e hartimit të projekteve, sipas përcaktimeve të pikës 2.1, të këtij vendimi.”.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.587, DATË 22.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA, (PALLAT) TË DËMTUARA, NË ZONAT E REJA PËR ZHVILLIM DHE RINDËRTIM NË TË NJËJTIN TRUALL”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.587, datë 22.7.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Numërtimi i pikës 5 ndryshohet dhe bëhet “pika 6”;
b) Numërtimi i pikës 6 ndryshohet dhe bëhet “pika 7”;
c) Pas pikës 4.1, shtohen pikat 5 dhe 5.1, me këtë përmbajtje:

“5. Përdorimin e fondit, miratuar në buxhetin e vitit 2023 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në masën 1 500 000 000 (një miliard e pesëqind milionë) lekë pa TVSH, për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e reja për zhvillim dhe rindërtim në të njëjtin truall në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.

5.1. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, i shtohet fondi prej 1 500 000 000 (një miliard e pesëqind milionë) lekësh pa TVSH.”.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.202, DATË 5.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NDËRTIMIN DHE RIKONSTRUKSIONIN E INFRASTRUKTURËS PUBLIKE, SI DHE ÇDO NDËRHYRJE TJETËR NË FUNKSION TË RINDËRTIMIT TË KËTYRË BANESAVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.202, datë 5.3.2020, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 2.4, me këtë përmbajtje:

“2.4. Fondi që do të përdoret, i miratuar në buxhetin e vitit 2023, do të jetë në masën 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) lekë, pa TVSH, i cili do t’i shtohet Fondit Shqiptar të Zhvillimit në buxhetin e miratuar për vitin 2023, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, brenda dhe jashtë zonave të reja për zhvillim, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike, si dhe çdo ndërhyrje tjetër, në funksion të rindërtimit të banesave individuale, jashtë zonave të reja për zhvillim.”.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.212, DATË 11.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pas pikës 2.2, të vendimit nr.212, datë 11.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 2.3, me këtë përmbajtje:

“2.3. Përdorimi i fondit, i miratuar në buxhetin e vitit 2023, të jetë në masën 20 000 000 (njëzet milionë) lekë pa TVSH, i cili i shtohet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi.”.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.307, DATË 16.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT DHE NDËRTIMIT TË INFRASTRUKTURËS PUBLIKE NË ZONAT E REJA TË SHPALLUARA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.307, datë 16.4.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas pikës 3.3 shtohet pika 3.4, me këtë përmbajtje:

“3.4. Përdorimi i fondit të miratuar në buxhetin e vitit 2023, në masën 200 000 000 (dyqind milionë) lekë pa TVSH, i shtohet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në bashkitë Durrës, Kamzë, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak e Vorë”.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Shërbime konsullore për shqiptarët që jetojnë në ishujt e Greqisë, mbyllet me sukses projekti “Ishujt 2023”