Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Maj 2026
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË PLATFORMËS ELEKTRONIKE TË RAPORTIMIT FINANCIAR (PERF)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (në vijim PERF).
2. Institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore PERF është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
3. Të dhënat e bazës së të dhënave shtetërore PERF ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore, si më poshtë vijon:
a) Të dhëna parësore konsiderohen të dhënat e mbledhura dhe të administruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bashkëpunim me subjektet raportuese, që kanë të bëjnë me:
i. raportet financiare vjetore të partive politike;
ii. raportet financiare të fushatave zgjedhore;
iii. të dhënat për burimet e financimit, përfshirë financimet publike dhe jopublike;
iv. të dhënat për shpenzimet e kryera gjatë fushatës zgjedhore dhe jashtë saj;
v. të dhënat për dhurimet monetare dhe dhurimet në natyrë;
vi. të dhënat për huat dhe kreditë;
vii. dokumentacionin financiar dhe administrativ shoqërues;
viii. raportet e monitorimit financiar dhe raportet e auditimit;
ix. vendimmarrjen administrative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me kontrollin, verifikimin dhe auditimin e financimeve të subjekteve politike e zgjedhore.
b) Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat që merren nga baza të tjera shtetërore, vetëm në masën e nevojshme për identifikim, si më poshtë vijon:
i. Të dhëna të përgjithshme të subjektit politik, si person juridik, koalicioneve dhe subjekteve zgjedhore nga baza e të dhënave shtetërore “Tatimi elektronik”, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
ii. Të dhënat personale të individëve të deklaruar si kandidatë për deputetë, kandidatë për kryetar bashkie, financierë të partive politike, auditues ligjorë dhe monitorues të fushatës zgjedhore nga baza e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.
4. Dhënës të informacionit për bazën e të dhënave shtetërore PERF janë partitë politike, koalicionet, subjektet zgjedhore, kandidatët, financierët, audituesit ligjorë, si dhe institucionet publike, sipas ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar.
5. Baza e të dhënave shtetërore e Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF) ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, të administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGJC) dhe me bazën e të dhënave “Tatimi elektronik”, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për qëllime identifikimi dhe verifikimi të të dhënave personale të personave fizikë, të përfshirë në procesin e raportimit financiar.
6. Përpunimi i të dhënave personale në PERF kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
7. Të dhënat personale të transmetuara dhe të përpunuara në bazën e të dhënave shtetërore PERF ruhen për aq kohë sa është e nevojshme për përmbushjen e qëllimit për të cilin janë mbledhur, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Pas përfundimit të këtij afati, të dhënat personale fshihen ose anonimizohen, sipas procedurave të institucionit administrues.
8. Niveli i aksesimit në sistemin PERF:
8.1. Niveli i aksesimit në sistemin PERF përcaktohet në bazë të roleve të përdoruesve dhe kufizohet sipas funksioneve e kompetencave të tyre ligjore.
8.2. Aksesi në sistem realizohet, si më poshtë vijon:
a) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – akses i plotë administrativ dhe funksional për të gjitha të dhënat e sistemit;
b) Partitë politike dhe subjektet zgjedhore – akses për regjistrimin, përditësimin dhe konsultimin e të dhënave, që lidhen me subjektin përkatës;
c) Kandidatët e subjekteve zgjedhore dhe/ose ata të propozuar nga zgjedhësit – akses i kufizuar për deklarimin dhe konsultimin e të dhënave, që lidhen me raportimin e tyre financiar;
ç) Financierët e partive politike – akses i kufizuar për deklarimin dhe konfirmimin e kontributeve përkatëse;
d) Audituesit ligjorë – akses për shqyrtimin dhe verifikimin e të dhënave, në funksion të procesit të auditimit;
dh) Monitoruesit e fushatës zgjedhore – akses për regjistrimin e monitorimeve dhe konsultimin e të dhënave, që lidhen me raportimet e tyre.
8.3. Aksesi realizohet në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe kufizohet vetëm në masën e nevojshme për përmbushjen e funksioneve ligjore të secilit rol.
9. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndërmerr masa teknike dhe organizative të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme, humbje aksidentale, akses ose përhapje nga persona të paautorizuar, veçanërisht kur përpunimi i të dhënave kryhet në rrjet, si dhe nga çdo formë tjetër e paligjshme përpunimi. Çdo veprim në sistem lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin apo përhapjen e të dhënave duhet të lërë gjurmë për qëllime sigurie dhe auditimi.
10. Ngarkohen Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Tana Kika emërohet zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Blerta Rama, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË BARNAVE QË RIMBURSOHEN NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR DHE TË MASËS SË MBULIMIT TË ÇMIMIT TË TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 37, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, dhe të pikave 2, shkronja “b”, e 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës I të barnave të rimbursueshme, që tregtohen në farmacitë e spitaleve, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Miratimin e listës II të barnave, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Miratimin e masës së mbulimit të çmimeve të barnave të rimbursueshme, të renditur sipas klasifikimit ATC, në masën 50% – 100%, sipas grupeve terapeutike dhe barnave, të përcaktuara në pasqyrën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Miratimin e marzheve të tregtimit për barnat e listës së rimbursueshme, përkatësisht, në masën 8% për tregtimin me shumicë dhe 24% për tregtimin me pakicë.
5. Miratimin e marzheve të diferencuara të tregtimit me shumicë dhe me pakicë për disa barna të listave I e II, sipas pasqyrës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të përcaktojë kufizimet në përdorim, në sasi dhe në kohëzgjatje të trajtimit me barnat e kësaj liste, bazuar në kritere ekonomike, mjekësore dhe sociale.
7. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të lidhë marrëveshje për reduktimin e çmimeve të përfshira në këtë listë me mbajtësit e autorizimit për tregtim.
8. Nëse gjatë periudhës, kur ky vendim është në fuqi, ulen çmimet për barnat e paregjistruara të listës ose barnat, alternativë e vetme, që tregtohen në farmacitë e spitalit dhe në farmacitë e rrjetit të hapur, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me njoftim të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, reflekton uljen e çmimit të barit në listë. Pulla e kontrollit të barit do të lëshohet pas miratimit të çmimit nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
9. Çmimet e aplikuara për hartimin e listave I e II të barnave të rimbursueshme bazohen mbi çmimet e rivlerësuara, të miratuara për vitin 2026, sipas përcaktimeve të vendimit nr.645, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave”, të ndryshuar.
10. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që, brenda muajit janar të çdo viti, të përditësojë listën e barnave të rimbursuara me çmimet dhe alternativat tregtare për principet aktive ekzistuese, bazuar në listën e përgjithshme me çmimet CIF/EXW, të miratuara brenda datës 31 dhjetor nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
11. Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2026.
12. Vendimi nr.491, datë 24.7.2024, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së barnave, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe masën e mbulimit të çmimit të tyre”, i ndryshuar, shfuqizohet.
13. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË TURIZMIT, KULTURËS DHE SPORTIT, PËR QENDRËN KOMBËTARE TË KINEMATOGRAFISË DHË PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.471, DATË 9.7.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË TRUALLIT, TË NDËRTESËS SË KORPUSIT QENDROR DHE SIPËRFAQES FUNKSIONALE TË TIJ, “ISH-KINOSTUDIO”, NGA “ALBA FILM”, SH.A., TE MINISTRIA E KULTURËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, sipas formularit 1 (një) fletë dhe fragmentit të hartës kadastrale 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi, për ushtrimin e veprimtarisë, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga sipërfaqja e truallit funksional dhe sipërfaqja ndërtimore, pjesë të vendimit nr.471, datë 9.7.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të truallit, të ndërtesës së korpusit qendror dhe sipërfaqes funksionale të tij, “Ish-Kinostudio”, nga “Alba Film”, sh.a., te Ministria e Kulturës”.
3. Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, dhe ta tjetërsojnë atë.
4. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E METODOLOGJISË SË VLERËSIMIT TË PROFILIT TË RREZIKUT TË FURNITORËVE DHE OFRUESVE TË PAJISJEVE TË RRJETIT 5G
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 55, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e metodologjisë së vlerësimit të profilit të rrezikut të furnitorëve dhe ofruesve të pajisjeve të rrjetit 5G, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.419, DATË 14.4.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E AFATEVE DHE TË SKEMËS SË SHPËRNDARJES SË FONDEVE TË DËMSHPËRBLIMIT PËR ISH-TË DËNUARIT POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 32, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 4, e vendimit nr.419, datë 14.4.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, shfuqizohet.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.422, DATË 6.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, RREGULLAT E FUNKSIONIMIT DHE TRAJTIMIN FINANCIAR TË GRUPIT NEGOCIATOR DHE DETYRAT E KRYENEGOCIATORIT PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE TË ADERIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe në vijim të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të kreut I, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, fjalët “Znj. Mirlinda Karçanaj …” zëvendësohen me “Z. Igli Tafa …”.
2. Ngarkohen grupi negociator i Republikës së Shqipërisë dhe institucionet, sipas pikës 1, të kreut I, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.398, DATË 9.6.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN E DISBALANCAVE TË SHKAKTUARA NGA PRODHUESIT ME PËRPARËSI TË ENERGJISË ELEKTRIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 99, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në kreun IV, të vendimit nr.398, datë 9.6.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin e disbalancave të shkaktuara nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1 dhe 2, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Në rolin e tij si lider i grupit të balancimit, OER-ja do të alokojë te prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike kostot totale mujore të balancimit në përpjesëtim me prodhimin e matur të energjisë.
2. Në rast se grupi i balancimit ka në përbërje dhe palë të tjera përgjegjëse balancuese, të ndryshme nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, atëherë lideri i grupit të balancimit do të alokojë te të gjithë pjesëmarrësit e grupit kostot totale mujore të balancimit, sipas formulës së mëposhtme:
ku:
VFD – vlera e faturës së disbalancave për palën përgjegjëse balancuese;
FNDLGB – vlera që rezulton nga netimi i faturave të disbalancave pozitive dhe negative për liderin e grupit të balancimit;
VN – vlera që rezulton nga netimi i sasisë së disbalancave pozitive dhe negative për liderin e grupit të balancimit, shumëzuar me çmimin/njësi të kontratës së energjisë elektrike ndërmjet prodhuesit publik dhe “Furnizuesit të Shërbimit Universal”, sh.a., kontratë e lidhur në kuadrin e Shërbimit Universal të Furnizimit;
(PPB)i=i..n – palët përgjegjëse balancuese, anëtarë të grupit të balancimit;
(Energji e matur)[MWh] – sasia e energjisë totale e prodhuar dhe e konsumuar (në vlerë absolute) nga të gjitha palët përgjegjëse balancuese, anëtarë të grupit të balancimit të Operatorit të Energjisë së Rinovueshme.”.
2. Pas pikës 2, shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Vlera neto (VN) reflektohet në pagesën totale të anëtarit të grupit të balancimit, që ofron Shërbimin Universal të Furnizimit.”.
II. Ngarkohen prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., “Furnizuesi i Shërbimit Universal”, sh.a., “Furnizuesi i Tregut të Lirë”, sh.a., Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, sh.a., dhe Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TE MINISTRIA E EKONOMISË DHE INOVACIONIT TË PASURISË ME NR.10/211, NË ZONËN KADASTRALE 8516, ME VENDNDODHJE NË DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi te Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit të pasurisë me nr.10/211, në zonën kadastrale 8516, me vendndodhje në Durrës, sipas formularit të inventarizimit dhe planrilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për ushtrimin e veprimtarisë, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROCEDURAVE QË NDIQEN PËR FINANCIMIN E PROJEKTEVE ARTISTIKE E KULTURORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 26, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka për qëllim miratimin e procedurave që ndiqen për financimin e realizimit të projekteve dhe veprimtarive artistike e kulturore nga ministria përgjegjëse për artin dhe kulturën, referuar pikës 3, të nenit 26, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar.
2. Për të përfituar mbështetje financiare, projektet dhe veprimtaritë artistike kulturore duhet:
a) të promovojnë artin dhe kulturën;
b) të nxisin krijimtarinë dhe inovacionin artistik;
c) të mbështesin zhvillimin dhe shpërndarjen e veprimtarive kulturore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;
ç) të kontribuojnë në ruajtjen dhe pasurimin e paketës kulturore brenda vendit.
3. Projekt artistik/kulturor është tërësia e veprimtarive që lidhen drejtpërdrejt me konceptimin, prodhimin dhe realizimin e një krijimi ose aktiviteti artistik, për të cilin angazhohen produkte dhe punime të nevojshme për realizimin e tij, dhe që synon promovimin e artit e të kulturës.
II. PROCEDURAT E ORGANIZIMIT DHE FINANCIMIT TË PROJEKTEVE DHE VEPRIMTARIVE ARTISTIKE E KULTURORE
1. Projektet artistike/kulturore, të iniciuara nga ministria përgjegjëse për artin dhe kulturën ose subjekte private, financohen nga fondi përkatës, vetëm në masën dhe për aq sa lidhen drejtpërdrejt me krijimin dhe realizimin e projektit artistik.
2. Në kuadër të realizimit të projektit artistik/kulturor, sigurohen produkte, të lidhura drejtpërdrejt dhe në mënyrë funksionale me konceptimin, prodhimin dhe realizimin e projektit artistik/kultutor, në përputhje me parimet e eficiencës ekonomike, efektivitetit dhe përdorimit të drejtë të fondeve publike.
3. Struktura përgjegjëse për zhvillimin e projekteve dhe veprimtarive artistike në fushën e artit e të kulturës, në ministrinë përgjegjëse për artin dhe kulturën, përgatit informacion për iniciativën konkrete dhe, pas miratimit nga ministri përgjegjës për artin dhe kulturën, ngrihet kolegjiumi, sipas nenit 27, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, përgjegjës për ndjekjen e procedurave të vlerësimit dhe përzgjedhjes së subjekteve për lidhjen e kontratave:
a) me entitete kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë ekskluzivitetin për realizimin e projekteve dhe veprimtarive artistike kombëtare e ndërkombëtare në fushën e artit dhe kulturës;
b) me subjekte që ofrojnë produkte dhe shërbime, në funksion të projekteve dhe veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare në fushën e artit dhe kulturës.
4. Procedura për lidhjen e kontratave, sipas shkronjës “a”, të pikës 3, të këtij kreu, kryhet, si më poshtë vijon:
a) Ministri përgjegjës për artin dhe kulturën paraqet letrën e shprehjes së interesit për subjektin/entitetin pritës së projektit/veprimtarisë artistike;
b) Struktura përgjegjëse për zhvillimin e projekteve dhe veprimtarive artistike në fushën e artit dhe kulturës në ministrinë përgjegjëse për artin dhe kulturën koordinon dhe zhvillon komunikimet për organizimin;
c) Kolegjiumi shqyrton propozimet e paraqitura dhe përzgjedh ofertën më të favorshme, ndërmjet cilësisë së shërbimit dhe kostos financiare, të cilin ia propozon për miratim ministrit;
ç) Ministri apo personi i autorizuar prej tij, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga përzgjedhja e ofertës më të favorshme, lidh kontratën me subjektin apo filialet e autorizuara nga mbajtësi i së drejtës ekskluzive të projektit dhe/apo veprimtarisë artistike e kulturore;
d) Pagesat për kontratat urdhërohen nga ministria përgjegjëse për artin dhe kulturën në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe ekzekutohen nëpërmjet strukturës së thesarit.
5. Procedura për lidhjen e kontratave, sipas shkronjës “b”, të pikës 3, të këtij kreu, kryhet, si më poshtë vijon:
a) Ftesa për shprehje interesi, në përputhje me objektin e kontratës, u paraqitet të paktën tri subjekteve, të cilat duhet të shprehen zyrtarisht brenda 5 (pesë) ditëve nga data e ftesës;
b) Struktura përgjegjëse për artin dhe kulturën harton kriteret e termat e referencës dhe përllogarit fondin limit;
c) Ftesa për propozim u paraqitet të paktën tri subjekteve, sipas afateve dhe kritereve për kualifikim;
ç) Afati për pranimin e propozimeve është 7 (shtatë) ditë nga data e ftesës për propozim;
d) Kolegjiumi, brenda 3 (tri) ditëve nga dorëzimi i propozimeve të paraqitura, vlerëson dokumentacionin dhe përzgjedh subjektin fitues, të cilin ia propozon për miratim ministrit;
dh)Ministri apo personi i autorizuar prej tij lidh kontratën me subjektin e përzgjedhur brenda 3 (tri) ditëve nga njoftimi i fituesit.
6. Në rastin e projekteve dhe veprimtarive artistike, të cilat kanë shtrirje brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, procedura nis me publikimin e thirrjes publike në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për artin dhe kulturën. Pas përfundimit të afatit të publikuar, procedura zhvillohet sipas këtij kreu. Vlerësimi kryhet nga Kolegjiumi si dhe nga një juri e përbërë nga ekspertë të fushës, vendës ose të huaj, me jo më pak se 3 (tre) anëtarë. Përbërja nominale e jurisë përcaktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për artin dhe kulturën.
7. Projektet artistike, sipas pikës 6, të këtij kreu, realizohen dhe ndiqen, në përputhje me marrëveshjen e lidhur ndërmjet ministrisë përgjegjëse për artin dhe kulturën dhe subjekteve juridike brenda ose jashtë Republikës së Shqipërisë.
8. Në rastet kur natyra e tyre kërkon përfshirjen e individëve me profil të veçantë artistik ose ekspertizë të specializuar, përzgjedhja e artistëve, kuratorëve, drejtuesve artistikë, koordinatorëve dhe stafit krijues realizohet nëpërmjet thirrjes publike dhe negociimit.
9. Negociimi bazohet në:
a) vlerësimin e portofolit dhe të përvojës profesionale;
b) përshtatshmërinë me konceptin artistik të projektit;
c) kontributin në projekte të ngjashme.
10. Monitorimi i zbatimit të kontratave dhe realizimit të aktiviteteve artistike dhe kulturore kryhet nga përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për artin dhe kulturën, të cilët përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për artin dhe kulturën.
11. Vendimi nr.306, datë 11.5.2022, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurat që ndiqen për financimin e projekteve artistike”, shfuqizohet.
12. Ngarkohet Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI PROJEKTIT “NDËRTIM RRUGA KASHAR – NYJA VAQARR, FAZAT I DHE II”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim rruga Kashar-Nyja Vaqarr, fazat I dhe II”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “vreshtë”, “pemëtore”, “ullishte” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 126 284 521 (njëqind e njëzet e gjashtë milionë e dyqind e tetëdhjetë e katër mijë e pesëqind e njëzet e një) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 126 284 521 (njëqind e njëzet e gjashtë milionë e dyqind e tetëdhjetë e katër mijë e pesëqind e njëzet e një) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim për çdo pasuri, objekt shpronësimi, do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar për secilin pronar, të konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse, që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi, si dhe në rast se prona është në proces gjyqësor, masa e shpërblimit ose e kompensimit do të vendoset në dispozicion të personit, që rezulton nga vendimi i formës së prerë të gjykatës.
9. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
10. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
13. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.179, DATË 26.2.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR RREGULLAT, KUSHTET DHE PROCEDURAT E PRIVATIZIMIT TË BANESAVE, QË KANË QENË SUBJEKT I LIGJIT NR.7652, DATË 23.12.1992, “PËR PRIVATIZIMIN E BANESAVE SHTETËRORE”, DHE TË LIGJIT NR.9321, DATË 25.11.2004, “PËR PRIVATIZIMIN E BANESAVE DHE OBJEKTEVE TË KTHYERA NË BANESA, TË NDËRTUARA ME FONDET E SHOQËRIVE DHE TË NDËRMARRJEVE SHTETËRORE””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, shkronja “a”, e 3, të nenit 77, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.179, datë 26.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat, kushtet dhe procedurat e privatizimit të banesave, që kanë qenë subjekt i ligjit nr.7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, dhe të ligjit nr.9321, datë 25.11.2004, “Për privatizimin e banesave dhe objekteve të kthyera në banesa, të ndërtuara me fondet e shoqërive dhe të ndërmarrjeve shtetërore””, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në shkronjën “b”, të pikës 1, hiqen fjalët “… administrim dhe/ose …”.
2. Në pikën 2, pas fjalëve “… figurojnë në pronësi të shtetit, ….” shtohen “… nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, …”.
3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Privatizimi i banesave dhe i objekteve të kthyera në banesa, që kanë qenë objekt i ligjit nr.9321, datë 25.11.2004, “Për privatizimin e banesave dhe objekteve, të kthyera në banesa me fondet e shoqërive dhe ndërmarrjeve shtetërore”, dhe që, pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, rezultojnë ende të paprivatizuara, kryhet nga Enti Kombëtar i Banesave ose njësia e vetëqeverisjes vendore në emër të personit/ave që ka/në emrin në listën e trashëguar nga ish-ndërmarrjet shtetërore dhe të personave të tjerë madhorë të familjes, të cilët banojnë aktualisht në banesë pas verifikimit të kryer nga struktura përkatëse, që kryen privatizimin e që bëjnë pjesë në certifikatën e gjendjes familjare aktuale.”.
4. Fjalia e fundit e pikës 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Çdo sipërfaqe banimi e përfituar mbi atë të normave të strehimit do të llogaritet me koston aktuale të ndërtimit.”.
5. Fjalia e fundit e pikës 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Nëse EKB-ja ka filluar procedurën e transferimit të banesave dhe të objekteve të kthyera në banesa në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore ose kur këto banesa apo objekte të kthyera në banesa rezultojnë të regjistruara me pronësi “shtet”, njësitë e vetëqeverisjes vendore përfundojnë procedurën e regjistrimit të këtyre objekteve në emër të tyre dhe kryejnë privatizimin.”.
6. Pas pikës 5 shtohen pikat 5/1, 5/2, 5/3 e 5/4, me këtë përmbajtje:
“5/1. Përjashtimisht, nëse objektet e përcaktuara në pikën 5 të këtij vendimi rezultojnë pa informacion mbi titullin e pronësisë, njësia e vetëqeverisjes vendore, në territorin e së cilës ndodhen këto objekte, do të iniciojë procedurën për privatizim, referuar kërkesës së paraqitur nga subjektet e interesuara.
5/2. Njësia e vetëqeverisjes vendore, në zbatim të pikës 5/1 të këtij vendimi, mban korrespondencë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për të identifikuar e verifikuar statusin juridik të pasurisë, objekt kërkese.
5/3. Nëse, pas verifikimit të kryer, përfshirë edhe korrespondencën me ASHK-në, rezulton se objekti i kërkesës për privatizim është pa informacion mbi titullin e pronësisë, atëherë kjo e fundit duhet të përditësojë të dhënat e pasurisë, nëpërmjet pasqyrimit të statusit juridik në pronësi “shtet”, me qëllim kalimin në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore të këtyre objekteve, me destinacion të përcaktuar privatizimin.
5/4. Në rastet kur është e nevojshme të kryhet verifikimi i gjendjes faktike të objektit të kërkesës për privatizim në terren (për arsye të mungesës së të dhënave), grupet e përbashkëta të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe ASHK-së kryejnë verifikimin në terren të objektit, duke përcaktuar sipërfaqen faktike në momentin e evidentimit.”.
7. Në pikën 11 bëhen këto ndryshime:
a) Në fund të shkronjës “a” shtohen fjalët “… apo në mungesë të tyre, çdo dokumentacion tjetër provues, si: librezë uji, librezë dritash, vërtetim si banor njësie administrative/lagjeje;
b) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Certifikatë e gjendjes familjare e datës 1.12.1992 dhe certifikatë aktuale e gjendjes familjare në momentin e privatizimit për subjektet e trajtuara me ligjin nr.7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, si dhe certifikatë e gjendjes familjare aktuale në momentin e privatizimit për subjektet e trajtuara nga ligji nr.9321, datë 25.11.2004, “Për privatizimin e banesave dhe objekteve të kthyera në banesa, të ndërtuara me fondet e shoqërive dhe të ndërmarrjeve shtetërore”. Sipas certifikatës së gjendjes familjare akuale, do të llogaritet edhe sipërfaqja e banesës, që i takon familjes, bazuar në normat e strehimit në momentin e privatizimit, dhe përcaktimi i sipërfaqes së tepërt mbi normën e strehimit, nëse ka një të tillë.”.
8. Pika 15 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“15. EKB-ja ose njësia përgjegjëse e privatizimit në njësinë e vetëqeverisjes vendore identifikon përfituesit e privatizimit, sipas pikave 2 e 3 të këtij vendimi.”.
9. Pas pikës 19 shtohen pikat 19/1, 19/2, 19/3, 19/4 e 19/5, me këtë përmbajtje:
“19/1. Kur subjekti, që kërkon të përfitojë nga privatizimi i banesës apo i objektit të kthyer në banesë, që ka në posedim, ka detyrimin ligjor të përcaktuar me një akt administrativ, për të dorëzuar banesën, të cilën e ka përfituar më parë nga shteti, EKB-ja ose njësia e vetëqeverisjes vendore kryejnë llogaritjet për vlerësimin e kësaj banese që dorëzohet, kalimi i pronësisë së të cilës bëhet në favor të EKB-së apo të njësisë së vetëqeverisjes vendore nëpërmjet një kontrate kalimi pronësie. Shpenzimet noteriale për lidhjen e këtyre kontratave të kalimit të pronësisë paguhen nga subjekti që dorëzon banesën.
19/2. Vlerësimi i banesës, që dorëzohet, do të kryhet sipas llogaritjeve të pasqyruara në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
19/3. Privatizimi i banesës së dorëzuar do të kryhet sipas llogaritjeve të pasqyruara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
19/4. Kur vlera e banesës/objektit të kthyer në banesë që privatizohet rezulton më e vogël se vlera e banesës së dorëzuar, EKB-ja ose njësia e vetëqeverisjes vendore nuk ka asnjë detyrim ndaj subjektit që ka dorëzuar banesën dhe që do të përfitojë nga privatizimi.
19/5. Në rastin kur procedura e privatizimit të banesës apo të objektit të kthyer në banesë kryhet nga EKB-ja, referuar pikës 3 të këtij vendimi, edhe banesa e dorëzuar nga subjekti privatizohet nga EKB-ja, në favor të familjes që është miratuar sipas listës së trashëguar nga ish-ndërmarrjet shtetërore. Kur nuk ka një emër të miratuar në këto lista, EKB-ja i drejtohet njësisë së vetëqeverisjes vendore për miratimin e emrit të subjektit, që do të përfitojë me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore strehim në këtë banesë. Të njëjtën procedurë ndjekin edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, kur procedura e privatizimit kryhet prej tyre, referuar pikës 2 të këtij vendimi.”.
10. Në fund të pikës 24 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Për banesat/objektet e kthyera në banesë, që privatizohen nga Enti Kombëtar i Banesave, përfituesi i privatizimit paguan 4% të vlerës së privatizimit për shpenzimet operacionale të EKB-së.”.
11. Pika 25 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“25. Para nënshkrimit të kontratës, përfituesi i privatizimit paguan shpenzimet administrative dhe operacionale të parashikuara në pikën 24 të këtij vendimi. Me pagimin e këtyre detyrimeve, përfituesi i privatizimit ka të drejtë të nënshkruajë kontratën, duke paguar vlerën e privatizimit në mënyrë të menjëhershme ose me këste mujore të përballueshme, sipas parashikimeve të nenit 3 të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, me 2% interesa në vit.”
12. Pika 27 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“27. Kontrata e privatizimit formalizohet me akt noterial dhe mbahet në 4 (katër) kopje identike, prej të cilave: 1 (një) kopje e mban noteri, 1 (një) kopje i jepet subjektit përfitues, 1 (një) kopje mbahet nga struktura përgjegjëse në dosjen e privatizimit dhe 1 (një) kopje, së bashku me dokumentacionin e dosjes së privatizimit, i përcillet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për regjistrim nga zyra noteriale, që realizon lidhjen e kontratës. Agjencia Shtetërore e Kadastrës bën regjistrimin e akteve në përputhje me procedurat e afatet e përcaktuara në ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”.
13. Në pikën 29, fjalët “… sipas modelit të shtojcës 2 …”, zëvendësohen me “… sipas modelit të shtojcës 3 …”.
14. Pika 31 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“31. Afati, brenda të cilit përfituesit duhet të lidhin kontratat e privatizimit, është deri në 2 (dy) vjet nga pajisja e subjektit shtetëror me certifikatën e pronësisë. Për ato banesa/objekte të kthyera në banesë, kur certifikata e pronësisë ka dalë, afati dyvjeçar fillon nga miratimi dhe hyrja në fuqi e këtij vendimi.”.
15. Në pikën 36, fjalët “… sipas modelit të shtojcës 3 …” zëvendësohen me “… sipas modelit të shtojcës 4 …”.
16. Shtojcat 1, 2 dhe 3, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me shtojcat 1, 2, 3 dhe 4, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN TE KORPORATA E INVESTIMEVE SHQIPTARE TË PRONAVE SHTETËRORE, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË DISA INSTITUCIONEVE SHTETËRORE, PËR REALIZIMIN E PROJEKTEVE TË INVESTIMIT “QENDRA E SHËRBIMEVE PUBLIKE PALASË” DHE “COPËZAT”, SI DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.250, DATË 24.4.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe në zbatim të shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, me NIPT: M01917011D, të pronave shtetërore, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për realizimin e projekteve të investimit “Qendra e Shërbimeve Publike Palasë” dhe “Copëzat”.
2. Autorizimin e shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pronave me funksion vetëm publik, në emër dhe për llogari të pronarit shtet, për pronat shtetërore, sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Korporata e Investimeve Shqiptare apo entiteti i krijuar prej saj zhvillon, nëpërmjet instrumentit ligjor të sipërmarrjes, pronat e përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi, në funksion të realizimit të nënprojekteve të investimit “Qendra e Shërbimeve Publike Palasë” dhe “Copëzat”.
4. Autorizohen Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucionet e përcaktuara në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, që brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, vetë apo nëpërmjet institucioneve të autorizuara prej tyre, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, autoritetit në pronësi apo në përgjegjësi administrimi të të cilit regjistrohet prona e re shtetërore që zhvillohet si rezultat i përmbushjes së kushtit të transferimit të pronës/ autorizimit për zhvillim apo përmbushjes së interesit të Korporatës, kushteve dhe nevojave për dorëzimin e pronës së re.
5. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private dhe publike me qëllim lidhjen e kontratave përkatëse për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit, bazuar në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
6. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike, përgjegjëse për planifikimin e zhvillimin e territorit, apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të projektit të investimit si dhe të sigurojë regjistrimin, në emër të Republikës së Shqipërisë dhe Korporatës së Investimeve Shqiptare, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit, të pronave të reja shtetërore që do të krijohen në kuadër të projektit të investimit.
7. Në funksion të zhvillimit të pronave të përcaktuara në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar, nëse është e nevojshme, me prishjen e objekteve, pjesë e pronave të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhuen këtij vendimi, dhe, në zbatim të pikës 5, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, ngarkohet Korporata të kryejë procesin e konsolidimit të pronave të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2 në rast se konstatohet mospërputhje midis gjendjes faktike dhe ligjore të pronës.
8. Në listën e inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Rendit Publik”, i ndryshuar, hiqen pronat shtetërore me numrat rendorë 4 dhe 4.1 të listës së inventarit, me emërtesë “SPK Dhërmi, pikë kufitare”.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bashkia Himarë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË DURRËS TË PASURIVE ME NR.83/1 DHE NR.83/2, ZONA KADASTRALE 8315, ME VENDNDODHJE NË NJËSINË ADMINISTRATIVE RRASHBULL, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.536, DATË 1.5.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË DURRËS, TË QARKUT TË DURRËSIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8 të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Durrës të pasurive me nr.83/1 dhe nr.83/2, zona kadastrale 8315, sipas formularit dhe planeve të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, për t’u përdorur për realizimin e funksioneve të shërbimit funeral për zgjerimin e varrezave publike.
2. Pasuritë e përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi i shtohen listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.536, datë 1.5.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Durrës, të Qarkut të Durrësit”, të ndryshuar.
3. Bashkia Durrës duhet të respektojë kushtet teknike, që lidhen me linjën e tensionit të lartë, L110-6/2 (Rrashbull – Sharrë), dhe shtyllën nr.75, që kalon mbi këtë pasuri, si më poshtë vijon:
a) Në bazamentin e shtyllës plus 2 ml të mos kryhet asnjë punim;
b) Në distancën 4 ml me përcjellësin anësor të mos ndërtohen objekte shërbimi;
c) Të sigurojë një rrugë aksesi deri në bazamentin e shtyllës për operimin dhe shfrytëzimin e linjës.
4. Bashkisë Durrës i ndalohet ndryshimi i destinacionit, tjetërsimi dhe dhënia në përdorim të të tretëve të pasurive të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi.
5. Ngarkohen Bashkia Durrës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË DELVINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” të disa zonave në territorin e Bashkisë Delvinë, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, fshatrat Bamatat, Vllahat, Rusan, Lefterhor, Kakodhiq, Sopot, Stjar, Vanë dhe Blerimas, pjesë të njësisë administrative Delvinë, Bashkia Delvinë, Qarku Vlorë, me sipërfaqe 5 733 (pesë mijë e shtatëqind e tridhjetë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
b) Zona nr.2, fshatrat Vërgo, Tatzat, Kalasë, Fushë-Vërri, Senicë, Kopaçez, Qafëdardhë dhe Bajkaj, pjesë të njësisë administrative Vërgo, Bashkia Delvinë, Qarku Vlorë, me sipërfaqe 15 743 (pesëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e dyzet e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këtë zonë, janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Delvinë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË KONISPOL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Konispol të zonave, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, qyteti Konispol dhe fshatrat Çiflik dhe Shalës, pjesë e njësive administrative Konispol dhe Markat, Bashkia Konispol, Qarku Vlorë, me sipërfaqe 4829 (katër mijë e tetëqind e njëzet e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
b) Zona nr.2, fshatrat Markat, Ninat, Janjar, Dishat dhe Vërvë, pjesë e njësisë administrative Markat, Bashkia Konispol, Qarku Vlorë, me sipërfaqe 3981 (tre mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
c) Zona nr.3, fshatrat Xarrë dhe Mursi, pjesë e njësisë administrative Xarrë, Bashkia Konispol, Qarku Vlorë, me sipërfaqe 1264 (një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e katër) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këtë zonë, janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Konispol për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË POGRADEC
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” të disa zonave në territorin e Bashkisë Pogradec, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, fshatrat Nizhavec, Kodras, Pretushë dhe Grabovicë, pjesë e njësisë administrative Çërravë, Bashkia Pogradec, Qarku Korçë, me sipërfaqe 194 (njëqind e nëntëdhjetë e katër) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
b) Zona nr.2, fshatrat Grunjas, Prenisht, Lekas, Osnat, Nicë, Stërkanj dhe Derdushë, pjesë e njësisë administrative Dardhas, Bashkia Pogradec, Qarku Korçë, me sipërfaqe 1 927 (një mijë e nëntëqind e njëzet e shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
c) Zona nr.3, fshatrat Gështënjas, Leshnicë dhe Çërravë, pjesë e njësive administrative Buçimas dhe Çërravë, Bashkia Pogradec, Qarku Korçë, me sipërfaqe 226 (dyqind e njëzet e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ç) Zona nr.4, fshatrat Peshkëpi dhe Lumas, pjesë e njësive administrative Buçimas dhe Çërravë, Bashkia Pogradec, Qarku Korçë, me sipërfaqe 23 (njëzet e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
d) Zona nr.5, fshatrat Alarup, Bletas dhe Blacë, pjesë e njësisë administrative Çërravë, Bashkia Pogradec, Qarku Korçë, me sipërfaqe 377 (treqind e shtatëdhjetë e shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
dh)Zona nr.6, fshatrat Jollë, Llëngë, Hondisht, Çezmë e Madhe, Çezmë e Vogël, Pevelan dhe Trebinjë, pjesë e njësive administrative Velçan dhe Trebinjë, Bashkia Pogradec, Qarku Korçë, me sipërfaqe 1 321 (një mijë e treqind e njëzet e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
e) Zona nr.7, fshatrat Bishnicë, Buzahishtë, Senishtë, Velçan dhe Losnik, pjesë e njësisë administrative Velçan, Bashkia Pogradec, Qarku Korçë, me sipërfaqe 1 032 (një mijë e tridhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ë) Zona nr.8, fshatrat Golik, Zalltore, Slatinë, Vërri, Selcë e Poshtme, Kriçkovë, Homçan, Proptisht, Somotinë, Slabinjë, Homezh, Hoshtecë, Selcë e Sipërme, Velçan, Laktesh dhe Udenisht, pjesë e njësive administrative Proptisht, Trebinjë, Velçan dhe Udenisht, Bashkia Pogradec, Qarku Korçë, me sipërfaqe 3 421 (tre mijë e katërqind e njëzet e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
f) Zona nr.9, fshatrat Lin dhe Buqez, pjesë e njësisë administrative Udenisht, Bashkia Pogradec, Qarku Korçë, me sipërfaqe 63 (gjashtëdhjetë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
g) Zona nr.10, fshatrat Dardhas dhe Remenj, pjesë e njësive administrative Dardhas dhe Buçimas, Bashkia Pogradec, Qarku Korçë, me sipërfaqe 200 (dyqind) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këtë zonë, janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Pogradec për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA