Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 5 Korrik 2023:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN “QËNDRUESHMËRIA NDAJ KLIMËS DHE ZHVILLIMIT TË BUJQËSISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Qëndrueshmëria ndaj klimës dhe zhvillimit të bujqësisë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.9244/2014, “PËR MBROJTJEN E TOKËS BUJQËSORE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa në ligjin nr.9244/2014, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.226, DATË 21.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E KOSTOS SË MENAXHIMIT TË PROJEKTEVE QË ZBATOHEN NGA FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 50 e 51, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për sistemin buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 6, pikat 2, shkronja “a”, e 4, dhe 8, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr.10130, datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.226, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, fjalët “… në masën 5% …” zëvendësohen me “… në masën 7% …”.
2. Kostoja operacionale në masën 7%, sipas pikës 1, të këtij vendimi, zbatohet për programet/projektet e reja të investimeve publike, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR VITIN 2023, NDËRMJET MINISTRISË SË KULTURËS DHE SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2023 bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:
a) Ministrisë së Kulturës, në programin “Arti dhe kultura”, në shpenzime korente, i shtohet fondi prej 60 000 000 (gjashtëdhjetë milionë) lekësh, për promovimin e trashëgimisë kulturore nëpërmjet zhvillimit të aktiviteteve artistiko-kulturore përgjatë sezonit turistik veror 2023.
b) Shërbimit Informativ të Shtetit, në programin “Veprimtaria informative shtetërore”, në shpenzime korente, i pakësohet fondi prej 60 000 000 (gjashtëdhjetë milionë) lekësh.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Kulturës dhe Shërbimi Informativ i Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE E TË RREGULLAVE PËR PËRZGJEDHJEN, KONTRAKTIMIN DHE SHPËRBLIMIN E PËRKTHYESVE ZYRTARË, SI DHE TË MËNYRËS SË KONTROLLIT TË SHËRBIMIT TË KRYER NGA PËRKTHYESIT ZYRTARË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.82/2021, “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky vendim ka për objekt përcaktimin e kritereve e të rregullave për përzgjedhjen, kontraktimin dhe shpërblimin e përkthyesve zyrtarë, si dhe të mënyrës së kontrollit të shërbimit të kryer nga përkthyesit zyrtarë, që janë certifikuar dhe regjistruar në regjistrin elektronik të përkthyesve zyrtarë, në përputhje me kushtet dhe procedurat e parashikuara në ligjin nr.82/2021, “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar” (më poshtë “ligji për përkthimin zyrtar”).
Neni 2
Përkufizime
Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Organ kontraktues”, organet proceduese, Gjykata Kushtetuese dhe autoritetet e tjera publike, të cilave ligji u ka njohur të drejtën për përkthimin zyrtar, sipas ligjit për përkthimin zyrtar.
2. “Versioni shqip i acquis të Bashkimit Evropian”, versioni i përkthyer i aktit normativ përkatës të Bashkimit Evropian në gjuhën shqipe, i cili është gjuhësisht dhe juridikisht i barabartë me gjuhën burimore, duke ruajtur plotësisht kuptimin e fjalisë dhe përmbajtjen e akteve të përkthyera.
3. “Legjislacioni shqiptar në njërën nga gjuhët e Bashkimit Evropian” versioni i përkthyer i aktit normativ përkatës të Republikës së Shqipërisë në njërën nga gjuhët e Bashkimit Evropian, i cili është gjuhësisht dhe juridikisht i barabartë me gjuhën shqipe, duke ruajtur plotësisht kuptimin e fjalisë dhe përmbajtjen e aktit të përkthyer.
4. “Sigurimi i cilësisë”, një proces rishikimi në dy nivele, duke përfshirë shqyrtimin e terminologjisë specifike sektoriale dhe gjuhësore dhe që synon të sigurojë që përkthimet përmbushin standardet e cilësisë të përcaktuara nga organi kontraktues.
KREU II
RREGULLAT E PËRGJITHSHME PËR PËRZGJEDHJEN E PËRKTHYESIT ZYRTAR
Neni 3
Përzgjedhja e përkthyesit zyrtar nga regjistri elektronik
1. Organet kontraktuese përzgjedhin përkthyes zyrtarë nga regjistri elektronik. Kur përkthyesi zyrtar caktohet nga organi procedues, Gjykata Kushtetuese ose Ministria e Drejtësisë për përkthimet, që kryhen në kuadër të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë, zbatohen rregullat e përcaktuara në këtë vendim. Në çdo rast tjetër, procedurat e përzgjedhjes së përkthyesve do të bëhen sipas rregullave të parashikuara në ligjin e prokurimit publik, në bazë të kritereve që përcakton ky vendim.
2. Përzgjedhja e përkthyesit zyrtar nga regjistri elektronik duhet të garantojë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës.
Neni 4
Kriteret për përzgjedhjen e përkthyesit zyrtar
1. Përkthyesi zyrtar përzgjidhet, duke u bazuar në kriteret e mëposhtme:
a) Arsimimi në fushën për të cilën kërkohet përkthimi;
b) Vendbanimi i përkthyesit zyrtar ose vendi i ushtrimit të veprimtarisë së përkthimit zyrtar të jetë në apo pranë juridiksionit të organit kontraktues;
c) Vlerësimet e shërbimit të ofrimit të përkthimit zyrtar, të bëra nga palët kontraktuese të mëparshme;
ç) Eksperiencat e mëparshme profesionale në fushën për të cilën kërkohet përkthimi;
d) Studimet e thelluara ose trajnimet e vazhdueshme në fushën për të cilën kërkohet përkthimi;
dh) Eksperiencat profesionale të mëparshme të përkthyesit zyrtar me palën kontraktuese përzgjedhëse.
2. Në rastet e përkthimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian në gjuhën shqipe dhe të legjislacionit shqiptar në njërën nga gjuhët e Bashkimit Evropian, përveç kritereve të mësipërme, përkthyesi zyrtar përzgjidhet, duke u bazuar edhe në kriteret e mëposhtme:
a) Të ketë kryer edhe më parë përkthime të acquis të Bashkimit Evropian;
b) Të ketë tituj dhe grada shkencore në gjuhën për të cilën konkurrojnë ose në fusha specifike të acquis të Bashkimit Evropian;
c) Të ketë gjuhë amtare gjuhën e burimit nga e cila kërkojnë të përkthejnë.
KREU III
RREGULLA TË VEÇANTA PËR PËRKTHIMIN E LEGJISLACIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN
Neni 5
Përgatitja e kalendarit vjetor të përkthimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian
1. Ministria përgjegjëse për bashkërendimin dhe ndjekjen e ecurisë së procesit të përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me negociatorët, ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore, përkatësisht sipas fushës së tyre të veprimtarisë, përcakton kalendarin vjetor të acquis të Bashkimit Evropian, objekt përkthimi, me qëllim përgatitjen e versionit shqip të acquis të Bashkimit Evropian dhe të legjislacionit shqiptar në njërën nga gjuhët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe ia përcjell atë Ministrisë së Drejtësisë, jo më vonë se data 1 nëntor, për përkthimet që kryhen në vitin pasardhës.
2. Në përgatitjen e kalendarit vjetor, ministria përgjegjëse për bashkërendimin dhe ndjekjen e ecurisë së procesit të përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian mbështetet në planifikimet trevjeçare të kryera në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian.
3. Ministria përgjegjëse për bashkërendimin dhe ndjekjen e ecurisë së procesit të përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian kërkon përkthimin e akteve të veçanta normative vendase në njërën nga gjuhët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të paparashikuara në kalendarin vjetor të përkthimit, kur akti i përkthyer kërkohet, në mënyrë specifike, nga strukturat përkatëse të Bashkimit Evropian për qëllime që lidhen me përmbushjen e angazhimeve të marra në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Neni 6
Sigurimi i cilësisë së materialeve të përkthyera të legjislacionit të Bashkimit Evropian
1. Materialet e përkthyera nga përkthyesit zyrtarë të legjislacionit të Bashkimit Evropian në gjuhën shqipe i nënshtrohen rishikimit të sigurimit të cilësisë në dy nivele nga komisione të posaçme ad hoc, të cilat ngrihen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
2. Këto komisione përbëhen nga:
a) dy ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë;
b) një ekspert i ministrisë së linjës apo institucionit qendror, fusha e veprimtarisë e të cilit përputhet me fushën e veprimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian, që duhet të përkthehet;
c) dy ekspertë të jashtëm të fushës, të caktuar nga ministri i Drejtësisë, nga të cilët:
i. një ekspert për çdo nënkapitull, përgjegjës për zhvillimin e terminologjisë specifike të sektorit dhe rishikimin e përkthimeve;
ii. një ekspert gjuhësor, përgjegjës për zhvillimin e terminologjisë dhe kryerjen e rishikimit gjuhësor të përkthimeve.
3. Komisionet e posaçme për sigurimin e cilësisë zhvillojnë terminologjinë specifike sektoriale bazuar në aktet normative që do të përkthehen në vitin aktual përkatës, e cila u vihet në dispozicion përkthyesve zyrtarë që do të kontraktohen për këtë qëllim.
4. Përkthimet zyrtare të legjislacionit të Bashkimit Evropian dorëzohen nga përkthyesit zyrtarë nëpërmjet bazës së të dhënave të krijuar sipas nenit 7 të këtij vendimi dhe miratohen nga Ministria e Drejtësisë vetëm pasi rishikimi i sigurimit të cilësisë të jetë realizuar nga komisionet e posaçme.
5. Rregulla të hollësishme për përzgjedhjen e anëtarëve, si dhe organizimin dhe funksionimin e komisioneve të posaçme për sigurimin e cilësisë së materialeve të përkthyera, sipas kësaj dispozite, përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
Neni 7
Për realizimin e veprimtarisë së përkthimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian në gjuhën shqipe dhe legjislacionit shqiptar në njërën nga gjuhët e Bashkimit Evropian, Ministria e Drejtësisë:
a) krijon, përditëson dhe administron një bazë të dhënash për përkthimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, e cila përmban dokumentet e përkthimit, caktimin e detyrave dhe përcaktimin e afatit, procesin e përkthimit dhe procesin e rishikimit të sigurimit të cilësisë. Përkthyesve zyrtarë të përzgjedhur për përkthimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian u sigurohet akses në bazën e të dhënave dhe ata kanë të drejtë leximi, shkrimi dhe modifikimi të materialeve që ngarkohen prej tyre. Ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore janë të detyruara t’i vënë në dispozicion Ministrisë së Drejtësisë database-n e legjislacionit të Bashkimit Evropian, të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të legjislacionit shqiptar, të përkthyer në njërën nga gjuhët e Bashkimit Evropian;
b) kujdeset për respektimin e unitetit të formës dhe të terminologjisë së përkthimeve të legjislacionit të Bashkimit Evropian në gjuhën shqipe dhe anasjelltas;
c) harton dhe boton dokumente e fjalorë të terminologjisë së specializuar, për përdorimin nga përkthyesit zyrtarë dhe personat e përfshirë në procesin e përkthimit të legjislacionit evropian në gjuhën shqipe dhe anasjelltas;
ç) boton dhe shpërndan kopje të legjislacionit të Bashkimit Evropian, të përkthyer në gjuhën shqipe.
KREU IV
RREGULLAT PËR PËRZGJEDHJEN E PËRKTHYESIT ZYRTAR
Neni 8
Komunikimi me përkthyesin zyrtar
1. Organi kontraktues kontakton me telefon ose në rrugë elektronike me përkthyesin zyrtar të përzgjedhur për shërbimin përkatës sipas dispozitave të mësipërme nga regjistri elektronik.
2. Në rast se përkthyesi zyrtar nuk i përgjigjet telefonatës apo postës elektronike, atij i lihet kohë e arsyeshme, por jo më shumë se 4 (katër) orë, për të kthyer përgjigje. Në rast të moskthimit të përgjigjes, organi kontraktues njofton menjëherë përkthyesin zyrtar të radhës që plotëson kriteret për përzgjedhje për gjuhën e kërkuar.
3. Kontaktimi/njoftimi me telefon dokumentohet në një procesverbal të posaçëm nga organi kontraktues, në të cilin tregohen të dhënat e kontaktit dhe mjeti i përdorur për komunikim, data dhe ora e saktë e komunikimit, personi me të cilin kontaktohet dhe qëllimi i komunikimit.
4. Përjashtimisht, kontaktimi/njoftimi në rrugë elektronike dokumentohet përmes printimit të komunikimit ndërmjet organit kontraktues dhe përkthyesit zyrtar, vetëm nëse plotësohen kushtet e mëposhtme:
a) Komunikimi kryhet përmes adresave zyrtare elektronike;
b) Në komunikim tregohen qartë informacionet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni.
5. Nëse përkthyesi zyrtar, pas marrjes së njoftimit, refuzon marrjen përsipër të detyrës, vijohet me kontaktimin e përkthyesit të radhës që përmbush i dyti kriteret për përzgjedhje për gjuhën e kërkuar.
Neni 9
Refuzimi i kryerjes së përkthimit zyrtar
1. Refuzimi i kryerjes së përkthimit zyrtar bëhet nga përkthyesi zyrtar me shkrim apo në rrugë elektronike, duke bërë me dije shkaqet e refuzimit.
2. Organi kontraktues njofton menjëherë me shkrim ose në rrugë elektronike Ministrinë e Drejtësisë për rastet e refuzimit pa arsye ligjore, si dhe për rastet e moskthimit të përgjigjes brenda afatit të kërkuar.
3. Në rastet kur Ministria e Drejtësisë vlerëson se refuzimi i përkthyesit zyrtar nuk është bërë për arsyet e përcaktuara në nenin 25 të ligjit për përkthimin zyrtar, fillon procedurën e hetimit disiplinor, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.
Neni 10
Lidhja e kontratës për përkthim zyrtar
1. Me marrjen përsipër të shërbimit të përkthimit zyrtar, përkthyesi zyrtar lidh kontratën për përkthimin zyrtar.
2. Formati i kontratës për përkthimin zyrtar bëhet sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 11
Shpërblimi i përkthyesit zyrtar
Për kryerjen e shërbimit të përkthimit zyrtar, përkthyesi zyrtar shpërblehet sipas përcaktimeve në udhëzimin e përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë për caktimin e tarifave për kryerjen e shërbimit të përkthimit zyrtar.
KREU V
RREGULLAT PËR VLERËSIMIN DHE KONTROLLIN E PËRKTHYESIT ZYRTAR
Neni 12
Vlerësimi i shërbimit të përkthyesit zyrtar
1. Pas kryerjes së përkthimit zyrtar, organi kontraktues bën vlerësimin e shërbimit të dhënë nga përkthyesi zyrtar, sipas formularit të vlerësimit, i cili mund të aksesohet nga regjistri elektronik dhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.
2. Formulari i vlerësimit të shërbimit të përkthyesit zyrtar i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë brenda 10 (dhjetë) ditëve nga dita e përfundimit të përkthimit zyrtar.
Neni 13
Kontrolli i shërbimit të përkthyesit zyrtar
1. Nëpunësit e strukturës përgjegjëse për përkthimin zyrtar në Ministrinë e Drejtësisë kontrollojnë shërbimin e dhënë nga përkthyesi zyrtar, duke vlerësuar elementet e mëposhtme:
a) Respektimin e detyrimeve të përkthyesit zyrtar sipas ligjit për përkthimin zyrtar, Kodit të Etikës së Përkthyesit Zyrtar dhe akteve të tjera;
b) Respektimin e detyrimeve kontraktore për ofrimin e përkthimit zyrtar;
c) Kohën në të cilën realizohet përkthimi zyrtar;
ç) Cilësinë e përkthimit zyrtar brenda afatit të kërkuar;
d) Komunikimin etik dhe profesional me kontraktuesin.
2. Për zbatimin e kësaj dispozite, Ministria e Drejtësisë mund të kërkojë nga përkthyesi zyrtar apo organi kontraktues të dhëna dhe informacione të tjera për përkthimin zyrtar.
3. Në rast se Ministria e Drejtësisë konstaton dhe evidenton mangësi në veprimtarinë e përkthyesit zyrtar, urdhëron marrjen e masave për korrigjimin e mangësive përkatëse, duke caktuar një afat për korrigjimin e tyre.
4. Në rast se ekziston një dyshim i arsyeshëm se një mangësi e tillë mund të përbëjë shkelje disiplinore, ministri i Drejtësisë fillon procedurën për hetimin disiplinor, në përputhje me përcaktimet e ligjit për përkthimin zyrtar.
KREU VI
DISPOZITAT E FUNDIT
Neni 14
Shfuqizime
Vendimi nr.119, datë 7.3.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të përkthimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian në gjuhën shqipe dhe të përkthimit të legjislacionit shqiptar në njërën nga gjuhët e Bashkimit Evropian”, dhe aktet e tjera nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij, shfuqizohen.
Neni 15
Organet zbatuese
Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, autoritetet publike përkatëse dhe përkthyesit zyrtarë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Neni 16
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.711, DATË 29.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR ADMINISTRIMIN DHE FUNKSIONIMIN E VARREZAVE NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 3/d, të ligjit nr.9220, datë 15.4.2004, “Për administrimin e shërbimit të varrimit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në rregulloren “Për administrimin dhe funksionimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr.711, datë 29.10.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas pikës 21, të nenit 3, shtohet pika 22, me këtë përmbajtje:
“22. “Shtëpi funerale” është ambienti i padukshëm nga jashtë, i cili shërben si shtëpi pritjeje për kryerjen e ritualeve të lamtumirës dhe riteve të tjera në nderim të personave të vdekur.”.
2. Në nenin 36 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Fjalia e parë, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Agjencitë e shërbimit funeral licencohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore për ushtrimin e aktivitetit të shërbimit funeral dhe/ose ofrimin e shërbimit për shtëpi funerale, në drejtim të: …”.
b) Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Njësitë e vetëqeverisjes vendore parashikojnë kriteret dhe kushtet plotësuese që agjencitë e shërbimit funeral duhet të plotësojnë për ushtrimin e aktivitetit të shërbimit funeral dhe/ose ofrimin e shërbimit për shtëpi funerale, në lidhje me kapacitetet teknike dhe burimet njerëzore.”.
3. Në nenin 39 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Agjencitë dhe shtëpitë funerale duhet të zhvillojnë aktivitetin, si: plotësimi i formaliteteve, shitja e artikujve të varrimit dhe çdo aktivitet tjetër që lidhet me funeralin, brenda ambienteve të miratuara dhe që janë jo të dukshëm nga jashtë.”.
b) Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Njësitë e vetëqeverisjes vendore kontrollojnë agjencitë e shërbimit funeral dhe shtëpitë funerale për plotësimin dhe respektimin e kushteve e të kritereve për ushtrimin e aktivitetit të tyre, të parashikuara në këtë vendim dhe në rregullat e vendosura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, lidhur me kapacitetet tekinke dhe burimet njerëzore.”.
II. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duhet të miratojnë kriteret dhe kushtet plotësuese që agjencitë e shërbimit funeral duhet të plotësojnë për ushtrimin e aktivitetit në lidhje me kapacitetet teknike dhe burimet njerëzore.
2. Agjencitë, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duhet të plotësojnë kriteret dhe kushtet për licencim, brenda 6 muajve nga miratimi i tyre nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
3. Nëse pas afatit 6-mujor nga data e miratimit të rregullave të vendosura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, agjencitë nuk i plotësojnë kriteret dhe kushtet e vendosura, ato nuk licencohen.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.851, DATË 29.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E TRANSFERTËS KAPITALE NË LLOGARI TË FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.10130, datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.102/2020, “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 3, të vendimit nr.851, datë 19.12.2021, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Për të kryer veprime transferimi me fondin “Mjete në ruajtje” veprohet, si më poshtë vijon:
a) Destinacioni i përdorimit të fondeve, të përcaktuar në pikën 3, që janë “Mjete në ruajtje”, është për financimin e dy projekteve, sipas përcaktimit të pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, konkretisht:
– Fondi prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh, i parashikuar për “Ndërhyrjen dhe përmirësimin e konektivitetit dhe rrugëve të aksesit”, në kuadër të programit buxhetor të 100 Fshatrave, për blerje makinerish që do të jenë pjesëmarrje në kapitalin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për mirëmbajtjen dhe hapjen e rrugëve rurale dhe turistike, në bashkëpunim me njësitë vendore;
– Fondi prej 600 000 000 (gjatëqind milionë) lekësh, i parashikuar për zhvillimin e modelit të integruar në formën e një parku multifunksional me temën e 100 Fshatrave në Valias në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës.
b) Fondet e përcaktuara në këtë vendim transferohen në llogarinë bankare të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
c) Transferimi i fondeve, nga “mjete në ruajtje” në llogarinë bankare të përcaktuar në shkronjën “b” më sipër, kryhet në përputhje me vlerën e kontratës së nënshkruar për secilin projekt.
ç) Diferenca e fondeve të papërdorura kthehet në buxhetin e shtetit.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit pёr zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
“PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2023, MIRATUAR PËR GJYKATËN KUSHTETUESE, PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE KAPITALE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Gjykatës Kushtetuese, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, në zërin “Shpenzime kapitale”, të programit buxhetor 03320 “Veprimtaria gjyqësore kushtetuese”, i shtohet fondi prej 35 000 000 (tridhjetë e pesë milionë) lekësh, për rikonstruksionin e godinës së Gjykatës Kushtetuese.
2. Efekti financiar, prej 35 000 000 (tridhjetë e pesë milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2023.
3. Ngarkohen Gjykata Kushtetuese dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU