Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 5 Tetor 2022 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 5 Tetor 2022

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 5 Tetor 2022:

 

AKT NORMATIV
PËR

MIRATIMIN E TEKSTIT TË AMENDIMIT TË KATËRT NË MARRËVESHJEN PËR PRODHIMIN DHE FURNIZIMIN NGA DHE NDËRMJET PFIZER EXPORT B.V. DHE MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE TË SHQIPËRISË, MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN DHE INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK, MIRATUAR ME AKTIN NORMATIV NR.3, DATË 18.1.2021, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Miratimin e tekstit të amendimit të katërt në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr.3, datë 18.1.2021, të ndryshuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij akti normativ.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

EMËRIMIN NË DETYRË TË KRYETARIT TË AGJENCISË KOMBËTARE TË TRAJTIMIT TË KONCESIONEVE

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 8/1, të vendimit nr.285, datë 10.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për organizmin, funksionimin, si dhe procedurat e nivelin e tarifave të shërbimeve që do të ofrohen nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO)”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Emiliano Gjika emërohet Kryetar i Agjencisë të Trajtimit të Koncesioneve.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E PËRBËRJES DHE TË MËNYRËS SË FUNKSIONIMIT TË KOMITETIT PËR PLANIFIKIMIN KOMBËTAR SPITALOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 6, të ligjit nr.55/2022, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e përbërjes dhe të mënyrës së funksionimit të Komitetit për Planifikimin Kombëtar Spitalor, si organ këshillimor pranë ministrit përgjegjës për shëndetësinë, me 9 anëtarë, si më poshtë vijon:

a) Prof. Arben Gjata, mjek kirurg;
b) Prof. Anila Godo, mjek pediatër;
c) Prof. Dr. Kozeta Sevrani, ekspert i ekonomisë dhe menaxhimit;
d) Prof. Arben Baboci, mjek kirurg kardiak;
e) Prof. Asc. Durim Çela, mjek radiolog;
f) Prof. Mihal Tase, mjek internist;
g) Prof. Dr. Orion Glozheni, mjek obstetër-gjinekolog;
h) Prof. Ass. Edmond Zaimi, mjek urgjentist;
i) Prof. Asc. Alban Ylli, profesionist i shëndetit publik.

2. Anëtarët e Komitetit për Planifikimin Kombëtar Spitalor zgjidhen për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

3. Komiteti për Planifikimin Kombëtar Spitalor, gjatë veprimtarisë së tij, asistohet nga sekretari i këtij komiteti, i cili është një specialist pranë drejtorisë përgjegjëse për politikat dhe menaxhimin e shërbimit spitalor në ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë.

4. Kryetari dhe nënkryetari i komitetit zgjidhen nga anëtarët e këtij komiteti në mbledhjen e parë me shumicë votash.

5. Komiteti për Planifikimin Kombëtar Spitalor mblidhet me kërkesë të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe kryen këto funksione:

a) Analizon situatën aktuale të shtrirjes së shërbimit spitalor në vend;
b) Vlerëson nevojat dhe kapacitetet spitalore kombëtare, bazuar në kriteret territoriale, demografike, socio-ekonomike, barrën e sëmundshmërisë, si edhe në plotësim të kërkesave didaktike dhe shkencore të edukimit mjekësor;
c) Paraqet për shqyrtim pranë ministrit Planin Kombëtar Spitalor;
ç) Jep mendime për çështjet e përcaktuara në nenin 6, të ligjit nr.55/2022, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe për çështje të tjera që lidhen me politikat spitalore të kërkuara nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.

6. Vendimet e komitetit merren me shumicën e të gjithë anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

7. Vendimi nr.403, datë 19.6.2004, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe mënyrën e funksionimit të Komitetit Shtetëror për Planifikimin Spitalor”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR BASHKËPUNIM NË FUSHËN E NJOHJES SË NDËRSJELLË TË DIPLOMAVE DHE GRADAVE SHKENCORE, TË LËSHUARA NGA INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË DHE INSTITUCIONET E TJERA TË AUTORIZUARA NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e njohjes së ndërsjellë të diplomave dhe gradave shkencore, të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara në Ballkanin Perëndimor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.867, DATË 12.12.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I RRUGËS PARALELE, “TIRANË-VORË”, (KRAHU I MAJTË)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.867, datë 12.12.2007, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Kudo në vendim, emërtimi “Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve” zëvendësohet me “Autoriteti Rrugor Shqiptar”.

b) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 63 946 (gjashtëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e dyzet e gjashtë) m2, tokë arë, të vlerësuar me çmimet 4 281 lekë/m2, 3 000 lekë/m2, 2 538 lekë/m2, 448 lekë/m2, me vlerë 230 900 730 (dyqind e tridhjetë milionë e nëntëqind mijë e shtatëqind e tridhjetë) lekësh, për sipërfaqen 8 142 (tetëmijë e njëqind e dyzet e dy) m2, tokë truall, të vlerësuar me çmimet 14 602 lekë/m2 dhe 3 116 lekë/m2, me vlerë 74 071 112 (shtatëdhjetë e katër milionë e shtatëdhjetë e një mijë e njëqind e dymbëdhjetë) lekë, për objekte, me vlerë 19 704 189 (nëntëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e katër mijë e njëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 324 676 031 (treqind e njëzet e katër milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tridhjetë e një) lekë.”.

c) Në pikën 4, vlera “… 445 000 (katërqind e dyzet e pesë mijë) lekë …” zëvendësohet me “… 495 000 (katërqind e nëntëdhjetë e pesë mijë) lekë …” ;

ç) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 324 676 031 (treqind e njëzet e katër milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tridhjetë e një) lekësh, të përballohet në masën:

– 324 063 167 (treqind e njëzet e katër milionë e gjashtëdhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë) lekë nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave në “Bankën e Shqipërisë;
– 612 864 (gjashtëqind e dymbëdhjetë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë, nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.”.

d) Pas tabelës bashkëlidhur vendimit shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë-Vorë, të pasqyrojë në kartelat e pasurive të paluajtshme, në hartat treguese sipas sistemit të regjistrimit, pasuritë e shpronësuara në emër të ARRSH-së pas miratimit të shpronësimit për interes publik të pasurive, pronë private, si dhe pasuritë e llojit “arë” që u mbeten subjekteve pas shpronësimit.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “HEKURUDHAT SHQIPTARE – REHABILITIMI I LINJËS HEKURUDHORE TIRANË- DURRËS DHE NDËRTIMI I LINJËS HEKURUDHORE PËR NË AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.29/2017

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, ratifikuar me ligjin nr.29/2017, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “HEKURUDHAT SHQIPTARE – REHABILITIMI I LINJËS HEKURUDHORE TIRANË – DURRËS DHE NDËRTIMI I LINJËS HEKURUDHORE PËR NË AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS”, NË KUADËR TË GRANTIT TË INVESTIMIT NGA FONDI I PËRBASHKËT EVROPIAN I BALLKANIT PERËNDIMOR, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.52/2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19, e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në kuadër të grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor, ratifikuar me ligjin nr.52/2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR MINISTRINË E KULTURËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, t’i shtohet fondi prej 15 600 000 (pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë) lekësh, në formën e grantit për Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, për mbështetjen e veprimtarive krijuese.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, në masën 15 600 000 (pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Ministrisë së Kulturës, i miratuar për vitin 2022, në artikullin 604 “Transferta të brendshme”, të programit “Arti dhe kultura”.

3. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË NUMRIN E PUNONJËSVE ORGANIKË TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËR VITIN 2022

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Numri i punonjësve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2022, shtohet me 35 (tridhjetë e pesë) veta dhe numri i përgjithshëm i sistemit të ministrisë bëhet 1 188 (një mijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë) veta.

2. Numri i punonjësve rezervë të buxhetit pakësohet me 35 (tridhjetë e pesë) veta dhe numri i përgjithshëm i punonjësve rezervë mbetet 15 (pesëmbëdhjetë) veta.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Vendime pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave